• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NE U NGRITËM…E TREGOJNË DHE RRUGËT E FERRIT TË ÇARË…

May 22, 2023 by s p

– dy revoltat në dy burgjet politike:

Spaç dhe Qafë-Bari –

Nga Visar Zhiti

(Në burgjet e diktaturës komuniste, në atë të Spaçit dhe më pas të Qafë-Barit ka patur dy revolta të burgosurish, rebelime kundër kushteve çnjerëzore në burg, por me thirrje të hapura kundër diktaturës dhe komunizmit. Të dy revoltat, të vetmet në të gjitha burgjet politike të perandorisë komuniste, ndodhën në të njëjtin muaj, në data të njëjta, 21 deri në 23 maj, e Spaçit në vitin 1973 dhe 11 vjet më vonë ajo e Qafë-Barit. U shtypën me gjak e hekur, me burgime e pushkatime.

Në nderim të tyre, të vuajtjes dhe të qëndresës, të ngritjes krye dhe të martirizimit janë bërë shpesh perkujtimore dhe takime në përvjetore, intervista televizive dhe tubime e fjalime, etj. Dhe janë botuar pjesë nga libri i Visar Zhitit, “Ferri i çarë”, burgologjia e Qafë-Barit, ku përshkruhen me dramacitet dy revoltat, të shkrira në një, siç i ka ndjerë vetë autori, që i ka përjetuar të dy burgjet e tmerrshëm. – Sipas medias – )

REVOLTA

…edhe durimi s’durohej më…

…filloi paraditen e një dite pa emër, pse pa emër, ishte 22 maj dhe quhet dita e revoltës së të burgosurve të Qafë-Barit, po ja, nga që ditët në burg janë tepër njëlloj, si uniformat e burgut, me vija, ditët kështu, netët si uniformat e zeza të policëve. Brenda telave me gjemba dukej sikur kishte shenjtorë të sfilitur dhe djaj të marrosur.

Brigadat e natës, ndërresa e tretë e të burgosurve, qenë kthyer nga puna, kishin 2-3 orë që prisnin më këmbë dhe s’jepej urdhri të shkonin në fjetore. Gjysma flinte më këmbë. Mbështetur te muri, te shoku, te shkallët, tek telat me gjemba. Vurrata të zeza nëpër fytyra, o nga të palarët, o prej tmerrit, që shihnin në atë copëz ëndërr.

Urdhër i komandës. Prapë turni i parë!” “S’kemi pse kthehemi, – këmbëngulnin të burgosurit. – Jemi të lodhur, duam të flemë, të vdesim”. “S’ju lëmë të vdisni pa bërë normën”. “Në darkë prapë”. “Jo, tani!” “S’ka material, mor zotni, s’ishte faji ynë”.

Po i kujt, yni? – bërtisnin policët.

Po i kujt, juaji” – ia kthenin të burgosurit.

Fytyrë më fytyrë. Kthetër më kthetër. U avitën dy Sokolat, ai me mbiemrin Sokoli prapë dhe Progri. Çfarë doni? Ju çfarë doni? Normën! S’ka.

Po plas më duket. Erdhën Tom Ndoja, Martin Leka, Kostandin Gjordeni, Lush Bushgjoka. Të tjerë pas tyre. Po aty ishim. Ikni. Ikni ju. Shtrëngim dhëmbësh, nofullash. Uli duart…

Bamb një hekur – kumboi kafka? – me një hekur nisi revolta e Spaçit, e rrëmbeu një i burgosur dhe doli nga birucat. Po i binin çangës për t’u mbledhur të gjithë në mensë. Shqeva sytë mbi çangën sikur të mos e kisha parë kurrë, një predhë topi e varur. Bosh është apo ka eksploziv brenda, mund të shpërthejë, kur, kur? Pse po na mbyllin? Mos duan të rrahin në praninë e të gjithëve ata që kundërshtuan? “Po vunë dorë, do t’u përgjigjemi, – mërmëriti dikush pranë meje. – Gati jemi. Atë që do ta bënim më vonë, ta bëjmë tani…” U drodha i tëri. Të jetë themeluar vërtet parti në burg? Si…gur…isht… Çfarë do të bënim më vonë, kryengritje? Vdekjen, vdekjen. Po shtoheshin policët. Dyndjet e tyre të zeza si shpesh po i shihnim këto kohët e fundit. Vazhdonte futja jonë një nga një në mensë. Një si kënetë e ngritur lart në qiell. Ajo e ferrit, e tharë, plot me skelete të burgosurish. Si shi do të bjerë mbi ne pluhur kockash, do të bien eshtra nga lart, vetëtima të plakura, kafka…

U futën nja 10-15 policë. U përhapën në krye. Pastaj u futën policë të tjerë me të burgosur të tjerë me pranga në duar ose të lidhur me tel, veshur me leckat e punës, me fytyra të nxira aq sa s’njiheshin. Ata…

Ra heshtje barbare, e cila u ça kur hyri brenda oficeri i rojës. Si zakonisht nuk përshëndeti, s’kishte pse.

“Ce s’e betë normën (j)uve, të denuar? Ë, ce? Ce na hapni punë pa punë… Këtu ju mbajmë për punë dhe jo për istorira. Në galeri, marrsh, kush të dëgjojë emrin. Maskarenj, pisa”.

Policët lëvizën. Filloi rrahja. Përballë nesh. Të burgosurit e lidhur mundoheshin t’u shmangeshin goditjeve, mënjanoheshin, por shqelmi me çizme, sa të mëdha, staliniste, u dërrmonte kërcinjtë e zhveshur, uleshin pak sa për vetëmbrojtje, por grushti s’kuptohej nga vinte, rënkime, gjak. Paloseshin më dysh për të pakësuar vetveten, por grushte të shumta, shkopinj gome binin mbi ta, derisa binin edhe vetë mbi dysheme.

U-u-u-u-u-u-u-u-u, u ngrit një ulurimë e kudoshme. U kreshpërua. Hera e parë që e ngrinim zërin së bashku. Qenkësh i fortë.

Po na jepte kurajë britma jonë, po i besonim asaj. Mjaaaft, s’keni tuuuurp, thirrën zërat më të guximshëm. Kri-mi-ne-lë! Hapu, dëgjova një gulç pranë, çohuni! Stoli i gjatë u shkul, u ngrit lart, u shty dorë më dorë dhe hop u hodh drejt e mbi kokët e policëve duke dërrmuar ç’gjeti përpara, kapela me yll, qafa e shpatulla, tabela, xhama. Grupi ushtarak s’pati kohë ta mblidhte veten. Oficeri i rojës u pataks i pari dhe tregoi me gisht nga salla që po dallgëzonte. Policë u vërsulën mbi rreshtat e parë, që të goditnin, por u goditën ata nga stola të tjerë e fshesa e pjata. Kjo po ndodhte në krye. Të burgosurit nga fundi hipën mbi tryeza për të parë ç’bëhej. Pluhur dhe britma dhe shqyerje dërrasash, pastaj krahësh. Të guximshëm të tjerë, më të krisurit, po çanin përpara, duke hipur mbi kurrize e kokë, drejt betejës. Një tryezë u ngrit lart dhe u hodh me rrapëllimë andej ku policët dhe oficeri i rojës nuk po iknin dot.

Po fluturonin stola si zhgaba druri, rrapëllima, thyerje xhamash.

Të dalim jashtë dhe të na shohin kush jemi! Dera u përmbys e, duke shkelur mbi të, u turrën jashtë policë e të burgosur. Një patericë vringëllinte anë e kënd. Shih, shih, Haxhi Baxhinovski, Bajram Vuthi me leva, ku i gjetën? Po thikat? Janë të mencës. Ia nguli në bark? Kujt? Of-icerit… Lazër Shkambi rrokulliste parvazin e një dritareje. “Eviva! – thirri Vllas Koçi, – Poshtë Partia e këtyre!” Nëpër këmbë kapela ushtarake me yll të kuq e oficerit të rojës. Rrekej ta merrte, desh ra edhe vetë dhe se kush e nxori nga këmbët e të burgosurve për të mos e shkelur, Petriti m’u duk, e ka nga fshati maskaranë, se kush klithi. Oficeri i rojës, i çoroditur, s’po kuptonte se pse urdhrat e tij s’kishin më vlerë, nuk zbatoheshin, përkundrazi. Si është e mundur? Ç’po ndodh?! Mosni, kuisi, ka pasoja të rënda kjoooo-oh!

Po ç’të bëj? Të rri iki po nga? Ku? Dolën në oborr kacafytje të tjera, të filluara që brenda, vazhdonin me kollotumba e rrapëllimë.

Nuk e kupton, kryengritje? S’dihet ku do të dalë. Ikë, të thashë… Një urdhër priste, nga kushdo qoftë që ta zbatonte menjëherë. Oficeri i rojës nxitoi nëpër shtegun e thurur me tela me gjemba, më i madh iu duk vetja, u ngut drejt portës, që të nxirrte te dalja në ballë të komandës. Ndjeu të thirrura, poshtë komunizmi, iu bë se dëgjoi fare afër, s’e paskan me mua, iu duk se mendoi, bo-bo, mori thellë kjo punë, iu duk sikur mendoi prapë mbi mendimin e mëparshëm dhe gurë, shumë gurë mbas shpine, ku u gjetën gurët, ç’pastrim i keq kështu, iu bë se po e ndiqnin hapa të tjerë, ndoshta policët e tij, mos ishin të burgosurit, mos po donin ta kapnin rob, ta mbanin peng, ta linçonin… dhe ia dha vrapit me ulërima për t’i dhënë kurajë vetes. Do të përgjigjej që e la kapelën me yll të kuq në dorë të armikut. Por s’kthehej dot më. Vërtet po e ndiqnin armiqtë, por ushtari te kulla sipër portës zbrazi automatikun. Ku, ku? Në ajër, pse? Por nga dritarja poshtë e komandës një tjetër oficer qëlloi me revolver në drejtim të të burgosurve. Njëri prej tyre ndali, u ul më gjunjë dhe vuri dorën mbi shpatull afër qafës. Aty ku i përvëloi. Pa gjakun e vet mes gishtave, s’ndiej ndonjë dhembje të madhe, tha, s’është gjë vdekja, oh. Plumbi për fat nuk i qe futur thellë në mish. S’duhet të ketë rrezik jete, jo, po thoshin ata që e rrethuan. Rrezik jete apo vdekjeje? Lërmë, shtyu, të sulmojmë. Kush është plagosur, kush? Ai djali i ri nga Durrësi, Kosta Gjordeni. Një tjetër pranë hoqi këmishën e vet dhe ia vuri mbi të çarën e përgjakur. Të dhemb? Jo, më djeg pak. Ta lyejmë me duhan, e ndal gjakun, tha një malësor dhe shkoqi 4-5 cigare që i kishte dredhur më pare. Mos e lini gjakun të shkojë dëm, ta bëjmë flamur si në kryengritjen e Spaçit. Pije më mirë, ndonjë i dobët që s’ka gjak. Mjaft, s’është ambulancë këtu, jemi në betejë. Kush do detyra, le të vijë… “Rroftë Flamuri pa yll! – kishte brritur Hysen Xhani në Spaç, – Poshtë qeveria e Tiranës!” “Ja vdekje, ja liri!”, – dëgjuan thirrje të tjera. “Nuk punojmë në galeri…”. “Rroftë Bashkimi Europian!” – u ngrit mbi të tjerët zëri i Bedri Çokut. E padëgjuar kjo thirrje, si, po bashkohet Europa, po ne?

Ka organizim? Tmerr? P…arti ilegale…

Përtej rrethimit, te ndërtesa fshatare e komandës së burgut, shiheshin lëvizje të shqetësuara e dyfishim rojash.

Në tarracën e vogël sipër portës u vu edhe një tjetër mitraloz. Tytat e ngrehura për këtej shoqëronin daljen e policëve të fundit. Vërtet, s’ka më fare? Çfarë? Policë. Jo, jo… Të li-rë!?… Na kapi një ndjenjë e flatërt, mund të fluturonim tani, pa policë, sa bukur, të lirë brenda robërisë sonë, qielli epohej, gati të binte. Shikoi retë.

Ndodhi ajo që s’do të besohej kurrë. Të burgosurit zbythën një dyndje policësh, donin të hynin në kamp, të paarmatosur ishin; por u plogështuan menjëherë, ndërsa binin mbi ta gurë, pjata, sharje, libra të trashë të Enverit. Policët morën urdhër të prapseshin. Gjendja diku lehtësohej dhe menjëherë rëndohej diku si për baraspeshë.

Të çajmë rrethimin, të sulemi tek telat me gjemba. Të gjithëve nuk na vrasin dot… Ja vdekje, ja liri! Nga erdhi kjo britmë prapë, ç’kryengritës e sollën? E dija të mbetur nëpër libra, në teatër, në histori e tani buçiti para meje, përbetim i gjallë! Ku jemi në Spaç, në revoltë. Si atje… Do ta ngremë prapë flamurin? U gjend dikush që dha një urdhër: ti, ti, ti, shkoni me vrap në lavanteri e mensë dhe mbushini me ujë gjithë bidonët, kazanët dhe tenxheret. T’i kemi gjatë kohës së rrethimit. Do shkoj dhe unë, tha Skënder, më i riu, por fare i dobët, sa as dhe në galeri nuk e futnin, ende s’i kishte kaluar të 50 kilet. Mezi e kam pritur këtë ditë, prandaj jam dënuar, tha, grupi ynë donte të armatoste të burgosurit dhe të sulmonim… Ata do të presin ujin siç bënë në revoltën e Spaçit, dëgjoheshin zëra. Na lanë pa ujë pesë ditë… Ti shko merr nën kujdes thikat dhe hanxharët e mensës dhe te berberi, të mos keqpërdoren. Edhe lugët me garuzhdet. Dhe dërrasat e shqyera. Grumbulloni gurë sa të jetë e mundur. Por dhe kurajë. Ia vlen të vdesim si kryengritës, jo si të burgosur…

Në Spaç kryengritësit hapën birucat përmes breshërisë së plumbave. Hulusi Pashollari dhe Dashnor Kazazi s’pyetën fare për mitralozin e truprojës përballë, po i liruan bashkëvuajtësit nga biruca. Dhe aksioni i dytë e di cili ishte? Shqyerja e derës së bibliotekës së burgut, u mblodhën gjithë librat e Enver Hoxhës dhe të klasikëve të marksizmit dhe iu vu zjarri. Anash flakëve vallëzonin të burgosurit dhe këndonin këngë patriotike.

Në revoltën e Spaçit hipi mbi supet tona një djalë i ri, Skënder Daja, dhe u foli ushtarëve, eeeeejjj, vëllezër, edhe unë sa ju jam, 21 vjeç, ulini armët, mos qëlloni mbi ne, jemi në burg se duam lirinë, atdheun, juve, u rebeluam për lirinë dhe atdheun. Mos gaboni… Menjëherë hoqën ushtarët e rinj nga rrethimi dhe vendosën policë, skuadra të zeza si ato të pushkatimit. Të vazhdojmë kryengritjen e Spaçit, u dëgjua një thirrje nga fundi i shkallëve! Pse, ku jemi, s’është Spaçi ky? Qafa e Barit, or mixhë, por njëlloj janë. Po dridhem. Ta ngremë flamurin e kuq me zhgabë, mezi po pres, turfullonte plaku.

Ta ngremë flamurin kombëtar mbi tarracën e burgut, thamë, me solemnitetet. Kërkuam muzikantët tanë, t’u binin veglave, ku t’i gjejmë, Himnin e Flamurit. Kush ka frikë? Me të drejtë. S’u vumë faj. U grumbulluam ne, u mbajtën fjalime para Flamurit. Ku ishin tërë ata oratorë të shkëlqyer! Kurse përtej telave me gjemba, mes rrethimit të ushtarëve dhe policëve të armatosur deri në dhëmbë, oficerët shihnin këtej me dylbi, bënin fotografi, xhironin me kamera. E kënduam vetë Himnin me zërat tanë të ngjirur, u mblodhën aty vëllezërit Çoku, Luan Burimi, Dervish Bejko, Pavllo Popa, Jorgo Papa, Gëzim Medolli, Ylber Merdani, Naim Pashaj, Murat Gjonzeneli… dhe përmes lotësh e ngritëm Flamurin përmbi burgun. U alarmua qeveria, ulni flamurin, dërgonte mesazhe komanda. Dolën vullnetarë tërë ata të burgosur për të bërë rojë nderi pranë Flamurit, natë e ditë, duke u ndërruar me njëri-tjetrin. Tregomë, jemi në Spaç, apo jo? A s’janë njëlloj Qafë-Bari, Aushvici, Buhenvaldi, Prishtina? Po, po, ika, s’e kam punë. Këtu jemi. Priftërinjtë, ushtarakët? Ç’ushtarakë? Tanët pra, të burgosurit. Ç’do të bëjmë, djema? Si, do të presim të qetë të na hanë? Të sulmojmë. Të shihen mundësitë strategjike. Le të vritemi. Sa t’u marrim ushtarëve automatikun e parë. Di unë pastaj se ç’bëj me një automatik në dorë.

Të gjithë ushtarët e rrethimit zbraznin automatikët njëherësh, me breshëri, vetëtima të shkurtra, të drejta si thika të shpejta, frushullimat e tyre të njëpasnjëshme vezullonin me krisma shurdhuese kudo, tym në grykat e armëve, qëllohej pa ndërprerje nga të gjitha kullat e vendrojave. Një dorë ushtarake te porta e madhe, e pamë sërish, jepte sinjal, tundej për çdo batare të re dhe tytat e armëve po uleshin gjithnjë e më shumë, nga në ajër, në drejtim të kampit, mbi kokët e të burgosurve. Ngrimë në vend. Pati nga ata që u shtrinë rrafsh me tokën. Do të ketë ardhur urdhri për të na vrarë të gjithëve. Binin copa të shqyera mbi ne, të rënda, të errëta, zhvoshje muresh, qielli. Dora dha sinjalin ndal. Heshtja si një gropë shurdhuese u hap në ajër. Erdhi erë e djegur, qe përzhitur gjithësia.

Të gjithëve na vrasin, s’e ka për gjë diktatura. Burgu gropë e përbashkët është. Na mbulojnë këtu e askush nuk e merr vesh.

Helikopteri erdhi edhe një herë rrotull, kërcënueshëm dhe trandshëm, u epua edhe më dhe u ul afër ndërtesës së komandës, mu në mes të rrugës. Kalë Troje fluturues, eeejjjj…. Kur shpejtësia e rrotullimit të helikave ra dhe vorbullat e tyre ajrore u tretën, u afruan oficerë dhe qëndruan para derës së helikopterit “gatitu” duke nderuar me grusht. Pas një oficeri, doli serioz një civil i shëndetshëm. Qenka zëvendësministri, e njohën disa nga të burgosurit dhe s’po lëviznin, veç vëzhgonin se ç’do të bëhej përtej, në vijim. Më keq ky, thanë dy-tre zëra. Është kriminel profesionist dhe merr pjesë vetë në tortura. Dhe në skuadrat e pushkatimit. Grupi ushtarako-civil nxitoi drejt komandës. Atje u mbyllën për ca kohë. U shtuan rojat te porta. Pastaj pamë që rrethimit të telave me gjemba iu bashkëngjit një rrethim tjetër ngjitur.

Mbi tarracën e komandës, te ndërtesa e parë në anë të portës së madhe, të hekurt, mes një lukunie civilësh dhe ushtarakësh të kthyer këtej nga burgu, një i trashë, me megafonin të ngulur në gojë, nisi të buçiste: Dëëgjoooni, dëgjoniiiii. Ministri i Brendshëm. Jo, jo, zëvendësi. Mos është sozia? – po zhurmëronin të burgosurit mes tyre sikur s’po merreshin vesh për llojin e kafshës. Buçima e megafonit sa vinte e bëhej më çarëse, e sertë deri në kërcënime… Dorëzohuni, se… forca e diktaturës së proletariatit… do ju shtypë… vrasë… dorëzooohuni!

Hutim. Habi. Po që guxuan të qeshnin? Edhe në Spaç zëvendësministri, Feçor Shehu, thërriste nga pas telave me gjemba për dorëzim. Të të vijë turp, more kriminel i fshatit tim, iu kthye atij me të thirrura i burgosuri Hajri Pashaj, vjen dhe na kërcënon. Të është fryrë barku dhe zverku me djersën dhe gjakun tonë. Harrove zotrote, kur të kapën gjermanët e Hitlerit dhe të futën në burg, kalama ishe si unë, kur më futët ju. Ata të dhanë bukë e qumësht e të kthyen në shtëpi. Ne po plakemi këtu e ju po na rripni të gjallë, sepse donim të iknim nga regjimi juaj i fëlliqur. Turp, na turpërove fshatin! – Dhe u qasej telave me gjëmba, ik andej e këndej, s’e mbante vendi. Vetë Feçor Shehu e pushkatoi atë mbas dy ditësh. – Por edhe ti kështu do të përfundosh, s’ke për t’u bërë ministër ndonjëherë, i kishte klithur sërisht bashkëfshatari i tij. Partia jote do të të vrasë…

Dorzooohuni! Feçor Shehu thërret ashtu? E kanë dërguar prapë? Jo, jo, atë e kanë pushkatuar me kohë, ky tjetri tani është Zylyftar Ramizi, ai tjetri është Agron Tafa, i njoh, por njëlloj janë, gjakpirës. Dooorzoohuuunii, të dënuar… Ç’të dorëzoheshim, ashtu ishim, të dorëzuar. Ta ndërprisnim kryengritjen. Përfaqësia e kryesisë drejtuese të vijë deri te Porta e Madhe për të paraqitur shkaqet dhe kërkesat… dhe lidhjet me armiqtë e jashtëm. Do të presim një orë e tridhjetë minuta. Kuptuat, të dënuuaaaar? Mbas dy orësh do të hyjmë në kamp pa marrë parasysh asgjë. Nëse do të ketë kundërshtime dhe rezistencë, do t’ju shtypim me dhunë, pa mëshirë, me të gjitha mjetet që disponon shteti. Partia me shokun Enver në krye është më e fortë se kurrë, ka shpartalluar dhe shpartallon dhe do të shpartallojë çdo armik, çdo koalicion të tyre dhe… nga çdo betejë ka dalë më e fortë. K-u-p-t-u-a-a-a-t….?

Hinka e megafonit nga këtej ngjante me një shqyerje të jashtëzakonshme goje, britmë sqollash. Ndërsa po zbriste nga tarraca tufa e tyre, ultimatumi i shtetit vazhdonte të bënte jehonë në gropën e burgut. Na u duk sikur pamë rrokullimat e aaaa-ve, ooooo-ve, shponin iiiii-të, gjyle të përflakura ranë midis nesh. Fauna e shtetit kaloi në anë të përbindëshit-helikopter, i cili bënte sikur flinte. Po tani? Askush nuk pyeti, por shihej te balli i të gjithëve, te rrudhat.

S’u mor vesh në u bë ndonjë përfaqësi jona. Thanë se u bënë tok pesë veta, jo gjashtë, për te Porta e Madhe. Ja, ja shikoi… Po shkojnë apo po kthehen? Doli dhe një përmatanë nga komanda dhe mori mesazhin e të burgosurve. Me shkrim apo me gojë? Njëlloj është. Jo. Shpjegohej rebelimi ynë, si shkak i dhunës së pandërprerë, gjithnjë e më të madhe, i padrejtësive dhe kërkohej ndryshim i gjendjes. Të trajtoheshim si njerëz, edhe pse kundërshtarë… S’pati kërkesa politike? Mesazhi vetë është qëndrim politik. Pa akuzuar dhe pa pranuar faje.

Qetësi, të mbajmë njëri-tjetrin. Bashkë… Ne s’kemi faj. Krimi është matanë telave me gjëmba…

Qetësi. Qetësia u gris befas me kërkëllima të forta metalike. Shule armësh? Porta e madhe po hapej, zinxhirët e saj, çelësat dhanë kërcënimet e para. Në tarracën e vogël të komandës, në anën e së cilës mbërrinin helikat e pezullta të helikopterit, u shfaq një grup ushtarakësh. Njëri me megafon urdhëroi: “Ne po hyjmë, në qoftë se dikush nga të dënuarit do të ngrejë dorë mbi ne, do të na provokojë, do të bëjë lëvizjen më të vogël të dyshimtë, do të qëllojmë me armë nga kudo për kudo, në turmë… Morët vesh? Asnjë lëvizje… Jeni të rrethuar… Dorëzohuni!”

U futën sampistë ushtarakë, shihnin si të tërbuar, mezi prisnin të shqyenin këdo, mes tyre oficerë të shumtë, të komandës dhe të Ministrisë, civilë që s’i njihnim, me kostume të jeshilta, në ngjyrë helmi, të ushqyer mirë, jo si ne, të (u)shqyer keq, se kush mërmëriti kështu pranë meje, e pashë se po zbehej, ç’ke, edhe ti po zbehesh, ja dhe komandanti, komisari, shefi i policisë së burgut, mbahet dhe krenar, pederi, skorta e rojave, policë, policë prapë, me egërsi të ngrirë si maska, kapterë, s’u dukërkan mjeranë, pa-pa-pa… Ndërsa kreu mbërriti tek oborri i parë, bishti gjarpëronte ende te porta.

Njëri nga nënoficerët nxori disa fletë dhe ia dha shefit të policisë. Po, tha, fillojmë. Fillojmë dhe hodhi vështrimin e pistë mbi të burgosurit e gjunjëzuar, gurë varresh, mes të cilëve kudo lartësoheshin policët, tabela qiparisash të zinj si në lojërat ushtarake. Gjithçka iu duk në rregull, top fare, rregulloi kapelën, shkëlqeu djegshëm ylli i saj dhe me zë pretencëdhënës lexoi një emër. Sokol… cili, të dy… shkrofëti korbi. Çohu, ti, edhe ti… u çapëlyen disa gabzherrë njëherësh, kuturumshëm, sy të çakërdisur vigjëlonin nga të gjitha drejtimet mbi ne, çohuuuu-uh! Pa u ngritur mirë i pari, 7-8 policë iu vërsulën duke i zhvatur lecka dhe lëkurë bashkë, e tërhoqën osh deri pas murit të mensës, ku ne s’shihnim se ç’bëhej. Sokoli tjetër… Emër tjetër, u thirr: Tom Ndo… tjetër, Bushgjoka… dhe policë të tjerë, prapë të tjerë hidheshin, Haxhi… Vllasi, Kostandin… zvarritnin njeriun, i vinin prangat keq e keq dhe që andej, nga pas murit, vinin zhurma goditjesh, ulërima dhe mbytja e tyre. Emra të tjerë u thirrën gjëmshëm… Vuthi… Martin… Lazër… Tabaku… Pisha… përsëritej rituali barbar… dhe, sikur të gaboje, të lëvizje paksa nga mpirja dhe ankthi, policët vërsuleshin mbi ty për të të zvarritur duke mos pritur në je ose jo ai që u thirr. Njëlloj janë, armiq! Vazhdonte ngritja, gjithë habi dhe tromaksje. Ç’u bëjnë pas murit, mos i asgjësojnë? Dëgjon ti krismë arme? Të shurdhëta po.

Mos lëviz. Më shkeli dorën polici, m’u ngulën gozhdët në mish, gjak, mos lëviz. Pse s’po mbaron? Sa gjyq i gjatë. Do të ngrihemi dot ndonjëherë, ulokë do të mbetemi, do të zvarritemi, a do të ecim me këmbët tona, do të kemi emër, apo lëvozhga të ngjitura në ballë, lëkura të rrjepura? Komandanti dha urdhër të ngrihej mjeku, të gjithë mjekët, mos i prekni, u tha policëve. Shpejt pas murit, i urdhëroi. Mbase ka të vdekur. Kë do të pushkatojnë pastaj, të vdekurit? Na duan të gjallë. Pas murit. U shkulën me forcë dhe kryetari i burgosur i riedukimit, Zhabolli… mure ulëritëse, të përgjakura, dhe inxhinieri i ndërtimit, Fratari, Dinia, ah, pse… policët qëllonin ku të mundnin, mure të çmendura, mure qelish, të komandës, të Komitetit Qendror të Partisë, Muri i Berlinit, Muri i Madh Kinez, m-uri, ka-m-uri për një ulërimë…

… rënko(h)-i prapë: oh-h-h-h-ooo-ooh! Një rënkim tjetër, nata, i fundmi i kryengritjes, ngji-iih-ste shka-ah-llë-ëh-t. Rrëzohej, oh, ngrihej, ih, ngadalë, ah, shihte qiellin, plot me gozhdë yjesh, vrima plot, bien rënkime, toka e zezë, me ofshama gropash, lëkundej, ej, of, op, uh, uf. Rënkimet-et pikonin gjak-ak. Llavë… Ra prapë pezmi i rënkimeve, i gjatë, zuri brinjët me dorë, të thyera, dy, tre, yyyyeeeeehhh, shfryu, uh! U rrëzua…

E çuan pas murit… Zvarrë. Ah! Oh, oh… Hija e rënkimeve u rrëzua prapë. Oh. U shtri… po rënkonte toka, muzgu sipër saj, gulçonte mbi pellgun e gjakut të vet… “Çohu, i dënuar, – briti polici pas tij. – Ngjiti shkallët, drejt birucave.” Të burgosurit përreth s’po lëviznin si në një mallkim. S’lejohej me regullore t’i jepje ndihmë tjetrit. Ah, sikur ta merrja për krahu, brinjët e thyera i dhembnin tmerrësisht, ta mbartja deri te porta e vogël… e birucave të brendshme.

Gulçe gjaku të ngrohtë shpërthenin nga goja mes dhëmbëve të thyer… U-u-u-jë-ë-ëh! Kushështë… Nuredin Skrapari… Ujë… më digjnin plagët brenda trupit, elektro…oh…vo…zi…sti Agroon Ho…xha më njomte buzët me një leckë, s’e di ku e gjeti ujin, ndoshta binte shi, po ti… në birucë, unë pashë që policia të ra me dru në kokë… qetësohu, mos fol… Roola(h)nd Too(h)li më mbante kokën të mos më binte përdhe, e paskan arrestuar edhe atë, po ai është i gjatë, ka më shumë vende se unë për plagë… dhe s’po më linte të vdisja… edhe Çajuuu(j)iiii, ujëëëë…

DËNIMI I REVOLTËS DHE DËNIMI I BURGUT

Ra çanga, hekur mbi kokë. Na mblodhën në mensë prapë. Ai myzeqari aty, ku e kishim lënë, I palëvizur, kështu dukej. Mos duan të përsëritim rebelimin? Prapë erdhi ai oficeri nga Jugu, zv/komisari a ç’dreqin është, që iu rrokullis kapelja me yll e iu ngatërrua nëpër këmbë si mace, si ideologjia e vet, thuaj. Policët me shenjë plagësh. Gjysma kokësh të lidhura me fasho, copa krahësh të thyer. Komunikim. Zëri i komisarit donte të ngjante i fortë, i patundur dhe vetë po rrinte drejt si ato tabelat e qitjeve. Batare armësh. Diktatura e proletariatit e shtypi revoltën e armiqve… dhe… gjyqi i popullit… heshti. Uli sytë mbi letër, pa syze…

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, pasi shqyrtoi dosjen në ngarkim të së pandehurve… na u mor fryma, emra, emra… vendosi këto dënime: Sokol Sokoli, me vdekje, pushkatim; Tom Ndoja, me vdekje, pushkatim… Sokol Progri, me 25 vjet burg, Vllasi Koçi, me 25 vjet burg, Martin Leka me 16 vjet burg, Haxhi Baxhonovski, me 21 vjet burg, Bajram Vuthi, me 15 vjet burg, Ndue Pisha me 25 vjet burg, Lush Bushgjoka, me 12 vjet burg, Kostandin Gjordeni, me 10 vjet burg, Lazër Shkëmbi, me 12 vjet burg dhe Hysen Tabaku me 11 vjet burg. Për të gjithë vuajtja e dënimit fillonte më 22 maj… po e të pushkatuarve? E Sandër Sokoli… me kokën që i varej supeve, e hodhën mbi të tjerët në makinë, kufomë, kockathyer dhe të lidhur… firmat e tre gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, Pukë, më 3.06…

Në Spaç ridënuan mbi 100 veta. Ditët e fitimit u hiqen. Nuk u quhen më. Po s’janë ditë, janë jetë… Koha s’është jona, por jashtë nesh si sendet… e grabitura. I vranë… Të gjithë të burgosurit i lidhën me zinxhirë dy e nga dy dhe i ulën përdhe. Dënuan me pushkatim dhe qenin e burgut, sepse mori hapur anën e të burgosurve, jo vetëm që u lehte policëve, por u hidhej te këmbët, i kafshonte…

Në revoltën e Spaçit pushkatuan katër: Pal Zefin, Skënder Dajën, Dervish Bejkon, Hajri Pashain. Duke konfiskuar pjesën e tyre nga pasuria në familje. Çfarë, karriket, lugët? Dhe me heqjen e të drejtës elektorale 5 vjet pas dënimit. Pas vdekjes? E tmerrshme, cinike. Nga që votuesit këtu janë të vdekur…

* * *

Pastaj u dha dënimi dhe për vetë vendin e vuajtjes së dënimit, burgun! Ashtu siç qe dënuar dhe Spaçi pas revoltës. E ç’do të bëjnë, do burgoset dhe burgu? Si? Çfarë, do shëmbin ngrehinat, shkallët, do përmbysin fjetoret? Nëse më thua se do të shtojnë dhunën, asaj s’ke ç’i shton më.

Burg i dënuar, çudi! Truallin e tij mos do e mbushin me tela me gjëmba e do të kalojmë çdo ditë mbi to, zbathur, kur të shkojmë në punë, që do të jetë bërë akoma më e rëndë? Të dënuar malet përreth, uji, ajri.

Gjithçka do të jetë më keq, edhe e keqja. Që nga ushqimi, do të pakësohen kaloritë, megjithëse pak ishin, por familjeve do u vënë regulla, për të mos sjellë gjë më dhe takimet sa më të rralla, dy herë në vit, mbase. Edhe letrat. Mund të heqin televizorin, – mirë do të bëjnë, – dhe leximin e librave të Enverit, jo atë do ta shtojnë.

I dënuar në një burg të dënuar.

* * *

Në dosjen e Ministrisë së Punëve të Brendëshme

Për revoltën e Qafë-Barit:

“Qëllimi i kryerjes së kësaj vepre ka qenë që me anë të hapjes së veprimeve, shpërthimit të galerive, të realizonin arratisjen në mënyrë më të organizuar. Veprat penale të kryera nga të pandehurit paraqesin rrezikshmëri të theksuar shoqërore kundër rendit shoqëror socialist dhe shtetit të diktaturës së proletariatit…” – Fjalia e fundit e nënvizuar. –

Akuza e Prokurorisë Pukë:

“Të dënuarit e kampit të Qafës së Barit Sokol Zef Sokoli, Sokol Zef Progri, Tom Kol Ndoja, Lush Prel Bushgjoka, Haxhi Shefqet Baxhinovski, Vllasi Llambi Koçi. Kostandin Sotir Gjordeni, Bajram Islam Vuthi, Martin Sokol Leka, Lazër Zef Shkëmbi, Hysen Halil Tabaku dhe Ndue Martin Pisha, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer veprën penale të terrorit kundër përfaqësuesit të shtetit, parashikuar nga neni 50/1 e 13 Kodit Penal…

PARA PUSHKATIMIT

…Procesverbali është nënshkruar nga gjashtë veta… përbërja e komisionit të caktuar për zbatimin e vendimit të Gjykatës së Lartë… me 60 karikatorë kallashnikovi… nën drejtimin e shefit të policisë së rrethit…. Skeda më dridhej në dorë:

Sokol Sokoli, i biri i Zefit, datëlindja 1952 nga fshati Gërni i rrethit Tropojë, i dënuar me vendim Nr.3 datë 3.6.1984 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë me vdekje (Pushkatim), mbasi Presidiumi i Kuvendit Popullor me shkresën Nr.888 datë 7.6.1984 nuk i fali jetën. Tom Ndoja, i biri i Kolës, i datëlindjes 1952, lindur e banues në Kllogjen të rrethit Shkodër, dënuar me vendim Nr.3 datë 3.6.1984 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë me vdekje (Pushkatim), mbasi Presidiumi i Kuvendit Popullor me shkresën Nr.888 datë 7.6.1984 nuk i fali jetën…

Mbi dokument janë shënuar me dorë rënkimet e fundit të të dy të dënuarve, pas mesnatës së 9 qershorit, para skuadrës së pushkatimit. Po kush i kanë shkruar, pushkatarët? Ja:

Para ekzekutimit të dënuarit Sokol Sokoli iu komunikua se nuk i falej jeta dhe në fjalën e fundit ai tha: “Mos më vrisni mbrapa. Gropën e hap vet. Presidiumi i Kuvendit Popullor mirë ka ba. Nuk i kemi ba gja kujt”

I dënuari Tomë Ndoja në fjalën e fundit tha: “Të rrojë drejtësia!”

Në fund firmat… 30 rreshta, një faqe gjithsej…

Ku i vratë? Flisni! Hapeni gojën që ta hapim gropën për të varrosur dy shokët tanë, dy njerëz. T’u hedhim nga një trëndafil, por dhe ata mua m’i dënuan…

Filed Under: LETERSI Tagged With: Visar Zhiti

LABIRINTHI I LIBRIT NË TORINO…

May 19, 2023 by s p

Nga Visar Zhiti/

“Në qytetin e librave” e kisha titulluar reportazhin tim të dikurshëm, në fillimin e viteve ‘90, kur kisha shkuar i përhënur në Panairin e Torinos.

Ishte hera e parë që do të shikoja një panair librash, ku as isha i ftuar dhe as kisha ndonjë libër timin, madje ishte dhe hera e parë që kisha dalë jashtë Atdheut.

Me miq të huaj, pra, të rinj, se si e solli fati, të nisja një specializim në gazetat e mëdha italianë “Il sole 24 ore”, “Corriere della Sera” dhe “Avvenire” në Milano…

Dhe në atë panair unë mbase isha gazetari më i varfër në botë. Më çoi kërshëria ime e madhe. Pata një magjepsje dhe marramendth që s’më ka ikur ende. Në Torinon e atyre ditëve rrija në shtëpinë e gazetarit zemërmirë Andrea Casalegno, sipër lumit Po, që ia tregoja se ç’do të thoshte shqip emri i atij lumi, një fjalë që na kishte munguar aq shumë në përditshmërinë tonë të ashpër. Edhe babai i Andreasit kishte qenë gazetar, i pari të cilin e kishin vrarë terroristët, Brigadat e Kuqe. Shtanga. Prandaj të ishte afruar aq shumë me mua, po mendoja…

– Eja në Torino, – më tha, – se është dhe një shkrimtar shqiptar, Kadarè, në veprimtaritë e çmimit “Grinzane Cavour”…

– E di, – thashë.

– Merr trenin se është afër…

Ashtu bëra dhe u çudita sa shumë shkrimtarë pashë, të shquar, të huaj… shkrimtarin gjerman Günter Grass, që do të merrte më pas çmimin Nobel, me mustaqe të zeza e të trasha si të shqiptarëve, kështu m’u duk, e megjithatë s’i afrohesha dot, ndryshe më ndodhi me poetin rumun Marin Sorescu, më mirëkuptoi menjëherë, mbante një triko të bardhë leshi, si të shqiptarëve dhe ai, i mora dhe një intervistë, që s’dija ku do ta çoja, i largët m’u duk dhe shkrimtari argjentinas Adolfo Bioy Casares, por duhet të ketë qenë druajtja ime a frika nga fantazma e Borgesit, mikut të tij, e dija ashtu si Kafkën, megjithëse me kroatin Predrag Matvejeviç folëm gjatë, ndërkaq i mora një autograf dhe një shkrimtari rus, plak dhe i dobët, mbaj mend vetëm emrin e romanit të tij tani, “Qoshja e pestë”, – nga ju isha në burg, – s’di pse dhe guxova dhe ia thashë befas, ai i prekur m’u përgjigj se dhe vetë kishte qenë në burg, – po, e pashë në shënimet në kopertinën e librit tuaj, – vazhdova italisht dhe përkthyesja e bukur ia tha rusisht, – por desha të thosha se ishim në burg nga sovjetikët, – dhe ai sikur u zbut, por trishtimi nuk i iku a ashtu ishte gjithmonë. Të grindesh me përkthyes, mendova për një çast, dhe kjo duhej…

Dhe me Kadarenë do të takohesha për herë të parë, jo se nuk e kisha parë në Tiranë, kisha qenë dhe afër tij me të tjerë, por ai nuk më njihte dhe nuk kishim biseduar kurrë. Pasi u largua në Paris dhe kërkoi “strehim politik”, më dërgoi një letër prej andej, punoja në “RD” atëhere, iu përgjigja dhe po flisnim dhe në telefon dhe i thashë se do të vija në Torino… iu bëra i afërt, bashkatdhetari pra, ishte dhe Znj. Helena Kadare, bënim dhe ndonjë shëtitje dhe biseda të thjeshta, njerëzore, z. Ismail bënte dhe humor, ndërkaq e respektonin shumë, si të veçantë.

Dhe në një nga ato paradite shkova në Panair, më mahniti, i parrokshēm, labirinth librash pa mbarim, i rrethuar s’dija ku të shkoja dhe ku të ndalesha, vetëm ecja, l…i…b…r…a, doja të bërtisja, të bija mbi libra, tmerr, tmerr i bukur dhe e ndjeva humbjen, më dëshpërueshëm se më parë, me ngushëllimin se e arrita një ditë të tillë, se mos ishte vegim, nuk ndesha asnjë nga shkrimtarët e Çmimit “Cavour”, ecja, labirinthi përsëritej, libra pafund, torturë leximi dhe mosleximi, çfarë mrekullie, etj, etj, mendime të tilla më gumëzhinin në kokë brenda gumëzhimave kozmike të panairit. Dhe bëra një shkrim të gjatë, e nisa me faks në Tiranë dhe u botua në një gazetë që do të falimentonte a do të mbyllej, me emrin buçitës “Zëri i Rinisë”.

M’u kujtuan të gjitha këto nga që nesër hapet Panairi i Torinos, Shqipëria është dhe e Ftuara e Nderit, lexoj, dhe ka vajtur një ekip me shkrimtarë, po kush është trajneri, lexoj prapë të pyesin, vë buzën në gaz, ja, emrat, lexoj diku tjetër, nis me një këngëtar të njohur në Itali, Ermal Meta, ka botuar një libër tani, të pranishëm do të jenë edhe: Ylljet Aliçka, Enkel Demi (me pseudonimin Tom Kuka), Benko Gjata, Anilda Ibrahimi,

Fatos Kongoli, Darien Levani, Matteo Mandalà, Virgjil Muçi, Liridon Mulaj, Lucia Nadin, Ardian Ndreca, Bashkim Shehu, Ornela Vorpsi, Tobias Xhaxhiu, Lea Ypi, po është dhe Andreas Dushi… lexova dhe Gëzim Hajdari… i njoh, gati të gjithë, miqtë tanë, letërsia jonë…suksese, suksese, suksese, them me zë.

Po poeti Skënder Buçpapaj, pyes, është dërguar ndonjëhere në ndonjë panair? Dhe romancieri Dashnor Kokonozi që nga Franca nuk e ka shumë larg. Po poezia e Fatos Arapit?…

Unë atëhere isha vetëm, shumë vetëm, mbase i vetmi shqiptar në Panairin e Torinos, por më vonë do të shkoja prapë, bashkë me Edën time. Po ai labirinth, por jo aq i pakuptueshëm, as i rrezikshëm si më parë, i lodhshëm mbase. Dhe më shumë… Shqipëria për herë të parë ftohej zyrtarisht dhe kujtoj që ishin dhe Mimoza Hysa, dhe Arben Dedja, dhe Roland Sejko, dhe arbëreshi Carmine Abate, shkrimtar tashmë i njohur në Itali. Dhe Konsulli i Nderit, Giovanni Firera, që s’e di a ishte më… një autograf, më ndali dikush… dhe kishte librin tim të parë, botuar në Itali, “Croce di carne”, dhe kur? Kur në atdheun tonë ndodhte ‘97, viti i kaosit dhe i shkatërrimeve, i barbarisë, i absurdit më të madh, kur u armatosën të gjithë shqiptarët kot, edhe fëmijët, dhe u çarmatos Shqipëria. Të gjithë kundër të gjithëve, vetvetes.

Përkthyesi im i shtrenjtë, Elio Miracco, futi në libër dhe poemën time të re, të atij viti, “Vetëvrasja e atdheut”, të cilën një gazetar televiziv i RAI-it do ta lexonte duke qarë.

Shtoheshin botimet në Itali, në panaire të tjerë do të ishin librat tanë, edhe pa ne… stendat e botuesit “Rubbettino”… Gëzim Qendro… po, po, dhe libra të mi, ndërsa nesër do të jetë dhe romani “Sulle strade dell’ inferno”, ky vetëm nga të mitë i përkthyer nga Prof. Matteo Mandalá, botim i editorit “Besa”, – a do vish? – më pyeti Livio Muci në messenger, – jam larg, – thashë, – larg…

A do të këtë libra nga autorë të përndjekur? Nga ajo që po e quajmë letërsia që erdhi nga burgjet dhe internimet, se poetët dhe shkrimtarët që vdiqën burgjeve apo internimeve, që i pushkatuan, nuk shkojnë dot… Haxhiademi… Xhagjika… Blloshmi… Delvina… mërmëris… ngjajnë me rënkimet… Apo veç ribotime… Sollzhenicin… Shallamov… Brodski… po drama “Rrajët lëvizin” e Ernest Koliqit tonë?… dhe libra nga luftërat e reja a do të ketë?… Ukraina… E Kosova jonë?… Podrimja, Shkreli, Bajraj, Apolloni, Kelmendi…

E ç’na pengon të kemi një stendë të përbashkët?

“Onufri” ka dërguar nga Tirana Vepren e plotë të Kadaresë, botim i ri në 7 volume, me një punim ornamental të shtrenjtë.

7-ta është numër i mirë, po thosha me vete.

Dhe pata vegimin e pikturave në kopertinat e librave të mi, dy të parat në Itali i bëri posaçërisht për to Valer Dyrzi Tarasov, bashkëvuajtës imi në burgun e Qafë-Barit dhe tani piktor i njohur… Kopertinë të shkëlqyer do të bënte për “Il visionario alato e la donna proibita” Miron Topçiu, djali i mikut tim, ndërsa botimet e fundit si kudo të miat, do të kishin në ballinë piktura të djalit tim, Atjonit, copra yjesh, natë që thyhet…

Ata që lexuan poezinë time në Itali, e mirëpritën, më me dhimbje se në atdhe, më deshën më shumë, më dukej, por kjo nuk e pakësoi dashurinë time për Dheun Amë.

Po shkruanin poetë për librat e mi. I pari, i madhi Mario Luzi, Senator i Përjetshëm. Poeti tjetër, Presidenti i PEN-it italian, Sebastiano Grasso. Ai jo vetëm do të bënte parathënien e përmbledhjes “Confessione senza altari” dhe do të shkruante në “Corriere della Sera” dhe për romanet e mi. Dhe të tjerë të njohur si poeti Franco Loi, kritiku Ennio Grassi, poetët dhe kritikët Dante Maffia, Davide Brullo, etj, gazetarët Giovanni Ruggiero, Roberto Beretta, Adalberto Cuzzi, etj, së fundmi dhe gazetarja Anna Lattanzi, etj. Po dhe eseisti, preminenti, siç e quajnë, Goffredo Fofi. Dua të kujtoj dhe semiologun e madh të shekullit XX, filozofin dhe shkrimtarin Umberto Eco…

Dhe sa çmime letrare e madalje më ka dhënë Italia, rëndësi ka që ato kanë dashuri shumë, me emrat vezullues si “Leopardo d’oro”, “Ada Negri”, “Mario Luzi”, po këtë çmim mori dhe nobelisti Derek Walcott po atë ditë, dhe do të vazhdonin… Kultura e Deteve… ai i Karrierës… “Linguaggio dell’anima”… dhe… dhe… kujtova shumë, kam sjellë dhe imazhe, ç’m’u gjendën, shkak është labirinthi… dhe jo vetëm pse po vjen mbrëmja ime dhe nesër hapet Panairi i Torinos, por desha të shpreh mirënjohjen për Italinë, që na dha aq shumë, me njerëzit e saj që dinë të jenë njerëzore, gëzohen shpejt me tjetrin dhe bëhen miq, familjarë, shpirtbukur si vendi i tyre plot me dallgë kaltërsish, mështu kam shkruar, që gëzimet dhe trishtimet i kthejnë në poezi… siç janë dhe vetë…

Panairi i Librit i Torinos nesër hap dyert dhe do të dynden njerëz pambarim, kështu besoj dhe lutem që prej andej të dynden librat ndër njerëz, pa mbarim qoftë dhe kjo!

Mjafton që libri nuk na lë të harrojmë se si mund të urojmë…

Filed Under: LETERSI Tagged With: Visar Zhiti

LIBRI I QYTEZËS DHE 100 VJETORI I SHOQATËS SË SAJNË CHICAGO…

May 14, 2023 by s p

Visar Zhiti/

-Mbresë –

E bukur vërtet mbrëmja e Qytezës së Korçës, Festa e 100 vjetorit të themelimit të Shoqatës së saj në Chicago, e cila mban emrin e vendit të të parëve të tyre,“Qyteza”, dhe kujtesën e gjuhës amë…
– 100 vjet mall, 100 vjet lidhje shpirtërore e fshatit të lindjes me Çikagon, të atdheut me SHBA-në, atdheun e ri, dashuri dhe bashkëpunim i pandalur, – tha në mikrofon në fjalën e tij të hapjes mësuesi i urtë i Qytezës dhe zëri i tij ishte zëri i të gjithëve aty.
Salla e madhe e festës ishte plot, nisi sipas ritualit me Himnet e Flamujve tanë, ai Shqiptar dhe ai Amerikan, solemnitet dhe hare, përshendetja anglisht e konferencuerit dhe pastaj po këndohej dhe vallëzohej dhe po përplasnin gotat me verë, uronin këtë 100 vjetor…
Nga një fshat i Korçës gjithë këta njerëz aq të përzemërt, fëmijë të bukur, zonja dhe zotërinj, veshur me hijeshi e me qytetari, të moshuar të nderuar si kujtesa e truallit të tyre, kështu thashë me vete.
Ishim bashkë me Edën time, ftesën na i dha Tasi, aq miqësisht, ai na ka dhuruar dhe Librin e Qytezës së tij, takuam miqtë tanë aty, Janin me Edlira-n, në një tryezë të madhe të rrumbullakët, – në formën e zemrës m’u duk prej mirëpritjes, – me vëllezër e bashkëshortet e tyre, të qeshur të gjithë dhe ndjemë se edhe ne kishim nja “100 vjet” që njiheshim me ta…
Takoheshim dhe më të tjerë, ja, dhe poeti Kostaq Duka, ja, dhe Dr. Minella Aleksi, i grupit tonë, kritiku letrar, i themi ne, përplasje gotash sërish, këngë të famshme korçare, edhe të Veriut tonë, të Dardanisë, amerikane si tonat, edhe greke, ne jemi fqinjë të mirë, vallzonte e gjithë salla, me elegancë, biseda për votimet, fitoftë më e mira për vendin, e ardhmja e begatë u bëftë e sotme sa më shpejt, ndërsa në krye në një ekran të madh dilnin pamje nga Qyteza e përmalluar, sikur shfletoj libri i kujtesës, rrugët e reja, shtëpitë dhe malet, shkolla, kisha, qielli që dukej sikur vazhdonte deri këtu dhe vazhdonte vërtet, njerëzit e fshatit, ja, me vegla muzikore ndër duar, ja dhe vëllezërit Belushi, aktorët e famshëm të Hollywood-it, nga Qyteza janë, do vinte Jim-i në këtë 100 vjetor, kështu kishte thënë, por ah, motra befas…
…dhimbje dhe krenari e natyrshme, Qyteza është bërë qytet në ëndrrat e tyre, teksa ikin vazhdimisht, vetmi dyersh, trishtime pemësh… ura e harruar… por ne kujdesemi për rrugët e vendlindjes atje, ndihmojmë e bashkëpunojmë duke qenë qytetarë amerikanë, kishte thënë në fjalën hyrëse ai, mësuesi i urtë i Qytezës. Më përsëriteshin ngrohtë fjalët e tij si ngushëllim ndaj boshatisjes së vendit si boshatisje shpirti…
Megjithatë sa mbrëmje e mirë në thjeshtësinë e saj, ku mes dritave dhe haresë, shisheve me verë e ushqimeve të shijshme, shandanëve dhe qirinjve dhe mallit pezull, më bukur ndriste buzëqeshja e çiltër njerëzore.

Filed Under: Histori Tagged With: Visar Zhiti

ME MIQTË E GRUPIT, NË DITËN BOTËRORE TË LIBRIT… (tim…)

April 24, 2023 by s p

Vërtet, kështu ndodhi, gëzueshëm. Me miqtë, Taipin dhe Janin, shkuam jo larg, në Madison të merrnin romanin “Këpuca e aktorit”, se Shtëpia Botuese Onufri me zemërgjerësi e mundësoi librin të ishte dhe këtu mes shqiptarëve në Chicago, pse jo dhe për më tej, po thoshim.

Dhe do të ishte trajner Taipi ai që iu përvesh punës i pari, do t‘ia parashtronte grupit tonë, se vërtet jemi një grup miqsh, që mblidhemi çdo të hënë, por dhe më shpesh në një sallon te zyrat e Odisesë, dhe nuk rri në krye ai , se tryeza është si e rrumbullakët, e barabartë për të gjithë, pranë janë Dhimo, Artani, Milto, Doktor Minella, që ndodh të mbërrijë me pak vonesë, se del nga klinika në spital, vijnë dhe Fredi e Nikoja, po dhe Ernesti nga Downtown-i më rrallë, i takon vendi afër meje, sipas rastit na vizitojnë dhe të tjerë, Gjergji, Dashi, Iliri… dhe nis biseda, e bukur, nxitoj të them, para gotave me verë a shisheve të birrës, antipastave, pizzave e ndonjë ëmbëlsire, aq sa ç’na lejon Doktori, bëjmë humor, flasim për shtëpitë e punën, për librat, ato na mbledhin, i sjellim dhe aty, letërsi filozofike e politike, ekonomike, ushtarake, romane patjetër, ndodh të lexojmë me zë dhe poezi, bëhen debate, ndërpresim dhe njëri-tjetrit sidomos kur shtrohen çështje të realiteteve në Shqipërinë tonë, s’ka si të ndodhë ndryshe, por dhe të aktualitetit amerikan, lufta në Ukrainë, etj. Profesori, kështu i thërret Dhimoja Janit, unë i them Strategu, ngrihet në dërrasën e zezë, në fakt ajo është e bardhë dhe shkruan atje me ngjyra të ndryshme, të kuqe, blu, të blertë, të verdhë, sipas çështjeve dhe ideve që parashton, grafikë e tabela, që nga raketat dhe planetet e dalim prapë te të persekutuarit, e ka mirë, nuk duron pa buçitur Fredi, po prit ta mbarojë, ia kthen Tani, ngrihet dhe Odisea në dërrasë, shpjegon gjendjen bankare të dollarit, edhe Dhimoja ngrihet, është ekonomist, por Dostojevskin duket sikur do më shumë, Tani Jungun, Doktor Minella e kthen shpesh bisedën te letërsia, te Kadareja dhe librat e rinj, diskutojmë artikujt tanë, kur kemi ndonjë botim në Gazeta Dielli në New York a në mediat në Tiranë, Ernesti vazhdon ciklin për të Majtën dhe të Djathtën, globalizimet e tyre, Miltoja shton se i kanë pëlqyer, kur i lexoi, rinis debati, Taipi tregon për Maqedoninë e Veriut, nga andej është, e Jugut për ne, them unë, për Kosovën dhe… dhe… romani i Visarit, të porosisim botuesin të gjejë mënyrën të na vijë romani “Këpuca e aktorit”, ta diskuojmë së bashku, ngulmon Taipi, jemi gjithë ato shoqata, nga Shqipëria e Kosova, nga Maqedonia e Mali i Zi…

Biseda vazhdon dhe në Starbucks-et pranë, me gotat e kafesë në dorë, po dhe në ndonjë park, ndezim purot që na shpërndan Odisea…

Dhe na erdhi lajmi për pakot me romanin “Këpuca e aktorit”, veç të shkonim t’i tërhiqnim. Me ”Venën” e Dashit, se mban ajo, me timonier Janin e Taipin para, me kuptim metaforik, dhe unë pas, pranë librave, po ktheheshim në autostradën plot me dritë dielli. Po si të mos ndalnim te Vëllezërit Michael-i dhe Hektori, miqtë tanë, po personazhi kryesor i romanit emrin Hektor e ka, faleminderit, tha ai, bëmë muhabet dhe me babanë e tyre, një plak i bardhë që kujtoi përndjekjen dhe internimet në Gradishtë të Lushnjës, Kardinal Koliqin dhe heronjtë, eh, ka diçka të tillë dhe në roman, thashë dhe u dhamë nga një libër me autograf…

Rrugës së kthimit po flisnim për Ditën Ndërkombëfare të Librit, por çdo ditë duhet të jetë e tillë siç është çdo ditë dhe e miqve.

Sa të bukur e bëtë… faleminderit! – fola unë.

Visar Zh.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Visar Zhiti

POEZIA IME NË UKRAINË DHE KOHA ËSHTË ME LUFTË…

April 21, 2023 by s p

– mbresë dhe rrëfim –

Nga Visar Zhiti

               Revista…

  Poeti ukrainas Dmytro Chystiak                            Visar Zhiti ndanë flamujve të Ukrainës…

Nga qielli me luftë i Ukrainës, – e ndjeva kështu dhëmbshëm, – më erdhi online revista letrare “Kyiv”, numri më i ri i saj… Ma dërgonte poeti ukrainas, Dmytro Chystiak, shoqëruar me këtë copëz letër në anglisht:

“I dashur Visar, Ju lutemi, gjeni këtu përkthimet e mia të poezisë suaj prekëse në gjuhën ukrainase në Revistën “Kyiv”, në fq. 139-141, bashkë me mirënjohjen time më të ngrohtë për artin tuaj dhe mbështetjen e Ukrainës. Me urime miqësore, më të mira të miat, Dmytro.”

S’kisha patur ndonjë lajm prej tij së fundmi. Pra, ai është… mirë. Dhe paska përkthyer poezi të miat në gjuhën ukrainase! Më kapi një si trazim, gjithsesi i bukur. Vërtet, del revistë letrare tani atje në kohë lufte? Ndonjë buletin ushtarak do ta besoja, me statistika nga fushë-betejat me avionë  e raketa… e gjak yjesh. Po shfletoja revistën në pdf, ja, poezi plot, prozë, ese, kritikë…! Mrekulli! Atje ku plasin bomba e vriten jetë, ndanë gërmadhave me rrugët që i shtypin zinxhirët e tankeve… shtypet dhe kjo revistë letrare… Duhet, për t’i bërë ballë tmerrit… Faqja 139… fletët e mia… arrij të lexoj shkronjat cirilike. Akademia Evropiane e Shkencave, e Arteve dhe Letrave prezanton… fotografia ime… dhe pak biografi… Shih, “Rapsodia e jetës së trëndafilave”, libri për të cilin u dënova e nuk u botua kurrë… pas burgut, pas rënies së diltaturës punoi këtu e atje… në Kuvend dhe.. e po pastaj?… aktiv në mbështetjen e Ukrainës në masmedian në gjuhën shqipe në vende të ndryshme të botës… M’u shpeshtua frymëmarrja… një e dhënë e re në CV time… s’e dija që e dinin, e çmoj që e çmojnë… po është aq pak kjo imja, asgjë… e njoh braktisjen dhe mosmbështetjen, njëlloj si e njeriut duhet të jetë dhe ajo e vendeve, duhet të marrësh anën e atij që pëson padrejtësi e vuajtje… e di ç’është dhe ushtari me armë para teje, i gatshëm të të qëllojë, megjithëse tek ne lufta ishte e ftohtë, delir dhe ankth dhe asgjë, me të keqen dhe marrëzitë… pa të huaj, kur dhe vetja të bëhej e huaj… E njoh qendresën… Ukraina po lufton me një monstër euroaziatike…. për Europën, shkruante Dmytro që në fillim gjithandej… ndoshta prandaj personazhet në fund të romanit tim të ri, “Këpuca e aktorit”, dy të dashuruar, nisen për në Ukrainë, në luftë… është ndihma ime, i të qenit pranë.

Në Kosovë të gjithë ishin me Ukrainën, sipas disa të anketave, kurse në Shqipëri kishte dhe kripto-pro-putin-ër, nostalgjikë enveristo-stalinistë të Bashkimit Sovjetik, besoj revanshistë të Realizmit Socialist, që dhe po forcohen… u ndjehen dhëmbët dhe helmi… A thua nga që Kina po bëhet superfuqi? Që të ndërprisja këtë valë të menduari, u hodha të shoh se ç’poezi kishin zgjedhur nga unë ukrainasit? Rrekem të kuptoj titujt: Koha, – kur ti mbetesh veç i dashuruari i saj… buzëqesha. Në detin e Homerit – tjetra, këpucët bëhen anije të eksodit… shih, dhe poezi burgu: Çastet… që ikin dhe mbetesh luftëtar pa luftra… zogu te hekurat e frengjisë… Anti nina-nana e dënimit… dhe… dhe… Dielli i dytë, prapë, që e kam shkruar kur isha student, e kam dhe në akt-akuzë, do “diell të dytë” ti, – më bërtiste hetuesi netëve, kur më arrestuan, – diell a nuk kemi Partinë? Pra ti, armik, do tjetër parti?… Po dhe në Ukrainë po kërkojnë një diell tjetër. Kush i përzgjodhi këto poezi? Dmytro Chystiak sigurisht, ai më njeh. Nga anglishtja i ka përkthyer, nga libri “The condemned apple”, botuar në SHBA… edhe si sfidë… jo vetëm ndaj atyre që më denoncuan mua, që lajmëruan Komitetin Qendror, Enverin vetë, por dhe ndaj uzurpstorëve të Kremlinit. E keqja ndodh të ketë vetëm një qendër për popujt… Po i jepja hov vetes të fantazonte. Nga burgu poezitë e mia shkuan si pëllumbat korrierë në një gjuhë tjetër të një populli që po derdh lotë dhe gjak bashkë, që po përleshet dhëmb për dhëmb me pushtuesin… E ç’t’i shkruaj Dmytro-s, që jam gëzuar, por ndërkohë dhe prekur? Që ju lumtë, nuk po e lini poezinë as tani, në luftë? Ne na dënuan për poezinë e ju dënoni me poezi? Dhe ju duheshin dhe të miat? Më vjen mirë, patjeter. Sikur ju kam dhënë dhe unë ca municion shpirtëror. Befasia si ato raketat që hedhin fronteve të luftës, po edhe në rrethimet e burgjeve për të ndriçuar për pak çaste mjedisn përreth, se ç’dogji brenda meje… A t’i tregoj Dmytro-s për fqinjët ukrainas në pallatin tim larg? I kemi te dera përballë. S’kanë shumë që kanë ardhur. I ikën luftës për të shpëtuar fëmijët, janë të vegjël, engjëj… Ua dëgjuam zërat në korridor. Po ktheheshim në mbrëmje në shtëpi, s’ishte aq vonë. – S’paskan fjetur, – tha Eda ime dhe nxitoi. Me t’u futur në apartanentin tonë, hapi frigoriferin dhe nxori ca ëmbëlsira, tortën, i vendosi në kuti të bukura. – Janë ende ditë Pashkësh, – shtoi, – t’ja u japin fëmijëve – dhe trokiti te dera e tyre. E hapi i zoti i shtëpisë, një burrë i ri dhe po na shikonte pa kuptuar. Nxori celularin dhe e vuri në “Google translate” me zë. I dëgjoi fjalët e Edës të përkthyera në gjuhën e tij, “Happy Easter!” – u dëgjua të na thotë. Tre vogëlushë të bukur u afruan. Vajza e madhe me flokët e artë si gruri i Ukrainës, na shikonte me adhurim. Ata kuptonin anglisht, shkonin në shkollë. Salloni i tyre dukej pothuajse bosh. S’m’u durua dhe nxora celularin dhe unë, i tregova ekranin me imazhin e kopertinës së revistës me emrin “Kyiv”, të kryeqytetit të vendit të tyre, e shtyva me gisht te fleta tjetër, “përmbajtja e lëndës”, ai u hutua edhe më, pastaj i vura para syve fotografinë time, po lexonte poshtë saj, nisi të buzëqeshte, patjetër prej fjalëve në gjuhën amë, pa nga unë, e kuptoi që ngjaja me foton, buzëqeshi prapë: це ти, я зрозумів… – kështu më doli se kishte thënë, kur e kontrollova me “google translate” dhe qesha unë tani. Mori leje të fotografonte me celularin e tij faqet e revistës në ekranin e celularit tim.  Po qeshnin dhe fëmijët. – Поет, поет!  – Так… Si po na afronte poezia, ja ashtu si fëmijët që i bashkojnë ëmbëlsirat… A t’ia shkruaja këto Dmytro-s? Apo t’ia thosha kur të takoheshim ndonjëherë, se lufta do të mbaronte patjetër. E kishin ftuar atë në shtëpitë e tyre miqtë poetë në Itali, në Francë, ai ishte dhe profesor i frengjishtes në universitetin “Taras Shevçenko” në Kiev, e kishin ftuar në Zvicër, në Austri, të rrinte tek ata deri sa të mbaronte lufta, edhe në Kosovë, miku I tij poeti Jeton Kelmendi e deri dhe larg në SHBA, edhe unë i kisha thënë, por ai nuk donte të largohej, në Ukrainë, përgjigjej, edhe sikur të jetë dita e fundit. Kam shkruar për Dmytro Chystiak, që në shtëpinë e tij në Kiev, dritaret I kishte të mbyllura me raftet e librave, që të mos dukej drita jashtë dhe e shikonin agresorët dhe hidhnin predhat për andej. Dhe shtoja se në atë barrikadë librash, mes tyre, duhej të kishte dhe ndonjë nga të mite… se ndryshe nga do t’i merrte poezitë që përktheu. Ja, që i qenkëshin dashur dhe në luftë, në mbrojtje të qytetërimit dhe të dritës, siç i pëlqen të thotë shpesh nëpër intervista poeti Dmytro Chystiak. – Mos është ca si i tepërt ky ngazëllim imi kështu? – i mërmërita Edës time, por më shumë vetes, kur ishim brenda në shtëpinë tonë. Ajo po më vështronte me mallëngjim. Gëzimet tona kështu i kemi tani, mbi mallëngjime. E ç’na ka mbetur më tepër, njëri-tjetri dhe poezia. Prandaj mbase dhe i ndjej më fort dhe ndryshe mbërritjen e poezive te mia në Ukrainë. Thashë, kam provuar dhe robin, telat me gjëmba në mish, tytat e armëve të ngritura kundër meje në burg, e di mundin e pabesueshëm të qëndresës në zi, përpëlitjet e lirisë dhe tragjedinë, që ma trand tokën nën këmbë dhe qiellin mbi krye, kryqin e Birit, që e ngrin kohën llahtarshëm dhe e bën të mos vijë e ardhme, vetëm e shkuar pafund, ripërjetojmë gëzimet që patëm, i bëjmë të tanishme dhe bëj çudi se si shpesh ka përreth nesh që na e harrojnë këtë, jo vetëm që s’dinë të vënë dorën dhembshurisht mbi supet e tjetrit, por s’kanë as mirësi në të folur, përkundrazi, dhe më çudi bëj se si arrij t’u përgjigjem si i barabartë, kur vetë nuk ndjehem i këtushëm. E di, është nderim për tjetrin, si një vetvete tjetër, etj, etj. Po duart e mia janë plot me Ukrainë, me atë  metaforë dhe dëshpërim dhe fletët e poezive, atom ë kanë mbetur, janë si flatra shpirti që… më afrojnë apo më largojnë?

          Fletë nga numri i fundit i revistës ukrainase “Kyiv” 

Mes flamujve të Ukrainës, Chicago, 2022

Filed Under: LETERSI Tagged With: Visar Zhiti

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • …
  • 41
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT