• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJË TAKIM I KËNDËSHËM ME POETIN DHE SHKRIMTARIN E NJOHUR, VISAR ZHITI

February 26, 2013 by dgreca

NGA HASAN KOSTRECI/

Nëqoftëse Gjyqin e Parë Moral ndaj komunizmit, organizata shqiptaro – amerikane “Shtëpia e Lirisë”e bëri për librin e zotit Bedri Blloshmi kushtuar dy të rinjëve poetë, Leka dhe Vilson Blloshmi, të cilët Byroja Politike injorante e asaj kohe më në krye Ramiz Alinë, “zbuloi”, se tek vargjet e tyre për “Natyrën” dhe “Lulet e Verës”, shprehnin edhe  mendime “të rrezikëshme”, prandaj i pushkatoi, një të ngjajshëm me të nga tematika, por me nivel shumë më të lartë artistik dhe fillozofik, kjo organizatë më 18 Shkurt në lokalin e Hotelit Royal Regency, këtu në New York, organizon një Gjyq të Dytë, këtë herë për dy librat e fundit të shkrimtarit të madh dhe të njohur, zotit Visar Zhiti; “Rrugët e Ferrit” dhe “Ferri i Çarë”, ku përshkruhen dy nga kampet më çfarosëse të atij sistemi; “Të Spaçit” dhe “Qafës së Barit” dhe unë si moderator i këtij takimi, pata kënaqësinë që ta drejtoj.

Pjesmarrja qe tepër e madhe, sa u detyruam që të shtojmë edhe karrike të tjera, por ajo që ia ngriti edhe më shumë vlerat këtij aktiviteti, ishte prezenca edhe e mjaft intelektualëve, midis tyre zoti Sami Repishti, zoti Mërgim Korça, kryetari i organizatës “Vatra”, zoti Gjon Buçaj sëbashku me bashkëshorten e tij, nën kryetari zoti Agim Rexha, familje të persekutuara nga ai regjim si Familja Selfo, Familja Luzaj, Mirakaj, Omari, Tezha, Çoku, Velaj e mjaft të tjerë; Bashkëvuejtës të autorit, që me humor ata e thërrisnin njëri tjetrin “Shok klase”, ndërsa për ta zbardhur këtë takim, merrnin pjesë edhe disa nga mediat e komunitetit këtu, si gazetari dhe editori i gazetës “Dielli”, zoti Dalip Greca, gazetari i “Bota Sot”, zoti Beqir Sina,  kameramanë nga organizata dhe shoqata të ndryshme kosovare etj.

Të ftuarit fillimisht u ngritën më këmbë, për të dëgjuar egzekutimin e dy hymneve; Të Shqipërisë dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe më mbas aktiviteti u quajt i hapur.

“Nëqoftëse shkrimtari i madh Rus Aleksander Solzhenitsyn me librat e tij ka përshkruar tmerret e Guljakëve të Siberisë në kohën e Stalinit, një të ngjajshëm me të edhe nga niveli, ku përshkruhen burgjet dhe kampet e regjimit komunist të diktaturës së Enverit, e kemi në duar edhe ne sot dhe për këtë urojmë autorin, zotin Visar Zhiti, i cili me këto dy libra po i jep shoqërisë sonë një kontribut mjaft të rëndësishëm”

Ky ishte motivacioni me të cilin prezantuesi i këtij aktiviteti bëri hapjen dhe më mbas fjalën e mori aktivisti i njohur, zoti Zef Bala, i cili ndër të tjera i uroi autorit mirseardhjen dhe të kalojë ditë gëzuara, për sa kohë do qëndrojë këtu në Amerikë, ndërsa shkrimtari, publiçisti dhe intelektuali i njohur zoti Mërgim Korça, që mori mbas tij fjalën,  me profesionalizëm u bëri një analizë të thellë dhe shkencore këtyre dy librave dhe duke e ngritur autorin në nivelet më të larta, ai u shpreh se është krenari për ne shqiptarët që vargje nga ky poet, i gjejmë të shkruara sot në “Piazza Navona” të Romës,  ndërsa duke shkëputur episode nga fjalimet dhe shkrimet me kujtime nga dy diktatorët e komunizmit; Enver Hoxha dhe Ramiz Alija, ai ironizoi ideollogjinë e tyre sa mafioze, aq dhe fallco. Më mbas fjalën e mori antari i bordit drejtues të organizatës “Shtëpia a Lirisë” zoti Mustafa Xhepa, i cili me shifra dhe fakte, i tregoi audiencës krimet dhe masakrat që janë kryer nga ai regjim banditesk. Diskutimet vazhduan me zotin Muhamet Omari dhe më pas me një poezi të bukur prej “Një shoku të klasës së autorit”, zotit Ilir Spata dhe kur para mikrofonit doli zoti Visar Zhiti, salla gumëzhiti nga duartrokitjet.

Nëqoftëse gjyqi i detyruar nga diktatura, m’u bë disa dekada më parë, tha ndër të tjera ky autor, sot jemi mbledhur për t’u bërë atyre “Gjyq Moral”. Atyre që morrën mijra jetë njerzish dhe çfarrosën ajkën më të mirë intelektuale të kombit; Atyre që “Homerin e Shqipërisë”, siç e kanë cilësuar poetin Gjegj Fishta edhe kufomën mbas vdekjes ia hodhën në lumin “Drin”; Atyre që Et’hem Haxhiademin e madh, e helmuan vetëm një javë përpara se të lirohej dhe ky gjyq ka vlerë edhe më të madhe, sepse zhvillohet në Amerikë, në vëndin më demokratik të botës.

Por është pak e çuditëshme, komentoj unë, autori i këtij shkrimi, se vetëm pak javë më parë, në një emision të “TV Klanit”  një profesor i djeshëm, por që vazhdon të japë mësim edhe sot, duke folur për kriminelin Mehmet Shehu, u shpreh se paska qënë, sipas tij, një burrë shteti! Kjo të bën që të pyesësh veten se si është e mundur që këta njerëz me  mentalitete të tilla, jo që janë ende në aktivitet, por edhe në institucione tepër delikate, sepse kanë të bëjnë me edukimin e brezit të ri! Pse ndodh kjo? Për mendimin tim, sepse shoqëria jonë shqiptare vazhdon që të mbetet akoma indiferente si dikur dhe nuk kemi kurajo dhe shpirt demokratik për të reaguar ndaj këtyre çfaqjeve të tilla kaq flagrante. Por indiferentizmi i tepruar, ka sigurisht dhe pasoja që ne shqiptarëve, për fat të keq, gjithmonë na ka kushtuar. Por edhe diçka tjetër, e cila edhe kjo ka mbetur e trashëguar nga ai sistem;Vazhdojmë që të kemi ende në farë urrejtje për njerëzit e edukuar, për intelektualët e mirëfilltë apo për dikë me prejardhje nga shtresat e njohura të shoqërisë sonë dhe preferojmë më shumë një që e ka origjinën “Nga Baza”, siç propogandohej atëhere. Po a nuk e provuam se duke zgjedhur karrocierë, shoferë, mjelëse lopësh, apo të tjerë si këta, për të na drejtuar, u degraduam në atë farë feje, sa kur u hapën dyert dhe dolëm në skenë, lemerisëm botën! A është nevoja që të bëjmë akoma eksperimente të tilla?

Edhe këtu në komunitetin tonë në Sh.B.A kemi mjaft intelektualë, por që nuk kemi edhe aq dëshirë për t’ua dëgjuar zërin, në mënyrë që të përfitojmë nga njohuritë e tyre, nga horizonti dhe bagazhi i gjërë që ata kanë

“Një gjë të mirë pati ai sistem, thotë përsëri zoti Visar Zhiti në librin e tij “Rugët e Ferrit”, sepse veçoi fisnikun nga harbuti”, por kjo ndarje e detyruar minimizoi, siç kërkonte regjimi, influencën e njeriut të mirë, të edukuar dhe të ndershëm tek pjesa tjetër. Por çfarë solli? Shumfishimin maksimal të se keqes dhe këtë raport të prishur, që për fat të keq, akoma egziston, duhet medoemos ndrequr, sepse ndryshe shoqëria do ketë gjithmonë probleme.

Filed Under: Kulture Tagged With: Hasan Kostreci, promovim, Visar Zhiti

VISAR ZHITI: VATRA, METAFORA E ATDHEUT!

February 24, 2013 by dgreca

Shkrimtari i njohur shqiptar, fitues i Çmimit të Madh për Letërsinë për vitin 2011,i dekoruar nga presidenti i Republikës me titullin “ Mjeshtër i Madh”(2012), poeti disident, që u dënua në burgjet e diktaturës komuniste për poezi, përshkruesi mjeshtror i ferrit dantesk të  burgjeve shqiptare, të shtunën me 16 shkurt 2013, vizitoi Shtëpinë e Vatrës. Shkrimtari Zhiti u prit nga kryetari i Vatrës Dr. Gjon Buçaj, i cili i uroi mirësardhjen. Dr. Buçaj, duke iu drejtuar mysafirit të nderuar, tha se ishte kënaqësi, që Vatra priste në shtëpinë e saj, shkrimtarin më të shquar të Letërsisë Shqiptare të pas diktaturës. Në zyrën e kryetarit të Vatrës, Shkrimtari Zhiti, shoqërohej nga bashkvuajtësit e tij, Dine Dine, Lek Mirakaj, Esat Çoku, si dhe z. Zef Balaj, sponsor i udhëtimit. Kishte ardhur në këtë takim edhe këngëtarja Ermira Babliu, e cila ishte e ftuar edhe në festën e Pavarësisë që organizoi Vatra dhe bashkësia shqiptare në New York.(Lexoje te plote ne Diellin e printuar)

Filed Under: Kronike Tagged With: dalip greca, Visar Zhiti, vizitoi Vatren

Ish i burgosuri politik Visar Zhiti, poet dhe shkrimtar i njohur shqiptar vizitoi SHBA

February 23, 2013 by dgreca

Axhenda i vizitës së poetit të shquar shqiptar Visar Zhiti, nisi me New Yorkun, shtëpinë e shoqatës famëmadhe Federatën PanShqiptare të Amerikës VATRA, dhe takimet me ish të burgosurit politik dhe anëtarët e familjeve të tyre./

Nga BEQIR SINA, New York/

WASHINGTON D.C: Ish i burgosuri politik Visar Zhiti, një nga të pakët që doli gjallë nga ferri komunist, mbasi shumë nuk mundën të mbijetoin për të treguar mbi burgjet e tmerrshme të diktaurës enveriane, me ftesë të organizatës “Shtëpia e Lirisë Shqiptaro-Amerkiane” me qendër në Uashington dhe të vatranit të hershëm Zef Balaj, po zhvillon një vizitë disa ditore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Axhenda e vizitës së poetit të madh shqiptar Visar Zhiti nisi me qytetin e Nju Jorkut, shtëpia e shoqatës famëmadhe Federatës PanShqiptare të Amerikës VATRA dhe qendra më e rëndësishme turistike e botës.

I shoqëruar nga ish bashkë të burgosurit politik, Esat Çoku e Dine Dinia, si dhe editori i Diellit Dalip Greca, veprimtari i dalluar Zef Balaj ai vizitoi shtëpinë muze të poetit Ulltër Uitman në Kamden, Nju Xhersi. Idhulli dhe poeti që e mbajti me shpresë gjatë të gjithë jetës dhe e frymëzoi poetin tonë të madh Visar Zhiti, Ulltër Uitman, një ndër poetët më të njohur amerikanë, eseist, gazetar e humanist, i cili ishte pjesë e tranzicionit në mes transcendentalizmit dhe realizmit, kishte mbetur ende i gjallë në kujtimet e Zhitit, nëpërmjet librit “Fije Bari – Leaves of Grass”.

Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane, i pari dhe i vetmi lob shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kryesuar nga Presidenti Jozef J. DioGuardi, një ish kongresmen republikan i Nju Jorkut, sëbashku me grupin e të rinjve, aktivistët e organizatës patriotike Rrënjët Shqiptare zhvilloi një takim në Bronks, Nju Jork me poetin dhe shkrimtarin e shquar Visar Zhiti. Në këtë takim morën pjesë anëtarët e bordit të LQSHA-së, zoti Agim Aliçka, Luan Bukolla, Hafiz Shala, Asllan Çekiç ,Zef Bala si dhe liderit e grupit rinorë patriotik të organizatës Rrënjët Shqiptare, Marko Kepi dhe Dorian Nasto dhe Ervin Toro.

Presidenti i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, Adnan Mehmeti, shkrimtar dhe poet nga Bujanovci, i cili nga viti 1995 jeton dhe krijon ne SHBA, në darkën e 5 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, i uroi përzemërsisht në emër të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë mirëseardhjen në SHBA shkrimtarit Visar Zhiti si dhe i dhuroi në shenjë respekti dy librat e tij.

Më 18 shkurt, në hotelin Rojëll Rixhënsi, Jonkers Nju Jork, në mesin e një grupi ish shokësh të birucave të burgjeve të tmerrshme politike Spaç dhe Qafë-Bari dhe anëtarëve të familjeve të tyre, shkrimtarëve dhe poetëve shqiptaro-amerikan, dashamirësve të librit, studentëve që mësojnë në universitet amerikane, gazetarëve dhe veprimtarëve të komunitetit, organizata “Shtëpia e Lirisë Shqiptaro-Amerikane” zhvilloi atë që ajo e quajti “Gjyqi i Nju Jorkut – Dëshmi për Holokaustin e Kuq”. Ne kete gjyq simbolik, por me rëndësi të madhe morale e historike folën zotërinjtë, Hasan Kostreci, Zef Balaj, Mërgim Korça, Mustafa Xhepa, Muhamet Omari si dhe reciotoi një poezi të shkruar për poetin Visar Zhiti shoku i tij i shkollës Ilir Spata

Në fund të takimit fjalën e mori shkrimtari Visar Zhiti, i cili i bëri nje analizë të thellë sistemit diktatorial komunist dhe pasojave që la pas në shoqërinë shqiptare. Fjala e tij u ndërpre disa hërë nga duartrokitjet.

Ish i burgosuri politik Visar Zhiti, poet e shkrimtar i njohur shqiptar, i shoqëruar nga zoti Mustafa Xhepa, Jadigjar Luzaj dhe Engjëllushe Luzaj, vazhdoi axhendën e takimeve të tij në kryeqytetin e SHBA-ve Uashington, DC.

Në departamentin e shtetit ai u takua me zotin Christopher R. Carver, diplomat që mbulon Shqipërinë në departament. Në Bibliotekën e Kongresit u takua me zotin Grant G. Harris, drejtorin e Evropës. Ndërsa në muzeun Laogai, ku dokumentohen krimet e regjimit komunist në Kinë, ai takoi me drejtorin ekzekutiv të tij, zotin Harry Wu, ish i burgosur politik.

SHENIM: NJE SPECIALE PER VIZITAT E SHKRIMTARIT VISAR ZHITI DO TE LEXONI  NE DIELLIN E PRINTUAR

 

Filed Under: Kronike, Kulture Tagged With: Beqir Sina, Visar Zhiti, vizitoi SHBA

LUSHNJA E KONGRESIT, MREKULLIA E DOKUMENTIT DHE E KUJTESËS NJERËZORE…

January 21, 2013 by dgreca

Nga Visar Zhiti/

Pavarësia e Shqipërisë dhe shpallja e shtetit modern shqiptar u futën në shekullin e dytë të jetës së tyre. Pas kremtimeve të 100 vjetorit kudo, që kulmuan në Vlorë, ku u mblodhën me mijëra shqiptarë nga të gjitha trevat, madje erdhën nga Kosova dhe me kuaj e në këmbë ashtu si dikur Isa Boletini me luftëtarët e tij e pastaj në kryeqytet, në Tiranë, ku, mes të tjerash u përuruan shtatore e monumenti modern i 100 vjetorit, vjen Kongresi i Lushnjës i janarit të vitit 1920, i quajtur dhe Pavarësia e Dytë.
Për të folur për këtë Kongres jetik, për qytetin e vogël dhe qytetarët e tij të médhenj, me nismë nga lushnjarët, këngëtari Luan Manahasa na mblodhi dhe u organizua një bisedë televizive, e drejtuar miqësisht dhe me ngrohtësi nga gazetari i njohur Alban Dudushi. Historianë të njohur si Valentina Duka, pasardhës të kongresistëve, nga Sefallarët, etj, folën për Kongresin, ku u mbajt, si, në ç’kushte, çfarë u arrit, rëndësia e tij, etj. Në shtëpinë e patriotit lushnjar Kaso Fuga bujtën përfaqësues të zgjedhur nga e gjithë Shqipëria. Qëllimi ishte që të gjykonin dhe të vendosnin për gjendjen e vendit, kaotike nga brenda dhe agresive nga jashtë dhe të shiheshin aleatët, ata që të mund të ndihmonin në shpëtimin e Shqipërisë. Se gjysma e trojeve i ishin marrë dhe po kërkohej dhe kjo që kishte mbetur. Qeveria e Ismail Qemalit ishte penguar dhe shprishur. Kongresi i Lushnjës ribëri shtetin shqiptar, caktoi kryeqytetin, ku u vendos qeveria e re e dalë nga Kongresi me kryeministër Sulejman Delvinën, që i doli zot vendit me diplomaci e luftë. Rrugën për në Tiranë e hapi djaloshi nga Mati, që ishte caktuar Ministër i Brendshëm, Ahmet Zogu.
Për të mos hyrë në zejen e historianëve, do të desha të tregoj dukuri të tjera me interes që, sipas meje, nxori emisioni televiziv i Alban Dudushit për Lushnjën e Kongresit, me të ftuar të ndryshëm si këngëtari Hysni Zela e sportisti Kristaq Gogoni, gazetarja Anila Basha e analisti Mentor Nazarko, trajneri Bano e një fotomodele e re, kulinaristi Pilo Lala, etj. Të ftuarit po flisnin me adhurim për qytetin ku kishin lindur e banuar, tregonin për vete dhe kujtonin bashkëqytetarë të vjetër dhe të tanishëm dhe tregonin për vlerat e tyre njerëzore, bëmat. Po flitej mirë si rrallë herë për të tjerët. Emisioni mbaroi, madje drejtuesi i tij kërkoi ndjesë për ata që nuk folëm dot dhe kishin ngelur mjaft të tjerë pa u përmendur. Dola me një peng të tillë. Ndërkaq po më vinin telefonata nga miqtë, përgëzime, si dhe imazhet dhe bëmat e atyre që nuk arritëm t’i kujtojmë, jo se i harruam. Dhe po vazhdoj të tregoj.

LETËR NGA LUSHNJA PRESIDENTIT WILLSON

Kryetari i Katundarisë së Lushnjës gati një muaj pas mbarimit të Kongresit, më 19.3.1920, dërgon një letër në Washington. Dhe kujt? Presidentit të SHBA, Wilsonit.
Letër e mrekullueshme, e thjeshtë në dukje, tejet e ndjeshme, e sinqertë, pa stërhollimet dinake kancelareske, emocionuese, e urtë dhe me dije, e bukur, me vizion të qartë për të ardhmen, aq sa të habit. Përfytyroj etërit tanë të mbledhur rreth atij që shkruante, fjalët që thoshin me zë, hiq këtë fjalë, shto këtë, po si t’i drejtohemi? Kujdes këtu, mos e zgjat shumë. Kërkonin njohje të Shqipërisë, mbështetje dhe ndalim të copëtimit të mëtejshëm.
Hulumtuesi i saj, Niko Ferro në Muzeun e Lushnjës, lajmëron Olsi Lafen, drejtor i trashëgimisë kulturore në MTKRS. Ata më thonë se letra është e shkruar me dorë, me stilolaps mbase dhe pastaj është transkriptuar dhe gjendet në Arkivin e Shtetit. Letra meriton të shikohet me vëmëndje. Ajo të ngazëllen. Orientimi i drejtë i shqiptarëve mes atij kaosi drejt SHBA-së. Ndjesia e fuqishme e atdhedashurisë, Shqipéria quhet Mëmë dhe dimbja therése për Kosvën dhe Çamërinë. Ja teksti i saj i plotë, pa asnjë ndryshim dhe në drejtshkrim:
Shkëlqesisë së Tij Wilson , kryetar t’Amerikes
I shteteve të bashuem Vashington
Shqiptarët që kanë mbështun tanë shpresat e gjallnisë mbi shtyllën apostole të parimevet fisnike të Sh. S’Uaj, sot iu luten të të pranoni falenderjet e paraqituna përkundrejt zanit të nalt e mëshir madh që jeni tye kryer për shpërtimin e atdheut tyne.
I nalti kryetar, shpëtoni nji popull që asht m’i Vjetri në Ballkan e që ka drejtu vështrimet e shpëtimit t’Ekselenca Juaj dhe mo i lini me derdhë gjakun e me vdek përpara lakmimevet imperialiste të fqinjëvet veç sigurimin e kufijvet 1913-es, ju lutem me fuqinë e shpirtit mos pëlqeni as pak krasitje të pa arsyeshme si mbi Kosovë e Çamëri, mbi kufite natyrale ethnografike të sh. s’uej nuk munde me kjen të ndara nga Mëma e tyre Shqipni.
Ju lutemi në emër të popullit pranoni nderimet tona krejt besnike.

Kryetari Katundaris së Lushnjës

Lushnjë, më 19.3.1920

Në nëntorin që sapo shkoi, në kryeqytetin që caktoi Lushnja, në Tiranë, u ngrit në një nga sheshet shtatorja e Presidentit Wilson me rastin e 100 vjetorit të Pavarsisë, por po atë broz meriton të derdhet dhe kjo letër dhe të vihet si memorial në Lushnjë, në sheshin para Bashkisë a para Shtëpisë së Kongresit. Kujtoj dramën e vetme, kushtuar kësaj ngjarje të madhe, “Të mblidhemi në Lushnjë”, shkruar nga Hekuran Zhiti, i shpallur “Qytetar Nderi” tashmë i Lushnjës. Mes ngjarjeve që zhvillohen në skenë, personazhet që po përgatisnin kongresin, bisedojnë nën zë se Sheh Karbunara takohet me një amerikan andej rrotull, ndonjë misionar, por ai jepte kurajo për mbajtjen e atij kuvendi.
Po si ia çuan atë letër historike Presidentit Wilson? Shqip? Po kush e përktheu?
-Ç’do me thënë Kryetar i Katundarisë?
Dhe Niku Ferro prapë na shpjegon se është Kryetari i atëhershëm i Bashkisë, zoti Besim Nuri. Dhe më nis foton dhe biografinë e tij.
Besim Nuri lindi në Berat më 1885, nga një familje qytetare e varfër. Mësimet e para i mori në Berat. Studimet i vazhdoi në Stamboll. Në vitin 1907, vjen familjarisht në Lushnjë. Shquhet për veprimtari atdhetare. Mori pjesë në Komisionin Nismëtar për thirrjen e Kongresit në Lushnjë, ku u zgjodh dhe kryetar. Nga viti 1919 deri më 1925, ka qenë Kryetar Bashkie për nënprefekturën e Lushnjës. Ai ndihmoi shumë edhe në komisionet e tjera, si atë të strehimit, të mbrojties, te veshmbathjeve. Në vitin 1925, burgoset nga Ahmet Zogu. Si rezultat i protestave të popullit, lirohet nga burgu. Vdiq në Lushnjë, në mars te vitit 1935.
NDERIM QYTETARËVE. – atyre që shohin përditë shtëpinë e kongresit historik – Qyteti i Lushnjës, duke qenë i vogël, por i bukur, që vazhdimisht rritet, me kodrat në sfond nga ana e lindjes dhe me fushat e pamasa në perëndim, ka një qëndër tërheqëse me Bashkinë aty. Pak më tej ngrihet e madhërishme Shtëpia e Kongresit jetik. Institucion i historisë, themel i shtetit modern shqiptar, që ndali copëtimin e mëtejshëm të vendit. Ndodh që qytetarët ta shohin përditë atë ngrehinë hijerëndë, prandaj ajo rrugë jep kujtesë dhe porosira me heshtjen e saj të bardhë. Lushnja është qytet mikpritës, aty bujtën gjithë krahinat. Dhe kjo përcolli mikpritjen e mëtejshme, të dish të jetosh me dashuri me tjetrin, fqinjin, të ardhurin. Në emisionin televiziv “Lushnja e Kongresit”, të drejtuar e pasion nga gazetari Albna Dudushi, u kujtuan personalitete, qytetarë, artiste, sportistë, por dhe u lanë mjaft pa u kujtuar dot. Jo me qëllim. Janë shumë, tha drejtuesi i emisionit, dhe çudi kjo Lushnjë kështu, janë përzier vendasit mikpritës me të ardhurit dhe ata që i sillnin internimeve atje, buzë kënetës a Tokave të Vdekura. Natyrisht që lushnjarët mburren me vendasit e shquar, edhe pse kanë ikur e punuar larg Lushnjë, me Veçe Zelën, “Afërdita e këngës së muzikës së lehtë”, me shkrimtarin e njohur Vath Korreshi, me aktoret e njohura Margarita Xhepa, Pavlina Vogli, po edhe me Gjergj Lalën, Ilia Shytin, vëllanë e tij, piktorin e arratisur Zoi Shyti, Helidon Halitin tani dhe me të atin e tij, poetin Faslli Haliti, me grupin përreth tij, që dua t’i kujtoj tani, së pari Tahsim Demiri, regjisor, aktor, skenograf, poet, e kishte zgjedhur për të interpretuar dhe një regjisor i njohur rus a sovjetik, Çuhrai, por nuk e lanë, thoshin, se kishte patur babanë në burg. Ishin dhe poetin Sherif Bali, që nuk botonte dot dikur, prej biografisë, piktorin Besim Golemi, që iku shpejt nga jeta, prozatorët Halil Jaçellari, studiuesi Kadri Fishta, Fatbardh Rustemi, shoku im i klasës, që shkruante dhe poezi e drama, pastaj dhe poeti e gazetari Bujar Xhaferri, Vladimir Çuni, Ilir Levonja, etj, etj. Në Karbunarë ishte Izet Shehu, poet, nipi i Sheh Karbunarës, kongresist e të tjerë pjesëmarrës. Po edhe poeti Baki Nexha, punonte andej në gurore dhe shkruante vjersha. Edhe shoku im i klasës, Bashkim Shkurti, i urtë dhe i shkëlqyer, që u bë mësues, e vranë në ’97…

Por unë mbaj mend në fëmijëri dhe Xha Bamin, plak me qylaf të zi e pallto të zezë, që dilte rrallë e më rrallë nga andej, Lagjia e Stanit. Bajram Haxhiu, vendas, kishte punuar për Kongresin ai, thoshin. Kaq. Vetë banoja në rrugën “Kongresi i Lushnjës” dhe kujtoj me dhëmbje mësuesen time në shkollën “Kongresi i Lushnjës”, Liri Kazazi, e ditur, e dashur, që erdhi në Lushnjë pas motrës që i burgosën burrin e fëmijëve të tyre. Njëra nga vajzat, Eva, u bë violinist. Jetonin në një barakë që pikonte. Sot një shkollë mban emrin e saj, “Liri Kazazi”. Mësues im ka qenë dhe Hiqmet Nuri që e burgosën. Të parin fare kisha mësues Isa Mebellin, kishte qenë me Ballin Kombëtar, por ishte shumë i vjetër për ta burgosur. Në gjimnaz na jepte mësim dhe Murat Nexha, kryetar i degës së Lidhjes së Shkrimtarëve, që na thoshte shpesh se kishte marrë çmim në një konkurs dhe Kadareja jo. E kundërta e tij ishte një mësues tjetër, Kapllan Resuli, që shkruajti romanin “Tradhtia” në fshatin Çermë, ku kishte qenë i internuar pasi u arratis nga Kosova, në fakt nga Ulqini, por ne atëhere nuk dinim t’i ndanim. Matematikën na i jepte Turdiu, i aftë, metodist i shkëlqyer, por se ç’kishte “në biografi”, thoshin, dhe Mite Guga, i dashur, i mënçur, moskokçarës për luftën e klasave, ja, kishte marrë një grua me “biografi të keqe”, por ishte e bukur Maria, edhe ajo mësuesja ime. E kundërta e Mites ishte njëri nga vëllezërit e tij, historiani Nase Guga. Si shok na u bë Minella Dani, mësuesi kujdestar, bir mësuesi dhe ai, me gjyshin prift. Edhe Llukan Kola, aktor, regjisor i Teatrit të Kukullave në Lushnjë, që e ngriti vetë atë teatër dhe e mbajti me përkushtim, e kishte patur gjyshin prift dhe kur u prishën tempujt e fesë e ata, priftërinjtë, u urdhëruan t’i hiqnin mjekrrat, ai nuk pranoi, u vetëburgos në shtëpi dhe la një mjekërr të gjatë qé e merrte zavrrë, thoshin, si kundërshtim e sfidë. Kurse prifti tjetër, Sotir Moni, u tha të gjithëve: s’ka asgjë. Se si ka thënë Naimi: “Feja s’është në kartë e shkruar,/ por brenda në krahëruar. Edhe prifti Irine Banushi punonte në ndërtim. Nuk patën fat më të mirë as hoxhallarët e dervishlerët. Në qytet vinte me biçikletë andej nga internimet dhe Eugjen Merlika, nipi i Mustafa Krujës, që tani boton libra të gjyshit kryeministër dhe të vetat. Në internim ishin dhe Pervizët, at e bir Leka me Leonardin, piktorë, biri tani është akademik në Belgjikë, at e bir Radët, shkrimtarët Lazri dhe Jozefi. Leka Tase, violinçelist. Andej ishin dhe djemtë e xhahxhait tim të vrarë, Sigfridi me Sazanin. Baltrave të Savrës ishte dhe ai që do të bëhej kardinali i parë shqiptar, Mikel Koliqi, vëllai i shkrimtarit themeltar Ernest Koliqi. Ishin dhe nga fiset e Kupëve, të atij që bëri qëndresë me armë kur u pushtua Shqipëria nga fashistët dhe ranë dëshmorë. Ato krisma në bregun shqiptar ishin të parat në Europë si prolog i luftës për çlirim nga kuçedra nazi-fashiste. Në internim ishin dhe nga Dinajt, Mirakajt, Butkat, Kaloshët, Çokët, Kolgjinajt, Staravecka, etj, etj, kundërshtarë të diktaturës, me një pjesë të të cilëve u miqësova dhe në burg. Aty na erdhi dhe Vasil Sylari, qytetar lushnjar. Po edhe poeti Pano Taçi ishte i internuar në Savër të Lushnjës, sapo kishte dalë nga njëri burg dhe përpunonte librat e shokut të tij, Nuçi Tira, kishin qënë bashkë partizanë e ai tani ishte Kryetari i Degës së Punëve të Brendshme atje. Edhe kitaristi Mehdi Prodani, poeti Ferdinand Laholli, që boton poezi në Gjermani. Nga fshatrat e zonës kodrinore të Lushnjës iku dhe Gëzim Hajdari, që boton libra me poezi edhe italisht në emigracion, ku është bërë i njohur. Nga internimet vinin të luanin në estradën e Lushnjës parodisti i famshëm Gjosho Vasija e trombisti Fran Pali, me baba të arratisur. Shahini me kitarë, me babanë dikur në burg, Mehmet Hurshitin, i ditur, që kishte studiuar jashtë, në Stamboll, Paris. Kjo estradë u bë e njohur nga aktorët e talentuar e themeltarë si Hekurani Zhiti, Dhimitraq Nushi, Zana Aliçka, Jovan Bizhyti, Patraq Dhimitri dhe e shoqja, Athinaja e më pas e morën stafetën Hasan Dervishi e Robert Kamani, shoku im i klasës. Orkestrën e themeloi ai që doli nga burgjet politike, muzikanti i madh Fotaq Filipeu, për të cilin kam treguar dhe në librat e mi. Ai i dha dhe një opera Lushnjës. Krijoi bandën e parë, jo me hajdutë, bandën e orkestrës frymore të qytetit dhe rriti breza të rinj muzikanësh. Njëri prej tyre, Edmond Doko, është sot dirigjent në Teatrin e Operas. Pastaj erdhën fizarmoniçisti dhe kompozitori Rudak Ismaili e këngëtarë të tjerë të njohur. Lushnja ka patur agronomë, të shquar, ekonomistë, përkthyes mjekë si Juka, Dabulla, Ypi, Butka, Selfo, Çabej, Prenjoja, Vasil Kuli, Selfo, doktoreshë Mimoza, me baba të pushkatuar, etj. Dhe i shoqi i saj, inxhinieri-shkencëtar Mërgim Korça, projektues dhe realizues maqinerish bujqësore, patenta origjinale të tij, ishte i biri i Xhevat Korçës, studiues dhe patriot, cili i kërkoi duel një gazetari të huaj që kishte fyer Shqipërinë, u bë dhe ministër, por e futën në burg. I dha fund jetës me grevë urie, e para e këtij lloji në burgjet komuniste. Tani ata kanë emigruar në SHBA dhe Inxh. Mërgimi boton libra studimore me rëndësi historike, ndërkaq është shpallur Qytetar Nderi i Lushnjës, bashkë me mjaft të tjerë. Lushnja ka qënë edhe qyteti i grave të huaja, të martuara në Shqipëri. Burrat e tyre, edhe nga shkaku i kësaj martese, i shpërngulnin në Lushnjë, pasi shteti divorcohej me ato vende nga ato vinin. Dhe ato gra nuk divorcoheshin. Kishin kultin e dashurisë, të familjes. Rrugëve të Lushnjës shëtisnin gra të bukura ruse, Luiza, bullgarja Veliçka, të dyja mësuese të miat, kishte dhe rumune, polake, por dhe italiane, spanjolle, gjermane, austriake…

Pas ca kodrave ishte burgu i grave në Kosovën e Vogël, plot me martire. Meritojnë studim më vete, megjithëse kemi romane për to tani. Lushnja ka dhe skulptorë si Maks Bushi, autori i “buallicës së famshme” në një nga lulishtet, Arjan Bafa që ka emigrua në Kanada. Kemi punuar në fabrikë të tullave dhe me Ilir Priftin, fotograf i fotografisë artistike tani. Shok kishim dhe Gazmend Kapllanin, që iku në Greqi dhe ka botuar romane andej. Në Gjermani ka ikur dhe shkrimtarja Lindita Arapi. Miltiadh Davidhi në Itali. Emra, emra plot. Edhe fqinji im, Shaban Manahasa ishte gazetar, kurse Dalip Greca ka ikur në Amerikë. Kozma Gjini është… Janë shumë, shumë. Ndjesë përsëri për ata që s’i kujtojmë dot. Në Lushnjë endej dhe shkrimtari Jakov Xoxe kur shkruante romanin e madh “Lumi i vdekur”. Edhe shkrimtari Naum Prifti vinte nga Divjaka ku ishte veteriner. Ne Lushnjë sollën dhe kritikun Razi Brahimi, pasi redaktoi romanin e ndaluar “Tuneli” të Dh. Xhuvanit. Në Lushnjë janë xhiruar filma, madje edhe të huaj. Kanë ardhur dhe shkrimtarë e artistë të huaj, kanë bërë takime dhe spektakle. Ka patur gara hipizmi dhe ka një stadium me vlera që mban emrin e një futbollisti të njohur të saj, “Roza Haxhiu”. Lushnja është dhe qyteti i protestave të para për liri e demokraci. Shumë janë larguar prej andej dhe qyteti ka pësuar tkurrjen dhe dyndjen e mëpastajme. Edhe atje janë bërë ndërtime të reja e moderne, por dhe janë prishur shtëpi të vjetra, madje Lushnja e hershme, historike, është tjetërsuar. Ka prapë Lushnja, ka prapë, këngët dhe vallet myzeqare, begatinë e fushave, vreshtat e ëmbla, rrënoja arkeologjike ilire, vila, tempuj kulti dhe diellin më të bukur, kur perëndon si zjarr i shenjtë.

Filed Under: Histori, Reportazh Tagged With: Kongresi, Kujtesa, lushnja, Visar Zhiti

NDAHEN ÇMIMET NE LETERSI- ÇMIMIN E MADH E FITON VISAR ZHITI

December 20, 2012 by dgreca

Shkrimtari Visar Zhiti është nderuar dje, me Çmimin e Madh të Letërsisë për vitin 2011. Ky çmimi i është dhënë zotit Zhiti nga ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, në ceremoninë e ndarjes së çmimeve kombëtare të Letërsisë për vitin 2011. Zhiti është vlerësuar për prurjet në nivel të lartë artistik e estetik, që ka përcjellë në Letërsinë bashkëkohore shqipe, nëpërmjet korpusit letrar të veprës së krijuar prej tij. Kreu i MTKRS, Bumçi, duke dhënë çmimin e karrierës është shprehur se në të vërtetë ky është çmimi i jetës që i jepet një kalorësi të fjalës së lirë si Visar Zhiti. Sipas ministrit Bumçi, shkrimtari Visar Zhiti sjell kontribut me vlera të qenësishme në Letërsinë Shqipe.
Më tej, gjatë një mbrëmjeje mbresëlënëse letraro-artistike, ka vijuar ndarja e çmimeve të tjera për personalitete të shquara të Letërësisë sonë kombëtare.
Juria e Çmimeve kombëtare të Letërsisë, e përbërë nga: Amik Kasoruho kryetar dhe anëtarët Sali Bashota, Eqerem Basha, Ali Aliu, Arjan Leka, Mimoza Hysa dhe Gentian Çoçoli, evidentoi vërtetë bartësit e vlerave më të mëdha të letërsisë sonë. Siç u shpreh kreu i kësaj jurie prestigjioze, shkrimtari i shquar Amik Kasuroho, “në këtë eveniment gëzohen jo vetëm ata që marrin çmimet, por ndjen kënaqësi të veçantë edhe ai që i jep ato”. Pasi evidenton punën dhe përkushtimin e anëtarëve të jurisë, Kasoruho tha se, me votim të fshehtë janë shpallur fitues të çmimeve kombëtare të Letërsisë 2011 ata që sollën prurje dhe vlera të reja të Letërsisë Shqipe.
Çast vërtetë emocionant ishte marrja e çmimit “Petro Marko” për vitin 2011 nga shkrimtari Zija Çela për romanin “Apokalipsi sipas Shën Tiranës”, i vlerësuar për kodet e ligjërimit dhe risitë e përcjella nëpërmjet një forme autentike të narracionit, duke pasuruar me vlera të qenësishme prozën romanore shqipe. Duke aluduar për ndarjen e këtyre çmimeve në prag të thashemenajës së madhe për Apokalipsin e ditës së sotme, Zija Çela tha se, “Apokalipsi sipas Shën Tiranës” është ai i dhimbjes njerëzore. Në këtë ceremoni mes miqsh, shkrimtarë dhe artistë, ai apeloi që të kujtohemi më shumë për modelet e gjalla, siç konsideroi ai kritikun e mirënjohur Ali Aliu.
Në këtë panteon vlerash, një vend të veçantë zë Çmimi “Faik Konica” 2011 që iu dha studiuesit Shaban Sinani, për veprën studimore “Camaj i paskajuar”, për trajtimin në nivel të lartë shkencor dhe origjinalitetin e mendimit kritik mbi veprën letrare të Martin Camajt, për rolin që ajo ka luajtur në rrjedhat e Letërsisë Shqipe. Duke dhënë këtë çmim Prof. Dr. Ardian Marashi, drejtor i QSA tha se, Shaban Sinani, përveçse me Camajn e madh, Kadarenë e Dritëro Agollin është bashkudhëtar dhe i lidhur ngushtësisht me kodikët e Shqipërisë dhe me Historinë e hebrenjve.
Më tej, çmimi prestigjioz “Migjeni” iu dha shkrimtarit debutues Plator Ulqinaku për vëllimin poetik “Libri i qëndresës”, duke e vlerësuar për një hap të parë të pjekur dhe premtues në poezinë shqipe. Anëtari i Jurisë, Arian Leka tha se, ky poet sjell modele të reja dhe nivel të spikatur letrar.
Për kontribute e modele të tilla u vlerësuan Moikom Zeqo me Çmimin “Mitrush Kuteli” për vëllimin me tregime “Klepsidra”, për prurje origjinale në vijimësi në artin e tregimtarisë si dhe një stil unik letrar; poetit Rudian Zekthi me Çmimin “Lasgush Poradeci” për vëllimin me poezi “Panair”, nëpërmjet të cilit autori spikat në thurrjen e monologut poetik që tirret përmes imazheve e formave meditative, duke përcjellë vlera dhe risi origjinale në poetikën shqiptare, si dhe shkrimtari Ruzhdi Gole me Çmimin “At Donat Kurti” për librin “Kureshtja për t’u rritur”, duke e vlerësuar veprën e tij si një hop emancipues të zhanrit të Letërsisë sonë për fëmijë dhe të rinj.
Çmimi “Gjergj Fishta” 2011 iu dha shkrimtares Mira Meksi, për librin eseistik “Leximi i ndaluar dhe shkrimet e fshehura”, për këndvështrimin origjinal të trajtimit dhe përcjelljen e një mendimi analitik e sistematik mbi protagonistë e dukuri të pazakonta të shfaqura në botën e letrave. Ndërsa, përkthyesit Bashkim Shehu e Edlira Hoxholli u nderuan me Çmimin “Fan Noli” për përkthimin mjeshtëror të veprës “Nokturnet e Kilit” të shkrimtarit të shquar Roberto Bolanjo, duke shënuar prurje me vlera të spikatura në traditën e përkthimit të autorëve të rëndësishëm nga letërsia e huaj, në Gjuhën Shqipe.
Juria e ngritur nga MTKRS vlerësoi gjithashtu me Çmimin “Jusuf Vrioni” përkthyesin e njohur Aleksandër Zoto, për kontributin e gjithanshëm e të shumë çmuar të përkthimit dhe promovimit e dhjetëra shkrimtarëve dhe veprave të Letërsisë shqipe në gjuhën dhe kulturën franceze.
Ceremonia e ndarjes së çmimeve kombëtare të Letërsisë për vitin 2011 që u organizua mbrëmë në sallën e Teatrit Kombëtar në Tiranë u shndrrua kështu në një manifestim të gjerë kulturor me pjesëmarrjen e qindra shkrimtarëve më të shquar nga Shqipëria, Maqedonia, Kosova, nga hapësira mbarëshqiptare.

Ali Podrimja dekorohet me Urdhërin “Nderi i kombit”

Poeti Ali Podrimja i ndarë nga jeta pak muaj më parë, me kërkesë të ministrit të TKRS-së zotit Aldo Bumçi u vlerësua nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, me titullin e lartë “Nderi i kombit”. Dekorata e lartë iu dha Gentian Saliut, nipit të poetit të madh, nga Sekretari i Përgjithshëm i Presidencës, Bardh Spahia në ceremoninë e ndarjes së çmimeve kombëtare të Letërsisë.

Fituesit e Çmimeve Kombëtare të Letësisë

Çmimi i Madh i Letërsisë për vitin 2011

I jepet shkrimtarit Visar Zhiti, për prurjet në nivel të lartë artistik e estetik që ka përcjellë në Letërsinë bashkëkohore shqipe, nëpërmjet korpusit letrar të veprës së krijuar prej tij.

Çmimi “Petro Marko” për vitin 2011

I jepet shkrimtarit Zija Çela për romanin “Apokalipsi sipas Shën Tiranës”, për kodet e ligjërimit dhe risitë e përcjella nëpërmjet një forme autentike të narracionit, duke pasuruar me vlera të qenësishme prozën romanore shqipe.

Çmimi “Mitrush Kuteli” për vitin 2011

I jepet shkrimtarit Moikom Zeqo për vëllimin me tregime “Klepsidra”, për prurje origjinale në vijimësi në artin e tregimtarisë si dhe një stil unik letrar.

Çmimi “Lasgush Poradeci” 2011
I jepet poetit Rudian Zekthi për vëllimin me poezi “Panair”, nëpërmjet të cilit autori spikat në thurrjen e monologut poetik që tirret përmes imazheve e formave meditative, duke përcjellë vlera dhe risi origjinale në poetikën shqiptare.

Çmimi “Faik Konica” 2011

I jepet studiuesit Shaban Sinani për veprën studimore “Camaj i paskajuar”, për trajtimin në nivel të lartë shkencor dhe origjinalitetin e mendimit kritik mbi veprën letrare të Martin Camajt, për rolin që ajo ka luajtur në rrjedhat e Letërsisë shqipe.

Çmimi “Gjergj Fishta” 2011
I jepet shkrimtares Mira Meksi, për librin eseistik “Leximi i ndaluar dhe shkrimet e fshehura”, për këndvështrimin origjinal të trajtimit dhe përcjelljen e një mendimi analitik e sistematik mbi protagonistë e dukuri të pazakonta të shfaqura në botën e letrave.

Çmimi “Fan Noli” 2011
I jepet përkthyesve Bashkim Shehu e Edlira Hoxholli për përkthimin mjeshtëror të veprës “Nokturnet e Kilit” të shkrimtarit të shquar Roberto Bolanjo, duke shënuar prurje me vlera të spikatura në traditën e përkthimit të autorëve të rëndësishëm nga Letërsia e huaj, në Gjuhën Shqipe.

Çmimi “Jusuf Vrioni” 2011

I jepet përkthyesit të njohur Aleksandër Zoto, për kontributin e gjithanshëm e të shumëçmuar në përkthimit dhe promovimit e dhjetëra shkrimtarëve dhe veprave të letërsisë shqipe në gjuhën dhe kulturë franceze.

Çmimi “At Donat Kurti” 2011
I jepet shkrimtarit Ruzhdi Gole me librin “Kureshtja për t’u rritur”, duke e vlerësuar veprën e tij si një hop emancipues të zhanrit të Letërsisë sonë për fëmijë dhe të rinj.

Çmimi “Migjeni” 2011

I jepet shkrimtarit debutues Plator Ulqinaku për vëllimin poetik “Libri i qëndresës”, duke e vlerësuar për një hap të parë të pjekur dhe premtues në poezinë shqipe.(Kortezi RD)

Filed Under: Kulture Tagged With: fiton Cmimin e Madh, Visar Zhiti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 38
  • 39
  • 40
  • 41
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT