• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

BURRË I MADHËRISHËM, TË PASHË ME ÇIZME TË ZEZA BALTE DHE THINJA SHENJTI…

January 31, 2023 by s p

PËR DR. LAZËR RADIN,

një ditë pas datëlindjes së tij

dhe 107 vitesh të tjera…

Mall për Ty… Ka 15 vjet që ke ikur, por prapë je, jo vetëm kujtesë dhe imazh, por dhe vepër dhe frymë…

Jo të gjithë mundin të të kujtojnë, edhe pse ishe mik i madh, as institucionalisht, megjithëse dhe vetë mbetesh një institucion, por edhe kanë frikë prej teje, megjithëse ishe tejet njerëzor, i urtë, at’ dhe kryefamiljar në atë kasollen tënde, në internim, se familjen nuk e bëjnë muret e pallatit, pasqylirat, pasuria, por dashuria dhe përkushtimi dhe dinjiteti…

Më shfaqesh në rrugët e Lushnjës, kur vije nga internimi për ndonjë punë, i heshtur dhe vetmitar, truplartë, me çizmet e zeza të baltës dhe thinja shenjti, vërtet monumental.

E dija që im atë të kishte mik, pastaj dhe unë, u miqësova me djemtë e tu, Ninin dhe Luçin, me dhëndrin, Dinen, kemi qenë bashkë në burg, flisnim dhe për ty, kur ti ishe liruar, por në internim gjithmonë, për dorëshkrimet e tua, esenë për Migjenin, që e kishe patur shok, kjo më mrekullonte atëhere, lexova dhe kujtimet e tua për vitet ‘30, sa shumë mësova e kuptova dhe ende nuk di gjë më informuese dhe më të bukur se libri yt. Të kam ardhur dhe në kasolle, në internim, ku përreth nuk kishte vetëm lehje qensh, por dhe spiunë, edhe në Tiranë, te ajo vilëz, ku u kthyet, edhe në Nju Jork u takuam, kur ti bridhje si djalë i ri, me Ervisin, nipin, ndoshta kujtoje vitet studentore në Romë. Atje studiove në Universitetin “La Sapienza”, shok me shkrimtaren Musine Kokalari, ajo studionte për letërsi e ti për jurisprudencë. Ti vije nga Prizreni, nga kryeqyteti historik i Bashkimit të shqiptarëve, erdhe në Tiranë, në kryeqytetin e ri, i ikët përndjekjes serbe, shkove në Shkodër, kryeqytet shpirtëror, u njohe me Profesor Ernest Koliqin, me Prof. Mirash Ivanaj, me të parin do të ishit bashkë në Romë, me të dytin dhe në burg, u shquajte dhe si gazetar dhe u doktorove në Kryeqytetin e Përjetshëm, siç e quajnë Romën dhe do të shkruaja për ty që ishit njeriu i kryeqyteteve, një metaforë kjo, për të treguar klasin tënd. U ktheve në Atdhe, të shërbeje, por fitimtarët, që mbas Luftës II Botërore dhe deri sa ra perandoria komuniste, një gjysmë shekulli të mbyllën si kundërshtar burgjeve dhe internineve. Edhe andej shkruaje, poezi, studime, përktheje… Dhe kanë frikë ende nga ty, edhe tani që s’je, edhe ata që s’janë dhe bënë diktaturën, që s’i dënoi e ardhmja, askush s’mbajti përgjegjësi, s’kërkuan falje dhe pasuesit e tyre, sundimtarë të rinj, politikanë, deputetë, akademikë, kritizerë, poetë, etj, kanë ndërruar maskat, veturat, vendet, mbase dhe sjelljet, por jo mendësinë dhe qendrimet, as strategjinë e harresës dhe të kujtesës së tyre…

Prandaj dhe Lazër Radi duhej të lihej, ja ashtu si dikur, në terrin e burgjeve dhe në braktisjet internimeve. Sidomos vepra e tij. Vuajtjen edhe mund t’ia nderojnë, edhe mund ta kenë dekoruar, atë a bashkëvuajtës të tij, aq më mirë pas vdekjes, thonë ata, por veprën jo, librat, poezinë, nuk ia durojnë dot, ka shkruar në burg, në internim, ku nuk lejohej dhe letërsia ishte e shtetit, i shërbente sundimtarëve ashtu siç i shërbyen ata dhe e kanë të pamundur shkëputjen si shkëputje nga vetja. Nuk e përballojnë dot, janë mësuar me poshtërimin e tyre fatlum e nuk besojnë gjë tjetër. Poetët janë të emëruar njëherë, hierarkia s’mund të prishet. Kjo është çështja…

e tyre. Se librat e tu, gjithë ajo letërsi që erdhi nga burgjet dhe internimet janë pasuri kombëtare, kulture e përbashkët…

Lazër i dashur,

fola gjatë dhe nuk s’t’u drejtova me “Ju” si dikur, kur ishit mes nesh, as Zotni Lazër, sepse tani je shpirt dhe frymë dhe frymëzim. Je shkrirë në ne…

Lejomë të kujtoj dhe humorin Tuaj, shakatë dhe po e mbyll bisedën me një të tillë, se mërzia është kudo, e di. Kam lexuar një tregim të tanishëm për një zoti Shyti, gjithollog si atëhere dhe tani, që befas i vjen një ide dhe bën propozimin e çuditshëm, që në letërsi të mos jepen vetëm çmime për veprat, por dhe përçmime, Përçmimi I, II, III.

Dhe e di çfarë mendova, e pse të mos jepen çmime dhe për vepra letrare që nuk janë bërë e nuk do të bëhen kurrë? Janë më të mirëprituarat dhe më të lavdêruarat sot, për të mos patur shqetësime e ngatërresa, sidomos me të kaluarën, se atë s’dimë ta bëjmë, thoshte Orwelli, se të ardhmen po, disa e kanë dhe të sigurtë.

Eh, buzëqeshin dhe ata që s’janë më këtu…

Tani më lejo të vë disa fotografi tuajat në fb, s’kam marrë leje kurrkund, po kështu bëhet tani, merren prona, ide, emocione poezie, gjetje të tuat në roman, se u duket se u takojnë gjithmonë atyre, tjetërkujt, sa më i dikurshëm, përkthime, psh, ato që keni bërë në burg ju me shokë, kanë dalë me emra të tjerë, etj, etj.

Fotografitë nuk ma hoqën mallin, por ma shtuan, jeni Ju i ri në Romë, me shoqe, shokë, pastaj burrë me thinja, familjar, me Zonjën Tuaj, asgjë s’thashë për të, por dhe ajo ka qenë në burg e qëndroi e ju ndejti pranë, besnike dhe e fortë, perëndesha e familjes, jeni ju me djemtë e rritur, shoh rrudhat në fytyrë – sa të mira, si llogore, ku u fute ti, për të ruajtur veten, se të tjerët ishin nëpër istikame kundër të tjerëve, po sa më pëlqen fotografia e Prizrenit, ku jeni fëmijë me prindërit, është historike, zaten çdo gjë juaja e tillë është, vura dhe foton që bëmë në shtëpinë tuaj, mes nesh është albanalogu i mrekullueshëm Robert Elsie dhe unë jam me Edën time, ja, dhe librat, i pari Juaji me Jozefin, at’ e bir bashkautorë, parathënien e shkruajta unë, pastaj librat e tjerë, sa ka punuar Jozefi për korpusin e veprës Tuaj, vërtet është si një ringjallje, ndërkaq kam vënë dhe një roman timin, do ma pranoni, besoj, “Në kohën e britmës”, ku jeni personazh, përgjysmë se gjysma tjetër është im atë dhe kam ato poezi që ju kushtohen…

Përzemërsisht,

V

Filed Under: LETERSI Tagged With: Lazer Radi, Visar Zhiti

ZËRI DHE FJALA MAGJIKE…

January 25, 2023 by s p

Një vështrim kritik për romanin e Visar Zhitit “Këpuca e aktorit

Nga Uran Butka

   Romani i shkrimtarit Visar Zhiti, “Këpucët e aktorit”, një fiction i fuqishëm, ngërthen një dramë ekzistencialiste, që shpaloset artistikisht dhe emocionalisht në tri kohë: atë të mbretërisë, të luftës së Dytë Botërore dhe të regjimit komunist, si edhe të periudhës së demokracisë.

   Është konceptuar me tre akte dhe tre epilogë të ndërthurur jo në vijueshmëri të dukshme, por me copëzime si një tabllo futuriste, me stil tejet modern, meditim, filozofi e forcë njerëzore sizifiane, nëntekst të thellë, kulturë e humor të thekur shqiptar nga burimet shqiptare, dhënë me ngjyrimet e dritës, por edhe të mjegullës kafkiane, me analiza tronditese psikologjike e pasqyrime indirekte historike, me një eksplorim Kantian të vetvetes, apo të të tjereve nëpërmes vetvetes,  analiza psikologjike e reflektime indirekte historike, me personazhë e metafora-personazhe të gjetura si edhe me gjuhë të pasur e të kthjellët shqipe.

   Mendoj se është më së shumti një roman psikologjik postmodern; në vetë të parë, një roman ndryshe nga të tjerët e letërsisë shqipe, jo vetëm, ndryshe nga romanet e tij të mëparshëm, më i afërt me poezinë zhitiane, një risi në letrat shqiptare. 

   Bashkë me tragjizmin për fatet e intelektualit në të tri kohët, tragjizmin e komizmin e fatit dhe të lojës së aktorit, por edhe të një populli, romani përhap bashkë me emocionin artistik edhe dritësi, paqësim, mirësi e dashuri, përpjekjen për të lënë gjurmë në jetë apo në përjetësi, pasion për artin si edhe luftën për lirinë e brendshme, nën një trysni absurde, antinjerëzore. Një prozë e vetvetishme, një rrëfim i çiltër, emocional, që buron nga  një shpirt i ndjeshëm artisti dhe mendje e hapur. 

   Pjesa e parë jepet përmes rrëfimit të Moisiut, babait të Hektorit- heroit kryesor, një rrëfim  i ndjerë, tejet konçiz dhe i nëndheshëm, sipas parimit të ajsbergut dhe me humor  të hidhur. Koha e Mbretërisë dhe e Luftës së Dytë janë portretizuar me këtë personazh, në kërkim të vetes, që rreket të bëjë për vete mësimet e Rilindësve të mëdhenj dhe të Pavarësisë, për dije, kulturë dhe bashkim, tri arsye madhore të Lumo Skëndos për përlindjen e Shqipërisë. Nga Tomorica e largët, shkoi në shkollën Normale të Elbasanit, të iniciuar po nga Lumo Skëndo, të cilin  e kishte idhull, u shqua si nxënës por edhe si një talent për aktor, (këtu zuri fill këpuca e aktorit), mandej si mësues i shqipes, por edhe i lirisë. Nëpërmjet Moisiut, autori na jep me penelata piktori dhe ngjyrat e forta kuq e zi, dramat e Luftës së Dytë, përplasjet me pushtuesit e më së shumti me vetveten, luftën civile mes nacionalistëve dhe komunistëve, këta të fundit të yshtur nga rusët e serbët për t’i vënë shqiptarët, si asnjëhërë më parë në historinë e tyre, në një luftë vëllavrasëse. Në këtë luftë u përfshi edhe Moisiu, jo me armë vrasëse, por si luftëtar intelektual me armën e shqiptarizmës, luftohet edhe me libra, thoshte Moisiu, madje shkroi edhe dramën “Kundërshtarët përqafohen”, që e vuri vetë në skenë, duke mëtuar bashkimin dhe marrëveshjen dhe jo armiqësinë dhe mosmarrëveshjen. Protagonistë ishin dy vëllezër, njëri ballist dhe tjetri partizan, që u përballën dhe vranë me njeri-tjetrin; del nëna e tyre si fantazmë, gjen kufomat e tyre, i bën bashkë  me një përqafim të fundmë dhe i mbulon me shqiponjën e flamurit, që u flet me gjuhën e perëndive, me shqipen e lashtë: duke vrarë njëri-tjetrin, keni vrarë copëza Shqipërie. Dhe për këtë dramë, të cilën partizanët e dogjën mbi turrë drush si në kohën e inkuizicionit, Moisiun e dënuan. Njësitet guerilje gjejnë rast dhe e vrasin. Më tej, gjyqi partizan dënoi me pushkatim një partizan tjetër, sepse kishte rënë në dashuri me një partizane. Po përse kishin dalë të luftonin? Nuk ishte rasti i vetëm…   

Pjesa e dytë ose akti i dytë i dramës shqiptare. Autori, Visar Zhiti,  jep vetëm disa elementë sinjitikativë të krimeve të komunizmit, që emocionalisht plotësojnë tabllonë e përgjakshme të luftës e të pasluftës. Ai shkruan: Po erdhi nëntori 1944…U lirua Shqipëria, por jo shqiptarët.  Autori rikrijon skenat e tribunalit në Teatrin Popullor, ku zhvilloheshin gjyqet ushtarake ndaj kundërshtarëve politikë, armiqve dhe tradhtarëve te supozuar të popullit, një shfaqje, që s’ishte shfaqje teatrale, një loje që s’ishte lojë. Teatër absurd,, tragjik, teatër i vrasjeve. Binin kokat e shkolluara në Evropë, truri i kombit. Në skenën e hapur: futen vrasësit dhe ata që do të vriten. Dhe duartrokitje e thirrje frenetike të spektatoreve te zgjedhur. Në skenën e teatrit, nuk kishte aktorë, por partizanë, që ndonëse kishte mbaruar lufta, ende i mbanin  pushkët në krahë, kapelet me yll të kuq dhe dhe urrejtjen  në kokë. Sillni armiqtë…Një grua e lidhur me zinxhirë, e veshur me të zeza, me hijezimet e torturave në fytyrë, me një bukuri të dëmtuar, shkrimtarja e parë shqiptare, Musine Kokalari, përpara tyre, thotë:“Unë s’jam fajtore. Unë s’jam fashiste. S’jam komuniste dhe ky nuk mund të quhet faj. Nuk jam armike…”

    Autori pikturon tabllo impresioniste. Në mes  llozha me kadife të kuqe, ku qëndron diktatori Enver Hoxha, vështron me manokël fytyrat e armiqve dhe me një copë pusulle, që korieri e sjell  tek kryetari i gjyqit, jep vendimin. Teatër i gjyqeve farsë. Dhe i pasgjyqeve farsë. Grotesk tragjik. Një javë më pas sekretari i partisë  i kishte thënë xhaxhait, Agronit, (ish partizan) se ishte parë që nuk kishte duartrokitur në teatër. Në ç’teatër? Në atë të gjyqit. S’kam duartrokitur? Mbase, kur kisha djalin (Hektorin) në prehër! Të dy duhet të kishit duartrokitur… E drejtë , tha xhaxhai. Bëj autokritikë…Patjetër, dhe të është shënuar në kartelë…

   Kështu, kur ishte tre vjeç dhe në teatrin e vrasjeve, nisi edhe jeta e vërtetë e aktorit Hektor Tomorri, djalit të aktorit Moisi Tomorri. Unë jetim, me babanë e pushkatuar dhe me xhaxhanë partizan, kumton ai. Tërë jetën i dyzuar, i përndjekur, por edhe i mbrojtur nga xhaxhai  besnik i idealit të tradhtuar. Dihej fati tragjik i familjeve dhe fëmijëve të deklasuar, apo me prindër të pushkatuar. Por edhe i familjeve të ndërkallura, pak më ndryshe. Luftë klase, thotë autori. Duhej armiku, madje edhe duhej shpikur, kur nuk ekzistonte.  

   Është meritë e autorit në paraqitjen adekuate me kohën, të Xhaxhait: besnik i idealit partizan, besnik i partisë, për partinë jap gjakun, por njëherësh edhe njeri i mirë, i sakrificës, që e mban familjen e vëllait, kuptohet jo fshehurazi, me leje dhe mbron të ardhmen e të nipit, Hektorit, por dhe të vetes…

   Nën tutelën e xhaxhait partizan, Hektoi arriti të kryente shkollën dhe të bëhej aktor në qytetin e vogël L, pa teatër, më pas me estradë profesioniste. Aty e filloi jetën aktoreske me ëndrra të mira, me shtëpi dhe me grua të bukur e të dashur, Erikën. Ai ndjehet i pëmbushur dhe këtë ndjesi ia jepte aktrimi, por edhe Erika. Përpiqej t’i mbante të dyja, por edhe lumturia përndiqej, thotë ai. Ndjehej gjithsesi i pasigurt, i rrezikuar. E përndiqte në çdo lojë e në çdo hap Dega e Brendshme, edhe nërmjet aktorit të ardhur nga klasa punëtore, angjenti i fshehtë i Sigurimit, Çaçoja. Ndaj bëri çmos të punonte fort edhe si libretist edhe si aktor  dhe të fitonte besimin e autoritetit, që e kontrollonte, por edhe dashurinë në rritje të spektatorit, dashuri që e ndjente dhe e mbante gjallë. 

   Loja e aktorit në skenë pëpara Enverit, është një skenë shekspiriane, një lojë demoniake e mahnitëse, siç i pëlqente Enverit, një lojë vetëm me një këpucë, si Çaplini, duke kërcyer pupthi si një kloun dhe goditur fytyrën me këpucë, më në fund i rrëzuar në skenë si Molieri i vdekur. Një gjetje gjeniale e shkrimtarit. Enverit i pëqente aktrimi, ai është gjithnjë në aktrim, di të luajë bukur, është vazhdimisht në rol, është magjistar i mashtrimit. Luajtëm siç i pëlqente atij: mbreti me lolon Ai u ngjit në skenë, i tëri në rol, demon i kuq. Enveri erdhi pranë meje, më ngriti, (kështu të ngre Partia kur bie), e pashë përmes qerpikëve të mi si përmes telave me gjemba, (Çfarë figurë mahnitese!)..Ti luan mirë. Ju, shoku Enver! Jeni ju , pa jemi ne. Të rrojë Partia! Me Ju në krye…..

    Megjithëse e fitoi këtë mbrojtje të dytë, Hektori nuk ndihej i sigurt nën  presionin mbytës të ambientit të jashtëm, por edhe të  brendshëm psikologjik, të përndjekjes, të frikës; nisi të mendonte për mbrojtjen e familjes, ndaj e largoi Erikën dhe Irisin nga qyteti L. i makthit dhe e dërgoi në Tiranë tek familja e saj më e sigurt, më e mbrojtur. Kështu kishte nisur tjetërsimi i tij, tëhuajëzimi i ngadalshëm e gërryes, si për shkak të karrierës të tij iluzive dhe të sfinksit pushtet. Shkrimtari Visar Zhiti, si një mjek psikoanalist e ndjek fatin e pacientit të tij. Çapi i parë fatal ishte bërë, kur nuk iu gjend Erikës tek lindëte vajzën, Irisin, se duhet të ishte në shfaqjen me Enverin. Ngjarja më e rëndësishme në jetën e tij, por edhe më fatalja… U nda nga Erika dhe vajza, Irisi, ndonëse i donte, por e pranonte se kështu ishte më mirë për to, u nda pa bërë asnjë përpjekje për bashkim, u mjaftua dhe u pajtua me gjendjen vetanake, boshin familjar dhe  me rolin e aktorit me maskë, me takime seksuale të rastësishme, por edhe me ngushëllimin e vetëm dashuror të Kukullës Barbi… Po mendon për Erikën, e pyeti Kukulla Barbi, infermierja. Po, E vuaj. E vuan edhe lexuesi ndarjen pa motiv nga Erika. A thua të mos e kishte dashur me të vërtetë? Është koha kur s’duhej dot dhe vetja… 

   Autori i romanit e ndjek dhe e përshkruan me penë të hollë e zhbirim mjeshtëror zgripin moral e shpirtëror të heroit të tij dhe të brezit të humbur, në kohën e qoftëlargut. 

   Absurdi dhe grotesku shtohen në skenat e fshatit. Ato janë të një bukurie të rrallë dhe të trishtë. Ndërkaq ai sjell dhe personazhin e paparë në letrat shqipe, Merkoshin, shkërbyesin burrë të dhimbjeve të lindjes së gruas, një dukuri e çuditshme me rrënjë pellazgjike, që e pasurojnë romanin me etnos dhe befasi artistike.    

   Akti i tretë ose pjesa e tretë e romanit, kur erdhi ndryshimi i madh i dëshiruar në vitet ‘90, gjendja ndryshon, por edhe stoli i romanit, merr një dritë tjetër, edhe në gjuhë. Edhe në ironi. Tashmë është një demokraci pa teatër. Ëndërrat realizohen me vonesë, kur s’duhen më, përsiat shkrimtari, se protagonisti vjen tashmë në Teatrin Kombëtar. 

   Romani, përveç përjetimeve të aktorit për këtë kohë të tretë, ka edhe një dimension tjetër, na jep edhe një informormacion të filtruar artistikisht për botën shqiptare dhe atë të jashtme të lidhur me Shqipërinë, ngjarjeve historike apo aktuale me personazhe të trilluar u shton dhe ata të vërtetë, (At’ Gjergj Fishtën, Mid’hat Frashërin, Odisea Elitis, – poetin grek nobelist, Nënë Terezën, diktatorin Enver Hoxha dhe emra të tanishëm politikanësh të lartë…), që së bashku rrinë natyrshëm si në jetë, dhënë jo si kronikë, edhe pse kjo është e modës tanimë, as si portretizime publicistike, por nëpërmjet ndjesive e reflektimeve të brendshme të personazhit kryesor. Kjo e bën që fikshëni i romanit, tejet i ndjerë, të kumbojë më i sinqertë, pra, më i vërtetë. Imagjinata e reales dhe realja e imagjinatës përzihen.  

   Visar Zhiti sjell të tronditshem kohë, ndal dhe te 1997, e përjetuar si një çmenduri kolektive, siç e pohon vetë. Skema Ponci, thotë ai. Një kamarier i kthen aktorit kusurin për kafetë e ngjeruara, jo në lekë, por me disa plumba në dorë… Pastaj një spektakël makabër: 

…një njeri i shkaluar mbante në duar një kokë të prerë njeriu, e kishte kapur nga flokët, e tundte, e kalonte tryezë më tryezë, ua afronte njerëzve, u kanosej dhe s’fiste fare. Syngrirë ai dhe koka e prerë…E njihnin atë kokë, ishte një i lagjes, që kishte kaluar me bandat kundërshtare.

   Një barbari që vjen nga e kaluara. 

   Visar Zhiti është tejet i ndjeshëm për vuajtjet e të tjerëve, për peripecitë, zvarritjen e nëpëkëmbjen e të përndjekurve dhe të burgosurve politikë edhe në kohën e demokracisë, që kërkojnë drejtësi dhe jo vetëm dëmshpërblimin e dënimit.  

   Visari ka qenë dhe mbetet poet i dhimbjes njerëzore, ka qenë dhe është me të mundurit, me të vuajturit, me të drejtën e mohuar, me të privuarit e lirisë, kundër çdo pushteti apo qeverie qoftë. Ja si e jep ai grevën e urisë të ish të burgosurve politikë në lagjen “Komuna e Parisit”, ku mori pjesë edhe Hektori, pesonazhi i romanit . “U dëgjuan sirenat e makinave të policisë. Një polic doli  me të shpejtë ngë makina e parë dhe hapi derën e makinës më pas. Ministri i Punëve të brendshme, që shoqërohej me tre-katër civilë, që rrethoheshin nga policë. Njëri nga civilët foli rreptë: “Ministri kërkon t’ju dëgjojë, ç’kërkesa  kini dhe t’ju këshillojë të lini greven e urisë, të meremi vesh…. Brofi më këmbë një grevist: Jep dorëhëqjen ti. Ti prokuror i diktaturës, ti që më ke dënuar! Ministri mbeti. Dukej si një nofull e madhe. Dhe iku. Pas tij edhe ish-kryetari i Degës së Brenshme të qytetit L,, i cili e kishte futur në qeli aktorin, që të shkruante një  dramë për ta… Përmes turmave të çakërdisura, po vraponte një zjarr. Një zjarr me këpucë. Në formë njeriu zjarri. Britmat: Liri, Lirak..Po digjej ai që kisha njohur unë,  (Liraku) që sapo kishte hedhur benzinë mbi veten… Ish të përndjekurit e Shqipërisë djegin veten per Shqipërinë, politikanët djegin shqipërinë për veten e tyre”.

“Është demokraci e tyre, s’është  jona” tha  aktori Ziu, i teatrit të rrugës…   

   Megjithatë Hektori ishte dhe mbeti rob i skenës, sepse e donte atë dhe lojën e aktorit. Ndonëse i lodhur dhe i zhgënjyer, aktron me teatrin e rrugës, në spital, në amfiteatrin e Durrësit, ku punonte si punëtor për riedukim, sepse teatër nuk kishte.  

   Visar Zhiti, si për ndrequr diçka të thellë në shpirtin tonë kolektiv, fton në romanin e tij shenjten Nënë Terezë. Ndjenja e mëshirës, mbi të gjitha e dashurisë, e përshkon tej e ndanë veprën. Por e shoqëruar dhe me çudinë.    

   Në kohën e pandemisë, kur njerëzit ishin mbyllur brenda nën trusninë e një stresi të ri, protagonisti i romanit eksperimentoi teatrin lëvizës me ekskavator, një ide gjeniale e studentit shqiptar të Milanos, Atjonit personazh. Kova e ekskavatorit, si një këpucë gjigante, brenda së cilës aktronin Hektori dhe Kukulla Barby, lëviste nga ballkoni në ballkon, nga pallati në pallat, nga lagjia në lagje, nga qyteti në qytet, për t’u gjendur pranë qytetarëve të ngujuar, të cilët këqyrnin e dëgjonin nëpër ballkone, dritare e taraca dhe tundnin duart si të çliruar. Teatër eksperimental, i pa paparë, absurd, por sa human! Ndoshta ishte shfaqja e parë në botë në kovën e një ekskavatori me skenografi këpucën dhe monologu ngjethes i aktorit, që të zgjonte jetën e ngujuar. “Kemi harruar të duam, të ndihmojmë nëri-tjetrin dhe veten,” monologonte ai dhe recititonte lutjen-poezi “Jetë” të shenjtores Nënë Terezë.

   Eshtë aftësia  krijuese e autorit të romanit, që na e jep personazhin në situata të tilla rënieje, por edhe në ringritje, ferri apo qielli. Por është dashuria që e ringjall, një dashuri që e kthen në jetë: dashuria e vajzës, Irisit, që vinte pas kaq kohësh nga Amerika bashkë me të shoqin nga Kosova, Marinin, një çift aktorësh dhe krijuesish, emigrantë në SHBA. Takimi i tyre i parë me Hektorin është i befasishëm, tronditës, i bukur, shërues. Për herë të parë u ndje baba i vërtetë. Ajo i solli lumturinë e munguar aq gjatë. ”Po merrja ngazëllimin e munguar, aq shumë së brenshmi, sa ndjeja gufime në gjoks…Ngjante me një dënesë. Ndarja mes nesh s’ia kishte dalë të fitonte..,”

   Irisi me Marinin qëndruan gjatë me Hektorin, për ta jetuar dhe ndihmuar, por edhe për të mësuar prej tij, për të shkruar për të. Janë shumë kuptimplote bisedat dhe ndjeshmëritë mes tyre. Marini është djalë nga Prizreni, nga Kosova, e zgjeron atdheun dhe shpirtin. Ata do të jenë edhe dëshmitarë të fundit tragjik të tij, të epokës së tij.

   Ky është edhe epilogu i romanit, rekuiem i Mozartit. Prishja e teatrit të vjetër me ekskavatorin përbindësh dhe mbetja e aktorit nën rënoja. Një skenë tronditëse, tragjike, por edhe domethënëse,  e përshkruar nga Visar Zhiti me ndjenjë, forcë dhe art Visarian. 

   Nisi shëmbja e teatrit, por edhe e aktorit brenda tij. Aktorët, të vjetër e të rinj, të ndarë më dysh. Teatër kundër teatrit. Në luftë me vetvetën dhe me qeverinë. Mendoj se aktori, ashtu si autori, nuk janë për prishjet, ata duan kujtesën, dëshminë, reliket e kulturës së shkuar, si muze, edhe për vetë historinë e tij teatrore, edhe me ato gjyqet politike që ishin kryer në të si lojë vdekjeje. Diku tjetër të ndërtohej një teatër i ri, fuksional, modern, i bukur, si në botën e qytetëruar. 

   Aktori i plagosur mediton: “Teatri ra i gjithë. Më ra trari mbi kokë, ai më vrau… Është skena ku erdha vetë, i ri. Herët – kur ishte vonë, ky ishte ende herët. Çdo vend ka teatrin që meriton… Mos isha prapë në rol? S’ka si të jetë ndryshe. Sidomos në një teatër, qoftë edhe i shëmbur… Duhesha kurban. Por s’jam as ne themelet e teatrit të ri. Ky ishte fundi im”

   Në momentet e fundit, i vjen Atjoni, studenti, si një engjell mbrojtës dhe përdëllyes: 

“Si i dërguar nga qielli. Nga andej vij…”

   Kjo ishte vdekja e parë, nën gërmadhat e teatrit. 

   Shkrimtari na jep edhe në një vdekje të dytë të aktorit, si gjithnjë të dyzuar,  në shtëpinë e tij, ku ai shkon  i plagosur për vdekje dhe si në jerm  rikujton jetën e tij, të dashurit e tij, nënë Marijen, Erikën, Irisin, Martinin, Kukullën Barbi, miqtë aktorë dhe joaktorë, maskat dhe këpucët e aktorit. Ndezi një qiri dhe  flakëzën e vogël sa një gjuhë zogu ia afroi një maske të errët lëkure dhe flakëzat  si flatra zogjsh  përpinë gjithë shtëpinë dhe atë vetë që u kthye në hi. (mos është urrejtja e antiaktorit për maskat e teatrit e të jetës me maska në fytyrë dhe hiri i përjetësisë të aktorit të vërtetë, që mbetet?)

   Në sekuencën e tij të fundit të imaginatës së ndezur, ai  sheh edhe arkëmortin e tij, ku bënin homazhe njerëz  me maska, mes tyre sheh edhe kurrizin e Çaços, aktorit spiun, që rënoi perfundimisht  jetën dhe martesën e Hektorit me Erikën, por tashmë ishte kthyer në teatrin politik të kohës. Një gjetje tjetër identifikuese dhe metaforike e autorit të romanit.

   Një parantesë: Tek flisja e denoncoja në TV prishjen e varrit dhe të bustit të Mit’hat Frashërit, ç’koinçidencë, personazh dhe në roman, gazetarja me pyeti: ”Kush e prishi varrin e Mid’hat Frashërit? – Mbeturinat e shëmtuara, por edhe të rrezikshme të enveristëve, thashë.- Konkretisht, pyeti sërish ajo. – Çaçoja, përmenda krejt natyrshëm, personazhin e romanit “Këpuca e aktorit”. Ai nga realiteti u fut brenda në roman dhe nga romani tani del në realitetin jashtë.

    Në roman, edhe kur ka ndonjë skenë, ku ngjan sikur bie ritmi apo tek-tuk zgjatje të qëllimshme, ngërthime eseistike, etj, ato janë pjesë strategjike e romanit, e ritmit dhe aritmisë gjenerale, e asimetrisë estetike, stili i përshtat kohës së rrëfimit dhe personazheve me asosacione idesh dhe “përroin psikik” të tyre.

   Teksti fundor ose epilogu III mbi Ukrainën, për mua fare i beftë, por që autori gjen një pikë lidhëse, misionare – teatrin dhe aktorin Zhelenski, tashmë president i Ukrainës, teatri shkon në front, është dhimbja konkrete për Ukrainën që po qendron e rrënuar. Përsëritet motivi human i Visar Zhitit për të rënët, për  padrejtësitë e kësaj bote, por edhe për qëndrestarët me gjakim universalizimin.

   Gjithashtu vë re tek-tuk edhe ndonjë referencë të personaliteteve të shquara të teatrit apo të kulturës, një shfaqje të eruditizmit, që sikur e bën veprën më të mençur, por Visari tanimë nuk ka nevojë për to, shkrimtaria e tij e bukur dhe e mënçur ka zërin dhe fjalën e tij magjike.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Uran Butka, Visar Zhiti

DRAMA E KONGRESIT TË LUSHNJËS DHE LETRA PRESIDENTIT TË SHBA…

January 20, 2023 by s p

Triptik në 103 vjetorin e Kongresit në nderim të etërve.

Nga Visar Zhiti

Kongresi i Lushnjës është një dramë e madhe në skenën e Shqipërisë dhe për atë ka një dramë, të shkruar po në Lushnjë, që mbart atë frymë e kohë, por dhe fatin e një populli në një udhëkryq të histories së re. 

1- KUVENDI SHPËTIMTAR

Në Lushnjën e vogël u bë histori kombëtare, u arrit “Pavarësia e dytë” e Atdheut, me një kuvend mbarëkombëtar. 

…nisi në 21 janar 1920, pra 8 mote pas shpalljes së mëvetësisë nga perandoria otomane… 

Gjëndja, kur do të mbahej Kongresi jetik, ishte dramatikisht e rëndë, plot me rreziqe, përçarje dhe varfëri, e paqartë brenda; kurse jashtë, rrëmujë ndërballkanike, ende nxinin gërmadhat dhe plagët e Luftës së Parë Botërore, ndërsa kërcënime shtoheshin. Dukej sikur hanxharët e një kasapane politike po mpriheshin sërish për ta copëtuar Shqipërinë për fare…

Ndërgjegjia e kombit dha kushtrimin skenderbejan. Përfaqësues, të përzgjedhur apo të vetëcaktuar, nga të gjitha trevat, kush e ndjente e mundëte, nga paria, nga ata që kishin bërë emër, kryengritës a nëpunësa, që kishin qenë në Vlorë në ngritjen e Flamurit, që kishin punuar në perandorinë otomane apo kishin studiuar nëpër Europë, që kishin mërguar deri në Amerikë, nga ata që kishin sakrifikuar për vendin, duke lenë pasuri dhe gjak, u nisën për në Lushnjë, me ndonjë makinë, nga ato të paktat që ishin atëhere, të ngadalta gati sa qerret, me kuaj, në këmbë, kaptonin male, çanin borën dhe baltën e dimrit, rreziqet e natës, nëpër shtigjet ku mund të gjendeshe befas mes ushtrive të huaja, që hazdisnin trojeve tona.

“Të mblidhemi në Lushnjë!” ishte thirrja. Qeveria heroike dhe hallemadhe e Ismail Qemalit ishte shprishur. E si u lajmëruan shqiptarët të mblidheshn në Lushnjë? Si u përcoll lajmi par me shumë se një shekull në vendin më të varfër në Europë, ku mungonin posta, institucionet, trenat, universitetet, media,  shteti vetë, etj, etj? Si kaloi lajmi nëpër erë, me ç’frymë?

Dëshmori i parë ra, Abdyl Ypi. Por u bashkuan burrat, të palodhur nga lodhjet. Teksa i priste një lodhje tjetër madhështore. S’i caktoi kush delegatë, veçse atdhedashja dhe përgjegjësia. Thirrje si nga thellësitë e katakombeve të Kombit. Pra, jo me vota, as duke e blerë besimin, por sipas bëmave dhe përkushtimit dhe arritjeve dhe pasionit. U mblodhën si “oligarki morale”, jo për të bërë pasuri, por përkundrazi, duke lënë nga e tyrja, veç “të bënin Shqipëri”, siç po buçiste kjo këngë atëhere.

U mblodhën në Lushnjën, që ende ngjante me një katund, në sarajin më të shquar, atë Fugajve. Qëllimi ishte jo vetëm të gjykonin kohën, por të vendosnin se ç’duhej bërë në ato rrethana të rënda e me rrezikun e përbashkët mbi krye, ishte halli i Shqipërisë i pari dhe kryesori dhe të vepronin menjëherë, me qendresë e me diplomaci, edhe me luftë, po të duhej. 

A kemi që na duan të mirën? Duheshin përcaktuar aleatët, nëse do të kishte përreth, atëhere më tutje, edhe më tutje, përtej oqeanit, pra ata që do të mund të ndihmonin në shpëtimin e Vëndit. Se gjysma e trojeve ishte marë… Të ruhej ajo që ishte, gjithmonë mëma Shqipëri. 

Ku t’i gjenin forcat që të siguronin mbrojtjen e Kongresit? Një emër po dëgjohej gjithandej, Sulë Zdrava me luftëtarët e tij, po me atë pushkë që kishte qenë dhe në Rrethimin e Shkodrës, që kishte mbrojtur Beratin nga andartët grekë…

Kongresi i Lushnjës çudit:erisht ishte fare i qartë dhe i vendoaur. Në 10 ditët e punimeve të tij ribëri shtetin shqiptar, caktoi kryeqytetin, Tiranën, Kryeministrin dhe Qeverinë e tij për t’i dalë zot vendit. Institucionet dhe detyrat nga ideale u bënë program dhe veprim. Shqipëria po shpëtonte sërish. Mrekullia po arrihej. Nga ajo frymë e përbashkët, që vinte nga kohërat dhe varret, nga pragjet, brigjet dhe nga e ardhmja. Guxim dhe mençuri… 

Ka mbi një shekull që ecin delegatët e atij kuvendi, mbërrin bëma e tyre dhe fjala e tyre në ditët tona, e arkivuar, ndërsa qeverive të tanishme u del si detyrë jo vetëm që t’i njohin thellë dhe t’i përkujtojnë, jo thjeshtë si histori, por si përvojë e mësime e frymëzim. 

Ta kthejmë Shtëpinë e Kongresit në Lushnjë në tempull të patriotizmit, ku të bëjnë pelegrinazh gjeneratat e reja… 

Kongresi i Lushnjes (1920) - Ngjarje e Madhe Historike

                    Delegat:e të Kongresit të Lushnjes (1920)

2- LETËR NGA LUSHNJA NË WASHINTON

Duket e çuditëshme! Si fantazi për atëhere. Po ja që ndodhi… Kryetari i Katundarisë së Lushnjës, gati një muaj pas mbarimit të Kongresit, më 17.3.1920, dërgon një letër. Dhe ku? Në Washington. Dhe kujt? Presidentit të SHBA-së, Wilsonit. Sa largpamës ky fakt! Lushnja përzgjedh shpëtimtarin, aleatin e Shqipërisë. Ç’letër e mrekullueshme, e qartë, e sinqertë dhe me fjalë të zgjedhura, e ndjeshme, pa stërhollimet kancelareske dinake, e urtë dhe me dije, e bukur… sa vizionare për të ardhmen! 

Gjyshërit tanë të mbledhur rreth atij që shkruante, fjalët që ia thoshin me zë, shto këtë, këtë hiqe, po si t’i drejtohemi? Kujdes këtu, mos e zgjat shumë llafin, “e-rej, se isht Presidenti më i madh i botës, lale”, etj, etj. I kërkonin atij, Amerikës njohje të Shqipërisë, mbështetje dhe ndalim të planeve ziliqare të copëtimit të mëtejshëm. Ia kishin kërkuar vetes më parë dhe ishin gati të linin dhe jetën…

  Letra është e shkruar me dorë, me pendë a stilolaps mbase dhe pastaj është transkriptuar dhe gjendet në Arkivin e Shtetit. E shkurtër. Me një vetëdije të thellë. Historike dhe ka brenda histori. Ka të ardhmen, që e thirri. 

Duhet bërë e njohur sa më shumë kjo letër. Meriton vëmendjen e mëtejshme të studiuesve, të konferencave, të parlamentit e lidershopit, të politikës në përgjithësi dhe të kuptojë aty strategjinë kombëtare dhe taktikat në veprim… Orientimi i drejtë i shqiptarëve mes atij kaosi drejt SHBA-së ndrit si yll polar. Ndjesia e fuqishme e atdhedashurisë, Shqipëria quhet Mëmë dhe dhimbja therëse për Kosovën dhe Çamërinë, për tokën dhe detin, alarm dinjitoz për të mos I copërluar edhe më. Ja, teksti i saj i plotë, pa asnjë ndryshim dhe në drejtshkrim. Me një shqipe të qarta si e njësuar me të folursës e përbashkët. Shëmbullore si letër!

Shkëlqesisë së Tij Wilson, kryetar t’Amerikes

I Shteteve të Bashkuem Vashington.

Shqiptarët që kanë mbështun tanë shpresat e gjallnisë mbi shtyllën apostole të parimevet fisnike të Sh. S’Uaj, sot iu luten të të pranoni falenderjet e paraqituna përkundrejt zanit të nalt e mëshir madh që jeni tye kryer për shpërtimin e atdheut tyne.

I nalti kryetar, shpëtoni nji popull që asht m’i Vjetri në Ballkan e që ka drejtu vështrimet e shpëtimit t’Ekselenca Juaj dhe mo i lini me derdhë gjakun e me vdek përpara lakmimevet imperialiste të fqinjëvet veç sigurimin e kufijvet 1913-es, ju lutem me fuqinë e shpirtit mos pëlqeni as pak krasitje të pa arsyeshme si mbi Kosovë e Çamëri, mbi kufite natyrale ethnografike të sh. s’uej nuk munde me kjen të ndara nga Mëma e tyre Shqipni.

Ju lutemi në emër të popullit pranoni nderimet tona krejt besnike. 

Kryetari Katundaris së Lushnjës

Lushnjë, më 17.3.1920

     https://www.voal.ch/wp-content/uploads/2019/01/wilsoni-1.jpg                                             Presidenti i SHBA, Wilson

http://3.bp.blogspot.com/-BSkYHQzLj6Q/UP2yJVnF5fI/AAAAAAAAHD8/iMRB71URTdg/s1600/Letra.jpg

                               Letra e Lushnjes për Presidentin e SHBA

Po si ia çuan atë letër historike Presidentit Wilson? Shqip? Po kush e përktheu? Ç’do me thënë ‘Kryetar i Katundarisë’? A, qenka Kryetari i atëhershëm i Bashkisë, zoti Besim Nuri. Mes atij analfabetizmi të madh, varfërisë e malarjes e trallisjes kombëtare, si iu arrit kësaj largpamësie, me ç’mister dhe ç’engjëll i printe dhe i mbronte? 

Le të shohim një nga kronikat e kohës, shih, ç’thuhet: 

 “…në fillim të vitit 1920, Wilsoni i irrituar refuzoi ta pranonte propozimin britanik, francez e italian për ndarjen e Shqipërisë në tri pjesë: Jugosllavia do të merrte veriun, Greqia jugun, kurse italianët do të kishin mandatin për ta qeverisur një shtet të vogël shqiptar që do të mbeste pas kësaj rrudhjeje. Vlora do të bëhej pjesë e Italisë. Britanikët dhe francezët po përpiqeshin ta arsyetonin planin e tyre duke thënë që ‘populli shqiptar kurrë s’ka qenë në gjendje ta themelojë një qeveri të veten’. Wilsoni fuqishëm refuzoi, siç tha vetë ai, ‘padrejtësinë’ ndaj popullit shqiptar.” 

Ai prej njerëzve vlerësohet që vetë i dha fund idesë së ndarjes dhe një mandate italiane që ka qenë në zemër të negociatave në Versajë. Bile edhe në atë kohë, përfaqësuesi i Qeverisë së Përkohshme Shqiptare në Shtetet e Bashkuara, shkruante në gazetën “New York Times” të 11 marsit: “Shpëtimi i vendit tim i mbetet borxh tërësisht veprimit të qeverisë së Shteteve të Bashkuara.”

Në Tiranë, në kryeqytetin që caktoi Lushnja, kur vendi u hap dhe mori udhën e demokratizimit, u ngrit shtatorja e Presidentit Wilson në sheshin që iu dha emri i tij në 2012, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, por po në atë bronz meriton të derdhet dhe kjo letër-institucion dhe të vihet si memorial në Lushnjë, në sheshin para Bashkisë a para Shtëpisë së Kongresit, në Muzeun Kombëtar në Tiranë në Parlamentin Shqiptar. Dhe të bëhen kongrese për Kongresin e Lushnjës.

3- DRAMA ME FRYMËN  KONGRESIT

Hekuran Zhiti - Autor i Drames
https://b3c4r2f7.stackpathcdn.com/18637-thickbox_default/te-mblidhemi-ne-lushnje.jpg

       Dramturgu dhe aktori Hekuran Zhiti dhe drama për Kongresin e Lushnjes

 “Të mblidhemi në Lushnjë” u shkruajt nga aktori dhe dramaturgu Hekuran Zhiti në Lushnjë, në një dhomë të vogël në një apartament modest, që është dhe sot. Do të festohej 50 vjetori i Kongresit dhe donin që ta vinin në skenë…

  Të tre aktete e dramës ndodhin në Lushnjë dhe nis me personazhe vendas, të trilluar dhe realë si Vath Plugu dhe Bajrami, Xha Bami i Haxhiajve, korrieri i Kongresit dhe kulmon me delegatët, përfaqësues të krahinave të vendit, me figura historike si Sheh Karbunara, Plaku i Butkës, Delagati i Matit, më i riu që bëhet minister e brendshëm e deri te Kryetari i Kongresit, Elbasan Pasha, kështu quhet në dramë, etj. Milicë shqiptarë e ushtri të huaja aty, ushtarë e oficerë italianë, ndonje filogrek, etj, etj. Si një mister në dramë ndjehet mbështetja amerikane, fryn si një fllad shpresëdhënës. Fundi i dramës është një magjistrale patriotike. Çahet rrethimi për të mbërritur në kryeqytetin e ri, në Tiranë, për të shkuar në ardhmëri…

Drama “Të mblidhemi në Lushnje” u botua së pari me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së vendit dhe u ribotua me rastin e 100 vjetorit të Kongresit të Lushnjës nga editori “Uegen”, shoqëruar me një studim nga botuesi, historiani Xhevair Lleshi. Në gjimnazin e Lushnjës nxënësit e vunë në skenë dramën dhe priten skena të tjera të mëdha. 

Si një vazhdim plot emocion, po sjellim këtu pak nga fryma e dramës, nga akti i tretë dhe i fundit.

Në Kongres:

(Salla me 10 ose 12 sërë karrikesh. Në krye një tryezë e madhe, në anë të saj një flamur kombëtar me shtizë dhe një portret i Skënderbeut në njërën dhe i Ismail Qemalit në anën tjetër. Kongresistët, disa me veshje karakteristike të Veriut dhe të Jugut dhe disa me kostume europiane, barsolina e gravata e çanta, janë shpërnarë në grupe, dy e nga tre, duke biseduar…

Lushnjarë e bashkë me ta e të tjerë të armatosur, Vathi, Bajrami, Vrenozi, Thimiu, etj., si roje rrinë pak larg, hyjnë dhe dalin.

Zera:

– …kam ardh mes borës, ujqve dhe ushtrisë serbe…

– E madhe shtëpia… e mblodhi Shqipërinë…

– …nuk kanë mbrritë të gjithë…

– …ku ishit mbrëmë?

– Këtu afër. Na kanë pritur me këngë. Këndonin me rradhé dhe dilnin bënin roje me pushkë jashtë shtépisé…

– …kush e kishte Korçën, grekërit apo fracezët?

– Francezët për grekërit…

– Shiko Plakun e Butkës… legjendarin…

– … sa kohë që s’jemi parë? Qysh në Vlorë,

– …atë ditë kur u ngrit flamuri…

– A fillojmë, burra? Koha nuk pret…

– I përndershmi Sheh Karbunara do t’i bëjë një lutje Zotit, që të na bekojë… ogur i mirë… në mbrojtje nga të papriturat e shumta… ka kaq trazira…

(Të gjithë pa lëvizur nga vendi ngrijnë në heshtje dhe secili, sipas menyrës së vet, luten, dikush me kokën lart, me duart e bashkuara, me kryet ulur, ndonjë gjunjëzohet, mërmërisin, etj., në mes tyre Sheh Karbunara i statujtë duke krijuar kështu një si grup skulpturor sugjestionues, suprem…

-Përfaqësuesi i Lushnjës ta marrë fjalën… Zoti Vokopola nise…

Përfaqësuesi i Lushnjës – Në emër të Prefekturës së Lushnjës, Beratit e Skraparit ju uroj mirëseardhjen në Kongres. Nuk jemi këtu vetëm në shtëpinë e mikut tonë bujar, lushnjarit të nderuar Kaso Fuga, por dhe brenda mureve të historisë. Po nisim një betejë, sot më 21 Janar 1920, e mërkurë, që nuk do të harrohet, e ndjej… (emocionohet) Zini vendet… në këtë sallë… por dhe në ngjarjet që na presin…

Ia jap fjalën patriotit të flaktë, veprimtarit të palodhur kundër pushtimit otoman, mbështetësi kryesor i Ismail Qemalit, ministër në qeverinë e parë, Elbasan Pashës, i zbardhur në përpjekjet për çështjet e më mëdheut. Urdhëroni!

Elbasan Pasha (I moshuar, me pak mjekërr të bardhë, i hollë, i thatë, me kravatë e qylaf, me zë të ngadaltë e pak të ngjirur.) Të dashur qytetarë, delegatë nga i gjithë vendi, ju që keni ardhur dhe ata që nuk kanë arritur ende, por dhe ata që nuk do të vijnë dot kurrë se janë vrarë për ideal, (duartrokitje të forta), luftëtarë, burra që më bëtë nderin ta çel këtë kuvend, vazhdim i atij të Lezhës me Skënderbeun dhe i atij të Prizrenit me Abdyl Frashërin me shokë, duke ju falenderuar me shpirt, shpall të hapura punimet. Së bashku të hapim udhën që do të ndjekim. Nëpër vazhdën e gjakut do të shkojmë ku na e do zemra e plasur që të arrijmë te ëndrra, atje ku na e do puna, sipas amanetit të të parave. Shqipëria është bërë një herë dhe nuk ka pse zhbëhet!

Duartrokitje.

Zotërinj, jeni të lodhur, e di, keni ardhur rrugë e pa rrugë, mespërmes pushtonjësve të Shqipërisë, kjo na ka vrarë më shumë se sa të tatëpjetat e shtigjet e humnerat, se nata me erë e bora, kemi ecur me mjete që prisheshin, kështu e lanë atdheun tonë, me karroca e kuaj e më këmbë, po u shplodhëm që gjetmë sho-shoqin e do të bëhemi me flatra kur të gjejmë dritën që na duhet.

Kam kërkesën që të nderojmë dëshmorin e kësaj ideje, bashkëpunëtorin tonë të ngushtë, Abdyl Ypin, që e vranë ca ditë më parë për të mos qënë këtu ai dhe të gjithë ne e ky Kongres të mos mbahej. Nëpërmjet tij duam të përulemi para gjithë të rënëve dhe martirëve të Kombit…

Të gjithë ngrihen më këmbë. Heshtje e thellë…

Pas përfundimit të Kongresit të Lushnjes

Kryetar (i porsazgjedhur) – Të vazhdojmë më tej… të formojmë komisionet, që tani, të ndahen përfaqësonjësit në grupe dhe… Po emërojmë Sekretarin e Kuvendit, zotin Vokopola dhe për të këqyrur letërpërfaqësimet e delegatëve, pra një komision të posaçëm prej 5 vetash… Hë, të presim… për të mos pritur…

Delegati i Matit – (ngrihet) Unë jam për sulm, i përndershmi Sheh!

Zera – Me shka, me çfarë?

Delegati i Matit  – Me armën e diplomacisë, me diplomacinë e armëve.

Delegati i IV – Konkretisht: burra, gra, djem e pleq, me spata e me hunj, me armët që kemi, të përzëmë armiqtë nga toka jonë. Të hedhim si leckë qeverinë e sotme, që nuk bën për sot. (Duartrokitje)

Kryetari – Traktatin e Fshehtë të Londrës… Kongresi e hedh poshtë me vendosmëri duke përgatitur një protestë energjike për Konferencën e Parisit.

Kjo bëhet në emër të Asamblesë së Kombit në Lushnjë, kundra vendimeve të Francës, Anglisë, Italisë për copëtimin e Shqipërisë ndërmjet Italisë, Greqisë, Sërbisë e Malit të Zi. Rezolutën, na vjen një kërkesë, përfundoje kështu (lexon): Shqiptarët janë gati të bëjnë çdo lloj sakrifice dhe me e derdh pikën e fundit të gjakut të tyre kundra çdo veprimi, që mundet me vue në rrezik pamvarësinë dhe tërësinë e saj tokësore…

Ndizen drita ngadalë, salla e kuvendit, përfaqëuesit nëpër vende, kongresi vazhdon punën…

Sheh Karbunara – Të tregojmë që dimë të qeverisim. Shteti i pavarur shqiptar është realitet. Kështu kanë bërë dhe disa shtetet të tjera të robëruara, zotërinj, kështu Çekosllovakia, Finlanda, Polonia, Lituania… Edhe ne. Shtet i vjetër, qeveri e re!

Rojet e Armatosura – Rroftë Qeveria e re!… (Duartrokitje)

Nënkryetari – Të përgatiten tekstet që do t’i dorëzohen Konferencës së Paqes në Paris dhe Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sugjerime!

Plaku i Butkës – T’i drejtohemi Parlamentit italian, por jo me ton të butë, kështu m’u duk se dégjova, me lal e me lule ose me tryla si thotë myzeqari. Me spatët dardharit siç e përdorin nga Korça…

Përfaqësuesi i Matit – Shkronjat duhet të bjenë erë barut!….

Vrenozi – Zoti ka urdhëruar këtë Kongres për të shpëtuar Shqipërinë.

Delegati IV – Populli është mbret vetë dhe s’ka nevojë për mbretër, sulltanë e perandorë.

Kryetari – Të gjykojmë situatën ku ndodhemi.

Delegati II – Kongresi do përballet dhe do krijojë situatë vetë. Ne na shkon republika, republika, zotërinj dhe asgjë tjetër.

Zëra: republikë, po, po republikë… THOMAJ- Mbështetur nga shumë pëlqime, mendoj të kemi kryeministër zotin Sulejman Delvina.

Delegati I – Tani ai ndodhet jashtë shtetit, në Konferencën e Parisit, pra askush këtu nuk mendoi tjetrin pranë a vetveten.

Delegati II– Gjithmonë më i mirë është ai që mungon… (Të qeshura)

Kryetari – S’është ashtu gjithmonë. Ne i dimë vlerat e mëdha të zotit Delvina, rrjedh nga një familje ndër më të njohura dhe më të famshme në të gjithë Jugun. Ka kryer gjimnazin e Janinës dhe mandej në Stamboll. Fakultetin e Mylqijes në kryeqendrën e Perandorisë Osmane dhe pas marrjes së diplomës, siç e dini, ai u caktua menjëherë atasheut në Ministrinë e Brendshme të Turqisë dhe më pas si sekretar në zyrën e dekreteve të Kryeministrisë. Po në ato vite, ai shërbeu si profesor i literaturës në Gallata Saraj, etj. Në Bibliotekë gjithmonë e gjeje me libra francezë, të kulturës dhe shkencës perëndimore, dihen dhe interesi i tij e adhurimi dhe mirënjohja për Amerikën…

Delegati II- Ai të vijë sa më shpejt.

Ministër i Punëve të Mbrendshme Delegatin e Matit, Zogun e maleve, trimin 25 vjeçar… po, po…

Ministër i Punëve të Jashtme z. Mehmet Bej Konica…

Ministër i Arsimit z. Sotir Peci…

Ministër i Drejtësisë z. Hoxhë Kadri Prizrenin… Zëvendës z. Hysen Bej Virjoni… Ministër Finance Z. Ndoc Çoba… Zëvendës z. Idhomen Kosturi…

Votohen. Duartrokitje…

Kryetari – Tani nuk na mbetet gjë tjetër, veç të bëjë betimin Këshilli i Naltë dhe Qeveria e re dhe të gjithë delegatët për ato që marrim përsipër. (Heq flamurin me shtizë e del para tavolinës duke e mbajtur në dorë.) Urdhëroni, zotërinj, të bëjmë betimin më të lartë para Kombit.

Delegatët ngrihen në këmbë ndërsa të zgjedhurit afrohen para flamurit.

Sekretari – (Lexon me zë të lartë) “Betohem n’Emën të Perëndis, tue dhanë besën shqiptare e fjalën e nderit përpara Mbledhjes së Kombit, se do t’i shërbej popullit dhe shtetit shqiptar drejtësisht dhe mproj ligjet dhe indipendencën e plotë të atdheut të shenjtë!”

Të zgjedhurit  – (Një zëri) Betohemi! Duartrokitje. Kryetari u jep dorën. Delegatët ulen.

Një zë – Dua të shtoj dhe poetin e madh Gjergj Fishta! Le ta kenë si sekretar më vonë…

Një zë tjetër: – Rroftë Poeti! Duartrokitje prapë.

Kryetari – Kongresi i Lushnjës është Pavarsia e Dytë e Atdheut!

Sekretari – Si kujtim nga ky Kongres kemi ca flamurë të vegjël si lulkuqet e fushave me grurë të Muzeqesë, vërini nga ana e zëmrës. Këta do t’i shpërndajmë kudo.

Shpërndan flamujt e vegjël.

Njëri nga delegatët – Ja, kështu dua ta kem plagën në gjoks në luftë për atdhe…

Zëra të ashpër – Jeni të rrethuar… ndalni!… Kongres i paligjshëm… Dorëzohuni… do ju shpërndajmë me forcë…

Jehona e kërcënimeve përsëritet në gjuhë të tjera, italisht, greqisht, serbisht: ndalni… të rrethuar…

Ministëri i Punëve të Mbrendshme – Largohuni! Kongresi shqiptar është mbledhur si vullnet i popullit dhe jo në mëshirë të ndokujt, ushtri qoftë a qeveri e huaj. Po ju them që mos u përzieni në punët tona, përndryshe do ju godasim. Ne nuk duam armiq, por bëni mirë të largoheni nga Lushnja… dhe nga Shqipëria. Ndryshe do ju përzëmë dhe me luftë. Unë, bashkë me forcat e mia të armatosura do të marrshojmë drejt Tiranës!

Një zë i ashpër – Kush jeni ju?

Ministër i Punëve të Mbrendshme  – Ministri i Brendshëm i Qeverisë së vendit tim. Hapnu udhën!

Zëri – Mos lëvizni.

Ministër i Punëve të Mbrendshme – Unë nuk njoh tjetër autoritet, përveç Kongresit të Lushnjës. Ju përdorni armët që keni në dorë, në guxofshi. (Të vetëve.) Përpara me mua! Hingëllima kuajsh, trokëllima… Bie perdja.

* * *

Kështu mbyllet kjo dramë dhe duket sikur zhurmat e shqetësuara të kohës, ato hingëllima kuajsh të ngjarjeve vazhdojnë mitike dhe ndryshe, në kohë të tjera, pa ata kalorësa dhe pa ato barra mbi shpinë, ndërsa trokëllimat ngjajnë si të shndërruara në trokitje në dyert e Europës. 

Kongresi lavdimadh na thërret vazhdimisht t’i rikthehemi betimit shqiptar, të lartë dhe me besë, me fe e nder e përkushtim, me drejtësi dhe ligje, dhe të gjithë, tani e gjithmonë, të ndjehemi si para “Mbledhjes së shenjtë të Kombit”, ndërkaq, si me atë misterin që ndihet në frymën e dramës së Kongresit, të bëjmë që të na vijë vazhdimisht ai zëri i mbrojtjes dhe nga përtej oqeanit, nga shteti më i fuqishëm në botë, SHBA, për të gëzuar prosperitet. 

Ndërkaq duke u shtuar dhe Republika e Kosovës, duke u bërë dy shtete shqiptare në Ballkan, së bashku me të gjithë shqiptarë kudo në trojet e tyre dhe në diaporë nëpë botë, të shkojmë drejt ardhmërisë. Dhe me emblemën e Kongresit të Lushnjës.             

Filed Under: Politike Tagged With: Visar Zhiti

KËPUCA E BOTËS NË NJË ROMAN TË RI

January 19, 2023 by s p

– Një vëzhgim rreth romanit “Këpuca e aktorit” të Visar Zhitit –

Nga Artan Nati

Romani “Këpuca e aktorit”, naracion në vetën e parë, që në fakt janë një shumësi njerëzish që flasin, edhe nëpërmjet simboleve të zakonshme si këpucët, por dhe maskat, të zakonshme për teatrin, të jep përshtypjen sikur flet vetë atdheu.

Në qendër është një familje e shtresës së mesme, e lidhur ngushtë me artin, që pëson transformimin e gjithës shoqërisë shqiptare në tre periudha historike moderne, e para: nga 1912 deri në mbarim të Luftës së Dytë Botërore dhe vazhdon me periudhën e dytë, ate të diktaturës dhe më tej me periudhën e tretë, të demokracisë.

Devizë janë fjalët e Nënë Terezës: “Jeta është lojë, luaje. Jeta është dashuri, dashuroje.”

Dhe pikërisht këtë na shpalos ky roman, lojën dhe dashurinë nëpërmjet karaktereve në ngjarje. Simbolika e zgjedhur, këpuca, është domethënëse. Pothuajse çdo shoqëri ka pasur një histori të gjatë të këpucëve, që shkon përtej të qenit thjesht mbrojtje e dobishme për këmbët tona. Këpucët kanë qenë gjithmonë një mundësi për njerëzit që të tregojnë statusin e tyre shoqëror, stilin e tyre deri edhe madhësinë e portofolit të tyre. Këpuca është mjeti kryesor që na bënë të mundur kontaktin tonë me token, na lidh dhe na ndan. Që prej mitologjisë greke Herkuli arriti të vriste Anteusin, birin e Tokës dhe të Poseidonit vetem pasi e shkëputi atë nga toka. Romani është sa psikologjik, po aq edhe historik, aktual dhe modern, plot me drama që personazhet kalojnë për të bërë të mundur ekzistencën e tyre. Që në fillim autori na tregon rëndësinë e teatrit dhe një pjesë e personazheve janë për ruajtjen e tij dhe jo për prishjen, edhe pse i vjetër. “Sa më shume teatro në një qytet, aq më shumë qytet. Atje ku s’ka teatër, s’ka qytet, s’ka dëshmitarë artistikë të jetës. Ata që s’na duan ne, aktorëve, s’dinë të duan e nuk kanë dashuar kurrë” – thuhet në libër.

Në retrospektivë, këpucët e vendosura në oxhak si ornament, paraqesin një simbol civillzimi dhe statusi, edhe pse komik, rrugë në të cilën shoqëria jonë duhet të udhëtonte, megjithëse çalë-çalë, por drejt një endere te përbashkët, të qartë dhe të turbullit.

Moisiut, babai i protagonistit, shkon student në Normalen e Elbsanit, ku i humbet një këpucë, metaforë e një humbje në jetë, e një vjedhje në dëshirat.

Kjo reflektohet edhe në një monolog, për një ngjarje politike, ku shprehet se me grusht shteti ne pushtet kishte ardhur Fan Noli: “Ishte burrë i ditur, thoshin, i binte dhe gërnetës, kjo është e keqja e tij. Pse është cigan ? Po Lejlaja është revolucionare?…” Pra, mpleksen ndjesitë dhe bëmat. “Edhe ky Noli na paska qenë aktor. Menjëhere u bëra me të. Ku do ta gjeja? Ç’e do, lërë, se është bolshebik me Leninin… Aktor është edhe ai?”

Moisiu takon At’ Gjergj Fishten, që kthehet në një burim frymezimi për të rinjtë.

Dhe nis Lufta e Dytë Botërore, me përçarjes së familjes në roman nënkuptojmë përçarjen e vendit. Një befasi tjetër tronditëse, një duel midis Moisiut dhe një partizani, Në fakt shtresa e edukuar e vendit kërkonte bashkim dhe jo vëllavrasje, por komunistet kërkonin përçarje dhe vëllavrasje, sepse ishin ishin të shitur në krye tek jugosllavët, që I drejtonin. Moisiu përfundon i vrare në një duel, në të cilin nuk donte të vriste partizanin, e shikonte si vëlla, biles i jep edhe fishekë, kur atij I mbaruan të tijët, pra vritet me fishekët e vet. Më pas manipulohet dhe historia, nga komunistet dhe e trajtojnë si tradhtar dhe kjo fatkeqësi ndjek gjithë jetën të birin, Hektorin.

Në roman është dhe një dialog me Mit’hat Frashërin, ku ai akuzon komunistet për tradhtinë e Marrëveshjes së Mukjes. Komunistet nuk ishin te interesuar per bashkepunim, ata ishin të interesuar për marrjen e pushtetiti nën të ashtuquajturin internacionalizmin proletar .

Dhe nisin gjyqet, dënojnë njerëz me gjyqe fiktive. Autori thotë se dukej sikur gjyqtaret ishin aktorë, ndërkohë që njerëzit e pafajshëm dënoheshin vërtet, vrasjet nuk ishin tetatër.

Gazetarja e shquar, ndërkohë dhe fiilozofe, Hannah Arendt, thoshte: “Totalitarizmi në pushtet zëvendëson të gjithë talentet e klasit të parë, pavarësisht nga simpatitë e tyre, me ata të krisur dhe budallenj, mungesa e inteligjencës dhe kreativitetit të të cilëve është ende garancia më e mirë e besnikërisë së tyre.”

Këtë e shikojmë te gjyqtari, që percaktohet në roman si “Nofulla”, pasi ai vetem përsëriste qorrazi porositë e eprorëve dhe injoronte faktet. Pikerisht ky person bëhet ministër në demokraci dhe del kundër demostruesve të teatrit. Ashtu siç Hannah Arendt thoshte: “Revolucionari më radikal do të bëhet konservator një ditë pas revolucionit.” Kështu ndodh dhe në romam me personazhet si Çaçoja apo “Nofulla” dhe Jorgji Gërshera, emra qesharakë, por barbarë. Këta personazhe pas permbysjes se komunizmit shnderrohen në demokratë të flakte dhe marrin poste të rëndësihme. Jorgji Gërshëra, ka kete mbiemer, jo se ishte rrobaqepës, por qethte flokët e atyre që I mbanin të gjata, bëhet i madh në parlament e pritet për president .

Një nga situatat më kulminante është moment, kur Hektori përgëzohet nga diktatori në skene, të dy aktorë dhe kur po festonte ditelindjen e vajzes, e thërrasin në polici. Atje e detyrojnë të shkruaje, madje në një birucë, një dramë të realizmit socialist për një fatkeq që tenton të arratiset dhe që e kapin forcat e Sigurimit. Propagande e frikshme dhe dhunuese. Ndërkohë Hektori përgjohet nga Çaçoja, një anëtar partie, injorant dhe i pamoralshem. Në këtë situatë kafkiane Hektori ndihet i pafuqishëm për të kuptuar ose kontrolluar atë që po ndodh, një situatë përtej absurdit tragjik dhe shumë depresive. Gjendja e brendshme, per shkak të përmasave të vuajtjeve dhe kulmit të ngjarjeve të tmerrshme në të njëjtën kohë, është vërtet kafkiane. Hektori mendon se nuk ka asnjë “kuptim” për t’i dhënë kuptim jetës se tij dhe pikerisht tani ai vendos të jetojë i ndarë nga familja e tij. Kështu mendon se i ndihmon nga ashpërsimi galopant i luftës se klasave. Ai nuk harronte që në dasmën e tij kishte goditur me këpucë në shenjë revolte dhe dehjeje parrullat revolucionare, që interferonin me privatesinë e dasmes. Dashuria e nënës duhej të zëvendësohej me dashurinë e nënës parti. Nuk kishte më familje, por një familje të madhe socialiste, pa mirëkuptim. Situata të tilla krijohen gjithandej, lexuesi ndien emocione të forta, transformimet të bëjnë të krahasosh gjendjen e Hektorit me atë të Gregor Samsa-s tek “Metamorfoza” e Kafkës.

Dhe na nëpërmendet nodhia, kur në 14 dhjetor 2008, gazetari irakian Muntadhar al-Zaidi hodhi të dyja këpucët e tij drejt presidentit të SHBA-së George W Bush gjatë një konferencë shtypi në Bagdad.

Ky lloj sulmi me këpucë është përdorur shpesh, duke përfshirë goditjen e këpucës të Nikita Hrushovit në OKB në vitin 1960, etj, që në roman janë skicur me një lloj humori të zi.

Autori thotë në m;enyrë niçeane: “Çfarë dramash, çfarë ankthesh, por kemi artin që të mos vdesim nga e vërteta.”

Me interes na shfaqen këpucët e një lypësi në dyert e një katedraleje. Këpucet e tij dukeshin të Çaplinta si të pikturuara Van Goghshëm, që fytyrën e tij e shprehnin më shumë se sa vetë ajo e një maske.

Më tej zbulojmë në roman se këpuca ështe si miqësia, ose të rri mire, ta mban këmbën ngrohtë ose të shtërngon e të vret. Një tjetër arsyeton se vetura sot nuk është me luks, por si këpucët. Shoqëria ka evoluar kur kujtojmë revolucionin, vënien e dy këmbëve në një këpucë në kohën e diktatures.

Këpuca, një nga format më të vjetra të teknologjisë njerëzore, është prototipi për të gjitha teknologjitë e tjera, një term i gjithanshëm për instrumentet dhe procedurat që na lejojnë.

Me këpucën ashtu si me një Van Gogh, autori na nxjerr dhe një kuptim të vetë artit, po dhe lidhjen tonë me token, me ngjarjet mbi tokë duke kaluar dhe në mjedise të panatyrshme ose jo mikpritëse. Automjetet si makinat, varkat, anijet, edhe raketat, etj, janë si këpucë të mëdha. Veshjet hapësinore, kostumet hazmat dhe vaksinat janë si këpucët me të gjithë trupin. Mediat e gjuhës dhe të artit mund të mendohen gjithashtu si teknologji në këtë kuptim; si këpucët, ato gjithashtu na ndajnë nga përvoja e drejtpërdrejtë për të na ofruar një realitet të ri, ‘të ngritur’.

Ekzistenca zbathur – na ballafaqon me faktin e çuditshëm se këpucët nuk janë thjesht një teknologji që mund ta adoptojmë ose ta refuzojmë sipas dëshirës, por një objekt artificial që trupi ynë ka evoluar për t’i përdorur.

Në këtë këndveshtrim mund ta shikojme edhe ne lidhjen tonë me artin. Na sugjeron romani. Teatri është si një këpucë gjigande që na bën të mundur të shpjegojmë më mirë realitetin dhe veten me këpucë të tjera, të projektojmë të ardhmen, por me kepucë të reja. Këpuca është metaforë. Prandaj dhe ideja e të riut student në Milano, Atjonit, është sa moderne edhe e drejtperdrejtë, futuriste dhe sfiduese. Ashtu siç perifrazon Hektori fjalët e Nënë Terezës: Jeta është lojë – luaje.

Në fund Hektorin e zuri teatri nën vete gjatë shëmbjes, plagoset keq dhe ende më në fund digjet enigmatikisht në zjarrin që merr apartmaneti i tij. Apo I vun:e flakën? Ç’do gjë ndodh.

“Njelloj më duken të dyja” – thotë autori me gojën e protagonistit. Në Shqipëri çështjet e mëdha e jetike harrohen, ndersa ato të vogla zgjasin pa mbarim. Jemi një vend që diskuton vit për vit se kur është data e çlirimit, në 28 nëntor apo në 29? Hektori përgjigjet: “Jemi një vend që nuk jemi çliruar akoma…”

Irisi, vajza e Hektorit, mbase personazhja më mbresëlënëse, thotë në epilogun e tretë se “Babi kishte sindromin e këpucës së vjedhur. Ecjes se penguar. Ajo këpucë është teatri. Ah, babi sikur u bë këpucë edhe vetë. E futa në valixhe atë këpucën e djegur përgjysmë.” Sa pikëlluese dhe fatale, aq mbeti nga një jetë…Bashkëjetesa e Irisit me Marinit, djalit nga Prizreni, aktor dhe ai, shikohet si një simbol I bukur dhe i ngrohtë i bashkimit të Shqipërisë natyrale dhe fëmija që do të lindë prej tyre, do të jetë Shqipëria e vërtetë, që nuk do të eci në mënyrë të çalë, por do të ndihet normale me këpucët e saj të deshirave dhe ëndrrave të reja. Romani është bashkim kohërash dhe idesh dhe bashkim zërash dhe fatesh, plot me dritë-hije, dyshime njerzëzore dhe dashuri deri në shenjtëri, me copëzime, herë të errëta dhe herë vezulluese, që bashkohen mrekullisht në një tërësi, që krijojnë botë. Bota në një këpucë, këpuca në një botë…

Filed Under: LETERSI Tagged With: artan nati, Visar Zhiti

KUR DËNOHESHIN BASHKË, KËSHTJELLA DHE SHKRIMTARI

January 17, 2023 by s p

Në nderim të Dom Ndoc Nikajt në ditën e shuarjes.

Nga Visar Zhiti

Kur Kështjellën e Shkodrës, mbas Luftës II Botërore fitimtarët e kishin shndërruar në burg, në njërën nga qelitë e saj mbanin të mbyllur një Shkrimtar plak.
Të dy të dënuar, edhe kështjella, edhe Shkrimtari. Kështjella e Rozafatit, me legjendën më të bukur në botë për nënën, me muret e lavdishme të historisë së lashtë Kombit, e luftrave për liri dhe e qendresës skënderbejane, në vend që ta linin siç ishte, vend pelegrinazhi, tempull dhe muze, e shndërruan në burg të ri.
Të këqinjtë janë dhe banalë, do të thoshim, nëse do të perifrazonin Hanna Arendt. Por dhe kriminelë…
Në njërin nga bodrumet e Këshjellës mbanin të mbyllur dhe të lidhur me pranga Shkrimtarin plak, Dom Ndoc Nikaj. E arrestuan shumë shpejt, në 1946, në 9 shtator, në moshën 82-vjeçare, me akuzën se donte të përmbyste me dhunë pushtetin e ri, të porsavendosur të komunistëve.
Po ai ishte dhe prift katolik, që në doktrin:e janë kundër dhunës…

ATI I ROMANIT SHQIPTAR
NË DY PERANDORI

Dom Ndoc Nikaj është quajtur dhe babai i romanit shqip, pra, romancieri ynë i parë. E nisi të shkruarit në robëri, kur vendi ishte nën perandorinë otomane dhe gjuha shqipe e ndaluar, ndërsa rrahjet e zemrës, të fundit, do t’i ndalte në burg, (në 16 janar 1951), kur atdheu i tij, i çliruar, bënte pjesë në perandorinë komuniste.

Fat i keq e i pabesueshëm i shkrimtarit në dy perandori, por dhe i Kështjellës së lashtë, por i vendin nga njerëzit e rinj. S’është punë fati, siç u pëlqen dhe të thuhet, jo. Ishin sundimtarët mizorë dhe ushtria e tyre, të marrosur pas idealit komunist, intelektualët e tyre, shkrimtarët dhe poetët e rinj të regjimit,

* * *
Ndoc Nikaj lindi në Shkodër më 15 qershor 1865. Sipas dokumentit të pagëzimit datëlindja e tij është 9 marsi 1864. Këmbëngulje për të qënë i lindur dy herë, si një domosdoshmëri për vendin, më pëlqen të them… E ëma e tij, Age Gjon Luli, vinte nga fis i njohur, kurse babai, Gjoka, ishte luftëtar fillimisht. Madje kishte qenë dhe në betejën ruso-turke në Sebastopol në vitin 1877 dhe me disa shokë të tij ishte renditur nga ana e turqve krahas me ushtarë francezë. Por mjeshtëria e tij ishte ngjyrosja e shajakëve dhe e penjëve e ndoshta prej kësaj djali Ndoc trashëgoi dëshirën për ta parë më me ngjyra jetën, për t’ia dhënë atje ku mungonte, për të parë penjët, si zgjateshin, si lidheshin, por dhe si mund të kokolepseshin, si shtigjet e jetës. Ndoci i vogël mësimet fillestare i mori tek françeskanët, kurse 13 vjeçar kaloi tek jezuitët në Kolegjin Papnor në Shkodër. Meshtar u bë në vitin 1888. Pas shugurimit si ndihmes-famullitar shërbeu në Shkodër dhe pas dy vjetësh në famullitë në Dajç, Bregu i Bunës, Pemtar, Sheldie dhe Shkrel. Ndërkaq krijohet “Lidhja e mshehtë” që i vuri si detyrë vetes të përhapte idetë kombëtare, atë shkëndijëz për pavarsinë e Shqipërisë dhe të bënte përgatitjet për kryengritjet e ardhshme. Dom Ndoc Nikaj ishte anëtar i kësaj Lidhjeje, bashkë-punëtor i çetave kundër pushtuesit turk. Por ai e kuptoi se duheshin jo vetëm armët, por dhe libra, ata më shumë, e jo vetëm fetare, por të dijes në tërësi, historikë, letrarë, shkencorë dhe vendosi që të merrej me to, me brengën dhe guximin duke mos harruar që vetëm gjuha shqipe ishte e ndaluar në të gjithë popujt e perandorisë osmane. Libri, sipas tij, na jep dritë, do të ngjallë dëshirën të shohësh më mirë e më shumë, të lexosh në gjuhën e moçme shqipe. Dhe bashkëpunon me një koleg tjetër të Jugut, Faik Konicën…Ishte 24 vjeç kur ndjeu më me forcë shkrimtarin brenda vetes. Në 1898 boton librin e parë, “Vakinat e Kishës”, u shtyp në Romë, në të famshmen “Propagaganda Fide”.
ROMANI I PARË SHQIP 1899 – teksa shekulli XIX po mbaronte, shkrimtari Dom Ndoc Nikaj mbaron romanin e tij të parë, Marcja”. Në këtë ishte dhe një nga themeluesit e shoqërisë “Bashkimi”, por u veçua që të shkruante. Çfarë e thirri, ç’e magjepsi? Ç’ëgjëll a shenjt? Romani “Marcja” shenjon dhe romanin e parë në prozën shqipe. Lajmi dhe vepra bashkë u përhapën nëpër familjet e Shkodrës, nga rruga në rrugë, kumbonte kalldrëmve, trokiste portave. E ç’ka kallxon ky libër? Ç’është ky roman?…Një epikë mistike, do të thosha tani me guhën e mësuesit, sepse kam qenë dhe mësues fshati. Në roman mahnitshëm gëshetohen fantastikja e baladave ballkanike dhe tonave me dramën historike, por dhe kapëcimet nga bota reale në atë hyjnore, po janë dhe varrosjet për së gjalli, ka personazhe biblike, Abrahami, Sara, Davidi, por citohet dhe Papa shqiptar, Klementi XI e heronjtë historikë, Neroni, etj. Një gjuhë e gjallë, duke mos i shmangur dhe turqizmat e përditshme. Marcja shndërrohet në emblemë të sakrificës, e praruar me himnet e shpirtit të Domit. Lexohet me endje edhe sot, gjendet në raftet e ndonjë biblioteke të vjetër shkodrane.
Në vitin e dytë të shekullit të ri, të XX-it, boton në Bruksel librin, mbase më të rëndësishmin, “Historija e Shqypnis”, 414 faqe, ku përshkruhen me pathos në mënyrë barletiane luftimet e shqiptarëve kundër otomanëve, me prijës Gjergj Kastrioti-Skënderbeun dhe rënien e Shkodres në vitin 1478. Po këtë vit boton në Londër “Historia e Turkis”, përkthim nga italishtja, për të cilin u përndoq nga qeverija turke, vetëm pse guxoi ta shkruante në shqip atë histori…Në kohën kur nëpër Ballkan, por dhe në Europë shpërndaheshin armë, pushkë të modeleve më të reja, bomba, topa, tregtoheshin, hapur, fshehurazi, mpreheshin bajonetat, Dom Ndoc Nikaj solli në Shkodër në 1909 një shtypshkronjë për radhonj dhe libra në gjuhën amtare. Si i mbartën, me karroca, karvanë kuajsh? Si i kaluan kufijtë? Me ëndërr dhe shpirt…
Më 1 janar 1910 nxjerr gazetën e përjavshme Koha, ndër të parat politike në Shqipëri. Ia ndryshoi emrin në numrin e dytë, Bashkimi, kumt më i rëndësishëm ky, e donte koha. Në katër faqet e saj dilnin artikuj shqip për çështjet shoqërore, kulturën, letërsinë dhe ekonominë dhe vazhdoi deri afër vitit 1912.

PAVARËSIA E ËNDËRRUAR.

U shpall. Pas gati 5 shekujsh… U desh durim i rëndë, qëndresë, kryengritje që mbyteshin me gjak, u desh të vinte Rilindja me poezinë profetike naimjane, përpjekje pafund, diplomaci dhe me kodet e Kanunit të Lek Dukagjinit, por dhe me aleatë popujsh të tjere të kulturuar…
1913 – një vit më vonë Ndoc Nikaj i dhuron atdheut romanin “Shkodra e rrethueme” në formë ditari, që në historinë e mëpastajme të letërsisë shqipe do të trajtohej si romani i parë shqiptar dhe jo ai i mëparshmi, i një shekulli më përtej. Pse? Nga që ai i mëparshmi kishte përmbajtje fetare dhe ky tani patriotike? Ngaqë do të vendoste pushteti i ri me studiuesit e saj. Ata do të përzgjidhnin temën që do të duhej si e parë? Po autorin pse e harronin vazhdimisht, apo nga që e burgosën me të parët?…
Në pranverën e vitit 1913 Ndoc Nikaj nxori dhe një gazetë tjetër, Besa Shqyptare, dy deri katër herë në javë. Aty botohej edhe ndonjë artikull gjermanisht e italisht. Nga 29 korriku 1915 po kjo gazetë mori emrin Zani i Shkodrës. “Firma Nikaj” krahas librave të pronarit, gazetave, po nxirrte libra këndimi në gjuhën shqipe dhe revistën periodike “Hylli i Dritës” dhe dhjetra vepra të tjera. Shtypshkronja nuk nxirrte fitime të mëdha fare, përkundrazi, por biznesmeni Nikaj merrej dhe me veprimtari të tjera të leverdishme si ato të tregtisë së lëndës drusore, por dhe… të armëve. Ka rrethana që kërkohet të bësh më pak priftin dhe më shumë luftëtarin… me armë? Po, po… A e dinte Domi ç’bëhej? Dom Ndoc Nikaj punonte me zell për ta njohur Europa çështjen e lirisë të tokave shqiptare. Dhe mbante lidhje të rregullta me të gjitha shoqëritë shqiptare të krijuara nëpër qendra të Europës.
Lufta e Parë Botërore: Në këtë kohë Ndoc Nikaj shkruante dhe botonte libra shkollorë, libra fetarë për kishat, letërsi dhe shtoi bashkëpunimin dhe me revistën “Albania” të Faik Konicës. Në vitin 1921 u arrestua, s’dihej pse, enigmë dhe e mbyllën dyzetegjashtë ditë në burg në Tiranë. Dhe e liruan menjëherë. Pas 1924 nuk po shkruante më dhe nuk po merrej me veprimtari politike.

Lufta e Dytë Botërore:
Heshtje, shumë heshtje në jetën e tij deri në mbarim të Luftës dhe nis paqja dhe pushkatimet dhe burgjet, tani jo nga i huaji pushtues, por nga yti fitimtar, i pushtuar nga djalli i kuq. Klerit katolik në Shqipërinë e Veriut po përndiqej ashpër, gjë që do të shkonte keq e mos më keq. 1946 – Dom Ndoc Nikaj, 82 vjeç, patriark tashmë i prozës shqipe… e arrestojnë ata të Sigurimit të ri të shtetit. Akuza: ka dashur përmbysjen e qeverisë me dhunë… E mbyllin në kështjellën-burg të Shkodrës së tij. Të dënuar bashkë, Kështjella dhe Shkrimtari.
Guxuan dhe e dënuan Plakun-perëndi! Vunë prangat mbi ato duar apostulli që duhej t’i puthnin. Ato duar që shkruajtën shqip kur nuk lejohej, mbi 400 shkrime, 30 vepra, shtatë romane ende të pabotuara, pararendësi i Mihal Gramenos, Foqion Postolit, Mit’hat Frashërit, Ernest Koliqit, Mitrush Kutelit… “Balzaku ynë” e kanë quajtur. Mos donin të dënonin ashtu me të së paku dhe ata 500 vjet mundime të klerit katolik shqiptar? Po me kështjellën-burg mos po shprishnin lashtësinë arbërore dhe ilirike? Urdhërat e kujt djalli tjetër po zbatonin? Ai, Domi, i bardhë në qeli, fliste në heshtje me qiellin, që mundohej të fuste kryet në gropën e bodrumit të lagësht, në frëngjitë e qelisë. Këmbët e zbathura preknin tokën, donte kumtet e fshehta të saj, e kishte menduar varrin, gjithnjë e më shpesh po e dëshironte, por ky dënim nga bijtë e tij… në kështjellën ku ishte dhe një kishë, e bërë xhami… dhe tani burg… Përse? Ku është populli?… Dhe ai, dhe populli, edhe Kështjella ishin mësuar me durimin… Duroi dhe 1 vit, 2, 3… 5 vjet… duhej ikur… të qetësohej… në jetën tjetër… Shekulli kaloi mesin e vet ndërsa ai kaloi në botën e amëshimit. Një ditë para 17 janarit, kur mbylli sytë Skënderbeu. Ai vdiste në çdo 17 janar… Duhet vdekur para tij… 16 janar 1951… Një vit më pas fillojnë grindje të tjera dhe prapaskena të shkrimtarëve të Realizmit Socialist, pengonin dhe shpifnin për njëri tjetrin se cili roman do të mund të botohej e cili jo, i këtij apo i atij, e cili kishte qenë partizan nga ata, se do të shenjohej romani i parë i tyre. Me ta gjithçka duhet të fillonte nga e para.

ZEMËRIM ME TË DREJTË:
Po ku janë rrugët dhe sheshet me statujat e Ndoc Nikajt? Qelia ku e mbyllën përse nuk është muzé e shtëpia ku shkruante, vend pelegrinazhi? Ç’është ky harrim? Dhe zyrtar. Kjo mosqasje në ikonën e tij supreme? Ngaqë një atdhe ka dënuar atin e romanit të vet? Kompleksi edipian i atvrasjes, më mirë të shmanget tani mëkati i kryer? Po ky s’është ekzorcizëm, çlirim i brendshëm nga djalli. Është harrim kriminal, frika se ai mund të rikthehet ndryshe… dhe Realizmi Socialist i ka sheshuar gjerat, ka vendosur dhe hierarkinë dhe vazhdojnë dhe tani shkrimtarët e saj, të rrezikuar nga bashkëpunimi i tyre me të keqen, poetët që i kënduan djallit dhe përbuzën Krishtin, kritikët, nga që s’u bënë dot as shkrimtarë e as poetë, teorizojnë, terrorizojnë në fakt, aq sa mundin, tani që s’mundin, ndajnë gradat e tyre të mbetura e titujt, i madh, postmodern, që ka prirë… apo që ka brirë(?)… vendosin se cilët do të harrohen, se në burg kanë qenë dhe kush do të kujtohen, se kanë merita, sidomos jashtë letrare, madje dhe në mbushjen e burgjeve…
A nuk po e rrënojnë sërish kështjellën e hershme të letërsisë shqipe, ja, ashtu si jeniçerët që sulmonin me topuzë në dorë, me zjarr dhe squfur dhe me shkallë u ngjiteshin bedenave? Dhe ata ashtu me urdhër sulmuan dhe i zunë vendet dhe tani kanë qen të mëdhenj roje që të kafoshjnë po t’u qasesh? Për fat letërsia nuk është fushë-beteje e tillë…
Po kush nga ata foli sot për Atin e romanit tonë? Apo ka qenë në burg nga Partia? “S’është i yni!”.
Ata Ndoc Nikajn e lanë dhe pa varr, po edhe romanet e tij ashtu janë, pa varr, pra nuk vdesin, se janë në zanafillë letërsi shqipe. Do rrojnë bashkë me gjuhën dhe me atdheun e tyre. Amen!

Filed Under: LETERSI Tagged With: dom ndoc nikaj, Visar Zhiti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • …
  • 41
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT