-Kuvendi i Republikës së Kosovës zotohet që brenda 6 muajve do ta miratojë Ligjin për mbrojtjen e vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe luftës së saj për çlirim/
-“Debat parlamentar për vlerat e UÇK-së në raport me situatën e krijuar”, ishte pika e vetme e axhendës së Kuvendit të Kosovës në seancën e jashtëzakonshme të zhvilluar dje, të ftuar me urgjencë, me kërkesën e mbi 40 deputetëve, pas vërtetimit nga Gjykata e Apelit të Aktgjykimit të Gjykatës Themelore të Mitrovicës në rastin e njohur si “Drenica 2”, për 10 të akuzuarit që ishin komandantë e pjesëtarë të tjerë të luftës çlirimtare të popullit të Kosovës/
PRISHTINË, 28 Tetor 2016-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Kuvendi i Kosovës në një rezolutë që miratoi sot paralajmëron se brenda gjashtë muajve do nxjerr Ligjin për mbrojtjen e vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe luftës së saj për liri dhe pavarësi.
“Debat parlamentar për vlerat e UÇK-së në raport me situatën e krijuar”, ishte pika e vetme e axhendës së Kuvendit të Kosovës në seancën e jashtëzakonshme të zhvilluar dje, të ftuar me urgjencë, me kërkesën e mbi 40 deputetëve, pas vërtetimit nga Gjykata e Apelit të Aktgjykimit të Gjykatës Themelore të Mitrovicës në rastin e njohur si “Drenica 2”, për 10 të akuzuarit që ishin komandantë e pjesëtarë të tjerë të luftës çlirimtare të popullit të Kosovës.Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës është zhvilluar me shumë debate dhe replika pozitë-opozitë, me akuza e kundërakuza të shprehura edhe me fjalë të ashpëra dhe deri afër përplasjes fizike në një moment.Duke përmbyllur seancën mbrëmë kryeparlamentari Kadri Veseli paralajmëroi një seancë të veçantë plenare në muajin nëntor për të trajtuar çështjen e shprehjeve parlamentare që mund dhe nuk mund të përdoren në Kuvendin e Kosovës.Pas votimit të rezolutës, sot Kuvendi i Kosovës zhvillon edhe një seancë tjetër, të rregullt, ku një nga 17 pikat e axhendës është Propozim-Deklarata e Kuvendit të Republikës së Kosovës adresuar Unionit Europian për liberalizimin e vizave, e cila ndërlidhet me demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe edhe pas takimeve të zhvilluara nuk është harmonizuar plotësisht nga subjektet politike parlamentare të pozitës dhe opozitës.