• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NGA DITARI I NJË ATASHEU USHTARAK

May 3, 2013 by dgreca

REFLEKSIONE PËR LIBRIN E HAJRO LIMA* “MIDIS ANKARASË DHE TIRANËS: 1990 – 2000; NGA DITARI I NJË ATASHEU USHTARAK”.

Nga Albert R. HABAZAJ*/

Përgëzimin tim për autorin do ta kumtoj me tre paragrafë: Së pari, autori i këtij libri monografik me kujtime, me shënime udhëtimi, mbresa e refleksione është me fat, sepse është mbështetur në dy këmbët e fuqishme, që mbajnë urën e suksesit: të qenit publicist i njohur dhe të qenit diplomat ushtarak. Ai e ka ndërtuar fatin, i ka shërbyer, i shërben me përkushtim ideal e sedër integruese, profesionalisht konkurente me pena dhe emra elitarë.

Në mbi 230 faqe libër unë kam njohur një gazetar, që shkruan estetikisht bukur dhe vërtetësisht qartë për çështje politiko – shoqërore, ushtarake e kombëtare, konkluzion i atyre bulëza mendimesh e tezash të kohës, hedhur në shtypin e ditës, si në “Koha jonë”, “Ballkan”, “Panorama”, “Shekulli”, “Labëria, “Hora”, etj., si një analist e komentator i saktë dhe i guximshëm, sidomos për çështjet e politikës kombëtare në strategjinë e mbrojtjes së vendit, pozicionimin dhe ruajtjen e ekuilibrave me partnerët dhe në rajon. Ky botim i veçantë, si libër nga tema bosht e strategjisë kombëtare të mbrojtjes bën një prerje për trajtim të ngushtë e në imtësi të marrëdhënieve të reja midis Shqipërisë dhe Turqisë gjatë 10 vjeçarit të parë, ku u lidhën si bashkëpunim i ndërsjelltë ndihme e bashkëveprimi, sidomos për ne që kishim aq shumë nevojë për një përkrahje të fortë, se u katandisëm si trasta në degë. Janë pikërisht vitet 1990- 2000 në fokusin e një atasheu ushtarak, të cilin e vlerësoj, së pari, se është pikërisht ai, diplomati i parë ushtarak i vendit tonë, që punoi për krijimin, zhvillimin dhe konsolidimin e marrëdhënieve politiko – ushtarake me Republikën e Turqisë; e respektoj, së dyti, (kjo është personale mbase,por jo vetëm kaq) sepse ai është nga Vlora, nga Labëria e, mbi të gjitha, nga Vranishti, ku edhe unë kam 49 % pjesë (aq % i takon dhëndërrit, sipas ligjit metaforik të traditës) e rrjedhimisht kam nderim e vlerësim, që bën Hajro Limaj me mozaikun e kontributeve të tij për vendlindjen, për Mesaplikun, për Labërinë, për Vlorën e kombin. Në librin “Midis Ankarasë dhe Tiranës” përshkrimi i rolit shumë të rëndësishëm që luajti shteti turk për ringritjen e shtetit tonë të çoroditur e të tronditur keq, jepet me penën e mprehtë të publicistit, me mendjen e ftohtë të diplomatit dhe me shpirtin e pastër të shqiptarit zemërzjarrtë. Është koha kur shqiptarët përpëliteshin në “shpargërin e djepit”, në se më lejoni të përdor si metaforë këtë shprehje me burim nga Lumi i Vlorës.

Vitet e para të tranzicionit në Shqipëri, kapërcimi i krizës së rëndë politike në vendin tonë në vitet 1996 – ’97, çlirimi i Kosovës nga genocidi serb më 1999, u relizuan vërtet jo pa vështirësi, por me një finale të sukseshme. Nga ky libër marrim vesh shumë gjëra që s’i dinim, biles autori guxon shumë në të shkruarit e të vërtetave të rënda, saqë rrezikon edhe veten për hir të kombit. Libri na njeh edhe me logjistikën turke, autoritetin dhe prestigjin e saj në funksion të çështjes shqiptare si dhe rolin e moderatorit shqiptar Hajro Limaj, fuqinë  e besimit që kishte fjala e tij te fuqia e katërt në botë për nga potenciali ushtarak, që është Turqia moderne e Ataturkut dhe pasuesve të tij demokratë përparimtarë, Mjeshtëria, shkathtësia, takti, mendja e hollë e këtij nëpunësi të lartë të ngarkuar nga qeveria shqiptare për ta përfaqësuar atë në marrëdhëniet e diplomacisë ushtarake me Turqinë, vërehet edhe në këtë libër krenarisht e shumë bukur, por ajo që është  më kryesorja i dha efektet pozitive, parë në kontekst, që do të thotë se, si pjesë e së tërës elitare shqiptare në Ankara, edhe atasheu ushtarak, kolonel Hajro Limaj ka ndikuar fuqishëm pozitivisht, se i thonë  “gjuha hekur s’ka  e hekur bluan”. Ky kontribut konkret i diplomatit ushtarak shqiptar në Turqi është çertifikatë dinjiteti e kombit shqiptar në rajon e më gjerë.

Së dyti, përgëzimin tim për autorin e kam, sepse te ky libër shijoj rezonimin harmonik të memories emocionale me kujtesën  koherente të një diplomati të mprehtë e vizionar, të një autoriteti me arsye të fortë të një shteti të vogël e të brishtë në një shtet potencial në rajon e me emër në botë, siç është Turqia. Informacioni i bollshëm e ndoshta i panjohur mirë  para këtij botimi, është, ndërkohë, shumë i rëndësishëm dhe orientues për të njohur miqtë për “natë të zezë e ditë të keqe”, për t’i vlerësuar e respektuar ata, pa ulur vlerat tona morale dhe dinjitetin kombëtar. Akoma më vjen në vesh  e kumbon jehona ndërkombëtare që bëri 15 vjet më parë, e pikërisht më 29 mars 1997 para mediave dhe botës qytetare ish – kryeministrja e turqisë, TansuÇiler, me vendosmëri: “Turqia është e vendosur të ruajë integritetin territorial  të Shqipërisë dhe nuk mund të qëndrojë pasive ndaj ngjarjeve që kërcënojnë copëtimin e Shqipërisë. Përkeqësimi i situatës në Shqipëri është i palejueshëm dhe do të ishte turp për Europën, prandaj nga ana e saj Turqia është e gatshme të bëjë gjithshka për stabilizimin e gjendjes në Shqipëri”. Ndoshta kjo deklaratë dhe rideklaratë, sa patetike, aq e vërtetë, ndihet akoma dhe është aktuale. Po kështu e përforcon këtë qëndrim edhe pasuesi i Zonjës Çiler, kryeministri Exhevit, kur më 29 mars 1999 ia bë të qartë “gogolit” të Ballkanit, Slobodan Milosheviçit, se shteti  dhe forcat e armatosura të Turqisë janë në krah të popullit vëlla shqiptar dhe nuk do të lejojnë askënd të prekë kufijtë dhe tërësinë territoriale të Shqipërisë, se, në rast nevoje Turqia  do të mbrojë së bashku me Shqipërinë sovranitetin dhe pavarësinë e popullit mik dhe vëlla të Shqipërisë. Më qartë, më fuqishëm se kaq nuk bëhet për të kuptuar se Shqipëria ka shumë miq e dashamirës në rajon dhe në botë. Prapë më vjen ndërmend një fjalë e urtë e popullit që e këndon Lapardhaja e Feti Brahimit: “Ne mikut i themi hajde, po zot shtëpie s’e bëjmë”. Është thesar edhe shpirti i popullit tonë, krahas të tjerëve, kuptohet jo vetëm, se “vetëm të ha ujku”,  thotë prapë ky popull. Në tërë atë zhvillim progresist fillimtar e vijues pozitiv midis Tiranës dhe Ankarasë, midis Turqisë dhe Shqipërisë, patjetër e padiskutim ka merita atasheu ushtarak, Hajro Limaj. Të kuptohemi, nuk po i thur lëvdata kot z. Hajro, (sepse as ai s’i do, se nuk i hyjnë fare në punë, as unë s’e kam në natyrë të bëj lëvdata kot, nga që s’jam i atij profili…) por e vërteta është kjo: nuk bëhet fjalë për një shofer të ambasadës tonë atje, as për ndonjë roje, recepsionist, sekretar a shërbim ndihmës tonin në Ankara (pa i nënvleftësuar ata kurrë, se janë të respektuar në kulm për punën e tyre), por duhet të njohim dhe të respektojmë klasifikimin hierarkik dhe hierarkinë e koncepteve në hierarkinë e vlerave. E pra, ky autor që na dhuron këtë libër të zhanrit publicistik të diplomacisë ushtarake është Atasheu Ushtarak i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Turqisë, për vitet 1990 – 2000, Ministër Këshilltar, kolonel Hajro Mëno Limaj, me origjinë nga Vranishti i Vlorës, i cili, krahas dhjetëra vlerësimeve kombëtare e ndërkombëtare, vjen sot këtu në Vlorë, i malluar për Nënën, te Nëna e tij, te Nëna jonë. Sot Hajro M. Limaj vlerësohet nga Shoqata Kombëtare Kulturore Atdhetare “Labëria” me medaljen më të lartë që ajo jep: “Personalitet i Shquar i Labërisë”. Mbase s’ka atë peshë që kanë ato vlerësimet e mëdha kombëtare e ndërkombëtare, por ka një tjetër peshë specifike: e jep Nëna, me shpirt, me zemër, me dashuri, me merak, me dhembshuri, me mall, me diell. Është i shenjtë bekimi i Saj. E JEP NËNA.

Pena magjike e një publicisti serioz si z. Limaj përshkruan, nëpërmjet këtij botimi, që autori e quan ditar, ngjarje, personazhe, data, dukuri të një periudhe të ngjeshur, të ndezur, me nuanca të forta dramatike për fatin e mëtejshëm të Shqipërisë. Nga sa kam lexuar, studiuar, nënvizuar, shënuar e skeduar “Midis Ankarasë dhe Tiranës”, mendoj se edhe z. Hajro Limaj ka patur ndikim të fuqishëm për të bërë me vete dashamirësit potencialë turq, që nga presidenti Sulejman Demirel e kryeministrja Tansu Çiler etj., personalitete të larta pas të cilëve vijnë mbi 73 milionë banorë të Turqisë…

Së treti, me këtë diskutim të përgjithshëm, e përgëzoj z. Limaj edhe për një fakt tjetër, ndoshta është vetëm për mua, por mendoj që jo: Botën turke e kam njohur më tepër në planin emocional, me kulturën shirtërore, jo materiale e artistike të kultivuar. Kujtoj atë letërsi magjepse të Jashar Qemal me romanin “Memet Imcaku”, përkthyer nga Donika Omari. Kujtoj “Peizazhe njerëzore” të poetit të vërtetë Nazim Hikmet, zgjedhur e përkthyer nga Besnik Mustafaj. Kujtoj librin ”Poezi turke të shekullit XX”, përkthyer nga Fatos Arapi, Bardhyl Londo e Zana Lito. Kujtoj “Antologji e Poezisë Ballkanike” dhe “Antalogji me Poezi nga Europa Juglindore”, botuar nga Petraq Risto, zgjedhur e përkthyer nga Anton Papleka, ku krahas 10 poetëve të çdo vendi e shteti të këtij rajoni si Bosnjë – Hercegovina, Bullgaria, Greqia, Hungaria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Moldavia, Qipro, Rumania, Serbia, Sllovenia e Shqipëria, përfshihen edhe 10 poetë turq; Nazim Hikmet, Necip Fazil Kisakurek, Orkan Veli Kanik, Fazil Husnu Daglarca, Cahid Kulebi, Fahri Erdinc, Nedjati Djumali, Edip Cansever, Ozdemir Ince dhe Ataol Behramoglu. Ky libër i Hajro Limajt i plotëson dhe i pasuron më shumë njohuritë e mia për Turqinë e sotme nga një këndvështrim tjetër vertikal dhe i dobishëm. Edhe Dritëroi ka një poezi shumë të bukur, një lirikë të kulluar e shpërthyese për turkeshën. Ajo është ndjesore, emocionale, si ëngjëll malli dhe kaq, se, pastaj devolliu jetën e ka lidhur me shqiptarkën e paepur në histori e dashuri dhe më tej “Ka Çeçua biçak!…”

Ky libër i ri i Hajro Limos më kujton një proverb të bukur: “Shikoje tjetrin siç të vjen, jo siç ikën”, edhe pse mund të ketë interpretime të ndryshme. Ky libër shteron, si të thuash edhe një burim të turbulluar të legjendave  të reja konceptualisht rurale. Besoj se të gjithë ata që e kanë lexuar ose që kanë interes ta lexojnë librin, do të gjejnë informacionin e shkëputur nga filli i marrëdhënieve të shumanshme, komplekse e mbi 5 shekullore, me dritëhijet e tyre mes dy popujve dhe vendeve tona. Edhe pse në mendësitë parake që akoma ne bartim, barrierat kulturore ende nuk janë zhdukur, gjë që pengon transmentimin e vlerave kulturore nga Shqipëria në Turqi dhe nga Turqia në Shqipëri (krahas të tjerëve në rajon), ky libër i publicistit diplomat ushtarak është një dëshmi e gjallë, një shembull konkret, se bashkëpunimi kulturor, kur ngjitet në një stad të tillë, sjell afrimin kulturor mes popujve, dhe më shumë se kaq, sjell një njohje të thellë e të qëndrueshme, që bëhet mbështetje dhe bazë e fortë për marrëdhëniet e tjera diplomatike, ekonomike, ushtarake dhe politike. Ndërkohë, ky libër i shkruar nga një studiues erudit, nga një autor me dinjitet dhe me integritet, më duket se na jep një mesazh, ku unë lexoj nëntekstin: Të dashur shqiptarë të mi të mirë! Është e dobishme për ne të përmirësohemi duke përparuar. Jo më digjepiq. Iku periudha, kur malësorët ishin në digjepiq (që përkonte me kohën që nga fillimi deri në fund të dhjetorit), kur zakonisht banorëte malësive nuk merreshin me punë bujqësore. Dhe së fundi, meqenëse jemi në këtë Forum të Hapur, në trajtën e një ceremonie solemne, falënderimi, mirënjohje dhe dekorimi, dua ta mbyll diskutimin tim duke marrë me vete imazhin real për Hajro Limon, si një nga bijtë më të spikatur të Vranishtit, në fushën e historigrafisë lokale, krahas penave të Ferjat Shkurtit, Mikado Shakohoxhës, Duro Mustafajt, Muhamet Tartarit, Agron Metës, Bardhosh Micit, Avni Varfit, Arben Saliut e Pano Hallkos, Selami Janushit, tw cilwt dritwrojnw nw yjwsinw vranishtjote, ku shkwlqejnw akademiku Teki Tartari, prof. dr. Bilal Shkurtaj e Pajtim Ribaj etj. Kontributi i H. Limajt, i spikatur edhe në vlerat kombëtare, ravijëzohet qartë në drejtim të bashkëpunimit e miqësisë me Turqinë, gjë që u mishërua me ndihmën që ky shtet i madh e mik dha për çështjen  kombëtare shqiptare, sidomos në ngjarjet e ’97 – dhe për Çështjen e Madhe të Kosovës.

____________________

*) Diskutim i mbajtur në Forumin e Hapur: “Marrëdhëniet politike, diplomatike, të sigurisë dhe të mbrojtjes misis Shqipërisë dhe Turqisë mbas viteve 1990”, organizuar në universitetin “Pavarësia”, Vlorë, në sallën “Aula Magna”; e enjte, 25. 04. 2013.

**) Drejtor i Bibliotekës Qendrore “Nermin Vlora Falaschi”, Universiteti” Ismail Qemali”,    Vlorë

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Albert Habazaj, Ditari i atasheut ushtarak, Hajro Lima, Vlore

ISH-PREFEKTURA E VLORËS –GODINA E VITIT 1919 ME VLERAT TË SPIKATURA ARKITEKTONIKE

February 11, 2013 by dgreca

Nga GËZIM LLOJDIA/
Godina e ish-prefekturës Vlorës ka një moshë 93 vjeçare. Sipas specialistëve  kjo godinë dallohet për vlerat të spikatura arkitektonike e ndërtimore. Përkarshi xhamisë “Muradie”,në të djathtë kur shkon drejt të Sheshit historik të Flamurit  të bie shpejt në sy kjo godinë karakteristike me arkitekturë të veçantë nga ndërtimet e viteve të fundit. E parestauruar nën peshën e  mbi 90 viteve jetë,godina thuajse kishte shkuar në limitin e fundit të ekzistencës së saj.Thuhet se Ugolini ne Vlore nuk dalloi ndonjë monument ne sipërfaqe përveç xhamisë se Muradies.Godina e ish-prefekturës së Vlorës është shpallur Monument Kulture i Kategorisë se Parë me vendim Nr. 654, datë, 09.11.2006.Në këtë listë u shpallën monumente kulture një sërë objektesh historike që ruante qyteti i Vlorës si : Ish-prefektura, ndërtesë e vitit 1919,banesë qytetare në lagjen “Hajro Cakërri” e shekullit XIX, ndërtuar me materiale të traditës gurë dhe dru. Shkolla “28 Nëntori” në vitet 1851-1908 ka shërbyer si mejtep. Në vitin 1908 u çel për herë të parë shkolla shqipe, sot vijon të shërbejë si shkollë 9-vjeçare. Ish-selia e Qeverisë Provizore të Vlorës në 1912, ndërtesë në lagjen “Hajro Cakërri”.Banka BKT,Muzeu historik,ish-galeria e Arteve në qyte,bashkia,sahati,kisha katolike,banesa të tjera të hershme karakteristike.Godina është një ndërtesë që i përket viteve 1919 me dy kate lartësi.
Në Vlorë foli prefekti – Labe (Dukat, Vlorë)
Në Vlorë foli prefekti O Vloro, Kanino (pas çdo vargu) Osman Haxhi Muhameti Të më mblidhenë mileti Se vjen Qemali nga deti
Pas largimit te Ibrahim Avdullahut si Kryekatundar u vendos qe administrimin e Vlorës ta merrte Osman Haxhiu ne emrin e prefektit. I biri i Miftiut te Vlorës Haxhi Muhametit dhe një nga familjet me te pasura te Vlorës. Shume aktiv qe ne fillim te shekullit, një nga mbështetësit kryesor te Ismail Qemalit. Me vone do te këtë një karriere te shkëlqyer, Kryetar i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare” te Luftës se Vlorës, delegat ne Kongresin e Lushnjes, deputet ne parlamentin shqiptar.
sman Haxhiu –Armen–një nga mbështetësit e Ismail Qemalit, ish prefekt i Vlorës, një nga njerzit më të pasur në Vlorës, që e vuri pasurin e tij në shërbim të Atdheut. Kryetar i “Komitetit Mbrojtja Kombtare” Pas luftës deputet në Parlamentin e parë Shqiptar. Djali i tij Myhedin Haxhiu, Kryetarë i Bashkisë së Vlorës. Pas “çlirimit” u arratis jashtë shtetit së bashku me vëllanë e tij Galip Haxhiun.
Specialistë të IMK kanë bërë një përshkrimi arkitektonik dhe konstruktiv të kësaj godine e cila  ka vlera të thkeësuar ku thuhet se:Godina e Ish Prefekturës është ndërtuar rreth vitit 1919. Gjatë kësaj periudhe qyteti i Vlorës pati një zhvillim i cili pas caktimit të kufijve në vitin 1913 dhe ndërprerjes së rrugëve tradicionale të tregtisë u kthye në pikë e rëndësishme transite. Zhvillimi urbanistik dhe arkitektonik i kësaj periudhe  u kushtëzuan nga arritjet e periudhës pararendëse, nga kërkesat për të zgjeruar gamën e gjinive ndërtimore, si dhe nga zhvillimi i ri ekonomiko shoqëror. Ndërtimet e kohës, kërkonin eksperiencën e projektuesve të specializuar, si vendas ashtu dhe të huaj. Një nga rrymat veprimi i të cilës u ndje gjatë kësaj periudhe në vendin tonë ishte eklektizmi i cili mbizotëronte ende mbi qytetet e tjera të Ballkanit dhe Evropës. Manifestimet e para të kësaj arkitekture i ndeshim fillimisht në Angli, në shek. XVIII – XIX dhe në fillimet e shek. XX. Prirjet ndaj eklektizmit u shfaqën jo vetëm në disa ndërtime të projektuara nga inxhinierë të huaj, por edhe në ndërtimet e projektuara nga inxhinierë dhe arkitektë vendas. Manifestime të kësaj periudhe ishin kalimtare dhe nuk patën një shtrirje shumë të gjerë. Kjo arkitekturë u pasua me depërtimin e arkitekturës neo – klasike sidomos me ndërtimet e viteve 30’40’.Arkitektura e ndërtesës së ish Prefekturës është përfaqësuese e  arkitekturës me prirje eklektike dhe neoklasike. Ndërtesa të kësaj periudhe me elemente të ngjashëm arkitektonik në qytetin e Vlorës janë ndërtesat e Bashkisë, dhe Muzeut të Luftës.Suvatimi i jashtëm  shërben si një mjet shumë i përshtatshëm për  zbukurimin e godinës, i cili është, lehtësisht i zbatueshëm dhe krijon një shumëllojshmëri formash  e motive dekorative.  Një përpunim i tillë rit së tepërmi  plastikën dekorative të fasadave, dhe për të mënjanuar mbingarkesës janë  krijuar  plane të pastra  në katin përdhe të cilat ndihmojnë për daljen në pah të elementëve në reliev dhe bëjnë të efektshëm lojën dritë- hije.Kreu i dritares treshe  është  pjesa më e zbukuruar me kornizë, në formë vetullore sipër hapësirës së dritares. Në të dy skajet dalin pilastra me  kapitele të dekoruar. Elementët e aplikuar janë motive të ndërlikuara, si lule, stilizime gjethesh, imitime, të dentikulave (dhëmbëzave) antike. Vendosja kornizave dekorative  në reliev, poshtë hapësirës së dritares duke krijuar breza  horizontalë thyejnë shtrirjen vertikale të  fasadave.  Element i fuqishëm i përpunimit dekorativ  është streha  nën çati, me bishta të gdhendur, (testekë),  cila  vjen si përpjekjet për futjen e frymës kombëtare me stilizimin e elementeve të huazuar nga arkitektura popullore. Elementët dekorativ parapërgatiteshin  gjatë ndërtimit të muraturës, bëhej mbushja me suva dhe më pas  duke kaluar shabllonët mbi to u jepej  elementëve forma e profile sipas dëshirës. Zgjidhja planimetrike është mjaft e goditur, falë një grupimi të qartë funksional.Lidhur me përshkrimin e    konstruktiv të   objektit specialistja e IMK shkruan:Teknika e ndërtimit të kësaj godinë në raport me ndërtimet e mëparshme, pati jo vetëm një rritje cilësore, për sa i përket teknologjisë, por dhe një pasurim të strukturave konstruktive. Karakteristike e kësaj periudhe është suvatimi i jashtëm i ndërtesës përdorimi i brezave antisizmik, përdorimi  i tjegullave marselieze, përdorimi i muraturës tërësisht me tulla si i mureve mbajtëse ashtu dhe i mureve ndarëse. Përdorimi i tullave  krijoj një fushë të gjerë të  zbatimit të elementëve  dekorativ në suva. Themelet e godinës janë të ndërtuar me gurë të lidhura me llaç. E gjithë muratura si muret mbajtës ashtu edhe ato ndarëse janë ndërtuar me tulla, me material lidhës llaç gëlqere me çimento, (llaç bastard). Çatia është me konstruksion druri, mbuluar me tjegulla marseljeze.  Deri në vitin 1944 godina ka shërbyer si administrate lokale, ndërsa pas viteve 50’ si banese banimi kolektive. Edhe pse është në gjendje risku ndërtesës nuk i është kryer  asnjëherë rikonstruksion, por mirëmbajtje rutinë.Ndërtesa e ish Prefekturës paraqitet përgjithësisht në gjendje të mirë statike, me problematika të shumta të mirëmbajtjes dhe kujdesit që duhet të tregohet për një monument me vlera të spikatura.
 UNDP është pjesëmarrëse në këtë projekt përmirësimi shkruan në relacionin e saj:Projekti me titull “Rivendosja e Ish Prefektura Vlorë” ka për qëllim për të rivendosur një nga ndërtesat e bukura historike në Vlorë.Aktiviteti i planifikuar për të përmbushur restaurimin përbëhet nga ndërhyrjes në rivendosjen e fasadave dhe çatisë dhe disa përmirësime të tjera. Grupi i synuar është direkt përfituese e zbatimit të këtij projekti nuk është vetëm qendra e Vlorës në aspektin urbanistik, por edhe familjet që jetojnë brenda saj gjithashtu.
Ky institucion PNUD mbështet aspiratat e Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe kontribuon në përpjekjet kombëtare për të arritur Objektivat e Zhvillimit të Mijëvjeçarit (OZHM). PNUD përgjigjet prioriteteve kombëtare nëpërmjet qasjes ndaj zhvillimit njerëzor).ka realizuar një sërë projektesh në qarkun e Vlorësë midis të cilave në vitet e fundit janë të shënuarapunimet që janë kryer në këto site:
Restaurimi i “Kullat e Aliut e Dervish”, Dukat, Vlore. Restaurimi i. “Rruga hebre”, Vlore. Restaurimi i qendrës së vjetër Tragjas. Restaurimi i kishës “Shen Spiridhonit” etj.

Filed Under: Featured Tagged With: Gezim Llojdia, Godina e vitit 1919, Vlore

NDËRTIMI STRUKTUROR APO STRUKTURA SOCIALE E TËRBAÇIT NË KRAHINËN E MADHE ETNOGRAFIKE TË LABËRISË (VLORË)

February 2, 2013 by dgreca

NJË NGA MODELET PËR STUDIM  ETNOLOGJIK NË SHQIPËRI/

Përgatiti: Albert HABAZAJ/

LËNDA OSE PIKETAT E TRAJTESËS:/

1- Si e mendojnë tërbaçiotët origjinën e tyre?

(mbi bazën e legjendave, librave etj.)

2- Kujtesa sociale për prejardhjen, religjonet: feja kristiane, myslimane

( bazilianët në Himarë- version krishterimi… P. Xhufi, P. Marko, “ Himara në  shekuj” etj.)

3- Si janë grupuar ata mbi bazë sociale:

(grupet, mbiemrat, mëhalla, fisi, lagjia)

-Si formohen statuset sociale? (Nuk mund të bëhen martesa brenda fshatit? Mëhallës?- Koncepti)

3- A ka patur martesa brenda fshatit? Në se po: Kur? Si? (pyetësor)

– Me kë nuk martoheshin dhe pse?: Gjaku i përbashkët? Përbuzje? Inferioritet apo?…

4- A kanë patur dhe a kanë sot pronë të përbashkët? Kë ata quajnë të tillë?-Kullotat? Malet? etj.

5- Si është ndarë prona familjare gjatë komunizmit?:  Djemtë, të vobektit, (të paaftët), vajzat.

6- Si është bërë privatizimi i pronës pas ’90-ës? Si ka ndodhur me tërbaçiotët që janë me origjinë andej, por nuk kanë banuar atje dhe as banojnë?

7- Si ka ndodhur me ata jo tërbaçiotë (mësues, mjekë, bujq etj.) që në momentin e ndarjes së pronave  janë
ndodhur aty?

Realizimi i një studim mbi ndërtimin shoqëror apo strukturën sociale të Tërbaçit  na kushtëzon të operojmë me dy mënyra:

Së pari duke studiuar historikun e Tërbaçit, si dhe libra të tjerë të botuar të autorëve tërbaçiotë ose jo tërbaçiotë:

Së dyti duke vjelur bartësit e informacionit të nevojshëm nëpërmjet intervistave, prej të cilëve kemi përzgjedhur më moshatarët, pleq ose plaka, që mbajnë mend, që kanë jetuar në Tërbaç, përfaqësues nga të gjitha lagjet, mëhallat e vëllazëritë e fshatit, sidomos për çështjet që i përkasin periudhës para Luftës së Dytë Botërore, ose para Çlirimit, si e quajnë banorët. Ndërsa për zhvillimet dhe problemet  gjatë sistemit monopartiak kemi intervistruar meshkuj e femra të rritur, që e kanë përjetuar atë kohë, patjetër duke respektuar mozaikun lagjesor dhe duke plotësuar me përpikmëri të dhënat e duhura jetëshkrimore  të të intervistuarve. Shqetësime nuk kemi patur, përkundrazi respekt e mirënjohje, kur u kemi rrëfyer qëllimin përse na duhej të mblidhnim informacionin e kërkuar etnografik.

Kemi bërë krahasimet midis materialeve të grumbulluara, i kemi ballafaquar dhe me botimet e shfrytëzuara dhe pas një pune përgatitore po bëjmë këtë paraqitje, duke dhënë sipas mundësisë edhe qëndrimin tonë lidhur me ç’ka banorët besojnë dhe mendojnë për organizimin e jetesës së Tërbaçit në rrjedhat e kohës.

***

Sipas Fjalorit Enciklopedik Shqiptar Tërbaçi është  “fshat në rrethin e Vlorës, rrëzë malit të Çikës (L). Dëshmohet si vendbanim i vjetër, janë zbuluar varreza ilire. Është fshat me tradita patriotike. Banorët kanë marrë pjesë gjallërisht në kryengritjet kundër  Tanzimatit ku u shqua Lulo Abazi e Miro Tërbaçi.  Është vendlindja” e Halim Xhelos dhe Hysni Kapos…

“ Kolektivizimi i bujqësisë përfundoi më 1956…Ka drejtim bujqësor prodhimin e drithërave dhe rritjen e bagëtive të imëta. T. ka shkollë 8-vjeçare, shtëpi kulture, shtëpinë- muze, njësi tregtare e komunale”. 1)

Botimi i ri i vitit 2009 nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë “Fjalor Enciklopedik Shqiptar” na jep këtë informacion: “Tërbaçi. Fshat në komunën e Vranishtit në rr. e Vlorës (J). Shtrihet rrëzë shpatit L të malit të Çikës, në l.m.d.505 m. Popullsia:1149 banorë (2005), ndaj 1287 banorë  në v.1926. (Vërejmë që s’ka prurje por rrjedhje të popullsisë, komunitet, i cili njihet i tëri indigjen, jo ardhës. Janë rrënjës, vendës, anas, se kanë të folme, gjuhë, mënyrë jetese, doke, tradita, një minimikroetnokulturë të njëjtë: shën.im-A.H). Gjetjet arkeologjike dëshmojnë se ka qenë i banuar që në shek.IV p.e.r. Me emrin e sotëm T. njihet nga v.1431. Banorët e T. kanë marrë pjesë në kryengritjet kundër Tanzimatit, ku u shquan luftëtarët Lulo Abazi dhe Miro Tërbaçi. Gjatë Luftës ANÇ kanë rënë 55 dëshmorë nga T., ndër të cilët 3 Heronj të Popullit. (Në të vërtetë janë 4, që njihen, dihen dhe me dokumente: shën.im-A.H). T. është vendlindja e H. Xhelos. Në Bramyshnjë të T. në janar 1944 u formua Brigada V. Veprimtaritë kryesore ekonomike: blegtoria (kryesisht të imtat), kultivimi i drithërave dhe pemëtaria. Ka shkollë 9 vjeçare, qendër shëndetësore, njësi tregtie e shërbimesh.¹/¹)

Në librin “ Tërbaçi në rrjedhat e historisë” shkruhet: “Fshati Tërbaç bën pjesë në krahinënë e Mesaplikut të rrethit të Vlorës, i cili ndodhet49.5 kmnë Jug-lindje të këtij qyteti. Ai është ngritur në pjerrësitë jugore të vargmalit të Lungarës dhe shtrihet në rrëzë të malit të Tranajoit në kuotën552 mnga niveli i detit. Kufizohet: nga lindja lumi i Shushicës ( Lumi i Vlorës ose Lumi i Bardhë quhet me të folmen popullore qyshkur, A.H), i cili e ndan nga fshati Shalës- Mesaplik; nga jugu vargu i malit të Çikës, me majën më të lartë2045 m, i cili e ndan nga krahina e Himarës me Palasën dhe Dhërmiun; në jug-lindje pylli i Dushkut, përroi i Arapës, të cilët e kufizojnë me  fshatin Vranisht; nga veriu fshati Brataj; në veri-perëndim vargmali i Lungarës me majën më të lartë të Stogoit1832 m; nga perëndimi qafa e Shëngjergjit në kuotën1152 mdhe pjerrësitë perëndimore të malit të Paliskës në lartësi1701 m, maja e Boçkës me majën më të lartë 1766, të cilët e ndajnë kufirin me fshatrat Dukat e Palasë…”2)

Këta njerëz, që banojnë në një terren kryesisht kodrinor e malor, mendojnë se e kanë origjinën e tyre nga ilirët, jo thjesht me argumentin e përgjithshëm se shqiptarët janë  pasardhës të ilirëve. Edhe në territorin e Tërbaçit janë  zbuluar gjurmë të ilirëve. Ata mendojnë se gjuha shqipe është bijë e ilirishtes, që rridhte nga pellazgjishtja. Një studiues tërbaçiot shkruan: “Ilirët ishin paganë. Varret i bënin në tumula në kodra a në luginëza, më vonë varret i bënin të thellë e me 6 pllaka guri…”3)

Nga studimi i historikut  mendojmë se është bërë një zbërthim serioz për themelimin e fshatit, bazuar në disa zbulime arkeologjike, burime historike e të dhëna toponimike të vendit që vërtetojnë origjinënë tonë ilirike.

Gjuhëtari Shaban Demiraj, akademik shënon: “ Emrin ilir e gjejmë të dokumentuar për herë të parë tek herodoti (shek.V p.K)4) dhe, më tej, duke iu referuar edhe albanologëve e studiuesve të huaj thekson “shqiptarët e sotëm janë pasardhësit e banorëve të lashtë të parasllavë të vendit” 5) dhe që “shqipja qysh në kohët e lashta është folur pak a shumë në viset, ku flitet sot”6). Në këto rrethana mund të besojmë që “shqipja të konsiderohet si një pasardhëse moderne e  gjuhës ilire” 7) .Ndërkohë ndoshta ka të drejtë suedezi Tunman ( Hans Erich Thunmann, 1746-1778) kur argumenton gjuhësisht “’Nuk mund të mos njoh fqinjët e stërmoçëm të grekërve dhe nënshtetasit e Romës së vjetër. Këto më tregojnë ilirët e vjetër”8). Banorët e vjetër tregojnë se kanë dëgjuar nga të parët e tyre se stërkatragjyshërit ilirë me “kushërinjtë” e tyre thrakë e ilirë herë ishin në paqe e herë në luftë.

Është interesant një fakt. Del mbi shumë rrethana të pafavorshme që kanë ushtruar presione historikë, etnokulturorë, linguistikë, gjeografikë etj., që dihen mbi prejardhjen tonë kënga. Kënga tradicionale e në rastin konkret kënga labe polifonike e fshatit Tërbaç vjen si e dërguar e Perëndisë. Kënga si transmentuese gojore e traditave, dokeve, vlerave njerëzore e mënyrës së jetesës bëhet zëdhënëse në breza, që njerëzit mendojnë se na kthjellon sado tangjent për origjinën. Kënga thotë :“ Nëna shqipëtare/ Mbes’ e ilireshës/ Ka lind’ e ka rritur/ Trima dhe të besës…” Nuk është synimi ynë të diskutojmë për besën tani: si fjalë e nderit është jona, vetëm jona, apo e kanë edhe të tjerë popuj; jemi apo jo të mbushur me këtë virtyt të lartë; se po të shfletojmë studiuesit e huaj si Wirth, Tomiç, San Giuliano, Knight, Hecquard, Ippen, Jastrebovi, Pinon 9) etj., pavarësisht nga rezervat që kemi për fotografimin apo pikturimin moral që na bëjnë, na pëlqen apo jo ç’ka thonë ata për karakterin e shqiptarëve, ata t’i tollovisn hejbetë e koncepteve të madhërishme që transportojmë breznive ngarkuar mbi samarin e vjetër të trurin tonë të uthulluar.

Por le të kthehemi tek kënga. Ajo është krijuar në vitet ‘70- të të shek. XX nga rapsodi, krijuesi popullor Kujtim Mici, i datëlindjes 1937 me arsim të lartë, lindur në Tërbaç, arsimtar në Lumin e Vlorës përmbi 40 vjet dhe drejtor shkolle në Tërbaç një çerek shekulli, drejtues i grupit polifonik të fshatit, njeri me reputacion, të cilin e kam njohur dhe regjistruar vetë. Kjo këngë është kënduar nga grupi i Tërbaçit në Festivalin Folkorik Kombëtar të Gjirokastrës, më 1973 dhe është e regjistruar edhe nga Instituti i Kulturës Popullore, Bob.982/6 (sot IAKSA). Në komunitetin tërbaçiot kënga bëhet e përfillur, duke marrë peshën e një burimi gati autentik. Kjo këngë e gjinisë së epikës (historike) vërtet nuk ka vlerat e një dokumenti arkivor por është një lloj arsyetimi për ç’ka mendojnë këta banorë mbi rrënjën e tyre, për të parët e tyre, për origjinën. Fuqia e arsyes së tyre ka këtë formë të mendimit lokal, me anën e së cilës pohon se nëna shqiptare është mbesë e ilireshës, pra ne jemi kastërnipër të ilirëve.

Nga historiku i  fshatit mësojmë dhe verifikojmë nga pleq moshatarë si Riza Bajrami, sot 87 vjeçar, me arsim të mesëm, pothuaj banor i përhershëm i Tërbaçit, se në vitet 1939- ‘40 në Tërbaç është realizuar një ekspeditë arkeologjike. Atëherë xha Rizai ka qenë jo i vogël, rreth 15 vjeç, djalë i ri dhe mban mend se në vendin e quajtur Bregu i Shënkollit u zbuluan disa varre me nga 6 pllaka guri. Këto varre vërtetojnë kohën ilire,-shton plaku- Në to ka shenja të banimit dhe të punimit të tokave aty afër, që dhe sot gjenden zhurmët e taracave, të cilat dëshmojnë që janë banuar nga fise ilire, siç është vendi i quajtur Gjilek-Borshi. Mbaj mend nga babai im Rexhep Abazi, lindur në Tërbaç, më 1935, vdekur më 2009, me arsim të lartë, me profesion mësues, i cili, duke biseduar vetëm 3 ditë para se të ikte dhe pikërisht natën e mërkurë të datës 10 qershor 2009 më tregoi se në vitin 1966 në Bramyshnjë (është një fushë e gjerë në këmbë të fshatit, A.H), nga nxënësit dhë mësuesit e shkollës “Halim Xhelo” të Tërbaçit, u zbulua një varrezë (tjetër kjo, A.H) po me 6 pllaka guri, në formë arkivoli që thuhej i përket po kohës ilire. Në këtë varrezë u gjetën dy monedha të shek. III dhe II para Krishtit me mbishkrimin “Amantia”, një thikë, një shigjetë metalike si dhe një skulpturë, ku ishe punuar shumë hollë me qeramikë të pjekur koka e një femre( shenjtore?). Plaku 89 vjeçar Selman Karefili, lindur më 1922 në Tërbaç, me arsim të lartë ushtarak, me punë në Shkodër tregon se behar ishte, 1966. Erdha me pushime në fshat, kur afër shtëpisë së prindërve të mi, në qafën e Shkëmbit të Pirgut në Shëngjergj, ekspedita kërkimore gjeti një varr me 6 pllaka me skelet të plotë me tokëzën e rrypit prej bronxi, dy byzylykë dhe një enë balte për ujë. Këto zbulime shtojnë besimin e njerëzve se janë vazhdime të të njëjtit vendbanim të hershëm ilir.

Nga mbi 60 botime libra për Tërbaçin mendoj që librat “Si u krijua e si mbijetoi Tërbaçi” i dr. Selim Beqirit, “Damari i gjelbërimit” i 87 vjeçarit Dhimo Sokrat Rista, “Tërbaçi- Realitete vlerash historike” i Tofik Dedës, “ Të njohësh gjakun tënd” i 80 vjeçarit Mujo Halil Gjondeda dhe “Bragjinajt e Qeparoit “ i dr. Jorgo Dhramit janë lente për të shikuar vertikalisht në thellësi jo vetëm për origjinën tonë, duke depërtuar portën e blinduar parake me forcën e logjikës dhe krahët e imagjinatës kolektive të të parëve të shkruesve, të cilët janë më të besueshëm se ne , më të rinjtë, për faktin se ata kanë vjelur mendimet e burrave apo grave që kanë jetuar e kanë parë shumë e kanë të paktën një gjysmë shekulli që kanë ikur…

Studiuesi S.Beqiri e mendon shpjegimin shkencor të prejardhjes dhe të kuptimit të toponimit “Tërbaç”  sipas gjuhës sllavo- bullgare “Tpъбaч”, transkriptuar në alfabetin latin: T(T)  p  ч( R)  б(B)  a(A)  ч( Ç)- TËRBAÇ, që, i shqipëruar do të  thotë BOBËL(bri)- vend boble, prej ku njoftoheshin nga strategu i Themës së Nikopojës bizantine për grumbullim e organizim gjithë stratiotët “burrat nën armë” të krahinës.10) (Duhet të kemi parasysh që Tërbaçi shtrihet në kraharor të malit të Tranajoit dhe ka sheshpamje të gjerë, është ballkoni i trevës labe të Lumit të Vlorës, e shikon luginën e Lumit të Bardhë si nga avioni- A.H). Me kohë ky vend “sinjal fushimi” u shndërrua në emërtim vendbanimi. Janë hedhur për diskutim në komunitetin tërbaçiot ide mbi ardhjen e labianëve (labeatëve) nga trevat veriore, nguljen e tyre në “Arbëria” dhe shtrirjen e mëtejshme në krahinën, që i dhanë emrin e prejardhjes së tyre –Labëria. Ndoshta ka ndodhur kështu. Është diskutuar dhe me grupe shoqërore elitare (kuptohet brenda rrezes së kompasit të mendimit e gjykimit të njerëzve të shkolluar dhe intelektualëve të tjerë), sikurse më përpara me burrat e kuvendit të fshatit për përdorimin e termave “paratërbaçiotë” e “tërbaçiotë” për të dalluar, me të parën banorët autoktonë” të këtij terreni që u quajt “Tërbaç” dhe banorët “tërbaçiotë”, me të dytën. Banorët thonë se historia e Tërbaçit  ka qenë e pandarë nga historia e luftrave të krahinës së Himarës (si një nga 50 e ca fhatrat e tij) kundër hordhive osmane deri në 1492, kur turqit e tkurrën atë vetëm në 7 fshatra të  Bregdetit. Është një këngë e vjetër që ka ardhur nga shekujt: “Që në Gumenicë e lart/ Himarë i thonë çdo fshat/ Osmanlliu me zanat/ na ndau e mbetëm pak…”.Gumenica është një fshat20 km në veri të Tërbaçit. Kënga nga e cila citova një strofë është e botuar dhe në antologjinë folklorike “Bregu i Detit në këngë”11) si dhe te “Këngë popullore të Labërisë 12).

Njerëzit mendojnë se janë pasardhës të fisit të lashtë ilir të mesapëve, të cilët kanë banuar në këtë trevë dhe 1000 vjet p.K janë larguar për në Kalabrinë antike e në Apuila të Italisë. Mendohet se vendin e mesapëve ta kenë zënë amantët, që nga fundi i shek.V.p.K ndërtuan kryeqendrën e tyre Amantia, e cila ran ë Mesjetën e herëshme. Në Horë të Tërbaçit është një toponim që quhet “Qafa e Elimit” e ka gjasa që në territorin e Tërbaçit të kenë banuar ilirë edhe nga fisi me qendër Elimia, në lindje të liqenit të Ohrit. Kanë qenë dyndje apo kalimtarë nuk dihet, veçse varret karakteristike të tyre, me 6 pllaka, ishin në shumë vende në Tërbaç, siç ishin edhe nga fise të tjera ilire. Në vendin e quajtur Xhovaku i Male është një kodër natyrore në mes të arës dhe njerëzit hamendësojnë se është tumë ilire. Edhe studiuesi Beqiri shkruan: “Në fund të Vozdolit, në Xhovakë të Malajve, duket konturi i një tumule ilire…” 13). Unë nuk mundem ta përkrah këtë hipotezë. Të paktën hë për hë. Përse? Para pak muajsh një grup piratësh gërmoi natën, duke synuar të gjente relikte antike me vlera, por nuk i lanë fshatarët të gërmonin, duke ditur që aty janë dy varre të viteve ‘50-60 të shek.XX. Jemi interesuar te ish-drejtori i Muzeumeve të Vlorës arkeologu Novruz Bajrami dhe ai është i mendimit se atje nuk ka varreza ilire. Edhe unë e mbështes këtë mendim, se patjetër nuk do ta linin specialistët e Tiranës apo ata të huaj, aq më tepër që ajo jotumë është në vend të dukshëm dhe garant bëhet për këtë gjendje i biri i të zotit të shtëpive të vjetra atje, në Xhovak 70 vjeçari Hasan Malaj, me arsim të mesëm, i cili ka një firmë ndërtimi në Vlorë dhe mban mend që atje, është varrosur gjyshi dhe halla e tij dhe se atë lëmë të ngritur e kanë bërë të parët e tij.

Territorin e paratërbaçiotëve e ndante nga Ceria amantine vetëm shtrati i Lumit të Vlorës dhe i lidhte ura e Bogdanit, e ndërtuar, sipas përvojës helene, në shek.I p.K, më e vjetra e llojit të saj në Shqipëri, që dallohet nga blloqet shumëtonëshe në harqet e këmbët e saj.

Banorët lahen në Tregurshin e Lumit, në Bogdan gjatë beharit dhe peshkojnë një lloj peshku të veçantë, që njihet vetëm në ujërat e ëmbla të Lumit të Vlorës. Banorët e quajnë pestrovë, është shumë e shijshme, ndoshta e një familjeje me troftën e Valbonës a koranin e Pogradecit.

Prof. Aleks Trushaj i cilëson momumente antike Shpellën e Teutës dhe Urën e Bogdanit në Tërbaç. Ai shkruan: “Gojëdhënat thonë se këtu mbretëresha e Ilirëve, Teuta, kishte strehuar ushtrinë e saj. Rrotull ka dhe gjurmë fortifikimesh. Kur Teuta pushtoi kryeqendrën e Lidhjes Epiriote, Foiniken, në vitin 230 p.K., ushtritë e saj kanë përdorur luginën e Shushicës (quajtur kështu nga sllavët, ndërsa grekët helenë e quajtën Polianthos Lumin e Bardhë siç njihet ajo rrjedhë natyrore e përhershme uji të ëmbël që del nga burimi i Kuçit e Vërmikut e shkon nëpër një shtrat dhe derdhet në Vjosë apo të trevës etnografike të Lumit të Vlorës A.H) për të dalë në bregdetin kaon të Himarës dhe për të vazhduar drejt qytetit të Foinikes, i ngritur në fushëgropën e Delvinës. Për nevoja të qarkullimit të ushtrisë së saj u ngrit dhe ura e Bogdanit”14).

Shpella e Teutës, Bregu i Bogdanit, Ura e Bogdanit njihen mirë nga banorët e atjeshëm dhe dihet që i përkasin territorit të Tërbaçit.

Nga reliktet e gjetura në varret ilire në territorin e Tërbaçit si në Bregun e Shënkollit, në fushën e Bramyshnjes, në Shëngjergj, në Qafën e Shkëmbit të Pirgut, në Fëng të Leke, në Kryzë, në Dolonik, në Qafë të Kusarëve etj., gjykojmë se pararendësit e tërbaçiotëve kanë qenë ilirë-mesapë, amantë ose…kurse vetë tërbaçiotët ishin edhe trashëgimtarë të fisit ilir labian. Pra të parët e Tërbaçit mendohet se janë ilirë vendas, autoktonë, sikurse ka patur dhe të ardhur.

Sot, shumë njerëz, dikush ngaqë ka lekë, dikush që ka mend, dikush që është plak (jo vetëm në moshë) bëjnë libra monografikë për fisin a familjen e tyre, siç vërejta dhe më përpara. Gjithsesi kanë një vlerë, se duke i krahasuar me njëra tjetrën gjej rezultanten: Të gjithë pohojnë të njëjtën origjinë të mesme, që përkon me mesin e gjysmës së dytë të shek. XIV.Të gjithë janë të mendimit se kanë një të parë të përbashkët dhe, ndryshe nga stërkatragjyshi i papërcaktuar ilir i lashtësisë, stërgjyshi i përbashkët i mesjetës ka një emër të përveçëm, që quhet Gjin Kriqi dhe është i pranuar nga të tërë tërbaçiotët si i pari i origjinës së tyre të mesme. Në faqen veriore të malit të Tranajoit thonë se banonte ai, atje ku sot është vendi me toponimin e ruajtur “Gjinakriq”. Kështu është folur nga të parët deri më sot. Edhe unë kështu, me këtë emër e mbaj mend qysh kur isha i vogël.

Gjatë ekspeditave kërkimore vetiake në terren, ndër subjektet e zgjedhur vërejta se informacionet e tyre pothuaj rezononin për ato materiale që më duhej t’u vilja. Në këtë syth të punës në terren mendoj të paraqes informacionin, që më duket më i plotësuari për pyetsorin e përgatitur me këtë synim, atë të bartësit Vendim B. Lushaj, i datëlindjes 1940, lindur, martuar e banues në Tërbaç, me arsim të lartë, ish mësues historie, sot pensionist.

“ Origjina e fshatit tonë nuk dihet me saktësi se që kur ka filluar ekzistenca e tij dhe njerëzit besojnë se është ajo që është shkruar në historikun e fshatit apo në shkrimet e Dr. Selim Beqirit, që do të fillojnë sipas dokumentave të gjetura në arkivat e vjetra të shtetit turk, e bën këtë ekzistencë qysh nga vitet 1430-’32. Po të bazohemi vetëm tek dokumenti i vitit 1431-’32, do të thotë që më parë në vend, në këto troje nuk ka patur njerëz. Duke marrë si bazë Gjin Kryqin, atëherë do të lindë pyetja: “nga dolën këta njerëz, që dolën këto vite ?” prandaj unë mendoj se kjo periudhë duhet të ketë qenë e banuar dhe këta njerëz kanë krijuar mënyrën e jetesës së tyre. Dhe kjo ka ardhur gjithmonë duke evoluar e duke ardhur deri më 1432. Por duhet të dimë se njeriu ka lindur mbi tokë këtu e 4.5 milionë vjet më parë dhe janë përhapur në të gjithë globin. Tokësor. Por ne do të vijmë në mijëvjeçarin e parë pas lindjes së Krishtit dhe do të bazohemi në dëshmi historike, që janë dokumente të shkruara dhe dokumente material. Meqë nuk janë gjetur dokumente të shkruara do të bazohemi në dokumente material si: gurë, enë prej balte etj. Kjo gjë më lejon të them se fshati ynë ka qenë i banuar qysh herët. Si shembull mund të marr urën e Bogdanit, e ndërtuar në shek.V-IV p.e.r., ku lidhte Smokthinën me fshatin tonë.

Aty edhe sot e këtë ditë ekzistojnë gurët që është ndërtuar ura bashkë me muret e saj, ku gurët kanë përmasat: të gjatë 170 cm, të gjerë 70 cmtë lartë 70 cm. Kjo do të thotë se janë ndërtuar nga njerëzit për të kaluar lumin a për të kaluar edhe në Kalanë e Cerjes apo Varret e Elimëve, të ndërtuar me pllakë poshtë, anash e lartë; poshtë kokës një pllakë e madhe nënë të cilën qenë vendosur enë qeramike, shpata bronxi, monedha të vjetra. Këto materiale janë gjetur në Horë, që ka marrë dhe emrin Qafa e Elimit, në Qafë të Kusarëve, në Posikè, Bramyshnjë, Shënkoll dhe në Qafë të Rotoit. Pra, janë shtrirë në të gjithë territorin e fshatit tonë, gjë që tregon se fshati ka qenë i banuar shumë herët se sa mendojmë ne, por ne nuk kemi gjetur dokumente të shkruara, që të mësonim se si quhej fshati ynë në atë kohë, kështu që… Vazhdimësia e fshatit tonë vazhdon edhe më tej me këto dokumenta dhe flitet në rrethet historian se në vitet 229- 228 p.e.r. në kohën e luftës Iliro- Romake, mbretëresha Teuta, duke u larguar nga Kelkyra (Korfuzi) ka kaluar nga Qafa e Dërrasës, në Qafë të Shëngjergjit dhe aty, në rrëzë të Shkëmbit të Kuq është një shpellë në mes, që ka patur hyrje nga mbrapa dhe Teuta ka lënë aty një pjesë të thesarit, ku poshtë saj është edhe sot një mur i ndërtuar rreth 10 mi lartë. (Fshatarët nuk kanë gjetur gjë…shën. im-A.H). Gjatë pushtimit romak nga shek.II p.e.r. deri në shek. V pas e.r. nuk kemi ndonjë gjurmë a dokument të gjetur; po deri nga shek. V-XIV ne kemi qenë nën sundimin Bizantin (Perandoria Romake e Lindjes, P. Bizantine; se u nda P. R. në dy hise, në dy pjesë: në P.R. të Perëndimit me qendër Romën dhe në P.R. të Lindjes (Bizanti) me qendër Kostandinopoja. Po gjatë kësaj kohe, nga shek. V-IX kemi qenë të pushtuar nga sllavët, që kanë lënë emra vendesh dhe fshatrash. Pra edhe tek ne kemi emra të tillë si Vozdól, Vojvodàt etj.që tregojnë se ky vend ka qenë i banueshëm, por emri i fshatit ka pësuar ndryshime sipas interesave të drejtuesve. Tjetër burim material është edhe kisha që është ndërtuar në qafë të Shkëmbit, e stilit Gotik, ndërtiuar në shek. IX. Rreth viteve 1100, kur feja e krishterë (u quajt e tillë për nder të vetë Krishtit), që u përhap në Azi e në Europë nga nxënësit e tij u nda në dy fe kryesore: a-feja katolike, që hyn Europa Perëndimore dhe b– feja ortodokse që është Europa Lindore. Ne na kap afërsisht kufiri ndarës  midis  këtyre feve. Pra nga shek.X kemi dy lloj feshë, ajo katolike e ortodokse dhe nga shek. XII-XIII fshati ynë është me fe ortodokse, por duhet patur parasysh se kufiri ndarës nuk pritet me thikë.  Këtë e tregojnë edhe mbiemrat si Gjondedaj, Gjokaj, Nikaj, të cilët vinë në histori deri më 1432, ku janë gjetur dokumentet e para me emrin Tërbaç dhe prej këtu fillon edhe fshati me Gjin Kriqin (emër katolik). Emri i tij vjen në versione të ndryshme e ne do ta marrim atë që është shkruar nga historia, por më e mira është të diskutojmë sot në kohët më të zhvilluara dhe të jemi më të sigurt se do të nxjerrim në pah një mendim më të saktë dhe më të plotë, sepse edhe informacoini nuk na mungon dhe drejtimet janë më të qarta”.  Ky është informacioni me mendimet e Vendim Lushos për origjinën e fshatit. Para se të paraqesim të dhënat e tjera nga ky bartës, e quajmë me vend të kujtojmë edhe një legjendë që tregojnë më të vjetrit e atij komuniteti që banon atje. I thonë: Legjenda e “Teftës” -alias Rugjina Balsha- Tirrej se Teuta, mbretëresha e ilirëve, ishte në Orikum, ku drejtonte flotën e saj në luftën kundër romakëve, të cilët e fituan betejën në det dhe iu vërsulën steresë. I vetmi shteg nga mund të largohej ajo qe Qafa e Shëngjergjit. Ashtu bëri. Sa kaloi qafën, ajo bujti në shpellën e Shkëmbit të Kuq derisa të sigurohej rruga për në Korfuz, ku do të strehohej.

Shpella ishte në mes të shkëmbit dhe ngjitja e zbritja e saj bëhej me shkallë të lëvizshme druri, të cilat vendoseshin natën e hiqeshin ditën. Ishte stinë e ngrohtë dhe Teuta, sa errej, zbriste dhe shkonte te një burim aty afër, ku rrinte deri vonë. Këtij burimi banorët i vunë emrin “Burimi i Teftës”, siç quhet edhe sot. Si u sigurua ndërlidhja me Korfuzin dhe udhëtimi, ajo u largua, por me emrin e burimit ajo mbeti aty e “përjetshme”.

 Kështu thuhet nga një legjendë e lashtë. Shpella dhe burimi janë realë e që përputhen me ato që thuhen. Po a ka qenë vërtet Teuta, apo ka qenë ndonjë tjetër?!

Historikisht nuk mund të ketë qenë Teuta, sepse:

Së pari, nuk përkojnë kohët me veprimet. Teuta ishte mbretëreshë e Ilirëve në shekullin III para lindjes së Krishtit, kurse Iliria u pushtua nga romakët më 168 para Erës së Re;

Së dyti, betejën e fundit ajo e ka bërë në Nutria të Ardiejve e prej andej shkoi në Rizon, u mbyll në atë qytet të fortifikuar(Risani i sotëm) në gjirin e Kotorit. Që andej, në pranverë të 228 p.e.r. ajo dërgoi në Romë përfaqësuesin e vetë dhe përfundoi me senatin një paqe me kushte shumë të rënda për Ilirët.

Së treti, teuta nuk mund të strehohej në korfuz, sepse në atë kohë ai ishte pushtuar nga Roma. Po atëherë kush ka qenë kjo “Teutë?”

Me sa duket legjenda e ngatërron me Rugjina balshën. Rugjina Balsha ishte vajza e Balshës së Dytë të Shkodrës, që e kishte me Komitën e bija e kryezotit të Beratit e Kaninës. Pas vrasjes së Balshës në Savër të Myzeqesë nga Karl Topia, më 1385, Komita, bashkë me të bijën Rugjinën, u kthyen në zotërimet e të atit. Me vdekjen e saj, kryezonjë e Kaninës dhe e Vlorës mbeti Rugjina, që u njoh si e tillë nga të gjitha trevat vartëse. Në Labëri, edhe sot, Rugjinës i këndohet kënga.

Në shtator 1417, Kanina u pushtua nga hordhitë osmane dhe Rugjina u detyrua të largohej nga Kanina, për të mos rënë në dorë ët pushtuesve. Ajo u nis për në Korfuz me rrugë tokësore deri në Sarandë, sepse detin e kontrollonte flota ushtarake turke. Me sa duket kjo ka qenë “Teuta” në Qafë të Shëngjergjit, që u është dukur banorëve si mbretëresha e Ilirisë, ose kështu e quajtën shoqëruesit për arsye sekreti, por mundet edhe për arsye “mbretëreshë” për “mbretëreshë”, siç e konsideronin edhe Ruginën.

 

Kujtesa sociale për prejardhjen e religjionet na sjell këto dëshmi: Edhe sot e kësaj dite pleqtë e fshatit bëjnë betime si : “ Për këtë vatër!”, “Për këtë dhè!”, “Për këtë qiell!”, “Për këtë diell!”, “ Për atë diell që shkon i lodhur në Çikë”! (mali i Çikës, 2045m mnd, karshi Tërbaçit). Beja më e rëndë, që bëhej rrallë e për çështje kapitale, kur vihej në rrezik raporti midis komuniteteve  të ndryshme dhe mund të prisheshin ekuilibrat e marrëdhënieve korreke e të mira në fshat, ishte beja në pllakë, beja në gur. Këto e të tjera mendojmë se janë mbijetoja antike, që flasin për origjinën pagane. Dhe njerëzit e tjerë, banorët  tërbaçiotë mendojnë se vijnë nga paganët; më tej për anën religjioze pranojnë se i përkasin krishtërimit dhe këtë e argumentojnë edhe me toponominë konkrete, nga që tërsia e emrave të maleve, përrenjve, arave, qafave, krojeve, faqeve të maleve etj. kanë emërtime kristiane, katolike dhe ortodokse. Edhe onomastika është një dëshmi e gjallë me emrat, sidomos mbiemrat që ruhen edhe sot si Nika, Gjini, Deda, Gjondeda, Ndreu, Sina, Gjika, Shiroka, Leka,  etj., apo emërtimet e tri mëhallave të mëdha fshatformuese: Bit, Bragjin, Harmas dhe bijave të tyre, apo dhe vetë emri i atij që pranohet si i pari i tërbaçiotëve Gjin Kriqi. Kroi në qendër të fshatit quhet Koligj (Zbërthimi i këtij toponimi të çon te Kond Luigji, emri dhe mbiemri i ndërtuesit të  kësaj çezme, që gjatë rrugës së shqiptimit ka pësuar rënie fonemash, siç bëhej zakonisht në jug, sidomos me “nd” dhe “ u”, dhe përngjitja që e ka bërë të largohet “në heshtje” nga origjinali). Fakt tjetër: Tërbaçi ka patur 7 kisha dhe vetëm një xhami, e cila u ndërtua , ndoshta  shumë më vonë se viti 1720, kur u bë kthimi i fesë, nga që tërbaçiotët ritet myslimane i bënin në xhaminë e Bratit, fshat fqinj, deri sa ngritën xhaminë e tyre, të cilës, më 1943, i ra rrufeja në minare dhe nuk u rindërtua. As sot e kësaj dite nuk ka xhami në Tërbaç.  Banorët e parë në trevën e Tërbaçit kanë qenë në brezin buzë lumit: Bogdan-Buzujk-Horë dhe kisha e parë është ngritur në Ndreqdhimë (Ndre Dhima-Ayo Dhima), ku u bëhej shërbimi fetar të vdekurve para varrimit. Është një vend në Tërbaç që quhet “Bregu i Qishës”, aty ka qenë kasha e Marmurit. Është një tjetër vend që quhet Qafa e Shmitrit, aty ka qenë kasha e Shmitrit (Shën Mitri). Në Shënkoll (toponim që ruhet dhe sot) ka qenë kasha e Shën Nikollës. Në qendër të fshatit ka qenë kasha e Shën Mërisë, ku bëheshin edhe kuvendet e burrave të fshatit për çështje me peshë. Pikërisht aty, tepër vonë osmanët ngritën të vetmen xhami, për të cilën përmënda pak të dhëna  disa rreshta më para. Pushtimet i rrënonin këto kisha e tërbaçiotët detyroheshin të ngrinin një tjetër, tashmë larg syrit të pushtuesit. Në mëngë të malit ngritën kishën e Shëngjergjit. Sot është qafa e Shëngjergjit, që ndan apo bashkon Tërbaçin nga Dukati. Aty Tërbaçi e Dukati mbështeten në shpatulla të njëri tjetrit që të mos kenë ftohtë nga erërat që fryjnë kohërave. Tërbaçi e mbron Dukatin nga erërat e Lindjes e Dukati e mbron Tërbaçin nga erërat e Perëndimit. Për këtë arsye dhe për traditat, doket, cilësitë por edhe mangësitë, që i kanë gati të njëllojta, historia i ka cilësuar këta dy fshatra jo thjesht metaforikisht si vëllezër pa pjesë, aq mirë kanë shkuar me njëri-tjetrin brez pas brezi. Po në qafë të Shëngjergjit, në atë vend strategjik u vendos edhe simbol i kishës së Shën Rrokut, që kishte qenë prapa Qafës së Shëngjergjit dhe ishte rrënuar. Familja që ngriti këtë shenjtore-kishën e Shiroke- që rrjedh nga Shën ( shin-shi) Rroku, e ruajti edhe si mbiemër- Shirok. Reprezaljet osmane, me goditjet ekonomike, fyerjet përbuzjet arritën deri në në masa ekstreme ndaj kristianëve  tërbeç të pabindur, të cilët i therën në lumin (përroin), që i kalon në brinjë, nga krahu i djathtë Tërbaçit, me burim nga qafa e Shëngjergjit e rrëkezat që varen maleve, në krah të majtë të Vranishtit (kur shohim nga Çipini) dhe derdhet, bashkohet me Lumin e Bardhë, Shushicën apo Lumin e Vlorës, si i thonë me të folmen popullore, i cili buron nga malet e Kuçit, merr një degë tjetër në Vërmik, Smokthinë e derdhet në Vjosë. Thonë që u skuq uji i atij lumi nga gjaku i të therurve prej koshadheve turke, që dhe sot e kësaj dite ruan toponimin lumi i Kaurit. Po ashtu në lagjen Lekaj është një vend që quhet sheshi i Kaurit. Edhe priftin e fundit të fshatit Papa Nika Bragjinin e Ayo Jorgit, mbas shumë e shumë rezistence , osmanët e detyruan të largohej, e përzunë me forcë më 1692. Ai u ngul në faqe të Qeparoit të Himarës, ku  vazhdoi misionin e tij fetar si i krishterë dhe vendin ku banoi e quajti Bragjin, në respekt të origjinës së tij. Aty fitoi shumë autoritet nga vendasit, nuk i humbi lidhjet me Tërbaçin. Ato kujtohen me nostalgji dhe ruhen edhe sot si nga Qeparotsit që s’e mohojnë origjinën e tyre nga Tërbaçi, po ashtu dhe Tërbaçasit që krenohen për gjakun e tyre që u ruajt i pastër dhe përgjatë migrimeve të kushtëzuara. Në mes të harkut të Rrethit të Papadhisë është një gropë që quhet” Gropa e Majës së Rrethit”. Në këtë vend mendohet të ketë qenë një  manastir, në kohën e lulëzimit të Vilzës (qytezë e ngritur brenda fshatit, në shek. XIII nga pushtuesit anzhu, normanë, kryqëzatat në Mesjetë) midis Dolonikut dhe Fushës së Vështit, ku janë dhe gjurmë varresh të lashtë. Më 1492, Sulltan Bajazit i Dytë, me që nuk ia doli dot me luftë, përdori përçarjen dhe Himara, që kishte 52 fshatra, disa thonë 54, Lefter Çipa thotë 74, që nga Gumenica, Tepelena, Kurveleshi e deri në Bregdet, u tkurr veç në 7 fshatrat bregdetarë, të cilëve u dha “venomet” (e drejta e vetvendosjes), duke shkëputur kështu pjesën nga e tëra. Populli vajtoi:

Që në Gumenic’ e lart

      Himarë i thonë çdo fshat,

                                           Osmanlliu me zanat

    Na ndau e nbetëm pak…

Ka qenë fundi i shek. XVI, kur Perandoria Osmane e shkëputi Tërbaçin nga Himara, sikurse dhe gjithë fshatrat e tjerë të Labërisë së Brendshme. Vetëdija sociale kur thotë Himarë nënkupton Labëri e kur thotë Labëri nënkupton Himarë se duan t’i quajmë sinonime të njëra-tjetrës (edhe unë sikurse ata).

Në Tërbaç ruhen toponime si Ura e Vaut apo Qafa e Elimëve dhe Varret e Elimëve. Elimët kanë qenë fis ilir me vendbanim në rrethinat e liqenit të Ohrit- elimia. Nga toponimet “Qafa e Elimit”, “Varret e Elimëve” del që kanë qenë dhe në Tërbaç, por s’dihet si kalimtarë apo si pushtues- ngulur e qëndruar për një kohë derisa përsëri janë larguar a sfumuar nga fise pasardhëse. Varret  etyre me 6 pllaka guri kanë rezistuar në Feng (fënk, i thonë fshatarët) e Kryzë të Xhuvele deri më 1967. Nga elimët u trashëgua ulërima e çjerrja e fytyrës, por që sot, kuptohet, nuk aplikohet më.

Në hyrje të  Grykës së Shëngjergjit kemi këtë toponim: “Vreshqira”, dikur vreshti-vreshtirë- vreshqirë, ku rritet ftoi, hardhia, fiku,molla, shega etj.

Ura e Vaut është trashëgim i të folmes veriore, sjellë nga Turbaceos, siç përdoret edhe sot në veri, p.sh. “Vau i Dejës”. Po ashtu përdoret në Tërbaç togfjalëshi “gjakundi” për gjëkund; “më vjen u=më vje-n-u, më vjenu’”, “kam u’” për kam uri, apo përemri vetor në formë të cunguar “U” për unë, që del dhe te Meshari: “U Doni Gjoni i biri i Bdek Buzukut”. Në Tërbaç thonë: “ Hëngri bukë tek u”, “ Ish’ te u”, “Ki besim tek u”.  Thuhet “Zjam” për zjarr apo zjarrmi si përdoret në veri , duke e kthyer fonemën “rr” në “m”. Në Tërbaç qarkullon një shprehje: “ Zjam i mdh në përrua/ kur u ndes e kur u shua…”. Po në Tërbaç gjendet topnimi Kryzë– nga “krye-zi”- Kry-zë.  Ndihen dhe gjurmët e trashëgimisë ilire. Deri nga fundi i shek. XIX tërbaçioti vishte fustanellë, ndërsa gruaja linjë dhe të dy-opinga prej lëkure lope, ashtu si ilirët. Nga ilirët tërbaçiotët kanë trashëguar culën, një instrument popullor që prodhon muzikë (melodi, avaze) nëpërmjet frymënxjerrjes me cep të buzës.  Cula është përdoruir qysh në shekujt e VI-V p.e.r. Gratë tërbaçiote shkonin tok me burrin jo vetëm në punë, gosti, vaki (vdekje) por edhe në luftë. Mjafton të përmendim Miro Tërbaçen që u kthye në legjendë qysh nga viti 1764, si Nora e Kelmendit, Shota e Azemit, Maro Konda, gratë suljote etj. apo tërbaçiotja tjerër Gego Bobja e viteve 1790-1820 që ra duke luftuar në Breg të Bogdanit, për caktimin e ruajtjen e kufijve  me fshatrat fqinjë, të cilët u lanë me gjakun e saj dhe të  Labë e Thanas Aliut, të Qendro Aliut, Zenel Qendros . Po ashtu gratë e Jahue e të Maçe në Lekaj që u përleshën fyt a fyt me hasmin dhe e përzunë me hu më  25 shkurt 1925. Do kështu dy vajza të reja Tazja dhe Anifeja dhanë jetën për idealin më të lartë apo 24 gra e vajza tërbaçiote që dolën malit për liri,e luftuan si sokolesha krahas vëllezërve të tyre deri në Kosovë. Tërbaçiotët njihen si njerëz të drejtë, të mirë, të sjellshëm, jo ngatërrestarë, me unitet me njeri-tjetrin, shkonin shumë mirë me të tjerët përreth,kanë patur vajtje-ardhje, dinin ta nderonin mikun, ta dinin se nesër do hanin hi, nuk i nxirrnin problemet e tyre në pazar nuk ua hante qeni shkopin, ishin trima, të zotë, edhe të penës. Ndërkohë nuk bëhet fjalë që s’ka patur shqetësime  se s’ka pyll pa derra. Përndryshe do të kishte zhvillim e begati, do të mirrej vesh që qënka dhe një zvicër e vockël në thelb të Labërisë, në Shqipërinë Jugperëndimore… Gjendja aktuale ka shumë faktorë të jashtëm ndikojnë negativisht apo dhe në linjën pozitive, veçse thotë një fjalë e vjetër: “O laro, të hëngërt tënja/ se e ke të keqen brenda!…”. Kërkoje te vetja së pari progresin, kjo varet nga pesha specifike e kuturës që zotëron çdo individ, banor atje dhe si komunitet pastaj. Funksionaliteti kulturor në kahun e përparimit është leva e Arkimetit. Kjo është çështja: sa mbush “qypi” i çdokujt, që të përmirësohemi duke përparuar, siç shprehej në vitet ’30-të  të shek.XX mendimtari Mithat Frashëri (1880-1949)15)

V. Lushajt për sythin “Kujtesa sociale për prejardhjen regjionale” i volëm këtë informacion:

“ Duke u bazuar gjithmonë në burimet historike të lindjes së njeriut mbi tokë, dimë se njerëzite parë kanë lindur a janë shfaqur mbi tokë këtu e 4.5 milionë vjet më parë dhe, në mënyrë graduale, kjo popullsi ka ardhur duke u zhvilluar e duke prefeksionuar mënyrën e jetës së saj, duke e sjellë atë deri në ditët e sotme. Kjo popullsi prej mijëra vjetësh ëshët organizuar në: Kopè- Fise- Gjini- Famijle. Këto të fundit, me kalimin e kohës, kanë formuar qendra banimi të mëdha e të vogla, sipas mënyrës së jetesës së tyre. Kështu edhe fshati ynë është një produkt i kësaj mënyre jetese. Njerëzit fillimisht nuk kishin kaq dije sa ka sot dhe të dhënat shkencore qenë të pakta, prandaj ndaj fenomeneve të natyrës mbeteshin të befasuar dhe nuk dinin t’i shpjegonin ato se çfarë ishin, pse ndodhnin etj. Për këtë arsye ata mendonin se ishte një fuqi e madhe diku lart që bënte gjithë këto gjëra. Pra kështu filloi të lindte besimi se dikush lart i rregullon e i bën këto ndryshime në vendin që ato jetonin dhe u quajtën Perëndi. Fillimisht njerëzit  besonin jo në një por në disa të tilla. Për shembull, në Greqinë e Vjetër kishte një mori perëndishë si perëndia e Luftës, e Diellit, e Erës, e Detit, e Vreshtës, e Bukurisë etj., por më në fund ato kishin Zeusin si Perëndi të vetme.  Edhe në vendet rreth Greqisë po thuaj ishte i njëjti besim, kështu ne, duke qenë pjesë e afërt me Greqinë, nuk mund të bënim përjashtim në mënyrën e besimit. Ky lloj besimi ka arritur deri në shek. I e.r. Pas kësaj në Bethlehem lindi Krishti, i cili u vra nga romakët (guvernatori Ponc Pilati shën. im, A.H) që kishin pushtuar Ballkanin dhe Lindjen e Mesme dhe predikimet e tij që thoshte se jam i dërguar i Perëndisë, u përhapën nga ithtarët e tij në perandorinë Romake, ku bënim pjesë edhe ne. Për nder të tij pas vdekjes besimi te predikimet e tij u quajt Feja e Krishterë, Krishtërim. Pra konkluzioni del se ne kemi qenë të krishterë. Në këtë fe të re hyn e gjithë Europa, po edhe pjesë e Lindjes së Mesme kanë besuar fenë e krishterë deri nga vitet 1100, (shek.X -XI) edhe pas ndarjes së Perandorisë Romake në vitin 395 e.r  në Perandori Romake të Perëndimit (me qendër në Romë) dhe në Perandori Romake të Lindjes (me qendër Bizantin ose Kostandinopojën) ose e quajtur Perandoria Bizantine. Pra rreth viteve 1100 u nda dhe feja në dy pjesë: Feja Katolike me qendër Papatin e Romës dhe Feja Ortodokse me qendër Patriakanën e Stambollit. Ne si pjesë e perandorisë bizantine na mori Feja Ortodokse. Në kohën e ndarjes Shqipëria ka qenë në kufirin ndarës midis dy feve dhe për këtë arsye lugina jonë dhe fshati ynë trashëgon emra vendesh me origjinë katolike si Shëngjergj, Gjinakriq etj., po kështu edhe emra njerëzish e mbiemra si Gjondeda, Nika, Deda, Gjoka, Gjika, Ndreu, Lekë, Gjon, Muj, etj. Por krahas emrave kaltolikë vinë edhe emrat e tjerë si Gjon-Thanas, Gjomiha (Gjon Mihal, shën. im: A.H), Gjolekbosh (Gjon Lek Borsh, shën. im: A.H), maja e Boshe, maja e Thanasit etj. që janë emra të krishterë që kanë dhe fqinjët tanë jugorë.

Kjo periudhë e besimit katolik lidhet edhe me faktin e pushtimit të fiseve Anzhuine, të ardhur nga Italia e Jugut në vendin tonë, por që nuk qëndruan shumë gjatë, prandaj dhe ne nuk qëndruam gjatë në fenë katolike.

Kurse feja ortodokse hodhi rrënjë  tek ne , sepse ka qëndruar nga gjysma e dytë e shek. X deri në gjysmën e parë të shek.XVII, kur filloi një fe e re për gjithë vendin tonë. Në këtë periudhë është kthyer kisha e Shënkollit në kishë Ortodokse, kisha e qafës së Rotoit e ndërtuar nga bizantinët (ortodoksit) zbriti më poshtë, ku sot është kisha e Shiroke. Në këto vende të besimit ortodoks kryenin ritmet (ritet, shën. im. A.H) fetare të parët tanë. Por aty nga mezi i shek.XVII, kur vendi ynë u pushtua nga perandoria turke, filloi të ndryshojë edhe besimi fetar.

Turqit, për ta patur më të nënshtruar vendin, menduan të na ndërronin fenë tonë me fenë e tyre myslimane (islamizmi). Ata filluan ta vendosnin atë në fillim me anë të taksave, për çdo shqiptar ortodoks, ku përfshihej dhe fshati ynë dhe do të paguante çdokush 7 akçe (vleftë e parave turke). Kur e panë se kjo taksë jo e lartë paguhej, e shtuan dhe e bënë 700 akçe njeriu e më vonë 7000 akçe, gjë që popullsia nuk mund ta përballonte, prandaj turqit i ofruan ndërrimin e fesë. Kush bëhej mysliman nuk i paguante këto pará, kurse ai që nuk kthehej në mysliman paguante haraçin (taksën). Fshati nuk e kishte mundësinë e pagesës dhe pranoi  të kthehet në fenë myslimane. Këtë nuk e bëri vetëm fshati ynë, por gjithë Labëria. Fshati ynë ka qenë nga të fundit që u kthye, mbasi rezistenca e tij nuk gjeti mbështetje te banorët e fshatrave fqinj, që ishin shndërruar më herët. Këtë fakt e evidenton dhe kënga: “Tërbeçtë haraçe s’dhanë/ e shporrën Pashanë …”.Për t’u bërë mysliman pati dhe opcione të tjera. Ne, labërve, sidomos të parëve tanë, u ka pëlqyer krenaria, ndoshta  dhe të sotmëve, pra që të jemi urdhërues, pra të pranojmë ofiqe…dhe turqit kanë dhënë shumë në këmbim të fesë, duke i bërë komandantë në ushtri (por kuptohet, më parë duke i bërë myslimanë).  Edhe nga fshati ynë janë bërë komandantë ushtarakë në kohën e turkut dhe kanë fituar titullin e beut.

Babë Hyso Hodo ishte shumë plak, kur unë isha mësues në Gryka dhe më tregonte historira, një nga të cilat është dhe kjo. Ai jetoi 105 vjeç. Duhet të ketë qenë viti 1880, kur ai ka shkuar nizam (ushtar) bashkë me një tërbaçiot tjetër, që nuk e mbaj mend emrin e tij. Në Arabinë Saudite ishte një komandant ushtarak në pension dhe ka kërkuar nga repartet ushtarake aty pranë që në qoftë se ka ndonjë nizam nga kazaja e Vlorës t’ja dërgonin në shtëpinë e tij. Na thirrën në komandë e na thanë të dyve se do të venim tek një njeri i madh. Se na kërkonte, shkuam. Kishte një shtëpi shumë të madhe dhe salloni që na priti ishte mbi 20 mi gjatë. Ne i xheshëm këpucët dhe nga fillimi i sallonit deri te vendi në qoshe, ku rrinte ai pranë një oxhaku të madh, shkuam me gjunjë dhe u përulëm para tij. Ai na tha të çonim kokat e të rrinim normalisht. Na pyeti se nga ç’fshat i kazasë së Vlorës ishim. Ne i thamë se ishim nga Tërbaçi. Ai u çel në fytyrë e ndryshoi sjelljen e tij; na mori pranë, megjithëse i moshuar, mbi 90 vjeç e na puthi në ballë. Pastaj na pyeti për shumë të tjerë nga Tërbaçi duke na thënë: “Është më Guri i Pazares?”, “Po Guri i Petane në Shëngjergj?”, “Po ai muri në rrëzë të shkëmbit? ” e të tjera pyetje të kësaj natyre. Kjo ndodhì tregon qartë se ka patur dhe të tjerë si puna e atij komandanti (beu) që jetonte shumë larg. Mbas shek. XVII e sidomos në shek.XVIII e gjithë krahina e Labërisë u kthye në myslimane. Kundër këtij ndryshimi në fe ka patur shumë tërbeç, që e kanë kundërshtuar dhe më në fund: o u therën në Përrua të Kaurit, si i thonë dhe sot e kësaj dite, o u larguan nga fshati. Kështu ka qenë prifti i fshatit me emrin Pilo Prifti, që, duke mos dashur të kthehej në mysliman, u largua nga fshati e vajti në Kallarat, ku qëndroi 2-3 vjet e prej andej u largua në Qeparo, ku formoi dhe lagjen Bragjin, siç ishte në Tërbaç. Duke qenë feja myslimane një prioritet i kohës, i gjithë fshat u kthye në mysliman. Qeveria dha fonde dhe ndërtuan xhaminë e fshatit, që shërbente si qendër kryesore fetare në fshat. Kjo fe ka mbetur edhe në ditët tona. Por duhet të themi se të parët tanë nuk kanë qenë shumë të dhënë pas fesë, por e përdornin atë si mjet edukimi për fëmijët. Me sa mbaj mend tek ne, në Tërbaç nuk ka patur qendër fetare, sepse xhamia u prish nga një rrufe që ran ë të në vitin 1940. I vetmi që mbeti qe hoxha. Më parë qe Abas Laçja, që unë s’e mbaj mend dhe pas tij Fein Nika në Lekaj (lagje e Tërbaçit) e pas vdekjes së tyre nuk u përdor më asnjë mjet fetar, deri më 1967, kur u bë çrrënjosja e fesë nga shteti. Vlen të përmendet kënga e rapsodit Kujtim Mici: “Ç’i gjet’ zakonet që pamë”, kënduar nga Dashuri Hodaj (Mehmetaj) me grupin e mirënjohur të Tërbaçit:

Ç’i gjet’ zakonet që pamë,

Që na pat’ lënë Turqia?

Bënej dasëm në mëhallë,

Kërcit dollm’ e revania!…

 

Për grupimet mbi bazën sociale të fshatit subjekti i zgjedhur V.Lushaj na jep këtë informacion, i cili është i njohur e i ditur nga mbarë komuniteti në breza deri më sot dhe ne po e evidentojmë si një njohuri të transmentuar. Fjalët e bartësit nuk janë ndonjë gjë e re që s’e dinë banorët, por për ta bërë të ditur tek të tjerët po citoj mendimet e tij: “Duke folur për jetën e njeriut në tokë nuk mund të mbetet pa përmendur jetën sociale të këtyre  njerëzve. Kalimet e njeriut në proceset e ndryshme jetësore ka ndodhur gjithnjë nga shkaku i zhvillimit të mjeteve të punës dhe tepricave të krijuara nga puna, duke e bërë jetën më të mirë. Ne, vërtet nuk kemi të dhëna për jetën e të parëve tanë, por nuk mund të përjashtojmë ata nga mënyra e jetesës së përditshme të kësaj populate, ku bënte pjesë dhe komuniteti i fshatit tonë. Por jeta bën të sajën me dyndjet, pushtimet, detyrimet, asimilimet, rezistencën. Asimilimi i një populate është bërë me zëvendësimin e një tjetre, që i ka rezistuar kohës dhe ka ardhur e shkruar deri në vitet 1431-’32, ku gjendet emri i Tërbaçit me 18 familje për të paguar detyrimet qeverisë turke, në Timarin Nr. 76 “Jurguç” në vilajetin e Kaninës. Kjo tregon se fshati i Tërbaçit ishte në gjendje të mbante jetën e tij dhe t’i  jepte edhe sulltanit detyrimet. Pra kjo tregon se fshati ynë ka patur një jetë sociale të trashëguar shumë herët edhe që ka ardhur vazhdimisht duke u përmirësuar, prandaj dhe qeveria turke bënte regjistrimet për të marrë detyrimet ndaj tyre. Edhe popullsia e fshatit tonë, si shumë të tjera në Shqipëri, e kanë kundërshtuar vendosjen e detyrimeve, duke përdorur mënyra të ndryshme. Një prej tyre është grupimi i fshatit në fise dhe në mëhalla të mëdha, sepse duke qenë të bashkuar mund të mbroheshin më mirë ndaj qeverisë e koshadheve turke. Nga studimi për historikun e të parëve tanë kanë dalë tre fise të mëdha, që janë Bragjini, i cili ndodhet në krye të fshatit, Harmasi, që zinte pjesën e poshtëme të fshatit dhe Bitajt, që ndodheshin në krahun perëndimor të fshatit. Këto fise ndaheshin në mëhalla ose gjini dhe këto të fundit ndaheshin në familje të mëdha, që më voë u copëzuan. Në Tërbaç kanë ekzistuar 79 fise, të cilat nuk kanë qëndruar të gjithë në fshat. Bujqësia është zhvilluar  buzë lumit e poshtë në fushë të Bramyshnjës, në Fëng e ku kishte mundësi për të hapur toka buke. Me që fshati ynë është vend malor, më tepër është aplikuar blegtoria dhe njerëzia kanë shtegtuar pas tyre duke e lënë fshatin e duke jetuar pas tyre. Emrat (mbiemrat) e këtyre familjeve janë vendosur nga emri i të parit të tyre. Po marr shembull. Mbiemri i fisit të madh të Lushajve ka mbetur nga stërgjyshi ynë Lusho Meto. Po kështu ka ndodhur edhe me fisete tjera tërbaçiote. Po kështu mund të themi dhe për emrat e lagjeve, që për emërtimin e tyre kanë shkak emrat e njerëzve të parë ose për shkak të vendndodhjes së tyre. P.sh. lagjia e Leke e ka marrë emrin e Lekë Shorit, të parit të tyre; Buzukju vend, buzë ujit, (buz’ujt’, buz’ujk ,sqarim imi, A.H). Bramyshnjë, vend që rrjedh ujë vazhdimisht (por emërtimi i saj e ka zanafillën qysh nga pushtimet slave, që do të thotë “ Branisht”, pyjore e shtruar. Nuk dihet si quhej para dyndjeve sllave, por që ka qenë pyll dhe u kthye në tokë buke me djegien, shkuljen e prerjen e tij nga të parët- kjo dihet, se është transmentuar gojarisht brezave. Shën.im, A.H)

Një çështje tjetër që kërkuam nga  subjekti i zgjedhur ishte tema: “Marrëdhëniet martesore në fshat” dhe volëm këtë informacion: “Një nga ngjarjet më të rëndësishme për njeriun ëshët martesa, e cila sjell edhe riprodhimin njerëzor, se është dhe një nga ligjet kryesore biologjike Martesa është ngjarja më e rëndësishme dhe më e gëzueshme në jetën e çiftit dhe të gjithë familjes. Po si janë realizuar këto martesa që në kohët më të largëta e deri më ditët tona? Për këto ka disa mënyra e forma të ndryshme.

1) Martesat jashtë fshatit që bëheshin zakonisht me fshatrat e krahinës ose edhe më larg, ku kihesh parasysh dera dhe fisi ku do të shkonte vajza apo ku do të mirrte djali. Ne si fshat kemi bërë më tepër martesa më tepër me fshatrat Bolenë, Ramicë, Velçë, Dukat, Kaninë etj. Sidomos në kohët më të para janë bërë këto krushqi. Me fshatin Vërmik nuk kemi bërë krushqi, se me sa kam kuptuar nga të parët ka të bëjë me titullin e fisnikërisë. P.sh.:Aty nga vitet 1900 një nga vëllezërit Bylyshaj, që qenë vëllezërit e gjyshes sonë nënë Bakos, u martua duke marrë një vajzë nga Vërmiku. Po kështu edhe me Vranishtin, sepse ata i shanin, duke u thënë “koveç” e “evgjit”, jo se qenë nga fisi të tillë, por këto paranoma i kanë marë “ me meritë” nga të bëmet,( tabiati). Kurse mbas viteve ’60 ( të shek. XX, kuptohet, shën im. A.H) raportet kanë ndryshuar; me Vranishtin kemi krushqitë më të shumta, si në marrje dhe në dhënie të nuseve dhe na respektojnë e i respektojmë shumë.  Tërbaçasit kanë patur dhe kanë edhe sot shumë krushqi me vendet fqinje dhe atyre të rretheve të tjera. Këto të fundit kanë ndodhur në periudhën e socializmit, kur djemtë tërbeç kanë qenë të vendosur me punë në rrethe të ndryshme të vendit.

2) Martesa brenda fshatit që bëhen midis familjeve të fshatit, që nuk kanë të bëjnë me gjak midis tyre. Për këtë mund të them se janë krushqitë më të shumta që janë bërë. Por edhe këto kanë patur disa norma, rregulla e kritere për t’u bërë. Zakonisht shikoheshin fiset, pasuritë dhe dera që do të bëjë krushqinë. Shikohesh  se çfarë fisi ishte dhe nga fisnikëria a kanë pozita të barabarta apo jo, sepse ne nuk mund të shajmë fiset, por ato vetë fshati i kishte ndarë nga të bëmet dhe u vendoste ndonjë paranomë, që mbetej e trashëgohej brez pas brezi. Përshembull, pse i thoshin Nurçe Qarri, kur ai quhej Nurçe Haxhiaj? Gojëdhana thotë: “ Shumë shpejt burrat e Tërbaçit do të shkonin në Vranisht në një ngushëllim dhe të parit të Haxhie që ishte në Koshtër (toponim në Tërbaç, A.H) për të ruajtur misrin kishte bërë një shtrat për të ndenjur në një pemë qarri, nga ku shikonte orën që të mos e hante misrin dosëbala.

I folën: “Hajde se do vemi në vaki”. Ai u tha: “Nuk vij dot, se nuk e lë misrin vetëm” dhe ata i thanë: “ Ik, ore qarr…!”. Këshu u mbeti paranomi Qarraj deri në ditët tona.  Më përpara thoshim: “Ku vete?”, “ Ja, këtu, në Qarraj”. Për këto ka dhe shembuj të tjerë.

Ç’kuptojmë me martesë jashtë fisit e mëhallës? Ku bënin pjesë këto miqësi?

-Martesat në mëhallë nuk bëheshin se konsideroheshin një rrjedhë gjaku. P.sh. dy mëhallat e mëdha Strataj e Lekaj që vinin nga një vëlla, nga një i parë që qe  Shori{Strat Shori

Lekë Shori,

vëllezër që krijuan dy mëhallë të mëdha atë të Strate  dhe atë të Leke} që nuk bënin krushqi me njëra-tjetrën, se konsideroheshin gjak i afërt. Kjo vazhdoi deri nga vitet ’50 të shek.XIX. Mbas kësaj periudhe u shtuan fiset në këtë mëhallë, por megjithatë ruhen këto rregullae zakone. Mëhalla ka fise të shumta. P.sh. mëhalla e Strate ka Brenda saj këto fise: Lushaj, Malaj, Sinaj, Gaçaj, Rrapaj e Xhuvelaj, të cilët, brenda tyre, deri në vitet ’60 të shek. XIX venin e vinin në dasma te njeri-tjetri dhe që nuk bëhej fjalë të bëhej krushqi, megjithëse brezi ishte shumë i largët. Por…edhe këtu është bërë një prishje e zakonit. Fisi I Rapue ka marrë një nuse në Gaçaj. Po kështu ka ndodhur edhe në disa mëhalla e fise të tjera, fenomene këto të shfaqura mbas viteve 1990.

Po si bëheshin kryshqitë? Këto kishin tri mënyra: a) me mblesëri, b) me dashuri, c) me fejesë në djep.

a)  me mblesëri. Shkonte mblesi (një njeri që i jepej ta bënte miqsinë në fshat). Në fshatin tonë ka patur shumë, por një prej tyre ka qenë xha Aredini, Aredin Muharremi, që i ngjiste fjala si me zamkë. Këtu djali me nusen nuk njiheshin kur ishin në fqinjë, kurse në fshat mund të njiheshin si fshatarë, jo s’e kishin ndonjë gjë me njëri-tjetrin. Nusen në këtë lloj fejese nuk duhej ta shikonte burri apo njerëzit e tij, prandaj kur vinin ose takoheshin rastësisht në rrugë ajo do të ikte me vrap të mëshihej (fshihej, A.H). Këto lloj fejesash zinin vendin e parë për kohën e kaluar .

b) me dashuri, kur dy të rinjtë njiheshin dhe dashuroheshin. Këto, në atë periudhë nga 1900- 1940 qenë të rralla. Unë do të jap dy shembuj: p.sh. Zenel Murati e ka rrëmbyer me dashuri Bedrie Qamten apo Brahim Lusha e ka rrëmbyer Shero Ademen. Kurse pas viteve 1945 deri në ditët e sotme kjo lloj martese ka qenë nga më kryesoret në fshatin tonë.

c) fejesa në djep ose në bark të nënës, këto janë bërë nga nënat e fëmijëve. Kur ishin me barrë e u hahej muhabeti,i thoshin njëra-tjetrës: “ Po qenë djem do i bëjmë burazerë, po qenë djalë-vajzë do t’i martojmë”. Unë di dy, tre raste, por nuk ëshët nevoja t’i përmend.

Po si bëheshin dasmat? Ato bëheshin kryesisht ditët e diela, por kur kishte ndonjë hall a nevojë  bëheshin dhe ditën e enjte.. Dasma hapej një javë më parë tek nusja ose te djali, vinin dajorit e njerëzit e mëhallës dhe fillonin këngën. Kjo quhej hapja e dasmës. Ditën e enjte bëheshin karthet, ku vajzat e mëhallës shkonin për dru dhe binin dru për dasmën duke kënduar e duke bërë lodra me improvizimin e nuses e dhëndrrit dhe përfundonte me një drekë. Të shtunën në darkë vinte mëhalla, që merrte dhe masat për dasmën, kurse të dielën në drekë vinin miqtë e largët e të afërt. Hahej dreka dhe, kur qe vajzë përcillej vajza, që me të shkonin tre vetë deri tek dera e djalit, burrit. Mund të rrinin ose jo për darkë, tek krushku. Kurse kur qe djalë hahej dreka dhe shkonin krushqit që të merrnin nusen dhe në darkën e së dielës bëhej darka (festa) më e madhe e dasmës.

Kur ishte nusja në fqinjë i zoti i shtëpisë dërgonte që të shtunën tre sinixhì (përfaqësues): një grua e dy burra dhe ktheheshin të dielën me nusen. Këta ishin motra e dhëndrrit, dajua dhe një nga fisi i djalit. Nusja merrej, në atë kohë, me kalë që ishte i rrallë në fshat. Nusja hidhte një cipull në vend të vellos. Cipulli ishte një beze e kuqe, taftá i kuq ose akllas i kuq, që ishte i qepur në formë konike. Në majë vendoseshin lule dhe një pasqyrë e vogël. Ajo me vete merrte edhe pajën që kishte bërë tek dera e babait. Kur vinte tek shtëpia e burrit ajo qëndronte në këmbë në fund të shtëpisë (nusëronte). Pas një ore dilnin njerëzit që ndodheshin tek nusja dhe futej dhëndrri, i përcjellë me shuplaka e karamele, që brenda me nusen qëndronte rreth një gjysëm ore dhe i hiqte nuse cipullin (por akoma jo cipën…) Nusja kthehej tek prindërit e saj për vizitë ditën e mërkurë ose të enten, pasi ditën e martë kishin qenë për vizitë te nusja prindërit e saj me të afërmit, ku hanin dhe një drekë.

Po si bëhej dreka ose darka? Fillimisht në dasëm djem e vajza bënin lojëra të ndryshme popullore dhe këngë e valle dhe nuk shtroheshin në sofër (tavolinë) për të ngrënë ushqim. Kurse në sofër uleshin pak burra të moshuar që u vihej raki me meze për të shoqëruar pijen. Ushqimi shërbehej nga mëhalla. Në fillim vihej në sofër çorva (supë me limon, vezë e lëng mishi) që shërbehej  në tasa druri ose baltorë. Në dy, tre tasa hanin të gjithë burrat e sofrës. (Një sofër kishte 12 vetë). Pastaj vinte një tepsi e madhe me dollmë ose arapash e mbulluar me mish të pjekur. Atyre që qenë miq u viheshin nishane, sipas hierarikisë, rëndësisë miqësore. Më i rëndësishmi qe bishti, pastaj ana e kokës, veshja me dhjamë, shpatulla e me radhë. Pastaj servirej byreku i pa prerë fare në një tepsi dhe njerëzit e merrnin me duar. Në fund sevirej revania (ëmbëlsirë) e kjo ishte dreka. Kënga lëvonte gjym e ndizej flakë shtëpia, siç ishte tradita dhe e donte dasma. Këngë gazmore për çiftin, për krushqit e me hidh e prit, që ishin thumbuese, po aq të këndshme e pa të keq.

Këto zakone janë përdorur deri para viteve ‘60 të shek.XX, mbartur nga shek. XIX e më përpara, kurse sot kanë ndryshuar shmë gjëra dhe janë vendosur norma e rregulla të reja, se si i thonë fjalës” de hedh këmbën sipas valles”, domethënë do të veproj sipas kohës, si të tjerët, se veç të ha uku…

Me që jemi te martesat, nga nëna ime Bejre Abazi, datëdindja 1940, me 5 klasë shkollë, lindur, martuar e pleqëruese në Tërbaç kam marrë vesh për një rast të aplikimit të sistemit të leviratit, ndodhur në vitet 1949-’50. Lile Mehmeti (Balili) nga Kuçi qe fejuar nga prindërit që në djep, që në bark të nënës, si i thoshin dikur. I fejuari qe ushtar në Delvinë dhe, si duket, vdiq gjatë shërbimit të detyruar ushtarak . Për të mos u prishur miqësia, Lilen e mori grua vëllai i burrit të saj të vdekur, me të cilin nuk pati as fëmijë, se nuk u realizua martesa. Emrin e tij nuk e di, se as imë nuk e mban mend, por edhe për ta gjetur nuk jam interesuar, se nuk më është dukur e rëndësishme për t’u evidentuar. (Mjafton fakti, pa dhe emrin e gjejmë nëse duhet). Vëllai i gjallë që mori grua Lilen quhet Hito. Krijoi familje me të, bëri fëmijë, vijuan jetën normale dhe tani pleqërojnë si gjyshër e stërgjyshër.

 

Për pronën dhe ndarjen e saj, nga bartësi në fjalë, po sjellim këtë material: “ Prona është baza kryesore e jetës dhe mbijetesës për njeriun dhe pa të nuk do të kishte pasur dhe nuk do të ketë prodhim, që të çon më tej në një zhvillim më të madh social-ekonomiko-shoqëror. Edhe në Tërbaç, si në çdo fshat tjetër popullsia që jetonte e jeton atje ka pronat. Për këtë arsye dhe Perandoria Osmane me regjistrimet e popullsisë që nga viti 1432 e në vazhdim ka patur synimin që së bashku me popullsinë të regjistronte dhe pronat e tyre e mbi bazën e tyre të vendoste taksat mbi popullsinë. Prona si koncept ka lindur qysh në lashtësi, kur kryetari i fisit ndau tokën midis anëtarëve të fisit të tij, në kohën që prodhimi i saj plotësonte nevojat ekonomike të gjithë njerëzve. Edhe në fshatin tonë prona private ka ekzistuar e ndarë sipas fiseve, por edhe sipas rregullave, normave e zakoneve të fshatit. (Kryetari i fisit vërtet i ndau pronat anëtarëve të fisit, por gjithmonë sipas interesit të tij. Di që gjyshi im nga babai ka qenë djalë i vetëm e rritur bonjak, se i ati i vdiq i ri. E mbajtën kushurinjtë e parë, ata iu bënë në vend të babës, e martuan, e ndanë zjarr më vete, kuptohet aty pranë tyre dhe i dhanë pak krerë bagëti, mera e tokë, se e konsideronin vëlla dhe kishin detyrime për t’u kujdesur deri sa ta ndizte vetë, se kështu qe e drejta dokesore në vëllazëritë e Tërbaçit. Veçse i dhanë pronë ca toka shurishte, gociqe të vogla, rrypishte, ndërsa për vete mbajtën arat me gjalpë, të shëndetshme, jo shtufishte, pa gurë që prodhonin . Kështu më ka thënë imatë por edhe me sytë e mi e kam parë  vendin ku të parët tanë kanë banuar, rrëzë malit, në Somitkë. E dinë dhe xhaxhallarët e mi, vëllazëria, fisi e mëhalla. Shën im. A.H). Si pronë bazë ka qenë toka bujqësore, kullotat dhe pyjet. Fshati ynë më shumë anon si fshat blegtoral se sa bukqësor. Duke qenë i tillë banesat i ka ndërtuar në brinjë, larg tokës bujqësore, se e kishte të shtrenjtë atë tokë buke. Çdo fshatar ka patur tokën e tij dhe më i madhi nuk i kalonte1.5 hatokë, të ndara sipas frymëve dhe fiseve; kurse toka më e mirë që ishte Bramyshnja me rreth60 ha, pothuaj ishte e ndarë në ngastëra për çdo familje, sepse qe vërtet hambari i fshatit. Rrallë gjeje familje që s’kishin pjesë aty. Me përjashtim të Horës (lagjia buzë lumit, A.H) që kishte një pjesë të madhe të tokës nën ujë, pjesa tjetër e fshatit i kishte tokat serikóje (nuk vaditeshin) . Kjo gjendje ka qenë deri më vitin 1975, pastaj tokat në pjesën më të madhe dhe mund të themi se 95% e saj ishte nën ujë, kurse shumë pak nga kjo tokë ngelej serikoje. Kjo gjë vazhdoi deri në vitet 1990, pastaj u prishën pompat e gjithë toka doli pa ujë.

Përveç tokave që qenë ndarë në prona të veçanta  kishte edhe pronë të përbashkët, që ishin kullotat dhe fshati yn ëka patur shumë të tilla. Atje gjithë fshati kishte të drejtë që me bagëtitë e tij  të kulloste në ato vende, siç janë Brinjat mbi fshat, që fillojnë nga Shëngjergji në Gjinakriq, kufi me fshatin Brataj. Gjithë Dushku dhe rrethinat rrëzë maleve, Grabìa, Maja e Zezë, Sinogjinet, Gjinet, Vilëza, Kollómat, Lugu i Thellë, Trapet e Zes’ edhe ndonjë vend tjetër. Përveç pronës së përbashkët janë edhe malet, të cilët qenë ndarë sipas mëhallave, ku spikat edhe mënyra e veçantë e shfrytëzimit të tyre. Nga fiset që nuk kanë patur mal në fshatin tonë kanë qenë Gjikajt, Salatajt, Kozhupajt. Kjo gjë ka ndodhur për shkak të prejardhjes së tyre dhe gjykimit të bërë nga pleqësia e kohës së lashtë. (Mendoj se kjo ka ndodhur mbasi ata nuk ishin vendas, por kanë ardhur dhe janë mbështetur në mëhallat e mëdha e vëllazëritë më të fuqishme, si fise të fshehur, janë pranuar e njësuar me vendasit pritës me shumë të drejta , sikurse ata, por patjetër dhe me kufizimet siç është e drejta për mera, për kullotë, për mal. Shën. im A.H).

Gjithashtu në pronën private futen edhe shtëpitë ose trojet e vjetra, që ka disponuar çdo familje tërbaçiote. Pronat në fshatin tonë, si në çdo fshat të vendit, kanë pësuar një tronditje në vitet e sistemit socialist . tek ne, në Tërbaç kjo ndodhi më 25 mars 1956, kur u formua kooperativa bujqësore e fshatarët u mblodhën e u bënë pronë e përbashkët. Toka, mali, bagëtia tok, por jo për vete për  të tjerët, e kjo zgjati deri më vitin 1991. Gjatë kësaj kohe pati dhe ligje për pronat e patundshme, siç ishin shtëpitë. Në vitin 1967 doli një vendim i qeverisë për konfiskimin e shtëpive dhe trojeve që nuk kishin njeri në fshat, pra kishte shtëpi dhe  troje që të zotët e tyre ishin larguar me punë nga fshati në qytet ose në fshatra të tjera. Pra këto shtëpi u konfiskuan dhe u vunë në dispozicion të këshillit të bashkuar. Ky organ i pushtetit vendor për kohën një pjesë i ktheu në kopshte, çerdhe apo institucione të tjera social- kulturore ose ua shiti familjeve të reja që krijoheshin në fshat. Por në vitin 1973 ky ligj u shfuqizua e kush pati mundësi i rimori pronat. Mbas viteve 1990, me ndryshimin e sistemit ndryshoi edhe prblemi për konceptin e pronës. Çdo familje në fshat do të bëhej me pronë, pra do të merrte tokë dhe bagëti në bazë të ligjit nr. 7501dhe jo sipas asaj norme të trashëguar brezave që çdo pronë të vente tek i zoti. Fjala vjen, Sherif Lushua dorëzoi në kooperativë një kope me dhi prej 350 kokë dhe 1ha tokë. Me ndarjen e re nuk ka të drejtë ta marrë atë që dha, por do të marrë sipas ligjit. Pork y ligj bën dhe përjashtime të tilla që tokë do të marrin të gjithë ato familje që me ndarjen e tokës u ndodhën në fshat. Kishte shumë familje të reja që familjen rrënjë,  familjen bazë e kishin në fshat si p.sh. oficerët e rinj ose nëpunës të tjerë si mjekë, mësues, inxhinierë etj. Që qenë në vende të tjera pune, jo në fshat dhe nuk përfituan asnjë gjë nga reforma. Gjithashtu edhe familjet e nëpunësve që banonin në fshat nuk merrnin tokë baraz me familjet e kooperativës. P.sh., unë vetë me gjithë gruan ishim nëpunës (mësues të dy) dhe unë mora një të tretën e tokës që merr një person, kurse fëmijët e muarën të plotë; ndërsa bagëtia u nda për frymë, porsi toka, po kështu u ndanë edhe pjesë të pronës së kooperativës.

Vijon pjesa II

 

 

BIBLIOGRAFIA:

1) Fjalor Enciklopendik Shqiptar; Tiranë:1985, f. 1091

1/1) Fjalor Enciklopedik Shqiptar:v.3 (FESH); ASHSH: Tiranë,2009, f.2695

2) Tërbaçi në rrjadhat e historisë; Tiranë: Toena,1998, f.15

3) Beqiri, Selim: Si u krijua dhe si mbijetoi Tërbaçi; Vlorë: Pavarësia,2010, f.12

4) Demiraj, Shaban: Prejardhja e shqiptarëve nën dritën e dëshmive të gjuhës shqipe; Tiranë:Shkenca,1999, f.55

5) po aty, f73

6) po aty, f.75

7) po aty, f.75

8) Thunmann 1774, 215v

9) Baron Nopça: Antropologji kulturore (dispencë)

10) Beqiri, Selim; libër i cituar më lart, f.7

11) Veizi, Fane: Bregu i Detit në këngë;Tiranë,1998, f.3

12)Rrapaj, Fatos M. Këngë popullore të Labërisë; Tiranë:1990, f.772

13) Beqiri, Selim; libër i cituar, f.14

14) Trushaj, Aleks: Elementë të trashëgimisë kulturore në zonën e Sipërme  të Shushicës (krahina e Mesaplikut) Buletin shkencor nr.12: (UVIQ),Vlorë:Europrint;2008, f.123, 126

159 Mitat Frashëri te Kulla, Ndriçim: Antologji e Mendimit Shqiptar 1870-1945, Tiranë: Plejad,203, f.118

Vlorë, e shtunë, 02.02.2013

 

   

Filed Under: Kulture Tagged With: Albert Habazaj, e Terbacit, struktura sociale, Vlore

GRAVURË KOHES PËR E KËSHTJELLËN E KANINËS MË 1690

January 8, 2013 by dgreca

NGA GEZIM LLOJDIA

1. Gravura përmban elementët të sulmit venedikas përmbi kalanë e Kaninës. Gravura është punuar(nga P.Coronelli. Datimi saj në krahun e djathtë regjistron vitin 1690. Ndërkaq që ka të shënuar :Canina presa da Veneti a Turchi .Çfarë të reje sjell gravura e kohës ? Ajo paraqet në planin e përgjithshëm kala në qendër të saj si dhe kodrat që e rrethojnë atë. Punimi gravurës është një tregues për vërtetësinë historike të përpjekjeve për të sunduar kalanë shekullore gjatë luftimeve turko-venedike ,që i përkasin afërsisht shek XVIII.

2.

Ka të dhëna të cilat bëhen mjaftë të rëndësishme për një ndër objektet monumentale e cila është klasifikuar në grupin e kalave, që mbajnë përmbi shpinë, shekuj të tëra jete.

Kalaja e Kaninës është një pikë dominuese në gjirin e Vlorës. Dhe përndryshe është pagëzuar:”Ballkoni i Vlorës”. Akropoli i arrin në kuotën e 398 m. Panorama nga kjo hapësirë qiellore është mbresëlënëse deri mistike. Në jug të kalasë shtrihet katundi i cili është zhvillimi i varoshit të

vjetër mesjetar thonë Gj,Karaiskaj dhe S.Dashi në një studim për rijetizimin e saj. Nga banesat e vjetra kanë mbetur vetëm rrënoja guri si dhe disa prej tyre, që kanë qenë qendra kulti.

3.

Pasqyrim i plotë në përmbajtjen e gravurës është se:në luftën turke venedike te shek.XVII Kanina luan një rol te veçante por e paguan këtë rol me rrënimin e saj. Ne vitin 1691 venedikasit që e kishin marrë atë bashkë me Vlorën një vit më parë e hedhin ne erë me mina për të mos ua dorëzuar turqve në gjendje të shëndosh. Që prej kësaj kohe, pavarësisht riparimeve që iu bënë në shek XVIII kështjella e humbi funksionimin e saj të mëparshëm. dhe shërben kryesisht si rezidencë e e fortifikuar e sundimtarëve të qytetit të Vlorë,qendra e së cilës ishte spostuar më kohë në Berat. Kështjella fillon e shkretohet aty nga 1832 pas rënies së pashallëqeve aranute. Më 1919 mbi njërën nga kullat gjysmë të shkatërruara,aty ku kishin qenë sarajaet e Zenle Pashë Vlorës, u ngrit “sahati i katundit” me mekanizëm gjerman dhe një kambanore historike marrë nga kisha e Shën Onufrit aty pranë. Por sikurse dihet pjesa e mbetur e kështjellës kulla e sahatit dhe rrënojat e saj u shemben nga bombardimet që flota italiane i bëri Kaninës më 1920. Eqerem Bej Vlora sjell shumë të dhëna. Gravurë e kohës mbi sulmin venedikas në kështjellën e Kaninës më 1690(nga P.V.M.Coronelli) . Për punime restauruese afër saj nga komuna Qendër një vit më parë pati debate të mëdha lidhur me dëmtimin dhe marrjen e gurëve të saj. Debate të cilat u përgënjeshtruan nga IMK për dëmtimin e monumentit historik shumëshekullor.

4.

Kush ishte P.V.M.Corornelli. Njihet si Padër Vicenzo Maria Coronelli . Jeta e tij filloi më 1650 dhe zgjati deri në 1718. Ishte gjeograf, hartograf, shpikës dhe printer, ,murg venecian Vicenza Coronelli mund të konsiderohet si një nga globemakers më të famshme të shekullit 17: globusetka krijuar në vitin 1683 për pallatin Louis XIV e në Versajë më shpejt tërhoqi vëmendjen si objektet e mëdha .Coronelli vetë jetoi shumicën e jetës së tij në Venecia, në manastirin e Santa Maria dei Frari Gloriosa, ku ai themeloi Accademia degli Argonauti, konsiderohet të jetë një nga shoqëritë më të vjetra gjeografike në botë. Një shkrimtar palodhur dhe botues, në vitin 1690 botoi Coronelli Veneto Atlante tij (duke përfshirë “Libri i Globes ‘i famshëm), e cila konsiderohet atlasi parë që janë prodhuar në Itali. Cosmographer zyrtare në Republikën e Venedikut, Coronelli kombinoi edhe kartografi me punë në enciklopedinë e parë të “stilit modern ‘i gjeografisë, për fat të keq mbetur e papërfunduar. Doktor i Teologjisënë Shën Bonaventura në Kolegjiumin Romë në vitin 1673. Ai prodhoi një palë globuset për Louis XIV në 1683. Harta ka 27 harta (14 Gores Globe), dhe 2 globuset (njëqiellore, tokësore e) nga Coronelli në koleksionin e saj.

5.

Ka një të dhënë, që vërteton thënien se gurët e kalasë kanë ndërtuar jo pak ndërtesa përreth saj në kohëra të ndryshme të historisë. Ndër elementët urbanë arkitekturorë përmenden dy hapësira të mëdha që janë fortesa kalaja dhe kështjella ose Citadela. Fortesa përmbante tre hyrje,jugu, lindja dhe veriu sipas këtyre studiuesve ata kanë pasur emetimin: porta ose dera e fshatit,Porta e beut, dhe Porta e Mbretit. Në shekullin e XX janë prishur të tre porta ndërsa kishin ekzistuar deri atëbotë.Pallati i bejlerëve ishte një shtëpi e madhe me 4 kulla të tipit shtëpi Labërie.

Disa të dhëna:Godina ishte ngritur më 1701 nga Zejnel Pasha mbi banesën e të parëve ngritur nga Gjegju Sinan Pasha ,sanxhak bej i Vlorës më 1502,u dogj gjatë pushtimit venecian, E datuar në 26shtator 1690 të udhëhequr nga Daniel Delfino. Pukvil njofton: 1807 kalaja u meremetua. 1812 meret nga Ali Pash Tepelena.1848-1850 vendoset një garnizon turk. Banesa e ngritur nga Zenel Pashë Vlora shkatërrohet në 1832 dhe më 1919 dhe u shkatërrua nga bombardimet e vitit 1920 që bëri flota italiane në qershor të atij viti. 1916 italianët vendosin aty një garnizon.

Filed Under: Kulture Tagged With: Gezim Llojdia, Gravure, Kanine, per keshtjellen, Vlore

DRITËSI FLAKE MBI UJË E NJË AJSBERGU KULTURE*

January 3, 2013 by dgreca

Nga Albert R. HABAZAJ/ Studiues, shkrimtar/

Kryetar i Shoqatës Patriotike Kulturore “Tërbaçi”, Vlorë/

 Pas prindërve, për mua, më të shtrenjtët janë mësuesit, sepse pa ata nuk mund të isha. Ata më bënë, më rritën dhe më edukuan të dashuroj Atdheun, jetën, kulturën e diturinë.Mësuesi është edukator, udhëheqës, që të merr për dore, me sy, me shpirt, me mendje drejt arsimimit të plotë, që pa ata nuk mund të arrihet dot. Ka mësues dhe MËSUES. Ka qenë, është dhe do të jetë një armatë e respektuar arsimtarësh që ndezin dritëza për filizat që rriten.

Të japësh mësim, rrezaton dituri. T’i japësh mësimit, kulturës, diturisë në tërësi, shndërrohesh në rreze drite…Këto kalova ndërmend menjëherë sa mbarova, jo së lexuari, por së studiuari, librin më të ri të shokut të babait tim-Selim Beqirit: “Humor dhe mençuri, Legjenda e Simbole Trimërie Tërbaçiote”-pjesa mbi ujë e ajsbergut: “Krijimtaria popullore tërbaçiote” fantazi, humor, fragmente simbolesh nga këngë epiko-historike.

Selim Beqiri është një nga bijtë e Tërbaçit, që me kapacitetin intelektual dhe dinjitetin njerëzor, e ka dhënë dhe po e jep kontributin vetiak për vendlindjen. Ai ka qenë mësues kur shkënditë u ndezën në qiellin tonë. Ai ka dhënë mësim dhe i  ka dhënë kulturës.

Nuk kam ndërmend të shkruaj për monografitë e tij aq të mirëpritura: për “Gjeneralin fisnik”, as për atë në nderim të bujarit-Resul Veliu,-që ka përmasat e një heroi vërtet vigan të Lirisë, as për “Banën”-kushtuar njërës nga trimëreshat e Tërbaçit, nënë Rabihanës së bardhë e të rrallë, as edhe për të veçantin libër-“Trashëgimia”, ku përfshihen dy pjesë: “Besa dhe besëlidhjet” dhe “Tërbaçi-Fjalorth historiko-gjeografik”, as për traktatin historik, edhe pse vetëm me 113 faqe kërkimore-shkencore-“Si u krijua e si mbijetoi Tërbaçi”, as për monografinë “Luftëtar brez pas brezi”-Merkoselimajt, të cilat autori i quan punime modeste edhe pse ato kanë sinqerisht vlera të çmuara kulturore e në respekt të zakoneve më të mira e të traditës së vyer që kemi trashëguar deri më sot.

Është një botim i ri dhe pikërisht libri: “Humor dhe mençuri, Fantazi e Simbole Trimërie tërbaçiote” që të thotë: NDERO VETEN!

Sipas Fjalorit Enciklopedik letrar me krijimtari popullore ose folklor kuptojmë veprat poetike e tregimtare të krijuara nga autorë popullor anonimë, që kanë kaluar gojë më gojë. Mund të përkufizohet shkurtazi letërsi gojore e popullit…

Të krijuara që në kohërat e lashta, ato kalojnë me anë të rapsodëve, bardëve dhe secili prej tyre i plotëson ose i ndryshon. Punimi me pasion i dr. Selim Beqirit, që e adhuron dhe e nderon kulturën popullore të ardhur deri më sot, na njeh që në fillim të librit me ato vlera kulturore, që i paraqiten lexuesit, në përgjithësi, kulturëdashësve dhe studiuesve, në veçanti.

Libri është pajisur me thesarë të vyer shpirtëror, të krijuara nga populli Tërbaçiot gjatë historisë së tij dhe të trashëguara brez pas brezi.

Vetvetiu buron një krijimtari e motivuar tek autori, sepse gjeografia e krijimtarisë është pikërisht treva jonë e dashur tërbaçiote dhe shpirti i thellë i Tërbaçit, në veçanti e i Labërisë në përgjithësi. Ndër botimet që u përçojnë brezave kulturën e përshtatshme popullore, si gurrat e vrullshme të maleve në pranverë, libri është një “dritësiflake”, në qoftë se mundem të përdor një shprehje nderimi burimore të poetit të njohur lab Agim Shehu.

Do të mjaftonte ky libër që Selim Beqiri të quhet një gjurmues, vjelës e studiues cilësor i kësaj veprimtarie krijuese, që e ka mbajtur të gjallë, të freskët e të shëndetshme shpirti i artë popullor.

Me botimin e këtij materiali lexuesi do të ketë në dorë një libër me fizionomi origjinale, shkruar me një stil të rrjedhshëm, me përmbajtje humaniste, sikurse është vetë Tërbaçi im dhe i autorit, burim energjie që papushim prodhon dashuri njerëzore. Jam munduar të jem sa më pak, mundësisht, por e pamundur aspak subjektiv, në vlerësimin tim për profilin e autorit, të cilin e plotëson faqe pas faqeje tek teksti që kam para syve të mendjes e të shpirtit. Autori ka mundësuar me stilin e tij një komunikim lirisht të kthjellët me lexuesin, që të bën ta lexosh pandërprerje.

Ky botim është një gur qosheli në ndërtesën e historiografisë shkencore, gjuhësore, letrare e historike të Tërbaçit, sepse plotëson një zbarazëtirë të ndjeshme në kulturën e shkruar.

Autori nuk është një regjistrues emocional i materialit argumentiv kulturor, por edhe vlerësues objektiv e kritik i tyre dhe model për t’u ndjekur nga disa shkrues hapaçelë, që edhe në malore, i fusin të pestin me botimet e tyre.

Me botimin e dhjetë legjendave të dëgjuara e me jehonë, me ato relikte të çmuara mbijetese, shpalosen vlera me interes për fushën etnofolklorike-tërbaçiote…

Humori miqësor që ka përzgjedhur autori në këtë libër është si sherbet për bakllava, ndërsa ato pakëz këngë të zgjedhura popullore, me motive trimërie, juanë tamam si ato hojet e mjaltit nga kosherja e gurrës popullore, aq gjëmimtare sa vetë emrat lavdimëdhenj të bijve vigan të Tërbaçit tonë me nderim sa dielli…1

________________

1-Origjinali i plotë ruhet në arkivin personal të S.Beqirit.

*) Ky material është parathënia e botuar në librin “ Humor e mençuri tërbaçiote” të autorit Selim Beqiri

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Albert Abazaj, terbaxi, Vlore

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT