Vrasja një javë më parë e biznesmenit dhe bankierit Artan Santo është bërë sot objekt debati në seancën plenare të Kuvendit.
Duke marrë shkas nga diskutimi i pr/rezolutës “Për raportin e Prokurorit të Përgjithshëm mbi gjendjen e kriminalitetit për vitin 2013′, deputeti i Partisë Demokratike, Aldo Bumçi tha se kjo vrasje ka tronditur gjithë shoqërinë shqiptare, pasi bankieri i njohur u vra vetëm pak metra larg nga kryesia e Kuvendit, nga presidenca dhe selia e qeverisë.
“Gjashtë komisariate që ka Tirana nuk i ndalojnë dot vrasësit, në zemër të kryeqytetit. Kush e ka fajin për këtë vrasje që ka tronditur rëndë shoqërinë shqiptare. Pasiguria që na shoqëron vjen pasi na drejtojnë të paaftët”, u shpreh deputeti Bumçi.
Ish-kryeministri Sali Berisha tha se vrasja e Santos është një ngjarje shumë e rëndë, që dëshmon dështimin e plotë të shtetit. Ai akuzoi maxhorancën për aleancë me krimin, ndërsa e fajësoi shumicën se po e shtyn vendin në kriminalitet. “Lidhjet më të rrezikshme tuaja janë ato me krimin dhe ju nuk mund ta luftoni atë. Kështu ju vetëm sa po e shtyni Shqipërinë në kriminalitet”, iu drejtua Berisha deputetëve të majtë.
Deputeti demokrat, Ridvan Bode tha se ekzekutimi mafioz i Artan Santos ka prekur besimin e një institucioni si banka ‘Credins’, por dhe të një rrjeti institucionesh bankare. “Kjo ngjarje duhet të ishte një alarm për qeverinë dhe institucionet që merren me sigurinë e rendin publik. Qeveria e humbi shansin për të goditur krimin”, u shpreh Bode.
Më herët, ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli tha se një vrasja e Santos tronditi opinionin publik, ndërsa kryeministri Rama ende nuk ka folur. Sipas saj maxhoranca flet për problematika mjedisore, ndërsa në vend po ndodhin gjëra shumë të rënda. A ka përgjegjësi këtu? Duhet të japi llogari dikush për një gropë të krizës së besimit”, u shpreh sot Topalli.
Në përgjigje të këtij shqetësimi, nënkryetari i Kuvendit, Vangjel Dule i sugjeroi deputetes demokrate që të thërrasë në interpelancë kryeministrin.
Ndaj deklaratës së saj i menjëhershëm ishte reagimi i deputetit socialist Besnik Bare. “Je personi më agresiv në gjithë parlamentin, që ke fyer njerëz nga nëna e baba. Dhe më flet për ndjeshmëri. Nuk e meriton të respektohesh”, iu drejtua Bare Topallit.
Vrasja e Santos, Balla: Pozitë-opozitë të mbështesim policinë
Nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla tha sot në Kuvend se të dyja palët, pozitë-opozitë duhet të mbështesin Policinë e Shtetit që të zbulojë dhe të vërë para drejtësisë autorët e vrasjes së bankierit Artan Santo.
“Të nxisim Policinë e Shtetit që të zbulojë vrasjen e bankierit Santo, një mik i mirë, një qytetar i zoti për Shqipërinë tonë. Shteti duhet t’i kapë ata dy kriminelë që e sfiduan në mes të ditës, por ne së bashku, pozitë-opozitë, socialistë e demokratë, duhet të jemi sot në mbështetje të policisë dhe jo të bëhemi zëdhënës të “Gates”. Ta mbështesim policinë që ta hetojë me përpikmëri këtë rast dhe menjëherë të arrestohen dy kriminelët e të vihen para drejtësisë”, u shpreh Balla në parlament.
Diskutimi i rezolutës së Prokurorisë së Përgjithshme mbi gjendjen e kriminalitetit në Shqipëri per vitin 2013 solli në qendër të debatit vrasjen një javë më parë të bankierit Santo.
Deputeti Balla tha se diskutimi i kësaj rezolute bëhet vetëm pak ditë ‘nga fitorja e shtetit me krimin në Lazarat.
“Superaksioni në Lazarat ishte treguesi më kuptimplotë i rezultateve në rritje të Policisë së Shtetit. Lufta me krimin ka qënë dhe mbetet prioritet themelor i kësaj qeverie. Pjesa më e vështirë e betejës ka qënë kthimi i policisë në krye të detyrës brenda 300 ditëve të para të qeverisjes”, tha Balla në Kuvend.
Në vijim të komenteve për aksionin në Lazarat, ai akuzoi ish-kryeministrin Sali Berisha për lidhje me baronët e drogës. “Lazarati nuk ishte thjesht një plantacion droge jashtë kontrollit të shtetit, por ishte më shumë se kaq. Ai ishte shembëlltyra e dorëzimit pa kushte të shtetit që opozita e sotme i kishte bërë për shkak të pazareve të ulëta të Berishës me baronët e drogës në Lazarat. Ai që sulmon sot për lidhje të fshehta të policisë me kriminelët i kishte vendosur vetë ato me ‘Gatet’ e shokët e tij. I vetmi njeri në këtë parlament që komunikonte orë pa orë me ‘Gaten’ e miqtë e tij në Lazarat, ishte vetëm Sali Berisha. ‘Vip’-at e Lazaratit e kishin shtetin vetëm një telefonatë larg dhe e drejtonin atë me telekomandë’, u shpreh Balla në parlament.
Berisha: Santon e vranë në sy të policëve, shteti nuk ekzistonte
“Aty ku u vra aty ishin policët, aty ishin mbi 30 policë të tjerë që shoqëronin zv.kryeminsitrin maqedonas, kur doli nga Tirana kishte 5-7 postblloqe. Të gjitha këto nuk funksionuan. Dy gjëra janë: Ose e vrau qeveria, nuk kam të dhëna se po të kisha ja numëroj një nga një. Ose shteti nuk ekzistonte, dhe kjo ishte evidente. Ju e vratë për së dyti dhe e poshtëruat atë. Ju për arsyet tuaja e shpallët atë pistë kolumbiane, pista e Mamurrasit. Ju për arsyet tuaja që i bëj thirrje Llallës të hetojë e shpallët: pista e mamurrasit. Nga një hero që e kishit tani duhej të poshtërohej për së vdekuri. Të them ty zotëri, (duke iu drejtuar ministrit Tahirit) t’i je për lidhje me kolumbianin, sepse të nesërmen e lajmit se 250 kg heroinë u nisën drejt Shqiëprisë dole u the se ajo nuk ka qenë me destinacion Shqipërinë, ka qenë për në Francë ose Itali. E bërë për të mbrojtur kriminelët, se ishe i implikuar. Se ke qenë në anën e krimit, se hetimet treguan se ishte destnacion jo Shqipëria, dhe jo vetëm.”
TOPALLI:JASHTE MAFIA NGA PARLAMENTI!
Ish-Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli i ka ndërprerë fjalën sot në Kuvend, deputetit Besnik Bare ndërsa ai diskutonte për kthimin e shpendëve migratore dhe gjuetinë e paligjshme dhe ka insistuar të lihej ajo çështje dhe të flitej për vrasjen e ndodhur para një jave, atë të bankierit Artan Santo, pasi nuk ishte koha për “gjueti lepuri e derri me drita natën” por për sigurinë publike.
Duke i ndërperë fjalën Bares, Topalli u ngrit në këmbë nga salla dhe iu drejtua N/Kryetarit të Kuvendit, Vangjel Dules, që drejtonte seancën:
“Z.Dule, në këtë vend po ndodhin gjëra shumë të rënda e ju po flisni për gjueti lepuri e derri me zagarë e me drita natën…
Kryeministri nuk është, kurse Ministri i Jashtëm qesh kur ktu para një jave ka ndodhur një vrasje e rëndë, mafioze, që ka tronditur tërë opinin publik. Përse nuk flisni? Në cilin vend të botës ndodh që të tronditet vendi nga vrasje të panumërta dhe s’ka reagim? Me kë po tallemi? Ku jemi? Ku është mazhoranca? Pse ka karrige bosh?
Z.Dule, si kryesues i kësaj seance, ju nuk mund të bëni sikur nuk dini gjë dhe sot duhet të diskutojmë për atë që është çështja e ditës, siguria e jetës, kontrolli i kufijve. Kjo është detyra e parë e çdo politikani dhe qytetari.
Baraj: Për ç’ndjeshmëri e vrasje më flisni, kur thua “ti meriton plumb ballit”!
Por, i menjëhershëm ka qënë reagimi i Bares direkt nga foltorja, i cili, duke iu drejtuar Topallit, i tha se “ti je njeriu më agresiv në historinë e Parlamentit”.
“Mua më vjen keq që vendos në fjalën e saj, znj.Topalli, ato fjalë që unë thashë,”- tha Baraj, – “dhe për këtë unë dua të citoj vetëm një nobelist, i cili, që në vitin 1952 thoshte:
“Ajo shoqëri që nuk është në gjendje të respektojë qëniet më të thjeshta, qofshin bimë dhe kafshë, kurrë nuk do mundë të respektojë qënien e ngjashme me vetveten!” Dhe këtë ti e manifeston më mirë se askush!
Je personi më agresiv në të gjithë historinë e Parlamentit këtu, që ke fyer njerëz pa fund, nga nëna, nga baba. I ke kapur njerëzit i ke thënë “kape mor për zhelesh”, nëpër emisione televizive “ti meriton plumb ballit!” dhe ti më flet këtu mua për ndjeshmëri, për vrasje?! Po nga goja jote kanë dalë vetëm shenja dhune dhe agresiviteti,”- tha Baraj dhe u largua nga foltorja.