Vrasja e gazetarit suedez Nils Horner në prizmin e mediave dhe opinionit të këtij shteti skandinav/
E ardhmja e errët/
Duke dënuar ashpër vrasjen e këtij gazetari të njohur të radios shtetërore, opinioni dhe mediat e këtushme theksuan se më këtë akt makaber po ngulfatet fjala e lirë dhe po shkilen të gjitha normat e demokracisë/
Nga XHAVIT ÇITAKU/
Geteborg, 21 mars- Situata aktuale dhe e ardhmja e Afganistanit ishin në fokus të interesimit të mediave të shkruara e elektronike të Suedisë me theks të veçantë vrasja makabre e gazetarit- korrespondentit të radios të këtij shteti Nils Horner, që ndodhi pardje në pikë të ditës në qendër të Kabulit. Në fillim të këtyre artikujve dhe debateve të zhvilluara shumë ashpër u dënua ky atentat, i cili është i drejtuar, në rend të parë, në ngulfatjen e fjalës së lirë dhe të shkeljes të të gjitha normave të demokracisë. Me keqardhje e pikëllim u fol për figurën e këtij talenti të rrallë në fushën e gazetarisë që la gjurmë të pashlyeshme me reportazhet e tija të shkëlqyera nga shumë vende të botës të përfshira nga luftërat si dhe nga shtete të tjera të trazuara ku sundonin regjimet diktatoriale.
Drejtoresh e këtij mediumi, Cilla Benky, në një konferencë për shtyp me lot në sy e me admirim foli për një punë jashtëzakonisht profesionale të kishte kryer Nils Horner. Vrasja e tij, tha më pas ajo, ka lënë një zbrazëtirë të hetueshme në rubrikën e politikës së jashtme dhe të profesionalizmit brenda radios. Ai përherë do të kujtohet një koleg i vlerësuar, i respektuar dhe i dashur edhe për dëgjuesit e shumtë të këtij mediumi. Për veprën e madhe që kreu në misione gjithnjë të rrezikshme për jetën e tij vetëm e vetëm që opinioni suedez të njoftohet nga vendi i ngjarjes, foli edhe kryeredaktorja e lajmeve EKO të radios shtetërore Anne Lagerkrantz. Me këtë rast po peremndim edhe një reagim të një dëgjuesi i cili tha: Një zë gazetaresk i mbrëmjes u shua përgjithmonë. Shpeshherë i kam dëgjuar reportazhet e tij të mrekullueshme nga shtete të ndryshme, por ai profesionalizem dhe informacion objektiv pushoi se vepruari përgjithmonë. Një reagim i ashpër ishte i pranishëm edhe në të gjitha kanalet televizive dhe në gazeta ku kërkohej arrestimi i vrasësit dhe dënimi i tij. Reagoi edhe Ministri i Punëve të Jashtme, Carl Bildt, duke theksuar se Nils Horner ishte një gazetar jashtëzakonisht më përvojë dhe shumë i respektuar. Atë e kam vlerësuar lartë. Se ai është vrarë në Kabul vërtetë është një tragjedi.
Ekspert dhe njohës të mirë të rrethanave debatuan shtruar edhe për situatën aktuale që po mbretëron në Afganistan duke konstatuar se përkundër disa hapave pozitiv që janë ndërmarrë e ardhmja e këtij shteti është e errët për shkak se siç duket në horizont talebanet do ta marrin sërish pushtetin me largimin e forcave aleate.