Kështu u tha në manifestimin që u organizua në qytetin e Laçit me rastin e promovimit të librit “ Thesari Kombëtar 3” të SHSHASH “ Papa Klementi i XI Albani” të Suedisë/
Nga XHAVIT ÇITAKU/
Në organizim të Shoqatës së Miqësisë Shqipëri- Itali dhe të Bashkisë së Laçit, dje në këtë qytet u promovua libri i SHSHASH “ Papa Klementi i XI Albani” nga Suedia i titulluar “ Thesari Kombëtar3”. Në këtë eveniment të rëndësishëm ishin të pranishëm një numër i madh i qytetarëve, dashamirëve të fjalës së shkruar si dhe Artur Bardhi, kryetar i Bashkisë së Laçit, Besi Bekteshi, drejtor i përgjithshëm në ministrinë e Kulturës në tiranë, Ëngjëll Ndocaj ,drejtor i përgjithshëm i Televizonit shqiptar, Nikollë lleshi, kryetar i Shoqatës së Miqësisë Shqipëri- Itali si dhe përfaqësues nga qeveria e Kosovës dhe gazetar t[ mediave të ndryshme.
Në fillim të këtij manifestimi, Saranda Iseni, moderatore dhe anëtare e Kryesisë së Shoqatës së shkrimtarëve nga Suedia, pasi përshëndeti të pranishmit, shfrytëzoj rastin për të thënë edhe disa fjalë me rastin e 7 marsit ditës ndërkombëtare të gruas, ditë kjo që mbartë respekt dhe dashuri të pafund, ditë që reflekton kurajën dhe guximin e nënave që ndryshuan historinë botërore. Dera është e hapur sepse në shpirtin e një nëne nuk ka nevojë të trokasish, tha ajo.
Ndërkaq, Artur Bardhi, kryetar i Bashkisë së Laçit tha se një nder i madh i kësaj Bashkie që sot janë të pranishëm përfaqësuesit e Shoqatës së shkrimtarëve shqiptar nga Suedia për të cilën kemi dëgjuar vetëm fjalë të mira se si duhet të punohet për komb e atdhe. Me një fjalë ky asosacion është një shembull i mirë i një aktiviteti përmbajtjesor që zhvillon atje larg, në atë vend të një demokracie të zhvilluar që ua ka dhënë mundësinë që bashkatdhetarët tanë të kenë mundësi për të punuar e dhënë kontribut edhe në krijimtari dhe fusha të ndryshme të punës e jetës. Uroj që ky aktivitet i çmuat të vazhdoj edhe në të ardhmen, tha pos tjerash, Artur Bardhi. Lidhur me aktivitetin e pasur që po zhvillon shoqata e shkr”imtarëve shqiptar në Suedi foli edhe Hysen Ibrahimi, kryetar, i cili ndër të tjera tha se falë angazhimit të pandërprerë që po zhvillojnë anëtarët e shoqatës sukseset e saj përditë e më tepër po shtohen dhe se shumë krijues dhe artistët shqiptar tashmë janë bërë emra të njohur në opinionin suedez dhe më gjerë. Fryt i një aktiviteti të madh që po zhvillohet në kuadër të kësaj shoqate edhe edhe ky libër i tretë me radhë që sot po prezantohet para jush. Ndërsa në qershor të këtij viti, po ashtu, në dritë do të dalë edhe libri i katërt, tha ai.
Për librin “ Thesari Kombëtar 3” referuan Kryeredaktori i revistës “ Miqësia” Vllash Prendi, Martin Gecaj dhe Zef Gjeta, udhëheqës të Shoqatës së Miqësisë Shqipëri- Itali, të cilët vlerësuan lartë nivelin e të shkruarit si dhe përmbajtjen konkrete të të gjitha aktiviteteve që janë zhvilluar nga mërgimtarët tanë në Suedi, aktivitete këto të cilat i dhanë një shtytje dhe ndihmuan më të madhe të gjitha proceset më rëndësi që u zhvilluan sidomos në Kosovë. Po ashtu, ky asosacion, thanë ata, po kontribuon më të madhe në kultivimin e traditës, kulturës dhe gjuhës shqipe. Ky është një shembull se si duhet të punojnë edhe të gjitha format e organizimit shqiptar në diasporë, përfunduan ata.
Këtë eveniment e bëri edhe më madhështor grupi i këngëtarëve dhe valltarëve të qytetit të cilët kënduan e luajtën valle të bukura për të pranishmit. Në fund Shoqata Kombëtar e Miqësisë Shqipëri- Itali ndau disa dekorata për kontributin e dhënë në disa fusha.
Reagim i vakët i institucioneve të shtetit
Të thuhet se qytetarët e Kosovës po hanë krunde në vend të bukës dhe të mos aktivizohet i tërë aparati kompetent për të hetuar këtë shqetësim, kjo vetëm sa e forcon dyshimin për përzierje të njerëzve të profilit të lartë në këtë “ krim” të papresedan/
Shkruan: XHAVIT ÇITAKU/
Nga java e shkuar mediat aktivizuan alarmin për një ngjarje që pak kush e ka pritur se do të mund të ndodhte dhe që në asnjë mënyrë nuk do të guxonte të ndodh në një shtet normal. U dha alarmi se qytetarët e Kosovës një kohë të gjatë në vend të bukës po hanë krunde dhe merre me mend deri me tash kemi vetëm një deklaratë të të parit të qeverisë se kërkon një informacion lidhur me këtë dukuri si dhe të ministrit për financa që, po ashtu, kërkon të njëjtën gjë. Ky reagim i vakët i institucioneve të shtetit vetëm sa e forcon edhe më fuqishëm dyshimin së në këtë “ krim” janë të përzier edhe profile të larta të shtetit të Kosovës. Po e them këtë se po të ndodhte në ndonjë shtet tjetër një dukuri e tillë jam i sigurt se do të aktivizoheshin e gjithë aparatura kompetente për të hetuar në detaje prejardhjen e grurit dhe përbërjen substanciale të këtij ushqimi që, në rend të parë, e përdorin qytetarët e vendit tonë. Ndoshta ka filluar të punohet diçka në këtë drejtim, mirëpo kjo nuk është transparente karshi qytetarëve të cilët tash e disa ditë jetojnë e presin në panik se çfarë mund të ndodh me ta për shkak të përdorimit të këtij lloji gruri për ushqimin e familjeve të tyre. Pavarësisht se këto mund të jenë supozime, megjithatë, kjo nuk është shaka dhe institucionet e shtetit duhet që për çdo ditë të japin informacione se çfarë është duke u punuar dhe deri në çfarë shkalle kanë arritur hetimet e para në këtë drejtim.
Pse shukat prokuroria?!…
Pos inspektoratit përkatës që duhet të punojë natë e ditë për të hedhur në dritë të vërtetën e hidhur për këtë dukuri të papresedan, për mua është e pakuptimtë se përse deri me tash nuk është aktivizuar edhe prokuroria, policia dhe organet tjera kompetente. Të thuhet se qytetarët në vend të qumështit të lopës po përdorin qumësht pluhur dhe në vend të bukës po hajnë krunde, ndërsa në anën tjetër këto organe nuk e ndërmarrin asnjë hap, kjo është e patolerueshme dhe e pafalshme. Prokurori i ri i shtetit pas zgjedhjes së tij në këtë post ët lartë, bukur shumë i dha “ zjarr” se do të punoj shumë në çrrënjosjen e shumë dukurive negative që janë prezente pothuajse në të gjitha poret e jetës dhe të punës, mirëpo mos aktivizimi i tij, përkatësisht qëndrimi i tij inferior karshi kësaj dukurie mjaft serioze, lë shumë për të dëshiruar se ai do të jap kontribut të rëndësishëm në këtë fushë . Puna dhe aktiviteti i Prokurorisë së shtetit në këtë moment do të duhej të përqendrohej edhe në punën, përkatësisht lëshimet që janë duke u bërë në doganë nga kuadro të larta, të cilët nuk e bëjnë pa u shpagua nga firmat e mëdha, sidomos nga ato që kanë monopol në shumë fusha të veprimtarisë ekonomike. Një fjalë popullore thotë se të keqes duhet me i ra në kokë për ta zhbë, ndërsa institucionet dhe organet kompetente të shtetit të Kosovës duhet merren me njerëzit e “ fort” që vendin e kanë sjell buzë greminës. Kjo mund të ndodh vetëm nëse ka guxim e vullnet. Ndryshe perspektiva për një jetë më të mirë e më të shëndetshme për qytetarët tanë dukët mjaft e zymtë.
Sa paguajnë devollët tatim për dhjetë mijë të punësuar?
Në një reagim të vëllezërve Devolli, të cilët mirëpresin një hetim për këtë alarm të ngritur, e thanë edhe këtë se më këtë “fushat” që po bëhet po rrezikohen të ardhurat e dhjet mijë familjeve në Kosovë. Kjo mund të kuptohet se në kuadër të kësaj kompanie janë të punësuar dhjet mijë punëtorë. Edhe këtu ka hapësirë për të hetuar se a kanë të gjithë këta të punësuar kontrata të punës dhe apo e paguajnë të gjithë tatimin e obliguar në të ardhura personale. Apo ndoshta shumë prej tyre punojnë në të “zezë” duke iu shmangur obligimit që kanë ndaj shtetit.
Dhe krejt në fund: Qytetarët e vendit tonë nga fillimi i këtij viti u ballafaquan me dy dukuri mjaft të rënda dhe të papërballueshme. E para ishte braktisja e mijëra familjeve në vendet e perëndimit , ndërsa e dyta “afera” e grurit dhe qumështit. Inshalla nuk ndodh edhe ndonjë ngjarje tjetër që do të fut panik e pasiguri tek qytetarët tanë. E mira e së mirës do të ishte që qeveria dhe organet e saj të jenë më transparente, sepse tek e fundit ata janë të obliguar edhe me aktin më të lartë të vendit- Kushtetutës që të punojnë për të mirën e vendit dhe prosperitetin e qytetarëve të saj. Përkundër këtij obligimi reagimi ishte mjaft i vakët. Të shohim se çfarë mund të ndodh në ditët në vijim…
Është më se normale që të mos provokosh besimin e të tjerëve
Shkruan: XHAVIT ÇITAKU*/
“ Është më se normale që të mos përdhosësh dhe provokosh besimin e të tjerëve. Nuk mund të bësh shaka me fenë e të tjerëve” pati thënë gjatë fluturimit për në Filipine kreu i kishës katolike Franesko. Sigurisht që ai me këtë deklaratë deshi t’ua tërheq vëmendjen të gjithë atyre personave që në disa raste në mënyrë të paskrupullt po ofendojnë figurën e shenjët të fesë islame, profetin Muhamed. Pra, këto fjalë domethënëse të kreut të Vatikanit kanë një mesazh të qartë për të gjithë ata persona apo grupe të ndryshme që të ndalojnë veprimet e tyre rreth ofendimit të kësaj figure të rëndësishme, të respektuar dhe të dashur islame. Ofendimet dhe shakat me fenë tjetër nuk kanë të bëjnë asgjë me lirinë e shprehjes, përkundrazi kjo ka të bëj me një vepër që prodhon urrejtje ndërfetare dhe deri sa është kështu ajo është e kundërligjshme dhe e dënueshme për të cilën gjë duhet të merren organet e drejtësisë dhe prokurorisë.
Vrasjet dhe kidnapimet ishin një episod i tmerrshëm në Paris, në kryeqytetin francez. Ishte, pra, ky një veprim jashtë çdo logjike njerëzore që u dënua nga mbarë opinioni dhe të gjitha religjionet, ama ata që po ofendojnë dhe bëjnë shaka duhet ta kuptojnë e respektojnë edhe fenë tjetër mos për asgjë tjetër për hir të qindra miliona besimtarëve islam, që në numër të madh jetojnë edhe në mesin e tyre. U pa e u dëshmua edhe rasti i fundit i paraqitjes së karikaturës së Profetit Muhamed në gazetën satirike “Charlie Hedbo” se sa u ngrit tensioni dhe sa i fuqishëm ishte reagimi në shumë shtete ku dominon feja islame. Për fat të keq u dogjën edhe godina të kishave si shenjë “ hakmarrjeje” .
Ndaj do të ishte më së e domosdoshme që veprime të tilla të mos paraqitën më, por të ndërtohen “ ura” miqësie ndërmjet të të gjitha feve sepse vetëm kështu mund të jetojmë së bashku pa frikë se do të mund të ndodhin gjera të tmerrshme të ngjashme me atë që ndodhen në kryeqendrën franceze. Pra, të respektojmë dhe të mos e ofendojmë fenë tjetër Kjo do të ishte porosia më e qëlluar dhe më së e domosdoshme hëpërhë.
*Bashkepunetor i Gazetes Dielli ne Nju Jork
Sa është i arsyeshëm formimi i gjykatës speciale?
Ka mbetur edhe pak kohë për t’u formuar ky mekanizëm evropian, mirëpo do të ishte shumë me vend që fokusi të përqendrohet në zhvillimin ekonomik dhe kështu të ndërpritet “ikja” e qytetarëve të Kosovës/
Shkruan: XHAVIT ÇITAKU/
Sipas BE-së prioritet parësor pas ndërtimit të institucioneve të vendit është përkrahja dhe pëlqimi që deputetët e Parlamentit duhet t’i japin formimit të Gjykatës Speciale, e cila praktikisht dhe juridikisht do të veproj jashtë kufijve të Kosovës. Nëse i përmbahemi aktit më të lartë, Kushtetutës, një kërkesë dhe insistim i tillë nuk ka mbështetje juridike, të cilën e dinë edhe ata që me të gjitha mjetet po bëjnë trysni të jashtëzakonshme që shumë shpejt kjo kërkesë e tyre të realizohet dhe votohet në Parlament.
Gjykata speciale si organ paralel i tri instancave të tjera të drejtësisë
Të kërkosh të kryhet një veprim jashtëkushtetues nga BE është barazi me atë që ta detyrosh dike që me “ sy në ballë” të bëj vepër penale që është e dënueshme me të gjitha normat e ligjet pozitive të një vendi. Dorën në zemër, asnjëri nga shtetet që kaq shumë i japin “ zjarr” kësaj çështjeje, që fund krye janë supozime se disa ish-drejtues të UÇK-së kanë krye vepra penale, nuk do të kishte pranuar formimin e një gjykate “ fantome” për të akuzuar e dënuar qytetarët apo luftëtarët e saj. Nuk është çështja se jam kundër formimit të kësaj gjykate, por kjo mënyrë e veprimit po e prek në thelb prishjen e konstitucionalizmit të vendit me elemente të jashtme që nuk e ka asnjë vend në botë. Nuk e ka as Serbia, e cila ka kryer gjenocid mbi popujt e tjerë në ish- Jugosllavi, por nuk e ka as Ruanda, në të cilën u vranë mbi një milionë njerëz. Thënë konkretisht, shqiptarët kah të sillen e pështillen janë të ballafaquar me organe gjyqësore e policore të huaja sikurse brenda Kosovës, po ashtu, edhe jashtë saj. Pra, në Kosovë kemi EULEX-sin me gjithë aparaturen e tij gjyqësore e policore, pastaj Tribunali i Hagës, i cili në mungesë të fakteve i liroj dy drejtues të UÇK-së, Ramush Haradinajn dhe Fatmir Limajn,dhe tash duke mos u realizuar të gjitha ato pretendime se edhe shqiptarët kanë “ kryer” krime gjatë luftës çlirimtare po insistohet që të formohet edhe një gjykatë tjetër e emërtuar “ speciale”. Gjithë kjo aparaturë gjyqësore evropiane dhe ndërkombëtare që është e angazhuar karshi organeve kosovare të drejtësisë, që do t’iu rrinë mbi “ kokë” edhe për një kohë të gjatë shqiptarëve, janë “ eksperimente” që nuk janë aplikuar në asnjë vend tjetër në këtë formë dhe në këtë përmbajtje.
Do të mjaftonte një vendim për bashkëpunim me gjykatën speciale
Ç’është edhe më keq në njërën anë kërkohet një vendim- pëlqim nga parlamenti për formimin e kësaj gjykate, ndërkaq në anën tjetër në të do të punojnë prokurorë e gjykatës të huaj. Ndaj, edhe shtrohet pyetja se për çfarë arsye insistohet që në këtë “ lojë” të involvohet edhe parlamenti i Kosovës në konstituimin e këtij mekanizmi. Për mua shumë më i dobishëm do të ishte votimi i propozimit për të nxjerr një vendim të plotfuqishëm, në bazë të të cilit organet e prokurorisë, gjyqësorit dhe policia e Kosovës do të bashkëpunonin me këtë gjykatë dhe pikë. Në këtë mënyrë do të evitoheshin ndryshimet kushtetuese të domosdoshme me këtë insistim që po e bën BE-ja, që aspak nuk është e arsyeshme. Kanë ndodhur sa e sa masakra e gjenocid mbi popujt e pambrojtur në Afrikë, pastaj në Bosnje, Kroaci dhe së fundi në Kosovë nga regjimi serb dhe asnjëherë nuk është insistuar që të formohet ndonjë gjykatë speciale. Me një fjalë, Serbia , p.sh, vrau, masakroi qindra mijëra , burra, gra fëmijë e pleq, pastaj dhunoi mijëra vajza e gra të komuniteteve tjera në ish- Jugosllavi dhe asnjëherë nuk u tha se për këtë shtet do të formohet far mekanizmi i posaçëm i drejtësisë qoftë në formën siç është ai i EULEX-it në Kosovë e të mos flasim për ndonjë gjykatë speciale që do të formohej jashtë këtij shteti.
Ngulmim që gjithsesi të gjenden fajtor edhe luftëtarët shqiptar
Gjithë kjo “ zhurmë” dhe insistim i vazhdueshëm për t’u formuar ky mekanizëm special evropian vetëm për shqiptar, siç dukët, pikënisjen e ka nga Serbia, e cila duke gjetur mbështetje nga miqtë e saj tradicional, arriti që të bind faktorin ndërkombëtar se “ megjithatë” edhe shqiptarët “ paskan” krye krime. Kjo u pa ashiqare edhe në raportin e përgatitur nga Dick Marti, i cili përkundër kërkesës së EULEX-it për të bashkëpunuar për të thënat e tij e sidomos për i përket “ aferës” së “ tregtisë”së organeve të vëshkëve të pjesëtarëve të komunitetit serb, nuk pranoj një gjë të tillë. Ndërkaq, për vrasjet e mijëra shqiptarëve në mënyrën më brutale asnjë “ zhurmë”, asnjë iniciativë e ngjashme me këtë që po veprohet për dhe rreth Kosovës
Tribunali i Hagës përkundër hetimeve të bollshme që bëri nuk arriti që të dënoj asnjë nga udhëheqësit e UÇK-së në mungesë të provave dhe të faktit të pamohueshëm se këta çlirimtar nuk kishin bërë krime ashtu siç pretendonte Serbia dhe të tjerët që mbështetin rrënat serbe. Edhe EULEX-i, mund të themi në gjykimin e ngjashëm me atë Tribunalit të Hagës, nuk arriti që ta gjejë fajtor Fatmir Limajn. Ka në këtë mekanizëm evropian edhe procese tjera gjyqësore që do të përfundojnë si edhe ato të mëparshmet, përkatësisht të akuzuarit do të lirohen si të pafajshëm. Me këtë hap të fundit po krijohet një klimë e “dyshimit” se BE me përkrahjen edhe të SHBA-ve po ngulin “ këmbë” që gjithsesi duhet të gjendet fajtor edhe dikush nga strukturat udhëheqëse të UÇK-së.
Askush nuk pretendon që të mbroj ata që eventualisht kanë kryer krime
Askush nuk pretendon në asnjë mënyrë të mbroj ata që eventualisht kanë kryer krime gjatë apo pas luftës, mirëpo formimi i një gjykate me bekimin e parlamentit që do të veproj jashtë juridiksionit të vendit është i papranueshëm dhe në kundërshtim me të gjitha normat dhe ligjet pozitive të vendit tonë sovran. Ndaj, edhe siç ceka më lartë mjafton vetëm një vendim i parlamentit, i cili do të obligonte organet përkatëse të vendit për një bashkëpunim të ngushtë me këtë gjykatë dhe besoj se puna do të kryhej siç është më së miri. Dihet mirëfilli se këto organe bashkëpunuan shumë mirë qoftë me Tribunalin e Hagës apo edhe me EULEX-sin dhe asnjëherë mekanizmat evropian dhe ndërkombëtar nuk janë ankuar se ka pasur ndonjë pengesë në këtë drejtim.
Të mësuar me lëshimin pe nga institucioneve të Kosovës
Krijimi i shteti tonë u bë me goxha do eksperimente, ndërsa e ka zanafillën nga mbështetja e pa vend që iu dha nga parlamenti i Kosovës aprovimit të Kornizës Kushtetuese nga deputetët e LDK-së dhe të AAK-së . Dihet mirëfilli se ky farë akti juridik, që u bë me insistimin e faktorit ndërkombëtar, ishte bazuar në Rezolutën 1244 të OKB-së, Rezolutë kjo që dihet se si përcaktonte të ardhmen e vendit tonë. Nga kjo pikë mund të themi se filloi të rrëshqasin në drejtime të panjohura, të vështira e pa rrugëdalje hapat e shtetndërtimit nga ana e liderëve tanë, të cilët nën trysnin e “ miqëve” lëshuan aq shumë pe sa që në këtë formë dhe gjendje çfarë në të vërtetë gjendet Kosova është shumë vështirë që të funksionoj si shtet në kuptimin e plotë të fjalës. Së këndejmi, liderët tanë por edhe organet e institucionet tona duhet të këmbëngulin dhe të mos lejojnë që vendi ynë të nëpërkëmbët nga askush, sepse me ardhmërinë e vendit askush nuk ka të drejt e as guxim që të luaj. Thënë konkretisht , udhëheqësit tanë duhet vetëm të përmbahen në Kushtetutë dhe asgjë më shumë. Ndërkaq, dihet se përpilimi i këtij akti më të lartë është ndihmuar edhe nga BE e SHBA, të cilat duhet ta respektojnë njësoj sikurse që këtë do të duhej ta bënin institucionet dhe udhëheqësit tanë.
Dhe krejt në fund: Nga BE-ja nuk do të këtë kthim “ prapa” dhe kësisoj ka mbetur edhe pak kohë për t’u formuar Gjykata speciale, ngaqë e di fare mirë se kosovarët edhe kësaj radhe do të lëshojnë pe pa problem, mirëpo fokusi i përqendrimit do të duhej të orientohej shumë më tepër në zhvillimin ekonomik dhe kështu do të ndërpritej “ ikja” e qytetarëve të Kosovës, të cilët në numër të madh për çdo ditë po e lëshojnë vendin me synim të vetëm për të siguruar një jetë më të mirë për familjet e tyre.
Kur e pushtuan serbët “ Trepçën”
Shkruan: XHAVIT ÇITAKU/
Gjiganti kosovar “ “Trepça” ishte eksportuesi më i madh në ish- Jugosllavi dhe në llogaritë e saj derdheshin mjete të mëdha devizore. Sado që prej tij mbetej pak, në Kosovë ai ishte, megjithatë, boshti qendror i zhvillimit të përgjithshëm dhe sidomos të atij ekonomik të Kosovës. “ Trepça” me 21 mijë e 500 punëtorë ngriti një sistem të tërë objektesh pune dhe studimi. Objektet më të rëndësishme të saj në Kosovë, pos minierave në Stantërg, Kishnicë, Hajvali dhe Novobërdë, kishte arritur të ngriste edhe këto objekte: fabrikën e baterive industriale në Pejë, , “ Metalikun” në Gjakovë, “ Famipën” në Prizren, fabrikën NI CD të baterive në Gjilan, fabrikën e akumulatorëve në Mitrovicë, fabrikën e municionit të gjuetisë në Skenderaj, fabrikën e llamarinës së zinkuar në Vushtrri, fabrkën e bojërave dhe llaqeve në Vushtrri, , fabrikën e paisjeve për procesin e prodhimit në Mitrovicë, shkritoren dhe rafinerinë në Zveçan, Metalurgjinë e plumbit dhe të zinkut në Mitrovicë. Po ashtu, Trepça ka pasur institutin e vetë për zhvillim, Qendrën elektronike, Organizatën për furnizim të materialeve dhe shitjen e mallrave, laboratorë modern, Qendrën mjekësore dhe sistemin e transportit. Po ashtu pasuria e saj shtrihej edhe në pjesët tjera federale të ish- Jugosllavisë, si në Mal të Zi, Vojvodinë, Bosnje Hercegovinë e më së shumti në Serbi.
Në kulmin e prodhimtarisë serbët pushtuan “ Trepçën”
Siç mësuam unë dhe kolegu im Ymer Avdiu nga bashkëbiseduesit tanë Azizi Abrashi, Nysret Magjera dhe Dr. Safet Merovcinë nëntor të vitit 1999, gjatë vitit 1988, do të thotë në vitin e fundit kur punuan shqiptarët, ky gjigant shënoi kulmin e prodhimtarisë më të suksesshme, rrugë kjo që u ndërpre nga pushtimi klasik serb. Atë vit në Trepçë u arritë që të prodhohen dy milion e 100 mijë tonë xehe, koncentrat zinku 80 mijë, koncentrat plumbi 120 mijë tonë dhe pirit 120 mijë tonë. Plumb të rafinuar u prodhuan 103 mijë tonë, argjend 126 mijë kilogram, ari 242 kilogram, legura të plumbit 30 mijë tonë, bizmut 115 mijë kilogram dhe acid sulfurik 30 mijë tonë.
Metarlugjia e zinkut kishte realizuar 49 mijë e 500 tonë zink elektrolit, 6 mijë tonë legura të zinkut dhe 2 mijë tonë zink oksid, tre mijë tonë zink pluhur,145 mijë tonë acid sulfurik dhe 180 mijë kilogram kadmium. Kështu ishte në të gjithë kolektivat tjerë punues të këtij gjiganti që ia kishin lakmi edhe shumë partner të jashtëm me të cilët kishte kontakte afariste dhe bashkëpunim tjetër me interes. U bënë përpjekje të shumta që edhe në kushte okupimi kjo shtyllë e rëndësishme disi të shpëtohet. Kësisoj, në kuadër të mbrojtjes së kësaj pasurie të madhe që rrezikohej të gllabërohej, punëtorët e “ Trepçës”, sipas dispozitave të atëhershme në fuqi, këtë gjigant asokohe e shndërruan në shoqëri aksionare. Mirëpo, as kjo e as grevat nuk bënë punë, Sepse Serbia mu për shkak të pasurisë e pushtoi ushtarakisht dhe me akte arbitrare e shpalli pronë të Serbisë. Shqiptarët i largoi nga puna dhe pasi vetë nuk mund të prodhonte filloi eksploatimin e vrazhdë dhe krijoj situata të mjegulluara duke i futur kompanitë multinacionale në lojë.
Gjatë kohës së pushtimit serb prodhimi ishte katastrofik
Në të gjitha ndërmarrjet e Trepçës, deri në pushtimin përfundimtar serb më 1989, prodhimtaria dhe kapacitetet e saj përpunuese ecnin me hapa të sigurt drejt një të ardhme më të mirë të banorëve të Kosovës. Me kapacitet disponuese deri në vitin 1989 bruto- produkti vjetor ishte rreth v250 milionë dollarë, ndërkaq eksporti në pesë vitet e fundit ishte 140 milionë dollarë. Çmimi i metaleve të ngjyrosura ka qenë drejtpërsëdrejti i varur nga Bursa, mirëpo për shkak se Trepça kishte arritur të ngrisë kapacitetet përpunuese kjo dukuri jo e favorshme ishte eliminuar në masë të dukshme. Deri në këtë vit është arritur, bie fjala, që të prodhohen mbi 2 milionë e 100 mijë tonë xehe. Mirëpo këtë tempo të afarizmit të suksesshëm nuk arriti ta mbaj udhëheqja serbe, sepse ajo dëboi me dhunë të gjithë punëtorët shqiptarë. Thënë me gjuhën e ekspertëve shfrytëzimi i minierave pa punëtorë shqiptarë nuk ishte i mindur në masë çfarë janë frikësuar të gjithë, por ai eksploatim ka qenë shumë i vrazhdë.
Për dhjetë vjet kapacitet në Trepçë janë shfrytëzuar10- 18 për qind dhe ky ishte prodhim më karastrofik në gjithë historinë e saj. Është punuar vetëm me koncentrate të importuara ngaqë minierat kosovare nuk kanë qenë në veprim, por atje janë shfrytëzuar vetëm shtyllat mbajtëse që shërbenin për sigurimin e horizonteve, duke e rrezikuar në këtë mënyrë tërë xeheroren nga një shëmbje e përgjithshme që do të kishte pasur probleme të mëdha në riaktivizimin e sërishëm të saj. Prodhimi i dhjetë vjetëve mund të krahasohet me një vit prodhimi kur punonin shqiptarët.
Aventura që dëmtonin edhe shëndetin e banorëve
Më tej mësuam se duke mos pasur mundësi që pa punëtorë shqiptarë të aktivizojnë ndërmarrjet e Trepçës, udhëheqja e dhunshme serbe e kontrolluar drejtpërsëdrejti nga regjimi në Beograd, u hyri disa aventurave që ishin jo vetëm në dëm të këtij gjiganti, por edhe të shëndetit të banorëve të Kosovës. Sipas Dr. Safet Merovcit, kjo udhëheqje fantome ka lejuar firmën greke Militeanosit që të përpunojë koncentrat në rafinerinë dhe shkritoren e Zveçanit, dyshohet, me sasi jashtëzakonisht të lartë të zhivës dhe arsenit. Pos në Trepçë askund tjetër në botë nuk kishte mundur të ndodhte një gjë e tillë për të rrezikuar në masë aq të madhe banorët e një vendi e më së shumti shqiptarët që përbënin 95 për qind të numrit të përgjithshëm. Dyshohet që koncentrati që është përpunuar në Zveçan është importuar nga Kolumbia, të cilin askush në botë nuk e përpunon për shkak të sasisë së madhe të zhivës dhe arsenit.
Shkatërrimet e objekteve të ndërmarrjeve të Trepçës pas luftës u dukën kudo. Serbia plaçkiti më të madhe makineritë dhe paisjet më moderne. Ndërkaq edhe ato që mbetën ashtu siç i la okupatori shumica prej tyre u shitën dhe fatkeqësisht asnjera prej tyre nuk e pati fatin që të vazhdoi me prodhimtari për çfarë ishte e ndërtuar dhe e planifikuar. Dhe tash shtrohet pyetja se si do të funksionoj gjiganti ynë pa ato objekte të domosdoshme përcjellëse për t’i sjell dobi dhe zhvillim më të hovshëm vendit tonë. Edhe pas 15 vjetësh të përfundimit të luftës gjendja e Trepçës mbeti pezull, ndoshta bukur shumë me fajin e faktorit ndërkombëtar, mirëpo edhe institucionet tona nuk ishin të vendosura për ta kthyer këtë gjigant në gjirin e saj dhe kështu përfundimisht të përfundoi kjo odisejadë e panevojshme që u zhvillua deri me tash. Është e kuptueshme se çdo nguti mund të sjellë pasoja të paparashikueshme, mirëpo, a nuk mjaftuan 15 vite që i gjithë materiali i nevojshëm të përgatitet dhe prona që i takon me të gjitha dispozitat ligjore edhe të atëhershme edhe të tashme të kthehet në qeverisje të plotë të institucioneve kosovare. Dialog nuk mund të këtë në asnjë mënyrë me Serbinë për pasuritë e saj, por duhet të këtë bisedime për të kthyer gjithë atë që ka plaçkit dhe që ka investuar Trepça në këtë shtet fqinjë.
- « Previous Page
- 1
- …
- 4
- 5
- 6
- 7
- 8
- …
- 15
- Next Page »