• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Nuk mund të ketë paqe pa të vërtetën dhe pajtimin”

July 1, 2022 by s p

Ambassador Yuri Kim

🇦🇱 | “Ishte një nder të takohesha me përfaqësuesit e atyre që i vrau apo persekutoi diktatura komuniste. Disa prej tyre i kisha takuar gjatë vizitës sime në burgjet e Spaçit dhe Tepelenës, si dhe në Vendin e Dëshmisë dhe Kujtesës në Shkodër. Patëm një bisedë të gjatë mbi atë çka kishin përjetuar familjet e tyre, komunitetet e tyre dhe vetë ata. Ata kërkojnë drejtësi (jo hakmarrje), integrim dhe destigmatizim të vërtetë, njohjen e vuajtjeve të tyre dhe dëmshpërblim, si dhe një përkujtimore të thjeshtë për mbi 6000 personat të cilët u vranë nga komunistët, trupat e të cilëve kurrë nuk u gjetën për t’iu kthyer familjeve të tyre. Është e lehtë të kuptosh dhimbjen dhe kërkesat e tyre. Ne shpresojmë që autoritetet do t’i përmbushin me shpejtësi dhe ndershmëri angazhimet e tyre, përfshirë përfundimin e detyrës për hapjen e dosjeve të Sigurimit. Nuk mund të ketë asnjë shfajësim apo justifikim për mizorinë e regjimit komunist dhe drejtuesve të tij apo për “nostalgjinë” e pavend për ditët e komunizmit. Nuk mund të ketë paqe pa të vërtetën dhe pajtimin. Zoti i bekoftë dhe i shëroftë ata që kanë vuajtur. Faleminderit Besim Ndregjonit, Adrian Katit, Shpëtim Stermasit, Fatbardha Mulletit, Lavdie Nelës, Ylli Komtit, Hajri Elezit, Armando Agollit, Ardian Elezit dhe Luigj Gegës që nuk u dorëzuan kurrë. Dhe i falenderoj që më dhuruan fotot e Musine Kokalarit dhe Havzi Nelës – heronj të vërtetë të Shqipërisë”. Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara Yuri Kim.

Burimi: https://m.facebook.com/story.php?story_fbid=400861822068981&id=100064355006850

Filed Under: Opinion Tagged With: Yuri Kim

TË MOS I ZHGËNJEJMË SHQIPTARËT, ZONJA AMBASADORE “RRUGA PËRPARA PËR MARRËDHËNIEN SHBA-SHQIPËRI”

August 5, 2021 by s p

                                                  Nga Frank Shkreli

“Rruga Përpara Për Marrëdhënien SHBA-Shqipëri” është titulli i një shkrimi të Kryediplomates amerikane në Tiranë. Rruga Përpara për Marrëdhënien SHBA-Shqipëri | Ambasada e SHBA në Shqipëri (usembassy.gov) Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Shkëlqësia e saj, Juri Kim ka bërë një ekspoze të “arritjeve” dhe “sukseseve” të Shqipërisë në një artikull që e lexova në portalin e ambasadës tonë në Shqipëri.  Me të thënë të drejtën, ky shkrim m’u duk aq i pazakontë për një diplomat/e amerikane, si për nga përmbajtja ashtu edhe për nga qëllimi se pse e nderuara ambasadore e shkruan pikërisht në këtë kohë një artikull si ky. Zakonisht, “arritjet” dhe “sukseset” e kaluara dhe planet për të ardhmen deklarohen në fund të vitit, normalisht, ose në ndonjë raport të veçantë drejtuar Departamentit të Shtetit. Prandaj, ky shkrim më duket më shumë si një “lamtumirë”, ose ndoshta edhe si një përpjekje në mbështetje të njëanëshme ndaj qeverisë socialiste të Shqipërisë, për të justifikuar perceptimet e shumë vetave se ajo është palë, siç kanë komentuar shumë lexues në portalet e ambasadës amerikane. Që në fillim dua të shprehem se kam respektin më të madh për diplomatët amerikanë që shërbejnë anë e mbanë botës, shpesh në rrethana shumë të vështira, përfshir sidomos ata që shërbejnë në Shqipëri dhe në Kosovë.  E them ketë se gjatë karierës time, kam pasur nderin dhe privilegjin të bashkpunoj me shumë prej tyre – në kohë të mira e sidomos në kohë të vështira — gjatë luftës së ftohtë e më vonë në periudhën e tranzicionit.  Me diplomatët amerikanë që kanë shërbyer me dinjitet në trojet shqiptare dhe anë e mbanë Evropës lidnore e qendrore ish-komuniste — si përfaqsues të denjë të Atdheut tim të adaptuar – Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku gëzojmë lirinë, demokracinë dhe të drejtat tona njerëzore.  Kësaj Amerike të bekuar që 50-vjetë më parë ka strehuar mua dhe familjen time si edhe qindëra mijëra shqiptaro-amerikanë gjatë dekadave – të detyruar të largoheshim nga trojet shqiptare nga një prej diktaturave më të egra komuniste sllavo-aziatike, siç ishte regjimi komunist i Enver Hoxhës për pothuaj gjysëm shekulli. Në këtë frymë, pra – me dashuri dhe respekt për vlerat e Atdheut tim të adaptuar, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe për të mirën e Atdheut të parëve të mi, por edhe me respekt për punën e diplomatëve amerikanë në Shqipëri dhe për hir të marrëdhënieve miqësore SHBA-Shqipëri, megjith kundërshtimet e mia ndaj disa prej politikave të ndjekura prej tyre gjatë dekadave – të më lejohet që të shprehi kësaj radhe disa kundërshtime të mia përsa shkruan Zonja Ambasadore në artikullin e saj të botuar të mërkurën për rrugën përpara në marrëdhëniet SHBA-Shqipëri. “Shqipëria ka përfunduar zgjedhje që do të shënojnë rikthimin e opozitës në parlament, një ngjarje me rëndësi kritike. Siç vërejti ODIHR në raportin e tij përfundimtar, zgjedhjet e 25 prillit ishin të mira, por jo të përsosura…”, shkruan Zonja Kim. Përkundrazi, e vetmja gjë pozitive që unë lexoj në raportin e ODIHR-it është se zgjedhjet, siç thuhet në raport, ishin të “qeta”.  Të qeta ishin edhe në kohën e Enver Hoxhës zgjedhjet, por pse ishin të qeta, nuk i bën ato “të mira” as të lira.  Shqipëria nuk ka patur zgjedhje të mira, të lira as të drejta në këto 30-vitet e fundit, pa marrë parsysh se cila parti ka qenë në pushtet. Frank Shkreli/ Zgjedhjet e 30-qershorit: Një poshtërsi për qeverinë shqiptare, një dështim për opozitën, një turp për ndërkombëtarët dhe një fatkeqësi për kombin shqiptar! | Gazeta Telegraf 

Kjo traditë vazhdoi edhe me zgjedhjet e fundit në Shqipëri.  Asnjë vërejtës i paanshëm nuk mund të pretendojë se këto zgjedhje ishin të “mira”, të lira dhe të drejta.  Ose i besojmë ODIHR-it ose jo.  Ndër të tjera, në raportin e tij për zgjedhjet në Shqipëri, për t’i ra shkurt bisedës, thuhet se partia në pushtet “keqpërdori burimet administrative”.  Përcakton “mbledhjen e informacionit për të dhënat personale”, si një problem seriroz.  “Shitblerja e votës mbetet shqetësim”, thuhet mëtej.  “Presionet ndaj medias” nga korrupsioni i madh që ka prekur shoqërinë shqiptare, thuhet, ndër të tjera, në raportin e ODIHR-it për zgjedhjet e fundit në Shqipëri, është gjithashtu diçka për t’u shqetësuar për të gjithë ata që besojnë në votën e lirë. Nëqoftse këto probleme dhe shqetësime të tjera në raportin e ODIHR-it i bëjnë këto zgjdhje të “mira”, atëherë ne kemi një ndryshim të madh në interpretimin e dallimit midis të mirës dhe të keqes, si koncept. Në çdo vend tjetër të Evropës këto zgjedhje nuk besoj se do të cilësoheshin si të “mira” as të drejta, dhe as të lira.  Si të tilla, fatkeqësisht, nuk besoj se do e çojnë Shqipërinë “në familjen evropiane”, ashtu siç dëshirojmë të gjithë.

“Pesë vjet pas miratimit të ligjeve, reforma në drejtësi po jep rezultate reale që do të ndihmojnë për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë”, shkruan ambsadorja Kim.  Të gjithë ata që e duan Shqipërinë dhe ia duan të mirën Kombit shqiptar – e në këtë grup besoj të jetë edhe ambasadorja Kim – e duan dhe e mbështesin reformën në drejtësi, për t’i dhenë fund njëherë e mirë, “pandëshkueshmërisë” dhe korrupcionit në atë vend, përfshir pandëshkueshmërinë politike që mbretëron në politikën shqiptare për një shekull tani.  Është shumë mirë që “reforma e re” në drejtësi po merret me ndëshkimin e hajdutëve, kriminelëve, të korruptuarve dhe rrugaçëve. Ju urojmë sukses!  

Po çfar mund të thuhet për rreth 30-antarëve të parlamentit të ri shqiptar, nga të gjitha palët– të cilët, sipas disa mediave shqiptare – kanë qenë anëtar ose kanë patur lidhje me ish-Sigurimin famëkeq të regjimit komunist. Këta kanë dalur nga zgjedhjet “e mira” të këtij viti në Shqipëri dhe do bëjnë ligjet për të ardhmen e Shqipërisë.  Pse nuk ngulet kembë nga diplomatët perëndimorë në Tiranë që antarët e Kuvendit të ri, që do fillojë punimet në shtator, t’i nenshtrohen një vetingu të pastrimit të figurës – siç është bërë në shumë vende ish-komuniste. Pse nuk bëhet në Shqipëri. Për derisa komuniteti ndërkombëtar nuk këmbëngulë që Shqipëria të përballet me të kaluarën e saj komuniste – ashtu siç kanë berë vendet e tjera ish-komuniste të Evropës dhe me krimet çnjerëzore të Enver Hoxhës, Shqipëria nuk do të bëhet shtet normal as anëtare e Bashkimit Evropian! 

Gjithashtu, siç e kam thenë edhe herë të tjera, nuk besoj se reforma e re në drejtësi mund të dalë me sukses – megjithë disa shënja pozitive fillestare – kur kjo reformë është pothuaj, ekskluzivisht, në dorë të ish-gjyqtarëve dhe ish-prokurorëve të regjimit komunist. Si është e mundur që institucionet më me rëndësi të Shqipërisë kontrollohen ende nga trashëgimtarë dhe apologjetë të regjimit komunist.  Uroj që t’ia dalin, por mbetet për tu parë. Unë shpesh ua kam bërë këtë pyetje diplomatëve perëndimorë në Tiranë, por kurrë nuk kam marrë ndonjë përgjigje që justifikon mbështetjen që ata u kanë dhënë e u japin këtyre njerëzve në nivelet më të larta të qeverisë dhe shtetit shqiptar. Unë nuk besoj se mund të ketë reformë, cilado qoftë ajo, me këta njerëz të komprometuar me regjimin e Enver Hoxhës dhe ndoshta edhe me krimet e atij regjimi.

E vërtetë se siç shkruan Ambasadorja Kim, “Tridhjetë vjet pasi populli shqiptar – me mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara – hodhi tej vargonjtë e diktaturës komuniste, Shqipëria ka arritur në një çast të ri mundësie historike.”  Shqipëria, Zonja Ambasadore, ndoshta i ka hedhur vargonjtë e diktaturës komuniste ashtu siç ishin para 1990-ës, por jo trashëgiminë dhe njerëzit që e mbajtën të gjallë atë diktaturë për pothuaj një gjysëm shekulli. Jam i sigurt se shumë prej tyre i ke takuar në Tiranë.  Shumë prej tyre do jenë në parlamentin e ri shqiptar ku do të vendosin të ardhmen e Shqipërisë 30-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit, e shumë prej tyre vendosin “drejtësinë” edhe sot.  Keni të drejtë kur thoni se Shqipëria ka nevojë për reflektim të thellë të ndërgjegjes morale dhe planifikim real.  Të gjthë duhet të pyesim pse janë këta njerëz pjesë e politikës shqiptare sot – por jo vetëm për mësim nga e kaluara, siç sugjeroni ju – por Tirana zyrtare dhe klasa politike në përgjithësi dhe pa dallim, përfshir edhe diplomatët preëndimorë si ju Zonja Kim — kanë nevojë për një distancim zyrtar, njëherë e mire — nga trashëgimia e të kaluarës komuniste.  Shqipëria, ka nevojë për pastrim, për një fillim të ri, me njerëz të ri, sepse siç shkruani edhe ju, Shtetet e Bashkuara duan “një aleat që është i fortë, i aftë dhe i begatë.” Kjo nuk arrihet me heshtjen e diplomatëve perëdnimorë dhe duke qenë asnjanës ndaj nostalgjikëve të Enver Hoxhës në nivelet më të larta të qeverisë dhe të shtetit shqiptar!   Shumë prej tyre, përfshir Kryeministrin Rama, kanë shprehur adhurimin e tyre për atë periudhë të zezë të Kombit shqiptar.  Ka vite që e them, se me këtë klasë politike të komprometuar moralisht dhe politikisht dhe e mbështetur nga ndërkombëtarët, Shqipëria nuk do të jetë një aleat i vyer, as i fortë, as i begatë, që ndanë vlera të përbashkëta me popullin amerikan, e si rrjedhim nuk do të jetë as një aleat i denjë që meritojnë Shtetet e Bashkuara. Shqipëria ka nevojë për pastrimin nga politika të gjithë ish-bashkpuntorëve dhe nostalgjikëve të komunizmit aq sa ka nevojë edhe për pastrimin e të korruptuarve të sotëm nga jeta politike due nga sistemi juridik.

E nderuara Ambasadore jam dakort me ju se Shqiptarët janë lodhur dhe nuk durojnë më këtë klasë të korruptuar politike, gjoja post-komuniste. Jam dakort se siç përfundoni edhe ju shkrimin tuaj, shqiptarët me të cilët kini vizituar dhe folur – nga Shkodra e deri në Gjirokastër,  të gjithë, “bashkohen në një pikë: iu ka ardhë në majë të hundës me metodat e vjetra; duan ndryshim të vërtetë; duan fundin e korrupsionit; duan një sistem drejtësie ku askush nuk është mbi ligjin; duan që kriminelët të qëndrojnë jashtë qeverisjes dhe politikës; duan një vend që i josh të rinjtë të qëndrojnë për shkak të mundësive; duan një vend që ecën përpara, jo prapa.”  30-vjet post-komunizëm askush nuk mund të jetë krenar për ndonjë arritje të madhe në Shqipëri — as poltika vendase as ndërkombëtaraët — kur shumica e shqiptarëve, sidomos të rinjtë shikojnë për mundësi për tu larguar nga vendi sa më parë që të jetë e mundur. Kjo situatë e boshatisjes së vendit, në të vërtetë, po këthehet në një tragjedi kombëtare, të përmasave epike.

Si përfundim, edhe unë bashkohem me ju, Zonja Ambasadore për nevojën urgjente se për të shpëtuar demokracinë shqiptare, nevojitet një reflektim moral, planifikim dhe intensifikim i përpjekjeve të gjithë shqiptarëve dhe diplomatëve të huaj vullnetmirë në Tiranë. Ka ardhur koha që shqiptarët të marrin fatin e tyre në dorë duke zgjedhur (në zgjedhje të lira e të ndershme) udhëheqës të ri që do të çojnë përpara jo vetëm lidhjet SHBA-Shqipëri, por edhe të cilët do të punojnë pa kursim dhe pa interesa personale e partiake të korruptuara, për një të ardhme më rë mirë për të gjithë shqiptarët pa dallim dhe për një distancim të përhershëm nga trashëgimia tragjike komuniste.  Me ju gjithashtu, “Shpresojmë që udhëheqësit e Shqipërisë – ata në pushtet dhe ata që shpresojnë të jenë në pushtet një ditë – po kështu do të reflektojnë dhe planifikojnë për të ardhmen, për një Shqipëri më demokratike, më të sigurt dhe më të begatë”, për të gjithë. 

Shqipëria ka nevojë për një fillim të ri, me njerëz të ri! Për të mirën e atij populli shumë të vuajtur, për të mirën e zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve të shqiptarëve dhe Amerikës, të cilën Kombi shqiptar, për më shumë se një shekull edhe tani e shikon si shpresën e fundit. Mos t’i zhgënjejmë shqiptarët, Zonja Ambasadore! Kanë kaluar 30-vjetë. Mjaft është mjaft!

DEMOKRACIA NUK PRET!

I kalofshi pushimet verore si është më mirë!

Frank Shkreli

                             Ambasadorja e SHBA në Shqipëri Yuri Kim

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, USA- Shqiperi, Yuri Kim

Zonja Ambasadore, ju jeni me shqiptarët, jo me ata që shembin kulturën dhe identitetin shqiptar!

May 27, 2020 by dgreca

NGA ELIDA BUÇPAPAJ/

Zonja Ambasadore,/

Keni pothuaj katër muaj në Shqipëri dhe besoj se ndiheni tashmë si në shtëpinë tuaj, sepse për shqiptarët Miku është i shenjtë, aq më tepër kur vjen nga SHBA, aleati jetik i shqiptarëve.

Gjatë këtyre ditëve ju jeni fokusuar tek reforma zgjedhore dhe në drejtësi, që janë të interesit ekzistencial për demokracinë e një vendi si Shqipëria që tashmë është futur në grushtin e një njeriu të vetëm, të mbrapshtë, një Kim Jong-un për vendin e tij, i  cili përfiton nga një situatë aspak interesante që ka ngërthyer vetë Perëndimin, plus gjendja lockdown nga pandemia.

Ndërsa i ka detyruar gjithë shqiptarët të izolohen në kuarantinë, në natën kur gdhihej 17 Maji, Edi Rama urdhëroi një laké të tij, me emrin Erion Veliaj të shembi Teatrin Kombëtar.

Kjo ndërtesë që përfaqëson identitetin kulturor të shqiptarëve kishte 27 muaj që vigjëlohej nga aktorët dhe shoqëria civile dhe mbrojtja e Teatrit ishte kthyer në kauzë lirie, si mbrojte e dinjitetit njerëzor dhe kombëtar.

Teatri Kombëtar është pronë kombëtare. I takon popullit shqiptar. E theksoj këtë fakt nisur nga një prononcim i juaj me gazetaren Inva Tare tek Euronews Albania ku nënvizoni se “pavarësisht qeverive të zgjedhura, marrëdhënia jonë është me popullin shqiptar, me Shqipërinë si vend, jo me ndonjë parti në veçanti”.

Kjo është thelbësore. Në fund të fundit partitë dhe qeveritë prodhohen nga vota e popullit,

por në rastin e Shqipërisë mjerisht vota është vjedhur dhe keqpërdorur, për faj të një sistemi zgjedhor të kalbur dhe shteti të kapur.

Por po kthehem tek Teatri Kombëtar.

Teatri Kombëtar është pronë e shqiptarëve, ndërsa diktatori Edi Rama përdori policinë e shtetit për ta rrafshuar një Monument Kulture që kishte 81 vjet histori.

Diktatori shqiptar e shembi për disa orë! Makabre! Sikur grupi terrorist ISIS shpërtheu Tempullin antik të Palmirës, duke indinjuar mbarë njerëzimin.

Shembja e Teatrit Kombëtar ishte provokimi më flagrant që i bën një sharllatan kryeministër popullit të vuajtur. Indinjata dhe rebelimi është reaksioni më legjitim.

Unë rebelohen, prandaj ekzistoj, do të thoshte  Albert Camus, një nga shkrimtarët më simbol që ka luftuar kundër llojeve të totalitarizmit. 

Nëse shqiptarët nuk do të indinjoheshin dhe revoltoheshin do të ishin skllevër të Edi Ramës, të një diktatori të çmendur!

Por shqiptarët janë qytetarë të një vendi aleat të NATO-s!

SHBA i ndihmuan shqiptarët  t’i bashkangjiteshin aleancës që mbron vlerat e Perëndimit.

Ndërsa një kryeministër që shkallmon Monumentet e Kulturës dhe dërgon policinë të shtypë artistët dhe civilët nuk meriton të jetë kryeministër i një vendi anëtar të Aleancës Verio-Atlantike.

Indinjata është legjitime. Shembja e Teatrit Kombëtar shkaktoi indinjatë kombëtare.

Gjatë këtyre ditëve kam kërkuar të gjej një prononcimin tuaj për shembjen e Teatrit Kombëtar dhe nuk kam gjetur.

Kam kërkuar në Facebook, Twitter, Instagram.

Teatri Kombëtar u mbrojt për 27 muaj ditën dhe natën jo nga partitë politike por nga shqiptarët.

Edi Rama Ai me papërgjegjshmërinë dhe lehtësinë vandale që karakterizon diktatorët, shembi jo vetëm Teatrin Kombëtar,

por edhe principet dhe parimet e demokracisë me të cilat identifikohen SHBA dhe Perëndimi.

Nga rrjetet sociale më erdhi thashethemnaja se ju jeni takuar me Edi Ramën më 16 maj 2020.

Janë njerëzit e Edi Ramës që përhapin këto fakenews për të manipuluar opinionin se gjoja për shembjen e Teatrit Kombëtar ka dhënë vizën Ambasadorja e SHBA!

Qëndrimet tuaja janë të hapura dhe transperente: ju jeni e fokusuar tek reforma në drejtësi dhe ajo zgjedhore.

Por shqiptarët prisnin që ju të fokusoheshit edhe tek shembja e Teatrit si akt makabër kundër kulturës shqiptare.

Sepse shembja e Teatrit Kombëtar ka si qëllim të vetëm vonesën e reformave, ku SHBA dhe BE janë të fokusuar.

Ambasadori i Gjermanisë më 17 maj do të deklaronte se:  “Shembja e nxituar e Teatrit Kombëtar në Tiranë agimin e ditës së sotme në atë formë, që e pamë, është për mua e vështirë për t’u kuptuar. Pikërisht në situatën aktuale të jashtëzakonshme dialogu mes qeverisë dhe shoqërisë civile si dhe sjellja transparente e qeverisë janë veçanërisht të rëndësishme. Ky zhvillim më shqetëson edhe më shumë nisur nga konteksti i luftës kundër pandemisë së virusit Corona, duke qenë se grumbullimet e njerëzve të ndodhura deri tani dhe ato të pritshme mund të sjellin hapa pas. U bëj thirrje të gjithë aktorëve për dialog dhe vetëpërmbajtje.”

Deklarata e Ambasadorit Gjerman ka dy anë të monedhës. Njëra anë është konfrontimi me të vërtetën se ai e ka vështirë ta kuptojë një akt të tillë. Ndërsa ftesa për dialog, ana tjetër e monedhës, është diplomatike dhe konformiste.

Sepse logjikisht një kryeministër i cili shemb një Monument Kulture që mbrohet ditë e natë nga qytetarët ka shembur çdo mundësi për dialog me ata.

Diktatori Edi Rama iu ka shpallur luftë edhe shqiptarëve edhe Perëndimit, edhe dialogut, edhe reformave.

Reformat në drejtësi dhe sistemin zgjedhor janë emergjencë kombëtare, por emergjencë e emergjencave është të ndalet dora kriminale e diktatorit të gatshëm për monstruozitete që nuk i kap mendja njerëzore.

Nëse Edi Rama do të mbështeste qëndrimin tuaj, zonja Ambasadore, pra nëse ai do të ishte pro reformave, do të përpiqej të mos provokonte ndërgjegjen kombëtare të shqiptarëve, pra do ta linte të qetë Teatrin Kombëtar dhe nuk do të çonte fadromat si i dërgonte dikur diktatura komuniste në mes të natës makinat për të deportuar në internim familjet e armiqve të partisë.

Edi Rama e rrafshoi Teatrin Kombëtar me qëllimin djallëzor për të varrosur çdo lloj reforme që lidhet me sistemin demokratik!

Sistem demokratik etimologjikisht do të thotë qeveri e popullit, që garanton jetë me dinjitet të qytetarëve çka është në antitezë të plotë me diktaturën që ka instaluar në Shqipëri Edi Rama.

Shqipëria sot më tepër se kurrë ka nevojë për shtet të së drejtës, por sot më tepër se kurrë shqiptarët dhe aleatët Perëndimorë nuk kanë kanë nevojë për kryeministër stalinisto-mafioz, që e përdor parlamentin kukull, policinë dhe shtetin kundër popullit shqiptar.

Ju e thoni shprehimisht se “marrëdhënia e SHBA është me popullin shqiptar, me Shqipërinë si vend”.

Prej kësaj del se duhet të jeni me shqiptarët dhe me Teatrin Kombëtar të shqiptarëve!

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, Yuri Kim

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT