• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Luigj Gurakuqi, zadhanësi i idealeve kombtare, shembëlltyra e virtytit politik, frymëzues i kultures e i qytetnimit europian

October 6, 2014 by dgreca

Nëno moj, ç’është perpjekur/
Gojë-mjaltë e zemer-hekur/
Noli/
Nga Kolec Çefa/
Nuk mund të ketë njeri të plotsuem e pa mungesa, nuk mund të ketë njeri të perkryem e pa gabime, nuk mund të ketë njeri krejtësisht të paster e pa mëkate, sado të vogla, por, po të kishte një njeri të tillë, ndër politikanë sidomos, i pari do të thojshe âsht Gurakuqi. Në fytyrë: një flakë energjie entuziazte i jepte nur, fytyrë burrnore, e hijshme, ku vezullonte vizioni patriotik. Ata sy të qetë e të urtë, ato fjalë të meçme e frymëzuese, atë trimni të matur e patriotike, i pelqente gjithkush. Të bajshin per vete sytë e tij të bukur, ku mençuria lexohej në shkëndijat e tyne, ku zemërbardhësia lexohej në gazin e tyne, ku ekuilibri shpirtnor pasqyrohej në qetësinë e tyne. Kishte një mendim të mirë per të gjithë: afrues, inkurajues, tolerues; një zemer të hapët per të gjithë: të tejdukshme, të bardhë, të ngrohtë; një buzëqeshje të kandshme për të gjithë: të sinqertë, të përzemërt, joshëse. Shpesh shpërthente në gaz, por dinte të bahej serioz. Dhe i kishte hije edhe gazi, edhe serioziteti. Se nuk e tepronte as njenin, as tjetrin. Kishte aftësinë me ndejë me të gjithë. E, me të gjithë, krijonte marrëdhanie të përzemërta, se udhëhiqej nga parimi fisnik: Të kuptohemi, të merremi vesh me të mirë, të duhemi se jemi shqiptarë, jemi njerëz! Mishnonte parimin njerzor: “Po gaboj, qortoje; po u pendue, fale”.
Studjoi në burime të pasuna, të shëndetshme, të kullueta, me mësues të ditun, të talentuem, patriotë. Mësimet gjimnaziare i mori në Kolegjin Saverian, mësimet liceore ndër arbreshët. Perfundoi në Napoli.
E filloi me flakë ideali e guxim rinie, e vazhdoi me trimni idealisti, e e mbylli me burrni martiri.
I urti nder fjalë, i matuni në sjellje, energjiku në veprime të mbara. Politikani i urtë që dinte të dialogonte ma mirë se të tjerët: ma shumë ndigjonte se flitte. Dinte të ndigjonte me vemendje e duresë. Edhe kundërshtarin e ndigjonte deri në fund. Dhe në bisedat e tij kishte zgjuarsi, arsye, logjikë, shpesh humor, gjithmonë dashamirësi. Flitte fjalë me hapësinë mirëkuptimi, frymëzue nga bukuria e virtytit, forca e karakterit, fjalë plot mendime e ndjenja që çlodhshin mendjet e ngrohshin zemrat. Gjatë bisedës kuptonte dhe vlerësonte bashkëbiseduesin, por kishte nuhatje të hollë e të thellë prej specialisti të diktonte edhe çka fshihte fjala e sheqerosun. Fjalën nuk e përdorte me krijue hendekun “na” e “ju” e aq ma pak, nuk hidhte në biseda e kritika a nuanca ufulluese. Ishte gjithmonë i gatshëm për të gjetë rrugën e marrëveshjes e të mirëkuptimit. Ideues konsensusi, i pelqente fjala e urtë: “Ku âsht bashkimi, aty âsht ngadhënjimi”. Fjalët e tij kishin një ndriçim hyjnor. Mbante ekuilibër, një ekuilibër po, por mbi themele të shëndoshta, një ekuilibër mirëkuptues, të qëndrueshëm e afatgjatë. Mjeshtërisht, ashtu urtë e butë, ia thente vezët gjarpijve, ia hiqte helmin akrepit, ia zbulonte thimthin gjuhës së ligë. Ai luftoi prirjen tinzare arbitrare për të pengue çdo formë vullneti për diktaturë.
Por i miri e ka anmikun mbas dere. Edhe atë e ndoqi një opinion anmik, formue nga thashetheme llapazanësh, dinakësh, ta paaftish, maliciozësh, smirëzezësh. E perlyen thashethemet e gojëve të ndyta, e sulmuen gazetat proqeveritare e kundershtare, e fitimet e jetës së tij politike qenë “rrezik jete, vuejtje”. Lexoni për jetën e tij mohimin e veprimtarisë së tij, sa qe gjallë, kercnimet, nëpërkëmbjet, në ato kohë kur trathtia paguhej, shpifja perkrahej, akuza nxitej. “Na e vranë e na e shanë, na i thanë tradhëtor”!
Pranonte kompromisin që sjell dobi për të gjithë, nuk pranonte kompromisin që sjell përfitim vetjak, se ku fillon kompromisi, fillon e ligshtohet e drejta, se ku fillon interesi, dobsohet e vërteta. Koncesionet i mbante imorale; privilegjet, favoret kërkonte të ndaloheshin me statut, ndihmat, dhuratat duhet të pranohen me kujdes e rezervë.
Heshtjen për frikë e mbante ligshti, heshtjen për pajtim e mbante urti, heshtjen për të fshehë të vërtetën e mbante mashtrim. Kurr shfrim dhune, kurr shfrim mllefi, kurr shfrim përbuzjeje. Dinte të rrezikonte shpesh, por kurr të humbiste kurajon. Edhe kur pengohej, gjente forca për një vrull të ri. Në ato kohë të zymta, ushqente shpresa të bardha.
Po, Gurakuqi ishte i drejtë, ishte i sinqertë, ishte i butë, ishte i dashun. Edhe pse e dinte se drejtsia, sinqeriteti, butsia, dashunia, nuk janë këshilltarë të mirë për politikanin. Por ai u dinte kufinin. Nuk njihte kreni, por nuk e tepronte në përvujtni; s’mbante inat, por as nuk harronte të keqen; nuk njihte intrigën, por as nuk binte pre e saj; e njihte egon, por nuk humbte dinjitetin, nuk njihte trathtinë, çmonte besën. Mbështetej në traditën, por nuk mbyllej në të, se ideja kombtare i hapte horizonte të reja. Rrallë kush kishte atë harmoni të perkryeme mes mendimit e ndjenjes, mes fjalës e veprës, mes zellit e vullnetit.
Fjala âsht arma e të meçmit, pushka âsht arma e trimit, falja âsht arma e burrit. Gurakuqi i kishte të tria: edhe i meçëm, pse e shkroi fjalën e urtë, edhe trim se e shprazi mbi armiq, edhe burrë se diti me falë. Qe fryt i pjekun i burrnisë shqiptare! Fryti i ambel i intelektit politik shqiptar! Dëshironte një mendim të vetëm, frymëzohej për një mendim të përafërt, por luftoi për një mendim të përbashkët. Ai kishte besim te ky popull i vogël, me shpirt të madh; te ky popull vital, me rrajë të vjetra, të shëndoshta; te ky popull i vorfen, i vuejtun, i shkelun, por me virtyte race.
Vetëpërmbajtje nervore të admirueshme e vetkontroll energjish mendore e fizike; dinte të qëndronte në durim, e në qëndresë dinte të shpresonte. Dinte t’u bante ballë situatave nga ma të ndryshmet, nga ma urgjentet, nga ma të papritunat.
Gurakuqi nuk kishte hovin zemrak të Fishtës, as kambënguljen idhnake të Mjedës, as fluiditetin qiellor të Poradecit, as andrrimin terheqës të Naimit, as ekuivokun e Konicës, as fantazinë ngjyra-ngjyra të Shantojës, por kishte largpamsinë e politikanit, matuninë e diplomatit, forcë Anteu, pa eufori. Jetonte në gjendjen reale të botës shqiptare. Luftën politike e bante brenda të gjitha rregullave morale-etike, prandaj emri i tij, si lulet, si virtytet, përhap profum të mirë! Edhe sot kanë çka mësojnë politikanët, sidomos, deputetët tanë!
Ai ishte shejti i politikës shqiptare! Ndërgjegjja e politikës kombtare! Ma i pastri, ma i afti, ma veprimtari!
Ndër patriotët, ma i flakti; ndër politikanët, ma largpamsi; ndër udhëheqësit, ma i drejti; nder shtetarët, ma i ndershmi; ndër luftarët, ma paqedashësi, ndër shqiptarët, ma i njohuni e ma popullori. Gurakuqi qe i aftë me dhanë direktivë, qe prijës me fillue i pari, qe vullnet i palodhun me vu në jetë çdo të mirë.
Ishte shembulli ma i mirë i patriotizmit shqiptar: Ma i miri!
Iu afrue parja e pozita mashtruese, por s’u gënjye; e joshi politika e huej, por nuk e pranoi; iu treguen kërcnimet e dhambëve kundërshtarë, por s’u thye.
Im vëlla, Matish Çefa më tregoi: A. Dibra, një intim i Zogut, më thotë një ditë në burg: “ Një herë i thashë Zogut: “ Kanë fillue me të sha (fye)”. Ai m’u përgjegj: “ E dij, s’ka gja. Çka t’i baj Gurakuqit ?! Ia hjedh kocin e nuk ma lëpinë!”
Gurakuqi të bante për vete me peshën e autoritetit të tij, ai të bante ta ndjekësh me peshën e veprimtarisë së tij; ai të bindte me peshën e fjalës së meçme e emocionuese. Qe krijues vlerash intelektuale e patriotike. Ishte benjamini i luftarëve e i patriotëve të vjetër: B. Currit, Abat Doçit, D. Nikollë Kaçorrit e në veçanti i Ismail Qemalit. Ishte udhëheqës i politikanëve të rij demokratë: A. Rustemit, M. Krujës, S. Vinjaut, A.Kelcyrës…
I riu që rreshtohet ndër etent e atdheut!
Shkroi: “Pak ndër prijësa e udhëheqës janë ata që mundohen ta zgjojnë e t’i ndrisin mendjen popullit, që i thonë kjartësisht të vërtetën e që përpiqen ta drejtojnë në udhë të mbarë”. Në kohën tande, ti ishe i pari ndër të paktët: punove e nuk urdhnove; këshillove e nuk denigrove; drejtove e nuk sundove. Vune në jetë parimin kristian: “ Me sundue, do të thotë me sherbye”.
Me guxim gjithmonë të ri, me entuziazëm gjithmonë të ndezët, me hov gjithmonë optimist, mbrojte idetë tueja fisnike, ndiesinë tonë kombtare, interesat e përbashkëta të atdheut. Edhe si përfaqesues ndër shumë forume ndërkombtare, përsëri e mbrojte popullin tonë me mençuri, me energji, me dinjitet.
U bane udhëheqës që përfaqëson tribunin jetëshkurtë të popullit, që drejton në vijë të parë, që sakrifikohet i pari e jo diplomati jetëgjatë që drejton nga prapavija, i mbrojtur, nën tutelë.
Gurakuqi e mbushi hapsinën shqiptare me përkushtim kombtar. Fjala e tij e pasunoi ndjenjen kombtare, veprimtaria e tij e gjallnoi, ndërgjegjja e tij e fisnikoi atë. “Tharmi i nacionalizmit shqiptar qe Gurakuqi, Gurakuqi e Gurakuqi”. (Pader Bernardin Palaj). Ndërsa Vinjau: “… E gjeta patriot sa s’janë shumë, të kthjelltë sa pak veta dhe të butë e të ëmbël sa asnjë tjetër”.
Modeli i një patrioti, shembulli i një veprimtari praktik, tipi i një politikani, madje: diagnostikuesi ma i mirë i politikës shqiptare. Qe kundra politikës orientale nga brenda, kundra politikës kolonizuese nga jashtë. Shqipninë e andrronte Zvicër në Ballkan. Jeta e tij âsht pjesë e historisë së Shqipnisë: aty ku ajo kulmon, ndriçon emri i tij; aty ku ajo çalon, vuejti ma shumë zemra e tij.
“Barometri i politikës shqiptare”, si shkruente Shantoja.
Dhe jemi të detyruem të përsërisim fjalët e Nolit: “ Sa më mirë e kam njohur, aq më tepër kam qenë i shtërnguar ta respektoj”.
Ai nuk mund të jetë personazh i perkohshem në historinë tonë!
E kaluemja e atdheut nuk mund të kujtohet pa portretin e tij.
A thue, do të jetojë në kohë prania e tij? Dëshirojmë!
A thue, do të formojë politika shqiptare figura të tilla? Shpresojmë!
A thue, do të ketë rinia shqiptare edukatorë të tillë? Besojmë!

Filed Under: ESSE Tagged With: Kolec Cefa, Luigj Gurakuqi, zadhanësi i idealeve kombtare

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT