• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Avni Ponari: Biznesi ka nevojë për më shumë mbështetje nga shteti

January 24, 2017 by dgreca

1 Avni PonariNjerëz nga e gjithë bota erdhën këto ditë në Uashington me rastin e inaugurimit të presidentit të ri amerikan. Biznesmeni nga Shqipëria Avni Ponari, drejtor i përgjithshëm i kompanisë së sigurimeve Sigal, erdhi për të parë inaugurimin e Donald Trumpit, i frymëzuar që një bizensmen si ai vetë, është tani president i Shteteve të Bashkuara. Në një intervistë para ceremonisë së inaugurimit të Presidentit të ri amerikan, ai flet me optimizëm për vizionin e ri që pret të sjellë administrata Trump. Ndërkohë, ai ngre shqetësime për hapësirat e pamjaftueshme për zhvillim që ka biznesi në Shqipëri:

Zëri i Amerikës: Ju keni ardhur për të ndjekur ceremoninë e inaugurimit të presidentit të ri amerikan. Cfarë përfaqëson për ju ku element i demokracisë amerikane?

Avni Ponari: Unë do të thoja që është një nga ngjarjet më të rendësishme jo vetëm për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por për të gjithë globin sepse zgjedhja për herë të parë e një biznesmeni në krye të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, aq më tepër të një vendi demokratik siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të thotë shumë. Do të thotë që ne sot ndërtojmë ekonominë e tregut, por deri tani nuk ka pasur një udhëheqës të kësaj natyre që të jetë në krye të ekonominë e tregut. Unë mendoj që me ardhjen e zotit Trump në krye të Shteteve të Bsahkuara, gjërat do të jenë totalisht ndryshe. Bota do të jetë më e hapur drejt biznesit, ekonomia do të jetë më me synime të qarta për t’u zhvilluar, njerëzit do të kenë më shumë mundësi dhe hapësira për të punuar.

Zëri i Amerikës: Zoti Ponari, të kthehemi tek përvoja juaj si biznesmen. A mund të flisni për klimën e biznesit në Shqipëri. Si ka evoluar, çfarë shihni problematike, apo pozitive në vitet e fundit në këtë klimë?

Avni Ponari: Biznesmenët në Shqipëri dhe në Ballkan, politikës i duhen. I duhen në pikëpamjen e asaj që ata duhet t’i japin tonin zhvillimin të vendeve. Politika duhet të jetë ajo që duhet ta drejtojë, t’i hapë hapësirat, të krijojë sa më shumë mundësi që ajo të zhvillohet. Fakti që sot Shqipëria, me gjithë ato resurse, nuk është atje ku duhet të jetë tregon se ne s’kemi bërë sa duhet punën tonë, por edhe politika s’ka qenë atje ku duhet për të ndërtuar një të ardhme të sigurtë, për të patur një objeksion të rendësishëm dhe për të pasur një strategji të caktuar.

Zëri i Amerikës: Cfarë problematikash konkrete ka qeverisja aktuale në drejtim të biznesit, si e shihni ju?

Avni Ponari: Do të thoja që politika duhet të jetë afër, jo vetëm ta përdorë biznesin vetëm për qëllime mediatike, por të diskutojë dhe të flasë për mundësitë dhe zhvillimet që duhen. Sot Shqipërisë i mungon industria financiare jo-bankare. Eshtë ndërtuar sistemi bankar, por nuk është ndërtuar sistemi financiar jo-bankar. Pra mungon në Shqipëri bursa, mungon tregu i letrave me vlerë. Një industri sigurimesh shumë e vogël.

Zëri i Amerikës: Përse nuk ka ardhur kapitali i huaj për të shfrytëzuar këtë potencial. Ka kapital të huaj të investuar kryesisht në energjetikë, por nuk ka kapital të huaj në sektorin financiar, as në industri të tjera. Cfarë e pengon?

Avni Ponari: Duke përcaktuar, sipas meje, dy drejtimet kryesore të zhvillimit të vendit që janë turizmi dhe agrobiznesi që janë mundësitë më të mëdhaja për Shqipërinë, do të thoja që hapësirat janë të mëdha. Por akoma nuk është krijuar infrastruktura e duhur, nuk është krijuar ajo baza e shëndoshë që çdo gjë të jetë e vendosur në shina të drejta dhe të mos ndryshojë vit pas viti, por ajo gjithmonë, nëse ka ndryshime të jetë në sensin pozitiv dhe asnjëherë të mos shkojë në drejtimin e kundërt. Këtu e kisha fjalën që në fillim që politika dhe biznesi duhet të ulen jo për t’u pare në televizor, por të ulen për të diskutuar se cilat janë mundësitë dhe kush janë prioritetet e zhvillimit të ekonomisë.

Zëri i Amerikës: Por nuk bëhet fjalë për kornizë ligjore, pasi Shqipëria ka evoluar me ligjet. Këtu bëhet fjalë, me sa kuptoj për zbatimin e ligjeve, apo jo?

Avni Ponari: Natyrisht, sot në Shqipëri ekziston një bazë e madhe ligjore, por mundësia dhe përgatitja apo institucionet përkatëse për të mbikqyrur dhe ndihmuar tregun privat nuk janë në nivelin e duhur. Akoma kemi mangësi të asaj natyre; nuk zhvillojmë indistri të tëra, siç është industria financiare jo-bankare që ajo të zhvillohet, siç janë tregu privat i pensioneve, rritja e rolit të tregut dhe industrisës së sigurimeve. Pretendojmë se ndërtojmë një shoqëri tregu dhe akoma nuk kemi liberalizuar tregun e pensioneve, tregun e shëndetit privat, nuk kemi liberalizuar tregje të tjera që i thashë pak më sipër.

Zëri i Amerikës: Pse nuk është liberalizuar? Ekziston si treg, apo jo? Në fakt ju përfaqësoni tregun e sigurimeve private?

Avni Ponari: Eshtë e vërtetë, por që të funksionojë drejtpërdrejt tregu i pensioneve private do të thotë që të krijohen, ashtu siç ekzistojnë në të gjithë botën shtyllat. Do me thënë të liberalizohet një shtyllë, që do të thotë që jo vetëm të paguash tek sigurimet shoqërore në të cilat pensioni është i detyrueshëm, por duhet të paguash edhe një alternative tjetër, të paguash për pensionin tënd drejtpërdrejt. Sepse ajo që sot shqiptarët paguajnë në punësim, e gjithë ajo para shkon për të paguar pensionet e atyre që kanë punuar vite më përpara. Eshtë një garanci për atë që puguan, por nuk është pensioni i tyre.

Zëri i Amerikës: Këtu në Amerikë… po përpiqem të gjej një parallel. Këtu është pagesa e asaj si pensioni sot në Shqipëri, me detyrim që janë sigurimet sociale, tjetra është në baza vullnetare. Ju propozoni diçka që të ishte e imponuar?

Avni Ponari: Sot ekziston e drejta për të investuar në një fond privat, si e drejtë, por jo si detyrim. Ne flasim këtu për shtyllat e pensioneve private që janë të ndara në tre kollona. Sot është vetëm ajo që është shtetërore. Në rast se liberalizohet, atëherë thuhet që ky 27%, nëse marrim atë shifër që paguhet nga paga sot, dhe ndahet, 24% do të shkojë tek sigurimet shoqërore që është shtetërore dhe 3% do të shkojë vetëm për pensionin privat të secilit, atëherë do të kemi një pension, por të ndarë në dy sektorë të ndryshëm: atë që është shtetëror dhe atë që është privat. Pra nuk do të flasim më për pensione minimale, por do të kemi pensione shumë të larta dhe do të kemi njerëz të kënaqur për faktin se do të kenë pensione të garantuara në dy drejtime të ndryshme.

Zëri i Amerikës: Por ajo nuk është e garantuar. Konkretisht këtu në Amerikë kaluam një krizë ku të gjithë ata që i kishin pensionet tek privati pësuan një humbje minimalja një e treta. Asnjë gjë që është në tregun privat nuk është e garantuar, si formulë ekonomike sepse tregu privat ka ngritje-ulje.

Avni Ponari: Natyrisht që rreziqet janë kudo. Edhe banka vetë ka rrezik. Pra edhe çdo para që vendos në bankë, ti mund të falimentosh. Por shteti prandaj ekziston, prandaj ekziston institutcioni mbikqyrës, veçanërisht për industritë financiare mbikqyrja ka një rol shumë të rëndësishëm. Dhe roli i shtetit në këtë rast është i jashtëzakonshëm. Cdo qytetar duhet ta dijë përmes këtij autoriteti se ku ndodhen paratë e tij. Pra këtu kemi të bëjmë me një mbikqyrje reale të asaj që secili ka investuar. Ashtu siç është bursa, ashtu siç janë industritë e tjera. Pra ekziston mundësia gjithmonë e falimenteve, sepse biznesi është biznes, por nga ana tjetër ekziston edhe mundësia reale e ruajtjes dhe investimeve në rast se mbikqyrësit e këtyre institucioneve kryejnë detyrën siç duhet.

Zëri i Amerikës: Të kalojmë tek sektori tjetër i sigurimeve: sigurimet për shëndetin. Ku qëndroni ju si sektor privat?

Avni Ponari: Edhe këtu kemi të bëjmë me nevojën për liberalizim dhe reformë reale, sepse kur flasim për reformë flasim për ndërthurjen e elementëve të sistemit privat me sistemin shtetëror. Në të gjithë botën, në ato vende ku unë kam përvojë janë të ndërthurura të dyja këto elemente së bashku. Do të thotë që çdo njeri është i detyruar të paguajë tek sistemi shtetëror, por paguan edhe tek sistemi privat. Pra nëse sistemi shtetëror garanton një minimum të caktuar duke filluar nga 1,000-10,000 euro, ndërsa në sistemin privat mund të garantohesh 500,000 euro duke paguar një shtesë mbi detyrimin për sistemin shtetëror. Kjo në Shqipëri nuk ekziston. Ekzistojnë sot klinikat private, spitalet private, ekziston një rrjet i tërë në të gjithë Shqipërinë. Por nuk ekziston, që klienti të shkojë ashtu siç shkon në spitalin shtetëror, të shkojë edhe në spitalin privat dhe pjesën mbi shpenzimet-kuotë t’i paguajë vetë klienti. Sot spitalet dhe klinikat private funksionojnë si dyqanet e zarzavateve: njerëzit shkojnë, bëjnë analiza gjaku, paguajnë kesh, shtrohen në spital, paguajnë kesh, sepse dy sistmet nuk janë të lidhura së bashku. Nëse këto dy sisteme janë të ndërthurura në atë formë siç e ka eskperienca botërore që deri në një nivel të caktuar është sigurimi shëndetësor i detyrueshëm dhe mbi këtë nivel secili mund të zgjedhë ose spitalin shtetëror, ose atë privat dhe të dyja të jenë të pagueshme mbi të njëjtën formulë. Në spitalin shtetëror kosto do të jetë më e lire dhe mund ta shfrytëzosh p.sh. spitalin shtetëror për 10 ditë, përkujdrejt shtimit për tri ditë në spitalin privat. Këto janë të rregulluara në të gjithë botën, por është vetëm çështje dëshire dhe strategjije i qeverisë për ta bërë ose jo këtë.

Zëri i Amerikës: Por në Shqipëri nuk është vetëm infrastruktura, por edhe fuqia blerëse. Cfarë mund të pritet nga një pensionist që të paguajë sigurime privatisht. Ju si e gjykoni forcën blerëse të individit?

Avni Ponari: Sot në Shqipëri paguhet 3.7% e pagës për sigurime shëndetësore – një shifër jo e vogël, dhe e gjithë kjo shkon për spitalet shtetërore, në të cilat flitet se shërbimi është shumë i vogël.

Zëri i Amerikës: Por 3.7% është mesatarja. Për atë pjesë të popullatëst që jeton në varfëri duhet të mendojmë që paguan zero, apo jo?

Avni Ponari: Prandaj këtu ka rolin e tij shteti. Shteti futet për atë pjesë të popullsisë që nuk ka mundësi të paguajë as elektricitetin. Shteti është i detyruar të marrë iniciativë dhe të mbështesë ato zona (të varfra) që të vazhdojë jeta edhe atje. Kjo është njëkohësisht edhe për ata që kanë nevojë shëndetësore. Në Shqipëri ka një numër prej 600,000 -700,000 të punësuar – një numër jo i vogël për popullatën e Shqipërisë. Gjithë ky numër njerëzish që paguajnë sigurimet shëndetësore. Ka me dhjetëra njerëz që nuk do të paguajnë, por do të mbulohen nga ata që kanë paga më të larta, që kanë kontribute më të mëdhaja dhe do të paguajnë edhe për atë pjesë tjetër të popullsisë.

Zëri i Amerikës: Cfarë përqindjeje e popullatës shqiptare është e paaftë të përballojë financiarisht sigurimet shëndetësore për veten?

Avni Ponari: Pjesa më e varfër, më e lodhur ekonomikisht që nuk ka mundësi ta përballojë koston mund të jetë 15-20 apo 30%. Por asnjëherë nuk mund të themi që është në atë gjendje sa nuk mund të paguajë një normë të caktuar për sigurimet shëndetësore.

Zëri i Amerikës: A ka të bëjë kjo (niveli i ulët i sigurimeve të popullatës) në një lloj mënyre edhe me faktin që në Shqipëri nuk ka qenë tradita e pagesës së siguracioneve?

Avni Ponari: Fakti që sot njerëzit i drejtohen shtetit edhe nëse i digjet shtëpia, do të thotë që ai nuk e kupton se çfarë duhet të bëjë për ta mbrojtur shtëinë e tij. Fakti që digjet një dyqan apo një maganizë, të gjithë zënë dyert e bashkive, zënë dyert e qeverisë. Apo në rastin konkret të përmbytjeve. Në qoftë që qeveria, bashkitë dhe të gjithë institucionet përkatëse tërhiqet nga kjo përgjegjësi, dhe atë përgjegjësi ia lënë atij institucioni që është i rendësishëm për ta bërë, që është industria e sigurimeve, atëherë ne do ta kemi të zgjidhur realisht këtë problem.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Avni Ponari, biznesi, zeri i amerikes

INTERVISTA- Haradinaj: Ndalimi im është lojë politike e Beogradit

January 12, 2017 by dgreca

1 Ramushi interviste

Nga Ilir IKONOMI/Një gjykatë e apelit në Francë liroi me kusht ish kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, por tha se ai duhet të qëndrojë në Francë deri në shqyrtimin kërkesës së Serbisë për ekstradimin e tij. Beogradi e akuzon zotin Haradinaj për krime lufte, ndonëse ai është shpallur dy herë u pafajshëm për akuza të tilla në Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë. Arrestimi i zotit Haradinaj një javë më parë në bazë të një urdhër arresti serb nxiti reagime në shkallë të gjerë në Kosovë ku kërkohet lirimi i menjëhershëm i tij. Pak pas vendimit të gjykatës në Francë zoti Hardinaj në një intervistë me Zërin e Amerikës tha se krejt procesi kundër tij është një lojë politike e Serbisë.

Zëri i Amerikës: Zoti Haradinaj, në mediet serbe është njoftuar se prokuroria serbe për krime lufte ka ofruar prova të reja kundër jush. A jeni i njohur me këto prova nëse prokuroria serbe vërtetë i ka paraqitur ato?

Ramush Haradinaj: Proceset gjyqësore lidhur me rastin tim në Tribunalin e Hagës, kanë filuar në vitin 2005. Aktakuza e mbramë e amendamentuar ka hyrë në fuqi në vitin 2011. Do të thotë, që nga 1999 deri në vitin 2011, po të kishte pasur prova çfarëdo qoftë, Serbia apo kushdo qoftë, kanë qenë të mundshme të shqyrtohen. Nuk kanë lënë asnjë provë, asnjë informatë, jo vetëm Serbia, por askush tjetër lidhur me mua pa e prezantuar në gjykatë. Të gjitha ato prova të shqyrtuara kanë rezultuar me vendimin e gjykatës, shpallje të pafajshëm. Kjo është tani vetëm një lojë politike e Beogradit. Lojë politike, që për fat të keq e përkrahu edhe Franca.

Zëri i Amerikës: Zoti Haradinaj, çfarë pritet të ndodhë tani? Cili do të jetë hapi tjetër?

Ramush Haradinaj: Unë jam i liruar nga mbajtja në arrest. Por, duhet të qëndroj në Francë deri në përmbylljen e procedurave dhe deri në një vendim të gjykatës lidhur me këtë çështje. Këtu duhet të theksojë se e gjithë kjo është një cirk, e thashë edhe në gjykatë, një cirk ligjor, nuk ka të bëjë me ligjin, është krejtësisht politike dhe është krejtësisht abuzim ligjor. Meqenëse, aktakuza nga Serbia daton në vitin 2004 dhe proceset gjyqësore për mua kanë filluar në vitin 2005 dhe deri në vitin 2011 kanë vazhduar, do të thotë unë jam shpallur i pafajshëm në nëntor të vitit 2012. Pra, ardhja me këto shkresa të tilla, është abuzim dhe ndalimi im në bazë të urdhër arrestit të vitit 2004, është abuzim. Gjermania e ka hedhur poshtë, Austria e ka hedhur poshtë, Zvicra e ka hedhur poshtë, ndërsa është e habitshme qasja e autoriteteve franceze ndaj kësaj kërkese të Serbisë.

Zëri i Amerikës: A jeni i shqetësuar për mundësinë që të ekstradoheni në Serbi?

Ramush Haradinaj: Kjo nuk ndodhë. Nuk ka si të ndodhë. Unë jam i Kosovës. Serbia nuk ka juridiksion mbi mua as mbi Kosovën. Përgjigjen ja kemi dhënë me luftë Serbisë në vitin 1999, pra zotit (Slobodan) Millosheviç, regjimit të tij. Në atë kohë, zoti (Ivica) Daçiç ka qenë një shërbëtor i zotit Millosheviç, po ashtu (Aleksandër) Vuçiç, shërbëtor i zotit (Vojislav) Sheshel. Nëse ata nuk ndërrojnë qasje, nuk po e ndihmojnë paqen në Ballkan, por, po e destabilizojnë Ballkanin me këto lojëra të tyre politike që janë krejtësisht të padrejta.

Zëri i Amerikës: Zoti Haradinaj, nga pikëpamja procedurale, a ka qenë procesi profesional sa duhet, apo ka vonesa që ju mund t’ju duken të qëllimshme?

Ramush Haradinaj: S’ka asgjë profesionale në këtë rast, sepse burimi i këtij rasti është krejtësisht politik. Një gjykatë në Angli ka hedhur poshtë një kërkesë të tillë duke e quajtur abuzim nga Serbia dhe duke i quajtur këto aktakuza politike. Vende respektabile, po ashtu anëtare të INTERPOL-it e të EUROPOL-it si Gjermania, Austria e Zvicra, i kanë hedhur poshtë, Franca po abuzon me mua dhe me situatën me mua.

Zëri i Amerikës: Atëherë si e gjykoni ju rolin e Francës në arrestimin tuaj, një vend që e ka mbështetur pavarësinë e Kosovës dhe që në të kaluarën nuk ka ngritur ndonjë problem të veçantë lidhur me akuzat që qenë bërë ndaj jush?

Ramush Haradinaj: Shikoni. Franca është themeluese e Tribunalit të Hagës për ish Jugosllavinë. Ka pasur gjyqtarë, prokuror, hetues. Franca është pjesë e gjithë mekanizmave ndërkombëtar në Kosovë. Të gjithë këta e dinë se Serbia nuk ka juridiksion mbi Kosovën nga 99-ta sepse juridiksioni ka kaluar tek OKB-ja me Rezolutën 1244 dhe nga 2008-ta jemi shtet i pavarur dhe Serbia s’ka asnjë juridiksion mbi shtetasit e Kosovës. Shtuar kësaj edhe faktin se jam në posedim të pasaportës diplomatike të Republikës së Kosovës si kryeministër.

Zëri i Amerikës: Zoti Haradinaj, a mendoni se protestat e shqiptarëve kundër arrestimit tuaj mund të çojnë në përplasje serioze mes Kosovës dhe Serbisë?

Ramush Haradinaj: Shiqoni. Shqiptarët kanë treguar se janë popull i mirë. Janë popull i drejtë e i dashur edhe liridashës, por nuk lejojnë të padrejta. Mobilizimi i shqiptarëve ngado që janë, më ka bërë të ndjehem aq krenar saqë vërtetë besoj se e drejta është për shqiptarët dhe kanë perspektivë. Kjo është një lojë e ultë. Kushdo që ka marrë pjesë në këtë lojë të ultë, filluar nga Beogradi e të tjerët, kanë me dalë të turpëruar në këtë lojë.( ZERI I AMERIKES)

Filed Under: Interviste Tagged With: Intervista, Ramush Haradinaj, zeri i amerikes

Ja përse Lulzim Basha e censuroi intervistën që dha tek Zëri i Amerikës !

March 28, 2016 by dgreca

Opinion nga Elida Buçpapaj/

Lulzim Basha, kryetari zyrtar i PD, kreu një vizitë disa ditore në SHBA. Ai u mirëprit nga zyrtarë të Departamentit të Shtetit, Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, Kongresmenë, diaspora etj.Lulzim Basha po ashtu dha edhe një intervistë tek Zëri i Amerikës, seksioni shqip për gazetaren Ardita Dunellari.

Të gjitha aktivitetet Lulzim Basha i ka pasqyruar në faqen e tij zyrtare në Facebook përveç intervistës tek Zëri i Amerikës, e cila u botua e plotë me video dhe e zbardhur, pra me tekst. Troç, e ka censuruar këtë intervistë, ashtu si censurojnë vetëm diktatorët dhe diktaturat.

Duke iu hedhur një sy deklaratave fishekzjarre që ka lëshuar për gazetarët sapo ka mbërritur në Shqipëri, se paska marrë “mbështetjen e SHBA për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, kjo më bën të rikthehem tek intervista e sipërpërmendur për të parë më mirë se çfarë mesazhi mori ai nga institucionet Amerikane, intervistë që ai ia fshehu elektoratit dhe publikut, diçka e papranueshme për një lider të formatit Perëndimor, i cili kur arrin dhe censuron Radion që e mbështet Departamenti Amerikan i Shtetit, merreni me mend se çfarë bën me gazetarët që duan ta fitojnë bukën e gojës me punën e tyre të ndershme.

Që në fillim të intervistës tek Zëri i Amerikës, Lulzim Basha bëri zhurmuesin dhe i iku pyetjes të gazetares. I iku jo se nuk e kuptoi pyetjen, por qëllimshëm, për të thënë atë që deshte dhe jo atë që i kërkohej të përgjigjej. Një formë spekulimi.

Kur gazetarja Ardita Dunellari e pyeti: “Lidhur me rolin e opozitës në Shqipëri, çfarë mesazhi përcillni nga zyrtarët amerikanë”, Lulzim Basha doli jashtë temës dhe filloi të flasë për 25 vjetorin e rivendosjeve të marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe SHBA, dhe kur gazetarja ndërhyri, Lulzim Basha vazhdoi të japë leksione demokracie, sikur korrupsioni të kishte lindur prej 23 qershorit 2013 e këndej, ditën kur PD humbi zgjedhjet, sepse elektorati demokrat i Shqipërisë e kishte braktisur këtë forcë politike që kishte hequr dorë nga premtimet dhe standartet demokratike, për të cilat  “u shiste mend” amerikanëve Lulzim Basha tek Zëri i Amerikës.

Nuk ishte aspak korrekt fakti se ai i ikte me koshiencë dhe në mënyrë të pacipë përgjigjes, por kur ai e devijoi pyetjen, gazetarja ia bëri edhe më eksplicite dhe i tha se “Radio Zëri i Amerikës kishte kontaktuar me Departamentin e Shtetit lidhur me takimin që kishte patur ai dhe  zyra e zonjës Nuland në komentin e saj  ka theksuar edhe nevojën që opozita të jetë e gatshëm dhe e hapur për kompromis dhe për të bashkëpunuar me qeverinë për të gjetur zgjidhje për problemet më kryesore të vendit si dekriminalizimi, reforma në drejtësi.”

Në vend që zbardhja nga ana e gazetares e asaj që kërkonte DASH, diçka që ai e fshehu, ta vinte në pozitë të vështirë Lulzimim Bashën, përkundrazi ai vazhdoi pa iu skuqur faqja të jepte receta moralizuese, duke harruar se nëse drejtësia dhe politika është e inkriminuar, kjo për fajin e lidershipit dhe qeverisjeve që kanë drejtuar Shqipërinë këta 25 vjet.

Kur gazetarja e pyeti se si mund ta mbrojë PD reformën gjyqsore nga presioni politik, kur PD vetë po futet në dialog me interesa të caktuara, Lulzim Basha vazhdoi të bënte demagogji sikur PD qenka faktor konsensusi dhe problemi i ngecjes dhe ngërçit është pala tjetër, kur në fakt reforma në drejtësi ka ngecur sepse të gjitha palët nuk duan të kryhet pasi i frikësohen drejtësisë.

Edhe sa i përket Byrosë Kombëtare të Hetimeve, njëri nga pretendimet e PD që ngritja e këtij institucioni të bëhet pas ndryshimeve kushtetuese, është vetëm një mënyrë që ky institucion të mos ngrihet ose të vonohet sa më shumë të jetë e mundur ngritja e tij, sepse ndryshimet kushtetuese kërkojnë kohë, ndërsa faktori ndërkombëtar kërkon që BKH dhe reforma në drejtësi të kryehet sa më shpejt që të jetë e mundur.

Lulzim Basha bëri një ndërhyrje tjetër patetike dhe arriti kulmin e demagogjisë kur i tha gazetares të Zëri të Amerikës se “Shqipëria nuk është Republika Prokuroriale e Shqipërisë, dhe as Republika Gjyqësore e Shqipërisë; është Republika e Shqipërisë – një demokraci parlamentare”, kur e vërteta është se Shqipëria është kthyer në Republikën e Kapur nga liderët e tre partive kryesore, të cilët në mënyrë antidemokratike kanë vendosur se cilët do të jenë deputetët e Parlamentit të Shqipërisë, se cili do të jetë Kryeprokurori i Shqipërisë, se cilët do të jenë kryegjyqtarët, gjyqtarët, presidenti, kryetari i shërbimit sekret i Shqipërisë, deri se cilët do të jenë opinionistët dhe gazetarët e Shqipërisë duke e degraduar dramatikisht sistemin.

Prandaj reforma në drejtësi për dekriminalizimin e politikës dhe Byroja Kombëtare e Hetimeve është SOS-i i fundit për të shpëtuar shtetin.

Kur gazetarja i tha Lulzim Bashës se PD “mban përgjegjësi për faktin, që korrupsioni arriti një nivel të atillë deri sa ka një angazhim të tillë të elementit ndërkombëtar për ta shkulur këtë problem, duke qenë se PD ka pasur pushtetin deri para tre vjetësh”, lideri i opozitës në vend që të mbante përgjegjësi, filloi të mbrohej duke sulmuar palën tjetër, ku sipas tij në kohën kur qeveriste PD ka pasur korrupsion, por tani që po qeveris PS korrupsioni është rritur edhe më.

Një përgjigje pa përgjigje dha Lulzim Basha edhe sa i përket Firmës Podesta, e cila ka lobuar për vizitën e kryetarit të opozitës në Washington D.C. Pyetjes të gazetares se përse ka lobuar kjo firmë, kur Departamenti i Shtetit e ka mirëpritur Lulzim Bashën, ky reagoi pa asnjë lloj modestie, por kur gazetarja e pyeti se sa e kishte paguar PD këtë firmë, Lulzim Basha reagoi me kakofoni se Podesta ka lobuar gratis për ta, çka tingëllon absurde sepse asnjë firmë, aq më tepër në SHBA, aq më tepër me emër si Podesta, nuk punon gratis  as për Lulzim Bashën dhe as për Sali Berishën.

Në këtë intervistë, Lulzim Basha nga pozita aspak dinjtoze mbajti një qendrim ex chathedra, dha leksione demokracie, kur duhej të mbante kokën ulur, për faktin e thjeshtë se nëse Shqipëria ndodhet me këto rekorde korrupsioni dhe inkriminimi, faj për këtë janë dy forcat kryesore politike, që tashmë janë bërë anët e të njëjtës medalje këtë çerek shekulli tranzicion.

Ndërsa pretendimet e alternativës të Lulzim Bashës për zgjedhje të reja nga Washintgon D.C.  janë në rezonancë të plotë me ato të Sali Berishës, që përkuan edhe me një ribllokim të reformës zgjedhore posa Lulzim Basha i vuri këmbët në Tiranë, duke harruar premtimet që dha në Washington D.C..

Mendon Lulzim Basha se Podesta është më e fortë se DASH, dhe me një të rënë të lapsit, kryetari zyrtar i PD, do të arrijë çdo lloj fantazije për të ricikluar pushtetin e të bëhet shefi i qeverisë së re të Shqipërisë, kështu kope e inkriminuar si janë tani  ?

Që nga 23 qershori 2013, Lulzim Basha nuk ka ndërmarrë asnjë hap reflektues pas humbjes drastike të PD-së, ndërsa në intervistën tek Zëri i Amerikës, qëndrimi i tij herë duke i devijuar pyetjeve të gazetares, herë duke bërë zhurmuesin, herë duke u bërë demokratin, e herë konsensualin, me një eufori dhe mendjemadhësi deri në arrogancë të pajustifikuar, tregon se PD po vijon kursin e saj të shtrembër, të imponuar nga kupola dhe garda e vjetër që synon të qëndrojë në pushtet me një riciklim të ri. Prej kur kanë humbur zgjedhjet, nuk ka asnjë tregues për katharsis të PD. PD drejtohet me grusht të hekurt nga kupola oligarkike e zgjedhur nga Njëshi, që i ka patur gjithmonë frenat e shtetit kur është bërë ciklimi i pushteteve. Këta njerëz nuk do të fitonin asnjë votë nëse Shqipëria do të ketë një sistem zgjedhor proporcional dhe lista të hapura.

Kjo e bën urgjente reformën në drejtësi, për dekriminalizmin, funksionimin e Byrosë Kombëtare të Hetimeve si dhe domosdoshmërinë e reformimit të sistemit zgjedhor që zgjedhjet e reja të mos i gjejnë shqiptarët përpara listët ku njëshi i partisë katapulton ata që nuk e meritojnë të përfaqësojnë popullin, por meritojnë të dalin përpara drejtësisë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, Interviste, Lulzim Basha, zeri i amerikes

“ZERI I AMERIKES” NE TROJET SHQIPTARE

October 18, 2015 by dgreca

Drejtori i Divizionit të Euroazisë në ‘Zërin e Amerikës’ z. Elez Biberaj dhe Drejtori i Seksionit shqip z. Arben Xhixho, vizitë në Tiranë, Shkup dhe Prishtinë/
TIRANE : Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani, priti në një takim Drejtorin e Divizionit të Euroazisë në ‘Zërin e Amerikës’ z. Elez Biberaj dhe Drejtorin e Seksionit shqip z. Arben Xhixho, shkruan sot faqja e presidentit te Republikës së Shqipërisë.
Krerët më të lart të këtij institucioni Zëri i Amerikës javën që lamë pas vizituan Prishtinën dhe Shkupin në kuadër të programit BBG/ VOA & RFE, një program ky i cili merret me trajnimin e gazetarve në Ballkan.
Në kryeqytetin e Kosovës Prishtinë, bëhet e ditur se Biberaj dhe Xhixho janë takuar me Presidenten e Kosovës zonjën Atfifete Jahjaga dhe kolegët e tyre të Zërit të Amerikës në Kosovë.
Kurse, në Maqedoni Drejtori i Divizionit të Euroazisë në ‘Zërin e Amerikës’ z. Elez Biberaj dhe Drejtori i Seksionit shqip z. Arben Xhixho, janë takuar me kryetaren e Komunës së Tetovës zonjë Teuta Arifi dhe korrespondentët e Zërit të Amerikës, nga Shkupi, si dhe me drejtorin e Radio Televizionit 21 , z. Eugen Saraqina. / Beqir SINA/

Filed Under: Kronike Tagged With: arben xhixho, Elez Biberaj, ne Trojet Shqiptare, zeri i amerikes

ZERI I AMERIKES:Në arkivin e Vatrës

June 12, 2015 by dgreca

Nga Ilir IKONOMI/
Organizata Vatra me qendër në Nju Jork, ka një histori të veçantë. Ajo u krijua në prill 1912 në Boston, nën drejtimin e Fan Nolit dhe Faik Konicës, si bashkim i shumë organizatave më të vogla në komunitetet shqiptare, kryesisht të verilindjes amerikane. Sot, pas më tepër se një shekulli, ajo ende ekziston.
Arësyeja e ekzistencës së saj mund të kërkohet tek gjërat që ajo bëri për Shqipërinë, por edhe te materiali dokumentar që ka lënë pas. Kolegu ynë Ilir Ikonomi ishte në Nju Jork dhe bisedoi me zotin Dalip Greca, kryeredaktor i gazetës Dielli, organ i Vatrës.
Zoti Greca thotë se historia e kësaj organizate mbi 100-vjeçare është e dokumentuar me një material të shumtë që ndodhet në këtë ndërtesë të Bronksit.
“Në fakt, edhe vetë komuniteti nuk e di se çfarë pasurie fshihet këtu brenda. Këtu ka dokumente origjinale të paktën që nga viti 1910. Regjistri më i vjetër që ndodhet në Shtëpinë e Vatrës është ai i shoqatës Besa-Besë, një nga shtyllat që krijuan Vatrën. Nga viti 1910 ne kemi të dokumentuar të gjitha takimet që bënte organizata Besa-Besë, marrëdhëniet me Faik Konicën…”
Vatra do të mbahet mend sidomos për fushatat e saj në ndihmë të Shqipërisë gjatë Luftës së Parë Botërore.
“Këtu ka dokumentacion të plotë për të gjitha fushatat e mëdha që ka bërë Vatra. Kështu për shembull, është fushata e 3 qershorit 1917, kur vatranët nisën të bashkojnë kursimet e tyre, për të realizuar mbrojtjen e pavarësisë së Shqipërisë në Konferencën e Paqes,” thotë zoti Greca.
“Veprimi i pare që bëri Vatra, është i dokumentuar aty, i vuri një rrogë Mehmet Konicës, që nga viti 1916, dhe e dërgoi atë në Londër. Po ashtu Doktor Turtulli në Gjenevë, Mitat Frashëri, Kostë Çekrezi në Uashington. Të gjithë këta do të lobonin për pavarësinë e Shqipërisë dhe duheshin paguar.”
Ishte koha kur shteti i Shqipërisë kishte gati moshën që ka sot shteti i Kosovës. Qeveria që u formua në Kongresin e Lushnjes, në vitin 1920, nuk mund të funksiononte dot pa financa dhe Vatra ndihmoi përsëri:
“Qeveria e Sulejman Delvinës dërgoi këtu Mithat bej Frashërin, i cili i shoqëruar nga vatranët, brodhi koloni më koloni ku jetonin shqiptarët dhe organizuan atë që quhet huaja kombëtare. Filloi fushata me idenë që të mblidheshin së paku 100 mijë dollarë. Por ajo qe aq e suksesshme saqë shkoi në 198 mijë dollarë, ose rreth 2,8 milion dollarë me paratë e sotme.”
Shtëpia e Vatrës ka një koleksion të mirë të gazetës Dielli, më e vjetra gazetë në gjuhën shqipe që vazhdon të dalë edhe sot. Ajo është kujtesa historike e Vatrës.
“Kjo është një pasuri më vete dhe mua më vjen mirë që shumë studiues shqiptarë, sidomos studentë shqiptarë, veçanërisht ata të Kosovës, vijnë nga universitetet e Evropës dhe bëjnë mbrojtje diplome, duke shfrytëzuar materialet e Diellit këtu.”
Zoti Greca thotë se Vatrës i vijnë vazhdimisht materiale me vlerë nga njerëz të ndryshëm që duan t’i dhurojnë dhe t’i depozitojnë ato në një vend të sigurt:
“Na kanë ardhur fotografi që nuk i kishim patur: piknike të shqiptarëve, apo nga shoqata të tjera që kanë vepruar në SHBA. Por kanë ardhur edhe gazeta të veçuara. Por është një aksion që nuk duhet të njohë kufi kohor.”
Arkivi i Vatrës është jetëshkrimi i saj, që u flet shqiptarëve të Amerikës, sidomos të rinjve, për të kaluarën e këtij komuniteti të gjallë, të larmishëm dhe interesant.(Shko ne Zeri i Amerikes)

Filed Under: Vatra Tagged With: dalip greca, ne arkivin e Vatres, zeri i amerikes

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT