U SHËNUA 100-VJETORI I MASAKRËS SË MALIT TË ZI DHE TË SERBISË NË SHTUPEQ DHE NË KATUNDE TË TJERA TË RUGOVËS, MË 1919/
Nga Zymer U. Neziri/
Në Pejë, në universitetin ‘’Haxhi Zeka’’, në bashkorganizim me Klubin e Intelektualëve të Rugovës në Prishtinë, u mbajt simpozium shkencor në këtë 100-vjetor, më 15 shkurt 2019, për njërën ndër masakrat më mëdha të asaj kohe. Kumtuan studiues të përmendur, shumica nga qendrat tona universitare: dr. sc. Arben Arifi, Prishtinë, prof. Binak Ulaj, Plavë e Guci, prof. as. dr. Elinda Dibra (Ramadani), Shkodër, prof. dr. Fatmira Musaj, Tiranë, prof. as. dr. Fitim Rifati, Prishtinë, prof. dr. Hakif Bajrami, Prishtinë, prof. dr. Haki Kasumi, Prishtinë, prof. dr. Isamedin Azizi, Shkup, prof. dr. Limon Rushiti, Prishtinë, prof. as. dr. Luan Tetaj, Prishtinë, prof. dr. Lush Culaj, Prishtinë, akad. prof. dr. Marenglen Verli, Tiranë, dr. sc. Mark Palnikaj, Tiranë, dr. sci. Nail Draga, Ulqin, mr. sc. Nikollë Loka, Tiranë, prof. dr. Dom Nikë Ukgjini, Shkodër, dr. sci. Qerim Lita, Shkup, prof. Rexhep Dedushaj, Plavë e Guci, prof. as. dr. Rudina Mita, Elbasan, prof. dr. Shyqyri Hysi, Gjirokastër, prof. dr. Zymer Ujkan Neziri, Prishtinë. Pos kumtesave të lexuara, me interes ishin edhe diskutimet.
Në sallën e mbushur përplot janë shpërndarë libri Shkurtorja e kumtesave me programin e simpoziumit dhe libri Ditt e trishtimit… të Zef Mark Harapit, përgatiutr për shtyp nga dom Nikë Ukgjini, ribotim i ‘’Dukagjinit’’, dhuratë për nevojat e shënimit të këtij përvjetori. U shpërnda edhe dokumenti i Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës, pjesa për Shtupeqin e Vogël dhe për Shtupeqin e Madh, me emrat e 433 dëshmorëve e martirëve të masakruar, të vrarë ose të djegur të gjallë nëpër shtëpia dhe në Hanin e Isuf Veselit, më 16 shkurt 1919. Mosha e tyre është nga fëmija një vjeç (djali i Shabanit, Sh. i Madh) e deri te plaku 101 vjeç (gruaja e Ibishit, Sh. i Madh). Ndër ta është edhe bajraktari i Bajrakut të Shtupeqit të Vogël, Mehmet Shabi – Pepënikaj, i plagosur gjatë luftimeve, i zënë rob në Lipë dhe i pushkatuar bashkë me ndihmësin e tij, Bekë Hyseni – Nilënikaj. Por, ka aty edhe disa emra personash që kanë shpëtuar, pra, janë shënuar gabimisht, mirëpo ka edhe emra që mungojnë. Dokumenti i KMKK-së, dt. 8 shkurt-25 shkurt 1919, është dorëzuar në Lidhjen e Kombeve, më 21 dhjetor 1921, me të dhëna për këto dy katunde dhe për katundet e tjera të Rugovës, si dhe për Plavën, Gucinë, Pejën, Gjakovën, Rozhajën. Versioni i tashëm, i botuar në rev. Dy Drina’’, pjesa për Shtupeqin e Vogël dhe për Shtupeqin e Madh, me emrat e 433 dëshmorëve e martirëve të masakruar, të vrarë ose të djegur të gjallë, është i përkthyer nga frëngjishtja dhe është përgatitur për shtyp nga Kujtim Nuro.
Të pranishmit i përshëndetën prorektori, prof. dr. Afrim Selimaj, dhe kryetari i KD të Klubit, prof. dr. Ali Muriqi. Në mbrëmje, në teatrin ’’Istref Begolli’’, në praninë e personaliteteve të njohura, u mbajt akademi përkujtimore, me drejtues prof. dr. Jeton Kelmendin, sekretar i Klubit, ku folën ministri Shyqyri Bytyqi, kryesuesi i Kuvendit, Islam Husaj, komandanti Salih B. Lajçi, prorektori Afrim Selimaj dhe Zymer U. Neziri, hartues i projektit. La mbresa të forta AFA ’’Rugova’’ me këngë e me valle të njohura epike, kurse Fatos M. Lajçi shfaqi një film dokumentar.
Të nesërmen, kumtuesit vunë kurora pranë pllakave përkujtimore në Shtupeq dhe u thanë fjalë rasti nga Ramiz Beqir Nikçi, Avdi Hysë Halili dhe Haxhë Zenel Nikçi.
Kjo ishte një përpjekje për të larë borxh ndaj atyre rugovasve që u masakruan nga Serbia dhe Mali i Zi vetëm pse ishin shqiptarë. Kjo është po ashtu përpjekje për ndriçimin e mëtejshëm të historisë më të re të krimeve të Malit të Zi dhe të Serbisë mbi popullin shqiptar. Por, më kryesorja është që me këtë simpozium shkencor t’ia kujtojmë brezit tonë të ri rrugëtimin e përgjakshëm të të parëve tanë nën robëri, nga viti 1912 deri në qershor 1999, kur Rugova e Peja gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përsëri janë masakruar, janë plaçkitur e janë djegur nga Mali i Zi e Serbia. Mirëpo, deri më sot ato nuk kanë kërkuar falje për krimet, nuk i kanë kthyer eshtrat e të pagjeturve, as nuk i kanë paguar dëmet e shkaktuara, ndonëse luftën e kanë humbur. Madje, Malin e Zi e kanë shpërblyer 80 deputetë shqiptarë me afër një të tretën e territorit të krahinës së Rugovës, më 21 mars 2018, në Kuvendin e Republikës së Kosovës!
Për kumtuesit u ndanë certifikata, kurse mirënjohje u dhanë për ata që e ndihmuan realizimin e projektit me punë dhe me mjete financiare. Kumtesat do të botohen. Do të botohet edhe një vëllim me dokumente. Në qershor planifikohet vënia e gurthemeleve të dy qendrave përkujtimore për periudhën e robërisë dhe të qendresës, 1912-1999, në Shtupeq të Vogël dhe në Shtupeq të Madh.