Shkruan:Zymer U. Neziri/
Mërgata jonë në Zvicër e kujton me krenari Skënderbeun. LAPSH ’’Naim Frashëri’’, Kantoni i Argaut, organizoi simpoziumin shkencor ‘550-vjetori i vdekjes së Gjergj Kastriotit- Skënderbeut’. Simpoziumi u mbajt në Vindish, më 23.6.2018. Pas fjalës së mirëseardhjes nga Riza Demaj, kryetar i LAPSH-it dhe veprimtar i njohur i çështjes kombëtare , përshëndetjeve nga ambasadori, Ilir Gjoni, dhe ministri këshilltar, Mustafë Xhemajli, fjalën e hapjes e mbajti prof. dr. Frashër Demaj, anëtar korrespondent në ASHAK. Në këtë simpoziumin shkencor kumtuan profesorë dhe studiues të dalluar nga Prishtina, Tirana e mërgata.
Në kumtesën e tij, ’’Atakimi i figurës së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, tendencë antishqiptare’’, prof. dr. Frashër Demaj, anëtar korrespondent në ASHAK, tha: Me shfaqjen e interesave të “neootomanizmit” në viset shqiptare, fillimisht nisi atakimi i historisë, i kulturës dhe i traditës kombëtare shqiptare. Kjo tendencë, për fat të keq, u shfaq nga një vend që, të paktën në kohët moderne, u konsiderua si mik i shqiptarëve për shkak të kontributit si anëtar i NATO-s në luftën e Kosovës. Në vijim, ai shtoi se në mesin e figurave më të atakuara është Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, i cili në historinë e popullit shqiptar, në memorien kolektive dhe në kujtesën historike të tij, është personaliteti më i çmuar dhe simbol, që i bashkon të gjithë shqiptarët. Asnjë dokument serioz nuk flet për prejardhjen sllave të nënës së Skënderbeut, që luftoi kundër Venedikut, Raguzës etj., që ishin të krishterë, luftoi edhe kundër P. Osmane, që ishte islame, kurse qëllimi i tij ishte formimi i një shteti të kohës, theksoi ai.
Në vijim, msc. Shaban Arifaj, gazetar, publicist e shkrimtar nga Prishtinë, mbajti kumtesën ’’Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në shkrime publicistike-letrare’’dhe tha: Në këtë punim jam përpjekur që të sheshoj disa nga shkrimet, që sipas mendimit tim, paraqesin të dhëna interesante për jetën, veprën dhe jehonën në botë të luftërave të tij për çlirim kombëtar, po besa edhe për çlirim të vendeve fqinje nga zgjedha turke. Pra, heroi ynë kombëtar, krahas epopesë së tij të lavdishme të luftës për të mbrojtur trojet shqiptare nga sundimi osman, konsiderohet edhe si mbrojtës i portës evropiane të depërtimit osmanlinj në kontinentin e vjetër. Ai vuri në pah se vlera më sublime kombëtare e figurës së tij, është se për 25 vjet me radhë, ai mbajti larg Arbërisë ushtrinë turke, duke e thyer pothuajse në çdo betejë. Gjatë gjithë jetës së tij, Gjergj Kastriot Skënderbeu zhvilloi 30 beteja, nga të cilat 29 prej tyre i fitoi dhe vetëm një e humbi, atë të Beratit.
Pastaj, në këtë simpozium shkencor lexoi kumtesën profesori i Universitetit të Tiranës, Fakulteti Histori-Filologji, prof. asoc. dr. Teki Kurti, ’’Gjergj Kastrioti –Skënderbeu, princ i Arbërisë (DominusAlbania)’’, ku theksoi: Gjergj Kastrioti-Skënderbeu ishte trashëgimtar i ligjshëm ndaj dhe quhej Zot i Krujës e i Arbrit. E gjithë epoka, ku Skënderbeu luftoi për bashkimin e popullit dhe për mbrojtjen e lirisë në shtetin e Arbërit, mori emrin dhe lavdinë e tij, kurse Flamuri i Kastriotëve me shqiponjën e zezë dykrenare, me fushë të kuqe, priu ndër shekuj në luftërat e popullit shqiptar për liri. Ai theksoi po ashtu se në stemën e princit të Arbrit, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, bashkohet shqiponja dykrenare me yllin me gjashtë cepa dhe me luanin e mbështetur mbi dy këmbët e pasme, simbole të familjeve së Kastriotëve-Balshajve-Topiajve e Skurajve, të cilët në kohë të ndryshme kishin qenë zotër të Arbrit. Skënderbeu themeloi Besëlidhjen e Sundimtarëve Shqiptarë në Kuvendin e Lezhës, më 2 Mars 1444, e cila u bë i pari bashkim politik për mbarë shqiptarët, që për 25 vjet me radhë përballoi si asnjëherë më parë beteja të mëdha e rrethime të organizuara nga sulltanë të mbiquajtur “pushtues të botës”.
Nga fusha e arsimit, u lexua kumtesa me interes nga dr. sc. Vaxhid Sejdiu, doktor i shkencave filologjike, mësues i shkollës shqipe në Zvicër, ’’Figura e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në tekstet e shkollës shqipe’’: Dëshiroj që në këtë punim t`i jap një përgjigje pyetjes se si trajtohet Skënderbeu në tekstet shkollore? Bazë për studim janë tekstet e fillores, për lëndët Gjuhë e letërsi shqipe dhe Histori, kl. V-IX, si dhe kl. I-IV për shkollat e mesme. Këto libra janë në përdorim në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Kosovën Lindore (Preshevë…). Dhe, ky përvjetor na detyron që figurën e Skënderbeut ta shikojmë nga këndvështrime të ndryshme. Hartuesit e teksteve, që janë në përdorim në shkollat tona publike, e kanë për detyrë t’i përmbushin kërkesa kryesore që kanë të bëjnë me edukimin dhe me informimin brezave të rinj. Në këtë punim jam përpjekur që t’i vë në shënjestër një mori tekstesh shkollore të botuara në shtëpitë tona botuese në Tiranë, Prishtinë, Shkup e më gjerë, me të vetmin qëllim që këtë temë ta sheshoj sa më mirë apo ta vë në drejtpeshimin e kohës, theksoi ai dhe dha edhe shembuj ku figura e Skënderbeut nuk nderohet sa duhet, madje se ka edhe ka raste të përdhosjes së emrit të tij.
Ky simpozium shkencor u mbyll me kumtesën nga fusha e folkloristikës, nga prof. dr. Zymer Ujkan Neziri,’’Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në legjenda e në gojëdhëna popullore’’, që tha:
Në këtë kumtesë kam shqyrtuar paralindjen dhe lindjen e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, në fillim të shekullit XV, sipas legjendave e gojëdhënave popullore, të mbarështruara nga Qemal Haxhihasani (1967). Mosha e tyre te Marin Barleti, biograf i tij i shquar, i kalon po ashtu pesë shekuj. Ato janë të lidhura me dy ëndrra të nënës së tij. E para, me dragoin, qenien e njohur mitike, dhe e dyta me yllin, simbolin qiellor: se Gjergji do të jetë dragua, që do ta mbulojë me trupin e tij të tërë Arbërinë, si dhe do të jetë një yll qiellor, që shkëlqen që pesë shekuj në kujtesën shqiptare dhe evropiane. Në vijim, ai shtoi edhe legjendën e anës së Lezhës se Orët e Malit e kanë lyer trupin e Gjergjit të porsalindur me barëra për t’u bërë ballë plumbit e shpatës. Skënderbeu, përpos në këngë e tregime, edhe në legjendat e gojëdhënat tona mbeti prijësi më madh i popullit shqiptar, simbol i rrallë i luftës për liri dhe mbrojtës i civilizimit evropian, përfundoi ai.
Interesimi ishte shumë i madh. Salla ishte përplot me të pranishëm. Me peshë ishin edhe diskutimet e pjesëmarrësve: Ibish Neziri, Salih Z. Lajçi, Adem Osmani, Jakup Osmani, Xhevdet Muji, për: Skënderbeun në Prishtinë, 1448, Gazimestanin, mbrojtjen ligjore të figurës së Skënderbeut, arkivat e Stambollit, folklorin arbëresh etj. Fjalën e mbylljes e mbajti prof. dr. Zymer Ujkan Neziri. Pos simpoziumit, u shfaq edhe një dokumentar dhe një program i pasur kulturor-artistik, kushtuar Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.
Edhe të nesermen, në ditën e shkollës shqipe në Kantonin e Argaut, në sallën e mbushur përplot, si zakonisht, me nxënës e prindër, vazhdoi programi me këngë, valle e recitime të fëmijëve tanë në atë kanton. Dhe, Skënderbeu prapë ishte në qendër të vëmendjes, krahas gjuhës shqipe e flamurit kombëtar. Ata, të veshur në rroba kombëtare, vajza e djem, dëshmonin dashurinë e madhe që kanë për kryeheroin tonë, për të parët tanë dhe për traditën tonë të lashtë.