• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Përvjetor- Demonstratat e vitit 1968 dhe çështja kombëtare shqiptare

November 27, 2020 by dgreca

Shkruan: Zymer U. Neziri /

Viti 1968, me kërkesat kryesore për Republikë, Kushtetutë e Vetëvendosje,  që u bë pjesë e historisë më të re, lidhet edhe me kohën nga Kongresi i Berlinit, 1878, kur Fuqitë e Mëdha e copëtojnë Shqipërinë, të pushtuar nga Perandoria Osmane, më 1479, dhe heshtin për masakrimin e banorëve të Sanxhakut të Nishit dhe për shpërnguljet e tyre të dhunshme në drejtim të Rrafshit të Kosovës. Krimi i Fuqive të Mëdha vazhdoi me ricopëtimin e Shqipërisë dhe në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, më 1913, kur Greqia zgjerohet 2,7 herë, Mali i Zi 3 herë dhe Serbia 2,8 herë, me zgjerim mbi Vojvodinën në Konferencën e Versajës, 1919. Sot, Republika e Kosovës ka vetëm një pjesë të vogël të territorit të Vilajetit të Kosovës dhe bashkë me Republikën e Shqipërisë kanë vetëm afër gjysmën e viseve shqiptare. Edhe pas vitit 1912, shqiptarët kërkuan e luftuan për çlirimin e Kosovës dhe të viseve të pushtuara dhe për bashkimin e tyre me Shqipërinë. Përkrahje ka pasur nga Federata Ballkanike dhe nga Kominterna. Ka pasur edhe përkrahje te tjera. 

                          Kosova pas pushtimit më 1912 dhe shfarosja e shqiptarëve                                            

Viti 1968, me kërkesat kryesore për Republikë, Kushtetutë e Vetëvendosje, solli ndërmend kohën kur Kosova u pushtua tërësisht më 1912 nga Serbia e Mali i Zi dhe t’i kujton krimet e tyre mbi shqiptarët. Sipas Leon Trockit, mbreti Petar I Karagjorgjeviq, më 1912, pas Betejës së Kumanovës, për robërit shqiptarë, tha: ’’duhet t’i mbysni, jo me pushkatim, sepse kjo do të jetë humbje e municionit, por me shpatë’’. Edhe Hasan Prishtina shkruan për krimet e tyre, se ata ’’vranë, prenë e dogjën 30 000 shqiptarë, sidomos fëmi të njomë e gra të pafaje’’. Ashtu ishte edhe pas ripushtimit, më 1919. Ali Hadri thoshte se Nikolla Pashiqi mendonte se për 20-25 vjet do të asimilonte këtë popullatë në aspektin nacional e kulturor . 

Xhelal Gjeçovi shkruan se gjatë reformës agrare 1918-1941, shqiptarëve ua shpronësuan 381 mijë ha tokë, e vetëm në Kosovë 200 mijë ha. Dëbuan me forcë nga vatrat e tyre 250 mijë shqiptarë, që shumica u vendosën në Turqi, e pak në Shqipëri. Në tokat e tyre sollën 14 mijë familje kolonësh sllavë me 60-70 mijë kolonë. Ashtu ishte edhe pas ripushtimit vijues, më 1945. Hakif Bajrami shkruan se synohej nga ana e pushteti serbomadh të zbatohet serbizimi i përgjithshëm i popullsisë shqiptare. 

J. B. Tito vazhdoi aty ku kishin mbetur Petri i Parë dhe Nikolla Pashiqi. Pas aneksimit në shkurt 1945, u vendos pushteti ushtarak në Kosovë. Aneksimi u bë në prill 1945 nga Këshilli Antifashist i Serbisë dhe u miratua në gusht 1945 nga Këshilli Antifashist i Jugosllavisë, me status autonom në kuadër të Serbisë, pa të drejtë gjuhe në administratë, pa flamur etj. Në fillim të viteve ‘50 J. B. Tito e riaktivizoi Konventën e vitit 1938 me Turqinë  dhe deri në gjysmën e dytë të viteve ‘60 u dëbuan rreth 500 mijë shqiptarë nga Kosova.

                                   Kosova – Republikë dhe Vetëvendosja

Demonstratën e parë në Kosovë dhe në viset e ripushtuara nga jugosllavët, për Republikë, Kushtetutë e Vetëvendosje e organizoi dhe e realizoi grupi i studentëve atdhetarë të Shkollës së Lartë Pedagogjike në Prizren, më 6 tetor 1968. Ky grup, në krye me studentin Meriman Braha,  ishte bërthamë e organizimit të demonstratave në tërë Rrafshin e Dukagjinit, në Prizren, më 6 tetor, në Therandë (Suharekë), më 8 tetor, dhe në Pejë, më 19 tetor. Ky grup i studentëve të Prizrenit ishte edhe në lidhje të organizimit të demonstratave edhe me një grup tjetër, por ende i panjohur, i studentëve të Prishtinës. Lidhjen e mbante studenti i këtij grupi të Prizrenit, Isa Demaj. 

Demonstratat vijuese janë mbajtur në nëntor, në qytet Prishtinë, Gjilan, Ferizaj dhe Besianë (Podujevë), të zhvilluara më 27 nëntor të atij viti dhe të organizuara mirë e guximshëm nga grupi i njohur Prishtinës. Demonstrata janë mbajtur edhe në Mitrovicë, Tetovë dhe Ulqin. 

Demonstratat për Republikë, Kushtetutë e Vetëvendosje kanë qenë disamujore në Kosovë dhe në viset shqiptare të ripushtuara nga Jugosllavia. Ato u shuan me gjak, pati shumë të lënduar e të plagosur, ra dëshmor nxënësi i Shkollës së Mesme Teknike në Prishtinë, Murat Mehmeti, organizuesit u dënuan me burg, pati shumë dënime me përjashtime nga puna dhe ndjekje politike të vazhdueshme, por edhe dyert për ndryshime ishin hapur, por rezultatet nuk qenë të plota. Përpjekjet vazhduam edhe më 1981, më 1989 dhe deri në formimin dhe luftën e tri ushtrive çlirimtare, 1997-2001.  

                                           Republika dhe bashkimi kombëtar

Çështja e Republikës së Kosovës, e Republikës Shqiptare në Jugosllavi dhe e bashkimit kombëtar janë shtruar shumë herë, me pak a më shumë ndryshime, në kuadër të zgjidhjes së çështjes kombëtare shqiptare në ish-Jugosllavi. 

Shaban Braha, pas një analize të thelluar të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në gjysmën e dytë të shekullit XX, të kërkesave për Republikë e Vetëvendosje, si fazë kaluese deri te bashkimi, në veprën e tij të njohur Gjenocidi serbomadh dhe qëndresa shqiptare 1844-1990, konstaton me shumë të drejtë se populli i Kosovës dhe veçanërisht brezi i ri në Kosovë po përpunonte strategjinë e çështjes kombëtare, të unifikimit të kombit, në varësi me kushtet në evoluim: “Duke u ndodhur në vazhdim të gjendjes së mëparshme, populli i Kosovës dhe veçanërisht brezi i ri në Kosovë po përpunonte strategjinë  e çështjes kombëtare, të unifikimit të kombit në varësi me kushtet në evoluim’’. 

Ukshin Hoti e shihte Republikën e Kosovës vetëm në funksion të bashkimit dhe të forcimit të raporteve të reja në gjithë territorin e Ballkanit, të Mesdheut dhe të Evropës: ’’Republika e Kosovës, me fjalë të tjera, pavarësisht nga ajo se kush mund jetë në nivelin institucional bartës i një politike gjithëshqiptare, në rrethanat e dhëna është realizim i njërit prej interesave vitale të kombit. Si e tillë, mund të qëndrojë vetëm në funksion të bashkimit por edhe të forcimit të raporteve të reja në gjithë territorin e Ballkanit, të Mesdheut dhe të Evropës. Këtë rol mund t’a luajë me sukses në kontekst të proceseve integrative të Evropës, që do të kenë konsiderata për të gjithë pjesëmarrësit dhe për gjithë drejtimin historik të zhvillimit të proceseve pozitive.’’ 

Duke shkruar për përcaktimin e tij për Republikën e barabartë sovrane të Kosovës, ai flet edhe për vënien e Republikës së Kosovës në funksion të bashkimit të kombit. Republika e Kosovës, sipas tij, por edhe shqiptarët në përgjithësi, duhet t’i nderojnë sidomos vlerat e gjakut të derdhur të bijve të vet. 

Ndërkaq, Ethem Çeku, në veprën e tij me interes Mendimi politik i ilegales në Kosovë 1945-1981, thotë se Demonstratat e vitit 1968 i kishin dhënë fund luftës ilegale efektive me parulla dhe me propagandë. 

Me interes të veçantë janë edhe konstatimet e prof. Rexhep Qosjes, në fillim të viteve ’90, në veprën e njohur  Strategjia e bashkimit kombëtar, për Republikën e Kosovës, për Republikën Shqiptare në Jugosllavi dhe për bashkimin kombëtar. Republikën e Kosovës e konsideronte zgjidhje politike, por nuk thoshte se është edhe zgjidhje politike të çështjes shqiptare në Jugosllavi. Republikën Shqiptare në Jugosllavi e konsideronte zgjidhje më të plotë të çështjes, por as këtë nuk e quan zgjidhje përfundimtare, kurse për bashkimin kombëtar thotë se kjo të ishte e vetmja zgjidhje e drejtë dhe e vetmja zgjidhje e përhershme e çështjes shqiptare.

                                                           Përfundime

Viti 1968 i Demonstratave për Kushtetutë, Republikë e Vetëvendosje, si fazë kaluese drejt bashkimit kombëtar, lidhet me kohën kur tre milionë shqiptarë jetonin nën sovranitetin e Serbisë, të Maqedonisë e të Malit të Zi. 

Brezi ‘68 i demonstruesve u lind me kryengritjen shqiptare pas ripushtimit jugosllav të Kosovës e të viseve shqiptare, me tragjedinë e Tivarit, me plaçkitjen e shqiptarëve në emër të tepricave; u rrit me ndalimin e flamurit kombëtar, pa të drejtë gjuhe në administratë, me ndjekjet, burgosjet e pushkatimet  e pjesëtarëve të NDSH-së; e kaloi fëmijërinë në kohën e aksionit famëkeq të mbledhjes së armëve; e përjetoi dramën kolektive të shpërnguljes në Turqi dhe tronditjen kombëtare të pushkatimit të burrave të dalluar në kufi; u bë pjesë e traumës gjithëpopullore të burgosjeve së atdhetarëve të brezit të viteve ’50. 

Brezi ‘68 i demonstruesve e kaloi moshën e miturisë dhe iu bë krah brezit të viteve ‘60 të Adem Demaçit, duke shpërndarë flamurin kombëtar, të ndaluar me ligj, duke lexuar literaturën e ndaluar, sidomos Shqipërinë e Samiut dhe Lahutën e Fishtës, duke e dëgjuar fshehurazi Radio Tiranën, duke kënduar këngë atdhetare, po ashtu të ndaluara nga pushteti jugosllav, duke e adhuruar Skënderbeun dhe heronjtë e historisë, nga periudha ilire e deri te Rilindja Kombëtare, duke shkruar parullën ’’Rrnoftë Shqipnija’’ dhe  duke u krenuar se jemi shqiptarë. 

Viti 1968 i Demonstratave për Kushtetutë, Republikë e Vetëvendosje dallohet si vit i ngritjes së vetëdijes kombëtare për çlirim dhe bën të quhet hallkë historike e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare për bashkimin e kombit të ndarë. 

Brezi ‘68 i demonstruesve ishte i lumtur vetëm për pak çaste kur klasa politike e Kosovës me ata pak intelektualë të asaj kohe kërkonin Kushtetutë, Republikë e Vetëvendosje, por u dëshpërua kur ata hoqën dorë nga kërkesat legjitime të popullit të tyre. Ai e mori në duart e veta fatin e Kosovës dhe u gatit që botërisht t’i thuhet ndal pushtetit jugosllav. 

Brezi ‘68 i demonstruesve shënon edhe fillimin e shpërbërjes së Federatës jugosllave, që ishte burgu kolektiv i shqiptarëve, të dënuar me qindra shekuj burg politik, që u mbyll pas luftës fitimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. 

Viti 1968 i Demonstratave për Kushtetutë, Republikë e Vetëvendosje ishte vit kur çështja e pazgjidhur kombëtare e shqiptarëve u shtrua guximshëm edhe në rrugë, me demonstrata të mëdha e të përgjakshme, si pasqyrim i vullnetit të së drejtës kombëtare dhe universale të bashkimit të popujve të ndarë. Ky vit bën të quhet vit shumë i rëndësishëm edhe i ndërkombëtarizimit të çështjes së pazgjidhur kombëtare shqiptare në qarqet politike dhe intelektuale evropiane e botërore dhe hallkë e re e fillimit të organizimit të kryengritjes së armatosur në vitet ‘90 dhe të luftës së tri ushtrive çlirimtare. 

Bibliografi

ABDYLI, Ramiz (2004). Lëvizja Kombëtare Shqiptare 1911-1912, libri 1, recensues prof. dr. Hysni Myzyri dhe prof. dr. Muhamet Shatri,  Prishtinë, Instituti i Historisë.

BABIĊ, Branko (1984). Polika Crne Gore u novo oslobođenim krajevima 1912-1914, Titograd, ‘’Pobjeda’’. 

BAJRAMI, Hakif (2002). Politika serbe për rikolonizimin e Kosovës me sllavë 1945-1948, redaktorë Ethem Çeku dhe Avdi Gjata, Prishtinë, ‘’Era’’.

BRAHA, Braha (1991). Gjenocidi serbomadh dhe qëndresa shqiptare 1844-1990, recensues Selami Pulaha, Gazmend Shpuza, Thimi Bare, Gjakovë, ’’Lumi T’’.

CANA, Zekeria (1997). Gjenocidi i Malit të Zi mbi popullin shqiptar 1912-1913 (dokumente), recensentë dr. Xheladin Shala dhe dr. Shkëlzen Raça, Prishtinë, Instituti Albanologjik i Prishtinës.

CULAJ, Lush (1997). Komiteti Mbrojtja Kombëtare e Kosovës, rec. dr. Xheladin Shala dhe dr. Qamil Gexha, Prishtinë, Instituti Albanologjik i Prishtinës.

HARAPI, Zef Mark (2004). Ditt e trishtimit n’Pejë  e nder rrethe: 1912-1913, përgatiti dhe pajisi me shënime Nikë Ukgjini,  Pejë, biblioteka ”Fryma”, botues ”Dukagjini”. 

HOTI, Ukshini (1995). Filozofia politike e çështjes shqiptare, zgjodhi dhe redaktoi Bislim Elshani, recenzentë Shaban Sinani, Moikom Zeqo, Tiranë, shtëpia botuese ‘’Rozafa’’.

ÇEKU, Ethem (2003). Mendimi politik i ilegales në Kosovë 1945-1981, recensues prof. dr. Qamil Gexha, prof. dr. Jahja Drançolli, prof. dr. Arsim Bajrami, ‘’Brezi ‘81’’, Prishtinë, 2003.

Çështja kombëtare dhe vetëdija kritike (1998). Redaksia: Masar Stavileci, Agim Vinca, Abdyl Kadolli, Zymer Neziri, Prishtinë, Forumi i Intelektualëve Shqiptarë.

ČUBRILOVIĆ, Vasa (1958). Istorija političke misli u Srbiji u XIX veku, Beograd, ’’Prosveta’’. 

GJEÇOVI, Xhelal (2008). ’’Kosova, 3. Vështrim historik’’, në: Fjalori enciklopedik shqiptar, botim i ri, Tiranë, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, f. 1297-1299. 

Demonstratat e vitit 1968, I, II (2018). Përmbledhje kumtesash nga konferenca shkencore, e mbajtur me rastin e 40-vjetorit, në Prishtinë, më 24-25.11.2008. Përgatitja për shtyp Zymer U. Neziri, Meriman Braha, , Prishtinë, Shoqata e të Burgosurve Politikë e Kosovës, Instituti i Historisë, Instituti Albanologjik i Prishtinës.

HADRI, Ali (1971). Lëvizja nacionalçlirimtare në Kosovë (1941-1945), Prishtinë, ‘’Rilindja’’.

Historia e popullit shqiptar, (2007) . vëllimi i tretë, periudha e Pavarësisë, 28 Nëntor 1912-7 Prill 1939, Grup autorësh, Redaksia: Kristaq Prifti, Gazmend Shpuza, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, Botimet Toena. 

KRIZMAN, Bogdan (1975). Vanjska politika jugoslovenske države 1918-1941: diplomatsko-historijski pregled, Zagreb, ‘’Školska knjiga’’.

’’Memorandumi për çështjen shqiptare’’ (1995). Forumi i Intelektualëve Shqiptarë, Prishtinë,  dërguar ministrave të Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe, të Francës, të Gjermanisë, të Rusisë, të SHBA-ve  etj., më 26.10.1995, në: Çështja kombëtare dhe vetëdija kritike, redaksia: Masar Stavileci, Agim Vinca, Abdyl Kadolli, Zymer Neziri, Prishtinë, botues Forumi i Intelektualëve Shqiptarë, 1998, f. 135-163.

NEZIRI, Zymer (1998). Intervistë: ’’Tridhjetë vjet nga demonstratat e organizuara në Pejë. Flamuri kombëtar ishte në ballë të turmës’’, intervistues Jeton A. Rexha, Prishtinë, gaz. ’’Bota e re’’, nr. 74, më 26 nëntor 1998, f. 24 e 25.

NEZIRI, Zymer U. (2000). Përgatitës për shtyp: Isa Demaj-jeta dhe veprimtaria atdhetare, redaktor prof. Ramiz Kelemendi, recensues dr. Sadri Fetiu dhe prof. Binak Ulaj, Prishtinë, NIB ’’Rilindja’’.

OBRADOVIĆ, Milovan (1981). Agrarna reforma i kolonizacija na Kosovu: 1918-1941, Priština, Institut za istoriju Kosova.

QOSJA, Rexhep (1992). Strategjia e bashkimit kombëtar, recensues dr. Sadri Fetiu dhe dr. Rrustem Berisha, Prishtinë, Instituti Albanologjik. 

RUSHITI, Liman (2004). Ndarja territoriale dhe rregullimi administrativ i Kosovës 1878-1941, recensues dr. Hakif  Bajrami dhe dr. Haki Kasumi, Prishtinë, Instituti i Historisë.

PUTO, Arben (2009). Shqipëria politike 1912-1939, Tiranë, Botimet Toena.

SHATRI, Muhamet (2012). Dokumente britanike për çështjen shqiptare në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, 1912-1913, Tiranë, Instituti i Historisë, Qendra e Studimeve Albanologjike.

TIRTA, MARK (1999). MIGRIME TË SHQIPTARËVE TË BRENDSHME DHE JASHTË ATDHEUT (VITET ’40 TË SHEK. XIX – VITET ’40 TË SHEK. XX), TIRANË, SHTËPIA BOTUESE “SHKENCA”.

TROCKI, Leon (1980). The Balkan Wars, Monad, New York.

VERLI, Marenglen (2014). Aspekte rreth krijimit dhe zgjidhjes së çështjes shqiptare (shek. XIX-XX), Tiranë, Instituti i Historisë, Qendra e Studimeve Albanologjike, ’’Klean’’.

Filed Under: Histori Tagged With: demonstratat e 1968, Zymer U Neziri

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT