

Ambasadori i Republikës së Shqipërisë, Z. Ervin Bushati erdhi për një takim me Kryetarin e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, Elmi Berisha dhe drejtuesë të saj në shtëpinë e Vatrës sot pasdite.
Takimi nënvizoi idenë e koordinimit në nivele institucionale për forcimin e marrëdhënieve shqiptaro- amerikane. Midis të tjerave, bashkërendimi i diaporës, ku Vatra si Federatë mbarëshqiptare ka vend të veçantë, mund të çojë në realizimin e festimit të ditës së pavarësisë në Shtëpinë e Bardhë, siç është arritur nga komunitete të tjera.
Ambasadori Bushati e vuri theksin për këtë te kontaktet me ligjbërësit amerikanë nga çdo shoqatë apo anëtar i komunitetit, si pjesë e “presionit pozitiv” prej nga vjen rrjedhimisht hapesirë dhe prezencë më e madhe e bashkësisë shqiptare.
Duke e vlerësuar paraqitjen e idesë së Ambasadorit Bushati tek drejtuesit e Vatrës, kryetari Berisha tha se nisma ka filluar me komunikimet me Shtëpinë e Bardhë nga fundi i vitit të kaluar.
“Pas nënshkrimit të Memorandumit me Parlamentin e Kosovës, Vatra e konsideron si një hap të rëndësishëm një marrëveshje me Parlamentin e Shqipërisë duke vazhduar të jetë pararojë e diaporës shqiptare për çështjen kombëtare,” tha kryetari Elmi Berisha.
Përsa i takon misionit të shenjtë të ruajtjes së gjuhës dhe trashëgimisë kulturore, Sekretari i Vatrës, Dr. Pashko Camaj shtroi nevojën e koordinimit të teksteve shkollore dhe konkretisht Abetareve për fëmijët e diaporës, dhe shkollimin e strukturuar në Amerikë.
Biseda kishte shkëmbime të mendimeve dhe ideve që i shërbejnë komunitetit dhe interesave kombëtare. Vizita e parë e Ambasadorit Bushati në Vatër, i cili është emëruar ketë vit në këtë post në Uashington, kishte edhe një komponent personal. Duke i uruar mirëseardhjen, Kryetari Berisha tha se “Ambasadori ka ardhur në Vatrën e tij,” sepse stërgjyshi i tij nga ana e mamasë ka qenë Vatran i përkushtuar.
Ambasadori i Shqipërisë Ervin Bushati shoqërohej nga Sekretari i Parë i Misionit të Shqipërisë pranë OKB-së, z. Arbi Kapisyzi.
Në pritjen zyrtare me Ambasadorin Bushati ishin të pranishëm, Dr. Pashko R. Camaj Sekretar i Vatrës, Ilir Cubi, anëtar i Kryesisë dhe ndihmës Arkëtar, Paulin Mrnacaj, anëtar i Kryesisë, Anton Raja, anëtar i Këshillit, Gëzim Nika “Mjeshtëri Madh”, Kujtim Funiqi, Dritan Haxhia, Këshillitar për Media, Rafaela Prifti, editore për anglishten e gazetës Dielli.