Organet serbe të hetuesisë dalin me versione “ ngreh e mos këput” pa bërë ndonjë hap serioz për zbardhjen e këtij krimi makabër/
Shkruan: Xhavit Çitaku/
Shikuar larg në historin serbe, ata janë mjaft të përgatitur për të ndërtuar hipoteka nga më të ndryshmet në mënyrë që të shpërlahen nga ndotësitë çnjerëzore që i kanë bërë e i bëjnë edhe sot e kësaj dite ndaj të tjerëve e sidomos kur janë në pyetje shqiptarët. Të bindur thellë se pa u zbuluar rrethanat dhe vrasësit e vëllezërve Yll, Mehmet dhe Agron Bytyqi marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe SHBA-ve nuk mund të bien në “ binar” të shëndosh, autoritet serbe, përkatësisht prokuroria e këtij shteti krijojnë skena të reja kinse janë në rrugë të mirë të hetimeve që po zhvillohen nga paslufta e deri me tash. Shpifin e çka nuk shpifin jo vetëm prokuroria por edhe pushtetarët e këtij shteti. Për të humbur gjurmët, apo më mirë më thënë për të mbrojtur vrasësit e vërtet të vëllezërve Bytyqi, këto ditë prokurori serb doli para opinionit me një “ margaritar” që askujt nuk mund t’ia mbush mendjen e posaçërisht SHBA-ve. Ky përfaqësues i organit hetues serb “ topin” tash e gjuan dhe e fajëson ish-ministrin e punëve të brendshme të Serbisë Vllajko Stoilkoviq, i cili bëri vetëvrasje në vitin 2002 para parlamentit ish-Jugosllav. Ky është një shembull tipik serbian që tregon se si i hetojnë krimet e luftës organet e prokurorisë. Pra, tash kinse kanë ardhur në përfundim se urdhërinë për të likuiduar këta tre shqiptaro- amerikan e kishte dhënë Stoilkoviq, i cili tashmë është i vdekur dhe i cili nuk mund të dëshmoj se si , kush dhe ku u vranë shqiptarët.
Një politik e tillë e shpifur e autoriteteve serbe ka vetëm një qëllim: prolongimi i mëtejmë e zbardhjes së këtij krimi, për të cilin edhe prokuroria, edhe organet e tjera policore e gjyqësore, por edhe pushtetarët e dinë mirë se kush janë urdhërdhënësit dhe autorët e vrasjes, me emër e mbiemër. Ata shëtisin lirshëm pa u brengos se do të prangosen ndonjëherë. Thënë me gjuhën e fakteve, organet serbe të hetuesisë dalin me versione “ ngreh e mos këput” pa bërë ndonjë hap serioz për zbardhjen e këtij krimi makabër.
Deklarata kontradiktore
Derisa prokurori serb hedh në dritë disa detaje fillestare, pas 16 vjetëve, se nga erdhi urdhëri për likuidim të shtetasve shqiptaro- amerikan, në anën tjetër ministri i punëve të jashtme të Serbisë, Ivica Daqiç pranon se ka presion nga Vashingtoni, mirëpo kur nuk ka fakte nuk mund të arrestohen njërzit në rrugë, deklaroj ai. Janë këto lojëra serbe që do të vazhdojnë deri sa t’iu shkon “ kungulli mbi ujë”.
Ndërkaq, kur është çështja tek shqiptarët këtu nuk ka “ pardon”, për ta u formuan e do të formohen gjyqe paralele dhe atë vetëm për vepra të supozuara dhe të shpifura, në rend të parë, nga shteti fqinj Serbia.
Dhe krejt në fund. Qeveria amerikane tashmë është dashur ta kuptoj këtë lojë serbiane dhe është ky pushtet sikurse edhe të gjithë të tjerët se nuk janë të interesuar që në bankën e të akuzuarëve të ulën ata që kryen krime të rënda kundër njerëzimit. Shembulli i Karagjiqit, të cilin nuk mund ta “ “gjenin” duke mbajtur mësim në universitet, është dëshmia më e mirë se sa janë të përkushtuar organet serbe për të arrestuar e dënuar ata që bënë krime.