Ne Sofren poetike te Diellit, dergohen poezi nga te gjitha trevat shqiptare, por edhe nga Diaspora. Redaksia e Diellit, u kerkon ndjese poeteve, qe nuk mund t’i plotesoje te gjitha kerkesat. Kete here kemi zgjedhur poezi nga Reshida Coba, tri poezi nga Reshat Kripa, Asllan Dibrani, Vullnet Mato dhe nga Luan Cipi./
RESHAT KRIPA/:
KËRKOJ VARR PËR TIM TË
Kushtuar vajzave shqiptare që
diktatura i la jetime dhe që nuk kanë një
varr ku të derdhin dy pika lot apo të
vendosin një tufë lule.
Përse vashë
rri trishtuar,
shpirtin ty
kush ta lëndon,
pse je kaq
e dëshpëruar,
syri yt
pse po loton?
Mos vallë zemrën
ty ta theri,
flak’e zjarrtë
e dashurisë,
mos vallë shpirtin
ty ta teri,
çapkënllëku
vajzerisë?
Çfarë kërkojnë
syt’e tu,
n’ humbëtirën
e pabesë,
a mos vallë
shpirti yt,
e ka humbur
sot çdo shpresë?
——————–
Ngriti kryet
vajz’e mirë,
loti rridhte
si ujvarë,
zemra thyer
hidhërimit,
pëshpëriti:
– Kërkoj varr.
Kërkoj varr
për tim atë,
nuk e di
ku dergjet vallë,
e rrembyen
një natë vjeshte,
i dhuruan
plumb në ballë.
Isha foshnje
un’aherë,
kur e vranë
e masakruan,
kur kainët
e pabesë,
lirin tonë
përdhunuan.
Pyes mamin
– Ku është babi,
pse nuk vjen
më në shtëpi?
Ajo gjegjet,
pikëlluar,
– Fluturoi
se ku s’di.
Dhe tani
që jam e rritur,
kam një brengë
një dëshirë,
nuk kërkoj
as këng’as valle,
por veç varr
për një martir.
Dua vetëm
të derdh lotët
përmbi varr
të atit tim,
të vendosë
një kurorë
plot zambakë
e trëndafilë.
Të gjithë miqtë
Po me thonë,
babi yt
ra për liri!
Të gjithë miqtë
Po më thonë
donte vetëm
Shqipëri!
Po aherë
pse s’më thonë,
ku ndodhen
eshtrat e tij,
që t’i mbledh,
ato në grushte
në parajsë
ato t’i shpie
Atëherë
zemra ime
do jetonte
qetësuar,
atëherë
syt’e mi
do pushonin
së lotuar.
Por kërkoj,
kërkoj më kot,
të gjej vendin
ku ka rarë,
nuk e di
a ka në botë
një të vdekur
pa një varr?
—————
Ngriji kryet
vajz’e dashur,
mbaji lart
me krenari.
derdhi lotët
vendos lulet
në çdo skaj
në Shqipëri.
Se kudo
aty do jenë
eshtra trimash
për liri,
se kjo tokë
e përgjakur
i shtrëngon,
i mban në gji!
Në kërkim të lirisë
Liri, ku ishe?
Për shumë vjet të kam kërkuar,
Vite dhimbje, vite zjarri,
Për çdo ditë ëndërruar,
ditë shprese, ditë malli.
Liri, ku ishe?
Për Liri, për Shqipëri,
Ishte besa jonë e parë,
Për flamurin kuq e zi!
Për një Shqipëri të mbarë.
Liri, ku ishe?
Të kërkonim në errësirë,
Të kërkonim ditë e natë,
Donim jetë më të mirë,
Donim një kohë të artë.
Liri, ku ishe?
Kur në pranga robëruar
Dita ditës të shpresonim,
Shpirtin, trupin sakatuar,
Veç për ty, Liri, mendonim!.
Po sot, Liri ku je?
Mos vallë prapë na braktise,
Të kërkoj po s’të gjej dot,
Prap në ferrë na gremise,
Mos vallë po mundohem kot?
Liri, ku je?
Përsëri duke kërkuar,,
Thellë në zemër ty të ndiej,
Zemra ime turbulluar,
Po ty vallë ku mund të gjej?
Liri, ku je?
Ku të gjej kur s’të gjej dot,
Kur jetoj ngado rrethuar,
Nga çakenjtë fuqiplotë,
Me miliona të mbuluar.
Liri, ku je?
Kur në ballë të drejtësisë,
Kur në mes të parlamentit
Gjej ithtarët e robërisë,
Çveshur shpatën ndaj miletit.
Liri, ku je?
Kur në tele dhe gazeta,
Shoh gjithmonë ato fytyra,
Hedhin vallen tungjatjeta,
Sipas ritmit ngjyra ngjyra.
Liri, ku je?
Kur pronari s’është pronar,
Pronën gëzon dikush tjetër,
Derdhet gjaku anembanë,
A thua s’jemi vëllezër.
Liri, ku je?
Nuk e pe se ç’ndodhi mbrëmë,
M’u në qendër të qytetit,
Ra një djalë për të qënë,
Si një yll i rënë nga qielli.
Liri, ku je?
A pyete: vallë përse,
A pyete pse e vranë,
Pse e shtrinë atë përdhe,
Po përse atij i ranë?
Liri, ku je?
Ndaj unë ty, sot nuk të shoh,
Ndaj unë ty sot të kërkoj,
Eja, eja të të njoh,
Këtë vend ta lulëzojmë.
Liri, ku je?
Po thërras në moshë të shkuar,
Ashtu si në moshë të re,
Kujtoj kohën e kaluar,
Ndaj thërras: Liri, ku je?
DHIMBJE
Vargu im një pikë loti,
Që kullon nga zemra ime,
Jeta ime kot së koti,
Brenga, dhimbje dhe mjerime.
Dashurova plot pasion,
Me zjarr zemre përvëluar,
Shpirti im sot po kërkon,
Lumturinë e ëndërruar.
Seç luftova për liri,
Desha jetë më të bukur,
Të mos ketë robëri,
Desha të jetoj i lumtur.
Porse rruga ish mbuluar,
Plot me hithrra edhe gjëmba,
Mos e prek, është e ndaluar,
Mos e lyp si ta ka ënda!
Ndaj dhe vargu im i ngratë,
Ropanisur, sëkëlldisur,
Mbeti në rrugën e gjatë,
Kur akoma s’kishte nisur.
Dhe kështu vargjet e mia,
Lulëzuar në rini,
Prisnin të lindte liria,
Të shpërthenin përsëri
.
Tash ajo po lulëzon,
Në çdo skaj për bukuri,
Zemra ime belbëzon,
Për liri, për dashuri!
RESHIDA COBA/
PERËNDIA JONË ËSHTË…JESHILJA-poezi nga Reshida Coba
Me barin t’i nisa sot puthjet në agun e mëngjesit,
Ti ç’bën që nuk zgjohesh akoma,
Vazhdon të puthesh syte e mi ?
Ende në qiell…te Re-ja, ku u njohëm bashkë ?
Dil nga ëndrra ! E hapa derën.Është ditë jashtë !
.-.
Kam veshur fustanin jeshil për ty,
E mban mend ditën kur u ndamë…unë bëja sikur shkundja dritën nga supet,
Dhe zëndrojtur fola:-Dukem bukur në jeshile ?
Ti mbillje vështrimin në gjoksin tim të bardhë,
Me kujdesin sa më afër qëndrës…sa më afër erës së qumështit.
.-.
Si ta them këtë ndjesi timen, këtë frymim të gjelbër?
Ndjej pëshpërima shelgu (nuk jam më prej lëkure)
Lëndinë e blertë bëhem, një “zakon i bukur jeshil ”
Shëndrruar në formën më të përkryer të qartësisë,
Fytyra e barit sa e ngjashme me timen…si cdo fillim jete!
.-.
E xhelozuar era thellon flirtin,rrëmben me puthje belin tim
… e ndjej pushtimin,
Ndryshe nga burri, mëncuria e gruas qëndron tek beli,
Thellë tij planeti magjik i mitrës, ku ngjizet njeriu.
.-.
Ndaj përkedhelem,mburrem me qënësineë…Grua!
Si inteligjenca e së gjelbrës mburret mëndjes njerëzore,
Me filozofinë e klorofilit.
.-.
Besomë, një fije bari nuk ka më pak mendim, më pak punë,
Më pak të fshehta se një univers,
Dhe ka sy po kaq të mëdhenj drite…si unë !
Sa herë të mendoj ty…si bari njomëzohem,
Ndjej rrrjedhën e një përroi të bukur njomështie,
Rreth tij e gjelbra valvitet…si të ishte përsheëndetja e Zotit !
.-.
E mbaj mend si tani natën e parë me ty
-Ngjitu, më thoshte puthja jote,- Do takohemi me Perëndinë.
Dhe ajri dhe uji me terma njeriu do flasin,
Filluan të mësojnë numrat, për numërimin e puthjeve
( kaq shumë do jenë ?)!
-Perëndia jonë e re do quhet…Jeshilja (kështu them dhe unë)
.-.
A nuk i ngjajmë fenomenit të diellit dhe pikës së shiut,
Kur mrekullia e vogël përkul kurrizin e saj ujor,
Me kënaqësinë e thyerjes nga përshkimi i dritës nëpër të ?
Nga drithërimat e prekjes, lind ylberi tokë-qiell pritur,
Në të kundërtën e shkëlqimit të diellit.
.-.
Të cuditur të dy pyesim… si u gjetëm kështu,
Pse në mes të shtatë ngjyrave të ylberit,
E zgjedhura është jeshilja ? Pse jeshilja jemi ne ?
.-.
Ashtu si bari nuk pyet kurrë, përse është i gjelbër,
Dhe bota nuk pyet…e di,
Kur njerzit dashurohen nga fatet jo nga lutjet,
AJO… bëhet më femër !
.-.
Është bukur të jetosh në mëndjen e gruas… me lëndina të blerta,
Që netëve bredh lulnajave të tua…ujit sythet e së nesërmes,
A nuk ndjehesh i zgjedhuri qiellor… Re – SHi – Diell ?
Fol – Qiellori im…që ylberon mbi mua !
Reshida Coba-Mars 2015/
Kullat teatër i shekujve tanë!
Poezi dhe pikturë nga
Asllan Dibrani
Natë mërgimtare, vonë rrëshqitje kujtimesh
Në horizontet mbi kullat tona
rrëmben mallëngjimi, për plisat e bardhë
Dikur plot burra mblidheshin anembanë
Me istikame e jataganë !
Malësoret shqiptare krah burrave në beteja
Lidh besën e Shqiptarisë
T’i mbrojnë tokat e Arbërisë
Flasin kullat me lashtësinë e gurëve
Të skalitur me legjenda
gdhenden ilirët dhe fiset kreshnike
Themelet e kullave teatër i shekujve tanë
Testament në rrasat e gurit
Gurët janë epërsia ma e mirë
Ndaj grabitqarëve barbarë!
Deshën ta rrokullisin planetin
Në to linden burra
Që të vdesin po në to, kur te mplaken
Aty, i përkund djepi i atdheut
Aty pinë qumështin e nënës
Hëngrën bukën kallamboqit
Kështjella e Krujës jehon
Kushtrimin e Skënderbeut
Trembi Stambolli e Osmanëlli
Shumë krajl , çetnik e sllavëri
Ah, kulla e kulla e kulla me gur, mbi gur
Qëndresë ndër shekuj
U betuan burrat me flamur
Për kullat me mur, ata thanë
Kullat tona në robëri s’do të rrojnë
Vendosën flamujt kullë në kullë
E mur mbi mur
Për një Shqipëri të bashkua
Vullnet Mato
DY VËLLEZËR TË RRALLË – DY BURRA FTERRE
BARDHYLI ME SHPIRTIN E BARDHË
Bardhyli, me shpirt njeriu të bardhë,
çel para teje bardhësinë, si luledele.
Sa herë i shkon afër, apo të vjen pranë,
zgjat dorën e të dhuron një karamele.
Pas karameles tipike me aromë kafe,
ai ndez cigaren mikeshë të krijimtarisë,
dhe interesohet zakonisht me pak llafe,
për shëndetin e njerëzve të shtëpisë.
Fjalët e dyta i ka për Fterrën e dashur,
dhe pyet nëse prej saj të shijon pak raki,
nga shishet e vogla që mban për të qerasur,
në çantën mbushur me rrëfime për fëmi.
Ky fisnik zemërbardhë, ashtu siç ka emrin,
ka nxjerrë nga duart dhe mendja e ndritur,
mijëra nxënës, përhapur në të gjithë vendin,
dhe dhjetëra libra për t’i bërë fëmijët të ditur.
Bardhyl Xhama “mësues i merituar” fterriot,
bir mësuesi dhe përhapës i palodhur drite,
nuk po ndalet së shkuari, as sot dhe as mot,
sa t’i fosilizohet dora mbi shkrime ndër vite…
AGRONI QË BËN MREKULLIRA
Se si një ekonomist, në vjeshtën e pensionit,
arrin të pushtojë maja shkencore të vështira,
dhe bëhet mjeshtër i përdorimit të elektronit,
për t’u krijuar njerëzve lehtësi me mrekullira,
Këtë, në mënyrën më konkrete e dëshmon,
burri që u është ngjitur lartësive kompjuterike,
pararendësi virtual, me emrin e mbretit Agron,
që u bë i nderuar përmes valëve elektronike.
Ai krijoi rrjetin e informimit masiv, për fterriotët,
dhe gazetën e mërgatës fterriote, të shpërndarë,
nga Guri i kuq, në Tiranë, e në çdo skaj të Evropës,
gjer në Amerikën e largët me emigrantë shqiptarë.
Ky komuniteti i madh, brenda ditës informohet,
kush lind, kush vdes, e kush bën dasmë zakoni,
urojnë gëzimet familjare e në dhimbje bashkohen,
si banorë të një lagjeje gjigante prej elektroni.
Meqënëse, nga intuita e nxitur prej kuriozitetit,
apo mbiemri i mistershëm “Xhama”, trashëguar,
u lidh fort me xhamin e monitorit të internetit,
Agroni meriton në vendlindjen e tij të paharruar,
Të përjetësohet në një monument vezullues prej qelqi,
për të reflektuar rrezatime drite brigjeve me korije,
qysh nga rrezet e para diellore, në agun e mëngjesit,
derisa shtatorja të xixëllojë natën nga hëna dhe yjet…
GJURMËT E TOKËS: VARRE E NOFKA/
Nga Luan Çipi/
Diku, varreza me Italianë,
Më tej, “Varret e Çifutëve”,
Gjurmë varresh me Gjermanë,
Sllavë ndënë dhe, atje më tutje.
Në luftime shumë kanë rënë:
Grekë, Francezë, Austriakë,
Mijëra Turq, kockat kanë lënë,
Serbë, Bullgarë. Nuk janë pak!
Hasmi s’ erdhi për të ikur,
Po, lirinë për të na marrë.
Aty ngelën, frymë fikur,
Nënat, motrat i kanë qarë.
Dhe pse çalë, me paterica,
Ndruan emra e futën spica:
Kishën e bënë Gumenicë,
“Dashamirin” – Drashovicë.
Vunë emrat: Novoselë,
Gollobordë, Brataj, Vodicë.
Sllavja hartë, “Kal’ Troje” del:
Amonicë, Shashicë, Shushicë.
***
Si e duron kjo toka mëmë
Këtë vepër poshtërimi?
Emrat sllavë ndjellin gjëmë,
Zhvirgjërim duket çemërimi!
Mbreti nisi një reformë
Nofkat, t’i këmbente vet…
Erdhi koha të veprojmë:
Kthim të plot n’ identitet!
Tiranë, më 24.04.2015