• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Flirt i Perëndishëm

May 9, 2016 by dgreca

Esse-analizë e detajuar rreth vëllimit poetik “Flirtoj me Universin”, të  poetes së Haiku-t shqiptar, Reshida Coba/

Shkruar nga Raimonda MOISIU/

Poeti dhe poezia i japin kuptim jetës, dashurisë, respektimit  të botës njerëzore dhe hyjnore , vlerave dhe atributeve qytetare, intelektuale e kombëtare, me integritetin krijues të tyre, që janë  vlera të  domosdoshme në vetvete dhe mbartin filozofinë për jetën dhe me jetën. Botimi  i një libri  me poezi është shpirti mitik i poetit/poetes, është  vigjilja mbresëlënësë me rrjedhën e vetëekzistencës dhe butësinë  e të bukurës, universales,  dhe po aq mbresëlënëse  dhe e vlerësueshme për forcën shpirtërore poetike të mendimeve dhe të ideve, që ndryshojnë botën, me mesazhin e patjetërsueshëm të dashurisë njerëzore.  Për sa kohë poeti/poetja  bën sakrifica dhe përpjekje të guximëshme në artin e të shkruarit poezi,  ai/ajo ndricojnë  botën  e brendëshme, ndjeshmërinë dhe bukurinë shpirtërore të marrëdhënieve të njeriut me imazhet tradicionale të natyrës, njerëzit dhe sendet që e rrethojnë,  me temperamentin e natyrës njerëzore, mes  botës natyrore dhe hyjnore, duke i parë ato si ndodhi fenomenale. E fortë, kurajoze dhe duke qenë vetvetja në cdo varg, poetja Reshida Coba, pa e ditur dhe njohur atë, zbuloi flirtin e perëndishëm në vargjet lirike të saj; se ishte e dashuruar me Haiku-n. Në një hark kohor të admirueshëm, ajo arriti të botojë dy vëllime me poezi në stilin e Haiku-t, atë të titulluar, “Unë Gruaja R”, dhe   “Flirtoj me Universin”, ky i fundit, i sapo dalë nga shtëpia botuese,- Botimet Nacional, 2016-ë, Tiranë.

Në një vështrim të përgjithshëm mendimet dhe idetë e  poetes  Coba mishërojnë një ndjeshmëri poetike të perëndishme, stil i guximshëm, ndjeshmëri romantike në fluturimin e saj imagjinativ femëror dhe  hyjnor,  madhështinë e natyrës, irracionales dhe magjikës, në kërkim të ndricimit nëpërmjet pasazheve të bukurisë shpirtërore e njerëzore dhe intensitetin simbolist që injekton individualitetin sensual, të sinqertë dhe intuitiv të poetes, duke e indentifikuar atë si poete progresive e bashkëkohore.  Reshida Coba është e lidhur fort me temat e  akretipeve, që përfshijnë rrjedhën e evolucionit, që   individë të ndryshëm e përjetojnë dhe e ndjejnë, e mendojnë dhe e respektojnë në modele të ngjashme me  enthusiazmin, forcën e harmonisë  dhe të dashurisë njerëzore, vargje lirike të  frymëzuara me gjithë kompleksitetin e ndjenjave njerëzore si pozitive e negative. Në nivelin metaforik kjo është  liria nga prangat e kuptimit dhe qëllimit të poetes, trillimit e origjinalitetit, se bota letraro-artistike është një metaforë e botës reale njerëzore dhe hyjnore, është flirt i perëndishëm dhe  tjerrja kuptimplotë me  aftësinë krijuese,  por e “pikturuar” me sinqeritet e vërtetësi, anë të qenësishme të jetës; mirëkuptimin,  sensualen e liriken,  me një feminilitet të këndshëm, jashtë kontrollit të kuptimeve dhe ideve të shumta dhe pakuptimësisë së pashmangëshme të tyre, të cilat e bëjnë poezinë lirikë të  Cobës, që të lexohet me ëndje dhe përfitim të madh njerëzor, femëror, bashkëkohor  dhe dinjitet. Coba është një mesazhiere e lirisë së shpirtit, ajo flirton perëndishëm me universin deri në shenjtëri, me të cilat shpirti i saj frymon nëpërmjet artit poetik, që gjen prehje në hapësirat virtuale të ndjenjave, miqësisë, simbolit, metaforës, kujtimit, romantizmit, nostalgjisë, mallit, ëndrrës dhe dashurisë duke i dhënë impuls jetësor dhe eternal, oazit të botës femërore. Shpesh, poetët, vëllimet e tyre me poezi,  zgjedhin të mos  i ndajnë në cikle apo kapituj, -por vëllimin e saj poetik, “Flirtoj me Universin”,  poetesha e haiku-t, Reshida Coba ka zgjedhur ta ndajë në cikle me tituj të larmishëm dhe krejt të vecantë, sikundër:  “Haiku me një varg”, “Haiku me dy vargje”, “Haiku me tre vargje”, “Perëndia jonë është e gjelbëra”, “Puthja e Lipsarit”, “Të  Haiku-t tim me një dhe dy vargje”, dhe poezitë e gjata “Nuk ka vetëm një dashuri”, “ Loja e Trupit” ,“Perëndia jonë është e gjelbëra”, “Uji bën dashuri”, “Puthja e Lipsarit”, ” Mos nga Korca …ishte Eva ? ”  etj.Vargjet lirike të Haiku-t të poetes Coba, kanë simbolikën e fortë, flirtin e perëndishëm, njerëzor e hyjnor, me lirinë e shpirtit, rebelizëm e mëncuri, etja për dashuri; “Zjarri jo më kot ndizet në mes gjithmonë”, “Dhe lulja në lulëzim, ngelet pafjalë, kur sheh dy njerëz që puthen”, “ I pari që kupton trupin tim të dashuruar është krevati”, “Llastimet e mjelmës më zgjojnë fillime dashurie”, “Kur pres të bëhet e plotë hëna, humb durimin.“Asnjë gardh nuk e ngatërron rrugën e vet”, “Kjo re e thinjur vetëm këshilla jep”,  (nga Cikli” Haiku me një varg”, f.9,10,11, 12, 13).

“Cfarë moshe ka ky grurë / Hedh sytë në gjinjtë e grave”, “Syri im i vogël / Si e nxe gjithë këtë oqean të madh ”, “Sa guxon kjo lule  / Kapërxeu dhe murin e komshiut “, ”Mbrëmjeve merakosem për dritën / Ku të ketë ikur e vetme”, “Bukur tundet bari /Nuk di të vrapojë”, “Bregu nuk ja u heq njëlloj dallgëve/Mbathjet tyl  të bardha”, “Shinat e vjetra akoma kujtojnë / Fërkimet me trenin”, “Më të turpshme se gjethen /Era nuk gjen dot të dashur”,  “C’është ky mall i fshehur zemre / Për fjalën zemër”. (“Haiku me dy vargje”, f.31)

Këto vargje me stilin e Haiku-t, janë harmonike me botëndijimin dhe botëperceptimin psiko-analitik dhe  metaforik, muzikalitet të ndjeshëm, plot sharm e krenari femërore në vargëzim, melankoli e brishtësi tekanjoze, ëmbëlsi, butësi dhe lirizëm i feminilitetit në kërkim të dhimbjeve të ëmbla dhe gabimeve të bukura njerëzore të  intimitet hyjnor dhe forcës tërheqëse të tyre për t’i ndjerë,  ku magma ndjesore e delikatesës femërore maturon mendimet dhe eksklamacionet poetike të ndjenjave  dhe dashurisë njerëzore. Në mënyrë të sintetizuar  Coba kap nocionet kryesore të Haiku-t me një varg, dy vargje dhe tre vargje, fraza post-strukturaliste në të cilën shqetësimi kryesor i poetes, që shkaktohet   nga dëshira e pluralitetit të mendimeve  dhe  marrëdhënia e gjerë dhe intensive, pakti i saj i shpirtit me intimen,  që poetja krijon mes tyre: “Cfarë moshe ka ky grurë?/Hedh sytë në gjinjtë e grave.”, “ Me një dimër flenë,/Tre stinët femra.”, “ Dhe gruaja provokuese,/Nuk tundet aq bukur sa bari.”, “Si nxë syri im kaq i vogël”,/Gjithë këtë oqean të madh.”, “E vetmja gjë që zbutet pleqërisë, /Zemra dhe lotët.”, ( “Haiku me dy vargje”, f.31), -dhe poetja i gëzohet  pranisë së reales, asaj të dukëshmes dhe emocionit të castit, jo vetëm nga motivi dhe intensiteti emocional, por edhe struktura harmonike brenda realitetit  lirik-baladik, të lidhura së bashku me pasionin dhe femilitetin në tërësinë e vargjev, merr hov fluturimi i flirtit të perëndishëm në  universin i poeteshës, Reshida Coba.

“Luginës së gjinjve,/Hutuar dallgë e bardhë,/Harroi bregun.”, “Varg i këputur,/Gjinjve shkërmoqen,/Perla të përlotura.”, “Perlë e vogël,/Sy i bardhë,/Për detin blu.”, “Me vërshëllimën e tij,/Veriu capkën,/Puth  gjinjtë kodrave.”, Unë në gjumë,/Gjinjtë bisedojnë,/me njëra tjetrën”, “ E cmendi gurin e nxehtë,/Ikë e hajde/Kjo dallgë e lagur.”, “Me erë i njeh krimbi / Gratë që veshin/ Mbathje mëndafshi”,  “Grindem me Korcën /Ku i ke kalimtarët  /T’i përqafoj ”, “C’thonë korbat e Van Gogut /Re të zëza në shtrat/ Penelave plot ngjyra”, “Gjithmonë në udhëtim / Pluhuri mbledh pluhur/Ushqen universin”, “Xixëllonja e unë / Netëve flirtojmë/ Ndiz e shuaj zjarre”,  “Unë në gjumë / Gjinjtë bisedojnë / Me njëra tjetrën”, “Merak më mbeti/ C ngjyrë kishte molla /Që cuditi Neëtonin / ”( “Haiku me tre vargje “)

Poetja Coba krijon harmoninë me qeniet e universit, ku forca e dashurisë, erotizmi dhe sensualiteti në poezitë e saj me tre vargje nuk simbolizojnë vetëm qeniet njerëzore, por edhe botën natyrore me elementët e saj: Lugina, dallga, gjinjtë, bregu, veriu, kodrat, guri i nxehtë, dallgë e bardhë, etj. Poetja përdor metaforat dhe i konsideron kontrastet  e dashurisë dhe lumturimit, ndjenja që veprojnë e riveprojnë, mbajnë të tendosur erotizmin e natyrës me flirtin shpirtëror dhe triumfin e dashurisë njerëzore; “ Dy perëndime/Dielli e dashuria ime/ U ndanë në horizont”/, “Dy breshka të gjelbëra/Ciftohen ëmbël/Herë në tokë e herë në ujë.” -vargëzon  Coba.

Poema “Nuk ka vetëm një dashuri”, është një nga poemat më të bukura të Cobës, një poemë evokative  dhe medituese me vargjet e saj lirike, poetja menaxhon ndjeshëm paralelizmin  figurativ: “Netëve tejnetëve …në pakohësi,/mendohem të përzë errësirën brenda vetes,/Për gjërat që nuk jam e gjërat që nuk di,/Guxoj të pyes në terrnajën e universit,/në udhët ku ende drita s’është nisur,”- pavarësisht vargut e aluzioneve; “errësira  dhe drita”, “terrnaja dhe tejnetët”,  të cilat kanë simbolikën e një prekëshmëri shumëkuptimore,  pa rënë në sentimentalizëm dhe fatalitet, duke kapur thelbin në imazhet me strukturë komplekse, emocionale dhe stil ekspresiv, atyre poetja edhe iu kundërvihet: “Pse mbeta gjithë jetën te habia e dyshimi,/Pse mbijnë njëlloj dashuritë e tradhëtitë,/Bota është MONO, por s’janë MONO,/Dashuritë!”,  – stil, i cili mbetet i  njëkohëshëm dhe i fuqishëm, mishërim i prehjes e paqes shpirërore se  “Bota është Mono, por jo dashuritë’,  –një lloj mospajtueshmërie romantike,  vizuale dhe e erotizuar me materjen lirike dhe konceptin filozofik e hyjneshës së dashurisë njerëzore.

“Ndaj e trishtuar i rrëfehem universit,/ E zgjedh momentin kur dua të sulmohem netëve/  Kur jam e tëra Eter /Kur bëhem e tëra një moment zog Palloi / Me cmendurinë e ngjyrave, hapjes së krahëve /Lojës me format / Atëhere flirtoj me universin / Flirtoj me yjet gjysëm të cmendur /Dhe iki mijra vite drite larg /Kulloj qumësht të bardhë  plot dije/ Trupi im një orizore e madhe / Shkund kokra orizi mbi  gjokse universesh / Ju shfaqem me të vërtetën time fisnike / Dhe pyes ,a  janë Mono…Dashuritë / Dy të vërteta gjithmonë luftojnë / Por vetëm njëra mbetet e vetme / Edhe Hëna dikur guxoi të hiqte dorë nga froni /Kur pa se flitej  për një diell plus ,minus një hënë ”.

Koncepti elegjik është një epitaf i paharrueshëm me intensitet të fortë emocional në këto vargje lirike, që në mënyrë të barazvlefshme Coba nënkupton veten e saj dhe marrëdhëniet e dashurisë njerëzore me ankthin e pritjes, ëndrrat dhe dëshirat, se si funksionon bota njerëzore në akord me natyrën dhe hyjnoren. Poetja është vazhdimisht në kërkim të një klimë artistike e filozofike, kontemporane, elegancë dhe elokuencë  në varësi të rrethanave natyrore, fizike e shpirtërore: “ Pse kaq e padukëshme lavdia e Dashurisë?/Pse kaq e lartësuar Lavdia e Zotit ndaj Monogamisë?/Unë do  pres edhe këtu ku jam dhe në botën tjetër,/Do përgjoj mbi fatin e njëshit të dashurisë,/Edhe pse e zënë do jem me punët e vdekjes sime.”

Poetja e do lexuesin e saj, e vlerëson dhe është e shqetësuar a do ta kuptojnë drejt,ndaj vazhdon me vargjet: “Nuk di c’do thoni ju, kur të më lexoni / Do dyshoni për mua / Mundet të më  sugjeroni se duhet të flas me një zot / Por unë nuk do ta bëj / Ju kam zgjedhur juve/ Me zotat bisedoj vetëm kur nuk kam njerëz më të mencur afër.”

Poetja Coba beson në të vërtetën e jetës e dashurisë, në vlerat njerëzore që ato mbartin, beson në tragjedinë njerëzore, jetën në botën e përtejshme, dhe e konsideron atë një botë në harmoni me natyrën edhe “pse e zënë do jem me punët e vdekjes sime”,- thotë poetja,-e cila guxon të drejtojë veten drej tejdukshmërisë lirike të intimes sensuale, brenda cdo individi e universit shpirtëror ku të gjithë dashurojnë, vuajnë, gëzojnë dhe “përgjojnë  fatin e njëshit të dashurisë”,  këtë ndjenjë universale e flirtit të  perëndishëm, nga ku lind jeta, dashuritë dhe dhimbjet e saj. Tashmë pa e fshehur shqetësimin e kohës, poetja kërkon zgjidhje, kërkon ndihmë nga mendjet njerëzore, poetët, duke iu drejtuar: “Ku janë pendesat/ Ku është poeti i Monogamise / As martesën e vet se mbrojti dot /Nga rreziku i dashurive të reja / Është koha të shkruhet e vërteta /Asnjë nuk është i mbrojtur, nga rreziku i rrënies në dashuri edhe në kohën e shenjtë të bashkëjetesës /Ndodh shpesh në shtratin bashkëshortor  zgjohen mëkatet / Mbushen  brinjët e shtratit me  dhimbje / Shtohen ritualet / Gruaja duke zgjatur flokët / Burri duke thërmuar heshtjen / Bashkëjetesa fytyrë e dubluar / Rrënkon në numurin njëjës”.

Duke njohur karakteristikat e botës poetike të Cobës, të poezia “Puthja e Lipsarit”, poetja injekton duke përfshirë kontradiktat e dykuptueshmërisë dhe rolin e dualitetit  të paqartë të poetit dhe vetë poezisë, për të  gërshetuar tema më të gjëra, duke grishur me  motive romantike,: “Puthmë, puthmë….lermë të të puth,/Nuk kam puthur kurrë një grua kaq të bukur!/O Zot…cfarë po ndodh, nuk paskam vdekur,/Pse ndjej se mund të puth një grua…vërtet?/Lermë të lutem…lermë të të puth,/I lumtur të bëhet një lipsar..” Në këtë  reflektim  këmbëngulës poetja shpreh dhimbjen me vargje lirike dhe meditime shumë më të thella në përvojën njerëzore dhe natyrore, dashuria është joshëse, e pashmangëshme dhe fatale.Poetes  i dhimbset “Lipsari”, të cilit nuk i plotëson dëshirën e tij,  nuk ia zbut dot dhimbjen për një puthje, dëshpërohet poetja dhe vrapon të hedhë dhimbjen në vargje;  “Ishte tronditur kujtesa ime,/Ndjeja se isha kthyer nga një funeral,/Ku nuk shkohej për të vdekurin, por për të lindurin nga vdekja, si detaj.” Dashuria për Cobën kurrë nuk është e drejtpërdrejtë, por e paraqitur gjithmonë me elementë komplikues e ngushëlluese: “Në dorë mbante një shishe uiski,/Që përkëdhelej andej këtej,/Fliste fjalë të bukura për gruan,/këndonte kërcente,/Recitonte vargje nga i dehuri Heminguej”/ “Dhe kthehej të humbiste në kërcimin e tij”,/Me përplasjet e dhimbëshme  të thembrës në tokë.”

“Ishte tronditur kujtesa ime,/Ndjeja se isha kthyer nga një funeral,/Ku nuk shkohej për të vdekurin, por për të lindurin si detaj.”-një shpërthim i jashtëzakonshëm i poetes, aktakuzë tronditëse shoqërore dhe morale e Cobës, që trajton varfërinë dhe dëshpërimin nëpërmjet kombinacionit poetik, tërë filozofi dhe mjeshtëri artistike, që sfidon didaktin dhe simplicitetin  e sferës amatore. Poetja dashuron jetën, vuajtjet e dhimbjet e të tjerëve, (lipsarit), i bën të vetat, dhe shpirti njerëzor i poetes gurgullon me vargje lirike e romantike, për të zbutur sadopak ato, streset, dhimbjet  dhe ndjeshmërinë e tyre nga problemet e mosmarrëveshjet e ditës në të përditshmen njerëzore: “Hapa derën /Hyra në shtëpi pa zhurmë /Kisha frikë mos trembja lutjet e tij /Kërcimin, zërin e tij të bukur  /Që mpakte cdo grua / Kam qarë dhe kam kërcyer në dyshemenë e dhomës/ Pa asnjë orendi /Jashtë e nxorra ajrin /Gjithë puthjet e mia / Jetën time /Kërceja, qaja, këndoja, recitoja vargjet e mia /E  dehur … ashtu si ai “Dashuria pavarësisht nënrrymave të heshtura në vargun e saj, për nga mënyra e artikulimit poetik, Coba intimiton muzikalitet dhe zotërim të konvencioneve lirike. Me anë të fabulës  në këtë poezi, Coba jep konceptet e ndërtuara nga shoqëria, që kanë  të bëjë me cështjet social ekonomike  dhe fatin e individit, cfarë ndodh në botën e brendëshme shpirtërore të saj dhe individëve, mentaliteteve të ndryshme të shoqërisë e përplasjeve të tyre në udhëtimin e trishtë e të lumtur të jetës. E ndodhur mes dilemave dhe pyetje të shumta në  mendjen e saj, poetja Coba përpiqet të bëjë dallimin midis instikteve intelektuale të dashurisë e instikteve gjenetike të seksit  dhe ja vjen me një poezi shumë të komplikuar si subjekt ; “Loja e Trupit”, nëpërmjet vargjeve:  “Nga cili planet vjen ky mesazh qiellor / Dëshirë e fshehur eksitimi zbret nga diku /Ngjan me sekretin e Perëndive të panjohura / Me heshtjen gurkali…Dremitjen e minutave blu”.As me shpjegimet e saj filozofike, as me shpjegimet shkencore, poetja nuk ndjehet komode,e mundon limiti i mendjes njerëzore, që nuk depërton dot në këto mistere të trupit, kaq të pranishme, pjesë e kërkuar vazhdimisht nga trupi, ku njeriu nuk kundërshton ,por dhe nuk shpjegon dot atë cfarë  ndodh, ndaj Coba vazhdon; “Bie era trup …era qiell / Sëmundje e përsosmërisë në udhëtim /Për të mbritur në rrëmujën e rregullt të shpirtit  / Le të ndodhë përfytyrimi ! “ dhe më tutje: “Epsh i harlisur vjen / Nisur nga diku /Dikush e quan eksitim,ves/ Dikush e quan një fe vulgare / Dikush thjesht e quan seks”.Dyshimi dhe kërkimet e poetes nuk mbarojnë, ajo do të dijë të vërtetën që e mundon netëve dhe e le pa gjumë, ndaj shtron dilemat e saj; “Mos shpirti i thotë trupit nuk të kam harruar / Dhe ikën të mbetet shpirt i pashpjeguar / Mos zoti tallet me naivitetin e krijesës së tij / Dhe shfaqet me guximin e maskës së dritës e frymës /Ndërsa njeriu me guximin e rrënies në dashuri / Atëhere – Epshi është kafsha  ! Dashuria është njeriu  ( O Zot …mos qoftë kështu ! ) Të mendohem më shumë dua / Ta njoh universin absurd të trupit tim / Por nuk di si ! Ndaj shkruaj për lojën e trupit /Kufijtë midis dritës e ferrit/ Unë luaj me dy gjysmat që kurrë s,do ti kuptoj / Kur I përkasim gjysmës së parajsës / Kur i përkasim gjysmës së ferrit.”

E dashuruar me natyrën, me të gjelbrën, poetja Coba në këtë libër  emërton  dashurinë e saj   “E gjelbra”, ndaj dhe vesh fustanin Jeshil, i përkëdhelet  dashurisë së saj,dhe ngjyrës,Jeshile.

“Kam veshur fustanin jeshil për ty,/E mban mend ditën kur u ndamë….unë bëja sikur/shkundja dritën nga supet,/Dhe zëndrojtur fola:-Dukem bukur në jeshile?/Ti mbillje vështrimin në gjoksin tim të bardhë,/Me kujdesin sa më afër qendrës….sa më afër erës së/qumështit.” ( Perëndia jonë është ….e gjelbëra”,f.157).

E vecanta e këtyre vargjeve lirike është metamorfoza e kompleksitetit të emocioneve, e cila me delikatesën femërore elegante e nazike fillon të flirtojë me universin, ëndrrat, dëshirat dhe heroin lirik të saj,  që e mbajnë të lidhur përjetësisht poeten.  Nëpërmjet ngjyrës jeshile, poetja insiston në coroditjen e  turbullt të ndjenjës mashkullore; “ Nga drithërimat e prekjes, lind ylberi tokë-qiell pritur,/Në të kundërtën e shkëlqimit të diellit’, -simbole të  adhurimit këto, të prushta e drithëruese, një dritë e dëshirë jeshile, mes vedit dhe heroit lirik të saj;  “A nuk ndjehesh i zgjedhuri qiellor..Re-Shi-Diell?/Fol-Qiellori im…që ylberon mbi mua!” Në mënyrë të ngjashme poetja konfirmon romancën potenciale me forcën dhe energjinë shpirtërore, përpos bukurisë shpirtërore e fizike, dhimbjen e ëmbël të egos supernatyrale dhe ambicjes së  ndryshimit në botën e brendëshme shpirtërore rrethuar nga dashuria. Vëllimi poetik “Flirtoj me univertsin”, i poeteshës së Haiku-t shqiptar, Reshida COBA, është manifestimi i një shpirti të bukur, të ndjeshëm, sensual, lirik dhe romantik, hymn dashurie për botën njerëzore si dinjiteti, dashuria për jetën -dhe për atë më sublimen, Dashurinë Njerëzore.

 

Postscriptum

 Poeteshën Reshida Çoba, e kam mike të fëmijërisë, lindur e rritur në qytetin e bukur, që vetëm buzëqesh, Korca, në lagjen e aristokracisë myslimane, ku ngrihet madhërishëm për 6 shekuj e gjysëm,  Xhamia e Iljaz Bej Mirahorit, themeluesit të Korcës moderne.  Arësimin e hershëm tetëvjeçar e kemi bërë në të njëjtën shkollë. Lagja jonë,  që nga brezat në vazhdim thirret “lagja e Radanecit”,  ishte dhe  vazhdon të jetë aq e veçantë, për vetë pozicionin e saj gjeografik, dhe perëndimin më të bukur të diellit. Çdo mbrëmje njerëzit, përfshirë edhe mua e Reshidën dilnim sofateve të shtëpive tona, jo vetëm bënim ndonjë punëdore me grep apo qëndisnim jastëkët, pajën vajzërore, por me kënaqësinë më të madhe ndjenim në atë përcjelljen e ngrohtë të diellit, sikur të ishte pjesëtar i familjes tonë dhe shijonim kabatë  me klarinetë të arixhinjve, e Lulushit të pavdekshëm dhe melodinë e fizarmonikës së Bani Kuqos, të cilët cakërqejf nga rakia e muzika, duke kënduar  këngët e vjetra të Qerime arixhofkës, na shkelnin syrin e ngacmonin ne qëndistareve bjondina. Të gjithë  ata dhe njerëzit që i rrethonin na dukeshin aq të bukur e të përzëmërt, me bekimin diellor, flirtin e perëndishëm dhe dashurinë për njëri tjetrin, dhe vërtet ishin të tillë! Përveç atyre qëndismave me yje, trëndafila dhe perëndimin e diellit, belbëzonim vargje poetike nën tinguj serenatash të Abaz Hajros. Reshida na jepte edhe një kënaqësi më shumë, si folëse në Radio Korça, ku recitonte vargjet e saj të shkruara nën përqafimin e perëndimit diellor, por lexonte edhe ato vargjet fillestare, tonat. Përveçse në këndin letrar të shkollës, poezitë e atëhershme të Reshidës u botuan edhe në revistën “Shqiptarja e Re” dhe “Drita”. Më pas ajo emigron në SHBA-ës, ku jeton, punon e krijon prej 20 vjetësh. Poetja korçare, tashmë shqiptaro-amerikane, i rishikon edhe njëherë poezitë e saj të para, por edhe duke krijuar të tjera dhe zbuloi  se ishte dashuruar me Haiku-n, pa e njohur atë, përmes ndjeshmërisë dhe bukurisë që përshkruante marrëdhënien e njeriut me natyrën dhe njerëzit që e rrethojnë, por edhe vetë temperamentin e natyrës njerëzore me botën natyrore. E fortë, kurajoze dhe duke qenë vetvetja në çdo varg të Haiku-t, ajo arriti të botojë fillimisht  librin e titulluar “Unë, Gruaja R”, dhe këtë vit, vëllimin e dytë poetik “Flirtoj me Universin”, me vargje prekëse, që të mbeten në mendje dhe që nuk mund t’i anashkalosh pa i lexuar disa herë.

Për stilin poetik të poetes Reshida Coba janë shprehur pena të njohura të letrave shqipe; që nga shkrimtari Nasho Jorgaqi, i cili mendon se: “Shprehja e saj poetike është e thjeshtë e komunikuese, larg retorikës spontane. Mendimet e autores mbartin filozofinë që më shumë ndjehet, sesa shprehet. Kjo e bën poezinë e saj lirike me një feminitet të këndshëm, me figura të përvijuara lehtazi, të dhëna me dashuri e dhimbje, që shpesh vjen larg. Ajo këndon lirisht, cdo gjë njerëzore, e hapur dhe e sinqertë deri në sensualitet. Është padyshim një zë i ri në poezinë femërore, që po e pasuron me vlerat e saj më të mira e bashkëkohore, këtë dekadë të fundit.” Ndërsa kritiku letra Fatbardh Rustemi, i cili është edhe njohës i mirë i penës poetike të Cobës shprehet se: “ Reshida Coba edhe kur guxon të vërë pikëpyetje mbi monogaminë, rrëzon tabunë duke shenjtëruar dashurinë, tek e cila mbahen të gjitha vlerat njerëzore,  te butësia femërore, te delikatesa, te shfaqja e një shpirti të dlirë, feminiliteti me ngasje të bukura qendron gjithë pushteti poetik lirik, romantik e sensual i poetes.”

Mjeshtri i Madh, poeti,Petrit Ruka shprehet se: “Vetëm sinqeritete të tilla kaq shkundulluese në vargjet e një gruaje, mund të të shtien në shpirt drithërima kënaqësish estetike. Do mjaftonte vetëm poezia “Luksi me arrixhinj “, për t’u bindur se kjo është poezia e vërtetë, cdo poet do e kishte zili një poezi të tillë në librin e vet “, por jo cdo grua do kish guxim, ta quante “ një luks me arrixhinj ”

Më dt 6 Mars 2016, në ambientet e bibliotekës Tirana Times, Tiranë, -Shtëpia Botuese Nacional, nën moderimin e botuesit të saj, shkrimtarit dhe poetit Mujë Bucpapaj, promovoi vëllimin poetik “Flirtoj me Universin”, i poetes shqiptaro-amerikane Reshida Coba. Morën pjesë figura e personalitete të njohura të letrave shqipe, artit e kulturës shqiptare, mes tyre nuk mungoi edhe këngëtarja e shquar Aurela Gace, e cila me zërin e saj të magjishëm përshëndeti, duke kënduar hymnin apo flirtin e perëndishëm të  bukurisë femërore korcare, serenatën, “Perëndeshë e Bukurisë”.

Raimonda MOISIU

HARTFORD CT USA

Mars 2016

 

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Flirt i Perëndishëm, Raimonda Moisiu, Reshida Coba

REFLEKSION PËR SHTATË FJALSHIN & E RESHIDA ÇOBËS

September 27, 2015 by dgreca

Nga Hasan SELIMI/
 “Luginës së gjinjve,/
Hutuar dallgë e bardhë, /
Harroi bregun”. /
 E nderuar Reshidë. Fort bukur ky lloj përkufizimi klasik dhe krejt filozofik. Nuk ka çka mendon tjetër njeriu vetëm misterin e kësaj strofe me nga dy fjalë. Mundem me i thënë vetëtimë, mundem me i thënë koncentrimi filozofik i çdo ngjarjeje.
Jeta vazhdon dhe njeriu duhet të ketë optimizëm. Thellësia e mendimit të vargut që ju bëni lenë me gojë hap çdo lloj kritiku sa do i shkathtë të jetë. E lenë me gojë hap se nuk di se çka me thënë tjetër, se çka me thënë më parë për këtë pamflet. Ja “Luginës së gjinjve” e kush nuk ka kaluar nga kjo anë me lëngun e jetës të dhënë nga nëna. E kush nuk hutohet, kur nëna gjirin fëmijës ia tregon. Nga ëmbëlsia dhe nga nevoja njeriu gjindet i pa asnjë pretekst tjetër vetëm me emocionin e gëzimit në gulçin e shpresës.
    Gjinj ka çdo nënë njeri, gjinj ka edhe nëna kafshë. Fëmijë ka nëna njeri, fëmijë ka edhe nëna kafshë, bile edhe shpend. Njësoj është. Dhimbje dhe dashuri ka nëna njeri, dhimbje dhe dashuri ka nëna kafshë, apo shpend. Në të gjithë gjinjtë ka jetë, në të gjithë gjinjtë ka dashuri, në të gjithçka ka gjinj, ka edhe seks ,sepse pa seks nuk do kishte gji, sepse pa seks nuk do të kishte lindje dhe pa lindje nuk do të ketë emocion gëzimi për gjirin e nënës.
Këtu më kujton Oshon, njërin nga filozofët më të kohës. Ai e shpjegon me një imtësi filozofike të pakrahasueshme zhvillimin dhe seksin, dashurinë dhe konfirmimin material deri tek fëmija që do të thërrasë nënë.
    Që të mos zgjatem tek i madhi Osho, ne duhet të përcjellim shtatë fjalët e poetes Reshida Çoba si një skenë në vazhdim, si një kapardisje për gjinjin e vet. Ju lutem kuptoni dhe mos e shpërdoroni poeten se Ajo po flet në Vetën e Parë. Ajo po flet për “Luginës së Gjinjëve”. E kush është femër dhe nuk ka pa gjinjtë e vet. E kush është mashkull dhe nuk ka pa gjinj. Cili nuk është marrosë prej atij objekti material jetësor kaq të pazëvendsueshëm. Ju keni pa nëna që nuk kanë qumsht në gjirin e vet pas lindje. Fëmijën e rritin me qumshtin e dhisë, apo të lopës së kuqe. Ky fëmijë e ka mallin e pashuar për gjirin e nënës. Herë pas here hapë gjoksin e nënës dhe puth gjinjtë edhe pse e di se qumësht aty nuk ka.
   “Hutuar dallgë e bardhë” Po, po qumshti është dallgë e bardhë. Ju keni parë edhe në reklama marketing se si bën dallgë qumshti. Ndoshta ju ka sjell puna dhe keni pa qumshtin në zjarr, kur zihet se si nxjerr shkumë të bardhë dhe ndërton një stom të madh shkume e qumshti bashkë, si vullkan që del nga bërthama e tokës, pastaj dirgjet në faqet e kovës si ortek në shpatet e bjeshkëve. Ja, ai qumsht që derdhet në zjarr fik krejt zjarrin. Pra, shuhet edhe zjarri nga qumshti. Edhe zjarri paska etje për qumsht dhe qumshti i shuan etjen.
      “Luginës së Gjinjëve”/“Hutuar dallgë e bardhë”/. Merre si në të vërtetë si ka ndodh shpesh herë. Shikon gjinjtë dhe mendja se ku nuk të shkon. Janë me të vërtetë të bardhë, me të vërtetë ka një luginë në mes tyre, ka edhe brigje në të gjitha anët, ngado që ti shikosh ka brigje, ka lugina, ka bardhësi pa fund. Të mos harrojmë ka shumë jetë, ka shumë dashuri, se dihet pa dashuri nuk ka jetë. Bile disa herë nuk kam qejf të përseris edhe dashuri, edhe jetë. Këto dy emra fjalë nuk kanë kuptim pa njëra- tjetren, bile ku shënon njerën ke shënuar të dyja.
E tash “Harroi bregun” po, po merre si ta marrësh. Në se e merr se harron të puthish buzën nuk ka asnjë faj askush. Para gjinjve nuk ka asnjë diçka tjetër që e zëvendëson. Tek njeriu ka shumë pragje, shumë brigje, shumë dilema, ndaj është materie më vehte. Në asnjë rast dashuria nuk shpërdorohet. Nuk ka koncept që mund të vërtetoj mendësinë e shpërdoruesit të dashurisë. Në se je me nënën, atëherë duhet të jetosh. Gjini i nënës është në atë moshë që gdhend vetëm në nevojën për jetë.
“Harroj Bregun”, po mundet të harrohet gjithçka edhe epshi i pa përmbajtur qendron pezull mbi gjinjtë e bukur të gruas nënë. Ka nga ata që e trajtojnë si t’u deshirojnë qejfi i tyre, por në këndvështrimin tim një nënë, e cila është edhe grua para saj dhe gjinjve të saj kanë një ndjesi të pamatshme. Sado pendë e guximshme të jesh nuk mund të përshkruash emocionin që të sjell epshi dhe pezullimi që të sjell mania e gjirit të nënës grua. Them nënë-grua, sepse çdo grua është nënë dhe çdo nënë është edhe grua. Tani, uroj që çdo grua të bëhet nënë.
Shtatë fjalët e Reshida Çobës më detyruan të shënoj gjithë këtë mendim timin për gjinjtë, për luginat e tyre, për dallgët që ato çojnë, për zanafillën biologjike dhe për atë më kryesoren për filozofinë e vargut të saj.
Por unë e kam fjalën për gjinjtë që ka lind nga nëna dhe jo për gjinjtë e harrnuar dhe të montuar, që në prekje ngjajnë si dru. Këtu e kam fjalën për gjinjtë, për ndjesinë që jep ai gji në misterin e tij, si diçka e padukshme, e imagjinueshme, e paimagjnueshme, që mendo e kujton dhe nuk guxon ta prekësh si e paprekshme dhe që nuk duron përçmim. E kam fjalën për gjirin si ushqimi fillestar nga nëna që të rritë dhe të pjek intelegjencën, të konsolidon llogjikën e të jep jetën. Për këtë lloj gjiri shkruan Reshida Çoba.
Këto shtatë fjalë janë një postulat, tezë e një mendimi të kualifikuar. Ju thashë më lart se duhet një simpozium i tërë të zbërthejë këtë shtatë fjalësh. Koncentrimi filozofik i vargut të Reshidës sjell me vete një thesë fjalë që duhet të seleksionohen. Gdhend fjalë, gdhend metaforë, gdhend realitet, gdhend epokë.
Autorja u nxori punë të gjithëve, mendoj unë. Për një shkreptim rrufeje pa re që përzhitë gati çdo mendje në harrim, jo si harresë, por si vëllim.
Aty nuk ka figura, pak dhe shumë, aty nuk ka legjenda, pak dhe pa fund, aty ka mister që askush ndonjëherë s’ka për ta njohur. Ka dhe transparencë që shihet nga kudo, aty ka gjithçka që gjen njeriu tek nëna.

Filed Under: ESSE Tagged With: Hasan Selimi, Reshida Coba, shtate fjaleshi

TE FTUAR NE SOFREN POETIKE TE GAZETES “DIELLI“

April 26, 2015 by dgreca

Ne Sofren poetike te Diellit, dergohen poezi nga te gjitha trevat shqiptare, por edhe nga Diaspora. Redaksia e Diellit, u kerkon ndjese poeteve, qe nuk mund t’i plotesoje te gjitha kerkesat. Kete here kemi zgjedhur poezi nga Reshida Coba, tri poezi nga Reshat Kripa, Asllan Dibrani, Vullnet Mato dhe nga Luan Cipi./

RESHAT KRIPA/:
KËRKOJ VARR PËR TIM TË

Kushtuar vajzave shqiptare që
diktatura i la jetime dhe që nuk kanë një
varr ku të derdhin dy pika lot apo të
vendosin një tufë lule.

Përse vashë
rri trishtuar,
shpirtin ty
kush ta lëndon,
pse je kaq
e dëshpëruar,
syri yt
pse po loton?

Mos vallë zemrën
ty ta theri,
flak’e zjarrtë
e dashurisë,
mos vallë shpirtin
ty ta teri,
çapkënllëku
vajzerisë?

Çfarë kërkojnë
syt’e tu,
n’ humbëtirën
e pabesë,
a mos vallë
shpirti yt,
e ka humbur
sot çdo shpresë?
——————–
Ngriti kryet
vajz’e mirë,
loti rridhte
si ujvarë,
zemra thyer
hidhërimit,
pëshpëriti:
– Kërkoj varr.

Kërkoj varr
për tim atë,
nuk e di
ku dergjet vallë,
e rrembyen
një natë vjeshte,
i dhuruan
plumb në ballë.

Isha foshnje
un’aherë,
kur e vranë
e masakruan,
kur kainët
e pabesë,
lirin tonë
përdhunuan.

Pyes mamin
– Ku është babi,
pse nuk vjen
më në shtëpi?
Ajo gjegjet,
pikëlluar,
– Fluturoi
se ku s’di.

Dhe tani
që jam e rritur,
kam një brengë
një dëshirë,
nuk kërkoj
as këng’as valle,
por veç varr
për një martir.

Dua vetëm
të derdh lotët
përmbi varr
të atit tim,
të vendosë
një kurorë
plot zambakë
e trëndafilë.

Të gjithë miqtë
Po me thonë,
babi yt
ra për liri!
Të gjithë miqtë
Po më thonë
donte vetëm
Shqipëri!

Po aherë
pse s’më thonë,
ku ndodhen
eshtrat e tij,
që t’i mbledh,
ato në grushte
në parajsë
ato t’i shpie

Atëherë
zemra ime
do jetonte
qetësuar,
atëherë
syt’e mi
do pushonin
së lotuar.

Por kërkoj,
kërkoj më kot,
të gjej vendin
ku ka rarë,
nuk e di
a ka në botë
një të vdekur
pa një varr?
—————
Ngriji kryet
vajz’e dashur,
mbaji lart
me krenari.
derdhi lotët
vendos lulet
në çdo skaj
në Shqipëri.

Se kudo
aty do jenë
eshtra trimash
për liri,
se kjo tokë
e përgjakur
i shtrëngon,
i mban në gji!

Në kërkim të lirisë

Liri, ku ishe?
Për shumë vjet të kam kërkuar,
Vite dhimbje, vite zjarri,
Për çdo ditë ëndërruar,
ditë shprese, ditë malli.

Liri, ku ishe?
Për Liri, për Shqipëri,
Ishte besa jonë e parë,
Për flamurin kuq e zi!
Për një Shqipëri të mbarë.

Liri, ku ishe?
Të kërkonim në errësirë,
Të kërkonim ditë e natë,
Donim jetë më të mirë,
Donim një kohë të artë.

Liri, ku ishe?
Kur në pranga robëruar
Dita ditës të shpresonim,
Shpirtin, trupin sakatuar,
Veç për ty, Liri, mendonim!.

Po sot, Liri ku je?
Mos vallë prapë na braktise,
Të kërkoj po s’të gjej dot,
Prap në ferrë na gremise,
Mos vallë po mundohem kot?

Liri, ku je?
Përsëri duke kërkuar,,
Thellë në zemër ty të ndiej,
Zemra ime turbulluar,
Po ty vallë ku mund të gjej?

Liri, ku je?
Ku të gjej kur s’të gjej dot,
Kur jetoj ngado rrethuar,
Nga çakenjtë fuqiplotë,
Me miliona të mbuluar.

Liri, ku je?
Kur në ballë të drejtësisë,
Kur në mes të parlamentit
Gjej ithtarët e robërisë,
Çveshur shpatën ndaj miletit.

Liri, ku je?
Kur në tele dhe gazeta,
Shoh gjithmonë ato fytyra,
Hedhin vallen tungjatjeta,
Sipas ritmit ngjyra ngjyra.

Liri, ku je?
Kur pronari s’është pronar,
Pronën gëzon dikush tjetër,
Derdhet gjaku anembanë,
A thua s’jemi vëllezër.

Liri, ku je?
Nuk e pe se ç’ndodhi mbrëmë,
M’u në qendër të qytetit,
Ra një djalë për të qënë,
Si një yll i rënë nga qielli.

Liri, ku je?
A pyete: vallë përse,
A pyete pse e vranë,
Pse e shtrinë atë përdhe,
Po përse atij i ranë?

Liri, ku je?
Ndaj unë ty, sot nuk të shoh,
Ndaj unë ty sot të kërkoj,
Eja, eja të të njoh,
Këtë vend ta lulëzojmë.

Liri, ku je?
Po thërras në moshë të shkuar,
Ashtu si në moshë të re,
Kujtoj kohën e kaluar,
Ndaj thërras: Liri, ku je?

DHIMBJE

Vargu im një pikë loti,
Që kullon nga zemra ime,
Jeta ime kot së koti,
Brenga, dhimbje dhe mjerime.

Dashurova plot pasion,
Me zjarr zemre përvëluar,
Shpirti im sot po kërkon,
Lumturinë e ëndërruar.

Seç luftova për liri,
Desha jetë më të bukur,
Të mos ketë robëri,
Desha të jetoj i lumtur.

Porse rruga ish mbuluar,
Plot me hithrra edhe gjëmba,
Mos e prek, është e ndaluar,
Mos e lyp si ta ka ënda!

Ndaj dhe vargu im i ngratë,
Ropanisur, sëkëlldisur,
Mbeti në rrugën e gjatë,
Kur akoma s’kishte nisur.

Dhe kështu vargjet e mia,
Lulëzuar në rini,
Prisnin të lindte liria,
Të shpërthenin përsëri
.
Tash ajo po lulëzon,
Në çdo skaj për bukuri,
Zemra ime belbëzon,
Për liri, për dashuri!

RESHIDA COBA/
PERËNDIA JONË ËSHTË…JESHILJA-poezi nga Reshida Coba

Me barin t’i nisa sot puthjet në agun e mëngjesit,
Ti ç’bën që nuk zgjohesh akoma,
Vazhdon të puthesh syte e mi ?
Ende në qiell…te Re-ja, ku u njohëm bashkë ?
Dil nga ëndrra ! E hapa derën.Është ditë jashtë !
.-.
Kam veshur fustanin jeshil për ty,
E mban mend ditën kur u ndamë…unë bëja sikur shkundja dritën nga supet,
Dhe zëndrojtur fola:-Dukem bukur në jeshile ?
Ti mbillje vështrimin në gjoksin tim të bardhë,
Me kujdesin sa më afër qëndrës…sa më afër erës së qumështit.
.-.
Si ta them këtë ndjesi timen, këtë frymim të gjelbër?
Ndjej pëshpërima shelgu (nuk jam më prej lëkure)
Lëndinë e blertë bëhem, një “zakon i bukur jeshil ”
Shëndrruar në formën më të përkryer të qartësisë,
Fytyra e barit sa e ngjashme me timen…si cdo fillim jete!
.-.
E xhelozuar era thellon flirtin,rrëmben me puthje belin tim
… e ndjej pushtimin,
Ndryshe nga burri, mëncuria e gruas qëndron tek beli,
Thellë tij planeti magjik i mitrës, ku ngjizet njeriu.
.-.
Ndaj përkedhelem,mburrem me qënësineë…Grua!
Si inteligjenca e së gjelbrës mburret mëndjes njerëzore,
Me filozofinë e klorofilit.
.-.
Besomë, një fije bari nuk ka më pak mendim, më pak punë,
Më pak të fshehta se një univers,
Dhe ka sy po kaq të mëdhenj drite…si unë !
Sa herë të mendoj ty…si bari njomëzohem,
Ndjej rrrjedhën e një përroi të bukur njomështie,
Rreth tij e gjelbra valvitet…si të ishte përsheëndetja e Zotit !
.-.
E mbaj mend si tani natën e parë me ty
-Ngjitu, më thoshte puthja jote,- Do takohemi me Perëndinë.
Dhe ajri dhe uji me terma njeriu do flasin,
Filluan të mësojnë numrat, për numërimin e puthjeve
( kaq shumë do jenë ?)!
-Perëndia jonë e re do quhet…Jeshilja (kështu them dhe unë)
.-.
A nuk i ngjajmë fenomenit të diellit dhe pikës së shiut,
Kur mrekullia e vogël përkul kurrizin e saj ujor,
Me kënaqësinë e thyerjes nga përshkimi i dritës nëpër të ?
Nga drithërimat e prekjes, lind ylberi tokë-qiell pritur,
Në të kundërtën e shkëlqimit të diellit.
.-.
Të cuditur të dy pyesim… si u gjetëm kështu,
Pse në mes të shtatë ngjyrave të ylberit,
E zgjedhura është jeshilja ? Pse jeshilja jemi ne ?
.-.
Ashtu si bari nuk pyet kurrë, përse është i gjelbër,
Dhe bota nuk pyet…e di,
Kur njerzit dashurohen nga fatet jo nga lutjet,
AJO… bëhet më femër !
.-.
Është bukur të jetosh në mëndjen e gruas… me lëndina të blerta,
Që netëve bredh lulnajave të tua…ujit sythet e së nesërmes,
A nuk ndjehesh i zgjedhuri qiellor… Re – SHi – Diell ?
Fol – Qiellori im…që ylberon mbi mua !
Reshida Coba-Mars 2015/
Kullat teatër i shekujve tanë!

Poezi dhe pikturë nga
Asllan Dibrani

Natë mërgimtare, vonë rrëshqitje kujtimesh
Në horizontet mbi kullat tona
rrëmben mallëngjimi, për plisat e bardhë 
Dikur plot burra mblidheshin anembanë
Me istikame e jataganë !
Malësoret shqiptare krah burrave në beteja
Lidh besën e Shqiptarisë
T’i mbrojnë tokat e Arbërisë
Flasin kullat me lashtësinë e gurëve
Të skalitur me legjenda
gdhenden ilirët dhe fiset kreshnike
Themelet e kullave teatër i shekujve tanë
Testament në rrasat e gurit
Gurët janë epërsia ma e mirë
Ndaj grabitqarëve barbarë!
Deshën ta rrokullisin planetin
Në to linden burra
Që të vdesin po në to, kur te mplaken
Aty, i përkund djepi i atdheut
Aty pinë qumështin e nënës
Hëngrën bukën kallamboqit
Kështjella e Krujës jehon
Kushtrimin e Skënderbeut
Trembi Stambolli e Osmanëlli
Shumë krajl , çetnik e sllavëri
Ah, kulla e kulla e kulla me gur, mbi gur
Qëndresë ndër shekuj
U betuan burrat me flamur
Për kullat me mur, ata thanë
Kullat tona në robëri s’do të rrojnë
Vendosën flamujt kullë në kullë
E mur mbi mur
Për një Shqipëri të bashkua

Vullnet Mato

DY VËLLEZËR TË RRALLË – DY BURRA FTERRE

BARDHYLI ME SHPIRTIN E BARDHË

Bardhyli, me shpirt njeriu të bardhë,
çel para teje bardhësinë, si luledele.
Sa herë i shkon afër, apo të vjen pranë,
zgjat dorën e të dhuron një karamele.

Pas karameles tipike me aromë kafe,
ai ndez cigaren mikeshë të krijimtarisë,
dhe interesohet zakonisht me pak llafe,
për shëndetin e njerëzve të shtëpisë.

Fjalët e dyta i ka për Fterrën e dashur,
dhe pyet nëse prej saj të shijon pak raki,
nga shishet e vogla që mban për të qerasur,
në çantën mbushur me rrëfime për fëmi.

Ky fisnik zemërbardhë, ashtu siç ka emrin,
ka nxjerrë nga duart dhe mendja e ndritur,
mijëra nxënës, përhapur në të gjithë vendin,
dhe dhjetëra libra për t’i bërë fëmijët të ditur.

Bardhyl Xhama “mësues i merituar” fterriot,
bir mësuesi dhe përhapës i palodhur drite,
nuk po ndalet së shkuari, as sot dhe as mot,
sa t’i fosilizohet dora mbi shkrime ndër vite…

AGRONI QË BËN MREKULLIRA

Se si një ekonomist, në vjeshtën e pensionit,
arrin të pushtojë maja shkencore të vështira,
dhe bëhet mjeshtër i përdorimit të elektronit,
për t’u krijuar njerëzve lehtësi me mrekullira,

Këtë, në mënyrën më konkrete e dëshmon,
burri që u është ngjitur lartësive kompjuterike,
pararendësi virtual, me emrin e mbretit Agron,
që u bë i nderuar përmes valëve elektronike.

Ai krijoi rrjetin e informimit masiv, për fterriotët,
dhe gazetën e mërgatës fterriote, të shpërndarë,
nga Guri i kuq, në Tiranë, e në çdo skaj të Evropës,
gjer në Amerikën e largët me emigrantë shqiptarë.

Ky komuniteti i madh, brenda ditës informohet,
kush lind, kush vdes, e kush bën dasmë zakoni,
urojnë gëzimet familjare e në dhimbje bashkohen,
si banorë të një lagjeje gjigante prej elektroni.

Meqënëse, nga intuita e nxitur prej kuriozitetit,
apo mbiemri i mistershëm “Xhama”, trashëguar,
u lidh fort me xhamin e monitorit të internetit,
Agroni meriton në vendlindjen e tij të paharruar,

Të përjetësohet në një monument vezullues prej qelqi,
për të reflektuar rrezatime drite brigjeve me korije,
qysh nga rrezet e para diellore, në agun e mëngjesit,
derisa shtatorja të xixëllojë natën nga hëna dhe yjet…

GJURMËT E TOKËS: VARRE E NOFKA/
Nga Luan Çipi/

Diku, varreza me Italianë,
Më tej, “Varret e Çifutëve”,
Gjurmë varresh me Gjermanë,
Sllavë ndënë dhe, atje më tutje.

Në luftime shumë kanë rënë:
Grekë, Francezë, Austriakë,
Mijëra Turq, kockat kanë lënë,
Serbë, Bullgarë. Nuk janë pak!

Hasmi s’ erdhi për të ikur,
Po, lirinë për të na marrë.
Aty ngelën, frymë fikur,
Nënat, motrat i kanë qarë.

Dhe pse çalë, me paterica,
Ndruan emra e futën spica:
Kishën e bënë Gumenicë,
“Dashamirin” – Drashovicë.

Vunë emrat: Novoselë,
Gollobordë, Brataj, Vodicë.
Sllavja hartë, “Kal’ Troje” del:
Amonicë, Shashicë, Shushicë.

***
Si e duron kjo toka mëmë
Këtë vepër poshtërimi?
Emrat sllavë ndjellin gjëmë,
Zhvirgjërim duket çemërimi!

Mbreti nisi një reformë
Nofkat, t’i këmbente vet…
Erdhi koha të veprojmë:
Kthim të plot n’ identitet!

Tiranë, më 24.04.2015

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: asllan dibrani, reshat kripa, Reshida Coba, Sofra e Diellit, Vullnet Mato

Reshida Coba, poetesha e zërit të Haiku-t shqiptar në Kaliforninë amerikane

January 11, 2015 by dgreca

Poeteshën korcare Reshida Coba e kam mike të fëmijërisë, lindur e rritur në një lagje, por edhe më tej, tetëvjecaren e kemi bërë në një shkollë. Lagjia jonë ishte aq e vecantë, për vetë pozicionin e saj gjeografik, se kishte perëndimin më të bukur të diellit. Cdo mbrëmje njerëzit, përfshirë edhe mua e Reshidën dilnim sofateve të shtëpive, jo vetëm bënim ndonjë punëdore me grep apo qëndisnim jastëket, por kënaqësinë më të madhe ndjenim në atë përcjelljen e ngrohtë të diellit, sikur të ishte pjesëtar i familjes tonë/ së tyre. Të gjithë njerëzit na dukeshin të bukur me bekimin diellor dhe dashurinë për njëri tjetrin, dhe ishin të tillë! Përvec atyre qëndismave me yje, trëndafila dhe perëndimin e diellit, bëlbëzonim vargje poetike nën tinguj serenatash. Reshida na jepte edhe një kënaqësi më shumë, si folëse në Radio-Korca, ku recitonte vargjet e saj të shkruara nën përqafimin e perëndimit diellor, por lexonte edhe ato vargjet fillestare, tonat. Përvec se në këndin letrar të shkollës, poezitë e atëhershme të Reshidës u botuan edhe në revistën “Shqiptarja e Re” dhe “Drita”. Më pas ajo emigron në SHBA-ës, ku jeton, punon e krijon prej 20 vjetësh. Poetja korcare –tashmë shqiptaro-amerikane, i rishikon edhe njëherë poezitë e saj të para, por edhe duke krijuar të tjera dhe do të zbulonte se ishte dashuruar me Haiku-n, pa e njohur atë, përmes ndjeshmërisë dhe bukurisë që përshkruante marrëdhënien e njeriut me natyrën dhe njerëzit që e rrethojnë, por edhe vetë temperamentin e natyrës njerëzore me botën natyrore. E fortë, kurajoze dhe duke qenë vetvetja në cdo varg të Haiku-t, ajo arriti të botojë librin e titulluar “Unë, Gruaja R’, me vargje prekëse, që të mbeten në mendje dhe që nuk mund t’i anashkalosh pa i lexuar disa herë. Për stilin poetik të poetes Reshida Coba janë shprehur pena të njohura të letrave shqipe; që nga shkrimtari Nasho Jorgaqi, i cili mendon se: “Shprehja e saj poetike është e thjeshtë e komunikuese, larg retorikës spontane. Mendimet e autores mbartin filozofinë që më shumë ndjehet, sesa shprehet. Kjo e bën poezinë e saj lirike me një feminitet të këndshëm, me figura të përvijuara lehtazi, të dhëna me dashuri e dhimbje, që shpesh vjen larg.” Ndërsa Petrit Ruka shprehet se,-“Vetëm sinqeritete të tilla kaq shkundulluese në vargjet e një gruaje , mund të të shtien në shpirt drithërima kënaqësish estetike.”
Edhe dicka më shumë, Reshida është nëna e Miss-it më të suksesshëm shqiptar, Valbona Coba.
Në këtë intervistë Reshida na tregon se cfarë është Haiku-dhe pse ajo zgjodhi pikërisht atë për të shprehur shpirtin e Gruas, R!

Bisedoi: Raimonda MOISIU

-Kam lexuar me interes të vecantë mbresa, mendime dhe këndvështrime të maturuara profesonalisht rreth poezisë tuaj, nga kritikë dhe autorë të vlerësuar të letrave shqipe. Sapo jeni vlerësuar me Cmimin e Parë në poezi, nga Revista Kuvendi, -Michigan. Përpos urimeve, dëshiroj të di se si jeni ndjerë ju vetë për këto vlerësime?

Vetë jeta është pjesë ideale dhe pjesë ndikimi, ndaj them se u gëzova dhe përcolla një emocion jo të zakonshëm. Kjo më shumë se nuk e dija, që do isha konkuruese, mbasi unë nuk ju përgjigja dot ftesës dhe rastësisht pashë njoftimin në internet për cmimin. Në mërgim cdo lajm përjetohet ndryshe, ndjeva se nuk mbërriti vetëm një grusht me gërma për një vlerësim, por një copë toke Shqipërie, më e bukur se vetë Kalifornia ku jetoj, e cila më la shijen e gjatë të mallit dhe lotin më të ëmbël. Vlerësimi im me Cmimin e Parë ndërmjet kaq poetëve nga Diaspora Amerikane dhe Europës, nuk se më bën mua poeten më të mire, thjesht fati takoi emrin tim. Kam lexuar poezitë e shumë konkuruesve të tjerë dhe them se kishte shumë poetë të tjerë të talentuar.

– Kush ka ndikuar në mënyrë të konsiderueshme në krijimtarinë tuaj poetike: prindërit, arti, letërsia apo njerëzit e thjeshtë; qoftë edhe një person i vetëm që ka luajtur një rol të veçantë në frymëzimin tuaj.

Nuk ka luajtur rol ndonjë person, poet apo shkrimtar dhe asnjë nga familja ime nuk ka shkruar, thjesht ka qenë natyra ime observuese, cilesi kjo dalluar nga prindërit si vecanti, që në moshë shumë të vogël. Ndonjëherë entuziasmuese për ta e ndonjëherë disi e tepruar në vëzhgimin e tyre. Kur më vonë takoja njerëz të rritur më thonin: “Cfarë do na pyesësh tani? Shejtan ke qenë, pyesje cuditshëm! Po unë nuk pyesja më, kisha turp, kisha filluar të lexoja dhe aty shuaja kurreshtjen time. Mbaj mend se kam filluar të shkruaj, që kur mësova si shkruhej. Ndjeja se nuk më merrte asnjëherë uria për bukë, por kudo që isha, nxitoja të shkoja brenda të shkruaja dicka. Nuk luaja gjatë si fëmijët e tjerë, sa hyja në lojë, dilja. Kisha dëshirë të shikoja veprimet e tyre, cfarë bënin me njëri- tjetrin në lojë, s’di pse paraqitja maninë të dalloja kush ishte i mirë dhe kush ishte i keq. Kisha qejf të flisja bukur, modelin e shihja te mamaja dhe pse ajo nuk kishte shkollë, kishte një oratori të vecantë shoqëruar me shumë ekpsresione dhe me lëvizjen e duarve, krijonte karaktere në cdo rrëfim që bënte. Mua më dukej njeriu më inteligjent, them se po të dinte të shkruante mbase do ishte një poete. Kuptova shpejt se të shkruarit të mëson t’i thuash gjërat më mirë. Emocioni për të shkruar i ngjan lirisë, ku zgjedh ushqimin më të përsosur, për të konsumuar, por dhe që mund të helmohesh.

-Dhjetra vargje poetike të përbledhura në vëllimin me poezi “Unë Gruaja R”. Si erdhi ky libër në jetë? Përse ky titull?

Dobësi e hershme tek unë për gruan si nocion, përcaktim. Ndoshta kjo krijesë u bë më përfekte se burri, se zoti korrigjoi gabimet që bëri tek burri.(thjesht shaka ).
Tek unë gruaja përjetohet ndryshe, dhe në poezi emocionohem me shumë kur lexoj dicka të bukur nga një grua se sa nga një burrë, dicka tjetër, tjetërsohem dhe unë (shpresoj të mos gjykohemnga burrat).Unë jam femër dhe e njoh shumë mirë botën e saj, vec kësaj cilësova që te gruaja shoh krijesën e bukur, delikaten dhe të fuqishmen, të thjeshtën dhe të komplikuarën, interesanten dhe provokatoren,. Gruaja është krijesë e orientuar mirë, qysh herët në familjen time. Unë mësova ta mbroj shumë mirë atë dhe ta zhvilloja shumë ndryshe nga sa mundesha, nuk cuditesha kur më duhej shpesh të luaja rolin e burrit dhe të gruas, të bëja dhe sakrifica të mëdha. Të jesh grua je pjesë e zgjedhur e botës. Titulli “Unë Gruaja R”, erdhi si rezultat, se unë i këndoja vetes, shkruaja thjesht për veten, për gruan tek unë dhe kjo një jetë e tërë. Edhe për Ducen pak e dinin që ishte poet, të shkruarit është qëllim intelektual, të botuarit është qëllim përvehtësimi i emrit poete. Të botosh një libër është frikë. Kur dorëzon një vepeër, nuk e dorëzon se është përfunduar, thjesht e braktis se i erdhi koha. Poezia ishte ajo që gjithcka ishte lënda ime e gruas.Gruaja te unë është ajo pjesa intime, gjysma e personit, qënies njeri, pjesa që guxon e hyn në kontraditë me kompromiset, tendencat shpirtërore, gjen idetë dhe zgjidhjet. Këtë gjysmën tjetër të qënies, unë e shoh më shumë natën, kur nuk jam aspak nën ndikimin e dritës, as të njerzve, jam vetëm unë dhe vetja ime, rri gjatë dhe flas gjatë me veten.Natën e quaj lluksin tim dhe s’di pse lidhjet midis gjërave funksionojnë aq mirë dhe në harmoni. Jam shumë komode me cdo ndërhyrje veprimesh e mendimesh dhe di t’i pajtoj mirë gjërat, edhe lidhjet midis emrave, përemrave dhe ndajfoljeve, më duket sikur lidhen më bukur. Përjetoj ndryshe cdo gjë femërore, di ta përdor mirë botën. Jo më kot Virgjinia Ëolf thotë: “..një grua që të shkruajë duhet të ketë një dhomë më vete dhe para. A nuk janë shkruar veprat më të mëdha dhe a nuk janë bërë dashuritë më të mëdha natën ?? Nuk më është ngatrruar asnjëherë gruja me poeten, por Reshida me poteen, por dhe i kam dhënë lirinë sado paradoksale të dukej krahut të së drejtës. Netëve mendoja, kjo grua që shkruan pa fund si nuk ka një libër të vetin në dorë.Të kesh një libër në dorë është si të gdhihesh pa ditur me Alpet në krye, me shikimn hedhur tek mali Shkëlzen, ku poshtë grurgullon dhe flet Valbona me gjuhën e ujit dhe kjo gjuhë bëhet fe. Por koha nuk vinte asnjëherë për mua dhe pse duam që ora të ketë më shumë se 60 min, ajo aq ka gjithmonë.Vëmendja ime ishte e përqëndruar te fëmijët dhe qendra e university, kur je nënë dhe ke dy vajza, shkon te ato. Të jesh nënë nuk fillon vetëm me zgjedhjen e emrit me sa më shume kuptim për ty e sa më të bukur, kujdesi për të rritur dhe shkolluar, por është një sjellje e tërë, e ngarkuar cdo ditë e më shumë me të panjohura, me mëndjemadhësitë e x apo y, që shfaqen të ato në procesin e rritjes, ndryshimeve, ndikimeve të shoqërisë.

-Po veçoj disa tituj të poezive tuaja: “Letra e Gruas”, “Unë dhe vajzat”, “Kafja dhe nëna”, “Dashuria”, “E dua diellin dhe në perëndim”, “Luksi me gaxhij”, “Gjiri i gruas”, “Puthja e Lypsarit”, etj. Vërej, se keni përshkruar karaktere komplekse e dominuese femra, të tillë që lexuesit lidhen vërtet me to. A mund të na thoni se si e arrini ju këtë?

Këto tituj mendoj se kanë ndenjur në mendjen e gruas tek unë ndër vite dhe tani thjesht transportohen në kohë, sigurisht që nuk do të humbnin, ishin pjesë e materies sime, ashtu si nuk humbin dot elementët e tabelës së Mendelejevit dhe pse nuk janë zbuluar ende, ato e dinë se ku e kanë vendin e tyre. Një libër poezie, ashtu si një dashuri, të ndryshon jetën dhe po s’deshe ti. “Të dashuruarit, të cmëndurit dhe artistët janë bërë nga e njëjta lëndë -Bghagat Singh”. Nuk di c’të bësh nganjëherë me kaq shumë ngacmime në mendje dhe vendos të shkruash. Mëson si të menaxhosh sulmet e mendjes, si t’ja hedhësh mendjes. Shkrimtari është ai person që të shkruarit është pikërisht, gjëja më e vështirë, se për ata që nuk janë poetë apo shkrimtarë, Robert Benchley shkruan: “Më mori 15 vjet të kuptoja se nuk kam talente të shkruaj, po nuk tërhiqesha dot, se tashmë isha bërë shumë i famshëm”. Qëllimi im i të shkrurit nuk është të shkruaj për një elitë të caktuar, më tërheq dhe ngjall impresion gjithmonë vlera njerëzore te njeriu.Sado i zgjuar të jetë njeriu nëse nuk ka këto cilësi, nuk më entuziasmon aspak edhe sikur të jetë një shkrimtar i madh apo një poet i madh. Me c’ rast as libri i tij as poezia e tij nuk merren si vlera konkrete për ta lexuar, bile në rast se e lexoj rastësisht, jam e bindur se shpejt do ta harroj mesazhin e tij. Në art, nuk ka tolerancë.
-Në vëllimin tuaj poetik, “Unë Gruaja R”, ju kini dhjetra vargje poetike në stilin e Haiku-t . Pata kënaqësinë t’i lexoja të gjitha. Ishin vargje prekëse, që të mbeten në mendje dhe që nuk mund t’i anashkalosh pa i lexuar disa herë. Çfarë është Haiku për ju, dhe pse keni zgjedhur atë, për të shprehur shpirtin tuaj?

Haiku është forma poetike nga më të shkurtat dhe nga më të vështirat përsa i përket kufizimit dhe teknikës. Në pak hapësirë duhet të thotë të vërtetën. Haiku të bën poet të miqësive të holla, është esencë filozofike, do inteligjencë dhe koncentrim, të luash me skajet e horizontit në pak sekonda që shfaqet.Thjesht vibrim i shpejtë rrokjesh. Unë nuk u nisa të shkruaj Haiku-n, për të bindur idetë e mia se mundem! Fillimisht nuk besova se do të gjeja vehten aty ,por e adhuroj dhe Haiku-n klasik dhe atë modern. Vendosa të bëj dicka të vështirë dhe të rrallë. Shpesh më ndodh që ndjehem e imunizuar nga ato që bëj dhe nuk kam asnjë kënaqësi, ndjej se dua një motiv të ri e të vështirë, që përligj gruan në dimensionin që ka pasur. Gruan në lëvizje, të kuptoj se jam akoma ajo qënie, që ka trashëguar disa dhunti.E nisa si aventurë Haikun dhe pashë që kisha rezultat.Mora disa leksione dhe një klasë për Haikun në Los Angeles. Nuk e besoja as vetë, kur disa herë Haiku im zgjidhej Haiku i ditës, edhe pse aty kishte njerez qe kishin botuar libra me Haiku-n.Kjo ishte më shumë se një duartrokitje për librin tim të ardhshëm dhe fillova të mendoj më seriozisht. Ndoshta shpejtësia që do Haiku në vjedhjen e emocionit, përshtypjes, ishte shumë afër natyrës sime, më mërzit ngadalësia. Edhe trupi im ka tipin e të shpejtit. Haiku nuk do të vendosësh se do shkruash një Haik, ai vjen ose nuk vjen si emocion. Inteligjenca emocionale zbuluar kohët e fundit, si pjesa më e rëndësishme e inteligjencës, është faktor vendimtar në perceptimin e një Haiku të suksesshëm. Meqënse nuk ja falja dot vetes vonesën në paraqitjen e librit, mendova të sillja dicka të re në Shqipëri dhe e bëra. Haiku me një rrjesht dhe dy rrjeshta u bë pjesë e ideve të mia dhe më shoqëronte cdo natë në pagjumësinë time, dhe kisha merak se a do e bëja dhe sa do e arrija, për më mirë. Mora guxim të madh kur një Haiku im me një varg paraqitur në një konkurs fitoi një cmim modest me disa qindra dollar: “Cfarë hedh krahëve natën, ky fshat pa male?”. Haiku me një rrjesht është shumë i mundshëm të bjerë në kurthin e një fjalie dhe të humbë poetika. Të transportosh eksperinecën tënde në disa rrokje, është njëlloj si të dish ekzakt me sekonda, kur do dalësh jashtë e kur do të kthehesh. Haik-u duhet të bëhet substancial artistik. Influenca më e madhe për Haiku-n e këtij lloji, ka qenë për mua -Marylin Mountain dhe Cor Van Den Havel.

-Në Haiku-n tuaj ka trishtim, pasion, ka magjinë e vet në zbulimin e botës intime figurshëm dhe metaforikisht, dhe një uri të thellë për ta parë këtë botë më mirë. Si e shikoni botën rreth jush? Është poezia një mënyrë për ju, për të shprehur ndjenjat tuaja të brendshme dhe, ndoshta, të sjellë ndryshimin në këtë botë?

Nuk ka të vërtetë më të madhe se dhimbja dhe unë shpesh i përjetoj trishtimet, si pjesë e zakonshme jetës. Ndodh që kur nuk kam trishtim për asgjë më duket sikur dicka është gabim, ndjehem në nivelin mediokër, atëhere vërtet shkruaj Haiku-n e trishtuar si; Gjithmonë shkoj në funerale, T’i them vdekjes do të vonohem… Nuk jam tip që mund të rri në shoqërinë e kërmijve, por mund të adaptohem shumë mirë në shoqërinë e sorrave të Van Gogut, në shkretëtirën e bardhë të Kllondjakut. Haiku është zgjuarsi, densitet. Është një tentativë e hapur për prerjen e artë dhe teknikën e saktë. Akoma pa filluar të shkruash Haiku të kërkon të dijë, se ku do të bëjë pushimin. Në natyrën time jam tip i guximshëm,e fortë, por në momente të caktuara shëndrrohem në tip melankolik “blues”.Truri renditja me e ndërlikuar dhe e rregullt në mënyrën e vet. Të guxosh të hysh në shpirtin tim gjen aty shumë copëza të disiplinuara dhe organizuar shumë mirë ashtu si gjen dhe shumë copëza të interzemëruara nga gruaja, nëna, bija, njeriu.Poezia është zhdukje nga personaliteti dhe e dorëzon veten komplet te emocioni, dhe ky është suksesi i poezisë, se ka raste kur mendimi gabon dhe emocoini, jo. Me shtimin e komunikimit në teknollogji, ajo që është prekur dhe dëmtuar më shumë, është e vërteta, koha është një lumë me ngjarje. Asnjë nuk është i vaksinuar nga erozioni i kohës në zhvillimin e saj të shpejtë të teknologjisë softëare. Haiku është teknikë shumë e virgjër dhe që do teknikë të kualifikuar. Të transportosh eksperinecën tënde në disa rrokje është art i kufizuar, është njëlloj, si të dish ekzakt me sekonda, kur do dalësh jashtë, dhe kur do të kthehesh, ndaj Haiku është zgjuarsi, densitet. Haiku nuk është poemë, por eksperiencë precise.

– Ju keni jetuar një pjesë të jetës tuaj në rregjimin komunist, ku dominonte frika dhe varfëria. Sa ka ndikuar kjo në Haiku-n tuaj?

Nuk është i panjohur fenomeni, që ndodh me emigrantët si njerëz të mallëngjyer e të përlotur shpesh. Sapo zbresin në tokën e huaj, gjëja e parë që mësojnë instiktivisht është se koka mbahet gjithmonë mbrapa, andej nga ke lënë identitetin, zemrën. Grumbullohen si pikat e shiut në një pellg malli i paparë, për gjuhën shqipe, per vendin, per njerëzit, në një kohë që stresi dhe puna për të mësuare komunikuar kudo me një gjuhë të re, për tu ambientuar me tiparet dhe sistemin e një shoqërie të re, janë stres dhe cmenduri më vete. Emocioni ka mënyrat e veta të pohimit e mohimit, dozat, simpomat e malli i ngjajnë më shumë simptomave të një sëmundje dhe shpesh e gjen veten të tradhetuar nga realiteti,të tkurrur, ngrirë nga momenti, ke frikë të kujtosh njërin mall se fillon pikon një malli tjetër.

-Ju jeni një grua e fortë, kurajoze e guximtare, jeni vetvetja. Sa ndikon kjo te ju si autore femër, poete, në një komunitetit poetik dominuar kryesisht nga meshkujt?

Gruaja është mrekulli e gjenezës njerëzore, ndjehem mirë me intuitën dhe reflekset e gjinisë së saj. Mendoj seriozisht e thellësisht, i përkushtohem të shkruarit po seriozisht. Lidhja ime më shpirtërore dhe modeste është lidhja që unë kam krijuar, me tavolinën prej druri, që është shëndrruar pjesa më e dashur ku ndjehem mjaft mirë në studion time. Nuk më impresionin fakti, nëse kam ose jo mobilje të shtrenjta për dekorin e shtëpisë, më mjafton vetëm ajo tavolinë dhe kafja herë mbas here, që është edhe “mikja” ime më e ngushtë prej vitesh, por që sigurisht ka edhe ajo pjesën më intime ndër shkrimet e poezitë e mija, mbas asaj dite të gjatë e të lodhëshme, duke ngarë makinën në trafikun e ngaekuar të Hollivudit Poetët burra! Disi delikate kjo pyetje, për t’ju përgjigjur, po me delikatesë. Ata i shoh vetëm si të mësojnë të kundërtat e tyre, që i [ërkasin seksit të tyre. Dikush befasinë, ironinë, arësyen, meditimin, dhimbjen dhe mendoj se unë nuk e dalloj, nëse ata janë meshkuj apo femra. Në kishë shkojnë të gjithë, por gjithësekush lutet me mënyrën e vet. Jam e imunizuar mirë nga instiktet jashtë intelektualizmit, shkëputem lehtë nga to. Poezinë e shfrytëzoj, kur dua të zhdukem nga realiteti i kushtëzuar, është një cast kapërxim personaliteti, kapërcim emocionesh që të riorganizohem, ashtu si mendoj unë se duhet.Vetë trupi i njeriut është shëmbulli praktik i një dhurate, organizmë qelizash me një shkallë të lartë të vetëdijes. Poezia është tempulli ku mësoj mirësinë dhe le aty mirësinë time,vetë natyra është tempulli me kolonat e saj. Është kurajo ta prezantosh veten ashtu sic je me koefidencë ashtu krejt ndryshe nga të tjerët si cdo filozofi. Shkruaj, kur nuk mundem të ndryshoj dot mendimet e të tjerëve, vajzave, njerëzve që i dua, një grua qoftë dhe një garë 100m të bëjë dhe të fitojë është aventurë. Gruaja e mëncur di të pajtojë kontradiktat, të zgjidhë cdo arritje, është instikt më shumë për gruan. Ashtu si me nikoqirllëk, cdo gjë në natyrë, kursen oksigjenin për të përdorur, shkatërrua, ditën e nesërme. Nuk mud të jesh pa komplekse në këtë botë moderne dhe duke qenë në kërkim të fenomenit public, e ndikuar nga dëshirat e tyre.

– Cili është vizioni juaj për poetët në vendin tuaj, Shqipërinë, në krahasim me poetët amerikanë, në SHBA-ës, ku ju jetoni aktualisht?

Amerika të mëson të duash veten e të jesh ai/ajo që je. Dielli i madh i Kalifornisë ku unë jetoj nuk vihet re, por jetohet me shumë dritë, mund të them, se ky vend ka fatin e perëndive greke, që ushqeheshin me nektar. Këtu poetët dhe shkrimtarët kanë fatin të kenë në cdo ditë të vitit mrekullinë dhe ngrohtësinë e natyrës. Edhe këtu ka ndryshuar influenca dhe tendenca e të shkruarit si cdo gjë në evolucion të shpejtë dhe marramendës, bile mund të them se vihet një lloj hutimi, vrapimi për të arritur të pamundurën me ndryshimet kaq të shpejta të teknollogjisë, shoqërisë ashtu si ka ndryshuar dhe nocioni i pjesës më të vogël që nuk është më atomi, neutronet, por është stringu i krijuar nëpërmjet valëve. Poezia si kudo edhe këtu është i vetmi ledh’ që i reziston kuptimit shpirtëror. Këtu sheh gjithsekush punën e vet dhe kur ka ndonjë replikë a kontradiktë ndërmjet poetësh a shkrimtarësh, i shmangen kategorikisht qoftë dhe sikur shmangia të jetë më e kushtueshme, nuk pëlqejnë grindjet, kohën e kanë shumë të kufizuar për tu marrë qoftë dhe me hapje zarfi, për dicka që nuk është porosia e tyre. Kam lexuar me keqardhje nga njerëzit e letërsisë në Shqipëri për replika dhe grindje të panevojshme publike, duke deklaruar deri dhe neveritjen ose urrejtjen ndaj njëri-tjetrit. Oh !!! Këtu këto ekstreme nuk ndodhin të deklarosh se neverit ose mëshiron dikë, është njëlloj si të deklarosh se vuan nga një sëmundje e ndrojtur, por nuk ke turp ta publikosh. Është bukur të banosh në mendjen e një njeriu të dashuruar, por jo në mëndjen e njeriut cinik. Pendimet nuk vijnë me etikën e fajtorit të dikujt tjetër, por me etikën e jetës, përmirësimit.

-Në vazhdim të pyetjes më lart. Cila është gjendja e Haiku-t në komunitetin poetik të letrave shqipe? A është ky një medium popullor që praktikohet nga ata?

Jam befasuar me suksesin e Haiku-t në Shqipëri dhe me numrin e poetëve që e lëvronin atë. Dhe është një vecanti më shumë që Haiku në shqip tingëllon shumë mirë. Haiku nuk tregon histori, pikturon imazh të saktë, jo sepse nuk ndodh dicka në Haiku, por veprimi duhet të mbetet i pazbuluar, Haiku deklaron pa deklaruar. Për shkak të gjatësisë së shkurtër, cdo rrokje ka rëndësi të madhe. Haiku klasik ka evoluar në Haiku-n modern jo vetëm në anglisht por dhe në Japon. Kjo sepse nuk mund t’i rezistonte evolimit të jetës, kur Basho krijoi Haikun njerëzit jetonin në fshat dhe cdo eksperiencë merrej nga emocioni, që krijohej midis njeriut e natyrës, luleve, insekteve të vogla, pemëve, ndërsa tani njerëzit jetojnë në qytet dhe cdo ditë ndeshen me eksperiencat midis njerëzve, ndjesive për njëri tjetrin, marrëdhënieve midis tyre. Poetët e sukseshëm nuk ju qëndrojnë strikt rregullave, i krijojnë ato. Është gati e paimagjinueshme, që një vend i vogël, ka asimiluar kaq mirë këtë formë letrare kaq të vështirë dhe në aspektin klasik dhe atë modern, si p.sh, Haiku i botuar nga i ndjeri Milianov Kallupi që njihet edhe si Haiku shqiptar, nga prof. N. Jorgaqi, Dritero Agolli, Petraq Risto, Adem Zapllha, Sokrat Habilaj, Gjon Necaj, Lida Lazaj.Vetë Nobelisti i vitit 2014-ë, Tomas Tranströmer shkruan dhe ka botuar Haiku-n, N. Jorgaqi ka guxuar të kapërcejë Haiku-n klasik dhe duke i veshur atij harlisjet modern, duke na sjellë Haiku-n me një fytyrë të re dashurie, për vuajtjen, mallin, pendimin, që di të lerë natyrën aktive të dashurisë. Po kështu Haiku e Lulzim Logit nga Tropoja vinjë shumë të freskëta dhe me erën e stilit japones, përshtatur shumë mirë, shijes shqiptare.
“Kur malli përvëlon,
rri skaj ëndrrës
babai ma bën me dorë..” figuracion filozofik i tablove, sintezë dhe elegance befasuese. Lulëzim Logi është Zëri i Haiku-t në veriun shqiptar.

– Mendoni se keni arritur aty ku duhet me krijimtarinë tuaj apo kini akoma për të bërë?

Truri është qënie elektrike dhe nuk e dimë kurrë se cfarë ngarkese, do të marrësh të nesërmen apo mbas një kohe nga kjo që unë po shkruaj.Nuk mendoj se kam arritur cfarë dua dhe më shumë se një shkrimtare e mirë, unë jam një rishkruese, korrektuese e mirë dhe poezitë e librit, nuk i lë rehat, i ndryshoj akoma. Ndjesi e cuditëshme kur sheh librin tënd shumëzohen ngjarjet, ngrihen copa të heshtura në këmbë, që si kishe lënë kurrë të duken, jetojnë kohën e tyre dhe ti vec se ndihesh sikur po jeton më shumë se një jetë. Filozofi nuk është ajo që lexon, ajo që kupton e grua të bën peërcjellja e delikatesës femërore. Dua ta përjetoj gruan ashtu si është dhe si e përfytyroj unë kudo që e kam parë dhe nuk më shqetëson fakti i konkurimit midis grave, qoftë ky i bërë dhe simbas vargut të gjatë të alfabetit, unë dua të jem unë, vetvetja. Edhe Frojd e vlerëson poezinë me thënien: “Kudo që shkoj, mendoj se atje ka qenë poezia më parë.. .”.

-Pse shkruan Reshida…?

Shkruaj, se dua të shkruaj të vërtetën, atë njerëzoren. Jeta e cdo kujt ka momente të bukura dhe momente dëshpërimi të mëdha, të trishta, përderisa kemi gjithmonë krah të djathtë dhe krah të majtë. Di se jam një grua, që mendon thellë, ndonjëherë më shumë se sa dua dhe sa duhet, kjo më duket sikur thellon mendimin dhe shkurton kohën time. Pëlqej gjeometrinë dhe poezia thotë Gustavo Flaubert është aq ekzakte sa edhe gjeometria. Kur mendohem shumë behem pesimiste dhe ndaj filloj të imponoj ndjesitë e tjera, nuk e kam vështirë kalimin nga një gjendje në një tjetër, jam qenie e adoptueshme lehtë dhe tolerante, kur arrij atë që unë dua, atëhere bëhem optimiste. Poezia të ndryshon jetën, përmbush shumë boshllëqe, që jeta sjell nganjëherë. Më ka ndodhur në momente depresioni të mëdha, kur kam menduar se kam humbur rrugën komplet dhe në cdo fund rruge, ku doja të ikja ishte mbyllur, atëhere vetëm poezia ishte ajo, që hapte rrugë të reja dhe unë mund të zhdukesha nga trishtimi im. Nuk kam kaluar kohë më të errët dhe të vajtueshme, se sa kur më vdiq mamaja. Nuk e kisha menduar ikjen e saj kaq të papërballueshme. Kam një dhimbje të madhe për mungesën e saj dhe di se që kur ka ikur ajo më mungon një pjesë trupi, nuk di cila dhe sa e madhe është, po mua me të vërtetë, dicka më mungon. Njeriu është i influencuar dhe shpjegon më mirë cdo gjë, ato që eksperimenton në mendjen e vet, bazuar në natyrën njerëzore, duke i lidhur me veëmendjen ndaj zgjimit emocional dhe që kthehen në fakt, ndihmuar nga sensorët shqisorë. Kam shkruar shumë poezi për nënën, mund të bëhet një libër me vehte. Librin e shkrujata më shumë për t’ja u dedikuar vajzave dhe t’jau lë si kujtim. Pjesa më e vështirë e librit dhe shqetësimi im u bë ky dedikim. Dedikimi është gjëja e fundit që bën një poet. Ai duhet të jetë shumë i sinqertë, nëse poeti nuk e beson dhe vetë, dedikimi është i dështuar. I mbushur plot me vargje, ky libër do ishte bosh, pa ju, pjesën më të rëndësishme, më të bukur, më të sinqertë, të jetës sime, dy vajzave të mia Eda dhe Valbona. Poezia është tempulli ku unë gruaja shkoj atje, mësoj dhe lë mirësinë time. Shkruaj duke u përpjekur t’ja hedh mëndjes sime, kur është e mërzitur. Jeta nuk është vetëm një manifestim dashurie. Nëse shkruaj për dashurinë shkruaj, sepse është e vetmja fe që besoj dhe e vetmja e vërtetë. Një dashuri është thjesht qëllim intelektual, është emocion, ndërsa seksi është instikt gjenetik, tendencë. Poeti nuk pyetet pse është poet. Ka poetë, që kanë bërë emër dhe me një poemë, p.sh Kulla Eifel e J.Gorotza, bën pjesë në galerinë e klasikëve të Meksikës dhe pse ka vetëm një poemë. Nuk ngatërroj pasionin me impulsin. Shkrimtarët e mirë gjithmonë shkruajnë dhe shkurtojnë, ata e dinq pse shkruhet. Thjesht nuk di të marr poza në poezi..nuk kam asnjë tendencë influence kur e shkruaj, dua të kënaqem unë para, kur ta lexoj.
Kur lexoj të tjerët rënqethem, i jetoj si të vërtetë, sa kthehem te poezia ime, fillon vuajtja, nuk e besoj shumë. Poezia të bën intim dhe me njerëzit dhe me veten, i thua vetes gjëra, që si ke menduar kurrë. Shkruaj për dhimbjen, e trajtoj si mënyrën më të përkryer, për tu shprehur.
Ju faleminderit!
Bisedoi: Raimonda MOISIU

Filed Under: Interviste Tagged With: e zërit, Kaliforninë amerikane, poetesha, Reshida Coba, të Haiku-t shqiptar në

Artikujt e fundit

  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE NË ATHINË, RUAJTJA E GJUHËS DHE IDENTITETIT KOMBËTAR NË MËRGATËN SHQIPTARE NË GREQI
  • Me ceremoni solemne shqiptarët e ngritën flamurin kuqezi në Bashkinë e Filadelfia
  • “Kosova në dokumentet amerikane 1945-1999”
  • PORTUGALIA SHTET MIK I KOSOVËS DHE SHQIPTARËVE, SHËN NËNË TEREZA  “NJË URË QË NA LIDHË”
  • GËZUAR 111- VJETORIN E PAVARËSISË, SHQIPËRIA E MADHE ETNIKE
  • Këngët e Lefter Çipës, perla që nuk e humbasin kurrë shkëlqimin
  • Epikë biblike
  • Si dështoi komploti i organizuar nga Ismail Qemali për të rrëzuar sulltan Abdylhamidin II
  • Flamur GASHI, do të jetë Drejtor Menaxhues i Televizionit “A2 CNN” në Kosovë!
  • Ndërtesa ku u shpall Pavarësia?
  • Super-K: Miti i Henry Kissingerit
  • Shqipëria e pavarur rreth flamurit me një frymë, një besë e një lutje Zotit
  • SHKOLLA SHQIPE NË LUGANO, RUAJTJA E GJUHËS DHE IDENTITETIT KOMBËTAR NË MËRGATËN SHQIPTARE NË ZVICËR
  • Ngjarja përuruese e Pizza-me-Polic të Shoqatës Amerikane Shqiptare të Zbatimit të Ligjit me një sukses të jashtëzakonshëm
  • PËR FLAMURIN KOMBËTAR SHQIPTAR

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT