
Roland Qafoku/
23 shkurt 1848-23 shkurt 2025. Është një datë që çuditërisht për median shqiptare kalon pa ndonjë interes të veçantë. Si sot 177 vjet më parë, arbëreshi Jeronim De Rada themeloi në Napoli gazetën “L’Albanese D’Italia. Dy herë në javë, të mërkurën dhe të shtunën, ajo doli gjithsej 28 numra por rëndësia e saj është monumentale. Në shqip dhe italisht, kjo gazetë ishte edhe organi i parë meditiak në historinë e shqiptarëve. Ja një pasazh nga Antonio Santori në një arbërishte që edhe sot tingëllon bukur.
Mir se vjen të na gëzohesh
Dishuruame Lefteri!
Mirëse vjen ti rrosh e shtosh
Me tu llafosurin njeri!
Unë besoj fort se dalja e kësaj gazete është themelimi zyrtar jo vetëm i medias, por edhe i Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Shqipëria po dilte nga errësira e Mesjetës osmane falë gjakut dhe mendjes arbërore. Së pari nga Jeronim de Rada që pati vizionin dhe shpirtin të sillte edhe një herë për shqiptarët lavdinë e dikurshme të Skënderbeut, flamurin kuq e zi që rrinte i palosur në sënduqe dhe gjuhën e bukur shqipe. Më pas e gjitha është histori. Gëzuar gazetën e parë!