Raporti për Trafikun e personave, ambasada “vlerëson si të turpshme që ka një anëtar të parlamentit shqiptar me dënime për trafikimin e njerëzve”
Në Shqipëri Ambasada amerikane u shpreh sot se e “vlerëson si të turpshme që ka një anëtar të parlamentit shqiptar me dënime për trafikimin e njerëzve”. Deklarata e përfaqësisë diplomatike të Shteteve të Bashkuara në Tirana, erdhi pas publikimit një ditë më parë të Raportit të Departamentit amerikan të Shtetit për Trafikun e qënieve njerëzore ku vihej në dukje fakti se një deputet i tanishëm i parlamentit ka qenë dënuar më parë për krime që lidhen me trafikimin. “Shqiptarët kanë të drejtën të kenë përfaqësues të zgjedhur me integritet dhe standarte të larta etike, jo kriminelë”, thuhet më tej në deklaratën e ambasadës, ndërsa shtohet se “Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë t’i kërkojnë të gjitha partive politike që t’i mbajnë individët me të shkuar kriminale larg jetës politike dhe publike të Shqipërisë”.Në raportin e këtij viti Shqipëria klasifikohet në shkallën e dytë, pa ndryshim nga viti i kaluar, ndërsa theksohet se “Qeveria e Shqipërisë nuk i plotëson krejtësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit të qenieve njerëzore, megjithatë po bën përpjekje të rëndësishme në këtë drejtim”. Në deklaratën e ambasadës në vijim të interesimit të mediave vendase lidhur me raportin e Departamentit të Shtetit thekson se “ne nxisim qeverinë shqiptare t’i vazhdojë ato përpjekje për të luftuar të gjitha format e trafikimit të njerëzve nëpërmjet zbatimit të fortë të ligjit dhe mbrojtjes efikase të viktimave, si dhe me politika për parandalimin e trafikimit. Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara të punojnë me Shqipërinë për të mbështetur përpjekjet e vazhduara kundër trafikimit të njerëzve”, saktëson deklarata
Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit/
Trafiku njerëzor, Shqipëria pa ndryshim
Në raportin e këtij viti Shqipëria klasifikohet në shkallën e dytë, pa ndryshim nga viti i kaluar. Gratë dhe fëmijët në Shqipëri, thuhet në raport, janë kryesisht objekt trafikimi seksual në vendet fqinje, Kosovë, Maqedoni dhe Greqi, por edhe në vende të tjera evropiane. Viktimat shqiptare dhe disa viktima të huaja janë objekt pune të detyruar në Shqipëri, sidomos në industrinë e turizmit. Një numër në rritje fëmijësh shqiptarë, shpesh të etnisë rome ose egjiptiane, janë objekt lypjeje të detyruar dhe formash të tjera pune të detyruar në Shqipëri si dhe në vendet fqinje: Greqi, Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi. Disa vajza shqiptare bëhen objekt trafikimi seksual ose pune të detyruar pas martesave me kontratë. Një numër grash të huaja nga vende evropiane, si Ukraina, Rusia, Britania dhe Norvegjia janë objekt trafikimi seksual në Shqipëri. Në raport thuhet se bashkëpunimi i zyrtarëve në krimet e trafikimit mbetet një shqetësim i rëndësishëm. Aty përmendet fakti se një deputet i tanishëm i parlamentit ka qenë dënuar më parë për krime që lidhen me trafikimin. Qeveria e Shqipërisë, thotë raporti, nuk i plotëson krejtësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit të qenieve njerëzore, megjithatë po bën përpjekje të rëndësishme në këtë drejtim. Raporti rekomandon që Shqipëria të rrisë financimet për strehimin e viktimave të trafikimit dhe të vërë rregullisht në dispozicion fonde për këtë qëllim. Aty rekomandohet gjithashtu që për viktimat të sigurohet kujdes shëndetësor dhe mendor falas, sipas një ligji të vitit 2014 dhe vendimit të ministrisë përkatëse. Në raport thuhet që viktimat të mos ndëshkohen për akte të paligjshme të kryera si rezultat i drejtpërdrejtë i faktit që kanë qenë objekt trafikimi. Raporti rekomandon gjithashtu që të vazhdohen përpjekjet për kontrollin e fëmijëve të rrugëve për shenja trafikimi.