PËRUROHET NË TIRANË MEMORIALI PËR HEBRENJTË DHE MBROJTËSIT E TYRE SHQIPTARË/
Sot, e Enjte, 9 Korrik 2020, u promovua në kodrat e Liqenit artificial të Tiranës Memoriali për të kujtuar dhe nderuar gjashtë milion hebrenjtë e Evropës që u vranë, si dhe qytetarët e Shqipërisë, që vepruan me vetëmohim për të mbrojtur hebrenjtë.
Është nder të përuroj këtë memorial në respekt të popullit shqiptar që rrezikoi jetën e tij për të mbrojtur hebrenjtë e Evropës, tha në fjalën përshëndetse ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim.
Më pas ajo përgëzoi shqiptarët që rrezikuan jetën e tyre dhe të familjeve për të mbrojtur hebrenjtë e rrezikuan nga nazistët: Pas ngjitjes në pushtetit të Hitlerit, familjet shqiptare strehuan me qindra hebrenj nga e gjithë Evropa, duke i shpëtuar ata nga forcat naziste. Kur pushtuesit nazistë kërkuan një listë të qytetarëve hebrenj nga qeveria shqiptare, qeveria refuzoi. Njerëz nga të gjitha sferat e jetës, myslimanë, të krishterë, elita, fshatarë, mësues, zyrtarë të qeverisë dhe klerikë – një komb i tërë – punuan për të shpëtuar hebrenjtë. Kjo është një histori frymëzuese e humanizmit, kurajos dhe nderit – e traditës shqiptare të “besës”.
Jam krenare që qeveria e Shteteve të Bashkuara, përmes Komisionit të Sh.B.A. për ruajtjen e Trashëgimisë së Amerikës jashtë vendit dhe punës së palodhur të anëtarëve të tij, po vlerëson guximin e popullit shqiptar përmes këtij memoriali të fuqishëm. Do të doja të falënderoja Qeverinë e Shqipërisë, veçanërisht kryebashkiakun Veliaj e bashkinë e Tiranës që e shndërruan në realitet këtë projekt. Do të doja të falënderoja gjithashtu edhe ish kryetarin Warren Miller, i cili e nisi këtë projekt; Stephen Jacobs, i cili projektoi këtë memorial mbresëlënës; dhe ish-anëtarin e Komisionit Z. Ronald Bloom, që dhuroi fondet për krijimin e tij. Në fund, do të doja të veçoj një nga paraardhësit e mi, Ambasadorin John Withers, i cili bëri përpjekje të jashtëzakonshme për ngritjen e këtij memoriali. Ai vëren se: “Tetëdhjetë vjet më parë, errësira e luftës dhe gjenocidi përpinë botën. Por drita shkëlqeu në Shqipëri. Gjetkë, me miliona hebrenj dhe popuj të tjerë të persekutuar u zhdukën gjatë Holokaustit. Por jo në Shqipëri, ku populli shqiptar qëndroi për jetën dhe mbrojti të afërmit e tyre hebrenj”.
Ky memorial nuk ka të bëjë vetëm me të kaluarën, por edhe me të ardhmen. Le ta bekojmë gjithnjë kujtimin e popullit të Shqipërisë që veproi me vetëmohim për të mbrojtur të afërmit dhe miqtë e tyre hebrenj. Ky memorial na kujtoftë gjithmonë rëndësinë e veprave të tilla. Dhe u frymëzofshim prej tyre për veprimet tona të humanizmit, guximit dhe nderit, përfundoi përshëndetjen ambasadorja Kim.
Në ceremoninë e përurimit të memorialit mori pjesë Kryeministri Edi Rama, ambasadorja Yuri Kim, ambasadori i Izraelit Noah Gal Gendler, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe pasardhës të familjeve që shpëtuan hebrenjtë.
Ambasadori i Izraelit, Noah Gal Gendler falenderoi popullin shqiptar për aktin e shkëlqyer në mbrojtje të hebrenjve. “Do të doja përgëzoja Bashkinë e Tiranës që na ka dhënë një vendndodhje kaq të shkëlqyer, ku mund të vijnë kaq shumë vizitorë të parkut të Tiranës. Sot manifestojmë mirënjohjen e hebrenjve për veprën kurajoze të popullit shqiptar. Një akt i shkëlqyer nga një vend i vogël, që shëmbëllen vlerat e njerëzimit, të sakrificës e të dashurisë. Vlera që ende vijojnë të jenë të qenësishme në Shqipëri. Edhe gjatë pandemisë e pamë që Shqipëria dërgoi mjekë në Itali. Shqipëria do të shërbejë gjithmonë si pishtar tolerance, si vend mikpritës, me sjellje shembullore njerëzore. Nëse shumë kombe do të mësonin këtë pjesë të Shqipërisë, kjo do të ishte e shkëlqyer”, u shpreh ambasadori izraelit.
Memoriali përbëhet nga pllakada me të njëjtin mesazh në gjuhën angleze, hebreje dhe shqip. “Ky monument ngrihet për të kujtuar dhe nderuar gjashtë milion hebrenjtë e Evropës që u vranë, si dhe qytetarët e Shqipërisë, që vepruan me vetëmohim për të mbrojtur hebrenjtë në një kohë kur pjesa tjetër e botës nuk i mbronte”, thuhet ndër të tjera në këtë mesazh.Asnjë hebre i vetëm nuk humbi jetën në Shqipëri për shkak të guximit atyre qindra familjeve shqiptare, që i morën dhe i strehuan në shtëpitë e tyre dhe kodit të “Besës” së shqiptarit.
Përshëndetën edhe Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe kryetari i Bashkisë Erion Veliaj.