ZERI I AMERIKES – https://www.zeriamerikes.com/a/7488508.html
- Armand Mero
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken nisi sot vizitën e tij të parë në Tiranë, e gjashta e një shefi të diplomacisë amerikane në Shqipëri që pas rrënies së rregjimit komunist. Avioni i tij u ul në pistën e aeroportit “Nënë Tereza” në orën 11.11 minuta. Ai u prit nga ministri Jashtëm Igli Hasani, i cili menjëherë më pas shkroi në një postim në rrjetin social X se ishte “i lumtur të mirëpres Sekretarin amerikan të Shtetit Antony Blinken në vizitën e tij të parë zyrtare në Shqipëri”, duke vënë theksin se partneriteti dhe bashkëpunimi i ngushtë me Shtetet e Bashkuara, një partner strategjik i Shqipërisë.
Mirë se erdhe Antony! Delighted to welcome 🇺🇸 Secretary of State Antony Blinken @SecBlinken on his first official visit to Albania. Albania’s strategic partnership and cooperation with the US, our longstanding ally, will only grow stronger, built on a solid foundation… pic.twitter.com/4ib2y7scSy— Igli Hasani (@IgliHasani) February 15, 2024
Sekretari Blinken pritet të qendrojë në Tiranë, për afro 8 orë, deri në mbrëmje. Zyrtarisht, deri më tani, janë parashikuar takime të tij me Presidentin Bajram Begaj dhe me Kryeministrin Edi Rama, me të cilin do të ketë dhe një dalje për mediat. Zoti Blinken do të takohet edhe me një grup prej rreth 100 të rinjsh, që kanë studiuar në programe të ofruara nga Shtetet e Bashkuara si Fulbright dhe Programi i Vizitorit Drejtues Ndërkombëtar, IVLP. Ai do të ketë gjithashtu dhe një takim me aplikantët afganë për vizë emigruese speciale, të cilët u strehuan në Shqipëri, pasi u larguan nga Afganistani, pas marrjes së tij nën kontroll nga talebanët në verën e vitit 2021. Nga afro 2500 afganë që mbërritën në Shqipëri, aktualisht vetëm një grup i vogël prej pak më shumë se 100 personash, janë ende në vend.
Ambasada amerikane njoftoi gjithashtu se pjesë e takimeve të Sekretarit Blinken do të jetë dhe ai me drejtuesë të institucioneve të Drejtësisë.
https://www.facebook.com/plugins/post.php?href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Fusembassytirana%2Fposts%2Fpfbid0uu8NtbdWD8VCYvxGxkfUMPE9vqHL5hsz3SNyDhEQyefkd9pRxssa6C8JPYtK6CM3l&show_text=true&width=500
Që prej ditës së djeshme, bulevardi qendror i kryeqytetit, është zbukuruar në të dy anët e tij me flamujtë shqiptarë dhe amerikanë. Ndërsa në fasadën e Universitetit të Tiranës, godinës e cila ngrihet si pika fundore e këtij bulevardi është vendosur një foto gjigande e zoti Blinken, duke i uruar atij mirëseardhjen. I njëjti poster i përdorur sot që në mëngjes nga kryeministri Edi Rama në llogarinë e tij në Facebook.
Gjatë qëndrimit në Tiranë, “Sekretari Blinken do të konfirmojë marrëdhëniet e afërta ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë”, bëri të ditur Departamenti amerikan i Shtetit kur njoftoi zyrtarisht vizitën e tij në kryeqytetn shqiptar, duke vënë në dukje se Shqipëria cilësohet si “një partner kyç për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe një aleat i qëndrueshëm në përkrahje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës.”
Ndërsa dy ditë më parë Zëvendës ndihmës sekretarja e Shtetit për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë, Yuri Kim tha se vizita e Sekretarit të Shtetit Antony Blinken në Shqipëri të enjten do të përqendrohet tek “ e ardhmja e Shqipërisë, e ardhmja e Ballkanit Perëndimor dhe ajo e Evropës”. Zonja Kima theksoi se “vizita vjen pasi ne kemi hyrë në 100 vjetorin e dytë të marrëdhënieve SHBA-Shqipëri dhe në një kohë kur duam të falenderojmë kryeministrin Rama dhe shqiptarët për rolin e tyre si bashkëpenëmbajtës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së nga viti 2022 deri në 2023. Shqipëria është tani në Këshillin e të Drejtave të Njeriut”.
Nga ana e tij kryeministri Rama ka vënë në dukje se “ardhja e një Sekretari të Shtetit, në këto kohë kaq të trazuara për botën, si edhe zgjedhja për ta vizituar rajonin tonë duke u ndalur pikërisht në kryeqytetin shqiptar, kanë një vlerë të veçantë për Shqipërinë”. Ai ka nënvizur se “Sekretari Blinken në Tiranë do të gjejë një vend aleat të angazhuar për paqen, stabilitetin demokratik dhe bashkëpunimin e gjithanshëm në këtë rajon, një vend të përkushtuar të NATO-s, të vendosur pa rezervë në mbështetjen e luftës së Ukrainës mike për lirinë dhe mbijetesën e saj dhe një Shqipëri mirënjohëse për miqësinë e pazëvendësueshme dhe për mbështetjen pa rezerva të Shteteve të Bashkuara në rrugën e transformimit tonë rrënjësor, e posaçërisht në këtë kohë, një Shqipëri falënderuese për partneritetin e çmuar të Shteteve të Bashkuara në reformimin historik të sistemit të drejtësisë”.
https://www.facebook.com/plugins/post.php?href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Fediramaal%2Fposts%2Fpfbid08xigsj8FjwTzj3HmE1uf4FrZ5pTPRmE66dqC2x2WjLfjnG9gDYjPDk82STGtUEQhl&show_text=true&width=500
Studiues të ndryshëm kanë vënë në pah se vizita e sotme e Sekretarit Blinken merr një rëndësi të veçantë për të gjithë Ballkanin Pernëdimor, duke dëshmuar angazhimin amerikan në këtë rajon përballë përpjekjeve destabilizuese të Rusisë. Në këtë kontekst ajo shihet dhe si një vlerësim për rolin e Shqipërisë dhe faktorit shqiptar për qëndrueshmërinë e rajonit.