Nga Bardhyl SELIMI/
Që një vit më parë, dëgjova për një Shoqatë atdhetare me emrin “Trojet e Arbrit”. Miku im, Behadini, që kishte qenë në kuvendin e saj, mbajtur në Gjakovë, vjeshtwn qw shkoi, më shpjegoi se Shoqata ka në gjirin e saj intelektualë nga të gjitha trevat dhe diaspora shqiptare. Ajo është themeluar në vitin 2004 dhe mban Kuvende vjetore në qytete të ndryshme të Shqipërisë Etnike.
Qëllimi kryesor i saj është të vetëdijësojë shqiptarët dhe institucionet e tyre për nevojën e bashkimit kombëtar në rrugë demokratike. Njëkohësisht, përmes studimeve dhe ligjëratave, antarët e saj hulumtojnë të kaluarën historike duke synuar të nxjerrin në pah të vërtetat dhe duke përgënjeshtruar njwkohwsisht mashtrimet e bëra nga historianët e politizuar. Për të janë me rëndësi luftërat e përpjekjet e popullit shqiptar dhe e përfaqësuesve të tij të shquar për mëvetësi, pavarësi, përparim shoqëror, demokraci, shtet ligjor, edukim atdhetar, shoqëri të shëndoshë.
Këtë vit, Kuvendi i trembëdhjetë, u mbajt në Krujë, në një ditë të bukur verore. Tema qendrore ishte “Populli shqiptar në rrjedhat e historisë dhe roli i personaliteteve nga Epoka e Madhe e Gjergj Kastriotit- Skënderbeut e deri në fund të shekullit të njëzetë”.
Kryetari i Shoqatës, profesori Muhamet Shatri më ftoi edhe mua, për më tepër se, me këtë rast, do merrej edhe pëlqimi për propozimin, drejtuar Komunës së Prishtinës, për ta shpalluar “Qytetar Nderi” priftin atdhetar At Nikoll Marku, nga Elbasani, propozim që e pata paraqitur unë. Një vit më parë Shoqata i propozoi Komunës së Prishtinës për ta emëruar një gjimnaz të qytetit me emrin e profesorit atdhetar, Ahmet Latif Gashit, hartuesit të Hartës së Shqipërisë Etnikedhe Atllasit të parë gjeografik të Shqipërisë, drejtor i ish Normales së Prishtinës në vitin 1944.
Hotel “Panorama”, në hyrje të Pazarit mesjetar të Krujës, u bë mikpritësi i pjesëmarrësve në Kuvend të cilët ishin të shumtë. Një pjesë syresh ka udhëtuar me avion nga bota e jashtëme, të tjerë me vetura dhe autobuze.
Mbresëlënëse ishte hapja e Kuvendit. Përveç dëgjimit të Himnit Kombëtar, ju bë nderim tre antarëve të Shoqatës, që kanë ndërruar jetë këtë vit (zotërinjëve Dedë Gjon Marku, Ibrahim Metaj dhe Emin Fazlija), u recitua një poemë e Ernest Koliqit dhe u dëgjua kënga “Thërret Prizreni mori Shkodër”.
Risi ishte përshëndetja e At Nikollë Markut, famullitar i Kishës së Shën Mërisë në kalanë e Elbasanit që 20 vjet, i cili mëton për një Kishë të vërtetë autoqefale shqiptare, me idealet e Fan Nolit dhe drejtuesve të tjerë të shquar të ortodoksisë shqiptare, kundër çdo ndërhyrje nga kishat e huaja. “Në kishën tonë- tha At Nikollë Marku, mbajmë dy flamuj, atë të Kishës dhe atë Kombëtar, pasi ne jemi në radhë të parë shqiptarë pastaj ortodoksë, katolikë apo myslimanë. Në krye të Kishës sonë duhet të jenë shqiptarët dhe fryma e Kishës sonë duhet të jetë atdhetare”.
Përshëndeti edhe një ish luftëtar i UҪK, deputet, ish pjesëtar në Betejën e Koshares, ku ranë dëshmorë 113 vetë duke thyer kufirin shqiptar- shqiptar, për herë të parë. “Kur unë shërbeja ushtarak, u flisja gjithnjë vartësve të mij për historinë, që nga Lufta e Trojës, Aleksandri i Madh, Piroja, Skënderbeu etj duke i frymëzuar ata me heroizmin e tyre. Betejën e Koshares e krahasoja me atë të Termopileve, ku treqind spartanë përballuan mijëra e mijëra persë..”
Ishin planifikuar të mbaheshin rreth 65 kumtesa, referate dhe recenza. Shumica e tyre u lexua përmbledhtazi, pasi, si rregull, Shoqata i boton tërësisht ato në një libër të madh, gati një mijë faqesh, sikurse ishte ai që doli me rastin e 100- vjetorit të Pavarësisë nën titullin “E djathta shqiptare në mbrojtje të Shqipërisë Etnike “, botuar në Prizren më 2013. (Libri gjendet në Bibliotekën Kombëtare, kryeredaktor prof.dr. Muhamet Shatri).
Nga kumtesat, që u lexuan, po veçoj disa:
“Gjergj Kastrioti- Skënderbeu dhe Kosova”, e Bedri Muhadrit, zbulon shumë fakte interesante të shtrirjes së zotërimeve të Kastriotëve deri në Prizren dhe më gjerë.
Figurën e heroit tonë Kombëtar te autorët kroatë e shtjelloi z. Pajazit Hajderi, ndërsa z. Xhemal Meçi, pasi trajtoi Të Drejtën Zakonore me emrin e Lekë Dukagjinit, kujtoi shumë elementë nga toponimia jonë që e kanë ngulitur figurën e këtij personaliteti të shquar shqiptar. Figurën e Skënderbeut si model heroik në kohë, në letrat shqipe, e paraqiti Prendë Buzhala.
Risi, edhe për mua, ishte trajtimi i temës” Vështrim historik mbi principatën e Artës, 1350-1450″ që e bëri z. Nue Oroshi. Kisha dëgjuar për princët Pjetër Losha dhe Gjin Bue Shpata, në shkrimet e prof. Astrit Lekës, pasi nga fisi i tyre kanë qenë shumë luftëtarë në oborret mbetërorë të Evropës. Kumtesa në fjalë i plotësoi më tej këto njohuri.
Rolin e princit të Mirditës, Preng Bib Doda në lëvizjet antiosmane 1878-1912, e ndriçoi z. Prenk S.Gjikola.
Prof. Muhamet Shatri solli fakte dhe përfundime të reja rreth Kryengritjes së përgjitshme shqiptare antiosmane të vitit 1912. Duke cituar një ish ambasador amerikan në Athinë, në vitin 1914, që thoshte se, në shumë raste, luftërat e shqiptarëve u kanë shërbyer të huajve dhe jo atyre vetë, prof. Shatri theksoi se kjo kryengritje ishte e tëra në dobi të shqiptarëve dhe solli pavarësinë e Shqipërisë.
Z. Eugjen Merlika nga familja e Mustafa Merlikës- Krujës sqaroi çështjen shpesh të përfolur të “kolaboracionizmit” të shqiptarëve gjatë pushtimeve të ndryshme të vendit të tyre.
Z. Izber Hoti na solli shumë vlerësime për bashkëatdhetarwt tanë nga autori i huaj Joseph Hammer, ndërsa Don Pren Kola evidentoi figurën e Nikoll kaçorrit në themelimin e shtetit shqiptar.
Rolin e Fan Nolit gjatë vitit 1919 në delegacionin shqiptar në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë e paraqiti zonja Rezehana Hysa.
Zonja Rukije Rama lexoi kumtesën e Mehmet Rukiqit “Shote Galica- shembulli i heroizmit të femrës shqiptare”. Përqeshjeve të bëra nga njeërz dashakwqinj dhe fanatikë, Shota, tha ajo, iu përgjigjej me zgjuarsi dhe vendosmëri.
Në mbrojtje të veprimtarisë së Mustafa Krujës, si atdhetar dhe politikan i ndershëm, doli me kumtesën e vet z. Ervis Reçi, duke kujtuar që ai është ndër firmëtarët e dokumentit të Pavarësisë dhe luftëtar për bashkimin e trojeve etnike, përkundër subjektivizmit historik që ka ndodhur, tash 70 vjet. Në këtë frymë ishte edhe kumtesa kushtuar rolit të major Abaz Kupit, prijsit të vërtetë të qendresës antifashiste në Durrës më 7 prill 1939 dhe luftëtarit të mëtejshëm për mbrojtjen e kufijve të shtetit shqiptar.
Interes të veçantë paraqiti kumtesa për heroin Shaban Palluzha dhe luftën e tij gjatë viteve 1941-1945. Me këtë rast, foli z. Zahir Kastrati i cili kish përgatitur edhe një ekspozitë fotografike me portretet e disa nga deshmoret heronj te betejave te Shaban Palluzhes, kundwr rreth dyzetemije forca ushtarake jugosllave.
Z. Adem Tasholli referoi për një betejë tjetër të lavdishme të forcave nacionaliste më 15 mars 2015, atë të Gadimes ku u asgjësuan 64 pjesëtarë të OZNA-s. Referati është pjesë e një monografie të botuar tashmë për rezistencën nacionaliste në Gadime e rrethinë, promovuar në Prishtinë në prill 2015.
Zonja Ermelinda Kashaj ndriçoi figurën dhe veprimtarinë patriotike të të afërmit të saj, Aqif Kashah në Gjirokastër, të nëpërkëmbur nga regjimi komunist.
Pas pushimit të drekës, që u dha për të pranishmit në restorantin e hotelit, ku pjesëmarrësit patën rast të shkëmbejnë kujtime dhe njohje, u zhvillua sesioni i pasdites.
Z. Mustafë Haziri foli për ndihmesën atdhetare të Shaban Idrizit në fushën e arsimit shqip në Mitrovicë e rrethinë.
Z. Sabri Maxhuni (Novosella) u ndal në tri shpërnguljet e mëdha të popullsisë së Kosovës pas Luftws sw Dytw Botwrore. Ndërsa ajo e viteve 1954-56 që lidhet me aksionin famëkeq të armëve dhe ajo e viteve 1980 pas demonstratave të 1981 ishin të detyruara nga regjimi shtypës sllavokomunist, kur njerëzit puthnin pragun e shtëpisë dhe shpresonin të ktheheshin një ditë aty, shpërnguljet e vitit të fundit, që kapin shifra alarmuse (mbi njëqindmijë) janë të dëshpëruara, njerëzit shprehen “mos të pafsha më Kosovë!”, e kjo për shkak të politikave të gabuara të udhëheqsisë së saj, po ashtu dhe të propagandës armiqësore.
Z. Riza Sadiku u kujtoi të pranishmëve reagimin e mërgatës shqiptare në Amerikë në vitet 1960 ndaj vizitave të Titos atje, në shenjë proteste ndaj shtypjes kombëtare në Kosovë.
Për rolin dhe ndihmesën e mbretit Leka në mërgim foli Sulejman Gjana, ndërsa për profesor Zef Nekajn foli Tomë Mrijaj.
Zonja Rukije Rama portretizoi figurën e një vajze të guximshme që flijoi veten për mbrojtjen e truallit të vet, të vëllezërve dhe vendit të vet, Syke Haxhisë.
Për veprimtarinëe shquar atdhetare dhe arsimore të Ibrahim Fehmiut, referoi z. Besim Morina.
Interesant ishin dëshmitë e reja të sjella nga z. Kastriot I. Veselaj për emigracionin politik të Hasan Prishtinës 1924-1933.
Në fund, zonja Leonora Laçi u foli të pranishmëve për pasqyrimin e historisë në veprën e Tomë Mrijajt.
Sikurse thashë më sipër, kwto janë vetëm disa nga kumtesat që mundën të lexohen në Kuvend, pasi shumë të tjera, autorët e të cilëve mungonin, do përfshihen padyshim në përmbledhjen që do botohet së shpejti.
Referuesit qenë porositur të mos merrnin më shumë se 5 minuta kohë, gjë që u respektua rreptësisht duke i bërë diskutimet shumë të cunguara, por që edhe tregoi se sa pak përpiqemi ne t’i paraqesim idetë tona sa më shkurt. M’u kujtua një anekdotë më Ҫurçillin, ish kryeministrin e Britanisë së Madhe. Kur një gazetar i Radioas BBC e ftoi të fliste rreth dhjetë minuta, ky iu përgjigj se e ka të pamundur, por për një orë do binte në ujdi…
Kuvendin e mbylli kryetari prof.dr. Muhamet Shatri duke përgëzuar ligjëruesit dhe duke u uruar atyre të ritakohen në Kuvendin e ardhëshëm.
Pas fotove kolektive në hyrje të sallës, një pjesë e tyre shkuan të vizitojnë kalanë dhe pazarin mesjetar.
Bardhyl Selimi, 15 gusht 2015(Foto-Arkiv)