Nga Ramazan Çeka/
16-gushti do të mbetet një ditë historike për Kullën e Bajraktarit të Hotit dhe për Malësinë e Madhe, ku lindën dhe u rritën trima që nuk kursyen asgjë për të mbrojtur trojet shqiptare.
Kulla e Bajraktarit të Hotit, e njohur edhe si Kulla e Çun Mulës, ka kaluar shumë rrëbeshe e furtuna historike që në ndërtimin e saj, për të ardhur në një ditë si sot, me dt.16 gusht 2024 dhe për t’u ringritur me krenari në themelet e saj e për të treguar se historia dhe bijtë e Malësisë e mbajnë të gjallë si një dëshmi heroike për brezat e ardhshëm.
Kulla e Bajraktarit të Hotit, ndërtuar rreth 300 vjet më parë si një kala madhështore, qëndroj e paepur, pavarësisht përpjekjeve për ta injoruar historinë e saj dhe pati gjithmonë pranë trashëgimtarët që kurrë nuk e harruan historinë, por u rikthyen një ditë për ta ringjallur atë.
Kulla u dogj tre herë nga osmanët, serbo-malazezët, u sekustrua për gati 40 vjet nga rregjimi totalitar komunist, por qëndroi sfidante ndaj çdo pushtuesi dhe uzurpatori, dhe sot është kthyer në muze historik për gjithë Malësinë e Madhe dhe Kombin Shqiptar, duke e ruajtur misionin e saj fisnik, si Kulla e qëndresës, kuvendit dhe e bashkimit.
Një ndër ata është edhe z. Arian Bajraktari, stërnip i të parëve të kësaj kulle, i cili është inisiatori i restaurimit të këtij monumenti të pavdekshëm të Malësisë së Madhe, të ideuar prej disa vitesh në një përpjekje titanike me familjen, bashkëpunëtorët e bashkëmalësorët e tij të palodhur, në këtë maratonë kontaktesh dhe konkretizimi, i cili ndan jeten e tij mes dy shtetesh: Belgjikës dhe Shqipërisë.
Z. Arian Bajraktari është drejtor i Shkollës Shqipe “Faik Konica” në Namur. Ai është organizator simpoziumesh dhe konferencash shkencore të përvitshme në Belgjikë e së shpejti edhe në Shqipëri, Kryetar i Shoqatës “Kulla e Bajraktarit të Hotit”, që mundësoi mbarëvajtjen në tërësi të proçesit. Ai është mjaft i angazhuar në jetën shoqërore në Malësi dhe është i vlerësuar me titullin “Qytetar Nderi” i Malësisë së Madhe.
Këtë detyrë madhështore dhe të vështirë ai e mori përsipër në krye të një grupi pasardhësish të kësaj familjeje. Ai këtë e shpreh me shumë krenari e dashuri në fjalën hapëse të ceremonisë, që do të mbetet madhështore në historinë, jo vetëm të Hotit, jo vetëm të Malësisë, por në historinë e Shqipërisë.
Të flasësh për dinastinë e Bajraktarëve të Hotit dhe kontributet e tyre ndër shekuj, ndoshta do të duheshin netë të gjata dimri të Malësisë, por dhe hulumtimet e studimet që janë bërë, për të cilat foli mjaft bukur, veprimtari, patrioti dhe bashkëmalësori, prof. Lukë Junçaj.
Në emër të bashkëpunëtorëve pjesëmarrës në realizimin e këtij projekti, përshëndeti familjen dhe gjithë ata që kontribuan në ringritjen e Kullës së Çun Mulës, biznesmeni dhe humanisti i njohur i Malësisë, Gjokë Martin Noni Junçaj.
Për restaurimin e këtij objekti me vlera të mëdha historike e etnografike, natyrisht që duhej një fond i konsiderueshëm monetar, të cilin do ta merrnin përsipër që nga trojet e Malësisë së Madhe, deri në “Malësinë” që ky komunitet ka krijuar në tokën amerikane.
Ky aksion kulturor gjeti mbështetjen masive nga të gjithë bashkëmalësorët tanë në dy anët e kufirit shqiptar, por dhe në Michigan, Nju Jork, Kanada dhe në mbarë Europën, ndaj ne sot përulemi me shumë respekt përpara secilit që mundësoi këtë realizim historik.
Me këtë mision, një komision i vogël i përbërë nga Luigj Dushaj, Maliq Çunmula, Mark Lucgjonaj dhe Arian Bajraktari, në emër të familjes dhe Shoqatës “Kulla e Bajraktarit” të Hotit, trokitën në dyert e bashkëmalësorëve tanë në SHBA.
Malësorët me banim në Michigan, ishin të parët që pritën ngrohtësisht organizatorët dhe mbështetën këtë projekt të madh kulturor e historik.
Shoqata Atdhetare “Malësia e Madhe” në Michigan, me kryetar z. Ndrekë Gjolaj, “Jehona e Malësisë” me kryetar z. Vilson Sinishtaj dhe më pas Agron Dedivanaj, Fondi humanitar “Rapsha”, Lindon Lajçaj dhe Anton Marku Junçaj, si dhe aktivistët: Gjokë Martin Noni Junçaj, Gjok Nikollë Preka, Gjok Junçaj, Gjergj Marku Junçaj, Peti Camaj e shumë të tjerë, i dhanë mbështetje të jashtëzakonshme këtij projekti.
Edhe Shoqata “Malësia e Madhe” në Nju Jork me Kryetar Shaqo Gjokaj dhe Senad Lulanaj, me aktivistët Mark Gjoku Ulaj, Kola Cacaj, Ilir Çunmulaj, Nikollë Junçaj, Leonardo Berisha, Kiko Çelaj, etj., vetëm pak ditë më pas, organizoi një supër mbrëmje për grumbullim fondesh, që për nga entuziazmi dhe prezenca kaluan çdo parashikim. Të tjera Shoqata, si Hoti i Kujit, me përfaqësues Imer Hoti, Fondi Humanitar Trieshi, si dhe Federata Pan Shqiptare “Vatra”, me Dr. Pashko Camaj, kontribuan dhe mbeshtetën nismën sipas mundësive.
Në emër të këtij komuniteti entuziast e patriot, përshëndeti eventin një ikonë e gjallë e burrnisë, simbol i malësorit patriot dhe besnik, që vjen nga familja me shumë emër e Bajraktarit të Kojes, Zoti Mark Gjoku Ulaj.
Për realizimin e këtij projekti duhej dora e një inisiatori dhe organizatori. E kush më mirë se z. Ndrekë Gjolaj, Kryetar i Shoqatës Atdhetare “Malësia” në Michigan, mund ta kryente këtë mision kaq të vështirë e fisnik, mbështetur nga Shoqata “Jehona e Malësisë” me z.Agron Dedivanaj.
Emrat e tyre u shfaqën me titra në ekranin e madh të skenës dhe lista fillonte me Gjergj Mark Junçaj, Gjokë Martin Junçaj, Gjokë Nikollë Lulaj, Familja Gjekë Gjoni Nikprelaj, Emina Çunmulaj e Semi Nazarian, Mark Gjoku me vëllezër, Pashko Martin Dedvukaj me familje, Martin e Rrok Noshi Junçaj, Kujtim Tom Lulaj, Peti Gjeto Camaj, Sokol Vushaj, kjo listë e gjatë shkon, mbi 445 emra, që janë të skanuar perjetësisht në hyrje të Kullës Muze.
Ju dhuruat 440 mijë dollar amerikanë, të gjithë së bashku 440 mijë falenderime, ishte fjala falenderuese e z. Arian Bajraktari.
Kjo ngjarje e shënuar do të skalitet në memorjen e Malësisë, ashtu siç skaliten ngjarjet e shënuara historike në memorjen e një Kombi.
Ceremonia e prerjes së shiritit ishte madhështore dhe arriti kulmin në momentin kur pjesmarrësit në këtë festë, personalitetet e ftuar, u afruan pranë derës kryesore të Kullës, për të kryer ritualin e prerjes së shiritit, detyrë e cila u ishte ngarkuar përfaqsuesëve të Shtatë Bajrakëve të Malësisë.
Shtatë copëza të vogla të këtij shiriti, janë shtatë flamuj të vegjël në Shtatë Bajrakë të Mëdhenj.
Në këtë moment kulmor që do të mbetet i fiksuar në foto e video ishin të pranishëm Kryetari i Bashkisë “Malësia e Madhe” Tonin Marinaj, deputeti i zonës Paulin Sterkaj, kryetari i Komunës së Tuzit (Mali i Zi), Lindon Gjelaj, Rozeta Hajdari, Ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë së Republikës së Kosovës, përfaqësues të Komuniteteve Fetare, deputetë dhe diplomatë nga Shqipëria, Kosova e Mali i Zi, përfaqësues të Shoqatave Kulturore në SHBA e Malësia e Madhe, si dhe Akademikë, historianë e studiues nga të gjitha trojet shqiptare.
Në këtë tribunë nderi një vend të veçantë ka edhe arkitekti i mirënjohur Zef Çuni, me përvojë të gjatë profesionale, veçanërisht në fushën e monumenteve të kulturës, i cili me aftësitë e tij, ringriti dhe ringjalli edhe një herë një objekt të tillë historik të njohur si “Kulla e Çun Mulës”. Vlen për tu përmendur serioziteti, përkushtimi, dhe korrektesa e firmës “Curri” me President z. Faik Curri, të cilët mundësuan me profesionalizëm realizimin e rinovimit të këtij objekti madhështor për nga historia në një kohë rekord.
Për zbulimin e pllakës përkujtimore të vendosur në këta mure shekullore të kësaj Kulle, ku shkruhet: Kulla e Bajraktarëve të Hotit, Muzeu “Malësia e Madhe”, nderin e pati Kryetari i Bashkisë z. Tonin Marinaj, i cili shumë i emocionuar falenderoi të gjithë ata që kanë dhënë kontribut në restaurimin e kësaj Kulle shekullore, që tashmë është kthyer në një Muze dhe që do të presë çdo ditë vizitorë nga të gjitha trojet shqiptare, deri në Diasporë.
Një koncert madhështor e përcolli këtë ceremoni madhështore dhe ky koncert u bë edhe më madhështor, falë profesionalizmit të moderatorëve Linda Kavaja, Helena Lekaj dhe Lorenc Smajlaj.
Artistë të mëdhenjë të fjalës dhe muzikës, këngëtarë e rapsodë, grupe e Shoqata Artistike nga të gjitha trevat shqiptare, deri në Amerikë, shpalosen para pjesmarrësve talentin dhe repertorin e tyre për rreth 6 orë, duke performuar para një auditori që në oborrin e Kullës ngjasonte si një amfiteatër gjigand me mbi 3 mijë pjesëmarrës, ku natyrisht veçohet performanca e aktorit të famshëm Çun Lajçi dhe “Mjeshtri i Madh” Nikollë Nikprelaj.
Shtator 2024