Shkruan: Astrit Lulushi/Me kalimin e shekujve edhe interesat ekonomike ndryshojnë. Nëse dje synohej pasuri tokësore e nëntokësore, sot kërkohet qendrueshmëri politike e paqe për të pasur begati e mirëqenie afatgjatë. Dhe kur një vendi i mungon qendrueshmëria, Bashkimi Europian ndal shtrirjen e vendos kushte për t’u zgjeruar. Teknologjia ka bërë që natyra e luftrave të ndryshojë, por lufta ekonomike ‘më jep që të jap’ nga pozita e më të fortit ka mbetur e njëjtë. Dhe qasja që një vend i bën vetes, ose mënyra se si e trajton popullin e vet, ndikon gjithashtu sesi i qaset të tjerëve, ose si të tjerët i qasen atij. Siç thuhet, faji dhe drejtësia nuk vijnë nga larg, por burojnë nga brenda.
Perandoria Romake ndaloi së zgjeruari në kulmin e fuqisë së saj, në vitin 117. Kjo ndalje thonë se erdhi si pasojë e vdekjes së perandorit Trajan. Por diçka e çuditshme që vërehet atë vit është edhe ndërprerja e shtrirjes e Perandorisë Romake në Skoci, Gjermani dhe Persi. Romakët kurrë më nuk u përpoqën të vendoseshin atje.
Kur u ndeshën me Skocinë dhe Gjermaninë, romakët gjetën njerëz që pinin birrë dhe gatuanin me gjalpë. Dhe shpejt kuptuan se këto zona kishin klimë të dobët për ullishte.
Kështu, pas shekujve të zgjerimit, Perandoria papritmas ndaloi së rrituri.
Romakët e donin verën. Asgjë nuk donin më shumë se vera. Por atyre u pëlqente shumë edhe vaji i ullirit. Në fakt, toka të mëdha bujqësore u caktuan për rritjen e ullinjve. Klimë të papërshtatshme për rritjen e ullinjve kishte edhe Persia. Dhe romakët qëndruan larg saj.
Pra, nëse do t’ju thonë se arsyeja e ndaljes së zgjerimit romak ishte ushtria e shtrirë shumë hollë, ose pesha e rëndë e burokracisë, mos i merrni tërësisht si të vërteta. Arsyeja që zgjerimi romak u ndal ishte thjesht klima që nuk favorizonte rritjen e ullirit. Për mijëra vjet para epokës romake, por dhe sot, ulliri konsiderohet simbol i mirëqënies, begatisë e paqes. Kështu, kur gatuani me vaj ulliri, mendoni për këtë farë, mungesa e së cilës u bë shkak për ndaljen e zgjerimit të një perandorie.