

Prof. Luigj Gjoka*/
Të dadhur vatranë të Long Island dhe nxënës të shkollës “ Gjergj Fishta”. Një vit më parë ndodhen dy ngjarje të rëndësishme për komunitetin shqiptar të Long Island, N Y. Siç tashmë është e njohur, Federata Pan- Shqiptare e Amerikës “Vatra” themeloi degën e saj në Long Island dhe inauguroi shkollën shqipe “Gjergj Fishta”. Gjatë këtij viti, kjo degë e Vatres, e drejtuar nga historiani Dr Paulin Marku dhe shkolla “ Gjergj Fishta” e drejtuar nga mësuesja, Fabiola Marku Gjinaj, të ndihmuar nga anëtarë dhe miq të Vatres, me përkushtim dhe pasion prej misionari, kanë realizuar një varg aktivitetesh kulturore në përkujtim të datave historike kombëtare, ku fëmijtë e mrekullueshëm të shkollës “Gjergj Fishta” këndonin këngë dhe kërcenin valle të zgjedhura nga gjithë viset shqiptare. Nuk mund të lemë pa përmendur edhe përkujtimin e 17 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ditë në të cilën “Vatra” e Long Island kishte organizuar një aktivitet në nivelin e një simpoziumi shkencor, ku u mbajtën disa kumtesa të rëndësishme për etapat në të cilat shqiptarët e Kosovës kaluan deri sa ia arriten te fitorja e pavarësinë së mohuar në shekuj.
Pra, në këtë një vjetor, dega e re Vatres në Long Island vjen me rezultate të prekshme në qëllimin e saj për të informuar, festuar e argëtuar shqiptarçe, për të mos harruar rrënjët tona shqiptare, për të ruajtur krenarinë tonë kombëtare, duke i shërbyer në këtë mënyrë edhe gjeopolitikës së shqiptarëve dhe forcimit gjithnjë e më shumë të marrëdhënieve me ShBA. I keni parë këngëtarët e sportistët e famshëm shqitarë, që e theksojnë identitetin e tyre kombëtar shqiptar duke formuar simbolin e shqipomjës me gishtat e duarve, apo duke mbështjellë trupin me flamurin kombëtar në çdo rast suksesi. Disa e quajnë këtë shfaqje të nacionalizmit shqiptar. Jo, nuk është hiç e vërtetë; shqiptarët kanë luftuar për çlirim kombëtar dhe kurrë për të pushtuar territore të popujve të tjerë. Po, shiptarët janë patriotë, dhe nuk do të heqin dorë nga patrotizmi deri sa të ekzistojnë mbi dhe nacionalistë që pretendojnë të pushtojnë ose aneksojnë toka e territore shqiptare. Kjo botë është e bukur dhe interesante sepse është e larmishme.
Shqiptarët duhet t’i parqesin botës historinë e tyre të hershme Iliro – Dardane – Epirote, gjuhën e tyre të vjetër, kulturën e pasur burimore,etnografinë e veçantë etj, si dhe rolin e shqiptarëve të famshëm në perandoritë e mëdha dhe kudo nëpër botën e qytetruar. Diaspora shqiptare ka luajtur dhe luan një rol të rëndësishëm në përmirësimin e imazhit të shqiptarëve në botën e sotme, por edhe në lidhje me çeshtjen kombëtare dhe problemet që kanë të bëjnë me demokracinë dhe përsosjen e saj. “Vatra” e shqiptarëve të Amerikës njihet për rolin e saj historik në lidhje me çeshtjet e shqiptarëve në “Gadishullin Ilirik”. Nuk mund të thuhet i njëjti vlerësim i qendrueshëm për poltikanët shqiptarë të Ballkanit. I uroj suksese të mëtejehme degës së Vatres në Long Island dhe shkollës “Gjergj Fishta” në misionin e tyre kulturor, qytetar dhe patriotik.
*Fjalë përshëndetëse e dërguar me rastin e 1 vjetorit të themelimit të Vatrës “Long Island” dhe shkollës shqipe “Gjergj Fishta” – New York.