Sokol Paja/
Worcester, MA, 14 Korrik 2024- Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “Vatra” nderoi Prof.Thanas Gjikën në 80 vjetorin e lindjes dhe 75 vjetorin e bashkëshortes, poetes Julia Gjika. Në një drekë private mes miqsh, të ftuar nderi, familjarë, vatranë e atdhetarë të spikatur të komunitetit shqiptar në Worcester, delegacioni i Vatrës kryesohej nga kryetari Dr.Elmi Berisha, sekretari Dr. Pashko Camaj, arkëtari Besim Malota, nënkryetari i Këshillit të Vatrës Hirësia e Tij Peshkop Theofani, anëtari i kryesisë Paulin Mrnaçaj, kryetarja e degës Worcester Efi Qeleshi, kryetarja e degës Vatra Westchester -Putnam Drita Vushaj dhe editori i Diellit. Pjesëmarrësit nderuan e vlerësuan kontributin kombëtar, komunitar, atdhetar e publicistik prej 50 vitesh të Prof.Gjikës.
Hirësia e Tij Peshkop Theofani bekoi me lutje dhe uratë drekën e të pranishmit, ndërsa kryetari i Vatrës Dr. Elmi Berisha theksoi se Prof. Thanas Gjika me shkrime, portrete, ese, vlerësime, kujtime, shënime mbi jetën dhe punën e shumë shqiptarëve të shquar, që ka botuar në Gazetën “Dielli” dhe në libra të ndryshëm të tij publicistik e teologjik, ka lartësuar kombin e komunitetin tonë. Me rastin e 80-vjetorit jemi për ta felënderuar për këtë punë të vlefshme krahas punës së tij shkencore për vërtetimin e punës misionare të Shën Palit në trojet ilire. Profesor i dashur, mos u ndalni në misionin tuaj fisnik në ndriçimin, afirmimin dhe promovimin e vlerave tona kombëtare. Vatra dhe brezat që vijnë dhe mbarë kombi do ju jemi gjithmonë mirënjohës” tha ndër të tjera kryetari Berisha. Sekretari i Vatrës Dr. Pashko Camaj vlerësoi veprimtarinë e gjatë të Prof. Gjikës në shërbim të çështjes kombëtare dhe komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për të ftuarit e nderit Prof. Gjika dhuroi librin e tij më të fundit: “Saint Paul in Durrah, corrections of some notes and maps of the new testament”.
Në fjalën e falënderimit Prof. Thanas Gjika vlerësoi mirënjohjen e Vatrës, Diellit e të gjithë miqve e të ftuarve që celebruan ditën e lindjes së tij dhe bashkëshortes Julia Gjika. Ai përcolli për të gjithë të pranishmit mesazhe patriotike e atdhetare për zhvillimin e komunitetit, kombit e bashkimin kombëtar të të gjithë shqiptarëve.
Në fund të ceremonisë festive Ani Gjika shprehu mirënjohjen, respektin e dashurinë për prindërit e saj Julia e Thanas për sakrificat, dashurinë, dedikimin, frymëzimin, përkujdesjen dhe shembullin e shkëlqyer në jetë.