Nga Dr. Gjon Buçaj/Kryetar i Fderatës VATRA/*
Ne Foto: NË FOTO: KLERIKËT SHQIPTARË NËN DREJTIMIN E PRIFTIT ARBËRESH Antonio Bellusci duke bekuar darkën e 100 vjetorit të themelimit të Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, me 29 Prill 2012 në prani të 1180 pjesmarrësve./
Lajmet se në luftimet në Siri dhe në Irak marrin pjesë edhe shqiptarë, përkrah organizatave terroriste siç janë ISIS dhe Al-Nusra, kanë shkaktue shqetsime të thella në botën shqiptare në përgjithësi, si mbrenda trojevet ashtu edhe në diasporë. Prandej aktivizimi konkret i organevet ligjore e të sigurisë, sidomos këto ditë në Kosovë, asht përshëndetë me vlerësim si nga organet institucionale ashtu edhe nga publiku i gjanë.
Mediat njoftojnë se Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga e ka cilsue arrestimin e 40 personave të dyshimtë, si akt me qellim “që të sigurohet një Kosovë e lirë, e sigurtë, e qetë dhe tolerante, e zhveshur nga terrorizmi dhe kriminaliteti, dukuri këto që po nënçmojnë traditën tonë të gjatë të tolerancës fetare dhe janë në kundërshtim të plotë të vlerave dhe idealeve mbi të cilat ndërtuam shtetin tonë”.
Edhe kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka theksue se “Kosova nuk do të jetë tokë e plleshme për armiqtë e vlerave Euro-Atlantike të Kosovës, të drejtat e njeriut, liritë e plota fetare dhe sistemin kushtetues sekular”.
Ka premtime se ndjekja ligjore do të vazhdojë, me qellim për të shpëtue Kosovën nga rreziku i pallogaritshëm që mund t’i sjelli kjo doktrinë e hueja, e cila nuk ka të bajë me islamizmin e vërtetë, por përkrahet dhe financohet nga ambjente anmike të Kosovës dhe të kombit shqiptar.
Përvoja tregon se doktrinat ekstreme munden me u mjellë ma letë në mjedise ku vorfnia dhe papunësia janë të nalta; mjerisht të dyja janë të dukshme jo vetëm në Kosovë por edhe në Shqipni, kurse në botën arabe shto edhe primitivizmin; atje vrasin njeni tjetrin në menyrnat ma barbare, në emën të të njajtin Zot. Nuk asht punë për shqiptarët me u ndimue atyne në këtë lloj krimi të pakuptim.
Nji fjalë e urtë thotë: “Në se nuk të ndigjohet zani për mirë, asht ma mirë mos me t’u ndigjue aspak”. Mirëpo, asht edhe nji proverb tjeter negativ që,mjerisht, gjenë jehonë te nji pakicë: “Burri e ka me borxh me iu ndigjue zani, për mirë ja për keq”. Te kjo pakicë asht rrezik se mund të krijohen idhuj të gabuem, prandej rroli edukues i medias së shkrueme dhe i asaj elektronike asht me shumë randësi, krahas me vendosmëninë në veprim pa ekuivoke të institucioneve ligjore dhe fetare.
Përsa u përket besimevet tona, VATRA i ka dhanë randësi harmonisë ndërfetare, prandej ka ba thirrje që ajo të ruhet, tue përkrahë dhe tue mbrojtë institucionet dhe klerikët që e ushqejnë këtë ndjesi fisnike kombëtare. Kemi porositë mbrojtjen e tyne pse janë vrejtë raste violence nga radikalët agresivë kundër klerikëvet që mbajnë rrugën tradicionale të fesë e të kombit. Në fund të këtij shkrimi po sjellim për lexuesat disa citate që pasqyrojnë këtë qëndrim të Vatrës.
Kosova ka përballue probleme shumë ma të mëdha gjatë historisë së vet, prandej nuk ka dyshim se edhe këtë problem shqiptarëtdo t’a kalojë me dinjitet.
New York, 20 gusht 2014
“…..për interes të nji Shqipnie të lirë e të pavarun, të radhitun pranë kombeve tjera t’Europës, me një demokraci të modelit perëndimor ku respektohen liritë themelore të njeriut, ku ruhen e kultivohen traditat e mira civilizuese dhe harmonia mes shqiptarëvet vëllazën të një gjaku….”. (Kryeministrit Berisha me 23 shtator 2007).
******
“….Kombi ynë karakterizohet nga tri fe tradicionale dhe secila ka vendin e vet, pa i hyrë në pjesë tjetrës. Kombi nuk mund të identifikohet as me njërën, as me tjetrën më vete, por me të tria bashkë. Kjo përbën thelbin e shkueshmërisë fetare dhe ne duhet të krenohemi me harmoninë tonë fetare. Kjo është pasuria me të cilën trokasim për të hyrë në dyert e Europës. Është fakt se kombi ynë është në Evropë dhe po shkon drejt saj me dy shtete shqiptare. Nuk ka qenë kurrë në gjendje më të mirë se në këtë shekull, por harmoninë duhet ta ruajmë fort, si pasuri Kombëtare. Ata që veprojnë kundër nuk punojnë përKombin….”.
(Editorial igazetës “Dielli” – 3 gusht 2013)
******
“….Kremtimet kryesore në New York do t’i fillojnë klerikët udhëheqës të besimevet tona me me nji lutje ndërfetare, për të dishmue harmoninë e bashkëjetesës së shqiptarëve të nji gjaku me besime të ndryshme…”. (Nga Libri Përkujtimor (Zhurnal) i 100 vjetorit, 2012)
******
“….në Vatër i apim shumë randësi bashkëjetesës në harmoni të shqiptarëvet me besime të ndryshme. Harmonia ndërfetare te na asht trashigue nga rilindësat, si nji shtyllë me randësi në themelin e kombit tonë të përbashkët….. Besojmë se në trojet shqiptare duhet kushtue ma shumë kujdes këtij subjekti dhe duhen përkrahë klerikët që shërbimin shpirtnor e ushtrojnë me përkushtim edhe në frymën kombëtare….Përkitas me temën e besimevet, po lejohem të theksoj se Vatrën e shqetson zbehja graduale e Autolqefalisë së Kishës Ortodokse Shqiptare, e cila u realizue me nismën e Fan Nolit dhe me përpjekjet e shumë të tjerëve, si arritje me vlerë të randësishme kombëtare.”.
(Intervistë me revistën “Shenja”, Viti III, Nr. 27. Korrik 2013).
******
“….Këtë herë po përqendrohemi tek randësia që harmonia ndërfetare e shqiptarëvet ka për stabilitetin dhe për mirëqenjen e kombin tonë. E shohim nevojën që, organet shtetnore e kulturore, të tregojnë ma shumë vlerësim, përkrahje dhe mbrojtje, për institucionet fetare dhe për klerikët të cilët, shërbimin shpritnor, e ushtrojnë me përkushtim për besimin përkatës dhe, në të njejtën kohë, ia njofin vleren dhe i dalin zot vëllaznimit të gjakut shqiptar….”
Presidentit Nishani, 24 shtator 2013).
******
“Kërkojmë vëmëndje dhe vëlerësim më të madh për rëndësinë që ka harmonia ndërfetare te shqiptarët, e cila është halë në sy të armiqvet, por gur në themelin e trollit të përbashkët kombëtar. Nuk është e domosdoshme të jeshë besimtar për të njohur këtë vlerë që kemi trasshëguar nga Rilindësat. Klerikët dhe institucionet që shërbimin fetar përkatës e ushtrojnë në frymën kombëtare, kanë nevojë për vëlerësim e përkrahje ma shumë, ndonjëherë edhe për mbrojtje, nga organet shtetërorë, qeveritare e kulturore”. (Kryeministrit Rama – 26 shtator 2013).
* NË FOTO: KLERIKËT SHQIPTARË NËN DREJTIMIN E PRIFTIT ARBËRESH Antonio Bellusci duke bekuar darkën e 100 vjetorit të themelimit të Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, me 29 Prill 2012 në prani të 1180 pjesmarrësve.
* U botua ne DIELLI, gusht 2014
Agim Hamiti says
Agim Hamiti
8 orë ·
HIPOKRIZIA E PJESËMARRJES SË EDI RAMËS NË «MARSHIMIN REPUBLIKAN» TË PARISIT
E tronditur nga masakra në redaksinë e të përjavshmes Charlie Hebdo, Franca organizoi dje një «Marshim Republikan» në Paris dhe në qytetet e tjerë të mëdhenj si homazh për 17 viktimat. Në shenjë solidariteti, në marshimin e Parisit asistuan shumë udhëheqës të shteteve evropianë e më gjerë. Atje shkoi edhe Edi Rama, sepse shfaqja në skenën ndërkombëtare është një relaksim momental për politikanët që nuk u shkojnë mirë punët në vendin e tyre. Por nisur nga parime moralë e politikë, a kishte vend për Edi Ramën në atë marshim uniteti kundër terrorizmit dhe pro unifikimit të vlerave që qëndrojnë mbi dallimet e besimeve e kombësive në botë?
Përgjigja JO ka të paktën tri arsye madhore:
1 – Nuk mund të jesh vërtet kundër terrorizmit, gjersa nuk dëshiron të bësh çarmatosjen e plotë e të përgjithshme të popullsisë, por i lë qëllimisht shtetasit e tu të armatosur për të mundësuar lulëzimin e krimit të rrugës (me nxitjen e mafies politike), se ashtu i sundon ata më rehat.
2 – A nuk është një spektakël terrorizmi të zyrtarizuar prej 24 vjetësh ngujimi për shkak të gjakmarrjes i mbi njëmijë familjeve shqiptare? SHISH-i dhe MP të Brendshme i njohin shumë mirë prej kohësh personat që, me armët pa leje, i mbyllin brenda shtëpisë-burg këto familje fatkeqe me gjithë fëmijë. Por qeveritë e tranzicionit pa fund nuk i çarmatosin qëllimisht këta aktorë terrorizmi të zyrtarizuar, sepse një popull i terrorizuar është një pré e lehtë për tu qeverisur edhe në varfëri të thellë.
3 – Nuk mund të pretendosh se je vërtet kundër terrorizmit, në një kohë që nuk bën asnjë përçapje reale për të nxjerrë para drejtësisë vrasësit e viktimave të 21 janarit, familjarët e të cilëve detyrohen t’i drejtohen zyrtarëve të BE-s, duke konstatuar se drejtësia në Shqipëri ka vdekur. Ishte vetë Edi Rama që i nxori para katër vjetësh në protesta demonstruesit e 21 janarit dhe pasiviteti i tij i qëllimshëm për të mos u gjykuar vrasësit e asaj masakre [pasi mori 1 milionë vota prej popullit të revoltuar] është pabesi e tij si njeri, si shqiptar e si kryeministër.
Do të mjaftonte vetëm njëri prej tre argumenteve të mësipërm [pa përmendur tragjedinë e Gërdecit, vrasjen e deputetëve, gjakderdhjen e pagjykuar të ’97-’98 e shumë krime të tjerë] për të kuptuar hipokrizinë e vizitës së Ramës në marshimin e Parisit. Si mund të jesh kundër terrorizmit ndërkombëtar, ndërkohë që i shërben si inkubator terrorizmit brenda vendit tënd, me synimin e mbrapshtë për krijimin e klimës së përshtatshme sociale për të (ç)qeverisur rehat një popull të terrorizuar?
Franca me 66,5 milionë banorë humbi tragjikisht 17 qytetarë të saj dhe gjithë populli u ngrit në këmbë, duke sensibilzuar mbarë opinionin botëror. Vrasësit u gjetën shpejt dhe u ekzekutuan, se atje vendi ka zot dhe populli nuk është i tradhtuar prej politikanëve.
Po vrasësit e mijëra viktimave shqiptare do të dalin ndonjëherë para drejtësisë? Apo politikanët shqiptarë (rozë e blu) janë të interesuar vetëm për mbrojtjen me çdo kusht të titullit «Hero i Popullit» të Kryeterroristit-diktator?
Me rastin e vizitës në Francë, Rama do të kishte bërë mirë të vizitonte mjediset e rëndomtë të bohemës pariziane, ku e gjeti Fatos Nano me thonj të paprerë [sipas deklaratës së vetë Fatosit] dhe e angazhoi në politikën anarshiste shqiptare, ku ish-piktori i dështuar u bë Kryebosi i Bosëve rozë. Mirëpo populli ka një thënie filozofike:
«Mëkati këputet duke u trashur».