Dielli
Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA priti në takim ambasadorin e Republikës së Kosovës në Uashington z.Ilir Dugolli.Gjatë vizitës në Vatër Diplomati i lartë Z.Dugolli shoqërohej nga Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës në New York Ambasador Frymëzim Isufaj dhe diplomati Bujar Maxhuni, zv shef i Misionit. Në takimin e mirëseardhjes në Vatër, Ambasadori Dugolli u prit nga Kryetari Elmi Berisha, Arkëtari Marjan Cubi, anëtari i kryesisë Besim Malota dhe Editori i Diellit Sokol Paja. Gjatë takimit vëllazëror z.Berisha vlerësoi Ambasadorin Dugolli dhe shtetin e Kosovës për përfaqësimin dinjitoz në diplomaci. “Vatra do të jetë gjithmonë në mbështetjen tuaj në dobi të çështjes kombëtare. Vatra është Federatë jo politike, nuk interferon në politikën e brendshme dhe skenën politike në Tiranë dhe Prishtinë, por ka mision interesin e përgjithëm të kombit tonë. Jam i gëzuar që ju e filloni vizitën e parë në Vatër dhe e vlerësoni Vatrën si institucion kombëtar. Ju garantoj se edhe ju Vatrën do ta keni në çdo mbështetje tuajën” tha ndër të tjera kryetari Berisha. Ambasadori Ilir Dugolli theksoi se: “Vatra është institucion me histori të gjatë dhe shumë produktive. Jam i hapur për të punuar dhe bashkëpunuar, me sugjerime dhe ide konkrete për të çuar përpara punët e përbashkëta në dobi të kombit tonë. Ju shpreh mirënjohje për angazhimin tuaj si Shqiptaro-Amerikanë për dekada me radhë dhe këto punë të mëdha të bëra në të kaluarën, duhet ti bashkojmë dhe vazhdojmë dhe sot. Bashkërendimi dhe ndihma me diasporën këtu na gëzon dhe na shtyn përpara për ti shërbyer kombit tonë dhe misionit për të cilin jemi ngarkuar” tha ndër të tjera Ambasadori Dugolli. Në takim u ra dakord që të forcohet në të ardhmen bashkëpunimi me Vatrës dhe shtetit të Kosovës edhe institucionalisht për të vazhduar përpara në proceset demokratike, shtetformuese dhe euroatlantike.