Kryetari i Federatës së Futbollit, Fadil Vokrri,ka ndërruar jetë pas një sulmi në zemër/
Ka vdekur kryetari i Federatës së Futbollit, Fadil Vokrri. Lajmin për Radion Evropa e Lirë, e ka konfirmuar nënkryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi.
Ademi tha se Vokrri ka ndërruar jetë pas një sulmi në zemër.
“Ngjarja ka ndodhur rreth një orë më parë. Ka qenë sulm në zemër”, tha ai shkurt për REL.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj përmes një postimi në Facebook ka ngushëlluar për vdekjen e Vokrrit dhe ka thënë se ai ishte frymëzim për shumë breza të sportistëve.
I trishtë lajmi për vdekjen e hershme të legjendës së futbollit të Kosovës, Fadil Vokrrit, i cili tërë jetën e shkriu, që t’i japë emër atdheut të tij, të cilin aq shumë e deshti dhe i qëndroi besnik deri në frymën e fundit.
Fadili ishte motivues i madh yni që na dha zemër për të dalë fitues nga të gjitha betejat!
Fadili kurdoherë ishte figura qendrore në fushën e blertë duke u sjellë bashkëqytetarëve buzëqeshje e gëzim edhe në kohërat më të rënda, kur pesha e dhunës peshonte mbi ta.
Ai u bë frymëzim për shumë breza sportistësh kosovarë dhe ikonë e futbollit, jo vetëm në hapësirat shqiptare, që nga vitet ’80, duke e fituar betejën e fundit, anëtarësimin e Kosovës në UEFA dhe FIFA.
Ngushëllime familjes Vokrri, FFK-së dhe të gjithë sportistëve. Ngushëllime Kosovë!
Dritë të pastë shpirti, Fadil!
RH
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka shprehu ngushëllime për ndarjen nga jeta të kreut të FFK-së, Fadil Vokrri.
Me dhimbje të madhe dhe pikëllim të thellë, i tërë kombi mori lajmin për vdekjen e parakohshme të Fadil Vokrrit, yllit më të ndritur të sportit dhe jo vetēm sportit tonë. Ngushëllime familjes, miqve dhe tifozëve. U prehsh në paqe Kapiten. HTH
(Kortezi- RFL)