Vizita e Ministrit të Jashtëm grek ka filluar një tur në Ballkan/
Ministri i Jashtëm grek, Evangelos Venizelos, ka filluar një tur në Ballkan, me cilësinë e kryesuesit të radhës të bashkimit Europian.Venizelos do të jete në Prishtinë, ku, sipas programit, do të takohet me kryeministrin Hashim Thaçi dhe ministrin e jashtëm, Enver Hoxhaj. Greqia vazhdon të mos e njohë Kosovën, por Athina konsideron se ky fakt nuk e pengon normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Prishtinën, siç ka deklaruar në një intervistë me gazetarin e ABC News, Robert Goro.
Ministri i Jashtëm grek Evangelos Venizelos viziton Kosovën në një moment që Greqia ende nuk ka njohur pavarësinë e vendit. Në një intervistë për ABC News Venizelos ka shpjeguar arsyen pse nuk ka ndodhur ende një gjë e tillë dhe planet për bashkëpunim mes dy vendeve.
“Mesazhi im për qytetarët e Kosovës, që kisha rastin t’ia përcjell edhe kryeministrit, edhe ministrit të jashtëm, të cilin e takova edhe para disa ditësh, për të tretën herë, dhe me të cilët kemi një marrëdhënie shumë të mirë, është ky: Ne besojmë në normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Kosovën. Kemi krijuar faktikisht premisat për prezencën e një zyre të fuqishme përfaqësimi, kryesisht ekonomik, të Kosovës në Athinë. Dhe synimi ynë është që procesi që ka filluar për negociatat dhe anëtarësimin e Serbisë në BE, të shërbejë si një levë e ndryshimit të klimës edhe për Kosovën. Çdo gjë që ka lidhje me Serbinë dhe mbështetjen e diaologut Beograd-Prishtinë ka një impakt shumë pozitiv në gjithë rajonin, njëkohësisht edhe në perspektivën europiane të Kosovës, të cilën do ta mbështesim pse besojmë edhe në marrëdhëniet tona të mira dypalëshe, por besojmë edhe në atë se duhet të kapërcehen problemet historike të së kaluarës”, vuri në dukje zëvendëskryeministri.
Evangelos Venizelos ka shpjaguar edhe arsyet pse Greqia nuk e ka njohur Kosovën, në përgjigje të pyetjes së ABC News nëse diplomacia greke e ka në axhendën e vet njohjen e Kosovës si shtet i pavarur.
“Shikoni, të gjitha do të bëhen në mënyrën që duhet. Rëndësi ka pjesa esenciale e marrëdhënieve tona. Ne do të jemi tepër krijues dhe shumë bashkëpunues në raportet tona me Kosovën. Dhe do të diskutojmë në esencë dhe në thellësi të gjitha çështjet; thjesht, duhet të kemi parasysh edhe vende të tjera komunitare të cilat kanë një qëndrim të ngjashëm me tonin. Nuk duhet të injorojmë disa rregulla që përshkojnë funksionimin tonë në brendësi të BE. Mirëpo, besojmë se ekziston një kuadër dhe një trend, ekziston edhe një objektiv i cili është i qartë. Dhe besojmë vërtet se Kosova mundet të gjejë një nivel prosperiteti me të vërtetë europian dhe një nivel stabiliteti i cili do të jetë shembullor për rajonin. Ka rëndësi shumë të madhe të mbështesim dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, u shpreh Venozelos.
Pas Prishtinës, Venizelos do të shkojë në Shkup, ku të enjten do të ketë një seri takimesh, duke filluar nga takimi me presidentin Ivanov e kryeministrin Gruevski. Venizelos do të takohet edhe me kryetarin e BDI Ali Ahmeti, si dhe me zëvendëskryeministrin Fatmir Besimi dhe ministrin e jashtëm Nikola Poposki. Shefi i diplomacisë greke do të takohet edhe me shefin e opozitës, Zoran Zaev.
Kjo do të jetë vizita e parë pas shumë vjetësh, e një zyrtari të lartë grek në Shkup, në kohën që mosmarrëveshja midis të dy vendeve për çështjen e emrit, që vazhdon prej më shumë se dy dekadash, duket se do ta lejë përsëri Maqedoninë në pritje të trenit për në Bruksel. Mesazhi që Venizelos do t’i përcjellë udhëheqjes maqedonase, ose më saktë do t’i përsërisë, është se çështja e emrit nuk është thjesht një mosmarrëveshje dypalëshe, por një detyrim i Maqedonisë për të dhënë prova në drejtim të fqinjësisë së mirë.
“Ne kemi realizuar një ndryshim jashtëzakonisht të madh nga qëndrimi ynë: Greqia nuk pranonte përdorimin e emrit “Maqedoni”. Tani e pranon përdorimin e këtij emri, por me një përcaktim gjeografik, për të qenë e qartë se ky vend ndryshon nga rajonet greke që quhen “Maqedoni”. Do të më lejoni të them, edhe rajone nga Bullgaria, edhe nga Shqipëria, sepse edhe Shqipëria ka një pjesë të Maqedonisë. Atëherë, ekziston një detyrim për një përcaktim gjeografik. Përcaktim në raport me emrin Maqedoni, jo me termin “republikë”, që ka të bëjë me gjithë vendet e botës.
Atëherë ne themi diçka shumë të thjeshtë, që ndërkaq është çështja e emrit: Për anëtarësim në NATO dhe në BE, përtej dhe pavarësisht çështjes së emrit, duhet të përmbushen gjithë kriteret që kanë të bëjnë me shtetet kandidate për anëtarësim. Gjithë çka duhet të përmbushë Serbia, Mali i Zi, Shqipëria, Turqia, duhet ta përmbushë edhe FYROM, pavarësisht çështjes së emrit. Çfarë thonë konkluzionet e këshillit të 19 dhjetorit 2013? Duhet të bëhen hapa konkretë në drejtim të zbatimit të marëveshjes së 1 marsit 2013, hapa konkretë në drejtim të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, sepse gjithmonë problemi është fqinjësia e mirë dhe e drejta ndërkombëtare”, nënvizoi ai.
Stacioni i parë i turit të ministrit të jashtëm grek, ka qenë Beogradi. Pas takimit me kryeministrin vendas, Ivica Dacic, Venizelos, ka përshëndetur faktin që, siç tha, në periudhën zgjedhore që po ndodhet Serbia, forcat politike duan të ruajnë të pacënuara negociatat për anëtarësim në BE. Venizelos ka theksuar vullnetin e Athinës që, edhe pas presidencës greke, që bëjë lëvizjet e veta për të ruajtur trendin e procesit integrues të Serbisë.
Venizelos ka vizituar edhe Sarajevën e Podgoricën, ndërkohë që turi i tij do të përfundojë në Tiranë, ku kryesuesi i radhës i BE do të mbërrijë të enjten dhe fillimisht do të takohet me Kryeministrin Edi Rama.
Të premten, Venizelos do të pritet nga presidenti i Republikës, Bujar Nishani dhe pastaj zhvillojë takime të tjera, me kryetarin e parlamentit, Ilir Meta, ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati dhe shefin e opozitës, Lulzim Basha.