


Rafaela Prifti/
Qyshkur ka hyrë në klasën e parë në moshën 6 vjeçare në Gjilan e deri më sot, Vesa Xhyshmiti ka vetëm 7 vite shkollore dhe të paktën po kaq medalje dhe vende nderi në garime kombëtare e ndërkombëtare të matematikës. Sapo ka nisur të garojë në fund të klasës së pestë, studentja 13 vjeçare ka arritur rekorde të hatashme në Olimpiada matematike si EGMO 2025. “Talenti nuk rritet me frikë, por duke pasur vetëbesim, natyrisht pa e tepruar atë,” thotë Vesa. Në gara dhe konkurrime ndërkombëtare ajo ka përfaqësuar Kosovën me shumë sukses dhe ka lënë mbresa tek gjyqtarët dhe vlerësuesit. Por, talenti dhe vetëbesimi i një shkollareje të një vendi të vogël përballen me vështirësi të mëdha për mbështetje financiare.
Vesa bën pjesë në brezin GenZ i quajtur edhe IGeneration, të ardhur në një botë dixhitale ku përgjithësisht ata janë “në shtëpinë e tyre”. Viti i lindjes së saj 2012 përkon me ripërtëritjen e nismave për mundësi të barabarta në arsimimin e vajzave dhe grave në Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë – STEM, ndërsa vetë akronimi është krijuar në fillim të viteve 2000.
Me sy të butë, të zgjuar dhe shumë vëzhgues, Vesa flet me elokuencë dhe pjekuri përtej moshës që ka, për rrugëtimin e saj të përditshëm shtëpi-shkollë përkatësisht Gjilan-Prishtinë, për klasën në shkollën private New York School of Science in Kosova, për shoqërinë e mirë që ka aty dhe ecurinë e suksesshme në konkurset e matematikës. Mamaja e saj, Albina, me profesion arsimtare në Kosovë, shëndrit me krenari pranë vajzës dhe shpreh vazhdimisht mirënjohje për mësuesit dhe drejtuesit e Vesës në arritjet e saj mbresëlënëse.
“Mësuesit kanë qenë inkarujuesit dhe nxitësit e zellshëm të Vesës. Në fillim në garat shkollore ku doli fituese dhe pastaj në garat komunale, ku mori maksimumin e 100 pikëve që nuk kish ndodhur më parë, dhe më tej në garat ndërkomunale përsëri me sukses, atëherë kur edhe u shtua këmbëngulja e mësuesve që Vesa të shkonte më tej se aq.”
Në nëntor 2025 Vesa u ftua të merrte pjesë në Harvard–MIT Mathematics Tournament (HMMT) meqë ishte pranuar në programin prestigjioz Athemath. Ajo thotë se është veçanërisht krenare “që është e para Kosovare pjesëmarrëse në këtë konkurs me emër të njohur.” Atë javë Shoqata e Studentëve shqiptarë të Harvardit Harvard Albanian Students Association e kishte mysafire Vesën në një takim enkas për fituesit e garës, të titulluar Ëndrra pa Kufi (Dreams Without Borders) në Harvard University.
“Pjesëmarrja në garime jashtë Kosovës ka shpenzime të konsiderueshme financiare për familjen tonë katër-anëtarëshe me të ardhura mesatare.
Ishte bujaria e komunitetit të Bostonit që e mundësoi ardhjen tonë, me një pjesë të harxhimeve, së bashku me kontributin e familjes sonë,” thotë Albina, duke falënderuar Xheraldin & Xhufe Morina Foundation, dhe zemërmirësinë e shumë zonjave si Valbona Lavdari, Mirjola Adhami, Rita Zhupe, dhe Irena Xhurxhi .
“Është me rëndësi të thuhet,” vëren ajo, “se nga pranimi në Athemath, program amerikan trajnimi për vajza, Vesa ishte ftuar edhe në PUMaC (Princeton University Mathematical Competition) por për shkak të shpenzimeve të shumta nuk mori pjesë në të. Kurset intensive dhe individuale kanë koston e tyre. Dhe garat ndërkombëtare janë të kushtueshme. Komuna e Gjilanit ka bërë sa ka mundur brenda mjeteve të veta. Prandaj ne e vlerësojmë shumë ndihmën e komunitetit shqiptar në Amerikë si edhe mikpritjen e tyre shumë të ngrohtë,” thekson Albina.
Në vitin 2024 Vesa përfaqësoi Kosovën në Olimpiadën Neo Science në NY ku mori vendin e parë në Matematikë dhe medaljen e argjendte për Shkencat. E ftuar nga Shoqata e Matematicenëve të Kosovës të garojë me klasat e 7 dhe 8 në Olimpiadën e Matematikës Shqipëri Kosovë (KAMO), Vesa fitoi medaljen e artë. Në Holandë fitoi një medalje tjetër në STEM Olympiad dhe hyri në kategorinë Best of the Best. Në klasën e shtatë fitoi vendin e parë në Olimpiadën e Matematikës së Kosovës duke u klasifikuar për testin në EGMO – ku ishte në garim me vajzat me rezultatet më të mira të klasave 7 deri 12 të Kosovës. Në sajë të punës shumëorëshe dhe drejtimin e duhur të mësuesve, ajo fitoi bashkë me një vajzë tjetër të klasës së 11. Vesa ishte ndër garueset më të reja në EGMO me 55 vende pjesëmarrëse mbajtur në Kosovë në prill 2025. Ajo thotë se aty, përveç krenarisë, ndjeu se vende të vogla mund të fitojnë mes matematicienëve më të mirë të botës.
Kur flet për zgjidhjen e një problemi me teorinë e numrave, ajo e quan atë “të bukur”. Bukuria e zgjidhjeve në matematikë e ka tërhequr Vesën qysh në fillim. Asaj i pëlqen arsyetimi logjik, të menduarit kritik në lëndët e matematikës por edhe në fushat e tjera. I ka kaluar me lehtësi konvertimet e termave matematikore shqip – anglisht në sajë të njohjes shumë të mirë të dy gjuhëve. Këtë e thotë me mburrje edhe Medina, halla e saj në Nju Jork, tek e cila Vesa dhe Albina erdhën vizitore disa ditë përpara se të ktheheshin në Prishtinë. Aty i pret babai, Iliri, me të cilin Vesa shikon ndeshjet e futbollit, kur nuk është duke studiuar matematikë, dhe, vëllai i saj 6 vjeçar, Dielli, me të cilin ngjyrosin e vizatojnë dhe përcjellin programin Number Blocks në anglisht.
Nga Kosova, Vesa ka postuar disa foto nga Bostoni, Nju Jorku dhe Uashingtoni, ndërkohë që ka nisur përgatitjet për garën e ardhshme. Në janar është kualifikuar automatikisht të hyjë në OMK 2026 si pjesëmarrëse fituese në EGMO 2025 (European Girls Mathematical Olympiad). Me dëshirën dhe ëndrrën që të kalojë testin selektues për EGMO në shkurt dhe IMO (International Mathematical Olympiad) në mars — si përfaqësuese e Kosovës, ajo do që të valëvit flamurin e vendit në çdo garë të madhe botërore për pesë vitet e ardhshme. Vesa dëshiron të jetë në kanalin e vet në YouTube për të shpjeguar koncepte matematike në formë tërheqëse për moshat e reja. Pjesë e ëndrrës së saj është të zbulojë edhe për të tjerët “bukurinë e matematikës,” ashtu siç e sheh ajo. Në të ardhmen jo të largët, Vesa shpreson që matematika të jetë çelësi që hap dyert e universiteteve elitë në Amerikë. Shkolla e specializuar New York School of Science e Kosovës nuk është larg nga Bulevardi Bill Clinton në Prishtinë, ku ngrihet statuja e ish-presidentit amerikan që i sjell në mend çdo ditë “se sa pranë njëra-tjetrës janë vendet tona historikisht,” përfundon ajo me qartësinë e vesës.