-Të hënën mbledhja e Kryesisë së Kuvendit për vazhdimin e seancës së ndërprerë me lotsjellës/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 15 Tetor 2015/Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka shkruar sot në ‘facebook’: “Pamjet e fundit në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe koha, do të dëshmojnë se a ishte më e vështirë të fitojmë lirinë apo ta menaxhojmë atë”. Ai ka ka postuar edhe katër foto nga seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës me gaz lotësjellës të hedhur nga opozita e bashkuar e tre partive, e cila ka deklaruar se, “ne jemi të vendosur në protestën tonë kundër marrëveshjeve me Serbinë dhe asaj për demarkacionin me Malin e Zi”.
Kuvendi i Kosovës pa asnjë seancë të përfunduar në sesionin vjeshtor, i bllokuar nga opozita, është mbledhur në një seancë tjetër sot të ftuar nga Kryesia me shefat e grupeve parlamentare, në mbledhjen me vetëm përfaqësuesit e subjekteve politike të koalicionit qeverisës, përballur edhe me bojkotin opozitar.
Por, që në fillim deputetët e opozitës bllokuan me “rrethim” të foltorës dhe kryesuesit, e pastaj, për të dytën herë, si edhe javën e kaluar, hodhën gaz lotësjellës dhe seanca e Kuvendit të Kosovës u ndërpre.
Derisa ndodhnin zhvillimet në seancën parlamentare dhe pas ndërprerjes së saj, në shesh para Kuvendit kosovar kishte grumbullime për protestë të aktivistëve të opozitës e qytetarëve tjerë.
“Aksionet simbolike” të opozitës, me “rrethime” të foltores e kryesuesëve, fërshëllima, gjuajtje vezësh e gazi lotësjellës në sallën e seancave të Kuvendit, janë pjesë e kundërshtimeve, edhe me protesta në rrugë dhe me një peticion me rreth 200 mijë nënshkrime deri tani, të 4 marrëveshjeve të 25 gushtit me Serbinë dhe marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.
“Protesta jonë në Kuvend nuk do të ndalet dhe nuk do të lejojmë normalizimin e ‘Zajednicës’ dhe faljen e tokave të Kosovës Malit të Zi”, paralajmëroi edhe sot opozita në deklaratën e përbashkët të tre partive, LVV, AAK e Nisma.
Opozita shprehet me fjalën serbe “Zajednica” që do të thotë “Bashkësi” dhe nënkupton Bashkësinë/Asociacionin e komunave me shumicë sebe në Kosovë.
Për të hënën, në 19 tetor, është ftuar mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës me kryetarët e grupeve parlamentare, derisa ende nuk ka datë kur do vazhdojë seanca plenare e ndërprerë sot.
“Do të diskutohet për vazhdimin e seancës plenare, të ndërprerë sot si pasojë e hedhjes së gazit lotsjellës”, bëhet e ditur në njoftimin e dërguar nga Kuvendi i Kosovës.
“Kërkojmë nga Kryesia e Kuvendit që të mos thërras më seancë plenare. Çfarëdo insistimi në këtë drejtim është provokim dhe përshkallëzim i situates në Republikën e Kosovës”, thekson deklarata e opozitës.