Nga SKËNDER BUÇPAPAJ/
Të dashur lexues! Pas pak ditësh Kosovës i takon të kremtojë një datë të madhe të kujtesës së saj, kombit shqiptar i takon të kremtojë një datë të madhe të kujtesës së tij.
Më 2 dhjetor 1944 lindi në fshatin Cërrcë të Istogut (Burim), komunë veriperëndimore e Kosovës, Ibrahim Rugova, shkrimtar, filozof, estet, politikan, burrështetas, themelues dhe kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës prej datës 23 dhjetor 1989 e deri në vitin 2005, President i Republikës së Kosovës prej datës 24 maj 1992 e deri më 26 janar 2006.
02.12.1944 – 02.12.2014. Më 2 dhjetor 2014 Ibrahim Rugova do t’i mbushte plot 70 vjet. Ky është një jubile i madh për Kosovën, një jubile i madh për kombin shqiptar. Asnjë jehonë nuk i bëhet afrimit të kësaj date as nga vetë partia të cilën e themeloi dhe e udhëhoqi Ibrahim Rugova, Lidhja Demokratike e Kosovës. Vetë kjo parti i bën plot 25 vjet nga themelimi i saj. E njohur si partia e Presidentit Ibrahim Rugova, ajo është partia e parë e pluralizimit modern shqiptar, është modeli i parë dhe qendror për shumë vite dhe për shumë kohë për të gjitha partitë politike në të gjithë hapësirën shqiptare dhe në të gjithë botën shqiptare.
Të shpërfillësh këtë datë, për më tepër të harrosh këtë datë, për më shumë të bësh sikur e ke harruar këtë datë përbën për pasardhësit e tij në LDK dhe në Republikën e Kosovës më shumë se xhelozi të shkaktuar nga kompleksi i tyre i pashërueshëm i xhuxhërisë dhe i liliputnisë politike, por edhe sklerotizim të mendjes dhe të shpirtit, të trurit dhe të trupit të partisë së tij dhe të vetë politikës në Kosovë. Është ky treguesi më themelor e më domethënës se këtë sklerozë, këtë dambllà të rëndë e ka shkaktuar mbytja nga paraja dhe verbërimi e shurdhërimi mendor, shpirtëror e intelektual prej majmërimit nga pasuria.
As vetë propaganduesit dhe trombetuesit e të ashtuquajturit “kombi kosovar” nuk u kujtuan pikërisht për atë që e ideoi, që e arkitektoi, që e ndërtoi me mendjen e tij dhe veprimin e tij Republikën e Kosovës, për atë që themeloi dhe kristalizoi të djathtën e Kosovës, që pati rolin kryesor e vendimtar në vetë traditën e pluralizmit politik në Kosovë, në traditën e shtetësisë në Kosovë.
Ibrahim Rugova është e vetmja figurë moderne e politikës shqiptare në përmasat e një figure evropiane, të një lideri evropian. Asnjë tjetër nuk i afrohet atij as tek nyjet e këmbëve. Bizantinizmi i tyre, prej episodikësh pa shpëtim, nuk i kundërvihet dot madhështisë evropiane të Ibrahim Rugovës. Dritëshkurtësia e tyre partiake nuk i kundërvihet dot vizionaritetit prej burrështetasii evropian të Ibrahim Rugovës, klientelizmi i tyre mafioz nuk i kundërvihet dot shpirtit të madh prej demokrati perëndimor të Ibrahim Rugovës.
Presidenti Ibrahim Rugova është për Kosovën siç është De Goli për Francën, siç janë Uinston Curçili dhe Margaret Theçeri për Britaninë, siç është Alçide De Gaspri për Italinë. Askush në Francë nuk mund ta nxjerrë nga kujtesa, ta shpërfillë De Golin. Aq më tepër, kjo nuk mund as të hamendësohet nga e djathta degoliste franceze. Asnjë britanik nuk mund ta bëjë këtë gjë me Curçillin apo Theçerin, aq më tepër konservatorizmi britanik nuk do t’ia falte vetes. Askush në Itali nuk mund ta heqë nga mendja De Gasprin, aq më tepër qendra e djathtë italiane.
Do të kishte qenë në nderin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, në nderin e qeverisë së Republikës së Kosovës, të kreut të shtetit që viti 2014 të ishte shpallur Viti i Rugovës. Përkimi i ditëlindjes së Presidentit në dhjetor e mundësonte që nga janari deri në fund të dhjetorit i gjithë viti të karakterizohej nga veprimtaritë përkujtimore, nderuese dhe vlerësuese ndaj Presidentit Ibrahim Rugova, në radhë të parë tek të gjithë bashkëqytetarët e tij shqiptarë të Kosovës.
2014 – Viti i Rugovës do të kishte qenë një vit frymëzues për rugovizmin kosovar dhe atë shqiptar në përgjithësi, por do të kishte qenë pikësëpari frymëzues e mobilizues për vetë Lidhjen Demokratike të Kosovës, që ajo të bëhej triumufuese e padiskutueshme në zgjedhjet e 8 qershorit.
Ky vit ka qenë viti më bosh politik në Kosovë, pothuaj i tillë ka qenë në mbarë hapësirën shqiptare, në krejt botën shqiptare.
Dritëshkurtësia e shterranëve, sklerotizmi i shterpanëve, shpirtligësia e bizantinëve, babëzia e mafiozëve këtu të çon.
Këto radhë mund të bëhen cytje në Prishtinë për të improvizuar diçka ashtu përngutshëm në 70 vjetorin e Presidentit Ibrahim Rugova. Kjo dhe asgjë në botë nuk i shpëton rrënuesit e veprës së Rugovës nga dënimi i historisë.
Ferhat Ymeri says
I nderuari Skender,
Faleminderit per kete shkrim te mrekullueshem.
Me beri te reflektoj per nje njeri, te cilin kam pasur fatin e lume ta takoje dhe njoh per se afermi, dhe i cili jeton i gjalle ne kujtesen time.
Ibrahim Rugova, vertet, ishte dhe eshte nje personaliet
autentik, i cili nuk do te harrohet kurre prej atyere qe i cmojne vlerat e mirefillta te civilizimit shqiptar, europian
e humanizmit universal boteror.
Eshte veshtire te jesh hero ne token e antiheronjve
(te sotem).
Eshte lehte, nderkaq, te jesh antihero ( i sotem) ne token
e heronjeve te djeshem e te perhershem, sic ishte Rugova e te tjere si ai.
Ai, sic kishte durim te pafund, mbase, me dhimbje i duron ata edhe pertej varrit, ne te pertejmen ku ben drite!
Mendoj se shprehja e T.S. Eliotit, mbi Uliksin e James Joyce-it, i pershtatet figures dhe vepres se Ibrahim Rugoves, e cila jeton si nje liber i hapur!
” Mendoj se ky liber eshte shprehja me e rendesishme e epokes moderne gjer me tash; (jo vetem ne Kosove, shenimi im F.Y.) eshte nje liber te cilit te gjithe i detyrohemi, dhe prej te cilit askerkush prej nesh nuk mund te shpetoj.” (T.S. Eliot, “Uliksi. Rend dhe mit”
Me nderime,
Ferhat Ymeri
Kent, Washington State
E hene, 1 dhjetor 2014
Fran Çukaj says
Do te shtojsha se Ibrahim Rugova , pa medyshje , do te meritonte te quhej edhe shqiptari me i madh i , se paku , ketyne 50 vjetve te fundit , dhe nder me te medhenjt e 100 vjetve te kaluem . Ai meriton nje vend te veçante ne historine e kombit tone .