Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit me të vetmen pikë në axhendë – Zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës e nisur mbrëmë vijoi e përfundoi sot/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI
PRISHTINË, 4 Prill 2021/ Presidente e re e Kosovës e sapozgjedhur sot në mbrëmje nga Kuvendi i Kosovës me 71 vota në raundin e tretë është Vjosa Osmani deputetja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje – më e votuara nga të gjithë kandidatët e të gjitha listave me 300 756 vota në zgjedhjet e parakohëshme parlamentare të 14 Shkurtit 2021. Ajo pak para orës 19:40 dha Betimin si Presidente e Kosovës që u pasua me Himnin Shtetëror dhe me fjalën e parë të Presidentes.
Për zgjedhjen në votimin e fshehtë duheshin së paku 80 vota pro në raundin e parë a të dytë e së paku 61 vota në raundin e tretë nga së paku 80 vota në kutinë e votimit.
Pas dy votimeve pa kuorum mbrëmjen e djeshme, sot në përsëritjen e votimit të raundit të parë në kuti ishin 81 vota – prej tyre pro Vjosa Osmanit ishin 69 e 12të pavlefshme, 0 vota për kundërkandidatin Nasuf Bejta.
Në raundin e dytë të votimit në kuti ishin 82 vota – prej tyre pro Vjosa Osmanit ishin 67 e 11 të pavlefshme, 4 vota për kundërkandidatin Nasuf Bejta.
Në raundin e tretë të votimit në kuti ishin 82 vota – prej tyre pro Vjosa Osmanit ishin 71 e 11 të pavlefshme, 0 vota për kundërkandidatin Nasuf Bejta.
Vjosa Osmani është Presidentja e gjashtë e Kosovës. I pari ishte Presidenti historik Ibrahim Rugova, pas tij Fatmir Sejdiu, pastaj Behgjet Pacolli që qëndroi vetëm rreth një muaj në këtë post, Atifete Jahjaga dhe Hashim Thaçi.
Kuvendi i Republikës së Kosovës, nën drejtimin e kryeparlamentarit Glauk Konjufca, me kërkesë të 41 deputetëve, ka nisur të shtunën e djeshme në mbrëmje seancë të jashtëzakonshme me të vetmen pikë në axhendë – Zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës.
Punimet e seancës së jashtëzakonshme u hapën me konstatimin e kourumit, përkatëzisht prezencën e 84 deputetëve të pranishëm në sallë, të mjaftueshëm për të vijuar seancën për zgjedhjen e presidentit të Republikës së Kosovës.
Në garën për president janë prezantuar dy kandidatë: Vjosa Osmani-Sadriu dhe Nasuf Bejta.
Prezantimin e kandidates për president, Vjosa Osmani-Sadriu, e ka bërë deputetja e Lëvizjes Vetëvendose, Mimoza Kusari-Lila, ndërsa të kandidatit Nasuf Bejta, deputeti i VV-së Haxhi Avdyli.
Këto dy propozime janë hedhur në votim ku për propozimet kanë votuar 66 deputetë, ndërsa sipas procedurës më pas është mbledhur Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, për të verifikuar nëse kandidatët i plotësojnë kushtet për president të vendit.
Në Komision është vlerësuar se të dy kandidatët i plotësojnë dispozitat kushtetuese për kandidat për president. Raportin para deputetëve e ka prezantuar kryetari i Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, Adnan Rrustemi.
Pas kësaj procedure, kryetari Konjufca kërkoi nga përfaqësuesit e grupeve parlamentare që të japin mendimet e tyre në seancë. Kryetarja e GP të VV-së Mimoza Kusari-Lila propozoi që të fillojnë me votimin për kandidatët për president. Ndërsa në emër të Partisë Demokratike të Kosovës, deputeti Enver Hoxhaj, dha mendimin e tij në lidhje me zgjedhjen e presidentit.
Ai tha se për këtë proces të rëndësishëm për vendin parashihet të ketë një proces të dialogut dhe të arrihet një kompromis i gjerë me qëllim që presidenti që zgjidhet të jetë sa më konsesual dhe sa më përfaqësues. Hoxhaj tha se PDK nuk e voton kandidaten Vjosa Osmani për presidente të vendit e as nuk rri në sallë.
Grupet e tjera parlamentare nuk janë deklaruar, përveç Grupit Multietnik. Nga ky grup deputeti Enis Kervan deklaroi se mbështesin procesin e zgjedhjes së presidentit.
Më pas ka filluar votimi i fshehtë, në të cilin, herën e parë në votim kanë marrë pjesë 78 deputetë, numër ky i pamjaftueshëm për të përfunduar raundi i parë për zgjedhjen e presidentit.
Në përsëritjen e raundit të parë të votimit kanë marrë pjesë vetëm 79 deputetë, numër ky serish i pamjaftueshëm për përmbylljen e këtij raundi të votimit.
Pas dy tentimeve, kryetari Konjufca ka propozuar një pauzë për t’u konsultuar lidhur me procesin e mëtejmë të votimit. Pas rifillimit të seancës, kryetari Konjufca konstatoi se nuk ka kourum të mjaftueshëm për të vazhduar seanca.
Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës ndërpreu punimet të shtunën e djeshme para mesnate për të vazhduar, si u paralajmërua nga kryeparlamentari, sot në 4 prill në orën 17:00.
Vijimi i seancës sot nisi me pak më shumë se gjysëm ore vonesë me 83 deputetë të pranishëm në sallën e Kuvendit 120 anëtarësh. Pak pas fillimit të vijimit të seancës u njoftua nga kryetari i Kuvendit se në sallë ishin 84 deputetë.