Diaspora për Shqipërinë e Lirë
Diaspora për Shqipërinë e Lirë përshëndet deklaratën e përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtar në Shqipëri si një hap të rëndësishëm për mundësimin e votimit nga jashtë vendit.
Deklarata e z. Vincenzo Del Monaco ku shprehet inkurajimi i OSCE Presence in Albania që Shqipëria të mundësojë votimin nga jashtë vendit, siç përcaktohet në Kushtetutë” dhe gatishmëria e OSBE-së të japi ndihmën e saj, është inkurajuese. Po ashtu, edhe angazhimi i ambasadës amerikane është i mirëpritur.
Këto deklarata duhet të ndiqen me hapa konkrete si nga klasa politike shqiptare ashtu edhe nga faktori ndërkombëtar. Në këtë kontekst, rikujtojmë se Lëvizja deklarohet kategorikisht kundër krijimit të një zone zgjedhore të 13-të, me 5 deputetë të rezervuar për diasporën, si një propozim i cili dobëson peshën e votës së diasporës dhe tjetërson vullnetin politik të mbi 1.4 milion shqiptarëve që jetojnë jashtë Shqipërisë.
Diaspora për Shqipërinë e Lirë do të vazhdojë të angazhohet në maksimum për të dhënë kontributin e saj të patjetërsueshëm për këtë premtim që u kemi bërë bashkëatdhetarëve tanë anembanë botës.