Marrëveshja e parë për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë ka qenë temë debati në një nënkomision të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan.
Të pranishmit kanë vlerësuar marrëveshjen, por po ashtu kanë shprehur shqetësime për efektivitetin dhe zbatimin e saj.
Përfaqësuesi i Departamentit të Shtetit, Jonathan Moore, i ftuar në këtë seancë, e ka cilësuar atë si arritje të rëndësishme.
“Qeveritë e Kosovës dhe të Serbisë kanë arritur një marrëveshje të rëndësishme të premten e kaluar përmes dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Ky zhvillim ka ndodhur pas disa vitesh të angazhimit amerikan dhe të partnerëve evropianë”, ka thënë Moore, duke i bërë thirrje si Prishtinës, ashtu edhe Beogradit që të angazhohen në zbatimin e marrëveshjes.
Moore, i cili është drejtor për Çështjet e Evropës Jugore dhe Qendrore në Departamentin e Shtetit, ka thënë se marrëveshja përfshin zgjidhje të qëndrueshme për veriun e Kosovës “brenda kuadrit ligjor dhe institucional të Kosovës”.
Ai ka theksuar se ndryshimi i kufijve në bazë të ndarjeve etnike, nuk vjen në konsiderim. Komenti ishte reagim ndaj qëndrimit të kryetarit të nënkomisionit për Evropën dhe Euro-Azinë, Dana Rohrabacher. Ky i fundit, në mënyrë të përsëritur, ka folur për këmbimin e veriut të Kosovës me Luginën e Preshevës.
“Sovraniteti i autoriteteve kosovare është një fasadë, një iluzion që në të ardhmen do t’i dëmtojë të dyja palët. Thelbi i sovranitetit është kontrolli i forcave të sigurisë. Marrëveshja e vendos personelin e sigurisë dhe e rendit nën komandën e Kosovës, por, megjithatë, komandanti rajonal i veriut do të jetë një serb vendas, i emëruar nga Qeveria e Kosovës, i zgjedhur nga një listë e paraqitur nga kryebashkiakë serbë”, ka thënë Rohrabacher, njëherësh drejtues i seancës.
Kongresisti Elliott Engel, në anën tjetër, ka thënë se marrëveshja rikonfirmon edhe një herë pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës. Ai ka uruar kryeministrat Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq për arritjen e kompromisit.
“E pëlqej marrëveshjen, sepse ofron potencial për shpresë dhe paqe në Ballkan… Në negociata nuk mund të merrni gjithçka që doni. Merrni atë që keni nevojë, ashtu si edhe pala tjetër. Nëse keni marrëveshje, atëherë lëvizni përpara. Mendoj se kryeministri Thaçi ka pasur presion dhe ka kaluar testin – ka qenë shumë inkuarjues në arritjen e marrëveshjes. Të njëjtën e mendoj edhe për kryeministrin Daçiq”.
“Bashkimi Evropian po i ofron tani Serbisë datë për negociatat e anëtarësimit. BE duhet t’i ofrojë edhe Kosovës atë që kanë edhe vendet e tjera të Ballkanit: një rrugë të qartë dhe transparente për anëtarësim”, ka thënë Engel.
Ai po ashtu është shprehur kundër idesë së lëvizjes së kufijve.
Marrëveshja është vlerësuar edhe nga analisti Daniel Serwer, por ai ka kërkuar edhe hapa të tjerë.
“Beogradi dhe Prishtina kanë bërë një hap të rëndësishëm për normalizimin e marrëdhënieve, por duhet të bëjnë më shumë, përfshirë njohjen eventuale dhe shkëmbimin e ambasadorëve. Nëse kjo nuk ndodh, asnjëra nuk do të mund të anëtarësohet në BE”, ka thënë Serwer.
Edhe analisti nga Universiteti Johns Hopkins ka kundërshtuar shkëmbimin e territoreve, duke thënë se një gjë e tillë do të sillte jostabilitet në Bosnjë, Maqedoni dhe Serbi.
Ndërkaq, Shirley Cloyes DioGuardi, këshilltare për Ballkanin e Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane, ka thënë se marrëveshja është një rregullim i përkohshëm. Sipas saj, ajo nuk do të sjellë paqe dhe stabilitet afatgjatë në rajon.
“Kjo do të ndodhë vetëm kur Serbia të njohë sovranitetin e Kosovës dhe anëtarësimin e saj në institucionet ndërkonbëtare, kur t’i japë të drejta të barabarta shqiptarëve në Luginën e Preshevës – që të jenë të barabarta me të drejtat që gëzojnë serbët në Kosovë – si dhe kur të heqë dorë nga strukturat paralele në veri të Kosovës”, ka thënë DioGuardi.
Roland Gjoni, ish-këshilltar i lartë ligjor në Iniciativën për Komuna Efektive në Kosovë, ka thënë se Prishtina ka shkuar përtej Planit Ahtisaari me marrëveshjen e arritur, pasi ka lejuar katër komunat veriore të kenë komandant policor për rajonin dhe panel të ndarë të gjykatësve.
Pa njohje të Kosovës, kjo e fundit do të mbetet jofunksionale dhe Serbia do të vazhdojë të pretendojë pronësinë e saj, ka thënë në anën tjetër Robert Churcher, ish-drejtor në Grupin Ndërkombëtar të Krizave.
Kryeminisrat Thaçi dhe Daçiq kanë arritur marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve më 19 prill, në Bruksel.