Ph.D Dritan Demiraj, “Nderi i Kombit” dhe “Mjeshtër i Madh”, anëtar i Këshillit të Vatrës, sjell para lexuesit librin e tij më të ri “Xhihadi në Ballkanin Perëndimor”. Në një rrëfim për ‟Dielli”-n e “Vatrës” New York, dhënë gazetarit Sokol Paja, Ph.D Dritan Demiraj deklaron se libri është një analizë dhe vlerësim objektiv i gjendjes së radikalizmit religjioz, posaçërisht radikalizmit Islamik ndër shqiptarët dhe boshnjakët në rajonin e Ballkanit Perëndimor, rrjeteve të terrorizmit, shtrirjes së tyre, shkaqeve, rreziqeve, kërcënimeve dhe strategjive që duhen ndërmarrë për t’u përballur me sukses kundër tyre.
EFEKTET E TERRORIZMIT
Terrorizmi nuk është një krijim i kohëve të fundit, megjithatë është gjithashtu e pamohueshme se terrorizmi aktual paraqet sfida të reja dhe të veçanta për shoqërinë tonë. Efektet e terrorizmit të viteve të fundit janë transformuar dhe do të vazhdojnë të ndikojnë në mënyrën se si do të jetojmë për dekada, apo ndofta dhe për shekuj në vijim. Qëllimi për të përgatitur këtë botim, është analiza e hollësishme dhe krijimi i një burimi lehtësisht të arritshëm, praktik dhe akademik për një temë me rëndësi të madhe për strukturat e sigurisë, jo vetëm në Shqipëri por në të gjithë botën. Siguria është një parakusht absolut për zhvillimin ekonomik dhe demokratizimin e çdo shteti dhe shoqërie. Natyrisht, ambienti i kërcënimit të sotëm është tipik me kompleksitetin dhe diversitetin e tij. Studimet më ambicioze dhe të vlefshme kanë “përqafuar” kompleksitetin e terrorizmit dhe jo duke u larguar prej tij. Ne duhet të përpiqemi dhe të arrijmë deri në atë pikë, ku terrorizmi nuk duhet të dominojë diskursin publik dhe të shkaktoj frikë në mbarë botën.
GJENDJA E RADIKALIZMIT NË VENDET E BALLKANIT PERËNDIMOR
Libri zbulon në kapitullin e parë gjendjen e radikalizmit, strukturës rekrutuese e organizative të ngritur në vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Bosnje-Hercegovinë, Serbi dhe Malin e Zi, pra kryesisht në vendet ku dominon popullsia Myslimane ose ku ka popullsi të tillë. Qëllimi final i tyre është realizimi i një vizioni të çmendur për krijimin e një Kalifati Islamik mbarëbotëror. Kapitulli vazhdon me rrënjët e ideve ekstremiste në botë, me përhapjen e ideve konservatore fetare dhe faktorëve që nxisin radikalizmin në vendet e Ballkanit Perëndimor. Libri në kapitullin e dytë flet për sistemin politik të Islamit, dhunën, terrorizmin dhe xhihadin në vështrimin Islam, natyrën e xhihadit dhe 13 llojet e tij. Metodologjinë e radikalizmit të AQ dhe të ISIS-it. Në kapitullin e tretë jam përqëndruar të paraqes një historik të shkurtër se si u krijua Shteti Islamik (ISIS/ISIL) në Irak nga pushtimi amerikan në vitin 2003 dhe më pas zhvendosja dhe zgjerimi i tij në konfliktin Sirian në vitin 2011-2019. Më pas shqyrtohen me hollësi 16 komandat rajonale në Siri dhe Irak, struktura e komandim-kontrollit dhe drejtuesit më të lartë politikë dhe ushtarakë të saj, rrugët e inflitrimit të luftëtarëve të huaj nga e gjithë bota në Siri, Irak dhe grupet kryesore që janë përfshirë në Xhihadin Sirian. Në kapitullin e katërt përshkruhet historiku i futjes së fesë Islame në Shqipëri. Identiteti Islam i Shqiptarëve, si një proces i natyrshëm dhe shumëfaktorial. Shqipëria i vetmi vend ateist në botë, Kosova dhe Maqedonia e Veriut nën drejtimin e Marshallit Titos. Në kapitullin e pestë flitet për historikun e fillimit të xhihadit në Ballkan. Instrumentet që kanë lehtësuar ekstremizmin e dhunshëm në Bosnjë Hercegovinë, Shqipëri, Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut. Si mund të rehabilitohen dhe riintegrohen luftëtarët e huaj në shoqëritë tona. Kapitulli i gjashtë jep të dhëna empirike që lidhen me angazhimin e luftëtarëve të huaj shqiptarë në xhihadin ndërkombëtar dhe në mënyrë të veçantë në Siri dhe Irak. Për këtë janë shfrytëzuar të dhëna të hapura nga institucionet shqiptare, kosovare, maqedonase dhe boshnjake të sigurisë, por njëkohësisht dhe nga mediat, gazetat, websitet, librat dhe agjensitë më me emër të sigurisë në botë (asnjë informacion nuk është marrë nga informacionet sekrete ose të kufizuara).
RREZIKU NGA LUFTËTARËT E HUAJ
Së fundi po jo nga rëndësia flitet për rrezikun nga luftëtarët e huaj. Si duhet të veprojmë me të “kthyerit”? Strategjia dhe planifikimi i qeverisë Shqiptare për luftën kundër terrorizmit. Identifikimi dhe parandalimi i terrorizmit. Shkëmbimi i informacionit ndërmjet agjensive. Aktivitetet parandaluese, zbulimi dhe parandalimi i terroristëve dhe hapësirët e pasigurta në Europë dhe sigurimi i këtyre hapësirave.
VEPRIMTARIA ANTISHQIPTARE
Dëshiroj që të theksoj dhe diçka që unë gjykoj se është shumë e rëndësishme për ta denoncuar publikisht, majde me zë të lartë. Tashmë nuk është e fshehtë veprimtaria antishqiptare që ka filluar dekada më parë nga “misionarët” e Serbisë, Rusisë dhe institucionet e tyre zyrtare që i mbështesin në prapavijë. Misioni i tyre është i qartë, paraqitja e Kosovës por edhe e të gjithë shqiptarëve në përgjithësi si terroristë, ekstremistë dhe radikalë Islamikë, të cilët nuk kanë vend në Kosovë, madje më gjërë në Ballkan dhe Europë. Në këtë libër janë denoncuar disa dokumenta sekrete të Serbisë, të cilat shpalosin skenarët se si Serbia synon që ta rikthejë Kosovën në një vend që të krahasohet dhe identifikohet me qytetet e prapambetura, ku aplikohet ekstremizmi dhe radikalizmi Islamik. Në këto dokumente tregohet se përmes ndërtimit të xhamive dhe medreseve nga ambasadat e shteteve Islame në Kosovë, kërkohet të krijohet një atmosferë në të cilën njerëzit do ta ndiejnë veten sikur jetojnë në një vend të huaj, ku për 20 vitet e ardhshme një pjesë e Kosovës duhet të duket si qyteti i varfër i Afganistanit, Kandahari. Kur kjo të arrihet, Serbia do t’i ketë duart e lira të përsërisë aksionin e depërtimit të shqiptarëve për në Turqi, kësaj radhe jo me forcë, por nën drejtimin e udhëheqësve fetarë, duke premtuar kushte të mira punësimi dhe emigrimi atje. Për të realizuar këtë “mision” Serbia e ka marrë dritën jeshile edhe nga shteti turk. Krahas operativëve bashkëpunëtorë (tradhtarëve dhe spiunëve shqiptarë të Serbisë) një ndihmesë të madhe do të japin njerëzit e tyre nga Maqedonia e Veriut, Bosnja e Sanxhaku, konkretisht romët, ciganët, goranët, tërbeshët, të cilët janë të gatshëm të bashkëpunojnë me ta. Udhëheqësit e Bashkësisë Islame në Serbi, Maqedoninë e Veriut, Kosovë dhe Bosnje janë nën kontrollin tonë (serbëve) dhe punojnë për të përfshirë në këtë projekt antishqiptar me shumë njerëz, të cilët janë autoritarë dhe me ndikim në mjediset shqiptare, përfshirë këtu nga fusha e sportit, muzika, mediat dhe politika. Në disa parti të rëndësishme shqiptare kemi njerëz të cilët punojnë fuqishëm për ne (serbët) dhe mbështesin fenë Islame, duke bashkëpunuar me udhëheqësit vendor, të cilët po përhapin Islamin në pjesët ku nuk ka patur kurrë xhami dhe ndjesi për fenë Islame.
DIPLOMACIA RUSE NË VAZHDIMËSI TË POLITIKËS ANTISHQIPTARE
Në këtë linjë vazhdon dhe diplomacia ruse e cila kohët e fundit ka dal haptazi. Në vazhdimësi të politikës antishqiptare, diplomacia ruse në datën 4 shtator 2019 nëpërmjet zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme të Rusisë, znj. Maria Zaharova, deklaroi se diplomacia ruse ka identifikuar si një rrezik të madh që i kërcënohet në të ardhmen e afërt Ballkanit dhe Europës nga terroristët shqiptarë. Konkretisht ajo deklaroi si shqetësim ndërkombëtar se: “Në vëmendjen tonë Kosova vazhdon të jetë një kështjellë e terrorizmit. Shqiptarët kosovarë të rekrutuar dhe të stërvitur tek ISIS-i, po kthehen në rajon nga zonat e luftës. Ata e dinë ku po kthehen. Kjo përbën një gropë të zezë, ata mendojnë se mund të ripërtërihen dhe pastaj të përdorin forcën në një rajon tjetër. Kjo çështje krijon rreziqe të dukshme sigurie në Ballkan dhe në Europë”. Alarmet e kohëve të fundit antishqiptare të diplomacisë ruse për të ashtuquajturin “rrezik terrorist shqiptar”, janë hiperbola të dizinformacionit klasik rus. Padyshim që kjo propagandë është e pabesueshme për dy arsye. Së pari: Rusia në datën 24 gusht 2014 filloi pushtimin e Ukrainës, duke shkaktuar deri më sot 4266 të vrarë. Këto deklarata vijnë nga një shtet që ka pushtuar me forcë një vend fqinj, duke ndezur luftën separatiste për shkëputjen e Ukrainës Lindore dhe duke mbështetur me njësi speciale, armë, financime dhe mbështetje inteligjence mercenarët separatistë rusë. Konkretisht “Grupi Wagner”, që mbështetet nga Presidenti Putin dhe që drejtohet nga Kolonel Dmitri Utkin, i cili përbëhet nga oficerë elitë të ish forcave speciale ruse, ka marrë pjesë aktive në luftimet në Donbass dhe në Donetsk në Ukrainë. Mercenarët e “Grupit Wagner” janë aktivizuar dhe vazhdojnë të operojnë nën mbështetjen e shtetit dhe shërbimeve inteligjente ruse në Siri (2015-2019), në Ukrainë (2014-2019), Sudanin e Jugut, Libi, Madagaskar, etj dhe së fundi në Venezuelë në mbështetje të presidentit Maduro me rreth 400 mercenarë. Së dyti: Rusia është një nga shtetet që renditet në vendet e para sa i përket “kontributit” në furnizimin me rreth 6000 luftëtarë të huaj xhihadistë që kanë luftuar për ISIS-in. Në mënyrë të turpshme, zëdhënësja e MPJ ruse, znj. Zaharova mundohet të krijojë shqetësime të pavërteta në Europë, duke deklaruar shifrën e pasaktë të kthimit në Kosovë të 250 luftëtarëve shqiptarë nga Siria. Ministria e Jashtme ruse ngre alarmin ndërkombëtar për gjoja rrezikun ballkanik dhe europian nga “250 ish luftëtarët shqiptarë në Siri”, por ndërkohë hesht për mijëra luftëtarët e ISIS-it, shtetas rus të cilët kanë qënë nga ana cilësore dhe janë konsideruar si “elita” e luftëtarëve të ISIS-it. Të mos harrojmë që ministrat e mbrojtjes së ISIS-it kanë qënë shtetasit Tarkhan Tayumurazovich Batirashvili ose ndryshe a.k.a. Omar al-Shishani, “Omar Çeçeni” dhe Koloneli Gulmurad Khalimov, ish komandanti i Forcave Speciale të Taxhikistanit”. Omar al-Shishani ka qënë drejtuesi më i lartë ushtarak në Siri dhe më pas u bë ministri i Luftës i ISIS-it, por në të njëjtën kohë ai ishte dhe anëtar i lartë i Këshillit të Shuras. Ai njihej në Siri dhe Irak si “mjeshtri i taktikave” dhe kishte nën komandën e tij më shumë se 1500 luftëtarë çeçenë, shtetas rusë. Kjo njësi, ka qënë njësia më e suksesshme e ISIS-it në betejat vendimtare në Siri dhe Irak, të cilët konsideroheshin nga propaganda xhihadiste si luftëtarët më brutalë në këtë konflikt.
TË DHËNAT E QENDRËS STUDIMORE PËR RADIKALIZMIN
Sipas të dhënave të Qendrës Studimore për Radikalizmin ICSR në vitin 2018 Rusia kishte rreth 5007 shtetas të saj si luftëtarë të huaj në organizatën terroriste ISIS në Siri dhe Irak. Ndërkohë në datën 12 korrik 2019, në Shqipëri policia shqiptare arrestoi terroristin rus të ISIS-it Rasul Miklaevi, i cili mbërriti në Shqipëri në verën e vitit 2018 së bashku me një grup emigrantësh që vinin nga lufta, ndërkohë zëdhënësja e MPJ të Rusisë znj. Zaharova nuk e përmendi këtë sukses të agjensive shqiptare të inteligjencës? Pse? A mos vallë 5000 e ca terroristët rus të ISIS-it, të cilët kanë qënë më aktivët në konfliktin në Irak dhe Siri janë më të parrezikshëm se rreth 143 luftëtarët e huaj shqiptarë (43 nga Kosova, 45 nga Maqedonia e Veriut, 23 nga Shqipëria, 21 nga Serbia dhe 10 nga Mali i Zi) të cilët vazhdojnë të qëndrojnë në zonat e konfliktit? Kjo është pyetja që autoritet zyrtare të MPJ të Shqipërisë duhet t’i bëjnë MPJ të Rusisë? Mendoj që është e rëndësishme të theksojmë se numri 250 i luftëtarëve të huaj shqiptarë i deklaruar nga znj. Zaharova nuk është aspak i vërtetë, por vetëm pjesë e propagandës antishqiptare, që bëhet në kontinentin e vjetër me qëllim identifikimin e Shqiptarëve si xhihadistë. Pse nuk flet Ministria e Jashtme ruse për “Ushtrinë kozake të Ballkanit”, që shërbimet sekrete ruse krijuan në muajin shtator të vitit 2016 në Kotorr të Malit të Zi, të përbërë nga mercenarë dhe vullnetarë ortodoksë rusë, serbë, ukrainas, malazezë dhe maqedonas, të cilët kanë luftuar në Bosnje, Kosovë, Ukrainë e deri në Nagornij Karabak dhe që morën pjesë aktive në prishjen e zgjedhjeve në Malin e Zi, Bosnje & Hercegovinë dhe në Maqedoninë e Veriut. Padyshim që është e kuptueshme se përse diplomacia ruse ka nevojë të shpikë, të bëjë zhurmë dhe të ngrejë alarme të rreme për një rrezik imagjinar të terrorizmit shqiptar.
RREZIKU I TERRORISTËVE SHQIPTARË
Së bashku me disa kolegë të agjensive të sigurisë, forcave të armatosura në Shqipëri, Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut, kemi publikuar vazhdimisht fakte dhe analiza në lidhje financimet e vazhdueshme të Serbisë, Rusisë, etj të cilët financojnë qendra, institute apo OJQ të ndryshme studimore shqiptare, të cilat rregullisht publikojnë shifra për rreziqe dhe kërcënime të rreme nga “rreziku i terroristëve shqiptarë”. Ofensiva e re e diplomacisë ruse për të ashtuquajturin “rrezik terrorist shqiptar” është vetëm në funksion të strategjisë ruse për të turbulluar situatat dhe për të zgjeruar mundësitë e ndërhyrjes ose përfshirjes më aktive të shërbimeve të saj inteligjente në Ballkan. Kjo luftë është pjesë e luftës hibride që Moska ka filluar në rajon pas agresionit të saj në Ukrainë dhe jo vetëm, ku padyshim që objektivi kryesor i diplomacisë dhe i strategjisë së shtetit rus në Ballkan mbeten shqiptarët dhe kombi shqiptar, pasi ata janë Kombi më proamerikan në glob. Pikërisht një nga arsyet e botimit të këtij libri, është denoncimi i kësaj propagande antishqiptare, krejtësisht e pavërtetë, e cila ka si qëllim ndalimin e proceseve demokratike të qeverisë së Kosovës dhe pengimin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
NJË STRATEGJI AFATGJATË DHE E INTEGRUAR NDËRINSTITUCIONALE
Mbetem me shpresë që ky libër të kontribojë dhe ofrojë një analizë sa më të hollësishme në perceptimin e terrorizmit si dhe në kuptimin e rreziqeve dhe kërcënimeve të këtij fenomeni, pasojat e të cilit nuk janë shumë larg. Lufta kundër terrorizmit do të ishte produktive nëse politikëbërësit do të merrnin parasysh këshillat e ekspertëve, të cilët janë marrë me studimin, drejtimin dhe pjesëmarrjen aktive në operacione speciale dhe inteligjence në zona të ndryshme të botës, atje ku terrorizmi shfaqet në formën e grupeve dhe organizatave të fuqishme terroriste, duke ushtruar terror mbi pushtetin politik dhe popullatat e këtyre shteteve (Siri, Egjipt, Irak, Pakistan, Afganistan, Jemen, Libi, Nigeri, Somali, Jordani, Marok, Algjeri, Mali, Çad, etj). Si përfundim, studimet dhe analizat e paraqitura në këtë libër na çojnë në një konkluzion të vetëm: duhet miratuar sa më shpejt një strategji afatgjatë dhe e integruar ndërinstitucionale, për arritjen e objektivave të mbrojtjes dhe të sigurisë së vendit në Luftën Kundër Terrorizmit (LKT). Nëse nuk mësojmë nga dështimet, katastrofat humane e sociale të shoqërive e shteteve të cilat krijuan hapësira veprimi për organizatat terroriste si dhe të shteteve perëndimore të cilat janë sulmuar në mënyrë tinzare nga këto organizata, do të jemi të destinuar të përsërisim gabimet e të tjerëve dhe në të ardhmen do të vuajmë pasojat. Padyshim një rol të jashtëzakonshëm në luftën kundër radikalizmit dhe ekstremizmit Islamik ka Qëndra për Studime të Sigurisë në Kosovë (KCSS) e drejtuar nga z. Shpend Kursani, të cilën e vlerësoj pa masë. Kjo qendër për një kohë të gjatë njihet dhe vlerësohet ndëkombëtarisht për studimet, analizat dhe publikimet në lidhje me ekstremizmin, radikalizmin dhe luftën kundër këtij fenomeni të përhapur në Ballkanin Perëndimor. Në të njëjtën kohë një falënderim dhe vlerësim të veçantë do të dëshiroja ta bëja edhe për z. Adrian Shtuni, ekspert dhe botues i nivelit të lartë për çështje të sigurisë dhe mbrojtjes në Washington D.C. Ngelem me shumë dashamirësi në pritje të sugjerimeve, vërejtjeve, këshillave, me qëllim përmirësimin e punës në botimet e tjera.