Avokati shqiptar Ylber Dauti fiton një çështje gjygjsore që tërheq vëmendjen e shtypit amerikan. Klienti i tij shqiptar, i aksidentuar një vit pasi kishte marrë deportim nga emigracioni, fiton një shumë prej 1 milion e 680 mijë dollarë/
Nga Dalip Greca/
Ne Foto: Avokati Ylber Dauti në zyrën e tij në katin e 28 në 233 Broadway në Nju Jork./
Çështja ka bërë bujë dhe është lakuar gjatë në mjediset e gjykatave njujorkeze dhe në shtypin amerikan. Gazeta “New York Law Journal” në numërin e saj të 18 qershorit 2009, e kishte klasifikuar si çështjen më të veçantë atë që kishte mbrojtë avokati shqiptar Ylber Dauti përballë Jurisë dhe gjyqtarit Massaro. Shkrimi që trajtonte gjyqin trejavor, ku personazhe ishin dy shqiptarë, paditësi, që po e shënojmë vetëm me incialet MJ, (me kërkesën e tij) dhe avokatit mbrojtës Ylber Dauti, ishte botuar në faqen e parë të gazetës, shoqëruar me një fotografi të gjyqtarit Massaro dhe me vijim në Faqen e dytë, ku opinioni i avokatit zinte vend qendror.
“NewYork Law Journal” është gazeta më me reputacion në Amerikë në fushën e ligjeve. Për shkak të natyrës së veçantë të çështjes gjyqsore, për shkak të verdiktit të Jurisë për një shumë të madhe dëmshpërblimi (1 milion e 680 mijë dollar), për shkak të vendimit unik që mori gjykata, për herë të parë në historinë e Gjykatave të Nju Jork-ut dhe që mund të shërbejë edhe për ndryshimin e ligjit me kalimin e kohës, ka botuar vendimin e plotë të gjykatës në gazetën e datës 19 qershor 2009.
Gazetari që ka shkruar artikullin (Daniel Wise) është nga gazetarët me përvojë të gjatë dhe me reputacion në gazetë. Nga të gjithë avokatët që ishin përfshirë në këtë çështje të vështirë, ai ka zgjedhur opinionin e Dautit për lexuesit e gazetës.Madje gazetari sjell edhe një kritikë të avokatit shqiptar ndaj një aspekti të vendimit të gjykatësit. Konkretisht Dauti dhe gjykatësi kishin një ndryshim opinioni përsa i përket interpretimit të ligjit, që ishte vendosur nga Gjykata në vitin 2006, që kishte përqasje me çështjen që gjykohej atë kohë. Në fakt çështja që vihej në referencë nuk bënte fjalë për urdhër deportimi, por për një person të punësuar në të zezë. Dauti kërkoi që Juria duhej të përcaktonte jo vetëm dëmshpërblimin për të ardhurat për shkak të paaftësisë për t’u rikthyer në punë, por njëkohësisht edhe dëmshpërblimin për shpenzimet mjekësore. Gjykatësi vendosi që dhe shpenzimet mjeksore t’i fuste në shumën e përcaktuar nga Juria, ndërsa Dauti debatoi duke kërkuar që këto shpenzime të ishin plus. Gazeta i ka dhënë hapësirë interpretimit të avokatit shqiptar, i cili e cilësoi të gabuar vendimin e gjykatësit për aspektin e shpenzimeve mjeksore.
Çështja e bujshme që mbrojti avokati shqiptar u bë ogjekt edhe në gazetën e qytetit të Nju Jork-ut, “Gotham Gazzete”, e cila me 29 qershor 2009 botoi shkrimin me titull ”Intrigë politike në një gjyq civil”. Autorja e shkrimit, Emily Goddman, e cila është gjyqtare e Gjykatës së Lartë të Nju Jork-ut, që ndodhet në Manhattan, ka sjellë në faqet e gazetës opinionin e saj për çështjen gjyqsore, dhe në dy paragrafë të shkrimit citon avokatin shqiptar Ylber Dauti, duke vlerësuar profesionalizmin e tij.
Historia e emigrantit nga Kosova
Emigranti shqiptar kishte vendosur të provonte ëndrrën amerikane pasi jeta në Kosovë i ishte bërë e pamundur. Ai e pat përjetuar dhimbshëm tragjedinë e shkaktuar nga serbët që patën okupuar Kosovën dhe kishte humbur babanë, i cili kishte vdekur ndër masakra në kohën e luftës, ndërsa ai vetë pat kaluar në Shqipëri. Kur NATO mori në mbrojtje Kosovën pas bombardimeve, shqiptari i Kosovës u kthye në vendlindje, por për shkak të aktivitetit të tij politik, ai sërish pati probleme.
MJ kishte marrë rrugën për këtej oqeanit në vitin 2003, pa pasur një mundësi ligjore që të vinte këtu me dokumente të rregullta.
Me një pasaportë fallso ai ia kishte dalë që të mbërrinte në SHBA. E vetmja rrugë që të pajisej me dokumente të rregullta ishte kërkimi i azilit politik, por Gjykata e Emigracionit ia refuzoi dhe i dha atij urdhër deportimi. Shqiptari, si shumë të tjerë nuk iu bind urdhërit me shpresë se koha do të bënte të vetën. Pikërisht, një vit pasi kishte marrë urdhërin për të ikur nga Amerika, ai aksidentohet në punë dhe pëson lëndime të rënda fizike që e kthejnë në invalid.
Betejë e ashpër mes avokatëve
Avokati Ylber Dauti, ishte ndër të paktët që i kishte afruar ndihmë përmes firmës së tij ”The Dauti Law Firm, Inc” shqiptarit të dëmtuar. Aspektet e çështjes ishin delikate dhe avokatët e patën refuzuar asistencën e tyre. Pala kundërshtare në gjyq pretendonte se niveli i dëmshpërblimit që duhej të merrte shqiptari në këtë rast duhej të kufizohej në mënyrë automatike për shkak të statusit të emigracionit. Avokatët e palës së paditur e kishin ndërtuar strategjinë e tyre me rrëzimin automatik të padisë sepse paditësi nuk kishte status qëndrimi në SHBA, jo vetëm kaq por ai kishte marrë edhe një deportim, para se të aksidentohej.
Duke qenë se aplikimet e shqiptarit për azil politik nuk janë vendosur ende nga gjykata,(ai sërish e ankimoi çështjen pas aksidentit dhe Gjykata e Apelit e riktheu për shqyrtim) problemi mbetej ende i komplikuar. Për shkak të kësaj, pala tjetër insistonte që ky individ, edhe nëse dëmshpërblehej(ata i patën afruar vetëm 25 mijë dollarë) nuk duhej ta gëzonte të drejtën e dëmshpërblimit mbi bazën e kostos së jetesës në SHBA. Arsyetimi i tyre bazohej në mundësinë që ekzistonte për humbjen e kërkesës për statusin e azilit politik. Në këto kushte, argumentonin ata, ai do të detyrohej që të kthehej në vendin e tij, në Kosovës, ku standardet e jetesës kanë kosto tepër më të ulët se në SHBA. Avokati i palës së paditur këmbënguli që t’i bllokohej shqiptarit “mashtrues” e drejta e dëmshpërblimit sepse ai nga dita në ditë mund të merrte vendimin përfundimtar të emigracionit që të kthehej në vendlindje.
Mbrojtja e avokatit Ylber Dauti, qe shumë bindëse, e ndërtuar me argumente juridike e njerëzore, duke i lënë hapësirë humanizmit.Ai e orientoi mbrojtjen në të drejtën ligjore të klientit të tij për të përfituar shpërblim sipas kostos të standarteve të jetës në Amerikë sepse këtu ishte aksidentuar. Klientit të tij, nuk kishte arsye që t’i bllokohej në mënyrë automatike e drejta e dëmshpërblimit për shkak të statusit të pavendosur të emigracionit. Duhej të ishte Juria ajo që të vendoste nëse shpërblimi do të bëhej mbi standartet amerikane apo ato të Kosovës!
Gjykata arriti në përfundim se kërkesa e avokatit shqiptar ishte e drejtë. Kjo ndodhte për herë të parë, ç’ka dikton ndryshimin e ligjit në shtetin e Nju Jork-ut për raste të ngjashme. Vendimet e më parshme për ndodhi të përafërta kishin qenë të pafavorshme për klientët.
Paditës që kanë qenë në të njëjtën situatë si klienti i avokatit Dauti, kanë qenë humbës të dëmshpërblimeve. Ligji në shtetin e Nju Jork-ut nuk e ka të prerë se si duhen trajtuar raste të kësaj natyre?
Situatë konfliktesh mes ligjeve federale
Avokatiu Dauti spjegon për Illyria-n se situata e klientit të tij si emigrant përcaktohet nga Ligji i emigracionit, që diktohet nga Qeveria Federale dhe Ligji i shtetit të Nju Jork-ut. Në rastin konkret paraqitej një situatë konfliktuale mes asaj çfarë kërkojnë ligjet federale për çështjen e emigracionit dhe asaj çfarë kërkojnë ligjet e dëmshpërblimit civil për një person që jeton në shtetin e Nju Jork-ut, kur aksidentohet. Dëmshpërblimi civil bazohet në bazë të rregullave shtetërore të shtetit të Nju Jork-ut, kurse çështja e emigracionit përcaktohet nga ligjet Federale, që funksionojnë për të gjithë Amerikën.
Beteja në këtë gjyq zhvillohej për konflikt të interpretimit të ligjit dhe dy palët e avokatëve provonin aftësitë juridike. Argumenti i përdorur nga pala tjetër ishte se Ligji Federal e pengon ose e ndalon ligjin shtetëror të Nju Jork-ut, që të japë përfitime në dëmshpërblimet civile për perosna që janë ilegalisht në Amerikë. Në fakt, vetë ligji nuk ishte i qartë. Ka interpertime jo të qarta për situata që nuk kanë qenë identike me raste të tilla. Ka pasë raste në të kaluarën për emigrantë, që kanë hyrë ilegalisht në Amerikë dhe askush nuk e ka ditë. Mirëpo në rastin e avokatit Ylber Dauti, shqiptari i Kosovës, që ishte aksidentuar, dihej se kush ishte, madje kishte dhe një urdhër deportimi për të.
Detyra e avokatit vështirësohej sepse vendimi për deportim ishte dhënë para se klienti i tij të aksidentohej. Argumenti i palës tjetër ishte se ky njeri që kërkonte dëmshpërblim nuk kishte pse të ndodhej në Amerikë në çastin e aksidentit sepse duhej t’i ishte bindur urdhërit të deportimit një vit më parë. Ky njeri, sipas tyre, ka shkelë ligjet e Amerikës sepse nuk i është bindur një urdhëri deportimi që ka lëshuar Gjykata Federale, Bordi i Apelit të Emigracionit.
Edhe halla e presidentit Obama ka marrë deportim, por jeton në SHBA
Avokati Dauti, pohon se e kishte të qartë shkallën e vështirësisë së misionit të tij. Në të kaluarën gjykatat janë marrë me raste kur nuk ka pasur urdhër deportimi ndaj dikujt. Dhe në raste të tilla ka pasë lehtësi sepse personat nuk kishin shkelë një urdhër gjykate, si në rastin e shqiptarit të Kosovës. Ishte fakt i pamohueshëm se veprimi i klientit të tij ishte në kundështim me ligjet federale për emigracionin sepse nuk kishte respektuar vendimin e deportimit.Mirëpo ai këmbënguli se ky njeri i aksidentuar duhej të jetonte dhe për këtë duhej të dëmshpërblehej. Mirëpo pala tjetër këmbëngulte se një shkelës ligjesh nuk kishte pse të dëmshpërblehej.
Si kundërpërgjigje, avokati Dauti u çoi në vëmendje se ligji i shtetit të Nju Jork-ut nuk ka asgjë të shkruar për raste kur një person ka urdhër deportimi e më pas aksidentohet. Pala tjetër protestonte duke argumentuar se nëse ky përfitonte atëhere shkelej ligji federal për emigracionin, që personit i kishte dhënë deportim.
Argumenti që Dauti përdori ishte se pavarësisht se Ligji i shtetit të Nju Jork-ut nuk e përcakton këtë, logjika njerëzore dhe aspekti i filozofisë së ligjit, është i tillë, që kur dikush dëmtohet për faj të dikujt tjetër, ai duhet të përfitojë, pavarësisht se ai ka shkelë ligjet federale për emigracionin.
Logjika juridike dhe njerëzore e avokatit shqiptar i dhanë kthesë gjyqit. Ai tha se nëse klienti i tij nuk do të përfitonte dëmshpërblimin vetëm për arsye se kishte marrë deportim, atëhere gjykata do të promovonte marrjen në punë nga punëdhënësit amerikanë të personave që kanë urdhëra deportimi, për shkak se atyre u ligjërohej mosdëmshpërblimi i tyre në rast aksidentesh. Ai tërhoqi vëmendjen se po krijohej një situatë që do të stimulonte marrjen e këtyre njerëzve në punë, që jo vetëm kanë një kosto të ulët, por dhe lehtësira në rast aksidentesh.
Analiza e avokatit Dauti bazohej në krahasimin e kostos dhe të përfitimeve, që gjykatësi duhet t’i merrte në konsideratë gjatë nxjerrjes së vendimit. Argumenti i avokatit Dauti ishte se në rast se gjykatësi do të vendoste, që ky njeri i aksidentuar nuk kishte të drejtë që të kompensohej vetëm për shkak se kishte shkelë ligjin federal, ku kishte një urdhër deportimi ndaj tij, atëhere, ne duhet ta shohim në sy realitetin e këtushëm.
Ka shumë njerëz që kanë urdhëra deportimi, por ende qëndrojnë këtu sepse kanë ardhur pas ëndërrës për të jetuar në Amerikë. Shumica e këtyre njerëzve nuk largohen, edhe pse ndaj tyre ka urdhëra deportimi, që u diktojnë largimin nga vendi i ëndërrave. Madje, avokati shqiptar, ia kujtoj gjykatësit (off the record) se edhe halla e presidentit Barack Obama ka pasë urdhër deportimi që në vitin 2004, por nga ky vit e deri tani në 2009 vazhdon që të jetojë në Amerikë në kundërshtim me urdhërin e Gjykatës. Jo vetëm kaq, por ajo ka jetuar në Publick House.
– E përmenda këtë rast, jo për ndonjë arsye politike, por vetëm për t’i treguar gjykatësit se thyrja e urdhërit të deportimit në Amerikë është një gjë e zakonshme. Pra nuk është vetëm klienti im që po kërkohet të penalizohet vetëm për këtë arsye, spjegon për Illyria-n, avokati Ylber Dauti.
Argumentet që bindën Jurinë
Pala kundërshtare po e paraqiste shqiptarin si një rast të jashtzakonshëm, si një monstër, gati si një përbindësh që nuk pyet për ligjet federale dhe se në ato kushte nuk duhej të meritonte asnjë dëmshpërblim. Ndërsa Dauti, në të kundërt u kap në aspektin human të trajtimit të problemit, duke arritur në përfundimin se një shkelje të tillë të ligjit e bëjnë dhe shumë njerëz të tjerë këtu. Penalizimi i klientit të tij do të përbënte një shkelje të drejtave të njeriut; nuk do të ishte humane që atij t’i mohohej shpërblimi për dëmin shëndetësor, që iu shkaktua nga pala e paditur. Do të ishte antiamerikane, arsyetoi para gjykatësit dhe Jurisë avokati Dauti, sepse ky është një vend i ndërtuar me ëndrrat e emigrantëve nga e gjithë bota, shumë nga të cilët kanë ardhur këtu edhe ilegalisht dhe kanë qëndruar derisa e kanë marrë statusin qoftë nga amnistitë, qoftë edhe përmes ligjeve, duke u stabilizuar një herë e përgjithëmonë këtu. Përveç humanizmit, të qenurit emigrant, arsye e tretë, që paraqiti Dauti, ndoshta më e rëndësishmja, që ndikoi tek gjykatësi dhe juria, ishte:Në përgjithësi punëdhënësit në shtetin e Nju Jork-ut, veçanërisht ata të fushës së ndërtimit, përpiqen që ta bëjnë punën sa më lirë në kosto dhe nuk krijojnë kushtet e duhura të sigurisë për jetën e punëtorëve në përshtatje me kërkesat e ligjit. E vetmja arsye, që ata përpiqen që të shpenzojnë diçka për kushte sigurie është se ata i friken penalizimit nëse dikush u dëmtohet në punë.Nëse gjykata do të vendoste se një grup njerëzish që ishin ilegalisht në Amerikë në çastin e dëmtimit, nuk u takonte dëmshpërblimi, atëhere të gjithë punëdhënsit do të preferonin që për të ardhmen të merrnin në punë vetëm këtë kategori personash sepse edhe nëse dëmtoheshin ata nuk do t’u paguanin atyre dëmshpërblim.Kjo praktikë do të ndihmonte në krijimin e një filozofie, që do të kishte efekte negative edhe për punësimin e shtetasve amerikanë. Këta do ta kishin më të vështirë për të gjetur punë nga që punëdhënsit do të preferonin kategorinë e atyre që nuk dëmshpërbleheshin në rast aksidentesh.
Gjykatësi, në përpilimin e vendimit, vendosi, që klienti shqiptar dhe të tjerëve si ky në ardhmen, t’u njihet e drejta e dëmshpërblimit, pavarësisht se ka pasur një urdhër deportimi nga emigracioni përpara se atyre t’u ndodhte aksidenti. Pala tjetër nuk kishte më argument për të kundërshtuar.
Avokatit Dauti kishte fituar admirim, kur solli në vëmendje të gjykatësit se në bazë të rregulloreve të Departamentit të Sigurisë, nuk është shkelje ligji të punosh pa letra, por është shkelje ligji për punëdhënsin, që punëson një punëtor ilegal.Pasi kishte sjellë argumentet ligjore dhe njerëzore, avokati shqiptar kërkoi që klienti i tij nuk meritonte të paraqitje si monstër para Jurisë nga pala kundërshtare, vetëm për shkakun se kishte punuar pa letra apo pse kishte marrë deportim si emigrant i paligjshëm.
Përse e shkeli këshillën e shkollës së ligjeve, Ylber Dauti?
I drejtoj një pyetje avokatit: -Pasi ka përfunduar gjithë kjo histori dhe keni triumfuar, si ndjehet avokati Dauti nga ana profesionale dhe njerëzore?
– Një nga ndihmësit e mi amerikan, pasi përfundoi gjyqi, më tha se gjatë procesit, kur unë mbaja për një orë e gjysëm fjalimin mbrojtës, klientin tim e kishte parë duke derdhur lot.
Më mallëngjeu ky rrëfim. Do të ishte mirë ta kishte parë Juria duke qarë se pala kundërshtare e paraqiti si përbindësh, thotë Ylberi.
Avokati, në përgjigje të pyetjes, kujton se në kohën kur ishte student në Shkollën e ligjit, një nga postulatet, që u përcillnin profesorët amerikanë dhe specialistët e ligjit ishte që të mos përfshiheshin emocionalist në çështjet që prezantonin para jurive dhe gjykatësve. “Bëni atë që duhet të bëni për klientin, por emocionalisht mos u përfshini kurrë në çështje”!
-Është i vetmi rast, thotë Ylberi, që e kam shkel këtë këshillë –aksiomë të profesorëve të mi.
Ai e ka përjetuar shpirtrisht ngjarjen dhe është emocionuar gjatë mbrojtjes. Klienti i tij vinte nga ferri i vuajtjeve nën regjimin serb dhe atij i duhej ta mbronte sa më me dinjitet. Avokati u indinjua kur pala tjetër përpiqej ta prezantonte klientin para jurisë si një njeri të keq, që nuk meritonte asgjë.
Një nga aspektet që ata ishin përpjekur të realizonin ishte që ta tipizonin shqiptarin si produkt të së keqes. Avokati kundërshtar kur ka mbajtur fjalimin e fundit para jurisë, ka përmendur emrin musliman të klientit shqiptar, dhe i ka thënë Jurisë:”Ju mund të kuptoni shumë gjëra nga një njeri, duke u nisur nga emri që ai ka”.
Në një fjali më poshtë ai ka thënë se “ky është një njeri gënjeshtar dhe mos harroni se ka ardhë në Amerikë pas 11 shtatorit me pasaportë fallso”!
Kjo ishte tendencë për ta nxitur jurinë që të mendonte se ky ndoshta ishte një prej terroristëve, që ka ardhë në Amerikë, po jeton si i paligjshëm dhe nuk dihet se kur do ta ngrerë kokën dhe të bashkohet me monstrat e tjera të terrorizmit.
Avokatët kundërshtarë po përpiqeshin që të nxirrnin nga shpirti dhe zemra e jurisë atë reagimin që ka ardhë nga popullsia amerikane ndaj atyre që shkaktuan tragjedinë e 11 shtatorit 2001. Ata po përpiqeshin që të ndikonin tek juria që ta paragjykonte shqiptarin si të rrezikshëm dhe si i tillë ai nuk meritonte asnjë dëmshpërpërblim.
Sipas tyre shqiptari po gënjen sepse të gjitha dëmtimet që ai pretendon se i kanë ndodhur pas aksidentit, nuk i janë shkaktuar këtu, por i ka pasë që në Kosovë.Pra ai po paraqitej si gënjeshtar, si mashtrus, më keq akoma, për shkak të emrit musliman, por paraqitej edhe si terrorist.
Kundëragumentet që përdori Dauti i dhanë mundësinë që t’i neutarlizojë kundërshtarët dhe akuzat se klienti i tij ishte shpirti i së keqes, gënjeshtar, mashtrus, terrorist, dhe të gjitha këto vetëm pse ai ishte musliman dhe se kishte ardhur pas 11 shtatorit me pasaportë fallso. Dauti doli para Jurisë dhe u kujtoi anëtarëve të saj një shprehje që ka thënë Franklin D Rusvelt, ish president i Amerikës,se “ne të gjithë e kemi prejardhjen prej emigrantëve.”
Avokati, i kujtoi jurisë një udhëtim të tij që kishte bërë për herë të parë, kur kishte ardhë në Amerikë në prill të 1999 tek Statuja e Lirisë, dhe se atje, në krah të simbolit, kishte lexuar fjalët monumentale :”Më jepni njerëzit e popullit tuaj të uritur, të përdhosur, të mashtruar sepse unë i pres të gjithë me krahët hapur”! Edhe klienti im , tha ai, prandaj erdhi këtu.
Avokati shqiptar u kujtoi anëtarëve të jurisë dhe një shprehje të Dr. Martin Luter King, i cili tërhiqte vëmendjen se padrejtësia në një vend çon tek padrejtësi në çdo vend. Duke hyrë në thelbin e çështjes, ai tha se pala tjetër po ju bën thirrje ju, që t’i bëni padrejtësi këtij njeriu, që ta ndëshkoni këtë njeri, për një gjë që nuk ka të bëjë me këtë çështje, ta ndëshkoni për origjinën e tij.
Avokati Dauti, duke perifrazuar Dr.Martin Luter King, tërhoqi vëmendjen e Jurisë se nëse ju i bëni padrejtësi këtij njeriu, i keni bërë padrejtësi gjithë njerëzimit!( Marre nga libri ne proces “Histori shqiptare ne Amerike)
Dhe Juria reagoi; shqiptari fitoi maksimumin e shpërblimit!
lavderim says
ju lutem dua ta falenderoj avukatin dautin e ju lutem shume eshte rasti i ralle qe nje avukat kemengul e fitone amerike me duhet numuri i telefonit mundesisht ma dergoni ne imelin tim me respekt per gazeten tuaje
bajram kraja says
Triumfi i avokatit Ylber Dauti perball avokateve te pales kundershtare , per te bindur Gjykatesit qe te vinin tek vendimi i drejt , pa dyshim e kane burimin edhe tek horizonti mjsft e gjere arsimor dhe kulturor i tij, i cili duke shfrytezuar me mjeshteri profesionale thenjet e keshillat njerezve te medhenje , qe me mesimet e tyre kane revolucianarizuar dhe quar perpara jo vetem thjeshte mendimin nejrezore , por shoqeri te tera . Fakti qe si Amerika (SHBA) dhe Gjermania kane arritur aty ku jane , ato kane zbatuar dhe jane udhehequr nga mesimet e mencura qe kane lene njerez e tyre te medhenje , si ish presidenti Amerikan Franklin D Ruzveld , apo gjermani Martin Luteri . I lumte avokatit Dauti per horizontin e tij mjafte te gjere , qe natyrisht me studim dhe kembengulje ne pune e ka arritur e qe ne vendin e duhur e ka shfrytezuar me intuite e argumente bindese per nje sukses te permasave te tilla duke cuar ne vend drejtesine per ….Fakt eshte qe jo rralle shqiptarve u mohohen te drejtat edhe ne ato vende qe jane simbol si per demokraci dhe drejtesi , ndaj detyra e te gjithe te rinjeve shqiptare eshte qe nen shembullin e ketij shqiptari te mencur , Ylber Dautit . te behen studius te rregullt jo vetem te fushes se te drejtes , por dhe ne ato te tjera fusha ku shoqeria shqiptare aktualisht ka shume nevoja !
Fatos gaxha says
Eshte me te vertete impresionuese. Duhet te ndihemi krenar per individ si z.Dauti.
Dua ta pershendes ti i uroj suksese ne fushen e tij.