Në vend të parathënies për librin me kujtime të muzikatit Ruzhdi Keraj/
Esse nga PROF. DR.KLARA KODRA/
& FASLLI HALITI-MJESHTËR I MADH/
Manjetofoni më i mirë për të regjistruar kujtimet është zemra./
Brezat e ndryshëm kanë secili kujtimet e tyre, problemet që kanë përjetuar, përvojat e tyre.
Përvoja të veçanta kanë brezat të cilave ua thau iluzionet diktatura pesëdhjetëvjeçare.
Megjithatë edhe këto breza kanë kujtimet dhe pasojat e tyre të bukura.
Nuk është e rastit se në letërsinë tonë të sotme janë përhapur shumë veprat jo –fiction, veprat e llojit memuaristik, autobiografitë.
Aty janë fiksuar përvojat e periudhave të ndryshme historike nëpër të cilat kanë kaluar shqiptarët.
Në këto vepra ndërthuret besnikëria ndaj realitetit si në shkrimet gazetareske apo veprat e llojit historik me përzgjedhjen e episodeve më kuptimplote dhe riprodhimin e tyre me ngjyra jete.
Këtyre llojeve letrare u përket edhe vepra e Ruzhdi Kerajt “Copëza e një ditari e një liceisti” (Autori rrëfimtar dhe protagonist i veprës ka qenë nxënës i liceut artistik).
Jo më kot autori e ka emërtuar veprën “Copëza”. Kjo vepër i ngjan një kaleidoskopi që përbëhet nga copëza me ngjyra të ndryshme.
Po ato copëza kanë midis tyre edhe unitet.
Filli i ndritshëm që i mban të lidhura këto copëza, këto fragmente të ruajtura në kujtesë për të ringjallur rininë, si rruazat e një gjerdani është humori.
A nuk na befason kjo? Sapo thamë që koha e jetuar nga brezi i Ruzhdi Kerajt ishte dramatike. A s’është e vërtetë? Po, është pa dyshim e vërtetë, po rinia ka në vetvete një energji të pashtershme optimiste dhe di të qeshë edhe në rrethana të vështira.
Autori ka futur në vëllim personazhe dhe situata komike. Ndër këto të fundit mund të përmendim varrimin e lepurit, të papriturën që përjeton kujdestarja e rreptë e konviktit, dalja pa leje e protagonistit që kapet në flagrancë nga drejtori i konviktit dhe “shpëtimi” i situatës nga vajza, Tufja që e paraqet veten si motrën e tij, “gara” e protagonistit me profesorin e matematikës për të siguruar notën.
Personazh komik mund të quhet nestori që “gjithë kohën vizatonte fshesën fije për fije” ndërsa personazhe si Roberti, Milika ose Tufja janë të rinj me ndjenjën e humorit që krijojnë vetë situata komike. Patosi komik ia lëshon vendin atij satirik në vizatimin e personazheve antipatikë si drejtori i konviktit Osmani, komunisti Agim (shoku A), kujdestarja e egër që u hiqte batanijet nxënësve në mëngjes, mësuesi sadist i matematikës që e ushtron autoritetin e vet duke munduar nxënësit.
Ironia e autorit ndihet edhe në portretizimin fizik të këtij të fundit (një burrë i dobët, idhnak me sy si të skiles) edhe në gjestin karakteristik të tij, çukitjen me gisht të nxënësve të papërgatitur me të cilët “kënaqet kur sheh si hidhen përpjetë dhe zverdhen në fytyrë”.
Një rol të veçantë luajnë edhe batutat komike. Nëpërmjet batutave të tilla vetëdemaskohet shoku A. kur pohon për mundësinë e anullimit të një eskursioni për shkak të shiut “Atë e di Partia” apo kur e zënë në flagrancë me kopje “A kopjojnë komunistët?”
Kurse batutat e Robertit pikojnë humor të këndshëm rinor.
Ka personazhe që vizatohen me dashuri dhe ngrohtësi si profesor Ramadani, mësuese Pandora, nëna e protagonistit etj.
Figura e mësuese Pandorës ndriçohet më qartë kur ajo i kundërvihet sekretares provokuese të rinisë dhe shokut A. për sa i përket vlerësimit të hartimit të protagonistit të cilin e tremb mundësia e një keqkuptimi ideologjik ashtu si kishte ndodhur në episodin tragjikomik, po që bëhet tragjik të nxënëses së mbilodhur nga pritja e gjatë me rastin e ardhjes së Hrushovit së cilës i shpëton një fjalë e pamatur (ajo thotë se kapelja e Hrushovit që e tundte duke përshëndetur iu duk si oturak) dhe përjashtohet nga shkolla. Këtu vihen përballë njeri tjetrit dy karaktere të kundërta: pedanti budalla dhe spiuni shoku A. dhe një grua e aftë dhe zemërgjerë që sheh te nxënësi i vet vetëm prirjen për letërsi dhe refuzon t’ia keqkuptojë një frazë të natyrshme si shprehja e dashurisë për nënën me të cilën, me të drejtë, sipas tij, fillon dashuria për atdheun, duke ia kundërvënë në mënyrë të djallëzuar si sekretarja e rinisë dashurisë për partinë.
Protagonisti edhe e autoportretizon veten si një të ri të zakonshëm që e do të bukurën në jetë, në shkencë e në art, po nuk i duron dot rregullat pedante dhe rreptësinë e padrejtë të disa mësuesve, plot humor dhe dashuri për gëzimet e jetës si edhe i gatshëm për ndjenja të pastra rinore.
Në vëllim ka një linjë të përshkuar nga lirizmi dhe komizmi që papritur shndërrohet në dramatizëm (dashuria me vajzën e mbiquajtur Tufe që e bën për vete protagonistin jo vetëm me pamjen e jashtme tërheqëse, po me zgjuarsinë dhe gjallërinë e saj, dashuri që ndërpritet brutalisht nga i ati i vajzës i cili u beson shpifjeve të drejtorit të konviktit për djalin që dashuron të bijën).
Djali ka krenarinë dhe sedrën e vet prandaj refuzon t’i lutet së dashurës që s’pati mjaft besim tek ai, ndonëse shoku i tij Tishi përpiqet ta shpëtojë atë ndjenjë të bukur duke ndërhyrë vetë. Djali vuan, po parapëlqen t’i vërë një gur zemrës. Kjo është një mikrolinjë që spikat në vepër.
Vajza që dashuron protagonisti, Tufja, është, në kundërshtim me personazhet e tjerë që skicohen në vepër, një personazh kompleks, ka ndjenjën e humorit, është e gjallë, e shkathët, plot dashuri për gëzimet e jetës, e aftë të preket nga një ndjenjë e pastër, po edhe e ndikueshme prej prindërve dhe e thyeshme.
Të tilla drama ishin të zakonshme në atmosferën patriarkale të mjedisit të ndërlikuar me puritanizmin hipokrit të diktaturës dhe konformizmin e përgjithshëm.
Stili i veprës është konçiz, dinamik, tepër i thjeshtë, me dialogje të natyrshme. Autori jep edhe detaje realiste nga kushtet e vështira në të cilat jetonin nxënësit të cilëve u mungonte ngrohja në konvikt e në shkollë dhe nuk ngopeshin në mënyrë të mjaftueshme.
***
Ruzhdi Keraj ka ditur të zgjedhë copëza realiteti nga kujtimet e veta, duke ringjallur rininë e dikurshme me vështirësi, po plot ëndrra dhe shpresa dhe duke sjellë personazhe realë nga bashkënxënësit dhe mësuesit të cilët skicohen si tipa letrarë. Megjithatë duke qenë bashkautor e parathënies së opuskulit me copëza nga ditari bashkëliceistit Ruzhdi Keraj, në morinë e kujtimeve gjithë elokuencë, melos muzikanti, kolor piktori, me butësinë harmonike të një kompozitori, të një poliedriku, meqë ra rasti, dua të kujtoj një event nga klasa e tretë “A” të cilën nuk e ka cek Keraj.
*** KLASA E TRETË
Klasa e tretë “A” kishte dy veçanti. E para se në klasën tonë kishim vetëm një vajzë thuthuqe, por e shkëlqyer në mësime dhe një komunist, gjithashtu i shkëlqyer në mësime, sidomos në histori dhe në njohuri fillestare të marksizmit.
Ç’na ndodhi në orën e psikologjisë me mësues Zenel H, ish mësues i Mehmet Shehut që për të forcuar autoritetin e tij para neve nxënësve, meqë e kishte kaluar moshën e pensionit; një e dy, me rast e pa rast, na thoshte se kishte qenë mësues i kryeministrit Mehmet Shehu të cilit i kishte shkulur disa herë veshin. Kjo nuk kalonte pa ndikim tek ne nxënësit. Në orën e tij rrinim sus. Por pyeste Fitimi, shoku ynë i talentuar si skulptor dhe karizmatik. Se ç’i hipi një trill një ditë. Më tha se po ta ngrinte profesori i psikologjisë në mësim, ai do t’i thoshte me gjakftohtësi olimpike se Fitim mungonte, se ishte dezhurn në mensë. Të them të drejtët s’ia vura veshin kësaj teke apo marrëzie. Duke e pabesueshme, madje fare e pabesueshme, sikur kjo ngjarje nuk ka ndodhur, por se po e trilloj unë vetë. Nuk dua të më besoni, por dua vetëm të më dëgjoni.
Sapo ra zilja për mësim, profesori i psikologjisë u fut në klasë. U ngritëm të gjithë në këmbë. Profesori u ul në katedër dhe hapi regjistrin. Skënder, kush mungon, pyeti ai, kujdestarin e klasës. Mungojnë dy nxënës, tha kujdestari që raportonte mungesat. Mirë, tha profesori. Të ngrihet në mësim Fitim M…, tha profesori. Fitimi u ngrit me gjakftohtësi të frikshme sa na tmerroj të gjithë ne nxënësve të klasës. Fitimi u çua në këmbë dhe tha i tha profesorit, pa ia bërë syri terr se, Fitm M., mungonte, se ishte dezhurn në mens. Me gjithë gjakftohtësinë e tij, Fitimi, prapë la një shenjë që e bëri profesorin e psikologjisë t’i lindte një fije yshimi qësa erdhi e po trashej. Jepte psikologjinë. Ishte te psikolog. Dyshimi e bëri që të verifikonte. Umëroi nxënësit prezent. Gjithsej ishin prezent pesëmbëdhjetë nxënës, plus dy nxënës dezhurn në mensë, kështu gjithsej bëheshin shtatëmbëdhjetë nxënës. I numëroi nxënësit për së dyti, së treti. Të tri herët i dilnin po shtatëmbëdhjetë nxënës. U bind se dyshimi i tij nuk ishte i kotë. Po ju shtatëmbëdhjetë apo gjashtëmbëdhjetë nxënës jeni, pyeti klasën profesori me ironi e nervozizëm.
Gjashtëmbëdhjetë jemi, profesor. Po ju këtu në klasë dilni sejeni shtatëmbëdhjetë nxënës. Dy në mensë e pesëmbëdhjetë në klasë, sa bëjnë?, pyeti me ironi e jo pa inat. Shtatëmbëdhjetë, profesor… !
Ashtu ?
Pa më thuaj ti Vangjelica Vangjelica, është Fitimi në klasë?
Jo profethor!.
Mirë. Ulu!
Skënder, është Fitimi në klasë?
Jo profesor!
Mirë, e mora vesh, mund të ulesh.
Po të pyes ty idhtarit të drejtësisë dhe kritizerit të padrejtësisë, m’u drejtua mua profesoi me qesëndi, në nuhatje të përgjigjes sime. Është Fitim në klasë?
Jo, profesor, iu përgjigja unë duke ruajtur mrekullisht qetësinë.
Të kuptova, më tha profesori i ngrysur. Ulu!
Ty Ermir Dizdari, të besoj më tepër se kë do tjetër. Ti i sinqerti i klasës. Është Fitim Mati këtu me ju në klasë.
Jo, tha Ermiri dhe u ul, para se profesori t’i thoshte:mire, të kuptova dhe ty. Ulu.
Thanas, po të pyes ty në fund, si nxënës i klasë dhe si komunist.
Është Fitim Mati këtu?
Jo profesor, u përgjigj kumunisti Thanas Dede.
Klasa mori frymë e lehtësuar. E gjitë klasa mendonte se Thanasi si komunist do t’i thoshte profesorit: Po profesor, këtu është Fitimi, ja ku është në bankën e katër, rreshti i tretë.
Ra zilja për mbarimin e orës së mësimit.
Një nga nxënësit e klasës tjetër, hapi derën. Roland, është Fitim Mati, këtu në klasë?
Ne ia bëmjë jo me dorë Rolandit.!
Jo, tha Rolandi, flautisti më i talentuar i shkollës.
Të mora vesh dhe ty, tha profesori, disi i nxehur. Mbylle derën.
Hapet përsëri dera dhe në klasë futet profesori rusishtes.
Profesor Shundi, është Ftim Mati këtu?, pyeti profesori.
Ja ku e ke sa një derr…!, iu përgjigj profesori i rusishtes të cilin e kishim profesor kujdestar të klasës sonë.
Profesori i psikologjisë nuk kishte dyshuar kot. Kur zbuloi se Fitimi ishte në klasë, u qetësu, si mësues i psikologjisë, kishte pasur arsye të dyshonte. E kishte pikasur sinjalin e mashtrimit, të hiles. S’e kishte turpëruar intuita dhe profesionit si psikolog…
***
Të nesërmen, para gjithë shkollës u shpall vendimi i Këshillit pedagogjik për ngjarjen e shëmtuar në klasën e trtë në orën e mësimit të psikologjisë, ku ishte shfaqur sheshit ndikimi i huaj perëndimor i klasës e cila në vend të denoncimit të fajtorit, zgjodhi heshtjen mikroborgjeze. Për klasën tonë ishte marrë vendimi që të rregullonte lulishten e shkollës; Fitimi të përjashtohej pesëmbëdhjetë ditë nga shkolla, por jo nga konvikti, pasi ishte nga Peshkopia, shumë larg Tiranës. Kurse organizata bazë e partisë dhe byroja e shkollës kishin propozuar që komunisti i klasës sonë Thanas Dede, të përjashtohej nga Partia. Por u fol se profesori i psikologjisë Zeneli Hekali. e kishte kundërshtuar, nuk ishte dakord me propozimin e organizatës bazë të partisë. Dhe kur një komunist ortodoks tha se komunisti i klasës sonë Thanas D., duhej përjashtuar pa një, pa dy, sepse nuk ishte treguar i partishëm, profesori i psikologjisë që ishte komunist që në kohë të luftës, i ishte përgjigjur:
Po. Nuk u tregua i partishëm, por u tregua shok…
***
Në vitet që ishim bashkëliceistë, ka ndodhur dhe një ngjarje tjetër mes ngjarjeve të rëndomta.. Një nxënës rom që studionte për obojë, në inat e sipër qëlloi me grusht një shokun e tij muzikant që u mbyt në gjak. Bëri përshtypje të jashtëzakonshme në gjithë masën e nxënësve. Drejtoria e shkollës, të nesërmen në mëngjes, para se të fillonte mësimi, i theu notën në sjellje oboistit. Kaq. U futëm në mësim. Klasa e oboistit kishte hartim me temë të caktuar dhe me temë të lirë. Oboisti zgjodhi temën e lirë dhe shkroi për zënkën e tij, me një pendesë të thellë, të rëndë. Hartimi u gjykua si një pendesë të thellë, të sinqertë, me emocione tepër humane, vëllazërore. Në orën e korrigjimit të hartimit, profesoresha e letërsisë e lexoi para klasës, hartimin e oboistit, të vlerësuar me notë dhjetë. Të nesërme u mblodh këshilli pedagogjik për t’i rregulluar oboistit para kohe, notë e thyer në sjellje, me motivacionin se hartimi i ti ishte shembulli i një pendese të besueshme të thellë, të sinqertë të padyshimtë. Pa dyshim që autori i kujtimeve në rast ribotimi, do t’i përfshijë në minibiografinë e tij, këto dy raste që përmenda unë e të ndonjë kujtimi tjetër që i ka shpëtuar ose ia kishin sfumuara vitet.
***
“Copëza nga ditari i një liceisti” mund të përkufizohet si një autobiografi në miniaturë ose si një vepër – dokument, e këndshme dhe njerëzore.