Editorial nga Elmi BERISHA/
Zgjedhjet lokale të 17 Tetorit në Kosovë ishin një sukses kombëtar dhe rajonal. Sukses për politikën, për qytetarët, për shtetin e së drejtës, për institucionet e të gjitha palët e përfshira në këtë proces zgjedhor. Zgjedhjet e lira, demokratike, të gjithëpranuara dhe të ndershme janë baza e demokracisë së një shteti. Zgjedhjet lokale të 17 Tetorit në Kosovë treguan edhe një herë pjekurinë e zgjedhësve, performancën e lartë të institucioneve menaxhuese zgjedhore dhe demokracinë gjithnjë e më të konsoliduar. 166 kandidatë garuan për kryetarë në 38 komuna të Kosovës dhe 5 mijë kandidatë të tjerë, garuan për deputetë të kuvendeve komunale, ku rreth 1.9 milionë qytetarë kanë pasur të drejtën votës në një proces për tu lavdëruar përsa i përket standarteve të realizuara. Vëzhguesit e BE dolën në deklaratë të përbashkët ku u shprehën se Kosova është shembull për rajonin në organizimin e zgjedhjeve, kjo të bën të ndjehesh krenar për ecjen e shëndoshë të institucioneve dhe mbi të gjitha të sjelljes qytetare të votuesve e subjekteve politike. Qasja e elektoratit ndaj ofertës politike ishte shumë interesante. Zgjedhjet në Kosovë për disa vite janë kthyer në një leksion jo vetëm në trevat shqipfolëse, por edhe në krejt Ballkanin e më gjerë. Këto zgjedhje dëshmuan një klasë politike gjithnjë e më të përparuar e të emancipuar për ofertën politike që u ofruan qytetarëve, për debatin politik, për diskursin publik mediatik, emancipimin në paraqitjen dhe ballafaqimin e vlerave por mbi të gjitha për pranimin e rezultatit të dalë nga zgjedhjet. Zgjedhjet në Kosovë na dhanë një leksion dhe një mentalitet të ri dhe të fortë shumë dimensional zgjedhor. Gjithmonë Kosova ka pasur një traditë qytetare dhe kulturë politike në organizimin e zgjedhjeve në vend. Që në vitet 2000 filluan të bëheshin zgjedhje të një frymë që kemi sot, edhe pse kishin problem të administrimit. Rugova dhe fryma rugoviane kanë qenë model frymëzimi, orientimi, qytetarie dhe për modelin që kemi sot ka filluar të punohet nga Presidenti Rugova që dy dekada më parë. Doktor Rugova ndërtoi filozofinë e udhëheqjes së shtetit modern. Zgjedhjet e suksesshme nuk duhet të na shkaktojnë vetkënaqësi por një obligim për të rritur standartet e zgjedhjeve e mbi të gjitha, zgjedhjet të prodhojnë liderë me platforma të qarta shtetformuese, menaxheriale në përmbushje të frymës së Kushtetutës, ligjeve të shtetit të Kosovës me qëllim Integrimin në Bashkimin Europian. Zgjedhjet me standarte të larta janë një garanci për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe demokratik të shtetit të Kosovës. Zgjedhjet lokale të 17 Tetorit në Kosovë u vëzhguan nga rreth 25 mijë vëzhgues vendas e ndërkombëtarë nga të cilët 200 vëzhgues ishin nga Bashkimi Evropian dhe ambasadat e vendeve të ndryshme në Kosovë të cilat ndjekin hap pas hapi procesin e përparimit, zhvillimit dhe kryerjes së reformave demokratike dhe konsoliduese në shtetin e Kosovës me qëllim integrimin në Bashkimin Europian. Zgjedhjet përcaktojnë të ardhmen e një shteti dhe kohezionin e një shoqërie demokratike. Zgjedhjet lokale të 17 Tetorit ishin specifikisht të suskesshme pasi koha e shpejtë e zhvillimit të fushatës, kushtet e pandemisë globale dhe situatë e përgjithshme ku Kosova po shkëputet nga pushteti tradicional drejtë elementëve e liderëve të rinj të shtetit e politikës në Kosovë. Ky ballafaqim parti-elektorat-qeverisje, dhanë mësim të madh demokracie përsa i përket: fushatës së forcave politike e kandidatëve të pavarur, pakicave e minoriteteve, procedurën e votimit dhe pjesëmarrjen e gjërë nga diaspora, garën e lirë, pranimin e rezultatit, administrimin e votës së lirë në kohë rekord, incidentet e papërfillshme dhe të izoluara etj përbëjnë një sukses të madh dhe një hap të fortë përpara në konsolidimin e shtetit, votës, qytetarëve dhe pushtetit të dalë nga vota e lirë dhe demokratike. Zgjedhjet lokale në Kosovë ishin një shans i përfituar për qytetarët pasi ata votëbesuan të zgjedhurit që kanë shërbyer dhe ndëshkuan atë që nuk ka qenë i denjë për ti përfaqësuar. Zgjedhjet lokale apo parlamentare në një shtet të caktuar si fillim janë një test i fortë për institucionet e shtetit të së drejtës. Zgjedhjet lokale apo qëndrore qofshin ato, janë një ngjarje shumë e rëndësishëm për jetën e qytetarëve të republikës. Qytetarët votuan me qytetari maturi e pjekuri për kualitetin e jetës së tyre, votuan për udhëheqësinë që përcaktoi se si do të jetë jeta në komunën ku ata jetojnë e punojnë. Kosova na dha një leksion të pastër demokracie, kulture politike, ndërgjegjësimi qytetar dhe shtetformimi që e dëshmon vit pas viti. Zgjedhjet në Kosovë ishin një ballafaqim model forcash politike. Fushata zgjedhore mes partive politike, përgatitjet parazgjedhore edhe pse në kushte shumë të vështira pandemie, votimi në tërësi si proces, deklaratat politike përgjatë fushatës elektorale e sidomos pas përfundimit të procesit janë shenja pjekurie për tu pasur vërtetë zili. Suksesi në menaxhimin e këtij procesi delikat zgjedhor, janë një bazë dhe garanci edhe për fushatat dhe zgjedhjet që vijnë. Administrimi i votës sidomos nga diaspora dhe pranimi i rezultatit në kohë të menjëhershme ndihmoi në rritje të besimit te vota, te institucionet dhe mbi të gjitha legjitimoi vullnetin e qytetarëve të shprehur me votë. Është një ndjesi krenarie dhe suksesi në rritje kur sheh Kosovën që në këto kushte të suksesit zgjedhor hap një faqe të re në rrugëtimin e saj europian dhe konsolidimit të shtetit demokratik. Kosova tregoi një kulturë demokratike të lartë edhe pse mosha e institucioneve të reja ka pak më shumë se një dekadë drejtë konsolidimin të vazhdueshëm. Lidershipi politik i Kosovës na dha leksion por ajo që mbetet për tu lavdëruar është mërgata shqiptare në çdo cep të globit që merr pjesë në vendimmarrjen politike të shtetit dhe të ardhmen e qytetarëve në Kosovë. Mërgata si një fuqi ekonomike, politike, lobuese dhe mbi të gjitha kërkuese ndaj politikës në vendlindje, po sjell një model të fuqishëm organizmi dhe pjesëmarrjeje aktive. Kosova përjetoi një process ndryshimi të elitave drejtuese dhe politike çka e ka sjellë Kosovën në një realitet të ri politik në ra[ort me veten, me aletatët ndërkombëtar SHBA dhe BE. Zgjedhjet Lokale në Kosovë përbëjnë një model të ri zhvëllimor që duhet të merret si shembull për specifikat, standartet dhe rezultatet e arritura. Zgjedhjet e lira e të ndershme, standardet dhe liderët e përfaqësimit qytetar që dalin nga ky proces janë e ardhmja e sigurtë për qytetarët, institucionet dhe shtetin e Kosovës.