Xhelal Zejneli
Në zgjedhjet vendore të 17 tetorit të vitit në vazhdim, në komunat me shumicë shqiptare, marrin pjesë kandidatë të shumë partive politike. Ka edhe kandidatë të pavarur. Numër të madh kandidatësh garojnë madje edhe nëpër komunat më të vogla.
Pjesëmarrja në zgjedhje e shumë kandidatëve shqiptarë në një komunë të caktuar, ndikon në shpërndarjen e votës së qytetarëve të kësaj bashkësie etnike. Shpërndarja e votës së shqiptarëve, mund të ndikojë që në komuna të caktuara të mos fitojë kandidati shqiptar.
Në komunën e Kërçovës, gjithmonë ka mundësi që drejtimin e saj ta fitojë edhe ndonjë kandidat sllavo-maqedonas. Kjo thekson nevojën që në komuna të caktuara, siç është ajo e Kërçovës, shqiptarët të dalin në zgjedhje, jo me dy apo tre kandidatë, por vetëm me një të përbashkët. Sikundër dihet, faktori politik shqiptar nuk ka mundur të arrijë një marrëveshje që në këtë komunë të dalë me një kandidat të përbashkët. Po qe se në komunën e lartpërmendur do të shkohet në raundin e dytë, gjë që me siguri do të ndodhë, atëherë mbetet që partitë shqiptare të arrijnë një marrëveshje të re për kandidat të përbashkët.
Në këto zgjedhje janë krijuar koalicione edhe midis partive shqiptare dhe atyre sllavo-maqedonase. Me fjalë të tjera, një parti shqiptare lidh koalicion me një parti sllavo-maqedonase. Kandidatët që garojnë nuk duhet të mbështeten gjithaq te votat e partnerëve të koalicionit. Asnjë lider partie nuk i ka në xhep votat e votuesve të vet, që t’ia japë njërit apo kandidatit tjetër. Ai mund t’u bëjë thirrje votuesve të vet të votojnë për ty, por askush s’e di sa për qind e votuesve do t’i përgjigjen apelit të tij.
Komunat me shumicë shqiptare janë specifike edhe për diasporën e vet. Me fjalë të tjera, shumë shqiptarë të këtyre komunave jetojnë dhe punojnë jashtë vendit. Në zgjedhjet vendore të para katër vjetëve, kryetari i komunës së Kërçovës u zgjodh në saje të ardhjes së shqiptarëve që punojnë nëpër vende të Evropës dhe në ShBA. Është vështirë të dihet saktë nëse do të vijnë edhe këtë herë dhe sa do të jetë numri i tyre.
Karakteristikë e pushteteve vendore janë: punësimet fiktive, korrupsioni, nepotizmi, partizimi dhe politizimi i administratave komunale, politizimi dhe partizimi i arsimit dhe i shëndetësisë. Ndër votuesit shqiptarë ka të zhgënjyer apo të dëshpëruar. Është rritur edhe numri i shpërnguljeve, i braktisjes së vendlindjes.
Në këto zgjedhje fushata paraelektorale duket pak më e zbehtë dhe më anemike se herët e kaluara. Partitë dhe kandidatët e tyre fushatën parazgjedhore e zhvillojnë nëpërmjet studiove televizive dhe mediumeve elektronike. Në ato që i quajnë takime me qytetarët, qytetarë ka pak. Në të ashtuquajturat takime me qytetarët, liderët partiakë dhe kandidatët e tyre flasin me vetveten, për arsye se qytetarë ka pak, për të mos thënë fare. Edhe shtabet partiake nuk funksionojnë si dikur. Nëpër takimet me qytetarët marrin pjesë kryesisht një pjesë e anëtarëve të partive apo militantë partiakë. Edhe militantët nuk sillen si dikur. Janë zbutur.
Të ashtuquajturave platforma zgjedhore partiake, askush s’ua varr veshin. Këto platforma apo programe, në hapësirat ballkanike nuk çojnë shumë peshë. Letra duron çmos, ndërsa shumë premtime mbeten të parealizuara.
Në aneminë e fushatës ndikojnë rrethana të caktuara, si:
– Koronavirusi Covid-19:
– Tranzicioni në Maqedoni zgjat që nga viti 1991, d.m.th. tridhjetë vjet;
– Tranzicioni në Maqedoni ende s’ka përfunduar;
– Qytetarët apo votuesit janë të lodhur nga premtimet e partive politike apo të kandidatëve – pjesëmarrës në fushatë;
– Premtimet e partive apo të kandidatëve, qytetarët i konsiderojnë si premtime boshe dhe pa mbulesë.
Një përqindje e caktuar e qytetarëve:
– Janë shpërngulur d.m.th. kanë ikur nga ky vend dhe kanë vajtur në Perëndim;
– Janë të zhgënjyer nga puna e faktorit politik shqiptar;
– Kanë pritur më shumë, ndaj nuk janë të kënaqur me arritjet e deritanishme;
– Nuk shohin perspektivë në këtë vend, kështu që synim i tyre është largimi nga vendi.
Edhe pas tridhjetë vjet tranzicioni dhe pluralizmi politik, shqiptarët merren me çështjen e ujit të pijshëm, me ndotjen e mjedisit, me ajrin e ndotur, me problemin e depozitimit të hedhurinave, me rrugët plot gropa, me mungesën e rrugëve të reja, me qarkullimin rrugor të ngarkuar, me mungesën e hapësirave të gjelbra, me mungesën e bibliotekave, me varfërinë e jetës kulturore, me mungesën e arsimit cilësor, me mungesën e sistemit shëndetësor cilësor, me mungesën e parkingjeve – tokësore, nëntokësore dhe mbitokësore, me mungesën e këndeve për fëmijë, me mungesën e çerdheve apo të kopshteve, me mungesën e qendrave sportive, me mungesën e pedonaleve, me mungesë shkollash në zona të caktuara.
Edhe pas tri dekadave, shqiptarët në Manastir, në fshatrat e Prilepit apo të Velesit, në Resnjë, në zonën e Prespës, në Krushevë – mbeten të diskriminuar.
Megjithëkëtë, ka edhe gjëra që nuk mungojnë:
– Ka me tepricë korrupsion, mitë, ryshfet, papunësi, nepotizëm, punësime fiktive, administratë të stërngarkuar, zyra të mbushura me nëpunës të pasistematizuar apo të sistematizuar në mënyrë fiktive;
– Ka individë apo persona që janë në lista dhe marrin paga duke ndenjur në shtëpi;
– Papunësi ka, por asnjë fëmijë i pushtetarëve nuk është i papunë;
– Probleme sociale ka, por asnjë familje e pushtetarëve, e nomenklaturës apo e establishmentit nuk ballafaqohet me vështirësi të tilla;
– Shpërngulje dhe dyndje popullsie ka, por pushtetarët apo fëmijët e tyre shpërngulen më pak, për të mos thënë fare;
– Studio dhe shtëpi televizive ka, siç ka edhe mediume elektronike, por s’ka mendim të lirë, mendim kritik, shtyp të pavarur;
– Rrugë dhe rrugica ka sa të duash, por vetëm një numër simbolik i tyre mbajnë emra të figurave dhe të personaliteteve nga historia dhe nga kultura kombëtare shqiptare;
– Shkolla – fillore dhe të mesme ka – por fare pak shkolla të mesme mbajnë emra figurash dhe personalitetesh të historisë dhe të kulturës së kombit shqiptar;
Në anën tjetër:
– Art të mirëfilltë s’ka, mirëpo kiç dhe shund ka sa të duash;
– Kulturë elitare s’ka, mirëpo ka me të madhe kulturë masive dhe telenovela, ndërsa reality shou vërshon nga të katër anët;
– Biblioteka s’ka, mirëpo ka me tepricë bastore, pijetore, taverna dhe kazino;
– Arsim cilësor s’ka, mirëpo ka shitblerje notash, diplomash, titujsh akademikë, magjistraturash dhe doktoratash;
– Hulumtime, zbulime, shpikje, gjurmime, kërkime nëpër biblioteka dhe arkiva s’ka, mirëpo ka me tepricë tituj akademikë, magjistra, doktorë shkence;
– Shkencë nuk ka, mirëpo inflacion titujsh akademikë ka sa të duash;
– Pedonale s’ka, mirëpo ka me tepricë trotuare dhe hapësira të zaptuara prej ushqimoreve (pilarave), çajtoreve, byrektoreve, ëmbëltoreve, bozaxhinjve, bukëpjekësve, kafeterive, restoranteve, tregtarëve, shitësve nëpër tezgjah, basmaxhinjve, dyqanxhinjve;
– Thertore s’ka, megjithëkëtë ka mishshitës dhe kasapë që therin bagëtinë në rrugë, si në vende të caktuara afro-aziatike.
* * *
Kërkesat e qytetarëve sot
Në zgjedhjet vendore nuk dilet me ide të mëdha. Dilet me programe konkrete, të harmonizuara me potencialet financiare reale të komunave që pretendohen. Ndryshe, fjalët e thëna gjatë fushatës parazgjedhore, mbeten premtime pa mbulesë. Politika moderne nuk është retorikë e zbrazët as sentencë moralizuese.
Para qytetarëve duhet dalë me çështjet që kanë të bëjnë me infrastrukturën e qytetit dhe të viseve rurale. Këtu duhet kushtuar rëndësi asfaltimit të rrugëve, çeljes së rrugëve të reja, ndërtimit të shtigjeve për biçikleta, ndërtimit të pedonaleve, ndërtimit të parkingjve, planit urbanistik, ndërtimit të stacioneve hekurudhore të reja, ndërtimit të tregjeve të gjelbra të reja, zgjerimit të hapësirave të gjelbra, ndërtimit të kopshteve apo të çerdheve, ndërtimit të këndeve të fëmijëve, zgjidhjes së çështjes së depozitimit të hedhurinave, mirëmbajtjes së shportave të hedhurinave, ruajtjes së mjedisit, ndërtimit të pritave apo të digave për parandalimin e vërshimeve, depolitizimit dhe departizimit të administratës komunale, depolitizimit dhe departizimit të sistemit arsimor dhe atij shëndetësor, dhënies fund punësimeve mbi baza partiake dhe të farefisnisë, vlerësimit të individëve në bazë të aftësive morale dhe profesionale dhe jo mbi baza të përkatësisë partiake, zhvillimit të turizmit malor, ndërtimit të zonave të lira ekonomike, krijimit të kushteve për sjelljen e investimeve të huaja, marrjes së granteve, shfrytëzimit të fondeve të jashtme, siç ka qenë fondi IPA, mbështetjes së veprimtarisë kulturore, dhënies së bursave nxënësve dhe studentëve të dalluar, mbështetjes së zhvillimit të bujqësisë, të blegtorisë, të hortikulturës, sigurimit të ujit të pijshëm cilësor, pajisjes së shkollave me mjete mësimore bashkëkohore, pajisjes së shkollave me kabinete dhe me laboratorë, trajtimit human të qenve endacakë.
Pjesë e programit të tyre duhet të jenë edhe marrja e masave për ndaljen e shpërnguljes së të rinjve drejt Perëndimit si dhe angazhimi për kthimin eventual të atyre që kanë ikur qëmoti, madje edhe përtej deteve dhe oqeaneve, deri në Amerikë, në Kanada e mbase edhe në Australi. Krijimi i mundësive për qytetarët që punojnë dhe që jetojnë jashtë vendit, të kthehen dhe të investojnë në hapësirat shqiptare. Në veçanti duhet marrë masa për ndaljen e ikjes së trurit.
Po ashtu, duhet kushtuar rëndësi edhe ruajtjes së rendit, të paqes dhe të qëndrueshmërisë në shkallë komunash dhe më gjerë. Duhet kushtuar rëndësi edhe kultivimit të marrëdhënieve ndëretnike. Aty ku ka zënka, mbi çfarëdo baze qofshin, nuk ka përparim. Pra, kjo është ajo që u intereson qytetarëve, sidomos të rinjve, në dhjetëvjeçarin e tretë të shekullit XXI dhe jo e kaluara apo historia. Historinë e shkruajnë historianët. Ajo mësohet në shkolla. Veprimi politik është akt racional dhe jo aventurë kalorësiake e epokës së Miguel Servantesit. As ëndërr romantike e shekullit XIX. Shoqëria kërkon një jetë më të mirë. Kjo arrihet me punë të ndershme dhe jo me fjalë.
* * *
Është nihilizëm të thuhet se asgjë s’është punuar, se asgjë s’është bërë, se asgjë s’është arritur. Sot në skenën politike janë përfshirë edhe të rinjtë. Brezat e vjetër shpejt do të dalin nga skena. Në vend të tyre do të vijnë të rinjtë. Është koha e të rinjve, e njerëzve pa hipotekë.
Të zhgënjyerit, të dëshpëruarit, të demoralizuarit apo të deprimuarit thonë: “Të gjithë janë njësoj. Si njëri, tjetri. Kushdo që të vijë, do të jetë njësoj. Kushdo që të vijë, ndryshime s’do të ketë. S’kemi të bëjmë me asgjë tjetër, përpos me synimin për të ardhur në pushtet, për të rrëmbyer pushtet. Edhe këta që pretendojnë të marrin apo të rrëmbejnë pushtet, do të abuzojnë dhe do të jenë njësoj si pararendësit e tyre”.
Të gjithë këta që sot janë në skenë apo që veprojnë në skenë, pothuajse pa përjashtim, kanë qenë pjesë e pushtetit vendor apo e pushtit qendror, kanë qenë në parlament, kanë qenë në qeveri, kanë qenë në organet qeveritare, kanë qenë pjesë të partive “të vjetra”, kanë dalë prej partive të vjetra, kanë ndërruar nga disa parti, kanë kaluar nga një parti në parti tjetër, kanë pasur ambicie politike, kanë qenë karrieristë, kanë dalë ose nga PPD-ja, ose nga PDSh-ja, ose nga BDI-ja, kanë qenë funksionarë të ndonjërës prej tri partive të lartpërmendura; disa prej tyre nga partia mëmë, nuk janë larguar për shkaqe parimore, por për arsye karrieriste. Në botën demokratike, fraksionet që lindin brenda një partie apo ndarja më dysh e një partie, janë dukuri normale dhe demokratike.
* * *
Kryetarët e partive politike duhet t’u thonë kryetarëve të komunave: “Mos punësoni nëpër zyrat e komunave as edhe një person të vetëm, asnjë anëtar, veprimtar apo militant partie”. Veprimtaria dhe angazhimi partiak gjatë fushatës parazgjedhore nuk duhet bërë për të zënë një vend pune apo për të marrë vendim pune. Asnjë komunë nuk mund të funksionojë me trysninë që u bëhet kryetarëve të komunave, duke u thënë: “Më punëso ngase unë kam vrapuar për ty”.
Xhon Kenedi ka thënë: “Mos pyet se ç’bën shteti për ty, po ç’bën ti për shtetin”. Gjithsesi duhet pyetur se ç’bën komuna për qytetarët, por edhe qytetari duhet ta pyes veten se ç’bën ai për komunën. Qytetari, në përputhje me ligjin, duhet t’i shlyejë detyrimet komunale, t’i paguajë faturat e ujit dhe të hedhurinave, t’i shlyejë detyrimet e tatimfitimit, të tatimit mbi pasurinë dhe pronën. Po të mos e paguash rrymën, telefonin celular, internetin, transmetimin televiziv kabllor – të shkyçin përnjëherë. Po s’e regjistrove veturën një herë në vit, s’mund ta ngasësh atë.
* * *
Në komuna të caktuara, si për shembull në atë të Kërçovës, garojnë edhe kandidatë të pavarur. Kandidatët e pavarur s’e kanë lehtë të ballafaqohen me kandidatët të mbështetur nga partitë politike, sidomos nga partitë që kanë, edhe pushtet vendor, edhe pushtet qendror. Kandidatët e mbështetur nga partitë që kanë pushtet vendor, përkatësisht qendror kanë sasi më të mëdha mjetesh për të zhvilluar fushatë zgjedhore apo për t’i promovuar programet e veta. Përpos kësaj, kandidatët të mbështetur prej partive politike, qofshin ato në pozitë apo në opozitë, kanë pas vetes një makineri të tërë politike, partiake, financiare dhe mediatike.
Po ashtu duhet theksuar se një kandidat i pavarur, edhe sikur t’i fitojë zgjedhjet vendore, në një kohë kur pjesë e pushtetit qendror është partia oponentë, atëherë kandidati i pavarur has në obstruksionet e pushtetit qendror. Si i tillë, gjatë qeverisjes së komunës ballafaqohet me vështirësi të mëdha.
* * *
Edhe këto zgjedhje, sikur ato para këtyre, do të jenë të qeta, pa incidente dhe pa ndonjë problem të theksuar. Është mirë që në votim, duke i respektuar masat kundër koronavirusit Covid-19, të dalin që të gjithë. Me daljen në votim, shqiptarët e dëshmojnë vitalitetin e vet, potencialin politik dhe nivelin politik.
Ajo që dihet saktë është fakti se qytetarët rëndom kërkojnë dhe duan ndryshime. Duan risi, ide të reja, programe të reja, drejtësi, korrektësi dhe jo abuzime, nepotizëm apo amoralitet. Gjithmonë ka vend për pakënaqësi nga qytetarët.
Në zgjedhjet parlamentare të fundit, qytetarët e Kosovës votuan për të tashmen dhe për të ardhmen, pra jo për të kaluarën. Lufta ka hyrë në histori. Tani bëhet politikë. Është kohë e politikës, e luftës për zhvillim ekonomik dhe social. Asnjë punë nuk bëhet pa mjete financiare.
Pjesëmarrja në zgjedhje e një numri të madh kandidatësh e fragmentarizon votën shqiptare dhe e ul peshën e saj. Kandidatët duhet të zhvillojnë fushatë të mençur, pa fyerje, pa ofendime dhe pa denigrime.
Kodi etik i traditës së lashtë shqiptare, që nga koha ilire deri më sot, nuk e lejon fyerjen e tjetrit, sidomos jo, fyerjen e femrës. Kodi etik shqiptar, që nga lashtësia deri më sot, integritetin dhe dinjitetin e femrës e mbron në mënyrë të prerë. Cenimi i integritetit dhe i dinjitetit të një femre paraqet fyerje për çdo femër. Fatmirësisht, në çdo parti të hapësirave politike shqiptare, femrat janë pjesë e procesit politik. Para se të jenë politikane, ato janë para së gjithash nëna, bashkëshorte, motra, bija të prindërve të tyre. Nuk është karakteristikë e shqiptarit të fyejë femrën. Gjatë shekujve, shqiptarja ka lëvizur dhe ka ecur vetë, në të gjitha trojet kombëtare, pa i ndodhur gjë.
Pretendentët që janë në proces duhet të luftojnë politikisht për çdo votë, të tregojnë urti, maturi dhe modesti. Duhet të angazhohen që në votim të dalin sa më shumë qytetarë. Rregullat dhe normat zgjedhore duhet t’i respektojnë me përpikëri. Epilogu i fundit i këtyre zgjedhjeve do të varet nga raundi i dytë dhe nga koalicionet me partitë e tjera.
Johan Volfgang Gëte thotë: “Fitorja i përket atij i cili çdo ditë shkon në luftë për të”. Me fjalë të tjera, liri ke aq sa lufton për të. Të rinjtë, perspektivën e tyre duhet ta kërkojnë dhe ta gjejnë këtu, në vendlindje. Për një perspektivë të ndritshme duhet luftuar, duhet punuar dhe duhet vepruar. Politika shqiptare në Maqedoni dhe në rajon, ka qenë dhe është paqësore, stabilizuese dhe euroatlantike. Është koha që Maqedonia e Veriut dhe i gjithë kombi shqiptar të dalin nga periudha e tranzicionit. Nuk është kohë mitesh dhe legjendash. S’fitohet dot lufta me patriotizëm folklorik. Luftërat dhe konfliktet në Ballkan kanë marrë fund. Vetëm Serbia mendon ndryshe. Sakrificat dhe luftërat e shqiptarëve të tridhjetë vjetëve të fundit, kanë hyrë në histori, kanë zënë vend në histori. Luftë nuk bëhet kur t’i kujtohet dikujt.
Të rinjtë sot, me të drejtë duan zhvillim ekonomik, drejtësi, demokraci, shtet ligjor. Asgjë nuk vjen nga qielli. Këto vlera fitohen në beteja politike, me mjete demokratike. Asnjë nga problemet e sipërthëna nuk është i pazgjidhshëm. Reformimi i sistemit politik dhe i partive politike është proces i ngadalshëm, por i pandalshëm. Shqiptarët duhet të dëshmojnë se posedojnë potencial intelektual për ndryshime. Shqiptarët duhet të provojnë se shoqëria shqiptare posedon determinues historikë dhe sociologjikë. Pa këta determinantë, politika mbetet të jetë ambicie e karrieristëve mediokër, pa kurrfarë morali, ideje, ideologjie dhe vizioni. Mbetet të jetë në duart e oportunistëve, të konformistëve, të poltronëve dhe të demagogëve. Të rinjtë nuk duhet të shpërngulen në Evropë. Evropën duhet ta sjellin këtu. Duhet t’i evropianizojnë këto hapësira. Kjo nuk është e pamundur.
Xhelal Zejneli