Pas vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për t`i ofruar ndihmë Republikës së Shqipërisë në shuarjen e zjarreve, Presidentja Vjosa Osmani, në cilësinë e komandantes supreme, në pajtim me kompetencat saj ka nënshkruar autorizimin për dërgimin e trupave dhe pajisjeve të FSK-së në operacion humanitar dhe në të njëjtën kohë e ka informuar për këtë veprim Kuvendin e Kosovës. Trupat dhe pajisjet FSK-së, do t`i vihen në dispozicion autoriteteve shqiptare me qëllim të shuarjes dhe vënies në kontroll të zjarreve. Me heret Qeveria e Republikës së Kosovës, me kërkesë të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dhe në pajtim me Rregulloren e Punës së Qeverisë, ka zhvilluar mbledhje korresponduese, në të cilën ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Mbrojtjes për dërgimin e Kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në operacion humanitar në Republikën e Shqipërisë. Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, përmes një Note verbale, ka përcjell kërkesën te Ministria e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës për ndihmë dhe mbështetje të autoriteteve lokale të Kukësit për fikjen e zjarreve masive me të cilat është duke u përballuar Qarku i Kukësit në ditët e fundit. Nisur nga kjo Notë verbale, Ministria e Mbrojtjes ka bërë kërkesë që qeveria të miratojë vendimin për dërgimin e Kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në operacion humanitar në Republikën e Shqipërisë. Qeveria ka aprovuar kërkesën duke siguruar edhe mjetet buxhetore për financimin e operacionit. Vendimi i miratuar nga Qeveria e Kosovës, i cili gjen mbështetje në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, në Ligjin për dërgimin e Forcës së Sigurisë jashtë vendit dhe në Rregulloren për financim dhe dërgim të Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit, do të procedohet te Presidentja e Republikës së Kosovës për shqyrtim dhe autorizim të dërgimit të Kontingjentit të Forcës së Sigurisë në këtë operacion humanitar. (Dielli)