• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2012

Kryeministri Berisha: Shqipëria nuk ka pretendime territoriale

December 13, 2012 by dgreca

Komentet e kryeministrit shqiptar duket se vijnë si një reagim për të qetësuar fqinjët, që shprehën shqetësim për deklarimet e tij.

Në Tiranë kryeministri Sali Berisha deklaroi sot gjatë mbledhjes së qeverisë së tij se Shqipëria nuk ka pretendime territoriale. Komentet e kryeministrit Berisha duket se vijnë si një reagim për të qetësuar fqinjët e vendit të cilët shprehën shqetësim për deklarimet e tij vecanërisht gjatë festimeve për 100 vjetorin e Pavarësisë mbi bashkimin e shqiptarëve në trojet e tyre etnike.
Madje edhe në përfundimet e djeshme të Këshillit të ministrave të BE për Shqipërinë ishte përfshirë një paragraf ku kërkohej që të shmangeshin deklarata që shkojnë kundër marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë. Megjithatë zoti Berisha tha se askush nuk mund të mohojë që shqiptarët janë ndarë në 5 shtete, dhe se mohimi i këtij fakti sipas tij nuk i shërben stabilitetit.
Kryeministri përsëriti edhe një herë se albanofobia, sic tha ai, mbetet problem serioz, duke ftuar fqinjët “të mirëkuptojnë në interesin më të mirë të tyre kapërcimin e ndasive njëshekullore të vendosura në mënyrën më të padrejtë ndaj shqiptarëve”, nënvizoi zoti Berisha.(kortezi: Armand Mero-Zeri i Amerikes)

 

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Berisha, jo pretendime, shqiperia, territoriale

KRONIKE NGA KOSOVA

December 13, 2012 by dgreca

Kuvendi miraton buxhetin për 2013-ën/

Kuvendi i Kosovës ka miratuar sot në seancën e rregullt plenare buxhetin për vitin 2013, i cili është 1 miliard e 586 milionë euro. Për të kanë votuar 64 deputetë, 26 ishin kundër, ndërkaq 1 deputet ka abstenuar.
Në leximin e parë të projekt-buxhetit, partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, e patën kundërshtuar atë, duke e quajtur “buxhet të asfaltit dhe betonit”.
Ndryshe, buxheti i vitit 2012, i cili ka qenë 1 miliard e 520 milionë euro, e që është vetëm 4 për qind më i vogël se buxheti i vitit 2013, sipas vlerësimeve të ekspertëve, nuk ka rezultuar me zhvillim ekonomik të Kosovës, zbutje të papunësisë dhe varfërisë.
Po sot, Kuvendi i Kosovës ka miratuar me 89 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, edhe ratifikimin e marrëveshjes për anëtarësimin e Kosovës në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Më 16 nëntor të këtij viti, Kosovës iu konfirmua se do të jetë anëtare e BERZH-it.
BERZH është institucioni i tretë ndërkombëtar financiar, pas Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, që po anëtarësohet Kosova, e cila po has në vështirësi në anëtarësimin në mekanizmat ndërkombëtarë për shkak të mosnjohjes nga OKB-ja.
Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, BERZH, ka 65 anëtarë (Kosova është e 66-ta), kurse 29 prej tyre ende nuk e kanë njohur Kosovën si shtet.

 

Kosova kërkon heqjen e bllokadave serbe

 

Vullneti i mirë që Beogradi po dëshmon në zbatimin e marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit nuk duhet të na bëjë optimistë për qasjen që Serbia mund ta ketë në të ardhmen ndaj Prishtinës, thanë përfaqësues të qeverisë kosovare.
Në një tryezë diskutimi të organizuar nga Zyra e Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian në Prishtinë, zyrtarët e ekzekutivit kërkuan që Kosovës t’i hiqen bllokadat e vëna nga Serbia në anëtarësimin e vendit në organizatat rajonale e ndërkombëtare.
Edhe pse në muajin shkurt të këtij viti palët kishin arritur marrëveshjen për bashkëpunim rajonal, përfaqësues të qeverisë së Kosovës e quajtën të pamjaftueshëm angazhimin e shtetit serb në realizmin praktik të saj.
Edon Cana, këshilltar për integrime evropiane i kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, tha se anëtarësimi i Kosovës në organizata të ndryshme vështirësohet nga pala serbe.
“Nëse e analizoni politikën e jashtme serbe, ajo nuk ka ndryshuar gjatë 20 viteve të fundit. Është logjika e njejtë. Ne, në fakt, e kemi zbatuar marrëveshjen nga ana jonë, por sa herë që kemi të bëjmë me një organizatë të re, ata gjithmonë përpiqen të na vështirësojnë punën në anëtarësim në mënyrë që ata të përfitojnë diçka”, tha Cana.
Me iniciativën e Bashkimit Evropian në marsin e vitit të kaluar Prishtina dhe Beogradi kishin nisur një dialog për normalizimin e marrëdhënieve në mes vete.
Gjatë nëntë raundeve të takimeve të mbajtura nën ndërmjetësimin e Brukselit, palët kishin konkluduar shtatë marrëveshje, në mesin e të cilave ajo për lirinë e lëvizjes, njohjen e diplomave, menaxhimin e integruar të kufirit dhe bashkëpunimin rajonal.
Zbatimi i këtyre marrëveshjeve dhe normalizimi i raporteve me Prishtinën figuron në mesin e parakushteve për Serbinë drejt marrjes së datës për nisjen e negociatave për anëtarësim në BE.
Shefi i seksionit politik, ekonomik dhe të integrimit evropian në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, Thomas Gnocchi, nuk përjashtoi mundësinë që pas marrjes së datës për nisjen e negociatave për anëtarësim në BE, Serbia të vazhdojë qasjen bllokuese në raport me Kosovën.
Por, presioni evropian ndaj Beogradit, sipas tij, nuk do të ulët në procesin e integrimit të vendit.
“Nuk mund të imagjinoni një mundësi ku ata kalojnë hapin e radhës, hiqet presioni dhe ata bllokojnë prapë. Jo, sepse ka shumë hapa të tjerë më tutje”, u shpreh ai.
Derisa Serbia synon të nis negociatat për anëtarësim me BE-në gjatë vitit të ardhshëm, Kosova përpiqet të përmbushë kriteret e vëna për nisjen e negociatave që do të çonin në nënshkrimin e marrëveshjes për Stabilizim- Asociim.

 

Nuk ka datë për MSA për Kosovën, por lihet e hapur mundësia

 

Pas dy ditësh diskutimesh në nivel ministrorë, këshilli i Bashkimit Evropian ka miratuar të martën mbrëma konkluzat për vendet e Ballkanit Perendimor dhe për shtetet tjera të përfshira në procesin e zgjerimit të BE-së.
Përmes edhe këtyre konkluzave, BE-ja ka përseritur përkushtimin për të vazdhuar procesin e zgjerimit por ka porositur kandidatët dhe kandidatët potencialë se dinamika e afrimit të tyre do të varet nga meritat individuale në përmbushjen e kritereve të nevojshme.
Diskutimet më të vështira kanë qënë rreth formulimeve të pjesës së konkluzave kushtuar Kosovës, Serbisë dhe Maqedonisë.
Për Kosovën është dashur të ketë kompromis që do t’i kënaqte si 22 shtetet që e njohin atë si shtet, ashtu edhe 5 vendet të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Për Serbinë dhe Maqedoninë disa shtete kanë kundërshtuar përmendjen e muajt qershorë të vitit 2013 si afat për të marrë vendimin për nisjen e negociatave të anëtarësimit.
Njësoj ka qënë edhe në rastin e Kosovës për nisjen eventuale të negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.
Në fund, si kompromis nuk është përmendur asnjë datë, por është lënë një kornizë kohore e cila hap mudnësinë që vendimet, nëse përmbushen kushtet, të mirren në pjesën e parë të vitit 2013.
“Këshilli merr në dijeni Studimin e Fizibilitetit për marrëveshjen Stabilizim Asicijimi (MSA) mes BE-së dhe Kosovës, pa prejudikuar qëdrimin e shteteve anëtare për statusin. Këshilli merr në dijeni se Komisioni do të propozojë direktiven për negociata për MSA kur Kosova të ketë përmbushur prioritetet afatshkurta lidhur me sundimin e ligjit, administratën publike, mbrojtjen e pakicave dhe tregtinë, të cilat janë identifikuar në Studimin e Fizibilitetit“, thuhet në konkluzat për Kosovën.
Në to më tutje thuhet se “Këshilli, në veçanti, fton Kosovën që të shtojë ritmin e reformave. Angazhime të mëdha duhen posaqërishtë për forcimin e reformës së administratës publike dhe konsolidimin e sudnimit të ligjit, në veçanti duke dhënë dëshmi për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, reformën e gjyqësorit dhe lirinë e shprehjes“.
Përmes konkluzave BE-ja i ka bërë thirrje Kosovës që të vazhdojë angazhimin konstruktiv në dialog dhe të zbatojë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash, si dhe të bashkëpunojë me misionin e BE-së në fushën e rendit dhe ligjit.
“Këshilli i bën thirrje Kosovës të bëjë progres të mëtejmë në fushat kyçe, përfshirë edhe bashkëpunimin me EULEX-in dhe punën e ekipit të posaqëm hetues të EULEX-it, të kryejë obligimet e saja“, thuhet në konkluza.

“Këshilli nënvizon rëndësinë që Kosova të ruajë bashkëpunimin e saj të ngushtë me EULEX-in duke respektuar mandatin e rivendosur të këtij misioni. Në përputhje me konkluzat relevante të Këshillit, Këshilli rikujton vullnetin e Bashkimit Evropian që të ndihmojë Kosovën në zhvillimin e saj ekonomik dhe politik përmes perspektivës evropiane, në përputhje me perspektivën evropiane të rajonit. Nënvizon nevojën që të ndërmirren hapa konkretë në këtë drejtim“, thuhet më tej.
“Me qëllim të marrjes së mundshme të vednimit për hapjen e negociatave për MSA me Kosovën, Këshilli do të shyqrtojë në bazë të raportit që do të prezantohet nga Komisioni dhe nga Përfasqësuesja e lartë – Nënkryetarja e Komisionit në pranverë të vitit 2013, progresin e arritur në të gjtiha çështjet e lartpërmendura. Këshilli do ta vlerësojë këtë raport gjatë presidencës së ardhshme. Në rast se vlerësimi është pozitiv, Këshilli do të miratojë direktivat për negociatat“, është fjalia e kompromisit për Kosovën e cila, ndonëse nuk përmend datë, lë të hapur mundësinë që kjo të ndodhë gjatë kryesimit Irlandez të BE-së në gjysëmvjetorin e parë të vitit që vjen.
Por, për këtë Kosova duhet të përmbushë më parë të gjitha kushtet dhe kjo të vërtetohet edhe nga Këshilli i BE-së.

 

Në Jarinë ende s’ka import malli komercial

Zbatimi i marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufijve ka filluar të zbatohet, por në vendkalimin kufitar në Jarinë aktualisht po behët vetëm evidencimi i mallrave që hyjnë në Kosovë, megjithëse këto mallra do të duhej të zhdoganoheshin në terminalin që gjendet në jug të Mitrovicës.

Të paktën kështu deklaroi njeri nga përfaqësuesit e serbëve të veriut, Millan Ivanoviq nga Këshilli Kombëtar Serb.

“Policia, përveç evidencimit të mallit, po insiston ta doganojë në terminalin, në anën jugore. Serbët po e kundërshtojnë dhe nuk e pranojnë këtë, duke pasur parasysh garancitë që i ka dhënë Qeveria e Serbisë, se për veriun e Kosovës nuk do të ketë pagesë të doganës”, ka deklaruar Ivanoviq, për të shtuar se në ditët në vijmë do të shihet se a do të funksionojë e gjithë kjo.
“Në vendkalimin, në Jarinë, në këtë moment, malli evidencohet. Pastaj, kamionët, nëse ata eventualisht vazhdojnë kah territori i Kosovës, plumbohen dhe dërgohen në terminal, me kërcënimin se do të hapet padia penale ndaj tyre, në qoftë se në afat prej 1 muaji, të ashtuquajturat obligime lidhur me pagesën e doganës dhe taksave tjera nuk plotësohen”, tha Ivanoviq.x                        

Ivanoviq ka deklaruar po ashtu se të ashtuquajturit deputetët e komunave në veri, bazuar në garancitë e shkruara nga Qeveria e Serbisë, se nuk do të ketë doganim, janë tërhequr përkohësisht nga protesta, por siç thotë ai, nëse nuk përmbushen premtimet e tyre, protestat do të vazhdojnë.

Nga ana tjetër, Adriatik Stavileci, zëdhënës i Doganave të Kosovës tha për Radion Evropa e Lirë se në vendkalimin kufitar në Jarinë, që kur ka filluar zbatimi i marrëveshjes së IMB-së, nuk ka kalim të mallrave në vlerë të larë apo komerciale.
“Në Jarinë nuk ka pasur import të mallrave komerciale, ka pasur futje të mallrave të konsumit ditor, siç është qumështi apo buka e ushqime të tjera, të cilat kanë vlera minimale, kurse në Merdare ka vazhduar importi normalisht si gjithmonë”, tha Stavileci.
Stavileci ka përsëritur se zhdoganimi i mallrave që hyjnë nga vendkalimet kufitari në Merdare bëhet në Podujeve, kurse i atyre në Jarinë bëhet në jug të Mitrovicës.
“Pagesa e taksave bëhet në terminalet doganore saktësisht në terminalin e Mitrovicë, dhe saktësisht në Podujevë. Do të thotë në pikat hyrëse prej Jarinës në Mitrovicë dhe prej Merdares në Podujevë. Kjo ka qenë edhe më herët, po sidoqoftë deri me tani nuk kemi kalime të mallrave pa pagesë të taksave”, deklaroi Stavileci.
Autoritetet doganore kanë deklaruar se marrëveshja e IBM-se është duke u zbatuar pa ndonjë pengesë
Marrëveshja për Menaxhimin e Integruar të Kufirit parasheh praninë e policisë dhe doganierëve të Kosovës në vendkalimet kufitare me Serbinë, si dhe ata të Serbisë, por edhe të EULEX-it.
Marrëveshja për Menaxhimin e Integruar të Kufijve është par si mundësi e mirë për luftimin e kontrabandës dhe fenomeneve të tjera negative që kanë ndodhur në kufirin ndërshtetëror në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Doganat e Kosovës është institucioni më i rëndësishme për mbledhjen e të hyrave buxhetore. Sipas parashikimeve të Qeverisë së Kosovës, Dogana e Kosovës duhet të grumbullojë 860 milionë euro gjatë këtij viti.
Ndërkohë, që nga fillimi i këtij viti e deri më 5 dhjetor, ky institucion ka mbledhur 768 milionë euro për buxhetin e Kosovës(Kortezi Europa e Lire)

 

Filed Under: Kronike Tagged With: dalip greca, Kronike nga Kosova

NË PRAG TË 100-VJETORIT TË DYTË

December 13, 2012 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Anë e mbanë trojeve shqiptare në Ballkan dhe gjithku  jetojnë shqiptarët anë e mban  botës, muajin që kaloi u festua denjësisht 100-vjetori i Pavarësisë Kombëtare, duke kujtuar me solemnitet dhe duke nderuar burrat dhe gratë të cilët kanë sakrifikuar jetën dhe kanë kontribuar me talentet e tyre për të siguruar këtë pavarësi dhe liri që gëzon dhe që festoi  kombi shqiptar.  Shekulli i parë ishte një shekull sakrificash dhe heroizmash, pushtimesh e diktaturë komuniste, me të gjitha të mirat e të këqiat, me gjithë sukseset dhe dështimet — këtë vit që po merr fund — u shënua dhe u celebrua me krenari, 100-vjetë i të qenët shqiptar.  Shekulli i kaluar dhe luftërat heroike të shqiptarëve gjatë shekujve të më parëshëm, për të realizuar më në fund këtë pavarësi 100-vjeçare, ishin tepër domethënse për kombin. Imponimet e historisë dhe të rrethanave të kohërave kombin shqiptar e kanë bërë ai që është sot, i ndarë dhe i përçarë në pesë shtete, pothuaj si asnjë popull tjetër në botë, megjithëse me shekuj jeton në një hapësirë homogjene etnike.

Por megjithë këtë histori të dhimbëshme, 100-vjetët e ardhëshëm janë ekskluzivisht në dorë të shqiptarëve për të krijuar dhe ndërtuar një të ardhëme ashtu siç e dëshirojnë vet shqiptarët, duke marrë përsipër përgjegjësitë dhe obligimet si indidvidë dhe si shoqëri, por mbi të gjitha si komb. Dhe si të tillë, duke pyetur vetveten, nëse gjëndja e sotëme në të cilën gjëndet kombi shqiptar është e pranueshme dhe nëqoftse jo, çfarë duhet bërë? Duke iu përgjigjur kësaj pyetjeje, secili ka rolin e vet për të luajtur por edhe përgjegjësitë, si anëtar i denjë i kombit të vet.

Gjergj Kastrioti — Skendërbe, Lidhja e Prizrenit, si dhe patriotët, në krye me Ismail Qemalin, të cilët 100-vjetë më parë shpallën Pavarësinë Kombëtare, kishin një vizion të qartë dhe të vendosur për të ardhmen e kombit shqiptar. Ata ishin burra të mençur, të flakët në patriotizëm dhe të përkushtuar, jo ndaj interesave personale, por ndaj parimeve të tyre kombëtare dhe dashurisë për Atdheun, që më në fund pas 500-vjetë pushtimi osman, bënë që ”Shqipëria me sot të bëhet më vete, e lirë e mosvarme”.

Ndërsa po mbyllen festimet e 100-vjetorit të parë të Pavarësisë Kombëtare dhe ndërkohë që fillon shekulli i dytë i shqiptarëve, cili është vizioni për të ardhmen e kombit që e dëshiron brezi i sotëm i shqiptarëve — ky brez i privilegjuar i cili udhëhoqi dhe me krenari mori pjesë në festimet e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë — për ta bërë Shqipërinë  dhe për ta radhitur kombin shqiptar me kombet e tjera evropiane, aty ku historia ia caktoi vendin?

Them brez i privilegjuar sepse në çerek shekullin e kaluar ky brez ishte dëshmitar dhe në shumë raste edhe pjesëmarrës në sigurimin e lirisë dhe në rivendosjen dhe zgjërimin e të drejtave dhe lirive individuale dhe kombëtare për të gjithë shqiptarët. Shqiptarët kudo që janë, kurrë më parë nuk kanë gëzuar më shumë të drejta dhe liri se sot. Historia ka filluar të ndreqë gabimet dhe disfatat që ka pësuar kombi ynë gjatë shekujsh, ashtuqë ëndërra e rilindasve të shkojë në vend. Karl Sandburg, shkrimtari dhe poeti amerikan ka thënë se asgjë nuk ndodhë, nëqoftse më së pari nuk fillon si ëndërrë. Dhe sipas Eleanor Rusvelt e ardhmja është e atyre që besojnë në bukurinë e ëndërrave të veta.  Ëndërra e rilindasve të kombit shqiptar është në realizim e sipër, por është tani në dorë të këtij brezi të shqiptarëve — e sidomos të klasës politike në të gjitha trojet — që liria që gëzojnë sot shqiptarët të forcohet, të konsolidohet dhe të përjetësohet, ashtuqë ëndërra e tyre të bëhet realitet dhe të shkojë në vend amaneti i rilindasve patriotë.

Ku janë sot patriotët dhe heronjtë e kohës moderne? Fatbardhësisht, rrethanat historike sot janë të tilla, se për të qenë hero nuk është e nevojshme dhe as e detyrueshme që doemosdo duhet të japësh jetën për kauzën e lirisë ose të pavarësisë së kombit tend.   Por ama, për të konsoliduar dhe për të gëzuar lirinë e sotëme për çdo shqiptar, ashtu siç dëshironin patriotët e Shpalljes së Pavarësisë, nevojitet ndihma e Zotit dhe bashkimi me mend e me zemër me njëri tjetrin — pa dallim — për qëllime dhe ide të përbashkëta, ashtuqë të realizohet vizioni i para-ardhësve për një komb të lirë e të bashkuar.  Sepse, për ndryshe, siç kemi mësuar gjatë historisë së kombit shqiptar, armiqtë e lirisë dhe të pavarësisë së shqiptarëve, në mungesë të këtij bashkimi ideshë e qëllimi nga vet elita shqiptare, do të vazhdojnë të përdorin si gjithëherë metoda të ndryshme në interes të tyre dhe në dëm të shqiptarëve, për të manipuluar dhe shtrëmbëruar historinë e kombit shqiptar.

Nënshkruesit e Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare me ndihmën e Zotit dhe të bashkuar rreth një ideje dhe qëllimi të përbashkët, kërkuan jo vetëm lirinë dhe pavarësinë për popullin e vet por në të njëjtën kohë edhe rivendosjen e të drejtave të kombit të tyre që i ishin grabitur gjatë shekujve, pa pëlqimin dhe kundër vullnetit të tij. Ideja e tyre ishte liria personale, vet-qeverisja dhe bashkimi kombëtar. Megjithëse, ata fatkeqsisht nuk e gëzuan pavarësinë, idealet e tyre mbijetuan, por që ato të lulëzojnë, kërkohet angazhim dhe dedikim i plotë dhe serioz ndaj këtyre parimeve.

Kështuqë ndërsa fillon 100-vjetori i dytë i pavarësisë kombëtare të shqiptarëve, le të ndalemi dhe të falenderojmë të Madhin Zot dhe rilindasit largpamës për vizionin e tyre, për një komb dinamik të bashkuar në liri dhe pavarësi.

Këtu në Amerikë thuhet se lufta për sigurimin e lirisë në të vërtetë nuk fitohet kurrë, dhe se ruajtja e lirisë është një proces që nuk mbaron asnjëherë. Mbrojtja e lirisë individuale dhe kombëtare është një obligim dhe përpjekje e vazhdueshme e çdo gjenerate.

Në prag të 100-vjetorit të dytë mbetet aq shumë për t’u bërë. Me sigurimin e pavarësisë kombëtare, duhet tani të punohet për pavarësinë e individit dhe për të drejta të barabarta për të gjithë, por edhe për sigurimin e mundësive që çdo shqiptar e shqiptare të zhvillojë potencialin e tij ose të saj për të qenë të aftë të kontribojnë për veten dhe shoqërinë.   Për të krijuar një shoqëri që nuk bazohet në frikë, as nga shteti as nga krimi, por një shoqëri e cila vepron si individ dhe si komunitet për të përmirësuar jetën e çdo njërit, ashtuqë secilit t’i jepet mundësia që të zhvillojë kapacitetet e veta mendore, intelektuale dhe fizike për mirëqenjen e vet, të shoqërisë në të cilën jeton dhe në interest të kombit.

Le të jetë shekulli i dytë i Pavarësisë Kombëtare një shekull shprese, bashkimi, arsyeje, mirëkuptimi me njëri tjetrin dhe ndryshimesh pozitive, por të jetë gjithashtu edhe një shekull lirie dhe integriteti personal dhe kombëtar.  Të jetë gjithashtu edhe një shekull kur udhëheqsit e sotëm shqiptarë të të gjitha trevave dhe të gjitha bindjeve politike — të mos kenë frikë nga e ardhmja — por të punojnë me seriozitetin më të madh për një imazh të kombit shqiptar në arenën ndërkombëtare, i cili rrjedhë nga bindja dhe krenaria e realizimit të ëndërrës së rilindasve të kombit shqiptar.

Filed Under: Editorial Tagged With: Frank shkreli, ne prag, te 100 vjetorit, te dyte

40 FAQE PËR SHQIPËRINË DHE SHQIPËTARËT NË NJË GAZETË AMERIKANE

December 13, 2012 by dgreca

Si asnjëherë në histori, një gazetë joshqiptare i ka kushtuar kombit shqiptar dhe diasporës së tij në SHBA një hapësirë 40 faqesh prezantuese dhe kremtuese.

Rasti ishte për nder të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë; gazeta ishte “New York Daily News”, e njohur si periodikja me tirazhin më të lartë në shtetin e New York-ut dhe si e pesta në mbarë Shtetet e Bashkuara të Amerikës (direkt mbas gjigandëve “Wall Street Journal”, “The New York Times” që ia kalojnë vetëm me shitjet jashtë shtetit si dhe “USA Today” e “Los Angeles Times”).

Për shkrimet e botuara, “New York Daily News” pati ndihmën e gazetës shqiptaro-amerikane “Illyria”. Synimi ishte që të prezantohej Shqipëria dhe shqiptarët, përfshi edhe komuniteti ynë në sytë e lexuesve të thjeshtë amerikanë.

Faqet kushtuar Shqipërisë u botuan nga gazeta njujorkeze në 28 Nëntor 2012. Një shkrim me titullin, “Dita e Shqiptarëve”, nga Ruben Avxhiu u shpjegonte lexuesve amerikanë festën shqiptare të 28 Nëntorit si dhe i bënte një përshkrim të shkurtër historisë së shqiptarëve. Një një pjesë nga libri “Udhëtimi im në Tokën e Shenjtë” i botuesit të gazetës “Illyria”, Vehbi Bajrami, përshkruhej vizita e tij në Jerusalem, e organizuar nga organizata e fuqishme American Jewish Committee (Komiteti Amerikano-Hebre – AJC) si dhe historia e miqësisë mes shqiptarëve dhe hebrejve (këta të fundit janë komunitetit etnik më i madh i qytetit tonë të New York-ut dhe përbëjnë përqindjen më të lartë të lexuesve të “NY Daily News”). Shkrimi flet edhe për rolin e shqiptarëve në shpëtimin e hebrejve gjatë Luftës së Dytë.

Gazeta njujorkeze, me ndërmjetësimin e botuesit të gazetës “Illyria”, intervistoi me këtë rast edhe shkrimtarin më të shquar shqiptar, Ismail Kadare, i cili foli për kthesat e mëdha të kombit shqiptar, për shekullin e parë të historisë së tij që prej pavarësisë, për kthimin në Perëndim të shqiptarëve si dhe për letërsinë dhe rolin e saj.

Një shkrim i posaçëm erdhi nga Kosova, kushtuar Nënë Terezës, për t’ia prezantuar lexuesit amerikan, këtë “nënë të botës dhe bijë të Shqipërisë”. Ishte shkruar dhe dërguar nga biografi më i mirë shqiptar i saj, Dom Lush Gjergji.

Suplementi kushtuar Shqipërisë përfshinte edhe histori shqiptaro-amerikanësh të njohur si ajo për inxhinierin Wilson Kokalari që luajti rol kyç në misionin hapësinor që dërgoi njeriun e parë në Hënë, Apollo 11 si dhe ajo për gazetarin shqiptaro-amerikan, Donald Lambro, që ndikoi personalisht në vizionin e presidentit të shquar amerikan, Ronald Reagan. Lambro, djali i një emigranti shqiptar që punonte si berber, u bë një nga gazetarët më të shquar të Amerikës dhe një libër të tij Presidenti Reagan e shpalli lexim të detyrueshëm për të gjithë anëtarët e kabinetit të tij të parë presidencial.

Suplementi përfshinë edhe arbëreshët. Një shkrim interesant nga Gena Bajrami, zbulon një kryebashkiak arbëresh në një nga qytezat pranë New York-ut, Andrew Parise, që si rrallëkush në historinë e Amerikës, e mban atë post që prej 16 vjetësh. Kaq shumë e duan njerëzit që qeveris sa që parku kryesor aty mban emrin e tij. Shkrimi edukon lexuesin amerikan për lidhjen historike mes shqiptarëve dhe arbëreshëve. Një shkrim tjetër i kushtohet ish-kongresistit të parë dhe të vetëm me prejardhje shqiptare, Joseph DioGuardi, babai i të cilit ishte arbëresh. Shkrimi me autor Artur Vrekajn, flet për rolin e DioGuardit si themelues i organizatës së parë dhe të vetme lobiste shqiptaro-amerikane në Washington DC.

Në faqet kushtuar Shqipërisë, spikasin dy figura të komunitetit që shënojnë hyrjen në politikë të shqiptaro-amerikanëve.

Mark Gjonaj, i cili u bë këtë vit, shqiptaro-amerikani i parë që zgjidhet në Asamblenë Shtetërore të New York-ut, kongresisti ynë i parë shtetëror. Mark Gjonaj luajti një rol të rëndësishëm personal që të fillonte ky projekt për Shqipërinë në “New York Daily News”.

Figura tjetër ishte Ken Biberaj, që kandidon në 2013 për t’u zgjedhur këshilltari i parë shqiptaro-amerikan në Bashkinë e New York City-t. Biberaj është pjesë e atij brezi të ri shqiptaro-amerikanësh të talentuar që janë shkolluar në SHBA e po shkëqejnë në profesione e biznese jotradicionale për komunitetin shqiptar.

Në një shkrim të posaçëm të shkruar nga ish-diplomati dhe eksperti i njohur amerikan, James Hooper tregohen intimitete interesante nga drama e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike shqiptaro-amerikane pas rënies së komunizmit në Shqipëri.

Një shkrim nga kritiku shqiptaro-amerikan i artit, Nick Leshi, zbulon një shkrimtare shqiptaro-amerikane të librave romantikë të kategorisë “best-sellers”. Loreta Chase flet për krenarinë e saj kombëtare si vajzë shqiptarësh në këtë përvjetor shekullor të pavarësisë së vendit nga erdhi familja e saj me mbiemrin Chekani.

Një shkrim kushtuar kompanisë së prodhimit të verave “Stonecastle Vineyards and Winery LLC”, përshkruan një histori të pashoqe suksesi ekonomik në Kosovën e pavarësuar, investimin e biznesmenit shqiptaro-amerikan Rustem Gecaj. Është historia e një tradite të lashtë verëprodhuese që nga koha e ilirëve, në Luginën e Rahovecit, historia e Kosovës dhe e verës “Stonecastle”, që tani tregëtohet nëpër Europë e SHBA.

Në këtë numër të gazetës amerikane botohet edhe intervista e Sulejman Gashit me regjisorin Andamion Murataj, një shkrim mbi gjigantin e restoranteve “Famiglia Pizza”, një tjetër për “Albanian Yellow Pages” si dhe shkrimi i Venila Xhaferit ku flet për gjestin bujar të kompanisë “R.E.M” të Rick Elezit që ndihmoi banorët e Staten Island të prekur nga moti i keq, i njohur si “Sandy”.

Një listë shqiptaro-amerikanësh të suksesshëm, e shoqëruar me fotografi, i bën nje prezantim më të gjerë e mozaik komunitetit te lexuesi i gazetës “New York Daily News”.

Ballina e Suplementit, një fotografi me tematikë shqiptare e artistit të shquar shqiptaro-amerikan, fotografit Fadil Berisha, është mbresëlënëse dhe ideale për të startuar këtë prezantim historik të shqiptarëve. Një numër biznesesh të komunitetit gjithashtu përfituan nga rasti që të ofrojnë dhe reklamojnë punën dhe shërbimet e tyre përpara qindra mijëra lexuesve amerikanë të gazetës “New York Daily News”. Ndihmë në këtë drejtim dha edhe “Albanian Yellow Pages”.

Sigurisht 40 faqe janë gjithnjë pak për të përshkruar një botë aq të ndërlikuar sa bota shqiptare, por ishte gjithësesi një fillim i mirë, një mundësi e madhe që rrallë mund t’i jetë dhënë një komuniteti tjetër etnik në SHBA. Gazeta “Illyria” është krenare që pati mundësinë të bashkëpunojë dhe kontribuojë në këtë projekt.

Lexim të mbarë! (Ky informacion u dergua nga Illyria per Diellin)

http://newspaperads.nydailynews.com/SS/Page.aspx?sstarg=&facing=false&secid=126939&pagenum=1

 

Filed Under: Featured

URDHERI I LARTE “SKENDERBEU” PER AUTORIN E ROMANIT”SKENDERBEU”

December 12, 2012 by dgreca

Presidenti Nishani nderon me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” personalitetin e shquar, akademik dhe politik, historianin dhe letrarin, Sabri Godo (Pas vdekjes)/

TIRANE, 12 dhjetor 2012/

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani nderoi me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, personalitetin e shquar, historianin, shkrimtarin, akademikun dhe politikanin Sabri Godo (Pas vdekjes), me motivacionin: “Personalitetit të shquar të politikës dhe kulturës kombëtare, politikanit të urtë dhe vizionar me kontribut të çmuar në proceset demokratike; shkrimtarit e skenaristit që talentin e vuri në shërbim të popullit dhe vendit të tij”.

Në ceremoninë zyrtare të zhvilluar me këtë rast, në mjediset e Presidencës ishin të pranishëm familjarë, miq dhe bashkëpunëtorë të Sabri Godos. Duke përshëndetur pjesëmarrësit, Presidenti i Republikës u shpreh se është privilegj që në këto momente të rëndësishme të historisë së Shqipërisë dhe shqiptarëve të nderojmë një prej figurave të rëndësishme të historisë së Shqipërisë, Sabri Godo.

“Sot është një privilegj për të gjithë ne të vlerësojmë luftëtarin e luftës për çlirim. Sot për ne është një privilegj të nderojmë artistin dhe shkrimtarin Sabri Godo. Sot për ne është një mundësi për të ofruar nderim për patriotin Sabri Godo. Sot është një rast i mirë për të gjithë ne, por përmes nesh, jam i bindur çdo qytetari shqiptar dhe çdo shqiptari të ndershëm, për të ofruar nderim për politikanin antikomunist Sabri Godo. Sot për të gjithë ne është një moment i rëndësishëm për të vlerësuar dhe shprehur mirënjohjen për eruditin Sabri Godo, babain, bashkëshortin, mikun, shokun, bashkëluftëtarin, politikanin, në të gjitha aspektet. Ndaj ne kemi privilegjin ta shfrytëzojmë këtë moment dhe të gjitha këto kontribute të Sabri Godos t’i ngulisim në historinë moderne të Shqipërisë. Jam i bindur që ky akt i yni në nderim, në vlerësim dhe në kujtim të Sabri Godos është në fund të fundit një vlerësim dhe një borxh që qytetarët shqiptarë dhe çdo shqiptar i mirë dhe i ndershëm do të kishte kënaqësinë që ta jepte si kontribut”, – theksoi Kreu i Shtetit, duke e konsideruar veprën që la pas Sabri Godo, krenari jo vetëm për familjen e trashëgimtarët e tij, por për të gjithë shqiptarët.

Pas leximit të dekretit presidencial nga Sekretari i Përgjithshëm, Bardh Spahia, Urdhri i lartë “ Gjergj Kastrioti Skënderbeu” iu dorëzua nga Kryetari i Shtetit të bijës së Sabri Godos, e cila në shprehje të mirënjohjes për këtë nderim u shpreh se “Ky është një nder i madh që i bëhet babait tonë, sepse me këtë titull të lartë, ai përfundimisht vihet në radhën e njerëzve të shquar të Shqipërisë! Do të doja, do të kisha dëshirë që ai ta kishte marrë vetë këtë titull, por jam e sigurt që ai e ka ndjerë edhe më parë kujdesin tuaj dhe respektin tuaj. Kështu që në njëfarë mënyre jam e qetë. Të jesh bir dhe nip i një njeriu të shquar, nuk është edhe aq e thjeshtë, dhe nuk është një privilegj, sepse njeriu duhet të përpiqet shumë që të mbajë emrin, që të mbajë mbiemrin”.

Filed Under: Kronike, Kulture Tagged With: dekorohet, me Urdherin-Skenderbeu, nga Presidenti Nishani, Sabri Godo

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • …
  • 43
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT