• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2013

ME 17 SHKURT VATRA FESTON 5 VJETORIN E PAVARESISE SE KOSOVES

January 30, 2013 by dgreca

FOTO: 28 NENTOR 2012-Vatra dhe Bashkesia shqiptare ne Festen e Flamurit

VATRA DHE BASHKËSIA SHQIPTARE NË NEW YORK ME RRETHINA DO TË KREMTOJNË 5 VJETORIN E SHPALLJES SË PAVARËSISË SË KOSOVËS ME 17 SHKURT

Njoftohet komuniteti shqiptar në New York dhe në rrethina se Federata Panshqiptare e Amerikës “VATRA” dhe Bashkësia Shqiptare do të kremtojnë 5 vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës me 17 Shkurt 2013. Kremtimi do të bëhet nga ora 12 te drekes deri në 5 pm në restorantin e njohur MAESTRO’S, që ndodhet në :

ADRESËN:

MAESTRO’S

1703 Bronxdale Ave, Bronx, NY 10462

Tel: 718-792-8844

Sipas traditës në këtë festë do të jenë bashkë : Federata Panshqiptare e Amerikës”VATRA”, më bashkësinë Shqiptare si dhe Qendrën Islame në New York dhe New Jersey, Kishën Katolike Shqiptare ”Zoja e Shkodrës” si dhe Kishën Orthodokse “Shën Kolli”.

Argëtojnë këngëtarë:

MERITA HALILI

ERMIRA BABALIU

KINO

ORKESTRA E MJESHTRIT RAIF HYSENI

12 lloj ushqimesh dhe pije

Të ftuar në mbrëmje: Personalitete amerikane dhe shqiptare.

BILETA E HYRJES $45

Beni rezervime: 718-365-6830, 917-2546103, 917-848-3999, 212-960-8970, 914-760-5653, 347-893-5289, 917-651-9224, 913-772-2478, 917-346-2038, 917-498-9503, 718-347-9472,917-337-1753

OSE NA SHKRUANI: Emil- gazetadielli@gmail.com

Filed Under: Kronike Tagged With: feston, pavaresia e Kosoves, Vatra

Diaspora dhe diplomacia e ndërmjetme

January 30, 2013 by dgreca

Gjatë rrjedhës së dy dekadave të fundit, shumë miq amerikanë janë shfaqur në skenën kombëtare shqiptare. Këta miq nuk duhet të lejohen të veniten. Tërheqja e “The Albright Group” nga investimi në Kosovë duhet të përçojë valë drithëruese në shpinën shqiptare dhe nuk duhet të lejohet të përsëritet. Interesat thelbësore të një investimi të tillë janë shumë më të mëdha se vetë investimi monetar. Miqtë si sekretarja Madeleine Albright duhet të nxiten të mbesin të përfshirë në suksesin tonë./

 Nga Martin Vulaj/

Fjala “diasporë” rrjedh nga fjala greke “diaspeirin”, që do të thotë shpërndarje. Hebrenjtë e kanë përdorur fjalën “galuth”, që do të thotë azil, në të njëjtin kontekst. Diaspora shqiptare ka një histori të gjatë të kontributit për kauzën shqiptare dhe shtetin shqiptar, e cila është po aq e gjatë sa vetë historia e shtetit shqiptar. Qëllimi i këtij artikulli nuk është shprehja e mendimeve për historinë shqiptare, për ç’gjë nuk jam i kualifikuar. Historianë ka me bollëk në mesin e shqiptarëve. Sidoqoftë, edhe vështrimi më i përciptë i historisë shqiptare pasqyron rolin kritik të diasporës në zhvillimin e kombit, shtetit dhe aftësisë për bashkëveprim kombëtar dhe ndërkombëtar. Prej Skënderbeut, figurave të rilindjes shqiptare, rezistencës kombëtare të kosovarëve e deri te guximi i jashtëzakonshëm i pararendësve dhe themeluesve të UÇK-së, është e qartë se roli i diasporës ka qenë kritik në çdo fazë të zhvillimit të vetëdijes kombëtare shqiptare.
Gjatë diskutimit të rolit modern të diasporës shqiptare bëhet e qartë se ndihma e mundësuar nga diaspora në Evropë në aspekt të fondeve (si remitancat dhe fondet e ndara për kauza të veçanta, lëvizje apo edhe armë) ka qenë e pazëvendësueshme, por ajo që ka ndodhur në Shtetet e Bashkuara është unike dhe meriton një vëmendje të veçantë.
Përveç ndihmës së njëjtë në formë të remitancave, fondeve të ndara, mbështetjes morale dhe teknike, diaspora në Shtetet e Bashkuara ka arritur të ketë qasje në vetë levat e pushtetit të shtetit, dhe të ndikojë drejtpërdrejt në aplikimin e fuqisë së butë dhe të fortë. Kjo nuk është bërë në saje të natyrës individuale të secilës diasporë, pasi që, si farat e bujkut që shpërndahen, diku më të mira e diku më të dobëta, në përgjithësi ekziston një shpërndarje bajagi e barabartë në aspekt të cilësisë. Kështu ka qenë edhe shpërndarja e diasporës ndërmjet Evropës dhe Shteteve të Bashkuara. Kjo është bërë kryesisht falë: 1. modelit të demokracisë në Shtetet e Bashkuara dhe kontratës unike sociale ndërmjet qytetarit dhe shtetit, që jo vetëm i mundëson, por edhe aktivisht e inkurajon qytetarin të përfshihet në procesin demokratik. Një përfshirje e tillë është kryesisht e kufizuar vetëm nga aftësitë e ndryshueshme të qytetarit; dhe 2. Politikave kryesisht jodiskriminuese sociale të SHBA-së, që mundësojnë veprimtari të shpejtë ekonomike të qytetarit.
Diaspora në Shtetet e Bashkuara ka arritur të shfrytëzojë të dyja këto aspekte të shoqërisë amerikane dhe të gjenerojë sasi të konsiderueshme parash brenda një gjenerate, dhe më pas t’i shfrytëzojë ato para duke i zbatuar ato në procesin e hapur politik për të fituar qasje të drejtpërdrejt te politikëbërësit dhe vendimmarrësit, dhe rrjedhimisht për të ndikuar te ta nëpërmjet theksimit të politikave që janë në interes të përbashkët të SHBA-së dhe kombit shqiptar.
Kulmimi i këtij aktiviteti ka qenë ndërhyrja e udhëhequr nga SHBA-ja në Kosovë. Ndërhyrja, natyrisht, nuk ka ardhur vetëm falë aktiviteteve të diasporës, por roli i saj në ushtrimin e ndikimit te qeveria amerikane nuk duhet të nënvlerësohet. Pas ndërhyrjes, me themelimin e shtetit të ri të Kosovës dhe me Shqipërinë në rrugë drejt demokracisë së qëndrueshme dhe përfshirjes në Evropë, energjia e konsiderueshme që ka gjeneruar diaspora është dukur të jetë dobësuar nga mungesa e një zëri unanim. Kjo nxit pyetjen, “Quo vadis, diaspora?”. Me aftësinë e jashtëzakonshme që ka treguar diaspora në SHBA, me potencialin e pamasë që ofron qeveria amerikane (dhe komuniteti i biznesit), me nevojat e thekshme të kombit shqiptar në rritje, dhe me gatishmërinë e qeverisë amerikane për të inkuadruar qytetarët në procesin demokratik, potenciali për të realizuar një rritje dhe forcim të interesave të përbashkët karshi SHBA-së dhe kombit shqiptar është i qartë. Që kjo të ndodhë, janë të nevojshme disa gjëra:
Një, diaspora duhet të vazhdojë të ushtrojë ndikim te Kongresi dhe Departamenti amerikan i Shtetit, por në një mënyrë të strukturuar. Komisionet kryesore që kanë të bëjnë me çështjet tona janë ato që merren me çështje ndërkombëtare dhe ndarje parash për një çështje të caktuar. Ka edhe të tjera, natyrisht, por vëmendja dhe resurset duhet të përqendrohen te këto katër (2 në Senat, 2 në Dhomën e Përfaqësuesve).
Megjithatë, diaspora duhet të shikojë përtej Kongresit dhe Departamentit të Shtetit si mekanizma të vetëm të ndryshimit, dhe të fitojë qasje dhe ndikim edhe te departamentet e tjera. Bashkëveprimi me “Capitol Hill”-in dhe “C Street”-in duhet të vazhdojë, ndërsa Kongresi është veçanërisht i rëndësishëm për realizimin e objektivave, pasi ata munden t’i realizojnë ato, ose drejtpërdrejt, ose tërthorazi, nëpërmjet forcës së parave, legjislacionit apo hijeve të tyre. Diaspora duhet të përqendrohet në objektiva të prekshme, si ndihma bujqësore, mjekësore dhe ushtarake, krijimi i një korpusi modern dhe profesional diplomatik, forcimi i organizatave qytetare dhe i teknologjisë që do të shërbenin për të joshur investime. Por, kjo nuk mund të bëhet pa bashkëveprimin strukturor me vendimmarrësit shqiptarë; Dy, përderisa ekziston një aftësi e dukshme në rritje e korpuseve diplomatike shqiptare (lexo: kosovare dhe maqedonase, gjithashtu), vendet pritëse duhet të kuptojnë se diplomacia tradicionale i ka kufizimet dhe kufijtë e saj. Diaspora nuk i ka. Duhet të ekzistojë një marrëdhënie e institucionalizuar me diasporën dhe Tiranën, Prishtinën dhe Shkupin, ku idetë dhe informatat shkëmbehen lirshëm. Vlen të theksohet se, mbase deri së fundmi, këto kryeqytete nuk kanë pasur njohuri për mundësitë mbresëlënëse të ofruara nga Departamenti i Bujqësisë, Departamenti i Shëndetësisë dhe i Shërbimeve Njerëzore, Departamenti i Energjisë, e të tjerë. Për shembull, Departamenti i Bujqësisë ka programe në të cilat marrësit i jepet një sasi e një produkti që ekziston me tepricë (drithi, për shembull) për ta shitur në vendin pritës dhe për t’i shfrytëzuar të ardhurat për të investuar në vend për të nxitur zhvillimin.
Në arkat e këtyre burokracive ndodhen shuma të jashtëzakonshme parash, dhe burokratë të cilët detyrë të vetme e kanë dhënien e tyre. Natyrisht, nuk flitet gjithmonë për para të gatshme, por edhe për programe dhe ndihma që mund të ndryshojnë jetë dhe të ndikojnë në drejtimin kombëtar. Aftësia e korpuseve formale diplomatike për të shfrytëzuar mundësitë e tilla është e kufizuar, por jo edhe e diasporës, e cila jeton në një botë të diplomacisë së ndërmjetme, dhe qarkullon ndërmjet “Capitol Hill”-it, “C Street”-it dhe agjencive të tjera qeveritare derisa të përmbushen objektivat e caktuar. Prandaj nevojitet një strategji dhe prandaj duhet të ndikohet të Kongresi. Unë ju siguroj se takimi me një përfaqësues të agjencisë është shumë më i ndryshëm kur atë ta ketë kërkuar një senator, apo edhe më mirë, kur një senator merr vetë pjesë në të.
Natyrisht, është detyrë e USAID-it të merret me ndihmat, por është Kongresi ai që cakton buxhetin dhe komisioni për ndarje parash ai që e mbikëqyr dhe ushtron ndikim të drejtpërdrejt mbi të; Tre, diaspora dhe kombi shqiptar nuk duhet ta shohin këtë ndihmë si bamirësi, por si një tregti në mes të partnerëve. Përveç marrëdhënies së forcuar dhe interesit strategjik që i shërben Shteteve të Bashkuara, diaspora ka për të ofruar diçka shumë më të rëndësishme: eksportimin e idealit amerikan! Shtetet e Bashkuara janë të ndërtuara mbi konceptin e sovranitetit të individit; se secili individ gëzon të drejta të patjetërsueshme. Raportet reciproke të individëve sovranë kombinohen për të bërë një kolektiv sovran, prandaj këto raporte dhe cenimi i cilësdo të drejtë mbrohet nga ligji.
Përderisa për disa ky mund të jetë një formulim i ditur, graviteti dhe vlera e tij nuk mund të mbivlerësohen. Përderisa këtu në SHBA ai është, apo është bërë, i rëndësisë së dytë, ne vetëm duhet t’i shikojmë vendet e Lindjes së Mesme për të parë se çfarë vlere ka në fakt ky koncept, ky ideal, ky realitet. Prandaj, nocioni i ndihmës në shkëmbim të zgjerimit dhe forcimit të idealit amerikan është marrëveshje e mirë për Shtetet e Bashkuara. Diaspora është mekanizmi kyç për këtë. Vetëm nëpërmjet diasporës kjo mund të bëhet esenciale dhe organike për organizmin shqiptar. Nga lart poshtë kurrë s’mundet;
Katër, zhvillimi organizativ i diasporës duhet të ecë përpara. Diaspora ka arritur të sigurojë fonde të ndara drejtpërdrejt nëpërmjet bashkëveprimit me komisionin për ndarje parash. Vlen të theksohet këtu se kjo është arritur vetëm falë Jim Xhemës, luanit të vjetër të komunitetit, dhe lidhjes së tij me senatorin Mitch McConnell, i cili ka qenë kryetar asokohe. Megjithatë, kjo përbën vetëm një pikë të vogël të potencialit ekzistues. Lidhjet e tjera, si lidhja speciale që Harry Bajraktari ka me Elliot Engelin, dhe ato që ka Joe DioGuardi kanë prodhuar shumë rezultate. Arbën Xhaferi i ndjerë njëherë më pat thënë se “Joe DioGuardi na ka treguar neve se ku ndodhet Uashingtoni, kur ne as nuk e dinim adresën”. Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan ka pasur sukses dhe i ka dhënë komunitetit një qasje të re dhe më të sofistikuar, por që prej pavarësisë së Kosovës ai është dukur i pakoordinuar. Luanët e vjetër, si Jimmy, Harry, Joe dhe shumë të tjerë nuk duhet të lejohen të veniten. Që prej fundit të luftës në Kosovë, mijëra shqiptaro-amerikanë janë rritur, kanë diplomuar nga universitetet dhe shkollat profesionale, dhe i janë bashkuar forcës punëtore. Ky talent i ri duhet të shfrytëzohet për të vazhduar atë që kanë krijuar luanët, dhe për të shtyrë komunitetin përpara me një strategji koherente. Institucionalizimi i këtij roli është kritik për suksesin e të gjitha palëve, por nuk mund të bëhet pa Tiranën dhe Prishtinën në veçanti;
Pesë, gjatë rrjedhës së dy dekadave të fundit, shumë miq amerikanë janë shfaqur në skenën kombëtare shqiptare. Këta miq nuk duhet të lejohen të veniten. Tërheqja e “The Albright Group” nga investimi në Kosovë duhet të përçojë valë drithëruese në shpinën shqiptare dhe nuk duhet të lejohet të përsëritet. Interesat thelbësore të një investimi të tillë janë shumë më të mëdha se vetë investimi monetar. Miqtë si sekretarja Madeleine Albright duhet të nxiten të mbesin të përfshirë në suksesin tonë. Shqipëria po ndërton rrugë që do ta lidhin atë jo vetëm me Evropën, por edhe me vetë të ardhmen e saj. Kosova po shton njohjet vazhdimisht përderisa po konsolidon institucionet e saj. Në Maqedoni, shqiptarët janë bërë pjesë përbërëse e shtetit. Të gjithë kanë sfida, por ajo që është e pamohueshme është se shqiponja është duke i hapur krahët e saj gjithandej. Ajo duhet të vazhdojë t’i shtrijë krahët e saj në një mënyrë të qëndrueshme dhe të parashikueshme, për të frymëzuar vetëbesim në vend të pasigurisë. Diaspora duhet t’u përshtatet nevojave aktuale dhe të ndihmojë për ta udhëhequr ndryshimin drejt së ardhmes.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: dhe diplomacia, diaspora, Martin Vulaj

Dinner for the Benefit of The Mother Teresa Cathedral in Prishtina

January 30, 2013 by dgreca

 

Dinner for the Benefit of The Mother Teresa Cathedral in Prishtina

darke per katedralen flyer

Filed Under: Kronike

DESHNICA DHE LETERSIA DESHNICARE

January 30, 2013 by dgreca

 Dëshnica në gjysmën e parë të shekullit XIX dhe lindja e letërsisë dëshnicare.*/
Nga Kujtim Mateli/

Qyteti i Këlcyrës** (Klisurës) ka patur vazhdimisht një rol të rëndësishëm në luginën e sipërme të Vjosës. Në dokumentet osmane të vitit 1431, Këlcyra ishte qendër e Vilajet që njihej me emrin Vilajeti  Këlcyrës (Klisurës)dhe ku përfshiheshin nën administrimin e këtij Vilajeti të gjitha fshatrat e rrethit të sotëm të Tepelenës, që ndodheshin në krahun e djathtë të Vjosës.  Arsyeja ka qenë se Këlcyra ishte nyje e rrugëve të Shqipërisë jugore, por kishte dhe një vend të sigurt ku mund të strehohej një garnizon ushtarak, siç ishte kalaja antike e Këlcyrës e cila funksiononte edhe në shekullin e XVIII-XIX, në kohën e Ali Pashë Tepelenës.
Edhe qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjës, i dha Këlcyrës këtë vend parësor në luginën e Përmetit.
*Mungojnë në këtë shkrim dy dhjetëvjetëshat e parë të shekullit kaluar (1900-1920).
** Këlcyra në dokumentet bizantine e osmane  quhej Klisura. Me këtë emër e gjejmë edhe në dokumentet e viteve 1920. Në vitin 1927 e gjejmë Klisyra dhe pas vitit 1930 përmendet Këlcyra.

I
Nënprefektura e Këlcyrës  dhe ndarja administrative e krahinës së Dëshnicës.
Arkivi Qëndror i Shtetit (AQSH), Nënprefektura e Përmetit, dosja nr 4, viti 1920.

Viti 1920 e gjen Këlcyrën (Klisura) nënprefekturë që varej nga Prefektura e Gjirokastrës.  Kështu më 26 mars të vitit 1920, Nënprefektura e Këlcyrës i raporton Prefektit të Gjirokastrës  mbi lëvizjen e 150 xhandarëve në drejtim të fshatrave që ndodheshin rrëzë malit Nemërçkë.
Nënprefektura e Këlcyrës  ka një korespodencë të vazhdueshme me prefekturën e Gjirokastrës. Kjo korespodencë është edhe midis Zyrës së Policisë Këlcyrë me Nënprefekturën e Këlcyrës, siç është korespodenca e datës 4 maj 1920 e në vijim.
Arkivi Qëndror i Shtetit (AQSH) Nënprefektura e Përmetit, dosja nr.16, viti 1922.
Qyteti i Këlcyrës (Klisura) përmendet  Bashki. Kryetari i Bashkisë akuzohet nga Muhamet bej Klisura, se kishte përvetësuar një shumë parash.Muhamet bej Klisura kishte qenë kandidat për kryetar bashkie, por që nuk kishte mundur dot të zgjidhej.(Në këtë dokument nuk përmendet emri i kryetarit që drejtonte Bashkinë e Këlcyrës).
Arkivi Qëndror i Shtetit (AQSH) Nënprefektura e Përmetit, dosjen nr 18, viti 1922. Fshatrat e krahinës së Dëshnicës (proceverbali nr 11) bënin pjesë në njësinë adminastrative: Krahinaria e Këlcyrës (me qendër në Këlcyrë) ku tregohen edhe fshatrat që merrnin pjesë në të, nëpërmjet përfaqsuesve të tyre (kryepleqve). Kemi vetëm emrat e kryepleqve pa mbiemrat e tyre, por rëndësia e këtij dokumenti qëndron më shumë te fshatrat që përbënin krahinën e Dëshnicës.

Krahinaria e Këlcyrës (Klisurës)
1-Billkë për Këlcyrën
2- Muharrem për Katundishtën.
3-Selman  për Vinokash.
4- Mehmet për Topojan.
5- Ismail për Podgoran.
6- Hasan për Riban.
7- Xhelil për Panarit.
8- Zeqir për Mërtinj.
9- Riza për Kajcë.
10- Hazis  për Mazhan.
11- Ramadan për Shelgj.
12-Xhelil për Zhepovë.
13-Hasim për Pavar.
14- Myrteza për Seniçan.
15- Veli për Kuqar.
16- Xhemal për Varibob.
17-Harif për Toshkëz.
18- Hysenj për Fratar.
19- Veiz për Çorrogunj.
20- Harif Sulo për Bënjë.
21- Veli për Velçisht.
22- Zenjel për Psarr.
23- Avdulla për Rodenj.
24-Riza Islam për Ball.
25- Demir për Komorak.
26- Fehim për Bubës.
27- Belul për Leskovec.
28- Tom Bajrami për Sukë.
29- Rushan për Tolar.
30- Ali Dalipi për Xhanaj.( A.Q.Sh, dosja numër 18, viti 1922).
Po cila ishte problematika e kësaj mbledhjeje?
Shëndetësia, bujqësia, blektoria, qetësia publike, tregëtia , arsimi etj. Ja dhe konkluzionet që dolën gjatë analizës së kësaj mbledhjeje:
1- Shëndetësia e përgjithshme: e mirë.
2- Shëndeti i gjësë së gjallë: i mirë.
3- Qetësia : shumë e mirë.
4- Bujqësia: ka mungesë të farës.
5- Tregtia: fare e paktë.
6- Arsimi: të përsëriten kërkesat e mëparshme për hapjen e shkollave.
(Klisurë 24.II. 1922).
Po në një dokument (AQSH )që mban datën 30 shtator 1922, mësojmë se nënprefektura ishte zhvendosur nga qyteti i Këlcyrës në atë të Përmetit.

II
Arsimi.
Numri i shkollave në krahinën e Dëshnicës ka qenë i paktë. Në këto shkolla kanë mësuar fëmijët e më shumë se një fshati. Në këtë listë të vogël që mbyllet me numrin rendor 5, mësojmë se në Ballaban, që në atë kohë ishte pjesë e fshatit Pavar, familjet Xhunga kishin hapur një shkollë për të mësuar fëmijët.
Kjo fisnikëri e kësaj familjeje të pasur për kohën, nuk u pasua nga të pasurit e tjerë të krahinës siç mund të ishte familja e bejlerëve të Këlcyrës apo edhe teqeja e Sukës. Numri i shkollave në Dëshnicë mbeti i paktë edhe gjatë gjithë rregjimit të Ahmet Zogut, deri në kohën e pushtimit fashist në vitin 1939.
Arkivi Qëndror i Shtetit (AQSH) Nënprefektura e Përmetit.
Dosja numër 20, viti 1922.

Lista e shkollave për vitin arsimor 1922-1923.
1- Çorrogunj,  mësues Bektash Nexhipi.
2- Këlcyrë, mësues Koço Llukani.
3-Mërtinj-Bënjë-Xhanar, Xh. Hotova.
4- Katundishtë (fillore)  Hilmi Baçi.
5- fillore Xhungës, Hazis Mamaqi.

III
Ekonomia
Krahina e Dëshnicës  nuk e pati të mirë gjendjen ekonomike. Këtë e shohim tek numri i krerëve të bagëtive që zotëronte çdo fshat në vitin 1926. Në disa fshatra numri i krerëve të bagëtive është afërsisht sa dhe numri i popullsisë së këtyre fshatrave. Po në disa fshatra të tjerë gjendja paraqitet më e mirë.

Arkivi Qëndror i Shtetit (AQSH) Nënprefektura e Përmetit,
Dosja nr 49, viti 1926.
Sasia e bagëtive (dhen e dhi) për krahinën e Dëshnicës.
1- Këlcyrë Guri 2268
2- Katundishtën.2294
3- Vinokash. 856.
4- Topojan. 651.
5- Podgoran. 852.
6- Riban.  872
7- Panarit.  633.
8- Mërtinj. 425
9- Kajcë.286
10- Mazhan.313
11- Shelgj.131
12- Zhepovë. 818.
13- Pavar.  647.
14- Seniçan.479.
15- Kuqar. 993
16- Varibob. 718.
17- Toshkëz. 608.
18- Fratar.  818.
19- Çorrogunj. 168.
20- Bënjë. 609.
21- Velçisht. 495.
22- Psarr. 245
23- Rodenj. 723.
24- Ball. 460.
25- Komorak. 299.
26- Bubës. 2016.
27- Leskovec.286.
28- Sukë-Goricë. 1614.
29- Tolar. 1063.
30- Xhanaj. 182.
****
Bujqësia mbeti e pazhvilluar. Krahina e Dëshnicës nuk arrinte të plotësonte nevojat e saj me drithra.Këtë e shohim në dokumentet e shumta, ku nga çdo fshat një numër i konsiderueshëm familjesh merrnin drithë nga komuna duke e paguar në lekë e në disa raste duke punuar vullnetarisht në rregullimin e rrugëve, derisa të plotësohej në vlerë sasia e drithit të marrë.
Shumë familje zotëronin fare pak tokë, sepse si kudo toka ishte përqëndruar tek disa familje.
Dhimitraq Lole, Përmeti 1912-1939, libër studimor i pabotuar.
“Në ballë të këtyre familjeve ishin bejlerët e Këlcyrës, të cilët zotëronin 274 ha tokë, por të shpërndara jo vetëm në Këlcyrë, por edhe në fshatrat për rreth e në afërsi të Këlcyrës, sipas ndarjes: në Këlcyrë – 114.8 ha, Katundishtë- 71.2 ha, Varibob – 34.3 ha, Panarit – 23 ha, Riban- 13.6 ha, Grabovë – 12.1 ha dhe në Podgoran- 4.4 ha.
Edhe në këtë trevë institucionet fetare zotëronin pronat e tyre…. Në këtë aspekt, pronarja më e madhe ishte Teqe e Sukës, e cila zotëronte toka bujqësore në fshatrat Goricë, Sukë, Podgoran, Dervishas, gjithsej 222 ha tokë.
Po një sasi të konsiderueshme toke zotëronin edhe disa familje të tjera.
Pavar, Hamit Xhunga  48.8 ha
Vinokash, Shuip Harka  55.4 ha
Ballaban, Ferid Xhunga 34 ha.
Ballaban, Dajlan Xhunga 32.3 ha.
Vinokash, Hysen Trebeshina 30 ha
Vinokash, Ali Çela 27.1 ha”.
****
Tregëtia ishte e kufizuar vetëm në disa fshatra. Këtë e shohim tek numri i ndërtesave për tregti sipas rregjistrimit të vitit 1929, ku jepet një pasqyrë e plotë e numrit të ndërtesave për çdo fshat që përdoreshin për banim, për tregti apo për mbledhje.
Arkivi Qëndror i Shtetit (AQSH) Nënprefektura e Përmetit,
Dosja nr 95, viti 1929.

Emri fshatit (katundit) Ndërtesa për
banim
Ndërtesa për
tregti
Ndërtesa për
mbledhje.
1-Këlcyrë Guri 109 2 3
2- Katundishtë 140 2 3
3- Vinokash.  52 1 –
4- Topojan.  59 1 2
5- Podgoran  90 3 1
6- Riban.   17 – –
7- Panarit.   22 1 –
8- Mërtinj.  39 1 1
9- Kajcë.  62 2 1
10- Mazhan.  58 – 1
11- Shelgj.  11 1 –
12- Zhepovë.  77 3 1
13- Pavar.   67 3 1
14- Seniçan.  37 – 2
15- Kuqar.  24 – –
16- Varibob.  24 – 2
17- Toshkëz.  43 – –
18- Fratar.   61 3 3
19- Çorrogunj.  32 1 1
20- Bënjë.  28 – –
21- Velçisht.  11    
22- Psarr.  29 – –
23- Rodenj.  63 2 1
24- Ball.  29 – –
25- Komorak.  15 – –
26- Bubës i sipërm  81 2 1
27- Bubës i poshtëm  41 1 –
28- Leskovec.  22 – –
29- Sukë-Goricë.  37 3 1
30- Tolar.  29 – –
31- Xhanaj.  28 – –
Shuma  1447 32 25

 

IV
Njësitë administrative që vepronin në Dëshnicë.

Pas viteve `20-të në krahinën e Dëshnicës kanë vepruar tri njësi administrative:
 Bashkia e Këlcyrës (deri në vitin 1929).
Komuna (Krahinaria)e Këlcyrës ( pa ndërprerje që nga krijimi)
Komuna e Dëshnicës (viti 1929 e në vazhdim)
Arkivi Qëndror i Shtetit (AQSH) Nënprefektura e Përmetit,
Dosja nr. 121, viti 1930.
Rregjistrimi i popullsisë së nënprefekturës së Përmetit.
Në vitin 1929 krahina e Dëshnicës është e ndarë në dy njësi administrative: Komuna e Dëshnicës dhe Komuna (Katundaria) e Këlcyrës.  Në këtë vit, Bashkia e Këlcyrës gjendet si pjesë e njësisë administrative: Komuna  e Këlcyrës. Në njësinë administrative :Komuna  e Këlcyrës bënin pjesë edhe disa fshatra që ndodhen në krahun e majtë të lumit Vjosë dhe konkretisht: Brezhdan, Argovë, Grabovë, Malëshovë, Limar dhe Leskaj.
Po japim numrin e banorëve sipas komunave dhe fshatrave nga të cilat përbëheshin këto komuna.

I-Komuna e Dëshnicës.

Emri i fshatit (katundit). Numri banorëve
1-Çorrogunj 157
2-Ball 142
3-Psarr 153
4-Mazhan 285
5-Komorak  69
6-Bubësi I sipërm 453
7-Bubësi I poshtëm 240
8- Toshkëz 240
9- Vinokash 290
10- Kajcë 369
11-Pavar 349
12-Rodenj 305
13- Shelgj  65
14-Zhepovë 460
15-Sukë, Goricë 300
16-Podgoran 505

 

II- Komuna (Katundaria) e Këlcyrës.

 

Emri i fshatit(katundit) Numri banorëve
1-Këlcyrë (lagjia Gur) 230
2-Këlcyrë(lagjia Gur, Liri, Teuta) 175
3-Katundishta 648
4-Topojan 304
5-Leskovec, Xhanaj 184
6-Varibob, Riban. 122
7-Kuqar, Velçisht 106
8-Bënjë 129
9-Mërtinj 147
10-Topojan 304
11-Panariti 141
12-Tolar 200
13-Seniçan 130
14-Brezhdan 768
15-Argovë 123
16-Grabovë 134
17-Malëshovë 498
18-Limar 304
19-Leskaj 316

Komunat hartonin buxhetin e tyre dhe shohim që të ardhurat e komunnës Dëshnicë që realizoheshin kryesisht nga tatimet, për vitin 1930 ishin: Komuna Dëshnicë planifikonte 6100 fr.  ari.( Arkivi Qëndror i Shtetit (AQSH) Nënprefektura e Përmetit, Dosja nr.155, viti 1930.), ndërsa Komuna e Këlcyrës parashikonte 31.134 fr. ari (Arkivi Qëndror i Shtetit (AQSH) Nënprefektura e Përmetit, Dosja nr 156, viti 1930).
Me këto të ardhura planifikoheshin ndërtim rrugësh të reja dhe mirëmbajtja e atyre ekzistuese. Por jepeshin dhe fonde nga shteti dhe këtë e shohim: 
Arkivi Qëndror i Shtetit (AQSH) Nënprefektura e Përmetitnë  dosjen nr. 189, viti 1931 dhe dosja nr 289, viti 1934, ku Prefektura e Gjirokastrës jep fonde për rrugët e Komunës Dëshnicë. Fondet janë të detajuara për secilin fshat dhe për secilën rrugë, sidomos për rrugët që lidhin këto fshatra me qendrën e komunës Dëshnicë, e cila ndodhet në Ballaban.  Ajo që është interesante është se rrugëve të çdo fshati u kishin dhënë emra të rinj, ku disa nga rrugët mbanin emra të figurave të kombit tonë si:  Rruga “Skënderbej” , “Vaso Pasha” , “Teuta”, “Abdyl Frashëri”,  Naim Frashëri”, “ “Sulejman Pasha”, “ Sami Frashëri” etj. Disa prej këtyre emërtimeve ishin rrugë që lidhnin qendrën e komunës (Ballaban) me  qendrat e fshatrave. (Arkivi Qëndror i Shtetit (AQSH) Nënprefektura e Përmetit, Dosja nr. 155 dt. 28.07.1930)
Shohim edhe problematikën e kohës nëpërmjet dokumenteve:
Arkivi Qëndror i Shtetit (AQSH) Nënprefektura e Përmetit,
Dosja nr. 232 viti 1933
Mbi konfeerencat komunale të mbajtura në komunën e Dëshnicës.
Bubësi i poshtëm, dt.22.09.1933. Hamdi Hoxha, kryetar i komunës.
Tema: Rrugët komunale dhe dobitë e tyre. Ruajtja prej sëmundjeve ngjitëse.Libri i mjekut të shtëpisë.Dëgjues 80.
Kajcë, dt.30.09.1933. Bektash Merko, mësues i shkollës.Masat për përmirësimin e bujqësisë.Masat për ruajtjen e shëndetit, etj.Dëgjues 40.
Zhepovë.Mësuesi i Zhepovës, Abas Pagria.Arsimi, bujqësia, pyjet, pastrimi.Dëgjues 50.
Toshkëz. 01.10.1933. Sotir Haxhi. Zakonet e këqija primitive.Zgjidhja e çështjeve nëpërmjet ligjeve.Dëgjues 25.
***
Po kështu edhe për Komunën e Këlcyrës. Rregullimi i rrugëve zinte zërin kryesor në planifikimet që bëheshin.
Arkivi Qëndror i Shtetit (AQSH) Nënprefektura e Përmetit,
Dosja nr. 329, viti 1936
Vendim mbi shqyrtimin e planit pesëvjeçar të Komunës Këlcyrë.
1- Meremetimi i brendshëm i godinës komunale.
2-Rruga komunale Bedyqas-Tolar-Leskovec-Xhanaj-Mërtinj—Bënjë- Fratar—Seniçan.
3- Rruga: Këlcyrë-Riban. Kjo rrugë lidh dhe katundet e Skraparit.
4- Rruga: Këlcyrë-Brezhdan—Malëshovë. Kjo rrugë nga pikëpamja ekonomike është e dobishme, pasi lidh katundet e Zagorisë me tregun e Këlcyrës.
5- Shartimi i pemëve të egra me të buta.
6- Sistemimi dhe lulëzimi i  varrezave të çdo fshati.
Nëpërmjet këtij planifimi të planit pesëvjeçar të komunës Këlcyrë shohim edhe problematikën e problemeve që kërkonte të zgjidhte kjo komunë. Zëri për arsimin mungon fare dhe kjo tregon interesin e vogël që kishin për hapjen e shkollave të reja për çdo fshat apo përmirësimin e kushteve të atyre ekzistuese.

V
Emrat e kryetarëve (sipas viteve) të njësive administrative që vepronin në krahinën e Dëshnicës

Dhimitraq Lole, Përmeti 1912-1939, libër studimor i pabotuar

“Në vitin 1929 bëhet ndarja e re administrative brenda N/prefekturave dhe emërtimi “Krahinari” u zëvendësua me emrin “Komuna”. Në “Fletoren Zyrtare” të 22 prillit 1929, numër 25, vjeti i VIII, N/prefektura e Përmetit ndahet në këto komuna (madje jepen edhe emrat e kryetarëve, por këta do t’i trajtojmë më pas): Komuna Qendër, Rrëza, Frashëri, Cerja (Hotovë), Këlcyrë dhe Dëshnica.(Gazeta “Ora”, Nr. 245, date 13 dhjetor 1930.
Viti 1930 e gjen krahinën e Dëshnicës në dy njësi administrative që emërtoheshin: Komuna e Dëshnicës dhe Komuna e Këlcyrës.
Do të shohim se cilët e kanë drejtuar Komunën (Krahinarinë) e Këlcyrës (1921- 1939) dhe Komunën e Dëshnicës (1929-1939).
Dhimitraq Lole, Përmeti 1912-1939, libër studimor i pabotuar
  I-Bashkia Këlcyrë
Në vitin 1921, sikurse e kemi thënë më parë, Këlcyra dhe Frashëri kanë qenë Bashki. Këtë status Këlcyra e pati deri në vitin 1928. Në janar të vitit 1925, Kryetar Bashkie u zgjodh një nga pjesëtarët e familjes së bejlerëve të Këlcyrës, z. Islam bej Kelcyra.  (Gazeta “Demokratia”, Gjirokaster, date 13 Janar 1925).
   II-Komuna (Krahinaria) Këlcyrë
Në krye të Krahinarive janë kryetarët e Krahinarisë ose Krahinarët, emrat e të cilëve do t’i bëjmë prezent nëpërmjet këtyre rreshtave në vite, deri në vitin 1929, e më pas me emërtimin e ri…
Në Krahinarinë e Këlcyrës, Krahinar i parë që kemi mundur te gjejmë është z. Muhamet Frashëri, por ky më 2 gusht 1924 pushohet dhe në vend të tij do të emërohet z. Tefik Orgocka. Edhe z. Tefik Orgocka shpejt do të zëvendësohet me krahinarin e ri, z. Mesut Saliu, që kryente këtë detyrë në Krahinarinë e Tomorricës dhe që më 12 Fruer ( Shkurt ) 1925 emërohet Krahinar në Këlcyrë. Pa u ulur ende në karrigen e Kryetarit të Krahinarisë së Këlcyrës, z. Mesut Saliu, më 2 mars 1925, transferohet ne Konispol. Në vend të tij emërohet z. Hasan Pilavi, i cili në krye të dy muajve, më 2 maj 1925 do të zëvendësohet nga Krahinari Asllan Sorropulli. Më 7 korrik 1926 vjen nga Shkodra z. Elez Kalaja dhe zëvendëson në detyrë  z. Asllan Sorropulli.
Gazeta “ Gazeta e Korçës “ e datës 24 shtator 1927, nr. 415 flet me superlativa për z. Elez Kalaja si ”nëpunës me aftësi e punëtor”, por që edhe ky shumë shpejt do të zëvendësohet nga z. Hasan Lame, që më 9 korrik 1928 do t’i lërë vendin z. Avni Abazi, i cili duke qëndruar në drejtimin e punëve të pushtetit vendor në Këlcyrë deri në vitin 1931, në bazë të Ligjit të prillit të vitit 1929, do të konvertojë emërtimin nga Krahinar në Kryetar Komune, sepse me këtë Ligj termi Krahinari zëvendësohet me termin Komunë dhe Krahinari do të quhet Kryetar Komune.
Në vitin 1931 z. Avni Abazi do të zëvendësohet nga z. Luman Lepenica, i cili në korrik të vitit 1933 do të transferohet në Komunën e Konispolit dhe në vend të tij, po nga Konispoli,  vjen z. Neki Shkaba.
Më 8 Shkurt 1935 gjejmë në krye të Komunës së Këlcyrës, z. Lele Koci, i cili ka kryer detyrën e Nënprefektit në Mat. Por z. Lele Koci nuk do të paraqitet fare në Këlcyrë dhe në vendin vakant do të emërohet z. Mustafa Noti, më 23 Shkurt 1935. Sa ndenji në këtë detyrë këtu dhe nëse është zëvendësuar dhe nga kush z. Mustafa Noti, nuk kemi mundur të identifikojmë emra.
  III-Komuna Dëshnicë.
Në Komunën Dëshnicë, në dhjetor 1932, në vend të z. Gaqi Grilla, që transferohet në Komunën Millë të Pukës, emërohet z. Hamdi  Hoxhaj dhe për afro një vit, në tetor 1933, z. Hamdi Hoxhaj i lë vendin z. Ndrek Bushati që vjen nga Golemasi i Kavajës, por një shkresë Nr.48/22 e Kryeministrit, që mban datën 13 dhjetor 1938, kryetar të Komunës së Dëshnicës emërohet z. Milo Varfi. ( Fletore Zyrtare, Nr. 95, date 17 Dhjetor 1938).

VI
Lindja e letërsisë dëshnicare

Megjithse arsimi nuk u shtri gjerësisht në Dëshnicë, por mbeti i kufizuar vetëm në disa fshatra, ndikimi i tij në në të gjithë krahinën ishte i madh.Njerëzit që kishin mundur të merrnin njohuri në shkollë, ua transmetonin ato njohuri edhe të tjerëve. Ndikim patën dhe ata që emigrant që u kthyen nga Amerika  dhe  nga vendet e Europës. Kishin mësuar të shkruanin e të lexonin dhe, kur u kthyen në Dëshnicë, ua mësonin dhe bashkëfshatarëve të tyre. Në ato fshatra që nuk u ndërtuan shkolla dhe që fëmijët e tyre nuk arrinin të shkonin dot në shkollat e fshatrave të afërt, emigrantët e kthyer ishin mundësia e vetme që të mësohej shkrim dhe këndim.
Një nga këta fëmijë që kërkonte të arsimohej ishte dhe Belul Arapi nga fshati Ball.Po nuk pati mundësi.Në moshë të vogël, 12 vjeçare, i vdes nëna (në lindje).Ato vite në familjen e tyre, pas vdekjes së nënëns, pati dhe shumë fatkeqsi të tjera që e rrënuan ekonominë e familjes, dikur në gjendje të mirë.Në këto vite, vëllai i tij i madh, Mehmet Arapi, punonte si punëtor ngarkim-shkarkimi në portin e Durrësit.Duhet të theksojmë se në Durrës, në këtë periudhë, punonin dhe shumë dëshnicarë të tjerë.
Duke parë se gjendja ekonomike e familjes së tyre ishte e rrënuar, Beluli vendos të shkojë të punojë në Durrës bashkë me vëllanë. Aty punonin shumë inxhinierë italianë që jetonin bashkë me familjet e tyre.Beluli u sistemua në njërën nga këto familje, kudrejt një page që ishte mjaft e mire, kundrejt punëtorëve të tjerë që punonin në portin e Durrësit.
Si fëmijë me një shkallë të lartë intelegjence, e mësoi shumë shpejt italishten.Falë edhe punës që bënte, e cila e donte që të ishte vazhdimisht në komunikim me pjesëtarët e familjes italiane, por edhe kohës 3-vjeçare që qëndroi në këtë familje.Nuk ka qenë pa ndikim edhe kultura e kësaj familjeje në jetën e Belulit.
Mehmeti, vëllai i tij i madh, i cili kishte  kishte mundur të arsimohej, e nxiti Belulin që të mësonte të shkruante shqip. Kur u kthyen në vendlindje, një tjetër sfidë e priste.Lufta NacionalÇlirimtare ishte zgjeruar dhe Beluli u gjend si pjesë aktive e kësaj Lufte. Dëshnica krijoi njësitë e saj luftarake duke i pagëzuar me emrin e saj: “Dëshnica”. Si sekretar i rinisë Antifashiste, Beluli i ra cep më cep krahinës së Dëshnicës ku u dallua si një organizator i zoti.
Po në këto udhëtime, ai e pa Dëshnicën edhe në një këndvështrim tjetër, e pa atë në planin estetik.  E bukur Dëshnica.Të mençur, luftëtarë e punëtorë dëshnicarët.E ndërsa Luftës po i vinte fundi, zemra e tij ngazëllehej e gëzohej.Cilido, gëzimin e shpreh me fjalë teksa kuvendon e flet me të tjerët.Beluli gëzimin e shprehu dhe me vargje.Bashkë me erën e ngrohtë të pranverës së vitit 1944, po frynte po aq ngrohtë e vrullshëm era e lirisë.Këto emocione i mblodhi e i ktheu në vargje.Poezia “Era e ngrohtë”është poezia e tij e parë, shkruar në moshën 16-vjeçare. Në fund të poezisë shkruhet viti i krijimit të saj: Ball 1944. Lind kështu poezia e parë dëshnicare e cila do të pasohet nga poezi të tjera të këtij autori.
***
Në vitin 1945 shkroi poezinë “Balada e urisë”, në fshatin e tij të lindjes, në Ball. Ato vargje  na flasin për gjendjen e rëndë ekonomike të dimrit të vitit 1944-1945, ku uria, akulli dhe i ftohti mbizotëronte kudo, veçse poeti pret ndryshimin që të kapërcehet kjo gjendje.
 Po në vitin 1945 do të shkruaj një tjetër poezi “ I miri, gjithnjë i mirë”.Poezia është ndërtuar mbi simbolin.I ligu simbolizohet nga Këlkaza që është “Helm nën dhe, helm mbi dhe” ndërsa të mirin e simbolizon manushaqja dhe trëndafili.
***
E bukur, si vetë bukuria e vajzës dëshnicare Zyrihana Xhako, e cila ra dëshmore për lirinë e atdheut, është dhe poezia që shkroi Belul Arapi, tashmë në moshën 18- vjeçare, në vitin 1946. Le ta shohim figurën e kësaj vajze nëpërmjet penës së poetit:
Lule Zurihane
U ngrit në mëngjes,
Iu afrua dritës,
Si flutur e lehtë.

Doli në Çerkez,
Porsi dallandyshe,
krahas Alimesë.

Mori vesh Dëshnica:
Vajza u bë djalë,
Nëpër tramondanë.

Pa erdhi shqiponja,
E mori në gji,
E puthi në sy.

Me vello të kuqe,
Tek mermer i bardhë,
Ç`duhet tjetër vallë?!…
Ball 1946.
 Duke parë letërsinë shqipe të pas Luftës, kjo poezi mund të renditet bashkë me poezitë e arrira të kësaj periudhe. Poezitë e pas Luftës vuanin nga mitizimi i figurës së partizanit duke i veshur atij fuqi përtej njerëzores. Kjo gjë nuk ka ndodhur me Belul Arapin, edhe pse pa përvojë në rrugën ku po shkelte. Figura e dëshmores partizane  jepet natyrshëm.  Strofat janë trevargëshe, ku dy vargje rimojnë mes tyre duke i dhënë muzikatet e ritëm. Në dy strofat e para, vargu i parë rimon me të tretin, ndërsa në tre strofat e fundit, është vargu i dytë që rimon me të tretin. Kjo ndërthurje e rimave është diktuar nga përmbajtja e poezisë. Dy strofat e para  na japin mjedisin ku është rritur dëshmorja Zyrihanë. Çekrezi, ajo kodra e bukur rrëzë fushave të Ballabanit, me shtëpi të lyera nga jashtë me gëlqere që zbardhin nga larg mes pemëve të dëndura, ishte vendlindja e Zyrihanës.Në këtë mjedis u rrit dhe mori vendimin e madh të rreshtohej bashkë me luftëtarët e lirisë. Vajza në dy strofat e para jepet e brishtë ashtu siç është një femër. Krasohet me fluturën që i afrohet dritës apo me dallëndyshen.
Strofa e tretëna e jep vajzën një luftëtare të batalioneve partizane të krahasueshme me djemtë.  Atëhere ndryshon edhe rima. Tani është vargu i dytë që rimon me të tretin dhe kjo mënyrë e ndërtimit të strofës do të vjojë deri në fund të poezisë. Nëse rimat e dy strofave të para, vargu i parë rimon me të tretin duke krijuar imazhin e qetësisë familjare, tani ndryshon ndërtimi i strofave duke rimuar vargu i dytë me të tretin, një përplasje e afërt rimash që të krijon një gjendje tjetër emocionale, atë të betejave të ashpra.Vargu i parë shërben si sfond. Sfond për këtë strofë është Dëshnica.Ndryshon gjendja emocionale. Janë stuhitë, malet, rrugët e ashpra dhe betejat  me të cilat përballet kjo vajzë dëshnicare. Po karateri i vajzës është i paepur për t`i përballuar këto vështirësi.
Strofa e katërt na jep sfondin nëpër të cilin lëviznin këto formacione luftarake. Në sfond të këtij terreni të ashpër janë shqiponjat.Shqiponja e maleve dhe shqiponja e flamurit.Btejat dhe të rënët. Dhimbjen për ta e ndien jo vetëm qënia njerëzore. Në një nga këto beteja bie edhe Zyrihana.  Shqiponja e maleve dhe shqiponja e flamurit u ulën dhe e morën në gjirin e tyre të përjetësisë duke i puthur për herë të fundit syrin e bukur.
Strofa e pestë(e fundit) na jep imazhin me të cilën përcilleshin të rënët. Flamuri i kuq mbi arkivolin e vajzës ngjan si vello nusërie.Tashmë, ajo është atje tek mermeri i bardhë.Atje ku janë të rënët për atdheun. Në këtë përcjellje të fundit, në të gjitha rastet, lind një pyetje njerëzore. Dhe pyetja e poetit është: Ç`duhet tjetër vallë?!… Është një pyetje që ngarkon me realizimin e saj brezat pasardhës.Në vazhdimësi e në përjetësi ta duam atdheun dhe vendlindjen.Në vijimësi e në përjetësi të respektojmë të rënët për lirinë e atdheut.
Po poeti nuk arriti ta botonte këtë poezi si dhe të tjerat që krijoi në këtë periudhë. Nëse do të kishte mundur , do të ishte inkurajuar dhe do t`i ishte përkushtuar më tepër letërsisë dhe Dëshnica do t`i  kishte shpalosur që herët vlerat e saj në fushën e letrave.
 Po këtë vit (1946) do të shkruante dhe një tjetër poezi “ Tjetër zë dëgjoj”duke zgjeruar kështu tematikën e poezisë së tij. 
Autori ka qenë pjesëmarrës aktiv në rindërtimin e vendit.Në vitin 1946 ka marrë pjesë në aksionin e rinisë në në dërtimin e rrugës Kukës-Peshkopi.Aty mbeti i vrarë Kalo Asllani. Poeti do ta përjetësonte në poezinë “Kalua që mbeti në këngë”.
***
Viti 1947 e gjen poetin në Durrës. Aty do të shkruajë edhe tri poezi të tjera. Tashmë në moshën 19-vjeçare, dy( nga tre poezitë) ia kushton dashurisë.  Ndihet në vargjet e këtyre poezive ndikimi i këngës popullore, veçse poeti nuk ka rënë në folklorizëm. Poezia “ Gonxhes…”i kushtohet vajzës që do. Poeti nuk e idealizon, po ndjek rrjedhën reale nëpër të cilën kalon çdo dashuri njerëzore.Tek poezia tjetër “Dialogu i sorkadheve” mjedisi ku poeti vendos personazhet e tij që dashurohen, është faqja e malit të Trebeshinës.
Poezia “Miell në rreth të Psarit”është mbështetur mbi një proverb popullor që e ka origjinën nga krahina e Dëshnicës. Mbi fshatin Psarr, në shpat të malit të Trebeshinës, është një vend i rrethuar nga natyra me shkëmbinj ku nuk mund të prodhohet asgjë. Proverbi: ”Doli miell në rreth të Psarrit”,  stigmatizon ata njerëz që kërkojnë të arrijnë diçka pa punë e mundime. Me një gjetje origjinale poetike ,autori ia ka arritur që këtë dukuri ta përjetësojë artistikisht.
****
Në vitin 1949 do të shkruaj edhe tri poezi të tjera. Po vendi i krijimit të tyre do të jetë Devolli dhe Korça. Aty janë shkruar poezitë “Nënat”dhe “Baballarët”.Poezia e tretë “ Këmbëzë e ngrehur”i kushtohet Heroit të Popullit Memo Nexhipi. Është viti kur monarko-fashistët grekë e sulmuan Shqipërinë nga pika kufitare e Vidohovës.Belul Arapi është munduar të ngrejë një monument poetik për këtë luftë dhe heroin e saj, Memo Nexhipin.
***
Në vitin 1950 ka shkruar poezinë “ Tek shpella në Sehanëz”.Poezia është ndërtuar mbi simbolin.Thëllëza e bilbili përfaqësojnë qënien njerëzore në një dashuri të pastër e të dlirë. Po dhe bora që ka mbuluar vendin na thotë se mjedisi shoqëror nuk është fort i përshtatshëm që të rinjtë të dashurohen, duke pasqyruar realitetin e shoqërisë shqiptare të gjysmës së parë të shekullit të kaluar.  Megjithatë, thëllëza e bilbbili fluturojnë bashkë dhe…

“I pamë të dy ku vanë,
Një bilbil e një thëllëzë,
Tek shpella në Sehanëzë.

Bilbili:
-Bora ka mbuluar vënd,
Qysh do bëjmë për të ngrënë?!

Thëllëza:
-Do të pimë e do të hamë,
bashkë e kemi beharë”.
Ball 1950*.
*Të gjitha poezitë që janë komentuar janë marrë nga vëllimi poetik: Belul Arapi, Bala-da jonë, Vlorë 2000.
***
Në këto vite të Luftës e pas Çlirimit deri në vitin 1950, laboratori krijues i poetit Belul Arapi ka prodhuar disa dhjetra poezi, por që autori nga këto vite ka zgjedhur vetëm 13 prej tyre. Ky cikël, na thotë se ato e kanë arritur pragun e një realizimi artistik për t`u konsideruar poezi, duke e vendosur Belul Arapin si poetin e parë dëshnicar. Njëkohësisht, me këtë poet, hidhen dhe themelet e letërsisë dëshnicare.

 

 

 

Filed Under: Histori, Kulture Tagged With: Deshnica, Kujtim Mateli

Në shërbim të Paqes

January 30, 2013 by dgreca

            Nga Mimoza Dajçi/

Federata Universale për Paqen me qendër në SHBA ishte sponsor një projekti për të rinjtë e botës kryesisht shqiptarë dhe anglezë me temë “Shërbimi i të rinjve besimtarë”, ideatore projektit ishte Drejtoresha e kësaj federate Znj. Tomiko Duggan.

Pas disa vizitash të saj në Shqipëri ajo u konsultua me degën e federatës e u ra dakort që të realizohej ky projekt me të rinjtë e besimeve të ndryshme fetare nga Shqipëria dhe Anglia.

Gjithsej u angazhuan 30 të rinj, të cilët në zbatim të projektit mbollën 30 pemë si dhe lyen  e pikturuan muret e shkollës fillore “Siri Kodra” në Tiranë, që kur të vinin nxënësit në shtator të gëzonin kur të shikonin shkollën të pastër, të lyer e të zbukuruar me simbolet e paqes. Ata gjithashtu bënë vizitë tek qendra që meret me kujdesin e fëmijëve me autizëm, që drejtohet nga Znj. Liri Berisha, si dhe ngjitje në mal e eskursion në guvën Pëllumbas. Projekti zgjati gjashtë ditë.

Gjatë këtyre ditëve të rinjtë çdo mëngjes bënin gjimnastikë mëngjesi si dhe meditime e joga. Brenda kësaj periudhe ata gjithashtu patën kontakte e dëgjuan lektura e biseda nga liderë të besimeve të ndryshme fetare e deputetë të partive të ndryshme politike në vend.

Projekti u mbajt në Qendrën e Federatës Universale për Paqen në Mullet, ku Sekretar i Përgjithshëm i saj është Z. Sokol Rexhepi, ndërsa Konsulle Znj. Saemira Pino. Folës në këto takime me të rinjtë që vijuan nga data 20 – 26 gusht të vitit që lamë pas, ishin Znj. Liri Berisha, deputetët Englantina Gjermeni, Arben Malaj, Gaqo Apostoli, Imam Qazim Selimaj, Robert Setfanc, historiani Ali Lacej dhe shkrimtari Skënder Sherifi.

Pas përfundimit të këtij projekti të rinjtë u vlerësuan me Çertifikata Mirënjohje si Ambasadorë të Paqes, si  dhe kënduan këngë në gjuhën shqipe dhe angleze. Për ata kjo ishte një experiencë e bukur, mbresëlënëse dhe e paharuar, që i shërbeu jo vetëm atyre,  por edhe mbarë të rinjve shqiptarë që të duan e të respektojnë njëri tjetrin e të shpërndajnë mesazhe paqe kudo në botë.  

Tomiko Duggan është një mike e mirë e shqiptarëve, ajo ka marë pjesë shpesh herë në takimet me shqiptarët, një ndër këto do të veçoja përkujtimin e Nënë Terezës vitin e kaluar në Ludig – Bronx që mban emrin  rruga “Mother Teresa”. Tomiko është një lajmëtare e paqes, një misionere e afrimit e bashkimit të kombeve pa dallim feje, race, ideje e partie. Fakti që në këtë projekt ajo ka bashkëpunuar me klerin katolik, mysliman e të krishterë, me përfshirjen e të gjitha forcave politike, si dhe me të rinj edhe nga Anglia dëshmon qartë për bashkimin e universit në një të vetëm. Siç shprehet për paqen edhe Rev. Dr. Sun Myung Moon në librin e tij “Si qytetar global paqedashës”, i cili ndërroi jetë ditën e hënë të javës së kaluar në moshën 92 vjeçare, ku sipas tij “Paqe do të thotë të lidhesh në një tërësi njerëz që mendojnë në mënyra të ndryshme, nga raca të ndryshme dhe me gjuhë të ndryshme, si dhe duhet ti mendojmë të gjitha problemet e botës si tonat, e të kemi shpirtin nismëtar për ti zgjidhur ato”.

Me këtë rast Oragnizata e Gruas “Shpresë dhe Paqe” në New York i dërgon familjes së tij ngushëllimet më të sinqerta dhe u shpirti i tij u preftë në Paqe.

Në verën e ardhshme Federata Universale e Paqes do të angazhohet me një projekt të tillë mes të rinjve shqiptarë e të huaj edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

New York, Janar 2013

Filed Under: Kronike, Kulture Tagged With: Mimoza Dajci, ne Sherbim, te Paqes

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 47
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT