• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2013

KALENDAR- 6 JANAR LINDI FAN S NOLI

January 6, 2013 by dgreca

FAN S NOLI lindi më 6 janar 1882 në Qytezë (turqisht: Ibrik Tepe), fshat shqiptar në Trakë, jo shumë larg nga Edreneja. Si disa fshatra të tjerë të asaj krahine të banuar me shqiptarë, Qyteza kishte ruajtur me kohë gjuhën, doket dhe kostumet e të parëve. Noli e mbante fisin e vet me prejardhje nga Qyteza e Kolonjës. I ati, Stiliani, ndonëse trashëgoi një pronë tokë, nuk u mor me bujqësi, po shërbeu si psalt në kishën e fshatit. E ëma, Maria, ishte shtëpiake. Familja u shtua shumë dhe erdhi një kohë që jetesa u bë e vështirë për të. Sa qe i mitur Noli hoqi sëmundje të rënda, prandaj shkollën e nisi me vonesë. Filloren dhe të mesmen i bëri greqisht. Por me shumë ndikoi tek ai krenaria e fshatit shqiptar për të kaluarën historike dhe dashuria për shkrimin shqip. Që në bankat e shkollës iu shfaqën karakteri i pavarur dhe fryma e revoltës. Për këtë shkak nuk iu dha diploma në kohën e duhur, gjë që e pengoi të emërohej mësues atë vit shkollor. Më 1900 vajti në Greqi, me qëllim që të nxirrte jetesën dhe të ndiqte fakultetin e filozofisë. Në Athinë u lidh me një shoqëri belge, e cila zotëronte tramvajet me kuaj. S’i eci mbarë. Studime nuk i bëri. Atëherë u hodh në punë të tjera, si kopist, sufler dhe aktor pranë një trupe greke teatri shëtitës. Tek punonte atje, iu ngjall dëshira të mërej me dramaturgji. Më 1903 kaloi në Egjipt, ku zuri punë si mësues i greqishtes. Ndërkohë, njihet me lëvizjen kombëtare. I ndihmuar nga patriotë, nis veprimtarinë politike dhe letrare: shkruan artikujt publicistikë, përkthen greqisht »Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet« të Sami Frashrit. Me 1906 mberrin ne SHBA, ku behet promotor I Levizjes Kombetare shqiptare en SHBA. Bashkepunoi me Sotir Pecin ne gazeten KOMBI. Eshte ne krye te Shoqerise Besa-Besen. Eshte themekues  Kishes Autoqefale Ortodokse shqiptare.Me 15 Shkurt 1909 vihet ne krye te gazetes Diellit, si gazete e Besa Besen deri ne ardhjen e Konices si editor. Më 1912 kryen studimet e larta për arte në Universitetin e Harvardit, të cilat i përfundon me cum laude në Bachelor of Arts. Eshte bashkethemelues i Federates PanShqiptare VATRA. Me 4 korrik 1918 u takua me Presidentin Wilson , te cilit I mori fjalen per te ndihmuar Shqiperine. Me 1921 eshte deputete ne Parlamentin Shqiptar. Kryesoi delegacionin Shqiptar ne Gjeneve ne Lidhjene Kombeve. Në fund të jetës së tij shkon në Florida. Atje, në banesën e tij, në Fort Lauderdale, vdiq më 13 mars 1965, larg atdheut të shtrenjtë, që e deshi me zjarr të pashuar.

Emri i Fan Nolit, Theofan Stilian Noli, është lidhur me gjithë kulturën e re shqiptare të shekullit tonë. Për fat të keq si shumë artistë të mëdhenj shqiptarë, ai lindi dhe vdiq larg atdheut. Por midis këtyre dy datave zemra e tij e madhe rrahu vetëm për Shqipërinë, shpirti i tij krijoi gjëra madhështore që e lartësuan dinjitetin e shqiptarit, kurse në veprimtarinë energjike të përditshme iu përkushtua pavarësisë e tërësisë tokësore të atdheut dhe sidomos demokratizimit të jetës shqiptare.

Vendlindja, Ibrik-tepeja ose Qyteza, një fshat shqiptar në Traki, afër Adrianopojës, si dhe disa fshatra të tjera afër tij ishin për Nolin nga mënyra e jetesës, zakonet e temperamenti, si një copëz e shkëputur nga Shqipëria. Aty shpirti i tij thithi të pastër botën shqiptare, kulturën e gjerë popullore, mori informacionin e parë për historinë e Shqipërisë e jetën e kryetrimit Skënderbe. Pasi kreu në greqisht shkollën fillore dhe gjimnazin, në vitin 1900, në moshën 18 vjeçare, ai u largua nga vendlindja për të mos u kthyer dot më dhe shkoi në Athinë.
Në gjimnazin grek ai ishte njohur me letërsinë antike greke, me letërsinë evropiane e sidomos me veprën e Shekspiri.
Kjo gjë i kishte ngjallur atij dëshirën për ta zgjeruar kulturën e vet, dëshirë që mbeti e zjarrtë në shpirtin e tij deri sa vdiq. Kështu ky djalosh i ri , me interesa të gjera, shëndetlig, por i guximshëm e me një intuitë të zhvilluar, i hyri rrugës së studimeve, që për të ishte mjaft e vështirë, sepse i mungonin mjetet financiare. Pikërisht prej kësaj mungese ai shpejt i ndërpreu ato, të cilat do të mund t`i vazhdonte shumë më vonë, në një moshë të madhe. (Vetëm më 1912 ai kreu studimet e larta dhe u diplomua për arte , kurse më pas në moshën 55-vjeçare, mbaroi konservatorin, dhe në moshën 63-vjeçare mori doktoratën e filozofisë për histori). Për të siguruar jetesën hyri në një shoqëri tramvajesh e me pas si sufler në një teatër. Herë-herë luante edhe ndonjë rol të vogël , por puna në teatër nuk i vleu më tepër, sepse e nxiti të shkruante dramën “Zgjimi”, në greqisht, (e cila u ndalua të shfaqej sepse aludonte për lëvizjen shqiptare për liri), dhe me vonë dramën në shqip “Izraelitë e filistinë”. Më 1903 shkoi në Egjipt ku punoi për dy vjet si mësues. Gjatë kësaj kohe ai u njoh me patriotë të shquar të kolonisë shqiptare të Egjiptit: Thanas Tashkon e Jani Vruhon, të cilët luajtën një rol të rëndësishëm për drejtimin që do të merrte jeta e Fan Nolit. Ata e lidhën atë me lëvizjen patriotike shqiptare edhe ai po në këtë kohë përktheu në greqisht veprën e Sami Frashërit “Shqipëria ç`ka qenë, ç`është e ç`do të bëhet”. Më 1906 Noli u dërgua në Amerikë nga patriotët e kolonisë së Egjiptit për organizimin e lëvizjes kombëtare të shqiptarëve të atjeshëm. Brenda një kohe të shkurtër Noli krijoi shoqërinë “Besa-besë”, që më pas u shkri në federatën “Vatra”si dhe gazetën “Dielli”. Në Amerikë ai u detyrua të bëjë një punë të rëndë që të siguronte jetesën.
Nga gjithë veprimtaritë e kësaj periudhe të jetës politike të Nolit, më e rëndësishmja është shkëputja e kishës ortodokse shqiptare dhe lufta kundër propagandës shoviniste greke. Për këtë qëllimin më 1908 ai u dorëzua prift dhe duke vazhduar traditën e nisur nga Kristoforidhi përktheu shumë libra të ndryshëm të kishës në gjuhën shqipe.

Kur u shpall Pavarësia, Noli përshëndeti qeverinë e Ismail Qemalit, ndërkohë që kishte bërë edhe një udhëtim nëpër Evropë për të mbrojtur çështjen shqiptare. Periudha më e rëndësishme e aktivitetit të tij në të gjitha fushat është dekada 1920-1930. Më 1920 ai, së bashku me patriotë të tjerë, u përpoq dhe arriti të sigurojë pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve. Më 1921 ai botoi edhe veprën e rëndësishme “Historia e Skënderbeut”.
Gjatë viteve `20-24, në krye të opozitës demokratike, Noli zhvilloi një luftë të ashpër në Parlament dhe jashtë tij kundër gjithë forcave reaksionare dhe feudale, duke ngritur zërin për vendosjen e lirive demokratike dhe zbatimin e reformës agrare. Fjalimi i tij mbi varrin e Avni Rrustemit në Vlorë shënoi fillimin e Revolucionit Demokratik në Shqipëri.
Me fitoren e revolucionit Noli u caktua kryetari i qeverisë së re, që doli prej tij, që ishte qeveria me përparimtare në Ballkan. Ajo shpalli një program revolucionar e demokratik, por nuk arriti ta realizojë. Revolucioni Demokratik në Shqipëri u gjend menjëherë i rrethuar nga qëndrimi armiqësor i Fuqive të Mëdha, monarkive dhe qeverive evropiane të shteteve ballkanike. Nolit iu desh të bënte një përpjekje të jashtëzakonshme që qeveria shqiptare të njihej. Por ndërkohë gjithë forcat reaksionare të vendit, të kryesuara nga A. Zogu dhe të ndihmuara nga qeveria jugosllave si nga ana financiare, ashtu edhe me mercenarë bjellogardistë arritën ta rrëzojnë qeverinë demokratike, e cila duke mos pasur kohë të realizojë reformat e shpallura, sidomos reformën agrare, mbeti e shkëputur nga populli. Noli u detyrua të mërgojë jashtë vendit në Austri dhe u dënua me vdekje në mungesë. Gjithë demokratët revolucionarë në mërgim themeluan në Vjenë Komitetin Nacional Revolucionar (Konare) me Nolin si kryetar. Në organin “Liria Kombëtare”
Të këtij Komiteti që dilte në Gjenevë, Noli botoi shumë artikuj që demaskonin Zogun dhe armiqtë e Shqipërisë, fashizmin dhe reaksionin si edhe disa nga poezitë e tij më të mira. Noli u end nëpër Evropë plot tetë vjet, duke mos pushuar së punuari për Shqipërinë, me shpresë se do të vinte një ditë që ai të kthehej përsëri. Por më 1932, kur Zogu arriti të forconte mjaft pushtetin e tij despotik, ai e humbi shpresën dhe u largua për në Amerikë për të mos e parë më kurrë atdheun. Më mirë se gjithçka, gjendjen e rëndë shpirtërore të tij në këtë kohë e shpreh poezia “Moisiu në mal”.
Noli
Kryeprofetit dita i ngryset
Dhe shpirtkëputur përdhe përmbyset
Me lot në sy, me zemër të ngrirë
I lyp mëshirë.

Pse kaçë gjatë, Zot, m`arratise,
Pse më përplase, më përpëlise,
Pse shpresën dyzetvjet ma ushqeve,
Dhe sot ma preve?

Përveç veprimtarisë shumë të rëndësishme politike, poetike e publicistike, gjatë këtij dhjetëvjeçari Noli përktheu tragjeditë e Shekspirit, Rubairat e Omar Khajamit, Don Kishotin e Servantesit etj. Në gjithë këtë veprimtari politike, patriotike, artistike e shkencore Noli mbeti demokrat konsekuent. Vegjëlia ishte shtresa e vetme që ai vlerësonte, shtresa, tek e cila ai besonte, kurse feudalizmi ishte klasa që ai urreu për vdekje, klasa për të cilën ai s`pati kurrë ndonjë iluzion. Megjithatë si politikan e udhëheqës shteti ai humbi në ndeshjen me feudalizmin, pasi nuk deshi kurrë të përdorej dhuna.
Pasi u vendos në ShBA, u mor me krijimtari letrare, me studime të ndryshme, siç ishte “Bethoveni dhe Revolucioni Francez” etj. dhe me organizimin e veprimtarive të kishës shqiptare në Amerikë, e cila shërbente si qendër e lidhjes së kolonisë shqiptare. Fan Noli mbeti deri në fund të jetës së tij një demokrat i shquar.
Ky vigan i demokracisë e i kulturës shqiptare, te i cili vepron me të njëjtën forcë intuita e artistit shkencëtarit dhe e politikanit, ky patriot i madh që shkriu gjithçka për Shqipërinë, për fat të keq vdiq larg saj më 13 mars 1965 në ShBA, ku ndodhen edhe sot eshtrat e tij.

POEZI NGA FAN S.NOLI

Hymni I Flamurit

O Flamur gjak, o flamur shkabë,
O vënd e vatr’ o nën’ e babë,
Lagur me lot, djegur me flagë,
Flamur i kuq, flamur i zi.

Fortesë shkëmbi tmerr tirani,
S’të trëmp Romani, as Venecjani,
As Sërp Dushani, as Turk Sulltani,
Flamur i math për Vegjëli

Flamur që lint Shën Kostandinin,
Pajton Islamn’ e Krishtërimin,
Çpall midis feve vllazërimin,
Flamur bujar për Njerëzi.

Me Skënderben’ u-lavdërove
Dhe në furtun’ i funtmi u-shove,
Me Malon prapë lart vrapove,
Yll i pavdekur për Liri.

Sa shpesh pastaj për-dhe u-shtrive
Me zjarr e zi u-ndeze u-nxive,
Po çdo mizor me shpat’ e grive,
O fushë-kuq, o shkabë-zi.

Përpjetë pri-e Shqipërinë,
Përlintj’a shpirtin dhe fuqinë,
Diell për vllanë, yrnek për fqinë
Për botën ëndr’ e qjell i ri.
Fryn Moj Ere

-Ngaj po na vjen, moj erë e rreptë?
Pse vërshëllen me aq mallëngjim?
-Vij drejt nga malet e Shqipërisë,
për të përhapur zi e vajtim.
Fryn, moj erë, moj erë e shkretë fryn,
drejt më zëmër, më zëmër time hyn.

-Nga ata male, moj erë trime,
ç’lajme të reja po na ke siell?
Pse je e vrerët dhe e helmuar?
qiellë me zi përse na e mbiell?
Fryn, moj erë, etj.

Pse e ke synë të trubulluar
e rent kaluar mi t’zeza re?
Pse të pikojnë lottë të zeza,
lottë të zeza posi rrëke?
Fryn, moj erë, etj.

Syri m’u err nga ato që pashë
Ah! nukë mbahem, nuk duroj dot.
Pashë një gjëmë, gjëm të tmeruar,
rent ta haroj, po rentkam më kot.
Fryn, moj erë, etj.

Atje tek losnja në fush’ të Korçës,
duke u hedhur lis më lis,
një qivur pashë me nj’çup’ të virgjër,
ma vrau shpirtin ay filis.
Fryn, moj erë, etj.

Tokat pushonin, prift nukë dukej,
e pakënduar na u varros;
mihnë dëborën, i bënë varrë,
shpirt nuk më mbeti, forca m’u sos.
Fryn, moj erë, etj.

Atje mi varrë qante një grua,
një grua qyqe me mallëngjim;
burrën të qante më par’a çupën,
për kë të bënte më par’vajtim?
Fryn, moj erë, etj.

Renda e ika e fluturova,
po dhëmbjen time ku do ta fsheh?
Çava oqeane, dete dhe male,
po vajtoj edhe sikundër sheh.
Fryn, moj erë, etj.

-Moj er’e rreptë, erë malsore,
shpirti m’u ndes, zëmra më shkriu;
sytë m’u errë si ty dhe mua,
mëndja në kokë më bubullin.
Fryn, moj erë, etj.

Qëndro të lutem, të kam për t’dhënë
dhe un’i varfri një porosi:
një re të madhe dërgo të zbresë
e ta ngarkojmë me lott’e mi.
Fryn, moj erë, etj.

E kur të kthehesh nga Shqipëria,
Atje në kopshtin, atje t’qëndrosh,
dhe lott’e mia si vesë qjelli
dalë nga dalë do t’i pikosh.
Qaj, moj erë, moj er’e shkretë qaj,
derthmi lottë atje mi varr’e saj.

Jepni Per Nenen

Ç’thot’ ajo e ve e gjorë,
-Mbretëreshë pa kurorë-
Faqe-çjerrur, lesh-lëshuar,
Shpirt e zëmër përvëluar;
Gjysm’ e vdekur: “O Shqiptarë,
Nënës mos ia bëni varrë!”
Mbahu, Nëno, mos kij frikë
Se ke djemtë n’Amerikë.

Qan e lutet Nën’ e mjerë,
Kërkon vatrën edhe nderë,
Do lirinë dhe atdhenë,
Si ç’e pat me Skënderbenë,
Bijt’ e besës thërret pranë.
Kur i thirri dhe s’i vanë?
Mbahu, Nëno, mos kij frikë,
Se ke djemtë n’Amerikë.

Cilët jan’ ata tiranë
Që të pren’ e që të vranë
Që të therrë bij e bija,
Dhe t’u-nxi, t’u-mbyll shtëpija?
Derthni plumba, o Shqiptarë,
Gjakn’ e Nënës për të marrë,
Mbahu, Nëno, mos kij frikë,
Se ke djemtë n’Amerikë.

Cilët bij të trathëtuan
Dhe të doqnë dhe të shuan
Dhe të lan’, o Shkab’ e ngratë
Pa fole, pa zog, pa shpatë?
Këta qena, o shok’ i mbytni,
Mbushni gjyle që t’i shtypni.
Mbahu, Nëno, mos kij frikë,
Se ke djemtë n’Amerikë.

Sa kërkon e sa të duhen?
Burrat nga detyra s’ndruhen!
Trim i mirë do të japë,
S’kursen jetën as paratë;
Hithni, hithni tok dollarë,
Të mos mbetemi të sharë.
Mbahu, Nëno, mos kij frikë.
Se ke djemtë n’Amerikë.

Do të ndihim pa kursyer
Për ty, Nëna jon’ e vyer,
Që me drit’ e nder të thuresh
Dhe me bijt’ e tu të mburesh.
Cila Nënë lyp paranë?
Cilët bij me shpirt s’i dhanë?
Mbahu, Nëno, mos kij frikë,
Se ke djemtë n’Amerikë.

Armë dhe fishekë mblithni,
Qesen edhe shpirtin hithni:
Për lirin’ e vëndit t’onë,
Sot -se nesër është vonë-
Jepni, Nënën të shpëtoni,
Komb e vatra të nderoni.
Mbahu, Nëno, mos kij frikë
Se ke djemtë n’Amerikë.

1917

Anës Lumenjve

Arratisur, syrgjynosur,
rraskapitur dhe katosur
po vajtonj pa funt, pa shpresë,
anës elbë-s, anës spree-së.
ku e lam’ e ku na mbeti,
vaj-vatani e mjer mileti,
anës detit i palarë,
anës dritës i paparë,
pranë sofrës i pangrënë,
pranë dijes i panxënë,
lakuriq dhe i dregosur,
trup e shpirt i sakatosur.

se ç’e shempnë derbederët,
mercenarët dhe bejlerët,
se ç’e shtypnë jabanxhinjtë,
se ç’e shtrythnë fajdexhinjtë,
se ç’e pren’ e se ç’e vranë,
Ç’e shkretuan anembanë,
nënë thundrën e përdhunës
anës vjosës, anës bunës.

Çirem, digjem i vrerosur,
sakatosur, çarmatosur,
as i gjall’, as i varrosur,
pres një shenj’ e pres një dritë,
pres me vjet’ e pres me ditë,
se ç’u tera, se ç’u mpaka,
se ç’u çora, se ç’u mplaka,
lark prej vatrës dhe prej punës,
anës rinit, anës tunës.
Çakërdisur, batërdisur,
përpëlitur dhe zalisur,
ËndËronj pa funt, pa shpresë,
anës elbë-s, anës spree-së.

dhe një zë vengon nga lumi,
më buçet, më zgjon nga gjumi,
se mileti po gatitet,
se tirani lebetitet,
se pëlcet, kërcet furtuna,
fryhet vjosa, derdhet buna,
skuqet semani dhe drini,
dridhet beu dhe zengjini,
se pas vdekjes ndriti jeta
dhe kudo gjëmon trumbeta.
ngrehuni dhe bjeruni,
korini dhe shtypini,
katundar’ e punëtorë,
që nga shkodra gjer në vlorë!

ky ilaç e ky kushtrim
më bën djal’ e më bën trim,
më jep forc’ e më jep shpresë,
anës elbë-s, anës spree-së.
se pas dimrit vjen një verë,
që do kthehemi njëherë,
pranë vatrës, pranë punës,
anës vjosës, anës bunës.

arratisur, syrgjynosur,
raskapitur e katosur,
brohoras me bes’ e shpresë,
anës elbë-s, anës spree-së.

Shpell’e Dragobise

(Elegji për Bajram Currin)

Kur tufani e çthuri fenë,
Kur tirani e krrusi atdhenë,
Mi një brek të Dragobisë
Priret Flamur’ i lirisë.

Atje nisi, atje mbaroj,
Atje krisi, atje pushoj,
Rrufe-shkab’ e Malësisë,
Në një shkëmb të Dragobisë.

Vendi dridhej, ay mbeti
Se s’tronditej nga tërrmeti.
Dif drangoj i Dragobisë,
Trim tribun i Vegjëlisë.

0 Bajram, bajrak i gjallë,
More nam me gjak në ballë,
Te një shpell’ e Dragobisë,
Yll i rrall’ i burrërisë.

Thon’ u-shtri e thon’ u-vra,
Po ti s’vdiqe, or Baba,
As te shkëmb’ i Dragobisë,
As te zëmr’ e Djalërisë.

As je vrar’ e as po vritesh
Legjendar Ante po rritesh.
Dithiramb i Dragobisë,
Tmerr, panik i mizorisë.

Me Zjarr Shenjt u-ndrit kjo shpellë.
Gjer në qjell u-ngrit Kështjellë
Për çlirimn’ e Shqipërisë
Katakomb’ e Dragobisë.

Syrgjyn -vdekur

(Elegji për Luigj Gurakuqin)

Nëno moj, mbaj zi për vllanë,
Me tre plumba na i ranë,
Na e vran’ e na e shanë,
Na i thanë trathëtor.

Se të deshte dhe s’të deshnin,
Se të qante kur të qeshnin,
Se të veshte kur të çveshnin,
Nëno moj, të ra dëshmor.

Nëno moj, vajto, merr malin,
Larot t’a përmbysnë djalin
Që me Ismail Qemalin
Ngriti flamur trimëror.

Nëno moj, m’a qaj në Vlorë
Ku të dha liri, kurorë,
Shpirt i bardhë si dëborë;
Ti s’i dhe as varr për hor.

Nëno moj, ç’është përpjekur
Gojë-mjalt’ e zëmër-hekur,
Syrgjyn-gjall’ e syrgjyn-vdekur,
Ky Vigan Liberator.

Shen Pjetri Ne Mangall

Fryn’ e çfryn veriu,
Ngrin, mërdhin i ziu
Dhe mangallit i afrohet
Që të ngrohet.

Krishtin brënda e gjykojnë
Dhe pas ligjës e dënojnë,
E goditin dhe e shtyjnë,
E pështyjnë.

S’del askush që t’a shpëtonjë,
Roma do t’a kryqësonjë,
Triumfon Legaliteti
Dhe Laneti.

Kur e rrahin dhe e tallin
Pjetri ngulet mbi mangallin;
Kur e pa, u-koll këndezi
Nga qymezi.

Dhe një shërbëtore i tha:
“Je dhe ti një nga ata!”
Po Shën Pjetri proteston,
E mohon.

Kruspull mbi mangallin mblidhet,
Po djek dorën dhe përdridhet;
Se ç’këndon bandill këndezi
Nga qymezi:

“S’ka e s’ka si heroizma,
Edhe si idealizma,
Po kur dimër del behari
S’ka si zjarri.”

-“Nga ata je!”- thot’ ajo,
E mohon Shën Pjetri: -“Jo!
As e njoh, as e kam parë,
Moj e marrë!”

Kruspull mbi mangallin mblidhet,
Po djek mjekrën dhe përdridhet;
Se ç’këndon bandill këndezi
Nga qymezi:

“Shkab’ e shkëmb me poz’ e fjalë,
Se ç’na dolle shkrumb e galë,
Në je trim këtu tregoje,
Shko shpëtoje.”

Thot’ajo: -“Je, mos gënje!”
Pjetri e mohon me be:
-“Jo, për Zotin, moj aman,
S’jam e s’jam.”

Kruspull mbi mangallin mblidhet,
Po djek gjuhën dhe përdridhet;
Se ç’këndon bandill këndezi
Nga qymezi:

-“Simon Pjetër, Bar Jona,
Kështu ndahet kjo dynja:
Kryqi andej, këtej buxhaku
Dhe allçaku.

Se ç’ e dogje, se ç’ e fike,
Gjel me gjëmb’ e këng’ armike.
Dhe ndërgjegjen se ç’ ia çpove,
Se ç’ia zgjove.

Se ç’vajton Shën Pjetri hidhur,
Lesh-lëshuar, duar-lidhur,
Tri her’ e mohoj pa gdhirë,
Faqe-nxirë.

Plak Topall Dhe Ashik

Dale, moj, se kam një fjalë,
Se më rjedhin djersët valë;
Dale, moj, se s’jam më djalë
Dhe më s’ecënj dot.

Dale, moj, se më kapite,
Më këpute, më sfilite,
Prite, moj, ashikun, prite
Që të vjen me not.

E arriva dhe ia thashë,
Asnjë gur pa tundur s’lashë,
Dhe mëgjunjazi i rashë,
Ç’u mundova kot.

Hapi gojën, dhe vajtova,
Qenkam plakur, e kuptova,
M’ardhi keq, po s’e mohova,
Syri m’u-përlot.

Dhe nga jeta u mërzita,
Dhe nga lumi u vërvita
Që të vdes, se u korita
Dy-tri herë sot.

Po ti, Zot, më ngushëllove
Pas një tjatre më lëshove,
Dhe nga mbytja më shpëtove,
Lavdi paç, o Zot.

Dale, moj, se kam një fjalë,
Se më rrjedhin djersët valë;
Dale, moj, se jam i çalë
Dhe më s’ecënj dot.

Sofokliu

Sofokliu ishte budalla,
Kur u mplak, edhe Kupidi e la,
Tha: “Shpëtova nga një maskara!”
Goja, pra, iu tha.

Sofokliu nuk e kishte mirë:
Plaku s’ka takat, po ka dëshirë,
Gjalpë s’ka po ka një pus me hirrë,
Furrë dhe trazirë.

Kam Ferid Asllanin si shahit,
Tetëdhjet’ e pesë vjeç ashik:
Amerika, Evropa u-çudit,
Nuse desh kur vdiq!

Flamurin që la e trashëgova,
Nat’ e ditë çupa, gra kërkova,
Se ç’u batërdisa, se ç’u shova,
Se ç’u përvëlova.

Kur të vdes, dhe kur të më mbuloni,
Çupa, gra, në varr mos më vajtoni.
Do t’ju dua prapë, siç më doni.
Dolla! Mos më zgjoni.
Kryqezimi

Po troket çekani
Po kërcet mejdani,
Dor’ e këmb’ i çpon,
Krishtin kryqëson.

Me tërbim goditin
Me gjëmim e ngjitin
Turma ulërin
Nëna blegërin.

Çdo peronë plagë
Përvëlon si flagë
Çurka gjak buron
Fryhet dhe pikon.

Kryqet ngulen, shtisen,
Tallen, qesëndisen;
Sipër Kryqe tre,
Tri Mari për-dhe.

Filed Under: Histori, Kulture Tagged With: 6 Nentor lindi Fan s Noli, dalip greca, Kalendar

ELEZ ISUFI- FUQI, BESË, SHPËTIM DHE SHPRESË PËR KOMBIN

January 6, 2013 by dgreca

NGA NAIM  PLAKU/NE FOTO: ELEZ ISUFI me kreret e tjere te Shqiperise dekoruar nga Perandori Franc Jozefi/

Në analet e historisë sonë kombëtare, nga kohërat më të lashta e gjer tek më të rejat, Dibra ka qenë kurdoherë e pranishme dhe ka pasur peshë të rëndësishme, shpesh dhe përcaktuese, në lëvizjet tona kombëtare për liri dhe pavarësi, duke u dhënë këtyre  pasazheve dhe peisazheve pikante ngjyrën e gjakut të kulluar të lirisë. Pozicioni i saj gjeofizik, një  luginë e bukur e pjellore  plot dritë e gjelbërim në rrjedhën e mesme të Drinit të Zi, me ujëra të kulluar e pyje madhështorë, përtej dallgëve të kripura të detit, kënetave dhe moçaleve, të verdha e të mpira, e mbrojtur nga një kurorë malesh të lartë në perendim e në lindje, tërhoqi lakmitë e pushtuesve duke filluar nga falangat e ushtrive romake e gjer te urditë shoviniste sërbe. Prandaj themi me të drejtë se Dibra ka histori. Kjo histori ka brenda saj ngjarje, perpjekje, luftëra,  qëndresë madhore, ka tym të zi e gjak të pastër, besë të rëndë dhe hakmarrje vigane, ka luftëtarë e martirë, dëshmorë e heronj të vërtetë, prijësa të shquar e trima mejdani, ka varre lapidarë dhe këngë frymëzuese…

Ngjarjet që ndodhën në gjysmën e dytë të shek XIX dhe fillimin e shek.XX  që shënojnë dhe fundin e sundimit otoman dhe kurorëzohen me shpalljen e Pavarësisë e bëjnë Dibrën  epiqendër të përpjekjeve shqiptare për liri e pavarësi. Mjerë kush s’e njeh dhe s’e do! Le të kujtojmë qëndresën vigane kundër reformave të Tanzimatit, kontributin dibran në Lidhjen e Prizrenit, përpjekjet për gjuhën dhe shkollën shqipe, kryengritjet antiosmane për shpalljen e Pavarësisë, kuvendet, kararet dhe itifaket, besëlidhjet e famshme, prologun e gjithë atyre betejave legjendare, nga dolën heronjtë pishtarë të qëndresës popullore. Kurora e lavdisë dibrane është, padyshim, epopeja e luftrave 9-vjeçare kundër pushtuesve sërbë 1912-1921, përcaktuese në kufinjtë që kemi sot, e dhimbshme gjer në palcë, por madhështore gjer në pavdekësi, të cilën gishta të shkapërderdhur historianësh ose e kanë prekur pak, ose e kanë shkruar keq. Mjerë ata që luajnë me të vërtetën!

Sado të keqinerpretohen apo të keqpërdoren, memoria e shëndoshë e kombit kurrë nuk do të fshijë emrat e mëdhenj të patriotëve tanë. Ata janë si lulet që mbijë e lulëzojnë, sa herë fryjnë erëra të ngrohta behari. Të tillë janë Cen Leka e Salë Markja, Sheh Zerqani e Fejzë Bulqiza, Dan Cami e Iljaz Dibra, Selman Alia e Llan Kaloshi, Selim Rusi e Jusuf Bageri, Sefedin Pustina e Ismail Strazimiri, Baftjar Doda e Mustafë Lita, Hoxhë Voka e Hoxhë Muglica, Elez Isufi e Sufë Xhelili e plot të tjerë.

Elez Isufi hyri si meteor plot dritë e shkëlqim në orbitën e përpjekjeve shqiptare për liri dhe pavarësi, kur ishte djalë i ri 17 vjeç. Familja e tij kishte pak kohë që ishte vendosur në një mjedis interesant. Një shtëpi e thjeshtë majë një kodre mes gjelbërimit dushkor të Lugjepravës, në të djathtë të Drinit, që shpejt do të kthehej në një copëz parajse me bimë e pemë gjithfarësh dhe me një kullë-fortesë majë kodrës. Djali i ri, i pajisur nga natyra me dhunti të jashtëzakonshme, i rrahur që fëmijë nga erërat e luftës dhe barotit, i pjekur në kuvende burrash, i rritur  dhe i kalitur në mejdane trimërie, nën kujdesin e një nëne malësore të mençur dhe bujare, të ashpër e kryelartë, por dhe të dashur e fisnike, ziente përbrenda si një vullkan që priste për të shpalosur mrekullitë e shpirtit shpërthyes e liridashës, të një mendjeje të ndritur e të një pasioni të fuqishëm, me sy të mprehtë e vëzhgues, me atë gjoks të gjërë e të rëndë si shkëmbi majë një mali, tërë forcë e energji vepruese për të nisur vepra të mëdha. Kështu e gjejnë atë ngjarjet e Lidhjes së Prizrenit. Vëllai i tij Xhelili, sapo ishte kthyer nga misioni historik në roje të besëlidhjes së madhe të Prizrenit së bashku me Xhafer e Baftjar Dodën, kur vdiq papritur në një moshë të re. Nga kjo kohë Elez Isufi mbajti mbi supe barrën e rëndë të familjes dhe misionin e lavdishëm të mbrojtjes së atdheut, në një nga periudhat më kritike të historisë sonë. Emri i tij shpejt do të bëhej i njohur, por dhe i frikshëm për armiqtë dhe tradhtarët. Ai do të bëhej udhëheqësi më popullor dhe më i besueshëmi, më i thjeshti dhe më i dashuri, prijësi i lavdishëm i vegjëlisë. Ai ishte simboli i besës dhe i bujarisë, i sakrificës dhe i trimërisë, burri i mençur i Dibrës dhe strategu i luftrave popullore, heroi i betejave legjendare, kreshniku i maleve tona dhe  diplomati i pagabueshëm me opinga lëkure e kësulë  të rrafshët dibre që u jepte drejtim kthesave më të vështira historike.

Janë mbi 46 vjet të jetës së tij të mbushura me shqetësime të panumërta për mbijetesë kombëtare, vite luftërash e betejash, vite qëndrese, krenarie e lavdie në mbrojtje të trojeve tona, të nderit e të dinjitetit shqiptar. Po të ecësh në gjurmët e këtij gjysëmshekulli të jetës së tij, nuk do të gjejsh asnjë vit të papërgjakur, asnjë muaj pa tym betejash e plagë lufte, asnje ditë të qetë e pa krisma pushke. Të gjitha mbulohen, si për çudi, me një aureolë të ndritshme, me një piskamë tronditëse të thirrjes së fuqishme “ A besë-a- besë, o burra, për hatër të këtij vatani”! Dhe ngriheshin 7 e 70, përmbysej nata dhe vraponin malet, konak e oxhak mblidheshin tek pesë krismat e pushkës habertare. Dhe gjithkush pyet me të drejtë:- Ku e kishte, vallë, gjithë këtë fuqi ky njeri, ky djalë, ky bir, ky burrë? Ai e kishte fjalën fjalë e besën besë. Nga syri i tij plot dritë buronte mirënjohja dhe nderimi për njeriun e mirë, dora e tij e bardhë shtronte bujari dhe nga gishti tregues shpërthente flaka hakmarrëse për armiqtë.

Çdo beteje çiftelia i vinte pas. Tregojnë se kanë qenë mbi 20 këngë që trimëria i ka kënduar pushkës dibrane dhe prijësit të saj Elez Isufit. Ne kemi arritur të mbledhim të plota rreth 13 prej tyre, pa llogaritur këngët që i janë kushtuar atij pas vdekjes. Kënga në atë kohë ishte vlerësimi më dinjitoz për dike që e meritonte. Ishte medaljon, urdhër, ishte titull nderi e lavdie, ishte dekoratë, lapidar e monument. Kënga bënte portretin heroit, por edhe te tradhtarit. Ndaj kënga dibrane, si më e fuqishmja në trevat shqiptare, ka bërë vlerësime dinjitoze. Elez Isufin e ka quajtur arushë mali, që s’i tutet as mbretit e as kralit, burrë zotni, që  Petre Kralit i rri karshi, trim me shtatë zemra, shqipja e malit që faron asqerët e kralit, ylli i mejdanit, besa e burrit, salltanet ndër krala, etj. duke i dhënë urimin e zemrës:”Gjeç rahmet, o Elez Aga”! Në dy vargje të një kënge popullore jepet qartë qëndrimi që mban populli ndaj dy figurave:

Ahmet beg, nip i Toptanit, (Është fjala për tradhtarin Esat Toptanin).

Elez aga, arusha e malit.

Duke ecur gjurmë pas gjurme të jetës së tij e shohim se si rritet dhe madhohet në sytë e popullit personaliteti i udhëheqësit. E nisi rininë e hershme si bari dhish dhe shpejt e shohim të ngrihet si një zë të fuqishëm kryengritës kundër shtypjes e padrejtësive. Vihet në krye të  një çete komitësh si dalëzotës i mallit në fshatrat e Rekës duke vendosur rendin e qetësinë. Gradën si çaush i një poste e shfrytëzoi për të përzënë turqit e Sllovës dhe ky akt do të ishte prologu i gjithë kryengritjeve të mëvonshme antiosmane deri në shpalljen e Pavarësisë. Në vitin 1899 është pjesëmarrës në Kuvendin e Qarnanicës krahas burrave të pjekur për miratimin e vendimeve të Lidhjes së Pejës, për unifikimin e veprimeve luftarake të kërkesave të parashikuara nga besëlidhja e madhe.Turqit e shikojnë si një element shumë të rrezikshëm dhe kërkojnë ta eleminojnë. E arrestojnë dhe e burgosin në Manastir. Në vitin 1902 arratiset nga burgu. Udhëheq një çetë të armatosur, e cila kryen disa aksione të guximshme në Dibër të Poshtme. Në vitin 1908 Elez Isufi me çetën e tij siguron zhvillimet normale të punimeve të Kongresit të Manastirit. Ai tashmë ishte njohur dhe miqësuar me shqiptarët më me peshë të Perandorisë dhe kishte përvetësuar platformën e rilindasve. Në maj 1910 në krye të më se 2000 dibranëve shkon në mbrojtje të Kosovës dhe merr pjesë në luftimet e përgjakshme të Qafë-Prushit. Arrestohet dhe dërgohet në burgun e Manastirit. Më 27 mars 1912 nën kryesinë e tij dhe Selman Alisë shkrepi krisma e parë e çetave kryengritëse dhe formohet Komiteti Nacional i Dibrës. Elez Isufi ishte flamurtari më i flaktë i sulmit të përgjithshëm. Kryeson delegacionin që niset në Prishtinë më 6 gusht dhe takohet në Ferizaj me Hasan Prishtinën, Bajram Currin e Isa Boletinin, të cilët do t’i lidhë, siç dëshmojnë ngjarjet e mëvonshme, miqësia e përjetshme. Caktohet delegat për në Vlorë, por ngjarjet që rrodhën me vërtik, e penguan këtë udhëtim historik. Me Ismail Qemalin ai do të takohej më 14 gusht 1913, pak muaj pas shpalljes së Pavarësisë duke mbyllur kështu njërën prej faqeve të historisë së lavdishme.

Lufta me sërbët është padyshim më tragjikja për Dibrën. Elez Isufin e kemi në krye të kësaj epopeje 9-vjeçare. Në nëntor, 20 ditë para shpalljes së Pavarësisë sërbët hyjnë në Lumë, Shkodra rrethohet nga malazestë. Elez Isufi me një pjesë të dibranëve kthen nga rruga për në Shkodër dhe hidhet në betejën e famshme të Kolosnjanit, kundër armikut rezil që tashmë kishte trokitur te porta e nderit. Fitorja e kësaj beteje qe befasuese. Bisha tërbohet dhe më tepër dhe mësyn e pushton Dibrën e Madhe dhe viset gjer në Dri, pikërisht një ditë para se Plaku i Vlorës të ngrejë flamurin e lirisë. Një natë të bekuar ai me shumë zgjuarsi arrin të çajë rrethimin e kullës dhe të shpëtojë 70 anëtarët e familjes dhe vetë arratiset në mal. Sërbët djegin kullën, por flamurtarit të rezistencës i rritet nami fort, sa që fillon ta dëgjojë dhe Evropa e shurdhër. Në shtator fillon kryengritja e madhe dhe brenda një nate korret një fitore tjetër historike. Në tetor fillon ofensiva sërbe me terror të padëgjuar në masën e popullsisë. Digjen e shkretohen tërë viset shqiptare në dy anët e Drinit të Zi. Shpërngulën mbi 20.000 dibranë. Elez Isufi shkon pak kohë të luftojë në Shkodër kundër malazezve. Në vitin 1914 qeveria e Durrësit  e ngarkon të ruajë rendin e qetësinë nga provokacionet sërbe. Në mars 1915 mblidhet një kuvend i madh në Sohodoll dhe vendoset për të luftuar lëvizjen esadiste. Në dhjetor të atij viti ndizet Lufta e Kaushit, një ndër kulmet e fitoreve, ku futet në darën e hakmarrjes popullore një divizion sërb që priste të kalonte në Durrës. Në tetor 1918 Dibra bije sërish nën kthetrat sërbe, tashmë krejt e lodhur dhe e përgjakur.

Në gusht 1920 formohet ajo që njihet si qeveria e Arrasit. Mblidhet kuvendi i madh dhe zgjidhet një komitet lufte me komandant të forcave kryengritëse Elez Isufin. Shpërtheu kryengritja që ndezi mbarë Dibrës flakën e fitores. Në Lanë-Lurë, në një ditë breshëri dhe shiu, ndizet beteja e përgjakshme e vendimtare për fitore. Elez Isufi qe kundër synimeve diktatoriale dhe mbështeti gjithmonë krahun e demokratëve përparimtarë si Hasan Prishtina, Ramiz Daci, Ramiz Dibra,etj. Në dhjetor 1921 i tërheq vemendjen parlamentit për të thirrë Asamblenë Kushtetuese. Në prill 1922 gjykata ushtarake e dënon me vdekje. Udhëheq Lëvizjen e Marsit dhe falanga e tij me malësorë, e kalitur në qindra beteja, pas luftimeve të ashpra, hyn triumfalisht në Tiranë:

Meleq Frashni, mor budallë,

Mos u dil para Reç-e-Dardhë!

Reç-e-Dardhë mos u dil para,

Çe nand vjet luftojnë me krala!

Ahmet Zogu fillon spastrimet me vrasjen e kundërsharëve. Me Plakun e Sllovës fillimisht nuk pati sukses, se ai e mbante pushkën për syri ngulur te kulla e Ndreut, e cila në preludin e Revolucionit të Qershorit mblodhi në gjirin e saj qindra patriotë e malësorë duke u kthyer në qendër organizative për tërë Dibrën. Demokratët e vërtetë e mbështetën këtë revolucion, sepse e shikonin  si një mundësi për realizimin e aspiratave të tyre, megjithatë ishin të detyruar ta mbanin syrin dhe veshin  zgjuar, sepse diçka e zezë po lëvizte matanë dhe përbindshi i kahershëm sërb duke derdhur arin si ujë në xhepat e lakmitarëve tradhtarë, rigjallëroi shëmtyrat e kombit dhe vuri në lëvizje kthetrat e gjakosura të hasmit të vjetër. Kështu zbritën nga Skërteci në mesin e dhjetorit hordhitë mercenare e tradhtare, rusë të bardhë e sërbë të zinj të Pashiqit, drejt Peshkopisë, ku ishin forcat vullnetare me në krye Elez Isufin. Disa nga paria dibrane, e  zverdhur e xheloze, dinake dhe tinzare, e shitur për pesë pare, duke shkelur mbi gjakun e kulluar të lirisë, shtriu dorën e zezë të tradhtisë dhe vrau në pabesi shqiponjën e betejave liridashëse, Sufë Xhelilin dhe kreshnikun e maleve Elez Isufin, ata që kënga do t’u vinte pas vit pas viti e brez pas brezi:

Çou, Elez, thërrasin malet

Besë-a-besë përmbi urdi,

Herë me mbret e herë me kralët

Për vatan e për liri!

Kam shpresë se historia do të trokasë shpejt në mendjet e turbulluara, do të zhvishet nga gjethet e thara dhe do të zbulojë fytyrën e bukur të së vërtetës e do t’iu thotë me zë të qartë: – Ja ku jam e kush jam!

Janë disa burra të cilët nuk e kanë ndjekur lavdinë, por ajo u ka shkuar pas. Dhe nuk kanë nevojë fare as për grada, as për lavdi e as për monumente. Elez Isufi dekorohet nga perandori i Austro-Hungarisë me urdhërin “Franc Jozef Orden” për luftë kundër sërbëve. Për meritat e tij si udhëheqës gradat më të larta ia vuri në gjoks populli i tij: Komandant, gjeneral, burrë burrash, shqipe mali, i pari i të parëve, kreshniku i Dibrës, bajraku i mejdanit, diplomat, Plaku i urtë i Sllovës, njeriu që i ka fry hizri në gojë, etj.

Për Elez Isufin u shkrua shumë në shtypin e kohës duke i veshur cilësitë më të larta. Janë shkruar e vazhdojnë të shkruhen biografi, monografi, vepra letrare, këngë, poezi, drama, romane, kujtime, etj. Ai është përfshirë gati në të gjitha botimet historike të peridhës që jetoi, diku më pak e diku më shumë, sepse dhe më të padëshiruarit i ngecet penda para veprës së tij dhe s’mund të bëjë kapërcime revansh. Shumë historianë e kanë quajtur strateg luftërash, kryetrim, Roja e Kufirit Shqiptar. Të huaj e vendas janë ndalur shpesh te figura e Elez Isufit. Roze Lang, shkrimtare amerikane e quan Trim i Dibrës dhe britaniku Barnes patriot të madh. Vrasja e albanalogut kroat Milan Shuflaj që u thirr urgjentisht nga sërbët pas vizitës në shtëpinë e Elez Isufit ishte  e sajuar nga ana e tyre për të eleminuar një personalitet me rëndësi që do të shkruante të vërtetën për trimin e Dibrës. Nermin Vlora i quan Elez Isufin dhe Isuf Xhelilin trima madhështorë që u vlon ndër deje gjak shqiptar. Filozofi Isuf Luzaj e quan njeri të hekurt që i tansformonte njerëzit e thjeshtë në heronj. Fan Noli flet me simpati për gegën e mençur, trim e të pashoq. Skëndër Luarasi në librin që i kushtohet Isa Boletinit tregon për dy netët e këndshme që kaloi në kullën e Plakut të Sllovës, kur po udhëtonte drejt Vlorës. Por shkrimet më të mira që e ngrejnë lart figurën e tij si patriot, -thotë në kujtimet e tij Ismail Strazimiri, – janë burimet e shumta arkivore sërbe që flasin me mllef të pashoq për heroin tonë.

Një monografi dinjitoze për gjeneralin me shajak ka shkruar Xhafer Martini. Haki Sharofi ka lënë në dorëshkrim kujtimet e tij me vlerë. Haki Stërmilli e ka personazh kryesor në dramat e tij historike, Rexhep Krasniqi e quan shtyllë të sigurtë të vijës kufitare verilindore, Ibrahim Farka i thotë trim legjendar, Abdulla Çanga kujdestar plot pasion për shkollën dhe arsimin shqip, që bën epokë dhe sjell pavekësinë shprehet për të historian Gafurr Zoto, ndërsa një ndër personalitetet më premtuese e më të talentuara, prifti shkodran Dom Lazër Shantoja, i pushkatuar më 1946 nga diktatura, e ka personazhin kryesor të dramës së tij historike “Kuvendi i dëshmorëve”. Ai e vizitoi në Sllovë dhe shkruan me shumë simpati për personin që çdo send tjetër para tij humb interesin. Në këto 5 rrokje secili shqiptar shef njeriun me famë legjendare, që ari i sërbisë nuk mundi me e thye kurrë. Elez Isufi! Fuqi, shpresë, kërcënim!- shkruan ai, i cili, siç thotë Irfan Tërshana, u thirr nga Perandori si njohës i shkëlqyer i gjermanishtes, të përkthente fjalët e malësorit të Dibrës, që e kishte ofruar për dekorim.

 

***

I solla këto jo se ata janë pak të njohura, por më shumë si një kujtesë historike në këtë 100-vjetor të krenarisë kombëtare, ku secila figurë duhet të  gjejë vendin e vet. Trimi, ku ka vënë këmbën, ka ngritur dhe muranën. Është një vend këtu në Tiranë që quhet “Qoshja e Elezit”. A thua nuk e meriton një përmendore? Fatmirësisht pasardhësit e kësaj dere të ndritur nuk e kanë humbur shkëlqimin. Unë u ndala te lufta e Dibrës dhe posaçërisht tek njera prej figurave të saj, për të cilin, fatkeqësisht, historia e ka mbyllur njerin sy. Por, nga kjo dritare shfaqen e gëlojnë qindra e qindra ngjarje dhe figura të ndritura të Dibrës, që, padyshim, duhen vënë sipas meritës në pjedestalin e lavdisë kombëtare dhe kurrë sipas shijeve dhe interesave personale.

 

Tiranë,nëntor 2012

Filed Under: Histori Tagged With: Elez Isufi, Naim Plaku

EKSPOZITA ÇAMERIA NE MUZEUN KOMBETAR

January 6, 2013 by dgreca

Shoqata “Çamëria” në bashkëpunim me shoqatën “Miqtë e Masonëve” dhe “UniversReklama”, çelën pasditen e se premtes , 4 Janar, në hollin e Muzeut Historik Kombëtar ekspozitën me fotografi të titulluar “Çamëria ime”. Fotografitë janë realizuar nga zoti Maksim Zotaj.
Kryetari i Partisë Drejtëis, Integrim dhe Unitetit, zoti Shpëtim Idrizi, e nisi fjalën e tij me një urim për një vit sa më të mbarë për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen. Gjatë fjalës së tij, zoti Idrizi falenderoi organizatorët e kësaj ekspozite, të cilët këtë herë bënë të mundur të sillnin një Çamëri ndryshe. “Na kanë sjellë një Çamëri ndryshe, më të ngrohtë, më të afërt gjë që ne e kemi bërë vazhdimisht në aktivitetet tona. Është një ekspozitë fotografike nga Çamëria e sotme për të kuptuar dhe një herë se sa e bukur dhe sa e shenjtë është ajo. Por jo vetëm për shqiptarët e Çamërisë, por jam i bindur që është e shenjtë për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen. Unë kam qenë në kontakt të vazhdueshëm me dy zotërinjtë që realizuan këtë ekspozitë. Ata kanë bërë shumë mirë që na kanë sjell këtu ullinjtë e Çamërisë, simbolin e paqes por edhe të qëndresës sonë për të drejtat tona.” – u shpreh zoti Idrizi.
Gjithashtu, gjatë fjalës së tij, kreu i PDIU përmendi dhe vendimin më të fundit të marrë nga Qeveria shqiptare për ngritjen e Komitetit të Diasporës, këkresë e cila ka qenë e përhershme që krijimin e kësaj partie. “Për ne sot është një moment i veçantë, sepse sot qeveria shqiptare mori vendimin për ngritjen e Komitetit Kombëtar të Diasporës, i cili ka qenë një ndër pikat kryesore të programit tonë. Ne jemi të bindur që diaspora shqipptare, rreth 30% e shqiptarëve që kanë bërë aq shumë për Shqipërinë, e meritonin një institucion të fuqishëm i cili t’i adresohet të gjithë problematikave të tyre. Jam i bindur që ky Komitetit Shtetëror do të ndihmoi që çështja kombëtare, Shqipëria e Bashkuar, të frymëzoi kudo njësoj.” – mbylli fjalën e tij kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet zoti Shpëtim Idrizi.
Ndërkohë kreu i shoqatës “Çamëria”, zoti Ardian Tana vuri theksin tek emri i ekspozitës duke u shprehur se emri i saj është shumë domethënës. “Çamëria është e imja, Çamëria është e jona, Çamëria është deti, mali, shtëpitë e rrënuara, varret e të parëve tanë. Çamëria është djepi i valleve dhe këngëve aq të bukura. Çamëria është amaneti i të parëve tanë, i cili thërreth gjithnjë: Të kthehemi në Çamëri. Ne e nisim këtë vit të ri me këtë aktivit dhe me përpjeket për realizimin e Rezolutës për Çështjen Çame, i cili synon të institucionalizoi çështjen çame dhe të unifikoi qëndrimet e politikës shqiptare për çështjen çame.” – u shpreh zoti Tana gjatë fjalës së tij.
Ndërkaq, autori i kësaj ekspozite kryetari i shoqatës “Miqtë e Masonëve”, zoti Maksim Zotaj shpjegoi përmbajtjen e ekspozitës duke theksuar se kjo ekspozitë është konsceptuar jo si një guidë turisitike për Çamërinë, por si një thirrje shpirtërore.“Aty ka një energji që nuk duhet lënë të shkojë dëmë, siç e kemi lënë për 100 vjet për një arsye ose një tjetër, por arti ka si mision t’iu afroj ju vendin e të parëve tuaj. Unë isha shumë i motivuar për të realizuar këtë ekspozitë pasi ishte hera e parë që unë shkoja në vendin e të parëve të mijë dhe ndjeva një energji krejtë të veçantë. Dhe ky ishte qëllimi i kësaj ekspozite që ju të ndjeni diçka krejtë të veçantë.” – u shpreh kryetari i shoqatës “Miqtë e Masonëve”,zoti Maksim Zotaj.
Ekspozita “Çamëria ime” do të qëndroj e hapur për publikun deri më datë 13 janar në ambientet e Muzeut Kombëtar.

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Ekspozita Came, Muzeu Kombetar, Shpetim Idrizi

Modeli i ri i salloneve letrarë

January 6, 2013 by dgreca

Nga Arjan Th. Kallço/

Të shkruash poezi apo prozë, sidomos letërsi, është një profesion që nënkupton detyrimisht shumë kohë në vetmi. Pak shoqërizim nuk do të na bënte keq, një lloj ndihme apo një lloj relaksimi që pas të një dite pune tepër intensive, do të na largonte vetminë dhe izolimin për orë të tëra të kredhur mbi fletët e bardha që shpesh mbushin skrivanitë. Por edhe për faktin se kemi nevojë për takime të dobishme ku të ballafaqohemi me të tjerët. Në Amerikë dhe Europë, tek ne ndonjë shkëndijë e re edhe mund të pranohet, po rilindin sallonet e famshme letrare që aq shumë dhanë një kontribut të madh jo vetëm për zhvillimin e letërsisë dhe afirmimin e saj, por edhe për vetë përparimin e shoqërisë. Me të drejtë mund të pyesim: a janë të njëjtët si dikur? Përgjigjia nuk ka dyshim, e pranojmë a priori, vjen natyrshëm dhe kostante se nuk janë të dikurshmit, por kanë të njëjtin funksion. Askush nuk mund t’i harrojë, të paktën nga filmat e ruajmë ende të freskët në kujtesë ritin, disa prej salloneve më të fashme letrare të kohës, në shtëpitë e fisnikëve, ku zonjat apo madamat prusiane, francize, italiane viheshin në konkurrencë mes tyre për mendjet më brilante të epokës, duke i përgjedhur reptësisht të ftuarit. Me këtë veprim kërkonin edhe një shpagim në shoqëri, pra të zinin një vend të rëndësishëm mes elitave që të fitonin një emër të mirë dhe prestigjin e munguar apo uzurpuar nga kundërshtaret xheloze. Sipas opinionistëve të shumë mediave të shkruara dhe vizive nga këto dy kontinente, sallonet e sotëm janë një vend shumë i zakonshëm dhe pak elegant. Por gjithësesi ofrojnë raste ku të debatohet dhe të vihen në provë idetë e reja dhe veprat e krijuara.  Ka nga të gjitha shijet apo varietetet që promovon sot bota për shkrimtarë dhe lexues të shkëlqyer dhe të suksesshëm; për të rinj intelektualë të papunë, për gej, vetëm për gra, për autorë që janë prindër; për pornografë falas ose me pagesë. Pra një konglomerat tepër të komplikuar dhe të pandarë, jo si dikur, të joshjeve që tashmë e kanë humbur sensin e civilizimit. Një shoqëri ku shijet kanë degraduar dhe ku fare thjesht mund të përzihen, duket se e ka humbur dimensionin apo hapësirën e kultit të letërsisë, dikur tempull i fjalës magjiplotë, duke i zëvendësuar me një grumbull sipërfaqësor, të pacipë, trupor, kohor ndjenjash apo emocionesh. Sipas një drejtuesi që drejton me sukses të padiskutueshëm një salon në Londër, ideja e salloneve nënkupton të flasësh, të flirtosh, të dehesh dhe të shkosh në shtëpi me ndjesinë se bëre diçka kuptimplote. Duket qartë se formulat e dikurshme të salloneve janë vjetëruar dhe të shpallura të pavlefshme për shoqërinë e sotme, prandaj janë në kërkim të formulave të tjera që të paktën të garantojnë suksesin në këtë kohë krizash gjithëpërfshirëse.

Një sallon tjetër i formuar nga shkrimtare si romancierja Jenny McPhee bashkë me një biografe dhe një gazetare synojnë faktorin femër dhe të gjitha problematikat me të cilat përballet sot femra, prandaj shprehen për takime me r një autore interesante, ndoshta nga korrespondete të vartrave të luftës e deri tek ato më trasgresivet. Organizohen takime me aperitivë, ndoshta ironia është e kuptueshme, me lexime, me intervista e debate që zgjatin rreth dy orë dhe kushtojnë 10 stërlina. Qindra kilometra më në brendësi të kontinentit, në qytetin e mrekullueshëm të Parisit, mbrëmjet parisiane të sallonit janë krejt ndryshe, numëri i të pranishmëve nuk i kalon 10 persona të cilët qëndrojnë rreth tre ore bashkë çdo muaj dhe kanë si përparësi studimin e një libëri të një autori të botuar apo edhe vetë autorin, por kjo nënkupton edhe një kosto për konsumimin e pijeve apo ushqimeve me vlerë 38 euro për person.

Në Amerikë flitet për një sallon letrar, më snobi dhe tepër rebel  i krijuar prej revistës New Inquiry, por që ka edhe të papritura të këndshme apo jo, pasi miqtë e së cilës janë të rinj intelektualë të diplomuar në universitetet më të mira të Amerikës që për shkak të krizës janë aktualisht të papunë. Me një ftesë të marrë nga organizatorët nisen për një takim letrar, por dera e tij hapet vetëm nëse i pëlqen të zotit të shtëpisë. Në renditjen e tyre ka edhe tipikë borgjezë, si ai i Manhatanit, që mbledh rreth vetes vetëm shkrimtarë-prindër. Më eklektiku është një i Londrës i drejtuar nga romancieri dhe gazetari Burson ku bën një përzjerrje të muzikës bashkëkohore dhe performancës art. Më i tepërti është ai i lançuar nga Vuitton i Parisit në hapësirën ditore të lokaleve të prenotuar nga libraria historike La Hune, ku të ftuarit mund të konstatojnë vetë se regjizori dhe shkrimtari Lanzmann është një monument i gjallë narçizist.

Më gazmori është i londinezit Barri, një klub privat ku pica dhe koktejli janë gratis për të gjithë, por çuditë nuk kanë të sosur, pasi mund të dëgjosh këshillat e atyre që shpresojnë të bëhen shkrimtarë, tek deklamojnë : shkruani atë që ju vjen në mendje dhe më pas korrigjoni bocat derisa t’ju lëshojnë sytë xixa. Të paktën aktorja po lindineze, e njohur nga publiku kinemadashës, Fielding, kryen një rit ndryshe dhe tepër strikt letrar, sepse u bën homazh të ftuarve apo edhe dashamirësve të letërsisë, duke lexuar tre faqet e para të ditarit të ri të Bridget Jonesit që do të dalë së shpejti në pranverë. Po tek ne a do të lindin, ndoshta jo sallone, apo salltanete siç do ta quanin kritizerët e gjithëanshëm, takime serioze letrare? Një pyetje që vështirë t’i japim një përgjigje të saktë se çfarë drejtimi do të marrë. Në Korçë po përpiqemi bashkë me një mësuese italiane dhe miq të tjerë të hapim rrugën e një tradite të rikthyer, por duket se nuk është e lehtë. Në këtë kohë të mbrapshtë shqiptare askush nuk ia ka ngenë të marrë pjesë në takime të tilla, por më e keqja se askush nuk ka dëshirë të dëgjojë kritikë apo opinione për veprat e veta. Një ftohtësi që e kemi dhuratë nga të gjitha këto vite ku mjaftohemi vetëm me një takim prezantues të librit dhe më pas asnjë fjalë për vlerat e vërteta të librit.

Filed Under: Kulture Tagged With: Arjan Kallco, letrare, modeli i salloneve

DIASPORA SHQIPTARE SI PJESË E VENDIMMARRJES NË SHQIPËRI DHE KOSOVË

January 6, 2013 by dgreca

NGA ARTUR VREKAJ – WORCESTER, MA, SHBA . Po sikur Diaspora shqiptare të marrë pjesë në zgjedhjet e përgjithshme të Qershorit 2013? Sikur kjo të ndodhë, Lutemi në Zot, do të kemi një panoramë tjetër  në Tiranë dhe demokracia shqiptare do të funksionojë e do të besohet më shumë. Do të kemi më shumë duar të pastra, më shumë zëra të vërtetë, me shumë vizion real dhe do të jemi më afër shqiptarëve që kanë halle të jashtëzakonshme!Shqipëria ka tetë dekada që është ngopur me parrulla të lloj-lloj ngjyre regjimi e partie!

Ne themi se një e treta e Shqipërisë është në emigracion dhe Diaspora është Thesar Intelektual! Po si ka mundësi që dy të tretat e shqiptarëve mbahen peng nga një grusht politikanësh dhe një e treta e emigruar mbahet e përjashtuar nga proceset demokratike në Shqipëri?

Kush e pengon kthimin me dinjitet të shqiptarëve të mërguar apo edhe pjesëmarrjen në vendimmarrje vec klasës politike të Tiranës së korruptuar?

Tiranës s’kujtohet kërrkush: as akademikë, as idealistë, as publicistë, as opinionistë ! Media fle me qëllim. Po këta të gjithë janë të blerë dhe e kycin gojën sepse ju prishet rehati po të thërrasin në skenën e vendimmarrjes Diasporën shqiptare! Ku është patriotizmi i tyre dhe fisnikëria e tyre për ta ndihmuar Shqipërinë në këto caste të vështira të dalë nga ngërci 22 vjecar? Ci duan gradat e Profesor Doktor, Doktor, Master etj; për ti varur në mur të shtëpisë? Megjithëse, grada shkencore kanë edhe plepistët në Tiranë.

Kush më mirë se një deputet nga Diaspora do të dëgjohet me vëmendje për c’ka mund të ofroje, për mënyrën demokratike të komunikuarit qytetar-deputet, të bërjes së punëve me themel për cdo komunitet në fshat e qytet dhe jo vetëm në bastionet e partive në pushtet? Se do të jetë i besueshëm se të superlakuarit e sotëm!

Sepse nëse zgjedhim një deputet që ka jetuar e punuar në Europë, Greqi, Itali, Amerikë, a kudo në Perëndim, ai do të sjellë një Erë të Re që i mungon Tiranës zyrtare në cdo institucion që është totalisht i varur nga partia në pushtet a segmente të politikës.

Në Tiranë, Diaspora shqiptare përkufizohet me kujtesën për të në ngjarje historike që përkujtohen në përvjetorë shekullorë. Prishtina është më ndryshe, edhe ka një afëri me Diasporën. Edhe flitet hapur në media që nga Diaspora shqiptare (sidomos e Zvicrës) duhet të kandidojnë për në Kuvendin e ardhshëm të Kosovës.

Në Tiranë është e kundërta! Diaspora u duhet vetëm si pjesë e historisë për Liri, Pavarësi, Flamur e Alfabet . Dhe për të ardhura financiare që vijnë në Shqipëri.

Përse nuk pëlqehet që Diaspora të kandidojë me njerëzit e saj sipas krahinave (zonave përfaqësuese)? Përse Tirana zyrtare nuk e promovon Diasporën të përfshihet në vendimmarrje si subjekt më vete? Mos vallë përfshirja e Diasporës në vendimmarrje do të prishë balancën dydekadshe të politikës klanore  PakBlu, Rozë dhe RozëKuqe? Apo s’është edhe e nevojshme, sepse në Tiranë janë të zotë vetë liderë-baballarët që i caktojnë vetë kandidatët për deputetë dem baba dem që prej 1924!

Po Diaspora e sotme shqiptare sidomos e shqiptarëve të Greqisë është më e lidhur me Shqipërinë  dhe me ardhmërinë e saj. Edhe fluksi vajtje-ardhje i emigrantëve është më i gjallë apo se edhe te ardhurat më të mëdha drejt Shqipërisë në këta 20 vjet demokraci në Tranzicion  kanë ardhur vetëm nga shqiptarët e Greqisë!

Nëse sot Shqipëria me ato halle që ka edhe nëse ka ndryshuar,  a nuk është meritë edhe e investimit të shqiptarëve të Greqisë, në vecanti, sepse edhe statusi i tyre i diskriminuar nuk i ka lejuar ta gëzojnë jetën e tyre në fqinjin tonë europian?

Pas 1992 rendëen me o burra, deputetë e liderët baballarë  të partive për qoka Amerikës e Europës atje ku ka shqiptarë e më së shumti në Greqi me synim për të hapur degë partish e për ti dhënë frymë bashkëpunimit  politik kombëtar Shqipëri (me parti, parti vegjetative, klane, institucione të varura ditën dhe natën, deputetë të korruptuar (jo të gjithë) dhe Diasporë ( njerëz me Vizion, me shkollë perëndimore, me lekë me gjak, me duar me kallo).

Sot më shumë halle ekonomike, shoqërore, statusore kanë shqiptarët e Greqisë. Ka luajtur me këta shqiptarë (mbi 600 mijë) Tirana zyrtare në kohë fushatash, ka luajtur dhe Athina për ta rritur minoritetin grek artificialisht në Jug të Shqipërisë, ka luajtur edhe PASOK-u në Greqi  për të luajtur kartën e kujdesit ndaj tyre para Europës!

Shqiptarët e Greqisë  janë në një udhëkryq që një  Zot e di! Ata janë ende pa status, të panatyralizuar si nënshtetas. U bënë 20 vjet dhe në Greqi s’po gjejnë rehat. Flas për shumicën dërrmuese. Marëdhëniet e fqinjësisë greko-shqiptare janë të tipit “ngri-shkri” dhe ndikojnë jo pak në sjelljen e shtetit grek apo segmenteve të politikës greke ndaj tyre.

Në heshtje, në Greqi për këto dy dekada Kisha Greke po bën punën e vet për ti qetësuar duke i kumbarizuar me emra të tjerë joshqiptarë  në mos të greqizuar apo dhe duke ua mbajtur larg prejardhjen dhe kombësine me moton kush jeton në Greqi është grek edhe pse maratona njëzet vjecare e nënshtetësisë për shqiptarët është shprehje e pastër e diskriminimit europian dhe jo vetëm grek! Sepse Europa ka mekanizma demokratike që janë të squllur kur bie fjala për të drejtat e njeriut që jeton brenda familjes europiane!Pra, Europa nuk është 100% e lirë!

Shteti shqiptar i Shqipërisë ka bërë fare pak për shqiptarët e Greqisë në vecanti. Partitë e Tiranës në pushtet vetëm se kanë kërkuar që nëse emigrantët e Greqisë nuk vijnë dot në Shqipëri për të votuar se kushton, të paktën tu kujtojnë  të afërmve të tyre në Shqipëri të votojnë  për partinë  e zemrës së tyre që të kenë një favor të futen në punë, apo të mos humbasin punën në shtet edhe pse ca prej tyre në administrata lokale ka muaj po ka raste që kanë edhe vite që s’janë paguar!

Por ka një shteg për të zbutur klimën e rëndë të prishjes së interesave të brendshme të dy palëve: pozitë me paterica dhe opozitë  josolide:

THIRRJEN NË SKENË TË KANDIDATËVE PËR DEPUTETË NGA DIASPORA SHQIPTARE!

Të jemi të sinqertë! Nëse me të vërtetë Diaspora do të konkurojëe individualisht  e pavarur, si subjekt më vete në të gjitha zonat elektorale ose edhe në emër të partive politike që do të regjistrohen për zgjedhjet e përgjithshme të 2013-ës atëherë do të kemi një risi për Shqipërinë, një shpresë më shumë për demokracinë.Edhe Europa do ta besojë me shumë Tiranën zyrtare! Edhe Amerika!

Shqipëria vecse duhet ta rregullojë me ligj pjesëmarrjen dhe angazhimin e Diasporës në vendimmarrje. Dhe nuk është vonë. Jemi ende në Janar të 2013! Në Greqi shqiptarët po organizohen sipas partive po pse jo të mos konkurojnë  për deputetë edhe si individë  të pavarur pa u diktuar nga partitë që  ata kanë dëshirë të përkrahin?

Sepse historikisht Diaspora e Shqiptarëve të Greqisë është përdorur për qëllime elektorale nga Tirana zyrtare, sikurse edhe nga Athina zyrtare. Pra, jo të ligjërojmë 100% këtë klasë  politike zullumqare  duke e duartrokitur atë, por të sjellim në drejtim njerëz të motivuar të Diasporës, me duar vërtet të pastra; të sjellim një Erë të Re që ta shkundë mirë pisllëkun e  korrupsionit të kesaj klase politike që po mban peng edhe brezat e rinj!

Në u pikon zemra për Shqipërinë Ju politikanë  të sotëm të Tiranës  jepini Diasporës dhe vetes Suaj një shans – Konkurimin e Diasporës në vendimmarrje! Kjo është thirrje nëse ju Reflektoni për c’ka keni gabuar duke rickliuar veten Tuaj si vektor klanesh! Ndryshe, do mbeteni pjesë e pengmbajtjes së atdheut edhe të përjashtimit të Diasporës nga procesi i demokratizimit  të jetës politike dhe vendimmarrjes në Shqipëri në emër te Integrimit Legjende Europian!

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Aetur Vrekaj, diaspora shqiptare, zgjedhjet ne Shqiperi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 37
  • 38
  • 39
  • 40
  • 41
  • …
  • 47
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT