• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2013

NJOFTIM MORTOR PËR SHËRBIMET FUNERALE TË TË NDJERIT ERION MEÇANI, 23 VJEÇ

January 2, 2013 by dgreca

Që nga momenti i marrjes së lajmit tragjik të vdekjes të 23 vjeçarit Erion Meçani, shqiptarët e Bronxit, nuk kanë rreshtur së  vizituari familjen Meçani. Mbrëmjen e së mërkurës të 2 Janarit, nga ora 6 e mbrëmjes e deri në orën 9 të mbrëmjes, qindra bashkatdhetarë kanë kryer homazhe pranë arkivolit me trupin e Erion Meçani në “Lucia Bros Funeral Home.” Me lot në sy ata ngushëllonin prindërit dhe motrën e Erionit,si dhe të afërmit dhe miqtë.

Edhe gjatë ditës së enjte, me 3 Janar, bashkadhetarët kane vazhduar qe t’i shprehin ngushëllime Familjes Meçani në Lucia Bros Funeral Home në adresën:

569 East  184th Street

Bronx, NY 10458

Shërbimet Funerale të ditës së enjte u kryen sipas këtij orari:

10.00 am deri në orën 2 pm

5 pm deri 9 pm

Sot, ditën e premte, 4 Janar, në orën 10 para dite do të mbahet mesha në  Our Lady of Mt. Carmel Church, e cila ndodhet në adresën:

627 East 187th Street, New York, NY 10458

Pas meshës, kortezhi do t’i drejtohet varrezës Cemetery of the Gate of Heaven, ku do të kryhet varrimi.

Filed Under: Kronike Tagged With: djali i Agronit, Erion Mecani, sherbimet funerale

NEW YORK CITY : Një person hidhet nga ura Ura Verrazano-Narrows

January 2, 2013 by dgreca

Policia thotë se shanset për mbijtesë janë të pakta megjithëse ata po vazhdojnë kërkimet/

STATEN ISLAND, NY – Zyrtarët e Policisë , zyrës së urgjencës në qytet thanë janë në kërkim pas marrjes së një telefonate se një preson është hedhur nga Ura Verrazano-Narrows, urën që lidh dy brigjet e ishujve Staten Island dhe Brooklyn në New York.
Person që besohet të jetë nën ujë, dhe mendohet të ketë vdekur pasi është hedhur nga një lartësi e madhe mes hapsirës dhe nivelit të ujit, thuhet sipas transmetimeve të radio emergjentës së qytetiti 10/10.
Incidenti thuhet se ka ndodhur pak para orës 04:00 pasdite me kohën lokale
Njësitë e shpëtimit detar me anije dhe motorbarka dhe helikopterët me rreze veprimi të New York Police Department janë të gjitha duke marrë pjesë në kërkimin e trupit të njeriut.
Policia tha se nuk e ka të qartë fare indetitetin e personit dhe as gjininë e tij – mbasi edhe telefonata ishte menjëherëshme dhe e pa qartë nëse ishte një mashkull apo femër./B.Sina/

Filed Under: Kronike Tagged With: ne Verrazano Bridge, Nje person hidhet

Dialogu i kryeministrave “armiq”

January 2, 2013 by dgreca

Dikur armiq e tani në tavolinën e bisedimeve. /

Njëri ish shef i Shtabit të Përgjithshëm të Drejtorisë Politike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e tjetri zëdhënës i Partisë Socialiste të Sllobodan Millosheviqit që po e luftonte me të gjitha mjetet pikërisht këtë formacion ushtarak.
Hashim Thaçi kryeministër i Kosovës, kurse Ivica Daçiq, kryeministër i Serbisë.
Të ndodhur para një trysnie diplomatike ndërkombëtare ata kanë realizuar tashmë tri takime të ndërmjetësuara nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Catherine Ashton.
Për analistët e çështjeve politike këto takime shihen si nisje e një epoke të re në marrëdhëniet ndërmjet dyja vendeve. Por, ata nuk presin që Serbia të ndryshoj pozicionin karshi shtetit të Kosovës.
Drejtori i Institutit KIPRED, Ilir Deda, thotë se takimet Thaçi – Daçiq, deri më tani e kanë përshpejtuar vendimmarrjen në lidhje me zbatimin e rezultateve të dialogut paraprak në nivelin teknik.x

                       

Ilir Deda

“Do të jetë shumë me rëndësi se sa shpejt do të arrijnë t’i përfundojnë temat të cilat BE-ja pret që të përmbyllen gjatë janarit, shkurtit dhe marsit të vitit 2013. Këtu edhe do të testohet kjo aftësi e shpejtë vendimmarrëse e cila duhet të përcillet edhe me një retorikë e cila e ka mesazh më të fortë normalizimin e marrëdhënieve”, theskon Deda.
Bisedimet janë gjithmonë zgjidhje më e mirë sesa konfliktet, thotë në anën tjetër analisti dhe publicisti Halil Matoshi.
Ai pret që të paktën për marrëveshjet e arritura në nivelin teknik, Thaçi e Daçiq të pajtohen që ato të zbatohen muajt në vijim, pasi që Serbia nuk dëshiron ta humb edhe një rast për marrjen e statusit të vendit kandidat për integrim në Bashkimin Evropian.
Ndërkaq sa i përket Kosovës, Matoshi si dobi nga kato bisedime e sheh shmangien e konfliktit në veri.
“Agjenda integruese e Brukselit jo që e ka ndihmuar shumë Kosovën, mirëpo si do kudo është shmangur besoj, konflikti i hapur për veriun e Kosovës dhe në një mënyrë, de jure, do të thotë në letër, është ruajtur integriteti territorial i Kosovës”, vlerëson Matoshi.
Ndërsa për marrëveshjet e deritashme, Bashkimi Evropian ka toleruar Prishtinën dhe Beogradin që të bëjnë interpretime të dyfishta apo sipas qejfeve të tyre, një perceptim i tillë nuk do të kishte efekt nëse mëtohet të arrihet deri te një normalizim i marrëdhënieve midis dyja vendeve thotë Ilir Deda.
Ai pret që edhe BE-ja të jetë më e qartë në lidhje me temat që po i shtron në tavolinën e bisedimeve.
“Është shumë me rëndësi të shihet se si do të ecet përpara me temat në energjetike, tërheqjen e strukturave paralele të Serbisë nga veriu si dhe financimi i institucioneve tjera paralele serbe në veri dhe në pjesë tjera të Kosovës dhe të njëjtën kohë të shihet se si mund të përshpejtohet zbardhja e fatit të personave të pagjetur. Këto janë ato testet që do të tregojnë se a do të ketë përshpejtim në vendimmarrje dhe sa e shpejtë do të jetë kjo vendimmarrje”, ka thënë Deda.
Marrë parasysh interesin politik që ka sidomos Serbia për procesin integrues evropian, Halil Matoshi pret që ky dialog i nisur në nivelin politik të përmbyllet me një rezultat, qoftë edhe marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve, por e cila nuk do të nënkuptonte njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë.

Në anën tjetër Kosova detyrimisht do të ofroj edhe një zgjidhje për veriun e saj e cila do të rregullonte çështjen e vendosjes së institucioneve lokale dhe financimit të komunave veriore, por që nuk do të shkëpuste lidhjet e kësaj pjese me Serbinë, thotë Matoshi.
“Ky postulat rrjedh dhe ka qenë i pranueshëm qysh nga presidenti historik i Kosovës Ibrahim Rugova që thoshte në angazhohemi për një shtet të pavarur dhe neutral, të hapur ndaj Shqipërisë dhe Serbisë dhe kjo deshtëm apo jo pas gati 15 apo 20 vjetëve po jetësohet thjeshtë në realitet”, thotë Matoshi.
Bisedimet Thaçi – Daçiq, në Prishtinë janë kundërshtuar kryesisht vetëm nga Lëvizja Vetëvendosje. Kurse në Beograd, vet kryeministri serb Daçiq kishte qortuar mirëmbajtësit e rrugëse se si ata e kanë të vështirë t’i pastrojnë rrugët, kur ky si kryeministër është i detyruar të takohet, madje edhe me Hashim Thaçin.
Se pozicioni serb karshi Kosovës nuk ka ndryshuar në fund të vitit 2012 u dëshmua edhe me platformën serbe e cila përpiqej që ende Kosovën ta përfshinte si një krahinë serbe me status të pazgjidhur(Zijadin Gashi-Europa e Lire)

Filed Under: Opinion Tagged With: Dacic, Dy kryeministrat armiq, Thaci, Zijadin gashi

ALEANCA KUQ E ZI PARALAJMERON AGIMIN E ARTE TE GREQISE:

January 2, 2013 by dgreca

MOS I SHTRINI METASTAZAT NAZISTE BRENDA KUFIJEVE TE SHTETIT SHQIPTAR!/

Aleanca Kuq e Zi ka paralajmëruar nazistët grekë të Agimit të Artë të mos tentojnë të shtrijnë metastazat naziste brënda kufijve politik të shtetit shqiptar, duke u bërë të qartë se në të kundërt AK do i bëjë të kujtojnë humbjen tragjike në Betejën e Lëkurzit në fillim të shekullit të kaluar, lënien e kockave të fashistëve grekë të Metaksdasë në trojet tona gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe dështimin fatal të monarko-fashsitëve greke në Shqipërinë e Jugut në vititn 1949.
Ky ka qenë reagimi i AK përmes një deklarate për mediat një ditë pasi partia greke “Agimi i Artë” në faqen e saj zyrtare reagoi me një gjuhë të ashpër ndaj kërkesës së partisë “Aleanca Kuq e Zi” për largimin nga Shqipëria të kryepeshkopit Anastas, duke i cilësuar shqiptarët “një komb kaçakësh që kërcënojne kryepeshkopin Anastas, duke përfituar nga dobësia dhe disfatizmi i Athinës dhe bëjnë kërkesa të egra dhe të pabaza për Çamërinë”.
“Në ditët e fundit të vitit 2012 dhe në ditën e parë të vitit 2013 mediat greke i kane bërë jehonë deklaratëve të nazizstëve të Agimit të Artë të Greqisë kundër Kombit Shqiptar në përgjithësi dhe Aleancës Kuqezi në vecanti.
Nazistët grekë të Agimit të Artë e quajnë Kombin Shqiptar “komb kacak” që nuk ka “me se të mburret”; e konsideron “një komb të bërë nga Italia, nga sionistët Amerikanë dhe Perandoria Osmane”. Nazistët grekë të Agimit të Artë e quajnë “pabazë dhe të egër kërkeksën shqiptare për cështjen Came” dhe paralajmërojnë se “do hapin degët e tyre brënda kufijve politikë të shtetit shqiptar, në Himarë, Tepelernë, Gjirokastër e Sarandë”.
Përballë këtij sulmi të orkestruar politik e mediatik të nazistëve grekë kundër Kombit Shqiptar, Qeveria e Berishës hesht duke demonstruar nënshtrimin servil të saj ndaj Athinës dhe nazistëve Grekë.
Aleanca Kuq e Zi ka lindur për t’i dalë zot Kombit Shqiptar, shqiptarëve kudo në botë dhe për të mbrojtur identitetin, vlerat dhe interesat tona nga cdo forcë që i kërcënon ato. Aleanca Kuq e zi është krenare për mbështetjen që na kanë dhënë aleatët tanë historike dhe perpsektivë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Italia dhe Turqia si dhe jemi të vendosur t’i kemi aleatë strategjikë përjetë.
Aleanca Kuq e Zi i bën me dije nazistëve grekë të Agimit të Artë se Kombi Shqiptar është kombi më i vjetër, më i kulturuar dhe më proevropian në Ballkan dhe nuk ka asgjë të përbashkët me Kombin e Grek të falimentuar politikisht, ekonomikisht, institucionalisht e moralisht në nivel kombëtar e ndërkombëtar. Nazistët grekë nuk mund të transferojnë dështimin e shtetit të tyre në trojet shqiptare dhe në marrëdhëniet me Shqipërinë.
Aleanca Kuq e Zi i bën me dije nazistëve grekë që si parti politike dhe aq më shumë nesër në qeverinë kuq e zi ne do e përfshijmë në agjendën tonë politiko-diplomatike kombëtare dhe ndërkombëtare zgjidhjen e cështjes e Camërisë si një cështje të drejtë dhe legjitime e Kombit Shqiptar. Turpin e këtij parlamenti që nuk po miraton rezolutëne mbi Camërinë do ta miratojë parlamenti i ardhshëm me votat kuq e zi.
Së fundi AK paralajmëron nazistët grekë të Agimit të Artë të mos tentojnë të shtrijnë metastazat naziste brënda kufijve politik të shtetit shqiptar sepse Aleanca Kuq e Zi do i bëjë të kujtojnë humbjen tragjike në Betejën e Lëkurzit në fillim të shekullit të kaluar, lënien e kockave të fashistëve grekë të Metaksdasë në trojet tona gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe dështimin fatal të monarko-fashsitëve greke në Shqipërinë e Jugut në vititn 1949” thuhet në deklaratën e AK.
Më tej AK thekson se kjo parti është për politikë të fqinjësisë së mirë në rajon, por vetem të bazuar në marrëdhëniet e respektit të ndërsjelltë dhe në interesat reciproke.
“Nazistët grekë ta fiksojnë mirë në mëndje se në Shqipëri do i digjet toka nën këmbë dhe se teshtima e grekëve do trëmbë vetëm qeverinë e shtetasit Berisha por kurrë Kombin e popullin shqiptar” përfundon deklarata.(Kortezi Bota Sot)

Filed Under: Kronike Tagged With: Agimi i Arte, Aleanca Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu

INTERVISTA-Shpend Sollaku Noé dhe tradita evropiane

January 2, 2013 by dgreca

Përshëndetje z. Noé! Faleminderit për kohën e vyer në përkushtim të kësaj bisede. Kam shfletuar dhe lexuar me interes të vecantë ç’thuhet për ju në Web. Kam mundur të kem në dorë antologjitë tuaja poetike “Atdheu i Tjetrit”, “Të zgjohesh në fund të greminës”, “Piramida të thërmuara” “Eshtë koha të ikim, Sokrat” “Pantheoni in Blackout”. Vepra e juaj, sipas shtypit, radiove e televizioneve të huaj, është përfshirë në fillin e zi të traditës europiane që shkon nga “Marionettetheater” i Kleist-it tek “Teatro della crudeltà” të Artaud-it e më tej. Kjo vepër është radhitur, madje në mënyrë të ndryshme, me veprën e një brezi të tërë poetësh (Brodskij, Milosz, Herbert, Kancev), të cilët, ashtu si ju, u shtërnguan të braktisin atdhetë që nuk mund të shuanin etjen e tyre për liri. Sinqerisht jam ngazëllyer nga mjeshtëria e kulturës profesionale dhe thelbi artistik e filozofik i penës tuaj poetike. Cila ka qënë eksperienca juaj e parë në gjininë e poezisë?

Mah! Është e vështirë të kujtosh data e vite. Raporti im me poezinë ka qenë gjithmonë i vështirë. Dikush shkruan se ka filluar të shgarravisë kur u dashurua për herë të parë. Mua, mesa më kujtohet, më ka ndodhur prej rebelimit tim të parë serioz. Ishim akoma fëmijë. Mësuesja ime e fillores, Drita Guxhumani (një profesioniste e shkëlqyer), më kish mbyllur në katin e dytë me një nxënës të “dobët”, që ta ndihmoja për të bërë hartimin. Po ai tjetri, për orë të tëra, nuk donte të shkruante as edhe një rresht. Dhe unë ç’bëra? Hapa dritaren, u kapa në degët e një ekualipti ngjitur me shkollën, dhe ia mbatha për në shtëpi. Dënimi që më dha mësuesja të nesërmen qe “i tmerrshëm”: Hartimin tim do ta shkruaja në vargje e brenda 2 orëve të mësimit! Desha, s’desha iu vura punës. Që nga ajo ditë nisa ta urrej poezinë. E shihja si mjet ndëshkimor. Pastaj ne jetonim në provincë, ku mendohej se poetët ishin njerëz të lajthitur, që, kur shkonin rrugës, u binin shtullave me kokë. Në atë periudhë fillova të lexoj fshehurazi libra që ne i quanim “për të mëdhenj”, por vetëm prozë e drama, në asnjë mënyrë poezi! Kjo ide më shoqëroi deri sa dëgjova që edhe në qytetin tonë kishte dalë një poet që pëlqehej edhe në Tiranë. Ishte Faslli Haliti. Ne e vërejtëm atë rrugës me kureshtje dhe u habitëm: Ishte njeri normal, shumë seroiz dhe … nuk përplasej me neonet!

Megjithatë ju keni gjetur zërin tuaj si poet e keni filluar të botoni që në moshë të re. Kjo duhet të ketë qënë me të vërtetë emocionuese dhe mbresëlënëse. Çfarë mendoni se ju ka dhënë shtytjen e parë drejt poezisë?

Siç e theksova pak më lart, raporti im i parë me poezinë në fillim ishte tërësisht një raport përbuzjeje. Kjo deri sa nisa të frekuentoj, në Shtëpinë e Pionierit e më vonë në shkollë, rrethin letrar. Shumica e pjesmarrësve atje shkruante poezi. Mua m’u shkrep të bëja gjëra më “serioze”: tentova dramën, tregimin dhe novelën! Skicat e shkurtra “ia lashë” një shokut tim me të cilin, në atë periudhë, për atë gjini askush nuk mund të matej: mjeshtrin e lindur Shkelzen Meçaj (sot përkthyes i shkëlqyer në Sh.B.A.). Drejt poezisë ndoshta më shtyu dhimbja. Ndoshta sepse kuptova në kohë që përvoja e pakët jetësore nuk mund të më ndihmonte në prozë e dramaturgji; ndoshta sepse kam kaluar një fëmijëri shumë të vështirë; ndoshta sepse, ashtu siç më jepte mundësinë poezia, asnjë gjini tjetër nuk mund të më ndihmonte në shprehjen e vuajtjeve që pësoja për faje aspak të miat. Në dalë të fëmijërisë e kam shkruar poezinë “Mëzi pas karrocës”, që është sinteza më e qartë e shpirtit të brezit tim të asaj periudhe: ne që dëshironim të ishim të lirë të paktën të ëndërronim, dhe ata që na kishin lidhur pas karros së tyre!

Më vonë, në gjimnaz, pak nga pak, raporti im me poezinë u bë normal e serioz. Konkurenca në rrethin letrar të athershëm ishte shumë e fortë: në të kishin bërë pjesë Fatbardh Rustemi e Visar Zhiti, militonte Bujar Xhaferri, ishte Shkelzeni që vazhdonte me skicat e tregimet e tij të mrekullueshme, ishte Gëzim Hajdari, ishte Vladimir Çuni, ishte Piro Kice, ishte Kujtim Hajdari që shkruante prozë e drama, ishte Advije Hoxha që shkruante dhe recitonte si një aktore profesioniste. Të bije në sy mes tyre duhej punë e pasion i përhershëm. Rrethi letrar i atëhershëm, i drejtuar nga mësuesi ynë i pasionuar i letërsisë Hasan Çobani, si dhe grupi artistik me dirigjent Dashnor Krujën e baletmaestër Vangjel Lalën, ishin pa dyshim realiteti më i bukur i Shqipërisë së asaj kohe, përsa i përkiste moshës së rinisë. Në atë periudhë në gjimnazin tonë “18 Tetori” u organizuan dy seminare kombëtare për talentet e reja në letërsi e arte. Ne filluam të botojmë edhe në Tiranë. Ansambli ynë artistik u filmua disa herë nga Televisioni Shqiptar dhe koncertet përsëriteshin. Qenë ato sezone që na krijuan bindjen që mund të mateshim edhe në rang kombëtar.

Ah, paska qenë një ambient i shkëlqyer dhe shumë stimulues!

Sigurisht, ne “ushqenim” me talente estradën e teatrin e qytetit. Unë në atë periudhë edhe prezantoja, edhe recitoja në teatër, edhe këndoja në festivale dhe me estradën, ashtu si edhe të tjerë të ansamblit tonë, Liliana Kanina, Sandër Bufi, Elida Korreshi, Elanda Xhelili e Merita Lola. Gjatë frekuentimit të mëparshëm të Shtëpisë së Pionierit, falë këmbënguljes së mjeshtrit të muzikës Fotaq Filipeu, iu vura mandolinës dhe më pas kitarës dhe, duke qenë se shkruaja poezi, ëndërroja të bëhesha kantautor. Në kohën e lirë, në xhirot e gjata, kishim fatin të shkëmbenim mendime me Halil Jaçellarin e Faslli Halitin. Mes tyre gjenim edhe një poet të çuditshëm, Sherif Balin. Për ata që si unë, u pëlqente edhe piktura apo skulptura, mjaftonte t’i hidhnin një sy studjove të Halitit, Maksim Bushit, Behar Sefës, e më vonë të Besim Golemit, Luan Boriçit e Ilir Çakallit. Lushnjen e vizitonin shpesh edhe Loni Papa, Vath Korreshi, Vaçe Zela, Ajete Brahimi, Ilia Shyti, Kristaq Dhamo, Margarita Xhepa e Pavlina Mani. Nuk mungonin për një kohë të gjatë as Ismail Kadarè, Dritëro Agolli, Sali Shijaku e Skënder Kamberi… Ky ishte fati i mirë i lushnjarëve, toka e tyre ishte shumë pjellore jo vetëm në bujqësi!

Por kjo atmosferë, për fat të keq, nuk vazhdoi për një kohë të gjatë. Shpejt ne do të mësonim “t’i bënim hesapet” ma ata që komandonin realisht artet dhe letërsinë. Famëkeqi Plenum i Katërt dogji më parë ëndrat e krijuesve në moshë më të madhe se e jona. Përzënia e Faslli Halitit në fshat ishte sinjali i parë që asgjë nuk do të vazhdonte si më parë. Burgimi i Visar Zhitit, që e kisha edhe fqinj e ishim miq shtëpie, na dha goditjen e knokc out-tit. Post plenumi qe për shumë prej nesh një shtyrje me forcë drejt dramash e tragjedish që lanë në ndërgjegjet tona plagë të pashërueshme.

Përse flisni gjithmonë në shumës?

Sepse dhe shock-u që pasuam ishte kolektiv. Rrugët tona do të ndaheshin më vonë, sipas talentit, punës, fatit dhe, sidomos, sipas mëshirës së komanduesve.

Ju keni një aftësi të pabesueshme të stilit tuaj poetik, që dëshmon gjithnjë e më shumë se jeni ndër poetët e shquar të letërsisë shqipe. Kur ju shkruani një poezi, cila është pjesa më e vështirë; puna me fjalën, muzikaliteti i vargjeve, kadenca, ruajtja e rimës apo figurat artistike?

Mendoj se stili nuk duhet zgjedhur paraprakisht. Formën e vargut e zgjedh vetë poezia. Autori duhet të jetë i gatshëm dhe i përgatitur t’i përgjigjet në çast trokitjes së saj në portën inkandeshente të zemrës e ta pëcjellë atë në laboratorin e ftohtë të trurit. Me fjalët unë punoj shumë, pasi ato janë treni i ngadaltë e i arësyeshëm i mendimit të vërshyer. Qëllimi im ka qenë gjithmonë ta afroj poezinë me njerëzit e zakonshëm dhe kjo bëhet së pari duke mos qenë hermetik me dashje. Metaforat e mjetet e tjera artistike janë të dobishme deri sa nuk ndërpresin komunikimin me lexuesin, ato duhet të befasojnë, por jo të vështirësojnë kuptimin e vargut. Në vargjet e mia kadencat apo muzikaliteti i vargjeve vijnë krejt natyrshëm, unë nuk i mendoj dhe as i kontrolloj ato. Thonë që kjo ka të bëjë me veshin e muzikës së poetit. Nëse kjo thënie është e vërtetë, unë, të paktën në këtë drejtim, duhet të falenderoj natyrën. Edhe rimat, sipas meje, kanë të bëjnë me muzikën. Në fakt, varg të rregullt të mirëfilltë unë nuk shkruaj më, por rimat dhe asonancat më vijnë të pa më pyetur, ndoshta kjo edhe për eksperimetet e shumta ta kohës së rinisë, kur adhuroja Çajupin, Nolin, Lasgushin apo Eseninin.

Ku qëndron forca e inteligjencës tuaj; është ambicje sfidë apo të dyja bashkë?

Nuk jam ambicioz dhe kjo më ka shpëtuar nga xhelozia – sëmundje kronike e një pjese të mirë të poetëve. Sfidë? Mund të them se po. Kam sfiduar gjithmonë brenda meje, herë alegorikisht e më shpesh hapur, fatin historik, të djeshëm e të sotëm, kam sfiduar e sfidoj vetveten, fatkeqsitë, lodhjet, sëmundjet, kohën. Arma e sfidimit ka qenë gjithmonë e njejtë: puna.

Cili është elementi më i rëndësishëm dhe më interesant për të shkruar një libër të suksesshëm me poezi?

Carpe Diem. Poezia është çast, emozion, anarki. Ajo vdes kur emocionit i merret fryma nga racionaliteti. Poezitë e pashkruara janë si gra të bukura që kalojnë vazhdimisht pranë teje. Ato më të bukurat të godasin menjëherë. Por jo të gjithë dinë t’i joshin ato e t’i bëjnë për vete. Nëse kap emocionin që ato ngjallin, poezia është shkruar vetë.

Ju keni shkruar poezi e poema me ndjenja të trishta, të thella, me ton qytetar e intelektual. Mesa di unë iu kanë quajtur “poeti rebel, i cili ka luftuar gjithmonë kundër regjimive mizore e të pamëshirshme, kundër egërsisë së diktaturës”. A ka dicka të vërtetë në këtë thënje?

Mendoj se po. Gjithë jeta e krijimtaria ime kanë kaluar nëpër shtegun e vështirë të kërkimit të të vërtetës e të të drejtës, pavarësisht se kjo tendencë më ka shkaktuar e vazhdon të më shkaktojë vuajtje pa mbarim, kundërshtarë të egër e hakmarrje.

Tek poema “Barkodë” ju shkruani: “…Nuk rrodhi kurrë gjak i mirë midis meje e sovranëve…”. Kur shkruan poeti vargje rebelë?

Kur ka revoltën brenda.

Njeri prej kritikëve tuaj thekson: Shpend Sollaku Noè shkruan një poezi të angazhuar, me retrospektiva në histori e mitologji, por për t’u kthyer gjithmonë në bashkëkohoren dhe problemet e sotme të një bote të populluar nga tiranë, xhelatë, banca të kthyera në perëndi…

Autori i këtyre rreshtave, M. Rizza, është bazuar tek poemat e mia “Mare Nostrum”, “Murus Noster”, “Check up Homerit” e “Barkodë”, të shkruara në fakt para falimentimit të Lehman Brothers-it. Më kanë dhënë kënaqësi të veçantë mesazhet e marra nga të rinjtë e përfshirë në lëvizjen 15-M, të quajturit movimiento de los indignados. Më shkruanin që poema “Barkodë” qarkullonte tendë më tendë.

Ju shkruani edhe poezi dashurie në vargjet tuaja shpërthyese. Ç’është dashuria për ju?

A² + b²= c² ? Nuk ka Pitagorë apo Jerome Isaac Friedman që i jep përgjigje kësaj pyetjeje. Dashuria është një mister aq origjinal, saqë lind e vdes brenda një trupi të vetëm. Sepse s’ka dashuri që ngjajnë. Ngjashmëritë e saj janë iluzione që na pëlqen t’i besojmë. Ne nuk jemi të aftë ta zbërthejmë atë as me njohuritë tona shkencore, as të nisur nga Bibla, Kurani apo Thorah. E shumta që mund të bëjmë është të përshkruajmë vuajtjet që pësojmë prej atij misteri të mbinatyrshëm. Flas për dashuritë tona personale. Ato të të tjerëve përpiqemi, me sukses të mjerë, vetëm t’i imagjinojmë.

Më keni impresionuar se me sa ndjenjë, profesionalizëm, talent dhe kujtesë të admirueshme transmetoni emocionet në përkthimet tuaja në disa gjuhë. Cilit parimi i përmbaheni gjatë përkthimit? Si ia arrini të balanconi krijimtarinë tuaj midis përkthimit dhe krijimit origjinal?

Kohët e fundit merrem shumë pak me përkthime, pasi koha ime e lirë është gjithmonë e zënë me shkrimin e krijimtarisë time origjinale. Që t’i vihem përkthimit duhet që të kem lexuar diçka që veçanërisht më ka pëlqyer apo të kontrolloj përkthyesit e librave të mi se sa e si i janë përmbajtur origjinalit. Duhet të them se të dyja palët, autorët që përkthej ashtu edhe përkthyesit e veprës time, vuajnë shumë prej meje. Në përkthimin e të tjerëve unë kërkoj dorë të lirë, pasi i përmbahem parimit të përshtatjes në gjuhën e sidomos në kulturën e vendit ku autori dëshiron të prezantohet. Modeli më i mirë i këtij parimi në Shqipëri ishte Noli, që nuk përkthente, por shqipëronte. “Traduttore-traditore” thotë proverbi italian. Në fakt të gjithë përkthyesit, kush më shumë e kush më pak, e tradhëtojnë autorin që përkthejnë. Por kjo tradhëti, kur lind nga qëllimi i mirë për të prezantuar sa më denjësisht autorin dhe për ta bërë atë sa më të asimilueshëm për lexuesin e ri që nuk është ai i atdheut origjinal të veprës, është një tradhëti e bukur. Për të qenë i sinqertë, ju them që, nga ana tjetër, “u nxij jetën” përkthyesve të mi dhe bëj të pamundurën që të jem “i tradhëtuar” sa më pak.

Ju shkruani në shqip dhe italisht dhe jeni përkthyer në 17 gjuhë të rëndësishme të Evropës, Azisë, Amerikës Latine e Afrikës e Oqeanisë. Librat tuaj janë shitur në rreth njëqind vende. A kanë meritë në këtë sukses edhe përkthyesit? Cilët nga përkthyesit e tu ju kanë pëlqyer më shumë?

Sigurisht që kanë një meritë të rëndësishme. Prej tyre do të veçoja Renato Vecellio (Vjenë, Austri – në gjermanisht, nga italishtja), Ana María Pizza Velasco, (Buenos Aires, Argjentinë – në spanjisht nga italishtja), Shkelzen Mecaj (Usa në anglisht nga shqipja dhe italishtja), Fanélie Chef Cointot, (Francë – në frëngjisht nga italishtja)…

Në krijimtarinë tuaj të gjërë një vend të shquar zini edhe si prozator. Vecanërisht do të përmendja: “Kolumbia e Ballkanit”, “Shekulli i shkurtër ballkanik”, “Kufiri i mjegullës” etj. , që kanë patur jehonë, por edhe janë vlerësuar mjaft nga kritika e huaj. Çfarë ju ka shtyrë për realizimin e këtyre veprave në prozë? Përse tituj kaq intrigues?

Dy librat e parë janë të karakterit hulumtues-hetimor. “Kolumbia e Ballkanit” ka të bëjë me ekpansionin e mafieve në gadishullin tonë në fillimet e viteve ’90, ndërsa “Shekulli i shkurtër ballkanik” ishte një përpjekje e dëshpëruar për t’i bërë të njohur Evropës rrezikun që i kërcënohej Kosovës. Që të dy këta libra libra janë shkruar në fillim të viteve 90 dhe janë bërë publikë në 1994-ën. Në suksesin e tyre ndihmoi shumë edhe RAI, radiotelevizioni italian. Romani i sapobotuar në Itali, në italisht, “Il confine della Nebbia” (Kufiri i mjegullës) e merr subjektin nga Shqipëria e pas shembjes së Murit të Berlinit. Është i pari botim i një serie romanesh që kam shkruar rreth asaj teme. Titujt e tyre janë intrigues, pasi dhe ç’ka përshkruajnë është e tillë.

Kur dikush pyeti Stefan King se si mund të bëhesh shkrimtar, ai iu përgjigj: “Merrni ndër duart tuaja libra të shkrimtarëve të tjerë dhe lexoni çdo gjë të tyre, mos mendoni jo vetëm si të shkruani libra”. A ndani të njëjtën filozofi me të?

Deri në një farë mase. Nuk mjafton vetëm të lexosh shkrimtarë të tjerë për t’u bërë i aftë të shkruash. I pari mbetet gjithmonë talenti. Pa të nuk shkohet asgjëkundi. Pastaj duhet zotëruar një kulturë shumë e thellë. Dhe këtu nuk e kam fjalën vetëm në njohjen e marifeteve e të të shkruarit. T’ì mbijetosh konkurencës së sotme duhet të njohësh me themele së pari gjuhën në të cilën shkruan e të kesh një kulturë enciclopediche. Pastaj duhet t’i mohosh vetes shumë prej gëzimeve “të vogla” tokësore, të jesh gati të sakrifikosh vetveten, kohën tënde të lirë, shpesh edhe miqësitë dhe ndjenjat e tua më të shtrenjta. Kur ke arritur të kuptosh se je bërë një njeri i tillë, të paktën ke filluar të mendosh si një shkrimtar. Pastaj hyjnë në lojë aftësia për të qenë origjinal, pastaj…

A ju ka rastisur gjatë jetës tuaj që të jeni takuar apo të keni pirë kafe me ndonjë nga personazhet e prozës tuaj?

Shpesh. Mendoj se u ndodh të gjithëve atyre që, ashtu si unë, kanë si pikënisje realitetin. Aforisma që i etiketon shkrimtarët si vjedhës të jetës së të tjerëve nuk është e pabazë. Të gjithë ju mendoni se jeni të pasurvejuar, në bar apo në rrugë, por atë që nuk ua kanë bërë zbulimet e fshehta, mund t’ua bëjë shkrimtari. Ju futeni pa dashjen tuaj ne dedalonë e trurit të tij dhe rilindni diku tjetër, në faqet e ndonjë romani. Sigurisht me emër tjetër, ndoshta edhe me portret të modifikuar, por ai që është më i rëndësishmi, shpirti, është juaji. Sidoqoftë jini të qetë, shpirtin tuaj nuk e presin qelitë e torturave të Guoanbu-së apo të Dirección General de Inteligencia. Shkrimarët nuk janë agjentë të pamëshirshëm, as UFO, as Karontë dhe as Shën Pjetra. Nuk do t’ju takojë të paguani asgjë. Nëse keni fatin të jeni “grabitur” nga ndonjë talent i vërtetë, mbeteni të pavdekshëm, por këtu në tokë, dhe jo duke u sorollatur nëpër mjegullat e Akeronit.

Ju merreni edhe me publiçistikë e politikë. Si i harmonizoni këto pasione me letërsinë?

Sforzimi më i madh është të mos i bëj këto pasione të ndërthuren me njera-tjetrën. Shpresoj t’i jem përmbushur këtij kushti thelbësor.

Jeni gjithashtu bashkëpunëtor dhe mbështetës i fortë e i suksesshëm i Amnesty International, në mbrojtje të të drejtave themelore të njeriut, sidomos të emigrantëve dhe azilantëve politikë. Si ndiheni për këtë?

Gjithmonë në alarm. Si pjesë e të tërës. Shumë prej azilantëve janë intelektualë të mirëfilltë. E këtu problemi nuk është vetëm human. Me emigrimin e tyre ata sjellin në Evropë e gjetkë një pjesë të rëndësishme të trurit e të kulturës së vendeve që shpesh janë të detyruar të braktisin përgjithmonë. Ligje të përbashkëta të Evropës për t’i marrë në mbrojtje nuk ekzistojnë ende, ato të vendeve anëtare kanë shumë boshllëqe. Prandaj roli i Amnesty International dhe i të tjerave organizata binjake, në shpëtimin e këtij mozaiku të rëndësishëm të kulturës botërore, është i pazëvendësueshëm.

Çfarë do t’ju pëqente t’u thonit politikanëve shqiptarë?

Nuk më pëlqen të trasformohem në një predikues. Megjithatë, nëse fjala ime ka ndonjë vlerë, uroj jenë inteligjentë për të kuptuar momentin kur koha e tyre ka perënduar e të mos druhen që t’u lënë vendin më të rinjve, sidomos kur ata sjellin ide të reja. Në një demokraci (ajo amerikane in primis) e shumta mund të rrish mbi shalë deri në 8 vjet. Ndryshe trasmormohesh në një Hugo Chaves. Kasta e sotme shqiptare është e vjetëruar. Që prej 20 vjetësh janë po ata emra. Prej tyre nuk mund të pritet rinovim – kusht ky i domosdoshëm për t’iu bashkuar Evropës.

Dhe gazetarëve?

Të jenë më shumë të pavarur prej xhepit që i paguan. Duket e vështirë, por nuk është e pamundur.

Po për inteligjencës shqiptare?…

Që ka mundësira të jashtzakonshme, që Amerika e fundit akoma nuk është zbuluar. Ndoshta duhet të jetë më pak nazionaliste e më shumë europeiste. Integrimi në kontinentin ku bëjmë pjesë imponon deri diku sakrifikimin e sovranitetit kombëtar.

Shqiptarëve të diasporës?

Të mos getizohen, te japin nga kultura jonë e të marrin prej vendeve ku jetojnë, të mësohen të mendojnë globalisht.

Ç’përshtypje ju lë kritika e sotme shqiptare?

E hutuar, e sipërfaqshme, klienteliste.

A ka ndonjë gjini tjetër që ju e lëvroni apo që do të dëshironi ta provoni?

Zbavitem me fotopoezi e murales për të ilustruar librat e mi. Më pëlqen t’ua bëj vetë edhe kopertinat. Për nesër nuk i dihet…

Kush ju mbështet shpirtërisht në krijimtarinë tuaj të larmishme?

Sot gruaja dhe djali. Dhe jo vetëm shpirtërisht. Në themel qëndrojnë gjithmonë nëna, vëllezërit dhe motrat e mia të pakursyera. Pa sacrificat e tyre asgjë nuk do të kishte qenë e mundur.

Bisedoi: Raimonda Moisiu.Botoi Tirana Observer

Filed Under: Interviste Tagged With: Intervista, Rajmonda Moisiu, Shpend Sollaku Noe'

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 44
  • 45
  • 46
  • 47
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT