• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2013

Kaleidoskop i një jete të gjallë atdhetare

February 24, 2013 by dgreca

Vilhelme Vranari Haxhiraj, “Bashkë në dashuri dhe atdhetari”, Bukuresht, 2012/

Nga Fatmir Minguli/

Kur mbaron së lexuari librin më të ri tëVilhelme Vranarit, fillimisht mendon se e njeh jetën shembullore të do prindërve të mrekullueshëm e të një çifti patriotik me moral ideal. I tillë duket në pamje të parë ky libër i veçantë për nga mënyra se si ka ndërthurrur autorja jetën e prindërve të Baki Ymerit, duke e gërshetuar me jetën e shqiptarëve të Rumanisë dhe ngjarjet e Shqipërisë nën okielon e jubileut të 100 vjetorit të pavarësisë të shtetit shqiptar.

Por, faktikisht nuk kemi të bëjmë thjeshtë me një libër biografik të shqiptarit nga Shipkovica që emigroi në Bukuresht si qindra e mijëra shqiptarë të tjerë në dekadat e para të shek. 20. Në 150 faqet e kësaj vepre që e pa dritën e botimit në vigjilje të Krishtlindjeve (2012), përshkruhet edhe bashkëshortja e Ajvaz Vokës, Aurelia e cila lidhi jetën me shqiptarin e malësisë së Sharrit, të cilit i dhuroi katër fëmijë: Mavruzin, Skënderin e ndjerë, Bakiun dhe Safien që tashmë mban një emër të ri, Diana Voka.

Shkrimtarja Vilhelme Vranari ka qëndisur një libër tjetër lloj nga biografitë monotone, duke na dhënë informacione që intersektojnë jetën e thjeshtë të shqiptarëve të Rumanisë me ngjarjet e mëdha që shqiptarët kanë përcjellë si atdhetarë të vërtertë, kudo që janë ndodhur. Duhet pranuar se komuniteti i shqiptarëve në Rumani ka qenë ndër më aktivët në krejt diasporën, duke përfshirë gjithçka që ka ndodhur, që nga mesi i shekullit të 19. Pikërisht këtu gjen ngjyrat e fijeve me të cilat shkrimtarja Vranari kompozon pamjet e kësaj vepre vlerash reale të mbrujtura me sinqeritet, ndjeshmri dhe atdhetari.Të duket sikur qëndisja e Aurelias në një pëlhurë artizanati para 80 vitesh, bëhet simbiozë me vetë mendimet e shkrimtares sonë të nderuar.

Aurelia i qëndis në ato vite të martesës (30 gusht 1932), fjalët lapidare: “Rroftë Shqipnija dhe na ndihmoftë Perëndia!”. E të mendosh se e shkruan një grua e thjeshtë, amvise rumune dhe atdhetare shqiptare, duke respektuar dëshirën dhe amanetin e burrit të saj që digjej për komb e atdhe. Që në prologun e librit, lexuesi befasohet e pret me ëndje atë çka do vijë më pas. Para nesh kemi një prolog konçiz dhe domethënës për prindërit e Bubullimës së Bukureshtit. Gjithçka që vjen më pas, janë të bëmat e Ajvaz Vokës në kohën e Mbretërisë shqiptare, e më tej, në kapitullin e dytë, edhe të djalit të djemve të tij, por gjithçka që tregohet, gërshetohet me akte e fakte konkrete të zonje me shpirt të florinjët (Aurelia Voka).

Pas këtij prologu interesant, vijnë me rradhë përshkrimet për Shipkovicën, vendlindjen e atdhetarizmit shqiptar që e konsideronin udbashët e Shkupit si “Mala Albanija” (Shqipëria e Vogël). Pasojnë faqe briliante mbi jetën e kësaj gruaje fisnike dhe nëne të dashur e të nderuar që e përvetësoi gjuhën shqipe Brenda një nate. Shprehje metaforike, apo jo! Përshkruhet vendlindja e saj në pllajet e Transilvanisë, njohja e saj me Ajvaz Vokën në Bukuresht, bashkëveprimi me intelektualë shqiptarë dhe me konzullatën e Shqipërisë, arestimi i burrit të saj për veprimtari politzike, braktisja e Bukureshtit dhe rikthimi në Shipkovicë (1941). Vlen të përmendet vullneti që autorja Vilhelme Vranari ka bërë me paralelizimin e ngjarjeve me librin e saj “Mamaja” paralelizim që rrezaton dashuri njerëzore dhe na i sjellë fare afër skenat e jetës së shqiptarëve të Bukureshtit, pa e harruar edhe Aurelia bujare dhe familjen e saj.

Libri, kaleidoskop shumëdritësh, paraqet skena të panumrëta të fisnikërisë, bujarisë, miqësisë, besnikërisë, tipare të atdhetarizmit të paepur të prindërve të Bakiut, Mavruzit dhe Diana Vokës. Këto skena të ndritshme, nën një kujdes profesional të autoresm vijnë para lexuesit me shumë foto të atyre kohëve, me faksimile dhe dokumente nga shtypi i kohës, me akte zyrtare sipas të cilave Shipkovica asokohe i përkiste Shqipërisë, me kujtime origjinale nga bashkohësit e me shumë komente të lidhura ngushtë me faktet jetësorë. Vilhelme Vranari, krejt ndryshe nga librat biografikë, na ka dhënë një vepër model për nga mënyra se si e ka trajtuar dokumentin historik, duke dhënë modelin e tratimit shkencor të ngjajeve të ndodhura kohë më parë.

Lexuesi ndjehet komod tek lexon kujtimet e motrës më të vogëltë Aurelias, Marieta, si dhe ato të motrës së saj më të madhe, Rozalia. Në kapitullin e pasur kushtuar Marietës, autorja vlonjate me shumë elasticitet na krijon një tregim të mrekullueshëm, një përsiatje magjike, jo vetëm të një gruaje rumune me këndvështrimin e saj për shqiptarët dhe gjuhën shqipe, por edhe një aspekt të veprimtarive patriotike të familjes ku ishte nuse e motra e saj. Jo pa qëllim, në këtë kapitull autorja vendos dhe personalitetet e kulturës shqiptare që vepruan në Bukuresht, si Nikolla Naço e Gjergj Bubani, Lasgush Poradeci e Mitrush Kuteli, Dhimitë Polena e Xhelku Maksuti. Edhe kjo mund të konsiderohet si një ndërthurje që i shton vlerat shkencore, biografike e publicistike, të kësaj vepre të veçantë të Vilhelme Vranarit.

Në një kapitull më vete na sillen problemet e gjuhës sonë (“Gjuha shqipe është e vetmja pasuri e shqiptarëve”). Përsëri dallohet metoda intersektuese e ngjarjeve patriotike me aspektin e zbërthimit shkencor. Me shumë takt, me një konçizitet për t’u admiruar, autorja na paraqet “jetën” e gjuhës shqipe në vendet e tjera, e në rastin tonë, në Rumani, ku kontributi i çiftit Ajvaz dhe Aurelia Voka dhanë kontribut për kultivimin dhe zhvillimin e gjuhës shqipe. Ky çift shembullor është i admirueshëm, sepse ata kanë qenë përcjellës të gjuhës sonë të bukur, përcjellje që rrezaton në ditët tona tek trashëgimtari i tyre, poeti, publiçisti e patrioti Baki Ymeri, alias AlbanVoka, për të cilin kanë shkruar me admirim, Ali Podrimja, Xhelku Maksuti, Alma Papamihali, Remzi Limani, Aurel Dasareti, Ramiz Dërmaku, e shumë të tjerë.

Duke përshkruar traditat patriotike të shqiptarëve nga gjithë trojet tona që kanë emigruar kudo nëpër botë, në librin e Vranarit gjejmë botën rumune dhe atë shqiptare, identitete, bashkëpërkime e veti tjera që na afrojnë, kohëra, ngjarje para 100 vjeçare, por dhe botën e sotme ku patriotët shqiptarë veprojnë me zell e përkushtim të çiltërt kulturor dhe atdhetar. Këtë konstatim e kupton lexuesi që në fillim të librit tek lexon “Poezi për mërgimin”, parathënien nga Kurtesh Devaja dhe një argument nga Dr. Luan Topçiu. Dhe jo vetëm kaq, sepse librin e dinamizojnë fotografi dhe facsimile nga gazeta rumune e shqiptare të kohës, protagonistë të këtij libri duke qenë Aurelia dhe Ajvaz Voka. Pasojnë foto të godinës ku ka funksionuar shtypshkronja e parë shqipe në Bukuresht (1886), foto të Tregut të Tetovës para 100 vitesh etj.

Siç shihet, nga kjo paraqitje kemi të bëjmë me argumente e me fakte reale. Kemi të bëjmë pikërisht me atë artificë mjeshtërore të Vilhelme Vranarit e cila ka“braktisur” ecjen drejtvizore në strukturimin e kësaj vepre dinjitoze. Kjo autore, me dinjitetin e një studjueseje të zellshme, është në unison të plotë me filozofin dhe sociologun e sotëm francez, Edgar Morin, i cili shkruan: “Një diagnozë e saktë kërkon një mendim të aftë për të mbledhë dhe organizuar informacionet dhe dijet e njohura, por që janë të copëzuara dhe të shpërndara.”

Kjo metodë e ka prurë librin deri në ditët e sotme, kryesisht në aktivitetin e revistës së rëndësishme “Albanezul / Shqiptari”, e cila është vazhdim i denjë i botimeve të patriotit Nikolla Naço, e cila del sot e kësaj dite si periodik në Bukuresht. Nuk tentojmë as ta lavdërojmë e as ta trimërojmë, por tentojmë të themi të vërtetën se kryeredaktori aktual i kësaj tribune vjen nga gjiri i familjes Voka.

Duke e përshkruar me besnikëri dhe vërtetësi si një veprimtar i palodhshëm i Rilindjes së sotme virtuale, duke anashkaluar me zgjuarsi edhe ndonjë mundësi për kritikë, sipas Vilhelme Vranarit, figura e Baki Ymerit si një maraton i mërgatës shqiptare, është figura e një shqiptari vetmohues që trashëgon atdhetarizmin e prindërve të tij të nderuar. Një krenari të veçantë për prindërit e tij, ndiejnë të gjithë shqiptarët e vërtetë, që nga Shipkovica krenare e Sharrit, e deri tejmatanë brigjeve të Vlorës dhe Atlantikut. Libri i Vilhelmes nga Vlora (“Bashkë në dashuri dhe atdheatri”), është një kontribut në historigrafinë shqiptare, dhe një zbatim i detyrave të studjuesve për të riparë historinë e shqiptarëve, kudo që ata kanë jetuar dhe vepruar.

 

Filed Under: Featured

Ankth mbijetese

February 24, 2013 by dgreca

Nga Gani Qarri Zyrih

Askush nuk do ta ketë pritur as menduar më herët se edhe pesë vjet pas pavarësisë,ëndrra për shtet dhe zhvillim të shqiptarëve do mbetet si një fletë e kurthuar në një grumbull ferrash të cilat jo vetëm se trupin e saj e bënë shoshë me “therje” por edhe nuk do ta lëshojnë të shpëtoj lehtë nga to. Mbi pesë vjet zhbërje shprese,pasiguri dhe jetë të mundimshme,deri në ankth nga ndërtimi i një shteti gjysmak e jo funksional,ku nuk sundon rendi e ligji dhe çdo gjë mbështetet në nepotizëm,interesa të ngushta e mashtrime,pasiguria për mbijetesë e shqiptarëve në vendin e tyre, sa vije e rritet.

Pesë vjet dështim,dobësi dhe paaftësi udhëheqësish për ta zhvillu dhe qua vendin përpara. Pesë vjet me halle të shtuara, varfëri në rritje dhe papunësi marramendëse, e kthyen shtetin në një krijesë të frikshme,duke i`a ngushtuar shumë kujt edhe mundësinë e mbetjes gjallë në te…gjendje që zbehë ngadalë por sigurt ëndrrën e praruar të pavarësisë, jo vetëm për hallexhinjtë e shumtë në vend.Pesë vjet vuajtje e paqartësi për tërësinë e vendit, pesë vjet deprimim të brendshëm dhe turpërim ndërkombëtar para të huajve që përcjellin dhe vështrojnë sjelljet tona në çdo hap, duke përqeshur paaftësitë e lidershipit për të mbajtur shtet.

Pesë vjet pa ecje të mjaftueshme, pesë vjet pasurim të pushtetarëve dhe varfërim të popullsisë deri në shkallën më të ulët në kontinent dhe ndër më të varfrat në Botë. Pesë ?.. apo kush e di se sa vite të humbura,mbetur prapa gjithanshëm, pa investime të huaja dhe pa zhvillim, pa shpresë dhe të izoluar nga të gjitha vendet e Evropës.

Në Kosovë, Inflacioni, papunësia, deficiti tregtar,padrejtësitë dhe varfërimi ekstrem me rritje marramendëse dhe të pa kontrolluar,të cilat nëse nuk parandalohen mund të çojnë deri në kolaps total,prodhojnë jo vetëm ngecje e probleme tjera bllokuese në rrugën drejt Bashkimit Evropian, por edhe rrënim të demokracisë së brendshme në vend.

Sipas asaj që shkruhet e thuhet në shumë media publike, papunësia ka arrit në rreth 50 %,kurse varfëria e skajshme në mbi 20 %,derisa rritja e çmimeve bëhet e pa përballueshme për shumicën e popullsisë në vend, anipse ata blejnë mallra të dyshimta, të helmuara dhe kancerogjene që vijnë nga Serbia, të cilat derisa edhe vet ish shteti pushtues dhe prodhues i këtyre mallrave, i ka heq nga përdorimi, Kosova vazhdon edhe më tej ti shes si artikuj të sigurt.

Si duket shqiptarët të adoptuar nga konsumimi i gjatë i importeve jo gjithëher të mirëkontrolluara, tanimë janë bërë imun edhe ndaj mallrave të kontaminuara dhe helmeve të Serbisë…

Pesë vjet pas, shkaku i korrupsionit dhe mosfunksionimit të shtetit ligjor,edhe ata pak investitor të huaj që ishin,pothuajse kanë ikur apo janë në ikje e sipër dhe të gjithë treguesit makroekonomik në vendin më të varfër të Evropës, vazhdojnë të tregojnë edhe më tej rënie.

Pesë vjet pas pavarësisë,vendi ynë vazhdon të mbetet vend i skamjes,i krimit të organizuar,dhunës dhe migrimit,të cilat detyrojnë të rinjë e të vjetër, të presin më kot nga dy-tre muaj,para ambasadave të huaja në përpjekje për të marrë një vizë,në mënyrë që të ikin sa më shpejt nga sytë këmbët dhe t`ia kthejnë shpinën atdheut,për të cilin,dikur vet apo etërit, bënë shumë përpjekje e sakrifica që edhe ai ta fitonte pavarësinë!

Ndaj,pesë vjet skamje e vendnumërim,pesë vjet ngecje dhe bllokim,pesë vjet zhgënjim,pesimizëm,frikë e mosbesim, krijuar nga realiteti i hidhur me vuajtje dhe izolim të plotë,sidomos për rinin e pa fajshme të Kosovës,vërtetë janë shumë. Mjerisht, edhe pesë vite pas, shqiptarët duhet të bashkëjetojnë me frikën e pamundësisë së mbijetesës dhe pasigurinë e ardhmërisë së fëmijëve të tyre, në vendin e vet që e donin aq shumë, ata të cilët dikur të vetmen ëndërr patën çlirimin dhe shpresonin në atdheun e lirë. Athua vërtetë e merituan këtë gjendje?!

22 Shkurt 2013

Filed Under: Opinion Tagged With: ankthi, Gani Qarri, per mbijetese

Gjakova e Kreshnikëve

February 24, 2013 by dgreca

NGA BARJAM DOKA/ New York

Në këtë shekull të pavarsisë së shqipërisë që përkon me shekullin  e ngritjes  e valvitjes së lirë të  flamurit  Kombëtar Shqiptar dhe 5 vjetorin e pavarësisë së  së Republikës së Kosovë  është e pamundur të  përmendësh  të  gjithë herojtë, heroinat, patriotët, trimat dhe njerëzit e  mençur, që për të mbrojtur nderin e kombit dhe  flamurin me shqipen dy krenare, sakrifikuan  ç’do gjë  të  shejtë  të tyre për lirinë dhe çështjen kombëtare. Në bjeshkët e larta të  Apleve, atje ku lindin “Zanat” dhe Kreshnikët,  në rrëzë  të tyre  shtrihet Malësia Kreshnike  e Gjakovës  një nga vatrat e kultures, mençërisë  dhe  trimërisë  Shqiptare, vendi  që  lind djem dhe vajza , bijtë dhe bijat më të mira  nga Kosova  trime,   flamurtarët më të njohur  të  kombit shqiptarë  për të cilën edhe rapsodi  do ta  përshkruante  si më  poshtë në vargjet e këngës së tij popullore:

Ani moj Shqipni mos thu’j se marova!
Ani se djemt tu hala janë gjallë.
O n’komë’ jan çu’ rrept o Kosova
E bajnë luftën ballë o për ballë-e.
More ishin ditët ma të vshtira
Me njëmijenantqindedhet-e.
Kur n’Kosovë ra egërsina
Don me zhbi çdo bimë mbi dhe!
More se n’Prishtinë, aty pik s’pari
More krisi topi o me duhi.
O aty gjaku i shqiptarit
Ra në tokë me bi përs’ri
.

Kreshnikët e këtyre bjeshkëve lanë gjurmë të thella në histori,  gjurmë  që gjenden deri në lashtësi , gjenden  edhe    në shkrimin më të  lashtë Ilir që është  gjetur  në rrethinat e Shkupit që është  shkruar në alfabetin Iliro-pellazg që daton  përpara 9500 vjetësh

( datuar me C-14)  ku  thuhet:

”Kreshtë se le yllt si lis je”  (Kreshtë nuk e le  Yllin, si lis je).

Gjurmët Ilire  në këto treva i gjejmë të mishëruara  më vonë në  qytezën ilire të Rosujës, aty ruhen   gjurmët e  një qytetërimi të mijëvjeçarit të  dytë para krishtit(p.e.sonë).

Por edhe  Herodoti,  në librin e tij të historisë,  përmend ekzistencën e banorëve  të fuqishëm të Kreshtianëve.

Në  legjendat e kësaj malësie , kjo trevë  përmendet  si  vendndodhja e “Zanave”  që mishërohet në botë,  vetëm me zakonet Iliro-Shqiptare, me  vajzat që kthehen në “burra kuvendi”,  në  “Vrigjëreshat Shqiptare”.

Gjakova me Malësinë e saj është  djepi i trimërisë dhe i mençërisë shqiptare ,  është treva që ka lindur  patriotë dhe   heronj  të spikatur  të kombit shqiptar. Në këto anë janë zhvilluar mjaft beteja për liri, si ato kundër ekspeditave ndëshkimore osmane  ashtu edhe ato kundër pushtuesve serbo-malazezëve.Këta të fundit,  nga urrejta që nuk e nënshtronin dot krahinën,   pas një qënderese heroike të malësorve, në vitin 1913 e dogjën gjithë malësinë e Gjakovës  dhe rrugët e saj i  mbushën me trekëndësha patriotësh e njerëzish të varur në litar.

Disa heronj  të  Gjakovës.

Në këto pëvjetorë  të pavarësisë  është e pamundur të përmendim të gjithë herojtë dhe heroinat që pa dallim feje, krahine   derdhën gjakun për çështjen shqiptare, ku edhe  poeti  në “librin e burgut” do ta shprehte si në vargjet e mëposhtëme:

…………………………………………………………………….

Ngjyeni n’at gjak shqiptarë, voet e pashkëve,

 e si me langun e shejt n’at gjak kungoni!

Se gjak ma i pastër e fisnik nuk rrodhi

e plot ugur për t’ardhmen e vatanit.

……………………………………………………………….

Gjakova lindi trima e trimëresha,   burra e gra të zgjuara, lindi patriotë dhe heronj, lindi,  Gjon Nikollë Kazazin, Haxhi Zekën.

Atje u  lind  Sulejman Vokshi.

Gjakova krenohet me heroinën Shote Galicën ,  me  Mic Sokolin.

Gjakova  lindi  Asim Vokshin,  vullnetarin e brigadave internacionale të Spanjës,  lindi mentorin dhe pajtuesin e gjaqeve Z. Anton Çetën, por Gjakova lindi edhe “trimin e Dragobisë” heroin e popullit shqiptar  Bajram Currin që  rapsodi popullor e kujton  si më poshtë në vargjet e këngës popullore gjakovare:

 

………………………………..

Bajram Curr, o Bajram Curr
Emni yt s’harrohet kurr!
Të ka lind-o nanë Gjakova
S’të harron Kosova!
Bajram Curr, o Bajram Curr
Emni yt s’harrohet kurr
Të ka mbajt-o Dragobia
S’të harron Shqipnia!

……………………………….
Hej, moj Kosovë-o ty t’a lumsha shpinën!
Hej, bijtë e tu’ e kan lu’jtë martinën!
Me Bajram Currin, Isa Boletinin,
Me Azem Bejtën e Hasan Prishtinën

Gjakovarët, të lindur dhe të rritur rrëzë  Alpeve  shqiptare, atje ku shqipja ngren folenë e saj , nuk ju nënshtruan asnjëherë të huajit. Nuk pranuan të nënshtrohen,  por luftuan deri në grahmat e tyre të fundit, aq sa rrugët i mbushën me gjak (gjak-ova). Ndoshta këndej vjen edhe emri Gjakov- ë, a.Trimat e saj luftuan kundër pushtuesve osmanë e  kundër pashallarëve.

 Mic Sokoli i vuri gjoksin topit.

Ashtu tepër e veçantë është edhe vepra e heroinës dhe luftëtares   Shote Galica,  me të cilët shqiptarët indentifikojne Zanat Shqiptare, femrat trime dhe luftëtare  të kombit  tonë.

“Zanat”, “Zonjat, “Virgjëreshat”  Shqiptare,  si asgjëkundi veçse  në legjendat Ilire ,  ulen pranë oxhakut në  odat e kuvendeve  përkrah burrave  më të mençur  e më trima dhe kishin të drejtë të  merrinin  vendime, për të mbrojtur vetveten, shtëpinë dhe kombin e tyre, për t’ju lëshuar  pa ju trembur qerpiku  dhe  pa ja kthyer shpinën armikut.

Jo vetëm nga trimëria por edhe nga dituria dhe nga kultura Gjakova nuk ngeli pas qyteteve tjera shqiptare.

Në vitin 1896 Ahmet Zherka solli aparatin e tij të parë fotografik me të cilin u fotografuan mjaft prej trimave, trimëreshave,   heronjve dhe heroinave shqiptare, midis tyre edhe heroi i popullit Shqiptar , Bajram Curri.

 

Patriotët e familjes Zherka/

Nga Tropoja  e  Malësisë së  Gjakovës rrjedh  familja fisnike e patriotike e Z.Ahmet Zherkaj , tani me banim në  SH B A (New York). Edhe prej kësaj   familje, gjenerata të tëra të saj  gjatë gjithë historisë vijuan  pa u tutur  rrugën  patriotike  të parëve të tyre ,  luftuan si heroj duke derdhur  gjakun për të  jetuar të lirë nga zgjedha e huaj dhe  e  pushtuesve  të vatanit. Kur pushtuesit ju vërsulën trojeve Shqiptare,  Hasan Isuf  Zherka  (babai I Ahmetit)  me 7 prill 1941  jep sinjalin për kryengritje kudër pushtuesve fashistë  duke sulmuar dhe çliruar postbllokun në Qafë Stobërdhë.

Pas kapitullimit të italisë fashiste,  hitlerianët u orvatën të rimerrnin pikat strategjike duke  sulmuar përsëri postëbllokun e Qafës  por forcat clirimtare të komanduara nga Gani Kryeziu e  strategu Gani Brahim Zherka ,  si dhe nga çetat e komanduara nga  Hasan Isuf Zherka , Rustem Bajraktari, Musë Neza, Hamit Perolli  etj, i qëndruan heroikisht sulmit nazist dhe me ofensivën e tyre ju shkaktuan nazistëve  në fushën e betejës  92 SS të vrarë  duke çliruan edhe pjesën më të madhe të krahinës.

Në funvitin 1943 u formua Shtabi   “Djemt e  Shqipes” ,  i përbërë nga Hasan Kryeziu, Ali B.Zherka, Shpend Zherka etj,  ku qëllimi i tij kryesor  ishte  clirimi dhe bashkimi i Kosovës me Shqipërinë.

Në shtëpinë e Hasan Isuf Zherkës,  më 20 shtator1943 lindi  Ahmet Zherka,  i vetmi fëmijë që mundi të mbijetonte  në atë familje  e cila  kishte  vënë  gjithëshka  në   shërbim të  patioritzmit dhe çështjes kombëtare.

Patrioti  Hasan Isufi ( Zherka) i edukuar me ndjenja patriotike nga të parët e tij,  nuk mundi të duronte poshtërimin e pushtuesve të rinj  që  vazhdimisht e poshtëronin  duke e kërcënuar edhe me jetën,  për sakrificat dhe patriotizmin,  që ai ç’faqte  në shërbim të Lirisë dhe  çështjes kombëtare.

Më  1953 Ahmet  Hasan Zherka   gjendet  përballë një pusie të pregatitur nga Pero Çukiçi,  por e mund  atë.

Çukiç ishte agjent i UDB-së dhe  me  gjithë rrethin e tij fisnor kishin uzurpuar dhe mbanin  të  gjitha  postet kryesore në qarkun e Gjakovës  dhe asgjë s’mund ta ndalonte pë tu  hakmarrë  kundra patriotëve Shqiptarë.

Gjykata e përballur me mjaft  rrethana  lehtësuese e dënon zotin Ahmet  vetëm me 6 muaj burg,  por me ndërhyrjen  e Nikë Sokolit dhe me ndihmën e  Hysen Biberaj atë e  transferojnë  të  internuar  në llogorin (kamp internimi) e Kamenicës.

I gjendur në këto kushte të vështira por  i edukuar me ndjenjat më të mira   patriotike të   familjes Zherkaj ,  rritej e hidhte shtat përditë  djaloshi i ri  Ahmet Zherka i cili nuk u përkul asnjëherë por jetën e tij ja kushtoi çështjes së bashkimit kombëtar ashtu siç bënë edhe të paret e familjes së tij.

Për trimërinë dhe patriotizmin që çfaqnin  familjarët e saj, u përbuzën e u  ndoqën vazhdimisht  nga pushteti i instaluar Serbo-Sllav ,  nga  UDB-istët  e tyre.

Por Zherkajt asnjëherë nuk u përulën dhe nuk pranuan sklavërinë , veçse me krenari e pa u pëkulur u ballafaquan me provokimet,  dënimet dhe  me dëbimet në kampet e ndryshme të internimit.

Sistemi  kishte angazhuar kundra tyre skemat më provokuese nga arsenali i tij  për ta  hequr “qafe” këtë familje.

Z. Ahmet Zherka  u detyrua të braktiste  vendlindjen  e të emigronte  drejt SH B A-së duke marrë më vete edhe  shoqen e tij të jetës, Shpresën,  –  “Shotën”  e  tij .

Nuk është coincidence,  por Alpet janë vendlindja e Zanave e Shotave e Mic Sokolave dhe e Azemëve … .

Edhe në SHBA  Z. Ahmet,  i djegur nga malli për atdheun e dëshirën për liri  kombëtare    vazhdoi përsëri aktivitetin  patriotik e kombëtar.

Mbas   dy (2) vjetësh që  shkeli në Kontinentin e Ri   z.Ahmet themeloi  organizatën   “Bashkësia Shqiptare”.

Ai filloi botoi  të botojë  revistën e posaçme  me titull  “BOTIM I SHËRBIMIT TË BASHKËSISË SHQIPTARE ”  dhe  prej asaj dite   ka qenë dhe vazhdon të jetë në krye të gjithë aktiviteteve  që i dedikohen çështjes kombëtare këtu,  në  diasporën  shqiptare,  në  SH.B.A.

Zemra e tij digjej pë kombin , për vendlindjen.

Në vendin e tij të punës  Z.Ahmet Zherka mbante flamurin Kombëtar Shqiptar por një ditë përgjegjësi i tij (supervisor) shikon flamurin dhe gjithë mllef    i  nervozuar  e shkul  flamurin,   dhe e shkel me këmbë.

Ahmeti nuk mundi ta gëlltiste atë poshtërim.   Merr armën dhe shkon në zyrën e tij.

Aty e gjen të  vetëm në zyrë   dhe ia  numëron  plumbat në lule të ballit , përdhosësit të Flamurit Kombëtar.

Pas kësaj  del në rrugë , lajmëron policinë dhe kur vijnë forcat e rendit,  vetë dorëzohet duke  ju rrëfyer për gjithë ngjarjen.

Shpresa dhe fëmijët më kot pritën atë natë që Ahmeti të kthehej në shtëpi.

Nga  qelia ku ishte mbyllur,  kërkoi leje të fliste me Shpresën  dhe fëmijët të cilët  më kot e pristnin ,  atë natë  e të nesërmen   që “Avni Rustemi” (kështu e thërrasin,  këtu në N.York  zotin  Ahmet Zherka)  të kthehej pranë familjes , pranë tyre.

Natën tjetër bie zilja e telefonit, Shpresa  ngren receptorin  dhe  nga zëri njohu Ahmetin,  pasi u përshëndetën e  pyet: “Kur do të kthehesh, Ahmet”?

– “Shpresa!. Unë nuk kthehem shpejt, mund të vonohem gjatë,  jam i burgosur  por ti kujdesu për fëmijët”!.

“Shota”, Shpresa Zherka,  i thotë: “Po Ahmet, patjetër .  Ti mos u mërzit ……”,  por biseda nuk mund të zgjaste më  tej, koha e lejuar  për bisedë telefonike kishte mbaruar.

Këtu mer fund edhe vazhdimi i mëtejshëm i botimit të   revistës  së komunitetit Shqiptaro-Amerikan  për Nju Jorkun me titull “BOTIM I SHERBIMIT TE BASHKESISE SHQIPTARE”  që udhëhiqej drejtpërsëdrejti nga trimi dhe patrioti   Ahmet Zherka.

Edhe pasi u  lirua nga dënimi,   Z. Ahmet përsëri nuk e ndali veprimtarinë e tij patriotike në shërbim të çështjes kombëtare , ai  gjindet kudo   në krye të demostratave , në ndihmë të  shoqatave dhe individëve , në ndihmë të vullnetarëve të UÇK-së, gjithëandej ku  mund të kontribohej në ndihmë të çështjes kombëtare dhe bashkimit të trojeve shqiptare .

Me vitytet patriotike  të  kësaj familje ,  Shpresa  edukoi  fëmijët , djemtë dhe vajzat e saj.

Ilir Zherka./

Të gjithë e njohim dhe  kemi dëgjuar për  djalin e Ahmetit, Ilir Zherkën, Drejtorin Ekzekutiv në DC, qysh prej vitit  2002 .

Përpara se të  vinte në Uashington DC     zoti  Ilir ishte “Preisdent i Ligës Shqiptaro-Americane” dhe luftoi me devocion  për demokratizimin e ballkanit dhe mbrojtjen e çështjes kombëtare të Shqiptarëve që jetonin  kudo në trojet etnike të tyre.

Iliri  është   një ikonë drejtësie  në mbrojtje për  bashkimin,  trashëgiminë dhe të drejtave të çështjes kombëtare Shqiptare.

Dhe vajzat Ahmetit nuk ngelën pas.

Po ashtu edhe djali tjetër,  “Shqiponja”  e  Ahmetit u rrit po me ato virtyte.

Sefedin Ahmet  Zherka  realizoi ëndrën e tij  për tu bërë “shqiponjë”,  për të fluturuar  lart në qiejt  blu të pafund rreth globit.

Gjatë  Luftës  në Kosovë , 1998-1999 , Sefedini   vullnetarisht u tregua i gatshëm për  të sjellë me aeroplanin  e drejtuar  nga vetë  ai  drejt Amerikës, drejt  SH B A, drejt kontinentit të shpresës,  refugjatët Kosovarë që u dëbuan  me dhunë ushtarake  nga klika e Slobodan Milosheviçit gjatë pastrimit etnik  që ushtruan në Kosovë.

Është nder për ne  dhe  brezat që vinjë më pas, të mbajmë të gjallë, të kujtojmë patriotizmin dhe veprat e pavdekshëme të këtyre njerëzve të shquar.

Njëkohësisht   është  e pamundur që në këto  pak rrjeshta të rradhisësh të  gjithë veprat dhe  emrat  e   heronjëve dhe  patriotëve  të tjerëve që edhe jetën  nuk e kursyen në shërbim të  Shqiptarizmës.

Literatura

* Takimi,  Prof.Bajram Doka, Tomë Paloka  me Z. A.Zherkën,  dt. 12/15/12 ora 15-17 ( Tek Gjergj Dedvukaj-Giovanni pizza)

* Shqiptarët e Amerikës Vehbi Bajrami, faqe 490,491

* “ME SHQIPTARËT E AMERIKËS” – Qazim Doda – E vërteta e Ahmet ...

    www.youtube.com/watch?v=xfcsoPlz25k

* Libri i Vehbi Bajramit  “Shqiptarët e Amerikës”  faqe 490,491

* “Në moshën 48 vjeçare …………”. Nga Beqir SINA, New York, SHBA

* Botim  i   shërbimit  të bashkësisë shqiptare, viti I III-të ,Nr. 3,;f. 3~15.

Po aty, “Kryengritja e Armatosur e Malësisë së Gjakoves në vitin 1941”.

Filed Under: Opinion Tagged With: Ahmet Zherka, Bajram Doka, Gjakova Kreshnike

VISAR ZHITI: VATRA, METAFORA E ATDHEUT!

February 24, 2013 by dgreca

Shkrimtari i njohur shqiptar, fitues i Çmimit të Madh për Letërsinë për vitin 2011,i dekoruar nga presidenti i Republikës me titullin “ Mjeshtër i Madh”(2012), poeti disident, që u dënua në burgjet e diktaturës komuniste për poezi, përshkruesi mjeshtror i ferrit dantesk të  burgjeve shqiptare, të shtunën me 16 shkurt 2013, vizitoi Shtëpinë e Vatrës. Shkrimtari Zhiti u prit nga kryetari i Vatrës Dr. Gjon Buçaj, i cili i uroi mirësardhjen. Dr. Buçaj, duke iu drejtuar mysafirit të nderuar, tha se ishte kënaqësi, që Vatra priste në shtëpinë e saj, shkrimtarin më të shquar të Letërsisë Shqiptare të pas diktaturës. Në zyrën e kryetarit të Vatrës, Shkrimtari Zhiti, shoqërohej nga bashkvuajtësit e tij, Dine Dine, Lek Mirakaj, Esat Çoku, si dhe z. Zef Balaj, sponsor i udhëtimit. Kishte ardhur në këtë takim edhe këngëtarja Ermira Babliu, e cila ishte e ftuar edhe në festën e Pavarësisë që organizoi Vatra dhe bashkësia shqiptare në New York.(Lexoje te plote ne Diellin e printuar)

Filed Under: Kronike Tagged With: dalip greca, Visar Zhiti, vizitoi Vatren

PSE ULPIANA 2000 VJECARE ESHTE LASHTËSI DARDANE ?

February 24, 2013 by dgreca

NGA GËZIM LLOJDIA*/

Edi Shukriu vlerëson se qyteti 2 mijë vjeçar i Ulpianës dhe shumë objekte tjera trashëgimore nëpër lokalitete tjera, janë pasqyrë me të cilën mund të matet niveli kulturor dhe historik i Kosovës është shprehur arkeologia kosovare. Tek fytyra e Ulpianës, ne gjejmë një trashëgimi antike ngase kohë-formimi saj ngjet para pushtimit romak me një vijimësi dardane./

                             / Dardanët/

Po sjell disa tw dhëna ku kam kryer hulumtime:G. Novak Enciklopedia e “lashtë (1966)shkruan: Ulpiana. – Qendra romake afër Lipjanit sot dhe Gračéanica manastir në Prishtinës mbi Kosovën fushë (Jugosllavia pllajë në kufirin me Shqipërinë).Shkatërruar nga zjarri, Justiniani e ka rindërtuar dhe e quajti Iustiniana Secunda në Gračnica dhe rrethinat e saj janë gjetur mbishkrime dhe palët tjera ruhen në kishën e Graçanicës. Pranë Graçanicë u zbuluan rrënojat edhe gjera që tregojnë vendin ku ai ishte dikur Ulpiana dhe më vonë Iustiniana Secunda.

-Viale Vittorio në enciklopedia italiane shkruan:Dardani (Δαρδανεῖς,Δαρδάνιοι, Δάρδανοι, Daraăni). Njerëzit më klasike ilire që u ndahen kufijtë veriorë të Maqedonisë. Më saktësisht, Dardani zënë dy bankat e sipërme kurse dell’Axius (Vardar) dhe Marava, afërsisht në mes të headëaters e Timacus (Timok) në veri-lindje, si dhe ato të Dricon (Drin), në jug-perëndim. Sovrappostisi ndoshta një popullsi e vjetër, e skllavëruar, dardanët u ndanë në shumë fise, ndër të cilat më kryesore janë të njohura nga Straboni kryesore: ato të Galabrii dhe Thunatae. Dardanët ishin banorët më të hershëm të Kosovës së sotme.

-Etimologjia e fjalës dardan-shkruan, MA.Sc.Qazim Namani-rrjedhë nga gjuha indoevropiane dardj-a, në gjuhën shqipe dardha (vend i dardhave).[2] Fjala darda është fjalë shqipe që do të thotë dardhë, në trajtën dardan-os del se është sufiks pellazgjik,

mbretëria e dardanisë.

-Të parët e tij quheshin ilirë. Thotë prof I.Kelemendi,Këta qenë ndër arianët më të parë që patën ardhë në Europë.Vendi i tyre quhej Iliri. Fiset ilire: Ilirët kanë qenë të ndarë në fise: Ardianët, Laebetët, Liburnët, Autoariatet, Dalmatët, Dradhanët, Venetët si dhe mesapët dhe japuget që banojshin në pjesën e jugut të gadishullit italian. Përveç këtyre kishte edhe fise të tjera. Ky fenomen shpjegohet vetëm me përbamjen dhe natyrën e vendit ku banonin. Ndër fiset e Ilirvet,ma i madhi qe fisi i Dardhanevet. Vendi i tyre ishte Kosova e sodme deri në Nish dhe në Jug,në Vardarin e Sipërm deri në afrësinat e Manastirit. Kryeqyteti i Dardhanis ishte Shkupi i cili quhej atehere Skupi(Scupi).Vehej në dukje bukuria e gravet të tyre. Edhe sot ka mbete në Kosovë e në vende të tjera,kur duen të ekzaltojnë bukurinë e ndoji femre thonë:”Qenka si Dardhane”.

 

                     /Ulpiana, dhe pozita gjeostrategjike/

 

Ulpiana, e shquar edhe për pozitën gjeostrategjike, për herë të parë përmendet nga Ptolomeu në shekullin II. Lokaliteti antik romak dhe bizantin i Ulpianës është pa mëdyshje njëra nga qendrat më interesante arkeologjike në Kosovë dhe rajonin e gjerë të Gadishullit Ilirik ,thotë guida arkeologjike e Kosovës. Mirëpo në Ulpianë sipas studiuesve jeta këtu ka filluar më herët dhe gjurmët të shpien në periudhat parahistorike të hekurit dhe bronxi ose e njohur ndryshe si lashtësia dardane. Çfarë sollën pushtimet romake ?Kjo pyetje që ngrihet për origjinën e saj saktëson edhe mjaft teza se Ulpiana është një vazhdimësi e qytetërimeve ilir kryesisht në Kosovë.

Luftërat me Romen

Dardhanet përmenden si luftëtarë të mirë dhe rezistenca e tyre kundër maqedhonasvet e romakvet asht e ndigjueme thotë prof I.Kelmendi. Luftërat me Romen: Në vjetin 228 pr Kr u pa zbarkimi i parë i romakvet në Iliri,që sundohej asi kohe në pjesë të madhe prej mbretëreshës Teuta. Lufta nuk përfundoi me nji a dy beteja, por zgjati ma shumë se dy shekuj. Më 168 pr.Kr. konsulli romak Lucius Anicus kaloi si rrefe nëpër Iliri dhe pushtoi Shkodrën dhe në kalanë e saj zuni rob mbretin Gencius të cilin bashkë me të shoqen Etlevën dhe dy të bijtë e dërgoi në Romë,për të stolisur kthimin e tij trimfal. Mbas këtij suksesi Ilira u shpall provincë e Romes. Por në realitet lufta nuk pushoi aspak. Ilirët bëjshin vazhdimisht kryengritje. Sa pushonte a shtypej në njanën fishkullonte në tjetrën thotë prof I.Kelmendi,

                  /Ulpiana mes Romës dhe Konstandinopojës/

Të dhënat flasin se kjo qendër bëhet e rëndësishme gjatë periudhës së pushtimit romak. Ka një arsye të gjetur për rëndësinë e saj .Ulpiana gjendej mes Romës dhe Konstandinopojës. Përmendet edhe fakti, që Ulpiana është një kryqëzim pra një pikë ku priten në mes për rrugët që përshkonin nga detet drejt steres, pra nga Adriatiku në Egje,në detin e Zi,apo një nyje që takohej pranë Ulpianës Via Lissus­Naissus dhe Scupit, Duke ndjekur vijeshmërin e këtij siti arkeologjik, thuhet se themelimi i saj pra ,që u njoh si qendër komunë Municipium Ulpianum besohet të ketë qenë viti vitin 169 e.s. Arritje për këtë sit duhen cilësuar kohët mes shekujt e III dhe IV të e.s. ku zhvillimi i Ulpianës arrit kulminacionet e saj. Kjo pasqyrohet në fushat prioritare ,ekonomi ,kulturë,zhvillim urban .Zbulimet kanë gjetur objekte të cilat kanë funksionuar si rrugë,ujësjellës,godina publike. Nga një befasi që mund të zbulohet është se gjatë sundimit të perandorit Justinian në shekullin VI, kohë kjo kur Ulpiana riemërohet në Justiniana Secunda.

Të dhëna për qytetin janë Ulpiana janë:Ulpiana rrethuar me mure deri në 3m dhe me nga dy kulla çdo 27,5 m ka trajtë të parregullt katërkëndëshi. Sipërfaqe prej 35, 5 ha.

                /Emërtimet që shënojnë Ulpianën/

 

Gjenden disa emërtime të tilla kur flitet për Ulpianën sidomos për kohë-themelimin e saj.

“Ulpiana është një qytet romak i themeluar në fillim të shekullit II nga perandori Trajan. Mirëpo kjo tezë nuk mund të pranohet në këtë mënyrë pasi dëshmitë arkeologjike vërtetojnë një kohë themelimi të sajën para romake. Është i vërtetë fakti, që pushtimet romake sollën zhvillime në disa fusha duke kryer transformime të mëdha. Këto zhvillime vrehen në të gjitha trojet dardane, por identifikohet Ulpiana si qendër e zhvilluar dhe më e përparuar. Ajo, që kërkon saktësim është se në kohën e perandorit Trajan fitoi statusin e qytetit. Një nga të dhënat interesante është fakti se në mesin e shek. II në Ulpianë nga administratori dardan Licin ishin flijuar Flori dhe Lauri, dy martirët e përhapjes së krishterimit.

Paganizmi,thotë prof I.Kelemendi,Besojshin në shumë perëndi: Medaurus, Binaus,Latra,Seutona etj. Kristainizmi tek ilirët përmend faktin se ilirët ishin ndër të parët popuj në Evropë që erdhën ne kontakt me Kristanizmin. Në vitin 53 Shën Pavli predikoi Ungjillin ndër ilirët,ndërsa 4 vjet më vonë nxënësi i tij Titus.Ne shekullin e V-VI,Durrësi dhe Nikopoli u bën qendrat më të forta të kristianizmit në Iliri Mbas tyre vinte Shkodra,Tivari. Në kohën e Justinianit Shkupi u bë kryeqyteti moral dhe administrativ i krejt Ilirisë.Të dhëna të tjera për krishterimin në Iliri gjejmë tek Ëikipedia ku thuhet se :Krishterimi në Shqipëri është ngritur mbi një bazë apostolike. Pozita gjeografike e saj e bën këtë të pashmangshme. Ungjilli i krishterë u fut për herë të parë në Evropë nga apostulli Pal në Filipe të Maqedonisë.(41) Pastaj, duke udhëtuar drejt perëndimit, përmes rrugës Egnatia, ai predikoi në Selanik, qyteti më i madh në atë rrugë. Më vonë, ai u bë qendra nga ku krishterimi rrezatoi mbi Athinë e Korint, si edhe mbi provincën e Ilirikut. Është interesant fakti se si udhëtimet e Palit ndiqnin besnikërisht rrugët romake dhe se si përgjatë tyre shtohej zinxhiri i bashkësive të hershme. Me të vërtetë, një udhëtim prej 270 km nëpër rrugën Egnatia, nga Selaniku drejt perëndimit, do të depërtonte deri në zemrën e Shqipërisë. Pikërisht këtë rrugë ndoqi apostulli Pal. Gjatë udhëtimit të tij të tretë, rreth vitit 59 pas Kr., ai i shkruante bashkësisë së krishterë të Romës se “që nga Jeruzalemi e përqark në Ilirik u kam predikuar të gjithëve ungjillin e Krishtit.”(42) Parafjala greke “në”(Ilirik) është e dykuptimtë, pasi nënkupton një përdorim përjashtues ose përfshirës.(43) Pali nuk u shpreh qartë nëse ai e kishte çuar ungjillin e krishterë deri në kufirin ilir apo nëse ishte futur me të edhe në provincë.

Edi Shkriu shkruan: Krishterimi në Dardani nisi të përhapet herët dhe u bë fe zyrtare nga shekulli IV si dhe në gjithë perandorinë romake. Dardania në përgjithësi u bë edhe udhëkryq i përplasjes së doktrinave kishtare, të asaj lindore dhe perëndimore, nga të cilat pas shekullit XI u krijua trashëgimia kulturore katolike dhe ortodokse e banorëve të Kosovës. Gjurmët e kishave të shumta dhe toponimet, si janë Lisi i popit apo Lisi i priftit, i dëshmojnë këto ndarjedhe, mes tjerash, edhe manifestimi i Shën Gjergjit sipas kalendarit katolik apo ortodoks, ky i fundit i manifestuar edhe nga banorët shqiptarë të besimit islam.

 

                             /Kategoria e mbrojtjes: kombëtare/

 

Ulpiana i është dhënë statusi kombëtar arkeologjik faqe në vitin 1955, nën Rezolutën nr

vEK21/55, i cili siguron një nivel të kategorisë së Mbrojtjes .

Të dhëna të tjera për Ulpianën janë:Ulpiana / Iustiniana Secunda zë një pozicion të imponuar brenda piktoresk rrethinat e maleve të ulëta për Lindjen e (zona minerare) dhe të mrekullueshme horizonti drejt fushave Kosovës. Kërkimore arkeologjike, si dhe zbulimi i një amfiteatër dhe ndërtesa të tjera të rëndësishme, i jep një potencial të madh për të përdorur për arsimin e trashëgimisë dhe respektit të ndërsjellë të njerëzve lokale, veprimtaritë kulturore, rekreative, dhe ekonomia turistike të zhvillimit.

Kompleksi arkeologjik Ulpiana është i përbërë nga:

Nekropoli 1) kala / Castrum 2) Qyteti, 3) Nekropoli Veriore, 4) perëndimore, 5)Southern Nekropoli 6) Tuma Arat e Cerkezit (Čerkesko Polje) dhe 7) TumaCernica.Shkalla e arkeologjike (më shumë se 35 ha) është vetëm pjesërisht gërmohet (2%). Gërmimet arkeologjike filloi në 1954 dhe periodikisht vazhdoi deri në vitin 1997.

*Mrs.Anëtar i Akademisë Evropiane të Arteve

Autori ka qene Drejtor i parqeve arkeologjike te Vlorës

 

Filed Under: Histori, Kulture Tagged With: 2000 vjecare, Gezim Llojdia, Ulpiane

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT