• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2013

5 VJETORI I KOSOVËS PA FLAMUJ KUQ E ZI E PA EUFORI

February 19, 2013 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Pesëvjetori i festimit të pavarësisë të Kosovës ishte diçka ndryshe ngasa kemi parë rëndom, kur festa e pavarësisë të Kosovës bëhet ndërkohë shprehje e ndjenjës së identitetit kombëtar. As veprimtarët e Vetëvendosjes nuk ndërmorën ndonjë veprim për të vendosur natën flamujtë kombëtarë të kuq si gjaku me shkabën e zezë dykrenore. U tregua disiplinë.

Kishte vetëm flamuj të shtetit të Kosovës, që për nga ngjyrat ngjajnë me atë të Bashkimit Europian, veç ndryshojnë nga numri i yjeve.

Vëmendja u përqëndrua tek Newborn-i. Kush kishte vendosur firmën e tij ta harrojë sepse tani Newborn ka një look të ri dhe interesant, me një mori ngjyrash pa fund, të flamujve të 98 vendeve që e kanë njohur shtetin e ri të Kosovës.

Pesëvjetori kaloi bukur e qetë. Shteti amë kishte dërguar presidentin e republikës të Shqipërisë i cili ishte i pranishëm në të gjitha aktivitetet që institucionet e Kosovës organizuan më 16 dhe 17 shkurt. Mungonte kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, për shkak të retorizmit absurd të kohëve të fundit, i cili ka filluar prej festimeve të 100 vjetorit të pavarësisë dhe nuk u ndal as gjatë këtyre ditëve, për konsum të fushatës politike të zgjedhjeve të 23 qershorit.

Edhe Jozefina Topalli kishte prani të reduktuar. Ishte në seancën parlamentare, por jo në paradë.

Duket se institucionet e Kosovës kishin marrë këshilla nga aleatët tanë jetikë që të ishin të kursyer me ftesa, me retorikë dhe me eufori. Në fund të fundit e çfarë do të fitonte Kosova nga retorika? Asgjë! Po Shqipëria? Asgjë! Po liderët? Veç do të krijonin shqetësim, ankesa, fqinjët do të na tregonin me gisht! E për çfarë? Të fajësohesh për retorikë është skandaloze! Retorika është në vetvete skandaloze! Aq më tepër kur ka kosto për shqiptarët!

Të duket çudi, që institucionet e Kosovës nuk kishin ftuar kryeministrin e Shqipërisë. Por kjo është e vërteta. Ky ishte çmimi që Berisha mori për konsumim të retorikës. Sepse Kosova nuk ndihmohet me tirada retorike, Kosova dhe shqiptarët dëmtohen nga tiradat e retorikës, ashtu si edhe vetë Sali Berisha. Kosova ndihmohet me veprime dhe vepra. Rruga e Kombit po!

Kosova e festoi 5 vjetorin e pavarësisë pa inflacion deklaratash, pa inflacion dekorativ. Jam e sigurt se shqiptarëve të Kosovës u ka munguar flamuri i kuq, sepse ata janë më patriotë se shqiptarët e shtetit amë, por duket u veprua kësisoj për të evituar dhe harruar disi shijen e kripur të retorikës pikante të Berishës me nacionalizëm fiktiv.

Sepse ne shqiptarët jemi këta që jemi, por nacionalistë nuk jemi. Nuk jemi as patriotë. Shikoni si i kujtojnë sot SHBA baballarët e Kombit, ndërsa baballarët e Kombit tonë vazhdojnë të mbeten të varrosur dhe vetëm me rastin e 100 vjetorit të shtetit ua pamë disi fytyrat nga një ekspozitë e piktorit Arben Morina. I pamë sa një flash fotografik. Kaq, për fushatë, për eufori feste!

Prandaj Kosova veproi shumë mirë që e festoi 5 vjetorin me këmbë në tokë dhe nëse ka dëgjuar këshillat e aleatëve tanë jetikë, ka vepruar shumë mirë. Ky është një leksion që i bëhet Sali Berishës. Flakë për flakë. Le ta mohojë po të dojë. Si veprojnë yesmenët e tij, ata që ia mbushin mendjen se është lideri diell, që e bëjnë të fluturojë në jerm dhe të mos e shohë realitetin. Kështu ia kanë bërë yesmenët gjithnjë dhe kur ka ardhur puna pastaj e kanë braktisur. Por puna e liderëve politikë kështu është, vijnë e ikin, ndërsa çështja është që të mos dëmtohen interesat e vendit dhe shqiptarëve, çështja është që shqiptarët të integrohen aty ku e meritojnë të jenë, si pjesë integrale e Europës së Bashkuar.

Kosova dhe Shqipëria festuan qetë dhe pa eufori, por kjo nuk ndali që shqiptarët e Shqipërisë të vinin për dy orë e ca nga Tirana në Prishtinë për të shijuar festën pa nevojën e kronikave televizive dhe komenteve të gazetarëve.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: 5 vjetori i Kosoves, Elida Buçpapaj, pa flamuret kuq e zi

GERMIMET ARKEOLOGJIKE NE ZONEN E HIMARES -SHPELLA E SPILESË SI GERMOI CARDINI NË STROFKULLËN E CIKLOPIT NË VITIN 1939

February 19, 2013 by dgreca

NGA GËZIM LLOJDIA/
Shpella   e Himarës me emërtimin:Shpella e Spilesë është shpallur monument kulture  me vendim e  Rektoratit të universitetit shtetëror të Tiranës ” Nr.6, datë 15.1.1963- “Mbi shpalljen e monumenteve të kulturës. 2. Shpella e Spilesë, në fshatin Himarë.
 Shpella e Spilesë në këtë vendim renditet e dyta pas shpellave  të fshatit Velcë në zonën e lumit të Vlorës,   u përkasin  kulturës së neolitit të vone të  mijëvjeçarit III p.e.re.Mirëpo shpella në Spile kujt kohei përket? Shpella e Spilesë a është në të vërtetë shpella  e Ciklopit?
 Zëra mediatik  përcjellin në kujtesë tonë emrin e  Odisesë dhe kthimin e tij në Itakë,gjatë këtij udhëtimi   të pambarimtë, skena e  ndeshjes me Ciklopin mbetet një krijim i shkëlqyer i mitologjisë. Përtej cipës së mjegullt  7 fshatrat, që  prek çdo mëngjes  firoma  e detit janë në një trandje të vazhdueshme historike  e mitike. Gërmadha të çmuar të tokës shqiptare për shekuj  janë  ruajtur me fanatizëm nga nëntoka jonë .Kohët qiellore  nuk i fshinë dot gjurmët. Ajo është  plotë dhe vetëm me  thesaret arkeologjike, që presin ndriçimin në dritë se një histori  e vërtetë shkencore e saj duhet shkruar. Nga objektet arkeologjike sipas informatave të fillim vitit ‘ 91  nw brig jet shqiptare të detit Jon, nga Kepi i Gjuhëzës gjer në Kapoqefal të Sarandës, janë zbuluar 20 fortifikime pre-historike. Një ndër ato objekte historike është shpella e Spilesë.
Pozicioni i Qarkut Vlore dhe përshkrime te shkurtra(Guida  e trashwgimisw kulturore tw qarkut Vlorw)

Qarku Vlore është i përberë prej rretheve Vlore, Sarande, Delvine. Shtrihet ne pjesën jugperëndimore te vendit dhe laget nga deti Adriatik dhe deti Jon. Qendër e Qarkut është qyteti i Vlores, e cila është qendër tregtare, industriale dhe e ndërlidhjeve te shumta.Himara .Ne krahinën e Himarë bëjnë pjese qyteti  i Himares se bashku me fshatrat Palas, Gjilek, Dhermi, Iliaz, Vuno, Qeparo, Kudhes, Piluri. Krahina e Himares shtrihet përgjatë bregdetit te detit Jon, duke filluar nga veriu ne Llogora e deri ne lumen e Borshit ne Jug. Nga veri- lindja, lindja dhe jug-lindja rrethohet nga vargmali  i Akroceraunit me majën me te larte atë te Çikës me lartësi 2045m mbi nivelin e detit. Ne krahinën e Himares rrjedhin përrenjtë e Ksarrollakos, te Polopotamo, te Gjipes, te Vishes dhe te Qeparoit, te cilët ne periudha shume te nxehta te vitit mund dhe te shterojnë. Gjiret kryesore ne det janë ato te Spilese dhe te Panormit (Porto-Palermos).

Pasurite kulturore, historike dhe artistike prezente
Ne territorin e Bashkise Himarë objektet kryesore te cilat përbejnë pasuri kulturore, historike dhe artistike janë: Ne Gadishullin e Karaburunit: guroria romane Gramata, kisha e Shen Adreas.
 Ne Dhërmi: Manastiri I Panajase (Shën Mërisë), Manastiri i Shen Thodhorit, kisha e shen Stefanit, Shpella e Pirateve, shpella e Parashqevise, kisha e Shen. Nikolles, lagjia e vjetër e fshatit Dhërmi me shtëpitë e ndërtuara me arkitekturën karakteristike, Kulla e fisit Vretos dhe Kulla e fisit Kumi etj. Ne fshatin Iliaz: manastiri I Stavridhit. Ne fshatin Vuno: shtëpitë me arkitekturën karakteristike te zonës. Ne fshatin e vjetër  Himarë: Kalaja e Himares është një fortifikim qe i përket shekullit te 3-te para erës sonë dhe vazhdon ne periudhën e mesjetës. , Kisha e Akipeshkopise, kisha e Kasiopise, kisha e Shen Pandon, kisha e Athalit, lagja e vjetër me shtëpitë me arkitekture karakteristike.
Ne qytetin Himare:Shpella e Omerit e cila I ka dhene dhe emrin qytetit (Spile), kisha e Shën. Marinës. Ne Panormi: Kalaja e Porto-Palermos dhe Kisha e Vasilikes (gruas se Ali Pashes). Kjo kala thërritet ndryshe edhe Kalaja Pashe Tepelenës, ndodhet ne afërsi te Himarë, ne gjirin me te njëjtin emër. Kjo kala u projektua nga nje inxhinier francez ne formën e një pesekendeshi. Porta e hyrjes ndodhet nga ana e lindjes. Muret janë te trashe 1.6m. Ne shënimet e tij konsulli francez Pukevil shënon se me 1806 ali Pashe Tepelena, i rezervoi atij nje pritje ne kalanë e Kastrise, Himare. Sipas studiuesve te quajtur te bregdetit Janko Palit, ne ballin e portës te kësaj kalaje jene te gdhendura me germa greke ne stilin bizantin.  Ne Qeparo: fshati  i vjetër Qeparo me shtëpitë e ndërtuara me arkitekturën karakteristike, shtëpia e Ali Pashes, Manastiri I Shen. Dhimitritit, Kembanaria e kishës se fshatit Qeparo, Kalaja e Vjetër etj.
Hulumtimet kryer  në këtë zonë flasin për disa ekspedita dhe shënime udhëtarësh,gjeograf apo arkeolog. Ne vitin 1939, arkeologët kryejnë  gërmimet e para në shpellën e Spilesë (Himarë), botuar nga .Domeniko Mustilli, gërmimet para ne shpellën e Spilese (Himarë), botuar nga D.Mustili, provoi se shpella ishte banuar ne Epoken e Neolitit te Ri(3000-2100 p.Kr.)Një fakt që njihet është se për  Cardinin kemi një i formacion të bollshëm  nga arkeolog dhe studiues të Institute of Ëorld Archaeology, University of East Anglia, Norëichtë cilkët shprehen se ka  regjistruar mbi 60 shpella natyrore në fshatrat lumit të Vlorës  e Vlorës  më saktësisht 10 shpellat e Velcës  dhe Sarandës më shkoqur në pjesën jugë-perëndimorë nga shpellat e Karaburunit në Sarandë. 1971-1990 JANO KOCI drejton gërmimet në fortifikimet prehistorike ne Karos, Ngure e Kukum.(Qeparo). Ne kodrën e Sopotit zbulon, fortifikimin parahistorik dhe akropolin, banesat dhe nekropolin e qytetit antik. parahistorik, linjën e murit, hyrjet, dhe banesat e qytetit antik si dhe varet me ndërtim monumental. Ne kalanë e Himarë, zbulon, fortifikimin ne Kastane. Një banese antik te fortifikuar ne Borsh, një vile e romake, dhe një vendbanim mesjetar Qeparo. Arkeologet N.Ceka viti 1984,Muzafer Korkuti 1981 drejtojnë respektivisht gërmimet ne një banje romake ne Spile dhe ne fortifikimin parahistorik ne Badher të  Borshit. Në vitin 2002-2003Ilir Gjipalit me gërmimin shqiptaro-anglezë në  shpellën e Spilesë provuan banimin e saj që në epokën e mezolitit (8000 vjet p.kr ). Përmendet për herë te parë në mbishkrimet e Theorodokëve te Delfit.  Ne shek. I m.Kr., PLINI referon fortesat Himara dhe Meandria(Sopoti) Akrokerauneve. Ne shek. III-IVm.Kr,ne tabelën Peutigeriana Acrocceraunia përmendet si një stacion i rendesishem ne rrugën  ne Foinike .Vitet(527-565). Himara, përmendet nga Prokopi i Cezarese si fortesë, ndërtuar nga Justiniani. Ne vitet 528-548. Stefan Bizantini i fundit, përmend krahinën me emrin Kaonia. Mbas këtyre viteve krahina do përmendet me emrin e Himarë.
 Burimet e shkruara, dëshmojnë se Himara ne lashtësi ishte vendi   i fisit të Kaoneve, fisi rëndësishme i Epirit,krahas Molloseve dhe Thesproteve. Fiset Kaone zotëronin Epirin para mollosëve. Plini (referon se emri Kaoni, vinte nga kaonet e bregdetit te Akrokerauneve, ku ndodheshin fortesat Himaira, poshtë se cilës ndodhej burimi i ujit mbretëror, e me tej Meandria(qyteti antik ne Borsh), Kestrina etj.
 Cardini ka  regjistruar mbi 60 shpella natyrore
Karen Francis, Institute of Ëorld Archaeology, University of East Anglia, Norëich shkruan: Në qershor të vitit 2000, një ekip arkeologësh nga Instituti i Arkeologjisë Botërore, Britania e Madhe, dhe Instituti Shqiptar i Arkeologjisë ka filluar një studim në terren në Shqipërinë e jugut. Qëllimi i projektit ishte të ri-gjetur një numër i “humbur” shpella prehistorike dhe faqet sipërfaqësore që janë hulumtuar të parë në vitin 1930 nga një arkeolog italian, Luigi Cardini. Në vitin 1930, drejtori i Misionit Arkeologjik Italian në Shqipëri, Luigi Maria Ugolini, rekrutohen Cardini si prehistorian të misionit. Ndërmjet viteve 1930 dhe 1939, Cardini udhëtoi gjerësisht në të gjithë Shqipërinë jugperëndimore dhe, me ndihmën e një udhëzon disa përkushtuar shqiptarë, plotësisht dhe regjistruar mbi 60 shpella natyrore.
Sezoni  i vitit 1939 Cardini ,vijon K. Francis,  u zhvillua gjatë dhjetë ditë dhe, për aq sa dimë, ishte vizita e tij e fundit në Shqipëri, edhe pse ajo ishte edhe më produktive e tij në drejtim të hulumtimit. Në qershor të atij viti, vetëm dy muaj pasi trupat e Musolinit kishte pushtuar Shqipërinë, shpërnguljes Mbreti Zog, Cardini ka  hulumtuar shumë në bregun lindor ku ai ka bërë disa nga zbulimet më të rëndësishme arkeologjike. Fletoret e tij tregojnë se ai udhëtoi gjerësisht në zonën midis Sarandës dhe Vlorës dhe ishte ende në vijim të informacionit të tij, që ishin raportuar  nëntë vjet më parë. Gjatë këtyre dhjetë ditëve të fundit në Shqipëri, Cardini zbuloi site me  sipërfaqja paleolitit në Xarrë; shpellat e Himarës dhe Shën Marina dhe  strehimet në gur apo shpellat eKanalit. Një muaj më vonë, Cardini  me padurim  ia kalojë rezultatet e ekspeditës së tij Mustilli:
“Ajo nderon mua për të ofruar për Shkëlqesisë tuaj një raport të shkurtër mbi rezultatet e kërkimit paleontologjisë kryer në emër të Misionit Arkeologjik Italian në Shqipëri, drejtuar nga vetë …… Ky hulumtim na mundësoi të konstatojë ekzistimin e një depozitë të madhe paleolitit në  sipërfaqe në afërsi të fshatit Xarrë, një  strehim në gurë(shpellë)në shpatet e maleve  të Kanalit dhe një kompleks i pesë shpellave  ngjitur në afërsi të fshatit Himarë, me reliket e bollshme të  një kulture Eneolitike në bazën e tyre ….. Këtofaktor paleoliti, të cilat për herë të parë janë të sinjalizuara në Ballkan, jep rëndësi të madhe në  Xarrë. Gjetjet  janë thirrje për një studim sistematik të zonës, i cili duhet të plotësohet nga hapja e një numri të  madh llogore  të gërmimeve. Këto me siguri do të japë të dhëna të sigurta për depozitimin dhe gjithashtu mund të zbulojnë të dhëna të dobishme për faunë, një interpretim më të saktë të depozitimit ‘[Istituto Italiano di Umana Paleontologia (IPU), Cardini Njoftomi 4 korrik 1939].
Zbulmi Cardini viti 1939
Nga shpellat ekzaminuara gjatë anketës, një ose dy zbuloi prova të mrekullueshme të pushtimit parahistorike. Me interes të veçantë ishte një shpellë të madhe në qytetin bregdetar të Himarës, ku kishte Cardini  me punëtorët shqiptarë kryen  gërmime në vitin 1939:”Shpellat Himare: kjo shfaqet në lokalitetin e Spilesë, në afërsi të bregdetit Adriatik ….. Një hendek fillestar gjykimi kryhet në 4 qershor u zgjeruar dhe thelluar më 8 dhe 9 …….. Unë e bëra  një verifikim në  natyrë e cila qe  mjaft vend interesante, i cili do të kërkojë një fushatë të gjatë gërmimeve-shumë premtuese në drejtim të rezultateve për shkak të masës së depozitimit, bollëku i mbetjeve arkeologjike dhe fauna dhe më  rrallë stratigrafike qarta ,mendova nuk  është më të mirë që depozitat brenda saj, të cilat mund të hulumtohen direkt në një moment më të favorshëm, duke përdorur mjete dhe pajisje të sugjeruara nga IPU [shkencës ‘: Cardini, 4 korrik. 1939 notebook].Në mbërritjes në Himarë, ne kaluan pjesën shkëmbore të Gjiri i Spilesë dhe në atë që ishte një port i vogël, përshkruar nga Cardini:
 “Fshati shtrihet në kodrat e vogla,të cilat në veri mbyllen  jashtë portit të vogël që është mbyllur nga dydegëzim shkëmbore arritur në det. Degëzimi gjithashtu formojnë një plazh të vogël, e cila ka disa shtëpive dhe një hotel i vogël.
 Tre nga shpellat e hapura dhe këto janë aq afër sa për të formuar një depozitë të vetme në faqen e pjerrët në bazën e saj, 20-25 metra të gjerë.
 Dy shpella, të cilat duken të jetë e mjaftueshme, por ulet  disi, hapur në një nivel më të lartë, pak më shumë se 100 metra nga të tjerët.
 Shpella që provuan ka një hyrje tetë metra të gjerë, është 32 metra e gjatë, gjashtë deri në shtatë metra e lartë dhe është më i madhi i të gjitha ‘[IPU: Cardini 1939 notebook].
 Skena qetë, përshkruar nga Cardini nuk ishte më e dukshme. Plazhi që përmbante vetëm një hotel të vogël dhe disa shtëpive ishte bërë një -qytet para  dhe shpella që e mbante  aq shumë potencial për Cardini nuk ishin më të dukshme nga buza   e ujit. Duke shqyrtuar fytyrë shkëmb brenda nxisë jugore të plazhit të zhvilluar, ne ishim në gjendje për të gjetur tre nga pesë shpellat ilustruara në hartën Cardini së, shpella 1, 2 dhe 3 (Shpellë 1, shpella më e madhe ku Cardini kryer gërmime të suksesshme, ishte ende e paprekur, por e  fshehur prapa themeleve  konkrete të një hoteli të ndërtuar pjesërisht
 Shpella ka një hyrje të madhe dhe shtrihet për rreth 30 m në kodër. Brenda, atmosfera ishte e lagësht, me myshk dhe alga. Edhe pse pjesa e shpellës ende duket të përmbajë depozitat e thella që Cardini  ka marrë mostra, sipërfaqja  është mbushur me mbeturina. Si rezultat i kësaj mbeturinave nuk ishte e mundur për të vëzhguar hendek, nga e cila ai u gjet kockave të kafshëve, mjetet stralli, qeramikë dhe vatrat, nga mbi dy metra e stratigrafia (Mustilli, 1941). Ky material është datuar në periudhën Eneolitikë, helenistike dhe periudha romake. Edhe pse Cardini  solLi përfundimin se Shpella 1 ishte edenjë për hetim në  të ardhmen shkencore, ajo nuk ishte në gjendje të kthehet atje dhe sot shpella dhe depozitat e tyre në masë të madhe janë të rrezikuar nga zhvillimi i ndërtimit modernë.
 Shpellat e  Himarës tani të kërkojë një rivlerësim të hollësishëm, para se arkeologjia e  vlefshme  Cardini është shkatërruar përgjithmonë.

Filed Under: Featured Tagged With: Cardini, Gezim Llojdia, Shpella e Spilese

NJE RREFIM I RRALLE PER MASAKRAT GREKE KUNDER SHQIPTAREVE

February 19, 2013 by dgreca

Ervehe Grabocka: Ju rrëfej masakrën e Panaritit nga “andartët” grekë/

95 vjeçarja vjen në një rrëfim të rrallë për masakrat e andarteve greke ne Panarit/

Nga Raimonda Moisiu & Skënder Demolli/

Ervehe Grabocka –Bacelli është një nga veteranet më të vjetra në moshë dhe gruaja më heroike që ka nxjerrë Grabocka, e cila edhe sot akoma me një fizik e kujtesë interesante e të admirueshme ruan tiparet e një gruaje fisnike, të fortë e të zonjën. Është shëmbull i gjallë i vitalitetit të një gruaje në moshën e tretë, (sot ajo i ka kaluar të 95 vjetët),dhe kujtdo që i bie rasti të takohet me Ervehenë, ngelet i çuditur se si ajo shpalos dimensione të perceptimit të dukurive e ngjarjeve në kohë e pa kohë, në ecje me kohën, që ia kanë treguar të parët e saj apo përjetuar edhe vetë, me forcën e logjikës, kujtesës dhe intelektit, që e bëjnë portretin e saj të dallojë, -gjë që ia rrit vlerat kësaj zonje të hekurt e të madhërishme. Sigurisht mosha bën të sajën por nga goja e Nënë Ervehesë, askush nuk dëgjon të ankohet për shëndetin dhe pleqërinë, apo çfarëdolloj ankese që zakonisht, bëjnë në përgjithësi, sidomos pleqtë, por meraku i kësaj zonje idealiste qëndron ende për lirinë shpirterore, e intelektuale të popullit të saj e më gjerë-idealit për Liri & Demokraci-që ajo luftoi. Fillimisht le të bëjmë një retrospektivë se kush është Ervehe Grabocka-Bacelli..
Ka lindur në Grabockë, fshat në thellësi të maleve të Korçës, në zonën ku ndahet Korça me Skraparin. Fshatin e saj e ndan një përrua me fshatin Backë të Skraparit. Është e bija e Bektash Grabockës (1870-1956) nga Panariti, dhe Zylfie Shtyllës (1890-1981) nga Shtylla. Dy prindërit e saj vijnë nga një familje me tradita të mëdha luftarake, patriotike, arsimdashëse që i kanë dhënë Shqipërisë burra të mëdhenj si luftëtarë për liri apo burra shteti, si Dëshmorin e Kombit, Qazim Panaritin, (1866-1918), i cili ka qenë xhaxhai i Ervehesë, Medar Shtylla, (1888 – 1963), daju i saj, Behar Shtylla,(1918-1994), kushëriri i parë,dhe Myftar Grabocka, (1917) vëllai i Ervehesë , është edhe halla e regjisores së shquar shqiptare, Vera Grabocka, etj, burra dhe gra të shquar që i ka njohur Shqipëria. Duhet përmendur se paraardhësi i shtatë i Ervehesë takohet me themeluesin e Korçës, Iliaz Bej Mirahorin, (Ilia Panariti) që ishte nip i Papa Petro Panaritit (1360-1440), stërgjyshi i Ervehesë. Vetë Erveheja ka qenë luftëtare në radhët partizane që me krijimin e formacioneve të para luftarake. Ajo është dalluar në luftime me armikun dhe mban dekorata të shumta që tregojnë se ka qenë një luftëtare dhe punëtore e palodhur në shërbim të kombit dhe shqiptarëve. Që në fillim të vitit 1942 Erveheja u aktivizua nga Lëvizja Nacional-Çlirimtare për të ngritur në luftë fshatrat Grabockë dhe Panarit së bashku me tre shoqe të tjera të cilat kanë qënë, Noi Polena, Antigoni Gjançi dhe Anie Vila. Këto gra bënë të mundurën, që disa vajza prej këtyre dy fshatrave të dalin partizane. Erveheja doli partizane në fillim të vitit 1944 së bashku me tre vajza të tjera nga Grabocka; Sedie Sejfulla Selenica, Përparime Brahim (Abazi) Cane dhe Vajide Jaupi. Erveheja u inkuadrua në Brg. XV S. në batalionin e parë me komandant Selman Vishocicën dhe komisar Hamdi Babanin. Pas çlirimit Erveheja ka punuar në Kryqin e kuq Shqiptar, në fillim në Voskopojë së bashku me tre shoqe, Përparime Cane, Meleqe Protopapën dhe Dadenë e Porodinës.- kështu e njihnin të gjithë korçarët. Në Voskopojë ajo u njoh me burrin e saj të ardhshëm, i cili punonte si sekretar lokaliteti. Më pas ajo punoi në Korçe derisa u martua me Ademin, një nga ish partizanët më trima i cili ka mbajtur medaljen e Trimërisë dhe ka qenë korrieri i Shtabit të Brg. IV S. Ademi vdiq papritur në moshën 65 vjeçare nga një atak kardiak dhe u varros në Lezhë në vitin 1987. Kujtesa e saj është e plotë, e saktë dhe e veshur me mëncuri, urtësi e pasion rrëmon në “arshivat e kujtesës”, tregon ngjarjet sikundër kanë ndodhur atëherë me qetësi. E ndërpret bisedën për një çast, pi pak lëng frutash, na pyet nëse duam kafe tjetër, dhe më pas vazhdon bisedën për të na sjellë ngjarje të dhimbshme e copëza jete të vyera për historinë e kombit, vecmas në këtë bisedë ajo na rrëfen për Masakrën e Panaritit nga “andartët” grekë, sikundër e kanë përjetuar dhe qënë pjesë e asaj masakre, prindërit e Ervehe Garbocka –Bacelli.
Masakra e Panaritit – rrëfyer nga Nënë Erveheja.
Në shtëpinë prindërore të Ervehesë u krye një nga masakrat më të tmerrshme të grekut në zonën e Korçës. Maskara filloi pasi komitët shqiptarë me Th. Gërmenjin në krye i ndalën andartët disa herë të hyjnë në Zonën e Vakëfeve duke i vënë përpara si lopët dhe duke vrarë shumë prej tyre. Njëra nga ato beteja ishte ajo e 15 janarit të 1914, kur komitët qenë në Panarit, qeveria shqiptare dha urdhrin e gabuar që z. Themistokli Gërmenjit, i cili qe kajmekam (nënprefekt) në Skrapar, të vejë në Kolonjë të marrë në dorëzim detyrën, se grekërit do të hiqen prej Kolonjës. Grekët i prisnin t’i çarmatosin dhe pastaj me siguri t’i vrisnin. Themistokli Gërmenji, siç e thashë ishte në Panarit në shtëpi të Dajlanit bashkë me Sali Butkën e me të tjerë trima shqiptarë. Në atë kohë ngrihen fshehurazi grekut në Kolonjë patriotët kolonjarë, Tike Prifti Spirua dhe Xeka i vëllaj i Nucit nga Trebicka dhe venë e piqen me shqiptarët në Panarit, u rrëfejnë fuqinë e grekërvet, atëhere shqiptarët përmbledhin fuqinë e tyre dhe filloi lufta e madhe e papritur në Qesarakë dhe në Selenicë të Pishës, ku vriten 30 grekër, 4 plagosen dhe 2 grekë bien rob në duart e shqiptarëve. Andartët u tërbuanë dhe sollën përforcime të shumta.
Strukturat ushtarake greke organizuan “Batalionin e Shenjtë”, i përbërë nga kriminelë lufte, dezertorë dhe të burgosur nga burgjet e Greqisë, të cilët më vonë do të njiheshin si “Andartët”. Ky batalion kreu masakra në të gjithë Jugun e Shqipërisë, duke vrarë mijëra gra dhe fëmijë për të spastruar zonën nga shqiptarët pasi më parë kishte pastruar Çamërinë dhe Gjirokastrën.
Fushata antimyslimane (kupto antishqiptare) e andartëve grekë, në fakt prapa tyre ishin kisha dhe qeveria greke, bënë edhe masakrën e Panaritit që nuk do të harrohet kurrë nga përmasat dhe egërsia me të cilën u krye.
Kjo ndodhi në atë kohë siç e quajmë ne korçarët, Greku i Parë, gjatë Luftës së Parë Botërore. Pushtimi i të ashtuquajturës Vorio Epir nga Greqia u bë në prag të Luftës së Parë Botërore, menjëherë pasi qenë caktuar kufijtë e Shqipërisë nga Fuqitë e Mëdha europiane. Ata hynë në jugun e Shqipërisë dhe pasi mobilizuan tërë ata shqiptarë që e quanin veten grekër, filluan pastrimin etnik duke vrarë, internuar dhe përzënë nga trojet e tyre të gjithë ata që patën guximin ta quanin veten shqiptarë. Në Jug të Shqipërisë nisën revoltat. “Batalioni i Shenjtë” ishte vënë në veprim. Ushtarakët hoqën uniformat dhe nisën masakrat dhe djegiet duke argumentuar se nuk pranonin vendimin e Evropës për lënien jashtë Greqisë të Korçës dhe Gjirokastrës. Sipas kronikave të kohës, ishin rreth 40 mijë ushtarë që kryen masakra të pashembullta në qytetet e fshatrat e Gjirokastrës, Korçës e Përmetit.
Masakra e Panaritit ka ndodhur në vitin 1914. Po e tregoj ashtu siç ma kanë treguar nëna dhe babai im pasi kjo masakër u krye në atë shtëpi qe ne e blemë, pas Masakrës së Panaritit, nga të zotët e shtëpisë që ishin orthodoks dhe që u larguan nga fshati dhe shkuan në Korçë dhe Tiranë pasi ata nuk mund t’i qëndronin dot kërkesës greke që të bashkoheshin me ata kundër vëllezërve të tyre muslimanë. Masakra mizore, sikundër tregon Myftar Grabocka, vëllai i Ervehesë, u bë nga andartët (banditët) grekë më 1914 në fshatin Panarit, si hakmarrje për ngritjen e Flamurit Kombëtar Shqiptar në shtëpinë e Dajlan Panaritit. Grekët therrën mbi 400 burra, gra, fëmijë dhe pleq. Veprim më të llahtarshëm s’mund të të dëgjojnë veshët. Por grekët me këtë akt makabër, si kanibalë, nuk donin të ndëshkonin vetëm popullsinë panaritase, që në pjesën dërmuese ishte myslimane, por të gjithë zonën. Ndaj ata me djallëzinë më të madhe, gratë, pleqtë, dhe fëmijët i therën në Grabockë, kurse burrat vendosën t’i thernin në fshatra të tjera. Së pari, tentuan t’i çonin burrat të lidhur njëri pas tjetrit në Trebickë, por aty hasën në rezistencën e mjaft patriotëve të shquar të krishterë trebickallinj, të cilët nuk pranuan të bëheshin pjesë e atij krimi të shëmtuar çnjerëzor. Atëhere grekët ju drejtuan fshatit Panarit, ku për fat të keq nuk hasën ndonjë rezistencë për arësye se edhe ata pak njerëz që ishin, qenë të moshuar. Hauret dhe shtëpitë e boshatisura të grabockallinjëve në Panarit e Grabockë u mbushën me 300 burra të lidhur njëri pas tjetrit me litar. Prej andej në të gëdhirë, i çonin në gijotinën e caktuar tek vëndi i quajtur Karakoll, në krye të Rripës së Melckës, një hon i vërtetë dhe tepër i frikshëm ku rrokulliseshin kokat e prera të djemve panaritas dhe gjaku rridhte tatëpjetë si në një thertore. Qëndrimi i atyre pak krishterëve grabockallinj në këtë rast nuk qe pajtues, përkundrazi, me aq sa mundën, ata morën në mbrojtje panaritasit që tentonin t’u shpëtonin thonjëve të bishave të tërbuara. Për t’u përmendur është rasti i Bajram Bilo Rezhdës, i cili shpëtoi nga këto masakra sespse e ndihmoi Guri Liko që e nxorri nga oxhaku pasi mashtroi rojet greke, duke e marrë në kurriz të mbështjellë me qilim dhe me enët në duart e tij gjoja për të mbushur ujë. Fatmirësisht ose fatkeqësisht ekziston lista e personave që mbështetën sjelljet vandale greke (kjo e botuar në revistën “Ylli i Mëngjezit” SHBA në vitet 1917-1918, artikulli “Nisja e Zjarrit në Toskëri” nga Sotir Dhosi Treska ku rezulton se martirët më të shumtët ishin nga Trebicka, por edhe nga Kolonja, Marjani dhe Panariti. Ata krishterë që ndihmuanë myslimanët janë, Gjik Prifti, Niçi Nikolla, Peçi Mihali, Toli Dhosi, Naum Toli, etj.

 

Ja një pjesë e shkrimit të asaj kohe në revistën “Ylli i Mëngjezit”.

“Fshatarët myslimanë të Panaritit, për të shpëtuar, ikën nga fshati dhe kaluan nëpër Backë, brenda në Skrapar. Bashkë me një nga agallarët e Panaritit, që u largua me dhentë e tij, qe edhe Stefan Panariti me bagëtinë e tij. Më vonë kthehet Stefani dhe grekët e bindën këtë që t’i shkruante agajt që të kthehej edhe ai, pasi grekët siguronin lirinë dhe jetën e tyre. Agaj besoi dhe kthehet. Edhe nga populli kthehen ata që e njihnin veten jo të kompro-mentuar. Por një natë i marrin burrat dhe i vrasin ndër afërsitë e Grabockës dhe të Melckës, ashtu i masakrojnë edhe gratë e fëmijët. Këto masakra bëhen prej kapedan Stratosit. Patrioti i vjetër Harri Panariti, bashkë me një patriot tjetër nga Treska, shkruajnë në Amerikë mbi ngjarjet tragjike të Panaritit dhe me këtë lajmërim erdhi një komision i huaj prej dy vetash për hetime. Stefan Panariti nuk e thirri aganë panaritas me qëllim tradhëtie. Për këtë dëshmuan edhe tre të krishterë panaritas përpara qeverisë greke në Janinë. U konstatua se heroi i kësaj tragjedie qe kapedan Stratosi. Edhe Harri Panariti, për shkak se lajmëroi miqt e tij në Amerikë, u dërgua në Janinë nga u lirua vetëm mbas 6 muajsh burgimi madje në sajë të një mijë frangave ari që pagoi në dorë. Kështu mori fund hëpërhë përpjekja për lir-imin e prefekturave të Korçës e të Gjirokastrës. Grekët ia mbërritën qëllimit të tyre duke zënë vijën Llogara – Salari – Qafa e Kiçokut – Ostrovicë – Maliq.”

Grekët arrestuan në Panarit, Trebickë, Treskë etj. ç’gjetën; të gjithë ata fëmijë dhe pleq që nuk mundën të largoheshin por edhe që menduan se greku s’mund ta prekte këtë kategori njërzish. Ata qenë 300 shpirt. I lidhën me litarë si kafshët nga duart dhe këmbët dhe u vunë një litar tjetër që kalonte qafë më qafë tek të treqindët duke u bërë nga një hallkë që u shtërngonte qafën dhe nëse dikush do tentonte te largohej qoftë edhe një hap nga shoku para apo prapa tij, automatikisht do të mbytej nga ajo hallkë që nuk mund të toleronte ritmin dhe distancën e caktuar nga njëri tjetri. Pastaj i shpunë në fshatin Grabockë dhe i futën pikërisht në shtëpinë e caktuar. Kjo shtëpi qe një ndërtesë e re dykatëshe; kati i parë ishte haur dhe kati i dytë kishte qënë shtëpia ku flinin anëtarët e familjes. Në atë kohë kishte lindur motra ime e madhe Reshiko. Im atë mori me vete nënën dhe motrën dhe së toku me shumë fshatarë të tjerë ikën nga Panariti dhe shkuan në Kaninë të Vlorës. Pasi burrat i siguruan gratë dhe fëmijët tek miqtë e tyre në Kaninë, vete ata u kthyen në Panarit për të luftuar pushtuesin. Ata i udhëhiqte xhaxhai im, Qazim Panariti. Në Kaninë vdiq gjyshja ime Habibe dhe xhaxhaica ime Limaja e cila ishte gruaja e Qazimit i cili sot është Dëshmor i Kombit dhe gjendet në varrezat e dëshmorëve. Të dyja këto gra vdiqën nga kolera. Ato i kanë varret edhe sot në Kaninë të Vlorës. Panariti u dogj i gjithi. Panaritasit shumë pak u kthyen në fshat pas ikjes së grekëve pasi shumica u larguan në të katër anët e Shqipërisë. Familja ime u vendos në Grabockë dhe pikërisht në atë shtëpi ku ishte bërë Masakra e Panaritit. U quajt Masakra e Panaritit pasi shumica që u therën atë ditë ishin panaritas. Grekët pasi i futën shumicën në atë shtëpi e cila ishte një ndërtesë tip kulle me dy dhoma të mëdha, njëra, ajo e sipërmja ishte dhomë gjumi siç e thamë dhe tjetra poshtë ishte haur. Grekët i merrnin një e nga një dhe në pragun e haurit u prisnin kokën mbi një kërcu. Lemeria e atyre që shikonin nënën, çupën, djalin, vëllanë, motrën, gjyshin dhe gjyshen që thereshin si kafshë, ishte e paimagjinueshme pasi i njëjti fat i priste edhe ata. Në këtë kohë, në katin e dytë, ashtu me duar të lidhura, një plak, Barjam Bilo, është futur në oxhak ku u fsheh dhe qëndroi vetëm me bryla për aq orë sa mbaruan së theruri të 298 njerzit e shkretë. Tjetra që shpëtoi nga të 300-ët ishte një grua e re nga Panariti që quhej Shane e cila me dhëmbë ka hapur një dërrasë të dyshemesë duke u fshehur në tavanin që ndante dhomën e sipërme me haurin. Shania e gjorë ka dëgjuar ulurimat e djalit kur grekët e tërhiqnin zvarrë derisa ja prenë kokën. “Nuk lëviza, – na tregonte Shania pasi unë s’mund ta shpëtoja dot djalin tim veçse do të isha therur edhe unë. Ndërkohë që kisha edhe dy fëmijë të tjerë të vegjël që m’i kishte marrë burri nuk e di se ku… Jeta qënka shumë e dhimbsur.” Pasi Shania thotë këto fjalë fillonte dhe qante pa pushim duke mos folur më. Grekët i morën kokat e 298 njerëzve të therrur dhe i hodhën në një hon të thellë ku nuk hyn dot njeri. Atë vënd ne e quajmë Kullë pasi sipër rripës së honit ngrihet një bregore si një kullë natyrale dhe që u ka shërbyer grabockallinjëve si Kullë Vrojtimi për të mbrojtur fshatin në shekuj. Kafkat e tyre kanë qënë atje deri pas luftës së dytë botërore kur unë jam larguar nga Grabocka dhe nuk e di nëse janë akoma. E tregova këtë histori pasi u rrita me atë dhimbje dhe u forcova duke u përgatitur që të në rast përsëritje të isha e aftë të mbrohesha e të luftoja me tërbim duke u hakmarrë edhe për viktimat e Grekut të Parë.

Erveheja rrëfen si u bë partizane.

Në shtëpinë tonë një ditë erdhi Safet Butka që ishte mik shtëpie dhe e pyeti babain tim, Bektash Canen, se ku i kishte djemtë. Babai i tha se djemtë e tij ishin partizanë. Safeti ju lut që ti thërresë djemtë dhe nipërit që ta braktisin luftën partizane dhe të luftojnë më forcat balliste. Babai nuk pranoi pasi ai më parë kishte biseduar më Medar Shtyllën që e kishte kunat të cilit i kishte dhënë fjalën se shtëpia e canellarëve do të mbante anën e partizanëve, e atyre që po luftonin me armikun. Në atë kohë erdhi në shtëpinë tonë, Katina Starja, Noi Polena dhe Antigoni Gjançi dhe takuan babanë tim të cilit i kërkuan që unë të dilja partizane. Ato kërkuan që të dalin partizane edhe Përparimja, çupa e xhaxha Brahimit, edhe Vaideja, komshija ime, çupë e Jaup Grabockës. Prindërit tanë nuk nguruan pasi ishte edhe dëshira jonë të luftonim dhe na dhanë lejën duke na pyetur neve nëse pranonim te dilnim malit partizane. Ne mezi prisnim që të luftonim pasi në shtëpitë tona në ato kohë s’kishte bisedë tjetër veçse trimërisë, guximit dhe gadishmërisë së shqiptarëve për të luftuar pushtuesin. Ne kishim punuar në terren për luftën nacional – çlirimtare për një kohë të gjatë dhe ishim përgatitur për këtë punë. Ishte muaj prill i vitit 1944 kur na mblodhën në Katund, fshat i vogël afër Trebickës. Atje, në një lëndinë ishte një mur një metro i lartë. Neve na reshtuan të gjitha vajzat e fshatrave të zonës së Panaritit dhe na thanë se, kalimi i këtij muri do të jetë simbol i pranimit të kapërcimit të mentalitetit patriarkal dhe dëshirës për të kapërcyer çdo vështirësi që do të na dilte përpara në luftën kundër pushtuesit. Ne ishim rreth nja 50 vajza të zonës sonë. Siç e thashë më sipër, nga Grabocka ishim vetëm tre çupa; Përparimja, Vaideja dhe unë. E para që kaloi murin qe Perparimja e cila thirri, “Nuk do të ketë asnjë mur që do të na pengojë në rrugën tonë drejt lirisë dhe pamvarisë!” Pas ne vajzave murin e kapërcyen edhe disa djem nga zona. Nga Grabocka ishin edhe dy kushërinjtë e mij, Kadri dhe Arshin Cane së bashku me tre të tjerë. Pastaj shkuam në Lavdar të Korçës ku na veshën partizane. Atje gjeta kushëririn tim të parë Behar Shtylla i cili u gëzua shumë dhe ka qeshur pasi dikush i tha që Erveheja do të bëhet një luftëtare më e madhe se ai. Na caktuan fillimisht në prapavijën e forcave partizane dhe pikërisht të punonim në spitalin partizan të Lavdarit. Atje ndënja rreth katër muaj. Në atë kohë spitali i Lavdarit u transferua diku gjetkë dhe neve na dërguan në Brig. 15S ku do të kishim të njëjtën detyrë, pra do të punonim në prapavijë. Me mua qenë edhe Përparimja së bashku me Vaidenë. Të plagosurit ne i shpinim në Gurmujas dhe atje i mjekonim. Atje punova rreth dy muaj. Në tetor më dërguan në brigadë si partizane me përgjegjës kompanie Avni Babanin dhe komandant batalioni Selman Vishocicën. Mora pjesë në disa beteja së bashku me brig. e XV Sulmuse….Më kujtohet një rast kur na u plagos shoqja jonë Neta e cila po këndonte dhe një plumb i ra grykë. Sa e shpunë në spital ajo vdiq. Pasi u çlirua Shqipëria mua më dërguan të punoj në zonën e Vithkuqit, Panaritit, Treskë, Trebickë, Qinam dhe Radovickë. Më pas në Voskopojë dhe Korçë. Me mua ishin dhe Përparimja, Meliqe Protopapa dhe Mynever (Kolaneci) Shtylla. Detyra jonë ishte të ngrinim organizatat e grave atje ku nuk kishte dhe të forconim ato organizata grash që ishin ngritur gjatë luftës.

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: 95 vjecarja qe tregon, Ervehe Grabocka, masakrat ne Panarit, Raimonda Moisiu, Skender Demolli

JOSEPH DIOGUARDI VIZITON VENDPREHJEN E FISIT ARBERESH ASSELTA NE WORCESTER, MA

February 18, 2013 by dgreca

NGA ARTUR VREKAJ, WORCESTER, MA (SHBA)/

Ish-kongresmeni Joseph DioGuardi me origjinë Arbëreshe nga Greci, Itali; nga një nga familjet që krijuan ushtarët e Skënderbeut në Mbretërinë e Napolit në vitin 1461 pas veprimtarisë përkujtimore për Heroin Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu  që Shoqata KOMBI dhe AACL organizuan së bashku, bëri një vizitë në varrezat St.John të qytetit ku është vendosur fisi Arbëresh Asselta dhe gruaja e tij e parë, Carol. Joseph DioGuardi bashkë me gruan e tanishme, Shirley Cloyes DioGuardi nderuan fisin Asselta dhe rrëfyen lidhjet Arbëreshe të gjakut të familjeve të tyre.

Gruaja e parë e DioGuardit, Carol Asselta DioGuardi e lindur në Worcester, MA ndërroi jetë para kohe, nga një sëmundje e pashërueshme. Carol është nëna e artistes Kara Joseph DioGuardi.

“Eshtë në traditën shqiptare të tregojmë respekt për pjesëtarët e familjes”,- tha-  Ish-kongresmani DioGuardi, i mirënjohur si ambasador i çështjes kombëtare shqiptare e në veçanti, lajmëtari i Lirisë dhe Pavarësisë së Kosovës në Shtëpinë e Bardhë, në Kongresin dhe në Senatin Amerikan.

Lidhja e Ish-kongresmanit me Carol DioGuardi tregon edhe ruajtjen e linjës së gjakut të trashëguar Arbëresh në familjet e DioGuardëve dhe Asseltëve.

“-Kjo vizitë tek varri i nënës së Kara është shprehje e dashurisë për bijën time, e cila promovon vlera shqiptare kur tregon për rrënjët e saj Arbëreshe, Shqiptare si nga nëna dhe nga babai”,- përfundon i jati, DioGuardi.

Por, është edhe një mundësi më shumë që ne shqiptarët e lindur në Shqipëri dhe Kosovë që jetojmë në Massachusetts, SHBA të mësojmë se Worcester ka qënë shtëpi e dashur edhe për Arbëreshët e Italisë.

Fisi Asselta ka ardhur në vitet e para të 1900-ës dhe shihet qartë se këtu ka qenë një nga komunitetet Arbëreshe më me ze edhe në biznes. Stërgjyshi i Carol, gruas së parë të DioGuardit, Joseph A. Asselta (1875-1965) ka qënë i suksesshëm në prodhimin e këpucëve me fabrikën e tij.

Kjo vizitë përkujtimore e bëri edhe me domethënës takimin e Joseph DioGuardit me shqiptarët e Worcester, Massachusetts si një shprehje e mbështetjes dhe nderimit për veprën e tij në shërbim të çështjes kombëtare dhe ruajtjes së Identitetit të shqiptarëve.

Filed Under: Kronike Tagged With: Artur vreka, DioGuardi, ne Worcester, viziton varret e arberesheve

Theofan Kalivioti dhe Pirro Dhima në aktivitetin për aneksimin e jugut të Shqipërisë të mbajtur sot në Athinë

February 18, 2013 by dgreca

Përfaqësues të ministrisë së Spiro Kserës dhe shtetas të Shqipërisë përkujtojnë aneksimin e jugut, ndërsa institucionet tona heshtin./

Nga Arben Llalla/

Ashtu siç patën paralajmëruar shoqatat e Vorio Epirit që veprojnë në Greqi më 17 Shkurt ora 11 u tubuan në sheshin Karitsi Athinë për të përkujtuar 99 vjetorin e shpalljes së Autonomisë së Vorio Epirit. Aktiviteti vazhdojë me një lutje në këtë kishë, Agjio Gjeorgjio Karitsi dhe më tej me vendosjen e kurorave tek ushtari i panjohur.

Si gjithnjë në 17 shkurtë organizatat ekstremiste greke që luftojnë për aneksimin e jugut të Shqipërisë përkujtuan 99 vjetorin e shpalljes së autonomisë së Vorio Epirit. Aktivitetin qendror e organizon Babis Krathanos kryetar i shoqatës së Vorio Epirit në bashkëpunim me Rininë Vorio Epiriotase. Të pranishëm këtë herë ishin deputeti i PASOK Pirro Dhima, deputeti i Agimit të Artë Kristo Papa, nga partia MEGA të minoriteti në Shqipëri Perikli Naçi, Thoma Jani ng partia e të Drejtave të Njeriut të Vangjel Dules, Avram Gunari përfaqësues i qeverisë, deputeti Vasilis Kapernaros, etj. Ajo që ra në sy ishte mungesa e falimit të mbajtur gjithnjë nga kryetarit të Rinisë së Vorio Epirit Theofanis Kaliviotis, punonjës në Ministrinë e Punës dhe Përkrahjes, i cili këtë herë fjalën e tij ja kishte besuar ta mbante nënkryetarja e shoqatës Eleni Dhomu. Vetë Kalivitoti pas publikimit të dokumentave si punonjës i qeverisë së Shqipërisë kohëve të fundit ka qenë vetëm spektator i aktiviteteve të ndryshme duke mos mbajtur fjalimet ekstremiste. Përfaqësues të ministrisë së Spiro Kserës dhe shtetas të Shqipërisë përkujtojnë aneksimin e jugut, ndërsa institucionet tona heshtin.

Për çdo vit shoqatat Vorio Epiriote dhe Rinia Vorio Epiriote organizojnë tubime dhe festime për Autonominë e Vorio Epirit duke shfaqur haptas qëllimet e tyre për aneksimin e Jugut të Shqipërisë. Organizatorët kryesor të këtij aktiviteti ishin Babis Karathanos dhe Theofan Kalivioti.

 Babis Karathanos ka lindur në Athinë, por prindërit e tij janë grek nga Shqipëria të arratisur para shumë vitesh. Karathanos ka qenë dikur kandidat për deputet i partisë Demokracia e Re, dhe shpeshherë ka qenë anëtarë në disa parti duke mos e gjetur vetveten.

Theofan Kalivioti ka lindur në Livadhja të Sarandës. Është kryetar i Rinisë Vorio Epiriote dhe nënkryetar i Rinisë Evropiane të Epiriotëve. Ai sipas disa dokumendave të botuar kohëve të fundit figuron këshilltar në Ministrinë e Punës dhe Përkrahjes, pra paguhet prej disa vitesh nga Shqipëria.

Ironike është fakti se në të njëjtën ditë më 17 Shkurt shqiptarët festojnë Pavarësinë e Kosovës dhe mbajtjen e ligjëratave të parë të Universitetit të Tetovës, ndërsa një grup grekësh ekstremistë përkujtojnë një ëndërr që nuk mund të realizohet asnjëherë, atë të aneksimit të jugut të Shqipërisë

 

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: aktivitet, arben llalla, e Shqiperise se Jugut, per aneksimin, Pirro Dhima

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT