• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2013

DHIMITER BERATI-FIGURE E SHQUAR PER CESHTJEN SHQIPTARE

February 6, 2013 by dgreca

NGA Angjelina Xhara Papalilo*/

Le te citojme ne radhet e para te ketij shkrimi percaktimin qe i ka bere Ernest KOLIQI, Dhimiter BERATTIT:”Ai eshte dekani i Rilindjes…simbol i gjalle i idealeve qe frymezuan levizjen per Rilindjen Kombetare.”Kete vleresim te larte per atdhetarin e flakte Dhimiter Berati, Koliqi e ka bere pikerisht ne festimet e 60 vjetorit te gazetes se njohur “Dielli “organizuar nga “VATRA” e Amerikes.Dhe me poshte vazhdon:”Njeri me natyre te bute, Dhimiter Berati iu shmanget qendrimeve politike e shoqerore te preme.Perpiqet me  u ba ndermjetes mes rrymave te ndryshme ne pershtatje me autoritetin qe i rridhte nga mosha e nga pervoja e gjate politike…”Dhimiter Berati eshte personalitet i spikatur ne politike ne publicistike  e atdhetarizem.Ai  gezonte me te drejte respektin e dashurine e shume personaliteteve te kohes kur po  krijohej per here te pare  shteti shqiptar.Ne leterkembimet e patrioteve te shquar te kohes si Fan Noli,  Luigj Gurakuqi,Mihal Grameno,Mit’hat Frasheri,Lef Noci,Kristo Dako,Pandeli Evangjeli, Dhimiter Zografi,Pandeli Cale etj,emri i Dhimiter BERATIT permendet per misone te rendesishme politike qe ai merrte persiper, ne rrugetimin e gjate e te veshtire te mekembjes se shtetit shqiptar,duke bere pune te medha me nje perkushtim mahnites.Vete i madhi Ismail Qemali do ta kishte ne krah Dhimiter Beratin ne gjithe rrugen qe pershkoi per shpalljen e Pavarsise, nga Bukureshti,neper Durres e Myzeqe deri ne Vloren historike.

Firmetar i dokumentit te Shpalljes se Pavarsise,Dhimiter Berati vinte ne Vlore si delegat i Kolonise se Bukureshtit me nje veprimtari te gjere memedhetare.

Lindur ne Korce e rritur ne Bukuresht,ku kishte emigruar familja e tij ne fillim te shek 19-te,Dhimiter BERATI u shkollua  ne Universitetin Rumun,per shkencat linguistike e juridike.Qe ne moshe te re, vec shqipes e rumanishtes,me nje pune skurpuloze autodidakte pervehteson gjuhet frengjishte, italishte,gjermanishte,qe do te jene nje arme e shkelqyer e tij ne betejat e ardheshme per mbrojtjen e ceshtjes shqiptare ne bote.Ai shquhet per fryme te thelle patriotike dhe zgjidhet nga Shoqata patriotike e Bukureshtit,ne vitin 1904, si sekretar i saj.Kur familja e tij kthehet ne Korce  Dhimitri punon per nje kohe si mesues ne shkollen e pare shqipe. Merr pjese aktive ne Kongresin e Elbasanit dhe ne Kongresin e dyte te Manastirit,ku vendosej per gjuhen shqipe.Ishte nder organizatoret kryesore ne hotel “Kontinental” ne Bukuresht,prej nga niset ISMAIL Qemali me misionin e madh per shpalljen e  Pavaresise se Shqiperise.

Me besnikeri e devotshmeri te madhe Dhimiter Berati punon e mbeshtet fuqimisht qeverine Vlores,duke qene vec antar i Pleqesise  dhe Drejtor i Pergjithshem i gazetes se pare te shtetit shqiptar”Perlindja e Shqiperise”.

Emocionet e casteve te medha te shpalljes se Shqiperise me vete,Ai do t’i shprehte keshtu 10 vjet me vone ne nje gazete te botuar ne Elbasan”Sa e shohim ma se largu, ne pasqyren e mendjes sone ,aq ma e bukur na ngjan kjo dite e kurerezimit te  shpresave tona…”

Duke qene nje nga pjestaret e delegacionit qe udhetoi per ne Europe,kryesuar nga Ismail Qemali,Dhimiter Berati ishte deshmitar dhe emer kryesor, ne perpjekjet per mbrojtjen e pavaresise se brishte shqiptare.Paralelisht ai punon intensivisht me artikuj te botuar ne shtypin e huaj ne mbrojtje te ceshtjes shqiptare.Eshte pjekuria e tij e larte e vetedijes patriotike e politike qe do ta coje ate te botoje librin aq me vlere “Shqiperia e Shqiptaret”botuar ne frengjisht ,ne 1920.

Duke qene edhe antar i delegacionit shqiptar te kryesuar nga kryetari i Regjences,z.Luigj Bumci, Dhimiter Berati lufton per ceshjen shqiptare me kopetence e profesionalizem, qe ia jepte kultura e tij e gjere dhe pervoja e gjate politike ne dobi te atdheut.

Firmen e tij e gjejme ne keto kohe ne shume telegrame e protesta drejtuar Konferences se Paqes ne PARIS.Ne njeren prej tyre drejtuar presidentit amerikan Willson ,lexojme”Ne duam nje Shqiperi te pandare e te pavarur,e cila te pranohet edhe nga vendet e tjera….Te gjithe ne shqiptaret desherojme te jemi te bashkuar dhe pa nderhyrjen e fqinjeve, qe na ndjekin kemba kembes…”

Vec z.Berati ky dokument eshte  firmosur nga Viktor Eftimiu,Stavri Kuneshka,Dhimiter Ilo,etj patriote nga krahina e Korces,e kercenuar aq shume nga pushtimet e huaja.,ne kohen e luftes ballkanike e asaj te pare Boterore.

Ne nje leterkembim mes Luigj Gurakuqit e Lef Nosit lexojme:”Dhimiter Berati ka shkuar ne Bukuresht,te organizoje nje miting per ceshtjen e Korces”

Ndersa Mihal Grameno shkruan se Dhimiter Berati eshte delegat i shqiptareve te Rumanise ne Konferencen Paqes Paris.Ne protesten e shqiptareve te Rumanise Dh. Berati shkruan;”Ne emer te drejtesise e te gjithe principeve,qe duhet te sherbeje si baze e paqes dhe te garantoje jetegjatesine,ne i kerkojme Konferences, te pranoje disa diskutime mbi rajonin e Gjirokastres dhe te Korces,djep te Rilindjes politike te Shqiperise.Jeta e shtetit shqiptar pa distriktin e Jugut,eshte me te vertete e pamundur…”

Ne vitin1921 eshte antar i delegacionit ,ne Konferencen e ambasadoreve ne Gjeneve.Ne nje leter te derguar nga Dh. Berati Pandeli Evangjelit lexojme nje pohim shume te rendesishem “Konferenca e ambasadoreve e konsideron pavaresine dhe integritetin e Shqiperise,si ceshtje nderkombetare”….                                                                                                Fakti me interesant i kerkimeve ne jeten e patrioteve te shquar eshte se si ata nga drejtime te ndryshme,nga pika te ndryshme te botes,u mblodhen dhe u bene mur i pakaperxyeshem per fitoren me domosdo te te drejtave shqiptare.Me 9 tetor 1921 Fan Noli permes nje telegrami drejtuar Pandeli Evangjelit shkruan :”Dhimiter Berati i ka derguar nje njoftim Konferences ku i shkruan se Qeveria e populli shqiptar,duke i konsideruar kufijte e 1913-tes,si minimizim i drejtesise ngs Fuqite e Medha,nuk pranon asnje coptim apo rishikim ,ne dem te atdheut”

Vec aftesive juridike e patriotike per te vulosur mendimet me nje elegance diplomatike kuptimmplote,Dh.Berati,ka bere nje pune te cmuar patriotike ne caktimin e kufijve jugore,duke qene  Antar ekzekutiv i Komisionit te Fuqive te Medha.

Dhe per te portretizuar me shume akoma kete personalitet te shquar te ceshtjes kombetare,le te ndalemi ne menyre te vecante tek librat qe na ka lene trashegim . Ne biblioteken e Fan NOLIT ne Boston ,gjate xhirimit te dokumentarit per Vatren,gjejme nder librat kryesore ,te ruajtur me kujdes librin e Dh.Beratit”Ceshtja shqiptare”,shkruar ne frengjisht.Krahas Fan Nolit,Faik Konices,Mit’hat Frasherit,Dhimiter Berati eshte nga penat e forte qe influencon direkt ne mendjet e personaliteteve evropiane. Vete autori ka botuar ne kete liber nje studim te thelle per ekonomine shqiptare,per risurset e vyera kombetare .Gjithashtu ai sjell aty dhe artikuj te tjere te rendesishem te autoreve me peshe,miq te Shqiperise,qe shkruanin ne ato vite per integritetin e trojeve te lashta shqiptare.Ne kete liber botohen artikujt e kolonelit francez,Lambouch, Betran Bareilles, Edith Durhan, Elise Aubert,J.N.Papiniu, D.Kolovani.Me stil teper konciz dhe teper emocionues Dhimiter Berati ka pergatitur edhe 16 faqe speciale,te shoqeruar edhe me fotografi,ku pershkruan castet kulminante historike te viseve kryesore te Shqiperise etnike.Hyrja e ketij libri permban keto fjale te Tij,te thena me dhimbje ,diplomaci e elegance shprehjeje: “Te shkretet shqiptare….Kush popull ka vuajtur aq shume ,sa ata ne gadishullin ballkanik?!Te persekutuar nga osmanet,te keqtrajtuar nga kleri grek,te perndjekur nga sllavet,ata jane viktime e te gjithe ambicjeve.Lufta ballkanike ka vene nje nyje te pafund fatkeqesish ne Shqiperi.Per te arritur ne fundin e tyre ,eshte e nevojshme qe ata t’ua lene vendin zoterve te vertete,shqiptareve.”(libri u botua ne Paris ,imremieri Henri Dieval)

Nje veper tjeter e rendesishme qe mban emrin e tij eshte”Shqiperia me1937”,ne dy vellime,ku permblidhet nje informacion i plote per hapat e shtetit shqiptar,megjithe veshtirsite e sfidat e shumta qe duhej te perballonte.Ky liber doli ne Tirane ,me rastin e 25 vjetorit te vetqeverisjes se Shqiperise.Ne kohen e Zogut z. Berati,ka mbajtur poste te larta ne administraten shterore shqiptare.Ne nje leter, qe i dergonte gruas se tij Marjetes,qe jetonte ne Rome ,bashke me dy femijet e tij, Pietron e Kolecin, ai i tregon per besimin e math qe kishte monarku per te.Me aftesite e tij te vecanta Dhimiter Berati mban postin e ministrit te ekonomise ne fillim e me pas, ate te ministrit te aresimit.Ne fund caktohet Ambasador i Shqiperise ne Rome dhe lufton deri ne fund per nje perparim perendimor te vendit te tij.

Si erudit i shkalles se pare Dhimiter Berati, gjithe jeten e tij e kaloi nga Shqiperia ,ne Rome ,ne Paris ,ne Gjeneve…e kudo ku vajti punonte me perkushtim per ecjen perpara te atdheut te tij.

Profesori italian Giuzepe Valentini  do ta percaktonte me keto fjale Dhimiter Beratin”Mbante me vete gjithmone nje bastun udhetimi qe dukej sikur thoshte…jam nje ballkanas,por i perkas civilizimit perendimor”ose…”nuk jam as nje ushtarak apo komit,por sherbimin tim e rendit me ate  te nje borgjezi te mire…”

Ne sesionin shkencor qe mbahet ne NY Jork,me 1969,ai mban nje kumtese te rendesishme me titull”Shenime mbi Shqiperine etnike” ,ku zberthen me fakte e dokumenta te rendesishme vecanerisht etnicitetin e krahinave te jugut te Shqiperise.Ashtu si Noli,Dhimiter Berati ka bere nje pune te lavderueshme edhe per autoqefaline e kishes shqiptare,duke e krijuar ate edhe ne Bukuresht.

Dhimiter Berati ka marre medalje te larte nga mbreti i Rumanise”Grand officerDeLa CouponRumania”,ndersa nga Shqiperia “Urdhrin e klasit te pare”.Studjuesi francez Robert Elsie e rendit Dhimiter Beratin ne figurat kryesore qe kane punuar  per historine e re perendimore te Shqiperise. Radio Vaticani,duke perkujtuar me respekt kete figure ,ne nje pervjetor te Dhimiter Beratit,ka thene:”Ne 15 tetor 1886 lindi ne Korce Dhimiter Berati,atdhetar politikan e publicist i shquar…”dhe mbasi ben nje pershkrim te gjithe jetes politike te tij perfundon me fjalet”u detyrua te largohet nga atdheu nen kercenimin e diktatures.U vendos ne Rome,ku bashkpunoi me pjesen me te perparuar te mergates politike shqiptare dhe me revisten “Shejzat” te Ernest Koliqit.”

Dhimiter Berati nderon emrin e tij si shqiptar i perkore patriot,duke u perfshire ne fjalorin enciklopedik nderkombetar te biografive me te shquara ne bote”Who’s who”,me te gjitha meritat e nje jete te plote ne perkushtim te nje Shqiperie perendimore. 100 vjetori i Pavarsise vazhdon sepse shume patriote kerkojne nje kujdes te vazhduar me ngritje bustesh,botime librash,korigjime te teksteve shkollore,ekranizime me emisione e filma…Le te mbeten me fort ne kujtesen popullore ata qe jeten e tyre ia kushtuan ATDHEUT

*Shkrimtare e kineaste

 

Filed Under: Featured Tagged With: Angjelina Xhara, Dhimiter berati, papalilo

PUBLIKOHEN SHKRIMET KRITIKE PER KRIJIMTARINE E PROF.AGIM VINCES

February 6, 2013 by dgreca

Me rastin e 65-vjetorit të lindjes dhe 40-vjetorit të krijimtarisë e të kontributit të shumëfishtë në letërsinë shqipe, botohen recensionet, studimet dhe vlerësimet që i janë bërë ndër vite veprës së krijuesit të pandalur, Prof. Dr. Agim Vinca/ Nga Jolanda Lila/

Revista periodike “Fjalë e valë” nga Mitrovica i ka kushtuar një numër tematik të mbushur me shkrime, vështrime, recensione e studime, të botuara nga studiuesit shqiptarë e të huaj rreth veprës poetike e studimore të Prof. Agim Vincës. Ky numër tematik vjen me rastin e tre jubileve të rëndësishëm në jetën e prof. Agim Vincës, siç janë: 65-vjetori i lindjes së tij, 40-vjetori i fillimit të punës si pedagog në Universitetin e Prishtinës dhe 40-vjetori i botimit të librit të tij të parë. Për shkak të simbolikës së përvjetorit të lindjes, në këtë revistë janë përzgjedhur 65 shkrime nga studiuesit dhe kritikët më të njohur shqiptarë e të huaj, si Robert Elsie, Stephan Sigg, Iolanda Malamen, Rusana Bejleri, Rexhep Qosja, Bajram Krasniqi, Nasho Jorgaqi, Jorgo Bulo, Bashkim Kuçuku, Ardian Marashi, Roland Zisi, Hysen Matoshi, Visar Zhiti, Anton Papleka, Sali Bytyçi etj.  

Revista hapet me një cikël poetik nga vetë autori, Agim Vinca dhe më tej pasohet nga kapitulli me shkrimet që të tjerët kanë bërë për poezinë e Agim Vincës, përfshirë edhe poetë të njohur si Din Mehmeti, Ali Podrimja, Natasha Lako, Beatriçe Balliçi, Adem Gashi etj. Kapitulli i dytë u dedikohet shkrimeve për kritikën dhe studimet historiko-letrare, ndërsa kapitulli i tretë përmban shkrime për publicistikën dhe veprimtarinë intelektuale të autorit. Në fund, janë publikuar disa nga vargjet, që poetët shqiptarë i kanë dedikuar Agim Vincës, ku vlen të përmendim vargjet e Dritëro Agollit, të Koçi Petritit, të Visar Zhitit, të Milanov Kallupit dhe të poetit boshnjak Husein Tahmishçiq.

Revista përmbyllet me një Kronologji të jetës dhe të veprimtarisë së Profesor Agim Vincës, të hartuar nga studiuesi Mr. Miftar Kurti, i cili, së bashku me poetin Sabit Idrizi, janë ideues dhe përpilues të saj.

Në këtë botim është paraqitur një pasqyrë e plotë e mendimit kritik e publicistik për dy frontet e punës së Prof. Vincës, në kërkimin letrar dhe në krijimin letrar, fronte në të cilat ai ka vënë vulën e origjinalitetit krijues dhe risues në letërsinë dhe studimet shqiptare. Ai konsiderohet si një figurë poliedrike, me kontribut të shquar në fushën e poezisë, të kritikës letrare, të historisë së letërsisë, të publicistikës, antologjisë, përkthimit dhe eseistikës. Është autor i më shumë se 25 veprave dhe i qindra shkrimeve letrare e publicistike në shtypin periodik shqiptar, duke u renditur kështu si një ndër intelektualët më aktivë, jo vetëm në çështjet profesionale, por edhe për reagimet shoqërore dhe problemet e kohës.

Shkrimet për veprimtarinë krijuese dhe intelektuale të Profesor Agim Vincës janë të shumta, por në revistën “Fjalë e valë” janë përzgjedhur vetëm 65 të tilla, të botuara ndër vite nëpër libra studimorë dhe në shtypin periodik. Kjo përzgjedhje sasiore përligjet me simbolikën e 65-vjetorin e lindjes së autorit dhe paraqitet si një lloj koncentrati për thelbin e krijimtarisë së këtij autori.

Merita e tij më e madhe në fushën e shkencës është përçimi i koncepteve shkencore e abstrakte në formën më të thjeshtëzuar e të qartë, meritë që vetë autori ia dedikon përvojës së mësimdhënies universitare dhe bashkëbisedimeve të vazhdueshme me studentët e tij. Ndërsa në fushën e poezisë, ai konsiderohet si një ndër emrat më të rëndësishëm të risimit të vargut shqip që në vitet ‘70, të frymëzimit të natyrshëm prej lëndës shqiptare dhe prej pasurimit të fjalorit poetik, gjë që shpërfaq edhe nivelin e lartë dhe njohjen e thellë të gjuhës shqipe nga ana e autorit.

Numri 23 i revistës letrare “Fjalë e valë” u vjen në ndihmë të gjithë studentëve, studiuesve të letërsisë dhe lexuesve, të cilët duan të zgjerojnë hapësirën e tyre kulturore përmes njohjes së veprës së shumëfishtë të Profesor Agim Vincës, por edhe më gjerë, njohjes së modelit të krijuesit skrupuloz dhe intelektualit të mirëfilltë shqiptar, i cili me fjalën dhe veprën e tij është i pranishëm në mbarë hapësirën shqiptare.

 

 

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Jolanda Lila, publikohen shkrime kritike, te Agim Vinces

FAMILJE APO VETMI?!

February 6, 2013 by dgreca

Analizë Psikologjike/

Nga Prof. Dr. Hazbi Shehu/ New York/ Pas pune shumë qytetarë të New Yorkut dalin dhe shetisin me qen, të lidhur me anë të një litari që e tërheq ose e lëshon qenin sipas kërkesave të trotuarëve ose dëshirës së qenit. Këta njerëz i takojnë moshave të ndryshme, janë pa familje dhe jetojnë në vetmi. Nuk janë të pakta dhe rastet e lëvizjeve burrë-grua të shoqëruara nga karroca me fëmijë. Dëshira për të jetuar “të lirë” ka lenë shumë të rinj të pamartuar. Ata duan të ecin, të ecin dhe vetëm të ecin?! Kur shetisin gjatë bregut të oqeanit, dallgët e tërbuara përplasen nganjëherë në anën e djathtë të fytyrës. Djali i goditur kthen kokën majtas, duke parë tokën ku banon dhe hallet e saj?! Përsëri ai vazhdon të eci. Ecën dhe vazhdon të eci i vetëm?! I duket sikur e ndjekin nga pas dhe duan ta lidhin me hallet familjare. Ai e nxiton hapin, që ti shmanget jo vetëm dallgëve të oqeanit, por sidomos problemeve  të jetës, të familjes dhe të shoqërisë. Po ku shkon?! Fundin e presim të gjithë; vetëm sikur është shpejt për ta takuar atë; veçanërisht të rinjtë?! Ata turren mbas dëfrimit, përkëdheljeve, puthjeve etj, duke u zhytur në llumin e zi që shpreh një të ardhme të zymtë njerëzore. Duke u përkëdhelur nga një femër tek tjetra; ose nga një mashkull tek tjetri, harrojnë infeksionet e rrezikshme?! Këtij dëfrimi nuk i gjendet fundi?! Ai po i çon të rinjtë në vetmi; në një të ardhme tragjike për jetën e tyre. Kur të plaken jo vetëm askush nuk do t’ju hedhi sytë; por as që do t’ju shtrij dorën për ndihmë njerëzore?! Duke mos krijuar familje; koha do ti plagosi, do ti hedhi në rrugë, të kërrusur dhe të pangopur nga dëfrimet shthurrëse. Kur dikush i plakur nga mosha dhe hallet dëshiron tu japë këshilla ndonjë të riu; ky i fundit qesh. Kjo qeshje plakut i kujton të qeshurit e tij, në rini dhe vajtimin tani në pleqëri. Kur një i ri ndodhet në ekstazën djaloshare, duke u përkëdhelur me seksin përkatës dhe kur dikush i moshuar dhe nga gjaku i tij i pëshpërit në vesh “Kujdes!”, ai duke qeshur mendon me vete “Sa të trashë janë këta të moshuar që kurrë nuk e kanë kuptuar jetën”.

Pranvera vjen dhe lulet çelin, por njëherë në vit. Kurse këta të rinj të ekzaltuar duan përgjithmonë prandverë dhe me lule që të lulëzojnë përherë. Ata ose ato, kërkojnë fytyra të reja dhe kur dikush ndryshket e flakin?! Nuk janë djemtë që kërkojnë vajza; as vajzat që kërkojnë djem, por është zjarri i brendshëm që i ndez?!

Ky zjarr i brendshëm shuhet në pleqëri,

kur dikush këkon ta ndezi me qiri;

kthehet në qesharak o njeri;

se plaku nuk bëhet kurrë i ri.

Një ditë, pashë një plak që tërhiqte një qen. “Përse e tërheq me forcë qenin? Nuk po e kupton që ai kërkon liri?” e pyeta . “E kuptoj”, u përgjigj plaku, “por për mua dhe për qenin është vonë tani. Ne jemi të lidhur bashkë dhe jetojmë për njeri tjetrin. Ne të dy formojmë familjen tonë. Qeni është besnik dhe nuk më tradhëton kurrë; përveç kësaj shpenzimet janë të pakta. Ai më ndjek mua gjithmonë, por nganjëherë dhe mua më duhet ta ndjek ate.” “Më lejoni t’ju pyes, përse nuk u martove dhe të krijonit familje?” “Kjo është plagë e mbyllur për mua, por pyetja juaj lë deren hapur për të tjerët, që sot janë të rinj. Unë shpreh kënaqësi, për njerëzit që kanë formuar familje dhe për fëmijët e tyre. Familja, sigurisht ka kontradikta që i krijon mënyra e jetesës, por ato shpesh kurohen nga prania e fëmijëve, dashuria dhe përkëdheljet përkatëse. Familja jo vetëm që është e nevojshme për vazhdimin e jetës njerzore, por ajo të mban gjallë me përplasjet, dhimbjet, kontradiktat dhe përkëdheljet e saj. Unë dhe jo vetëm unë, por të gjithë ata të moshuar, që ju i shihni të shoqëruar me qen, shprehin familjet e tyre.” “Më fal”, i thashë, “por kam parë shumë të rinj të shoqëruar me qen.” “Tek ata” u përgjigj ai, “është më e fortë ndjenja dhe ndjekja e seksit:

Për ata jeta është punë,

shetitje lule më lule dhe gjumë,

ata nuk e kthejnë kokën të shohin

dhe të pyesin njerëz me përvojë si unë.”

“Po përse ata të rinj shoqërohen me qen”, pyeta unë. “Ka disa arsye”, u përgjigj ai:

“E para: qenin e përdorin si grep për të zenë qënin e seksit tjetër; ndërsa dy qentë hungërijnë; shoqëruesit e tyre, fillojnë të shkëmbejnë sinjalet për dëfrimet përkatëse. E dyta: këta njerëz nuk gatuajnë; ushqehen nëpër restorante, bredhin, shetisin, defrehen, lodhen dhe pastaj shkojnë në foletë e tyre për gjumë. Ky cikël do të përsëritet deri sa të plaken dhe të bëhen si unë. Tani do të më falësh se qeni po më tërheq si shumë duke treguar se është mërzitur, prandaj duhet të ndahemi bashkë.” E falenderova për bisedën dhe u ndamë. Pikërisht nga nxitimi dhe ndoshta lodhja, plaku padashur u përplas me një familje. Ai menjëherë përdori shprehjen e zakonshme “Sorry”. Unë ndërhyra në çast “Më falni, por fajtori jam unë; duke biseduar gjatë me këtë njeri të thjeshtë ai sigurisht është lodhur dhe ndodhi përplasja me ju, prandaj ta falni.” Në vazhdim të bisedës i pyeta “Fëmijët tuaj janë këta?” “Po” u përgjigj burri. “Qenkeni familje e lumtur” . Ata qeshën dhe burri mu drejtua mua “Mos kujto se është e lehtë të jetosh me familje. Ka shumë probleme, nganjëherë dalin kontradikta aq të forta, sa që të çojnë dhe në divorc. Vetëm se duhet theksuar, që prania e fëmijëve i zbut shumë kontradiktat në familje. Për hir të tyre bëhen lëshime të dy anëshme, nga burri ose nga gruaja”. “Ju falenderoj për përgjigjet tuaja të llogjikshme dhe të ngrohta. Ju uroj shëndet dhe lumturi në familjen tuaj të bukur”,mirë u paeshim.

Ekzaltimi i ndjenjave shpirtrore të brendshme të rinisë gjen shprehje të qartë, të plotë dhe të njejtë me proçeset gjeologjike që ndodhin në planetin tonë. Planeti ynë përbëhet nga pllaka tektonike, të ndara nga kanale,nëpër të cilat kalon dhe shpërthen lava e vullkaneve. Në këto zona pranë kontaktit të pllakave ndodhin dhe tërmetet. Si rrjedhojë i përplasjes së pllakave; kur njëra zhytet në thellësi, tjetra hipën mbi të. Shtypja e tyre shkakton rritjen e presioneve dhe temperaturave shumë të larta dhe si pasojë shkrihen shkëmbinjtë pranë zonave të kontaktit, duke formuar lavën e lëngshme dhe të nxehtë. Vullkanet shpërthejnë në drejtim të sipëfaqjes së tokës sepse kundërpresioni është më i vogël. Kjo lavë e lengshme dhe shumë e nxehtë del në sipërfaqje dhe ftohet gradualisht dhe duke i shtuar tokës material të ri dhe me moshë më të re. Këto proçese njeriu i sheh me sy, gjatë shpërthimit të vullkaneve.

I njejti proçes ndodh dhe me qeniet e gjalla. Mashkulli me femrën përfaqësojnë pllakat tektonike. Nga afrimi i trupave të tyre, dhe si rrjedhojë i tërheqjes dhe shpërthimit të ndjenjave të brendshme (lëvizje që ne e quajmë dashuri); krijohen presione dhe temperatura të larta, që shprehin dashurinë e zjarrtë rinore. Ky takim mund të krijojë një fryerje të sipërfaqjes tek femra, e cila në kohën përkatëse të caktuar shpërthen duke lindur fëmijën, si materie e re, që i shtohet njerëzimit. Pra materia e ngurtë si toka jonë, të gjithë planetet dhe yjet e gjithësisë janë gjithmonë në lëvizje dhe sjellin vazhdimisht material te ri, pra ndodh përtëritja e materies. Ne që jetojmë në planetin ose tokën tonë, duhet të marrim shembullin e saj, të zbatojmë ligjin e natyrës. Ashtu siç ben toka jonë, që sjell nga thellësia material të ri dhe i shtohet sipërfaqjes së tokës; dhe ne duhet të martohemi dhe ti japim njerëzimit material të ri, njerëz të rinj, që të vazhdoj zhvillimi i mëtejshëm i botës.

Këto probleme të mprehta dhe delikate të familjes dhe vetmisë e kanë venë në lëvizje shoqërinë njerëzore. Shumë akademi në SH.B.A., shoqata dhe organizata të ndryshme kanë filluar të japin cikla leksionesh për forcimin e familjes. Po jepen emisione speciale në televizione, për krijimin e lidhjeve të shëndosha të anëtarëve të familjeve. Eshtë për tu përshëndetur kompanite, që po dhurojnë $20,000 dhe nje makina, për ç’do emision gare midis familjeve, etj. Qellimi i këtyre emisioneve televizive dhe i leksioneve te akademive, organizatave, shoqatave, etj, është forcimi dhe ngritja në nje nivel më të larte të rolit pozitiv dhe shumë të nevojshëm, në shoqërinë njerëzore. Shoqëria Amerikane për të penguar fundin tragjik të dëfrimeve shthurrëse të të rinjve të paekuilibruar, po përdor format më të mira edukuese. Po, format më tërheqëse, më irrituese dhe më efikase, për njerëzit janë emisionet ku dhurohet dollari. Konkretisht janë për tu admiruar kompanitë, që japin emisionet si “Family Feud”, d.m.th. garë familjesh duke dhuruar para familjes fituese.

Shprehjes pesimiste se është vonë mund ti përgjigjemi “Po është vonë për të moshuarit, që e kanë kaluar këtë rrugë, por jo për të rinjtë, truri i të cilëve ka filluar të reflektojë dhe të mendojë për një të ardhme të jetës normale njerzore. Proçeset e natyrës si tek materia e ngurtë (toka ose planeti yne, etj) dhe tek qeniet e gjalla, shprehin dhe paraqesin model të njejtë të zhvillimit. Zjarri i brendshëm i ndjenjave të të rinjve i ngjan lavës së nxehtë, që shpërthen nga vullkani. Ftohja e saj është një proçes i gjatë dhe i ngadalshëm. Kush tenton ti afrohet në çastin, kur ajo del ne sipërfaqjen e tokës përvëlohet dhe digjet nga afshi i nxehtë. Kështu ndodh dhe me zjarrin e ndjenjave të brendshme shpirtërore tek djemtë e rinj. Ai që kërkon të shuaj këtë vatër të nxehtë (qoftë ky dhe njeriu më i dashur i familjes) do të digjet nga afshi i nxehtë i saj. Nxehtësia e ketyre ndjenjave tek të rinjtë do të shuhet gradualisht; ajo lidhet me plakjen e njeriut.

Rruga më llogjike për të rinjtë do të ishte, që djali ose vajza të pëpiqet të zgjedhi partnerin që i përshtatet; të krijojë familjen me fëmijët përkatës. Kjo do te realizonte plotësisht ndjenjat e brendshmme përvëluese, do të shmangte infeksionet e rrezikshme, që sjellin vdekje dhe do të qetësohesh nga përkëdhelja e partnerëve të shumtë. Kjo mënyrë jetese zhvillon njerëzimin normalisht dhe i qetëson ata nga kërkimi i seksit. Një jete e tillë krijon kushte, që të punosh dhe të studjosh i qetë në familje dhe shoqërinë njerëzore. Sigurisht në familje do të lindin kontradita, por me durim dhe guxim ato kalohen, sidomos me ndihmën e fëmijve, që luajnë rolin e katalizatorit përkëdhelës.  Duke krijuar familje plotëson detyrën kryesore, që ke para shoqërisë, përtëritjen e njerëzimit. Pyetjes, që i kanë berë pleqve beqar

; “Përse nuk jeni martuar?”, të gjithë, pa përjashtim, i janë përgjigjur “Kemi gabuar”. “Tani për ne është vonë; gabimin tonë ja u lemë të rinjve ta korigjojnë; ta kryejnë këtë detyre për të ardhmen e njerzimit.”

Shkurt, 2013

Filed Under: Sociale Tagged With: Familje apo vetmi, Prof. Dr. Hazbi Shehu

KKSHA: TË DORËHIQET KRISTIMIR PANTIÇ, BËNË THIRRJE PËR DHUNË!

February 6, 2013 by dgreca

Avni Mustafaj, Drejtor Ekzekutiv i KKSHA, në Uashington, ka thënë se “ne kërkojmë me forcë që SHBA, BE dhe qeverive të Kosovës dhe Serbisë që jo vetëm të denoncojnë zotin Kërstmir Pantiç, por edhe bëjmë thirrje për dorëheqjen e tij të menjëhershëm për nxitje të dhunës etnike, e cila është ajo që çoi në fushatën e spastrimit etnik në Kosovë në vitin 1999. “/

 Nga BEQIR SINA, New York/

WASHINGTON D.C: Këshilli Kombëtar Shqiptaro Amerikan (KKSHA) në Washington ka bërë një dekleratë për shtyp ku këkohet dorëheqja e menjëhershme Krstimir Pantiç, Zëvendës Drejtor, Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë, mbas dekleratës së tij drejtuar misioneve ndërkombëtare të sigurisë për të braktisur menjëherë veriun e Kosovës, mbas sulmit në Lagjen e Boshnjakëve – Mitrovicë, gjatë të cilit u lënduan dy fëmijë.

Në dekleratë thuhet se shfyrtëzimi i këtij sulmi, ngjallë panik dhe nxitë drejtuesit e strukturave ilegale, me në krye zotin Pantiç që t’i akuzojnë shqiptarët dhe t’i bëjnë thirrje qytetarëve serbë që të ndërpresin çdo bashkëpunim me EULEX-in dhe KFOR-in, duke i cilësuar si forca okupuese, dhe se ata qëndrojnë pas sulmit në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë.

Me këtë dekleratë Këshilli Kombëtar Shqiptaro Amerikan (KKSHA) dënon gjithashtu thirrjen për armë nga Krstimir Pantiç dhe kërkon dorëheqjen e tij të menjëhershëm. Krstimir Pantiç, Zëvendës Drejtor, Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë, nuk ka bërë vetëm thirrje për dhunë, por ai edhe ka kërcënuar jetën e ushtarëve të KFOR-it dhe përfaqësuesve të EULEX-it, duke i akuzuar ata se janë: “të qenit” pas sulmit me granatë në një shtëpi në një lagje në Mitrovicë, ku mbeten të plagosur dy fëmijë.

Në fakt, thuhet në dekleratë një fqinj i fëmijëve të plagosur, Srdan Stojanoviq, u arrestua për shkak se ju gjetë një granatë dore, të ngjashme me atë të përdorur në sulm, grantë që u gjet në banesën e tij, dhe që shpërtheu në të njëjtën ndërtesë, dhe u zbulua se ai “nuk ishte në marrëdhënie të mira “me familjen e fëmijëve të lënduar.
Më tej, zoti Pantiç ka bërë thirrje publikisht për t’i dhënë sipas tij :” fund dialogut midis udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë. Kohët e fundit, Pantiç ka deklaruar: “Ne jemi duke dërguar me këtë një mesazh për armiqtë e popullit të Serbisë, se ne nuk do të dorëzohen dhe nuk do të lejojnë që ata të japin Kosovën.”
Kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë kanë pasur takime dialogu në mes tyre që të normalizojë marrëdhëniet midis dy vendeve, duke u pajtuar me radhë, ndër të tjera në shumë gjëra, siç janë ato për vendosjen e marrëveshjes kufitare dhe krijimin e një fondi për të mbështetur për shërbime sociale, të tilla si shkollat dhe spitalet, për serbët në veri të Kosovës. Përveç kësaj Presidentët e Kosovës dhe Serbisë do të takohen më 6 shkurt, të ndërmjetësuar nga zonja Catherine Ashton, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për politikën e jashtme , për të vazhduar dialogun për të ndërtuar marrëdhënie mbi një normalitet i ri.

Në dekleratë thuhet se Z. Avni Mustafaj, Drejtor Ekzekutiv i KKSHA, në Uashington, ka thënë se “ne kërkojmë me forcë që edhe SHBA, BE dhe qeverive të Kosovës dhe Serbisë që jo vetëm të denoncojnë zotin Krstimir Pantiç, Zëvendës Drejtor, Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë, por edhe bëjmë thirrje për dorëheqjen e tij të menjëhershëm për nxitje të dhunës etnike, e cila është ajo që çoi në fushatën e spastrimit etnik në Kosovë në vitin 1999. ”
Në fund të kësaj deklerate Këshilli Kombëtar Shqiptaro Amerikan (KKSHA) në Uashington thotë se :” Në mënyrë që populli i Kosovës dhe Serbisë për të jetuar si fqinjë të mirë, duhet të marrë masat për ndërtimin e besimit që të bihet dakord dhe garantohet nga autoritetet më të larta në Kosovë dhe Serbisë, paqe dhe siguri. Ndërkohë, që ata që e kundërshtojnë këtë, natyrishtë që janë rreziku për Politikën në Ballkan dhe “mendojnë” ta kthejnë Ballkanin prapa në luftërat e viteve 1990″, thotë Këshilli Kombëtar Shqiptaro Amerikan (KKSHA)

Filed Under: Kronike

DAÇIQI DHE “ATO” TË KALIT TË SKENDERBEUT?

February 6, 2013 by dgreca

Nga Fadil LUSHI/

Disa ditë më parë, në Republikën e Maqedonisë, u duk kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq. Erdhi në Shkup për të ndërtuar një komunikim!? Por ama asnjeri nuk e mori vesh se ç’kuptim kishte ky “komunikim” i tij. Disa thanë se mos vallë ishte një komunikim i moderuar, erotik,  nacionalist, politik, klandestin, fëmijëror, institucional, instinktiv, komunikim – mexhlis katundesh, komunikim emocional (hiq mënjanë komunikimin racional), provincial dhe, së fundi, komunikim dialektor…, (ata që ishin të angazhuar në protokollin e tij., thanë se kjo e “folme e tij dialektore” nuk u përkthye, ndoshta nuk kishte nevojë për një gjë të tillë). Disa të tjerë thanë se ky “llaf-muhabet” më shumë i përngjante një komunikimi me “isharete”, një komunikim i ndërtuar nga njerëz që në surratet e tyre kishin vënë maska mortore, maska shoviniste a edhe maska nacionaliste. “Inatçorët politikë shqiptarë” assesi nuk mund të thonë se ky komunikim nuk ishte “identik” me ato “delet që nuk japin qumësht…, ose me ato llaf-muhabetet pa bereqet”!? I gjithë ky komunikim me “isharete” ngërthente në vete një temë goxha serioze, gjegjësisht temën që përfliste gjendjen aktuale të shqiptarëve të Luginës së Preshevës…, të cilët edhe kësaj radhe dëshmuan burrërinë e tyre, atë pjekurinë politike të tyre, sa për të mos ua prishur rehatinë dhe për mos ua trazuar indiferencat politikanëve të Tiranës, po edhe atyre të Prishtinës (kuptohet atyre të pushtetit), të cilët edhe kësaj radhe nuk bën asnjë të vetmen përpjekje që të lirohen nga ngërçi i kompleksit të virgjërisë politike (hiq mënjanë atë të Edipit dhe të Elektrës), nga kompleksi i virgjërisë a edhe rrospisë urbane, nga kompleksi i provincializmit e të tjera komplekse. Kështu siç u ndërtua ky komunikim, të krijon përshtypjen se nuk i ka mbetur as faqe, as surrat, as ballë, as bisht, as buzë, as sy, as “din e iman”, as prapanicë, as lesh, as esnafllëk, as lezet e tjerë. Ka ardhur vakti që “raca e mykur e njerëzve legen që mëtojnë të ndërtojnë kësi komunikimesh thjeshtë të bitiset”.

Prezenca e tij në Shkup prodhoi më shumë gjeografi dhe kureshtje ndaj historisë së lapidarit të kalit të Skënderbeut të vendosur në anën e djathtë të lumit Vardar, sesa ndonjë protokoll të mirëfilltë. Logjikisht, Ivica Daçiqi nuk është kalë, ai është njeri, por është pasardhës dhe zëdhënës i politikës së Millosheviqit. Që nga dita kur u hoq lapidari në Luginë, disi ka filluar të krekoset e të çallëmdiset…, aq shumë po preokupohet e dalldiset me atë folk-patriotizmin e tij foshnjarak, saqë do humbasë aftësinë e të dalluarit të sendeve a gjërave. Ka filluar të ëndërrojë se si mund të luajë me koqet e shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe në veçanti me koqet e kalit të Skënderbeut!? Mendon se ato (koqe) mund të hahen. (Sipas ambientalistëve dhe vegjetarianëve, meqë njerëzit sot hanë çdo gjë prej mishi, assesi nuk kanë të drejtë dhe nuk duhet të therin kuajt, pasi që janë shumë të bukur dhe gjithsesi fisnikë, ndonëse ka pasur raste kur ata kanë ngrënë edhe koqet e njëri-tjetrit. Briggite Bardot thotë se është gjynah të hash mishin e kalit, në veçanti herdhet e tij). Ky i mjeri Daçiq, këto koqe kohë pas kohe i koncepton si lodra për fëmijë të lazdruar…, njëkohësisht ka filluar të hiqet si këshilltar politik për Ballkanin. Thjesht, po bën inatçorin. Eh, ky ka nevojë vetë për një këshilltar koqesh. Sipas nesh, ky çallëm nuk i shkon moshës dhe karakterit të tij.

I nderuar lexues, a e di pse nuk i shkon e gjithë kjo!? Ja po ta them unë: ky Ivica, ka faqe adoleshenti dhe paksa u përngjan atyre “dylberëve” të padishahut, i cili në sarajin e tij dikur moti mëtonte të organizonte do “gara” të çuditshme? I pari i garave të padishahut konsiderohej ai “dylber” që do të pshurrte drejt dhe më larg!? Ky zoti Daçiq, nuk ma mbush rradaken se në një garë të tillë mund të zinte ndonjë vend meritor. Jo pse nuk mund të urinojë përtej Pashallëkut të Beogradit, por pse dyshoj se do të kishte “pshurrur shtrembër”! Ata që “pshurrin shtrembët”, sipas fesë, shumë shpejtë marrin “mësysh”!?

Dhe ditën kur mori udhë për në hapësirat e qeverisë së Maqedonisë, nga dritarja e veturës me të cilën kishte shëtitur, kishte parë lapidarin e Skënderbeut dhe koqet e kalit të tij. Kali i Gjergjit është më i bukur se Daçiqi…, kali nga Gadishulli Ilirik ecën më bukur se ky politikan me memorie dhe moral të dyfishtë…, ndonëse i ka të dyfishta, asnjë prej tyre nuk i shërben e nuk i hyn në punë. Meqenëse Ivicës i kishte interesuar historia e kalit shqiptar si dhe gojëdhënat që i dedikohen, ja unë po i shpjegoj ca: “Ti mund ta dërgosh kalin te burimi, por s’mund ta bësh atë të pijë ujë”! Thonë se kali nuk të dëmton po nuk e teprove së rrahuri vitheve të tij, kali nuk ha bar e nuk pi ujë pse e do ti atë, kali thjesht dhe pa hile bën punën e vet. Kali i mirë e shton vetë tagjinë…, kali nuk fle, kali nuk zgërdhihet si pronari i tij, kali nuk urinon kur do pronari i tij, ai e bën këtë kur…, kali shqiptar nuk ka “dërrasa mangët…, deri më tani nuk kam dëgjuar kuajt të kenë rrjedhur nga “fiqiri”…. Kam krijuar përshtypjen se kali, si kafshë shtëpiake, “fiqirin gjithmonë e ka esëll”, kurse Ivica shpesh e ka “tapë”. A mos vallë keni parë ndonjëherë kalë të shëmtuar… Malësorët shqiptarë, për kalin thonë edhe këtë mendim: “Kalit po t’i biesh nga vithet, bën përpara, po t’i biesh nga koka, ecën prapa”? Kur para shumë vitesh, Brukseli dhe NATO-ja ia mëshuan Millosheviqit vitheve, ai bëri pordhë, kur i ranë nga koka, bëri teatër ose edhe cirk!? Kur i ranë koqeve, bëri alarmin dhe alarmistin…, kur ia futën…, filloi t’i djersitet bytha.

I nderuar lexues, ditën që Daçiqi “e pa lapidarin e Skënderbeut me kalin e tij”, sikur deshi që nikoqirit të tij, z. Nikollë, t’ia shpjegojë fabulën për kalin.

Dikur moti, një fermer kishte blerë një kalë, një ekzemplar të shkëlqyer!!! E kishte paguar goxha shtrenjtë, por pas një muaji kali u sëmur. Kështu fermeri, i dëshpëruar, thirri veterinarin:

– Ç’të them…, kali juaj ka një virus dhe duhet të pijë këto ilaçe për tri ditë; pas ditës së tretë do vij ta kontrolloj: nëse nuk do të bëjë më mirë, do na duhet ta vrasim!

Derrkuci që ishte aty afër e dëgjoi të gjithë bisedën. Pas ditës së parë me ilaçe, asgjë nuk ndryshoi! Derrkuci iu afrua kalit dhe i tha:

– Jepi mik, ngrihu në këmbë!

Ditën e dytë po njëlloj, kali nuk po reagonte.

– Jepi mik, ngrihu, ndryshe do të vdesësh! – e paralajmëroi derrkuci.

Ditën e tretë ia dhanë prapë ilaçet, por asgjë!

Veterinari erdhi dhe tha:

– Fatkeqësisht nuk kemi zgjidhje tjetër, duhet ta vrasim sepse ka virus dhe mund të infektojë kafshët e tjera!

Derrkuci, si i dëgjoi këto fjalë, vrapoi te kali për ta paralajmëruar:

– Hë pra mik, ka ardhur veterinari, jepi, o tani o kurrë më! Shpejt, ngrihu në këmbë!!!

Menjëherë kali i dha vetes, u ngrit në këmbë dhe filloi të vrapojë!

– Mrekulli!!! Duhet ta festojmë – bërtiti fermeri.

– Hajt të bëjmë një festë! Të therim derrin e të gostitemi!

Në këtë fabul ka ca të pavërteta. Fillimisht kali i Skënderbeut, kurrën e kurrës nuk ka pasur virus, asnjëherë nuk ka ndenjur shtrirë dhe së fundi nëse ky kalë ka pasur prejardhje anadollake, atëherë pranë tij nuk ka mundur të ketë një derrkuc nga Shumadia. Edhe z. Nikollë nuk e pëlqeu këtë fabul, sepse ishte në versionin serb! Ku ta dijë njeri, ndoshta edhe ai ka të drejtë. Unë e di se atyre që “do të trazojnë kalin e Gadishullit Ilirik” do t’u hiqet koka.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Daciqi, dhe ato te, Fadil Lushi, kalit te Skenderbeut

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 35
  • 36
  • 37
  • 38
  • 39
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT